Nga Visar Zhiti
Pjesa e dytë
– Kur do të ishte 90 vjeç –
Memorie.al / E dëshirueshme shumë, po dhe gëzueshëm normale do të kishte qenë që familja e Pjetër Arbnorit dhe miqtë, por dhe Shqipëria sot, të sillnin tortën e ditëlindjes së tij me qirinjtë me numrin 90 që do të tregonin moshën dhe ai në krye t’u frynte për t’i shuar mes haresë dhe brohërimave dhe të ngrinte gotën e verës si bashkëshort dhe prind dhe gjysh, por dhe si bashkëvuajtës i lartë në burgjet e rënda të një diktature barbare, si deputet më pas dhe krye-parlamentar dinjitoz por dhe si shkrimtar i veçantë. Po ai iku i qetë dhe me një heshtje të mistershme 19 vjet më parë duke i lënë të gjitha, edhe për të mos shqetësuar, por në rregull me veten dhe botë…!
E kisha parë Pjetrin dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekëve.
Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen. Kisha qenë me Arbnorin-kryetar Parlamenti në vizitat zyrtare në Maqedoni e në Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte perfekt.
Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte ‘Ditarin e Burgut’, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet dhe novelat dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa…!
– “Eh, – më thosh, – nuk kam kohë tani, kur të dal në pension”.
– “Po jepua të tjerëve, të paktën ta daktilografojnë”.
– “Është me një alfabet që e kisha shpikur vetë, – më shpjegonte, – për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë”.
Kur përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e çuditshme historia, se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat e veta të grisura në fund të shtratit. Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova.
“Ja, tha. Ia bashkëngjita novelës si një hyrje, aq sa absurde dhe e trishtë”. Poeti Teodor Keko, deputet kundërshtar me Arbnorin, shkruajti një kritikë vlerësuese për librin, i goditur më shumë pikërisht prej saj, hyrjes, kaq e bukur, e rrallë, – më tha dhe mua. Nën kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, mik imi, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit, në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.
Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë, punoja në ambasadë si ministër këshilltar për kulturën. Si asnjë personalitet tjetër i lartë, ai kishte dhurata për të gjithë personelin, që nga ambasadori e deri te pastruesja. Djalit tim të vogël i dhuroi një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë. Pjetër Arbnori si shkrimtar që vinte nga burgjet mbajti një ligjëratë në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në auditorin e madh të mbushur plot.
Aty njoha dhe vajzën e shkrimtarit Ernest Koliqi, themelues i Albanalogjisë në atë Universitet. I iku regjimit, që e kishte dënuar me vdekje si kolaboracionist….! Dhe në New York, më treguan kolegë, i tillë ishte shfaqur Arbnori, dinjitoz dhe modest, po edhe si burrë shteti, po kështu dhe në Uashington.
PRESIDENTI I MUNGUAR
Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej, jo vetëm nga adhuruesit e tij, që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. “Si Kryetar Parlamenti, tani që s’ishte më, kuptohej që s’kishte patur shok, i rrallë, i shkëlqyer, – thoshin.
Po si President? Aq më mirë do të ishte! Sfidant! Vinte nga burgu dhe gjykatësit që e kishin dënuar, ishin ende gjykatës, madje dhe të ngritur në pozitë. Eh, këtë s’e falnin bashkëvuajtësit, shumica. Ndërsa krerët lart, pozitë-opozitë, do ta duronin dot Presidentin e Republikës, një ish-të burgosur politik, kur vetë i kishte rritur ai regjim, edhe me pekule?! Ç’duhej bërë? Ja, si me statujën më pas, me mirë statujë se sa president. Simboli i tij duhej zbehur. I të gjithëve si ai.
Ndoshta kjo ishte e vetmja çështje ku bashkoheshin pozita me opozitën. Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur. Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg në qeli e pas-burgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtim misterioz.
Kur ri erdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë; “por nuk më kanë thënë gjë”, – më tha urtësisht një pasdite, kur ishim në një koktej. Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipeshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistrua në shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zuri miqësi me ta. Takoheshim përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harresa po marshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misioni i Arbnorit?
PIRAMIDË DHE BRONZ
Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në spital. E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër. Ndërkaq Piramidës së diktatorit Hoxha, të rrjepur e bërë copë-copë, por të shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.
Tani dhe piramidën? Por nëse do të prishej siç diskutohej e protestohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por faji s’do ishte i askujt. Kur punoja në Ministrinë e Kulturës, i emëruar si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni në zyrë. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija, kishte realizuar një bust të Arbnorit dhe se “është në nderin e të gjithëve që ajo skulpture të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër”. Më bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese.
Dhe nisa interesimin tim më lart. E njihja fuqinë e atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit, sa tronditëse! Kërkova vendin ku mund të vendosej. “Po nuk është realizuar mirë busti”, mora një përgjigje nga një zyrë. Dhe ca më lart më thane; për ta lënë për më vonë këtë çështje!
“Ç’kanë ata me anën artistike te veprës, – u nxeh me të drejtë Çapaliku, – detyra e tyre është të caktojnë vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë”?
Ndieja një si bosh te vendet ku mund të vihej skulptura e Pjetër Arbnorit. Te qenë zënë të gjithë piedestalet. Boshi më kaloi dhe brenda vetes. Një si braktisje dhe ankth i ftohtë…! Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi? Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si Krye-parlamentