Nga Pal Sokoli
Memorie.al / Babai im, Brahim Sokoli, ka lindur në Lekbibaj- Tropojë, me 1 janar 1900 dhe ka ndërruar jetë me 31 gusht 1991 në Mejë të Kosovës, krahina e Gjakovës. Brahimi si fëmijë i vogël, bashkë me familjarët e tjerë të Sokol Ndout, jetoi në Radoniq të Gjakovës në Kosovë, deri në vitin 1978, pastaj shpërngulet nga Radoniqi me të gjithë bashkëfshatarët tjerë dhe gjeti banim në Meje, tre kilometra afër qytetit të Gjakovës. Brahimi që në moshën shtatë vjeçare, mbeti pa babanë e tij Deli Sokolin. Deli Sokoli në vitin 1907, niset së bashku me një kushëri, për një vizitë familjare në Lekbibaj, te vëllazëria e tij Paplekaj. Në rrugë e sipër ndeshet në një pritë dhe vritet pabesisht nga disa cuba, që ose ishin të paguar, ose kishin lakminë e plaçkës.
Brahimi si i vogël shtatë vjeçar, u rrit nga nëna Zade dhe xhaxhallarët e tij. Shumë i ri i duhej të merrej më punë të ndryshme krahu, që të pavarësohej dhe të rifillonte jetën e tij. Falë krahëve të tij të vyeshëm, ndërtoi një shtëpi të vogël, mbante bagëti sa për nevoja të tij familjare dhe çdo vit e rriste edhe tokën e punës, qoftë duke hapë rrah- nga tokë malore e kthente në tokë pune, ose edhe duke e blerë. Sa për shkrim e lexim, kishte bërë vetëm një kurs në gjuhën serbe.
Kishte mësuar alfabetin cirilik dhe kur shkruante në gjuhen shqipe, përdorte shkronjat cirilike të gjuhës serbe. Brahimi një kohë ka punuar në Kooperativën bujqësor “Ereniku” në Gjakovë. Brahimi gjithashtu përjetoi një kohë të ngjarjeve të mëdha që nga Lufta e Parë Botërore, çlirimin nga perandoria osmane, pastaj pjekurinë e tij e arriti pikërisht kur lëvizjet e ndryshme çlirimtare kundër zaptimit të ri serbo-malazez dhe të tjerë ishin shumë aktive.
Martohet me Trashe (Bjeshkë) Ndue Kabashi dhe se bashku linden nëntë fëmijë dhe i rriten pa asnjë të keqe. Tetë djem dhe një vajzë, u rritën dhe u shkolluan të gjithë nën kujdesin e prindërve të tyre me kushte jo edhe aq të mira e që asokohe nuk i kishin shumica e popullsisë shqiptare.
Brahimin disa herë e mobilizuan për punë angarie (të detyrueshme), për të i’u ndërtuar shtëpi kolonëve serbo-malazez, të cilët sipas “Reformës” Agrare, që nuk ishte asgjë tjetër veçse projekt i ndryshimit të strukturës demografike të popullsisë së Kosovës, duke bërë presione të ndryshme psikike- fizike, tortura policore dhe likuidime të figurave të dalluara kombëtare,si edhe përvetësimi i disa udhëheqësve fetar, duke i joshur apo edhe duke i nxitur me “të drejta religjioze”, vetëm të mënjanohen edukimit apo edhe frymëzimit kombëtar.
Marrëveshjet e fshehta serbo-turke, sikurse edhe ajo greko-turke, ishin në dëm të popullsisë shqiptare autoktone, që masivisht i shpërngulën nëpër toka të Anadollit dhe duke i zëvendësuar me popullsi serbo- malazeze. Brahimi kishte organizuar së bashku me axhën Dedë Sokoli, edhe rrahjen e një inxhinieri serb që mashtronte shqiptarët, se do të punonin me pagesë në ndërtimin e shtëpive të “naseljenikve”, siç i quanin atëherë kolonët serbo-malazez.
E gjithë periudha në mes të dy luftërave botërore, ishte vetëm një luftë e re dhe shfarosëse dhe për fat të keq e padukshme, në dëm të popullsisë shqiptare. Lufta të ndryshme qëndrese të ashtuquajtur “Kaçakë”, bëheshin nga njerëzit më të mirë të kombit e që fatkeqësisht sipas të ashtuquajturës reformë agrare ndiqeshin, vriteshin dhe shpronësoheshin.
Pasuria e tyre e paluajtshme u uzurpohej nga pushteti i vënë me dhunë dhe ju jepej pikërisht ekstremistëve çetnik, që luftonin pa kompromis popullsinë vendëse shqiptare. Me këtë ata arrinin dy qëllime të tyre, të shpopullimit dhe të shpronësimit të shqiptarëve dhe pronësimin e kolonizatorëve më ekstrem, që gjithmonë patën mbështetjen shtetërore serbe dhe nxorën kokën e shfryen kundër popullit shqiptar.
Brahimin në mars të vitit 1945-së, e mobilizuan për frontin e dytë “Adriatiku”, gjoja për ta ndjekur okupatorin gjerman që ishte në ikje e sipër nga Jugosllavia. U mobilizua së bashku me disa vendas të tjerë për këtë “front antifashist” dhe është nga të paktit qe i shpëtuan masakrës së organizuar tinëzisht nga komunistët jugosllav.
Ata e shfrytëzuan ligështinë e forcave okupuese fashiste dhe kështu që në emër të ndjekjes së këtij okupatori, filluan të bëjnë presion mbi shqiptarë dhe ta lehtësojnë aneksimin e Kosovës dhe bashkëngjitjen e saj Jugosllavisë.
Në anën tjetër, edhe forcat komuniste shqiptare nga të dy anët ishin në dijeni të këtij akti kriminal që do të ndodhte në Tivar, por këtë akt e merrnin edhe si qërim hesapesh më forcat djathtiste ndër shqiptarët dhe që sipas gjasimeve të tyre, forca të tilla kishte në mesin e popullsisë që nuk ishte me Luftën Nacional-Çlirimtare. Mobilizimi i tyre ishte ide e përbashkët e komunistëve të Shqipërisë dhe atyre Jugosllav. Lidhur me këtë, baba, Brahimi, na tregonte:
“Na mblodhën në Gjakovë në një shkollë, të bunari (fjala është për Shkollën e Lart Pedagogjike). Në oborrin e kësaj shkolle me shumë të tjerë me ka parë një kojshi i im nga fshati Radoniq, Ilia Zeqeviq. Është afruar rrethojës dhe më ka thënë; ‘çka je ka bën këtu o Brahim’? I thash se me kanë marrë në qytet dhe po thonë se jeni të mobilizuar.
‘Ik bre Brahim, se nuk kalon mirë, ti ke fëmijë të vogël’ dhe iku duke shikuar rreth e rrotull, mos e dëgjoj ndokush qe foli me mua. U mbushën klasat plot me të mobilizuar, nuk kishim as kah me u shtri sa shumë ishim, dërrasave ju vinte era zift se i kishin lyer dhe ashtu nuk mund uleshim, edhe ata që ishin të lodhur e uleshin, u nxifshin teshave, kemi fjetë si kush mundte.
Me veti kishim ndonjë armë që i kishim personale, nuk kishin të gjithë, po na kishin premtuar se kush nuk ka armë, do të na i japin. Të nesërmen na çuan për Prizren dhe atje na bashkuan me shumë e shumë të mobilizuar të tjerë, nga të gjitha anët e Kosovës.
Na mblodhën në një kazermë dhe na i morën të gjithëve armët edhe ne edhe shqiptarëve tjerë, që ishin ushtar partizan. Aty na hyri dyshimi, se nuk është puna mirë. Nëpër kokë më sillej edhe fjala e kojshisë. E kishim pak shpresë se kishim me i ra rrugës nëpër Shqipëri dhe thoshim se janë tanët dhe nuk na ndodhë gjë. Rrugës deri në Shkodër, na kanë rrahur, na kanë vrarë, nuk na lenin të pushojmë.
Kaluam gati një javë. Pas një kaçube pashë një të ri që gjëmonte nga plagët. Ishte shmangur për nevoja të veta dhe e i’a kishin futë rafal dhe kishin lënë për të vdekur. E pveta me të vogël, se; kush të vrau ore?! ‘Shokët që po na përcjellin’ – më tha. Nga të folurit, ma mori mendja se ishte nga Drenica. Tanimë u mor vesh, se do të na çojnë dam të gjithëve.
Kur kemi kaluar afër një kroi, na kanë urdhëruar që të mos afrohemi askush pa komandë a urdhër të përcjellësve që ishin të gjithë serb e malazez, ‘Bokeshka brigada’, u thoshin. Duhej të afroheshim, vetëm kur na lejonin ata. Përreth kroit kishte plot gjak, e morëm me mend se aty kishte ndodhë diçka e hatashme. Ju afroheshim kroit, duke shkelë nëpër gjak të atyre që i kishin pas vrarë pak më parë.
Na kishin nda në grupe dhe ashtu ecnim të lodhur, të pa ushqyer, as me pi ujë nuk na lenin. Kam pa shumë djem a edhe unë vet, kam pi ujë nëpër rrugë, se nuk na lenin të dalim jashtë rreshtit. Kur jemi afrua lumit Buna afër Shkodrës, duhej me kaluar mbi gjemi (varka) e, me dalë ashtu me grupe në anën tjetër. Më dukej se ura mbi Bunë, ishte e dëmtuar. Disa djem ishin fjalosur me ushtarët serbo-malazez dhe i kishin gjuajtur në lum, dy nga ata ushtarë.
Derisa kishte ndodhur ashtu, ushtarë të tjerë kishin vrarë të gjithë të mobilizuarit që gjendeshin, jo vetëm në atë gjemi, por edhe në pesë gjemi të tjera, kjo përfolej nga gojë më gojë. Grupi im ishim afruar lumit, na kanë ndaluar sepse ne i dëgjuam pushkët dhe nuk na lenin të shohim se çka po ndodhë, kishin frikë se mos po rebelohemi te gjithë dhe ashtu duhej të vepronim.
Ata, për t’i zhdukur gjurmët, i pastronin gjemitë nga te vrarët dhe gjaku. Flitej se ishin dëgjuar edhe zërat e disave nga të vrarët, kur ushtarët serbo-malazezë i gjuanin të gjallët në lumin Bunë. Dikur e kaluam edhe na lumin, ushtarët ishin acaruar dhe mund të na vrisnin pa asnjë fjalë.
Ashtu të lodhur dhe të stresuar, i’u afruam Shkodrës. Në Shkodër na rreshtuan të Kalaja. Aty erdhi një automobile, me dikë nga udhëheqësit e Shqipërisë. Kur doli nga makina, i’a luajti dorën oficerëve ushtarak serbo-malazezë dhe i’u ka thënë me zë, se; ‘kështu nuk i kishim fjalët’! Ju është afruar disa oficerëve dhe kanë biseduar pak kohë, e më vonë edhe pse menduam se shpëtuam nga ‘përcjellësit’, tanë, na rreshtuan dhe u nisëm për Mal të Zi.
Atje nuk e dinim se ku po na çonin, po vetëm se na premtonin se do të na armatosin dhe do të ndjekim pushtuesit gjerman. Kur jemi afruar Tivarit, ishte bërë një kolonë e gjatë dhe siç dukej nuk kishte vend për të gjithë, apo ishte e kurdisur ndonjë kurth me na vra.
Unë ndodhesha në një grup që ishte gati kah fundi i kolonës. Kolona gati ishte shkri në atë lokalitet, që nuk ditshim se as çka është. Kur kemi dëgjuar të shtëna pushkësh, ne kishim marrë djegë përgjatë rrugës dhe siç ishim të pa armatosur, disa nga ne u shtrim për tokë.
Posa kanë krisur pushkët brenda atij lokaliteti, kanë filluar edhe të shtëna nga jashtë. Aty kanë shti nga të gjitha anët, në neve. Shumicën me duar të lidhura pas qafe, i shtynë në një magazinë që ma vonë e morëm vesh se kishte qenë duhani, edhe ata i kishin pas mbytë të gjithë. Mbeten shumë te vrarë por disa edhe ikën kah munden po edhe nëpër disa shtëpia. Po edhe civilët ishin të armatosur dhe na gjuanin me na vra kurdo që i’u afroheshim.
Para meje ranë për toke disa shqiptarë që i rroku rafali (breshëria) i ndonjë automatiku, për të cilin as që mund ta dinim se nga na gjuanin. U rrëzova edhe unë dhe ashtu qëndrova disa minuta dhe kur pashë se nuk jam i plagosur, me vrap kam dalë në drejtim të shtëpive të banuara. Edhe disa të tjerë që kishin shpëtuar u ngritën dhe morën vrapin në drejtime të ndryshme.
Unë i’u drejtova një shtëpie që m’u duk si më e vjetra dhe me një oborr të hapët e plot me trupa pemësh. Gjithnjë mendoja se si mund të mbrohem nga ndonjë rafal pas atyre pemëve. Në një vrap zig-zag hyra në oborr, në fund të oborrit kishte një stallë të vogël. Stalla ishte e ndarë në dy pjesë dhe njëra anë për fat ishte e zbrazët. U futa aty dhe nuk bëra asnjë zë. Qëndrova aty disa orë.
Pastaj mora rrugë përafërsisht kah ishim ardhur, kah Shqipëria. Ndjehesh i pa sigurt edhe pse isha larguar disa kilometra nga ploja, nga vendi i ngjarjes. Vendosa të kaloj natën në një shtëpi të vjetër dhe në dukje m’u bë se ishte e pabanuar. Posa u përvjedha dhe hyra brenda, pashë se aty kishte disa derra. Ma mur mëndja se dikush mund të vij aty, po jo deri në mëngjes. Njëra anë e trupit më dukej se ishte e lagur.
Nuk e dallova deri në mëngjes, kur filloi të zbardhet dita. Atëherë pashë se ishin stërpika gjaku. Në mëngjes një grua plakë u solli ushqim derrave dhe me gjeti edhe mua aty, nuk më ka fole fare, edhe pse unë i thash; ‘Dobro jutro majko’(Mirëmëngjesi Loke), se kisha frikë se do të bërtiste dhe do të më vrisnin…! Ajo nuk foli fare, u step dhe me shikoj nga fundi i këmbëve e deri majë krese. M’a ktheu shpinën dhe doli.
Unë u përgatita të iki, se droja mos po alarmon njerëzit e shtëpisë. Përmes një të çare të derës, pashë se po kthehej me një pallto në duar. M’a përplasi në duar dhe m’a bëri me dije, se nëse vjen djali i saj, do të kisha probleme. Unë vesha atë pallto dhe u përgatita të dalë. Plaka më solli një copë buke me një copë djathë dhe më tha; ‘beži odavde’ (Ik nga këtu).
Më ka drejtuar se kah të dal, jashtë atij qyteti që ishte në një heshtje vdekjeje. Nuk kishte lëvizje. Unë kam bërë dy javë derisa erdha në shtëpi, në këmbë gjithë rrugën. Kurrë nuk mora vesh se kah kishin ikur të tjerët”, – kujtonte babai im, Brahim Sokoli.
Brahim Deli Sokoli kujtonte mirë, se kur është kthyer në shtëpi, ja kishin bastisë krejt shtëpinë. Ishte koha kur nga janari, Zef Sokoli kishte dezertuar nga brigada partizane, që e drejtonte famëkeqi Malë Sadiku dhe i ishte bashkangjitur brigadës luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Bastisjen e kishin bërë një togë ushtarësh partizan të Bokës (“Bokeška Brigada”) dhe të përcjellë nga disa aktivist komunist të fshatit (Haxhi Misini etj.).
E shoqja Trashe (Mari) Sokoli, ose Bjeshka) kujton kur ishte bërë bastisja, se si kishin marrë gjithçka që kishte vlerë dhe se si disa nga aktivistët lokal, i thoshin; “Po ti pse po rri këtu, po e pret Brahimin me u kthye a, hiq mos e prit, po merre këtë djalë të vogël e, shko të baba yt, se ai nuk kthehet kurrë më, të kujt janë këto tesha që i ke la, mos janë të Zefit. Edhe atë e kanë vra, hiq mos e pritni”!
Nga këto sjellje të tyre, njeriu nënkupton se ata e kishin marrë vesh edhe masakrën e Tivarit dhe se çuditërisht ishin pajtuar me propagandën komuniste sllave, se gjoja “ata ishin vrarë si dezertor, se kishin kundërshtuar të luftojnë kundër armikut fashist” e, të tjera.
Nga ana tjetër të njëjtit aktivist komunist, ju kishin sulur edhe shtëpisë se Zefit dhe i kishin marrë të gjithë gjënë e gjallë e, gjithë bibliotekën e tij. Në pyetjen që i kishte bërë nëna ime, se pse i merrni mallin dhe librat e tij, njëri nga ata ‘pa-kurrizorët’ komunist, i’u kishte përgjigjur se; “janë libra të atij ballistit të Frashëllinjve, (e kishte fjalën për Mit’hat Frashërin) ndërsa gjënë e gjallë, ai u’a ka marrë vëllezërve tanë serb e malazez…! / Memorie.al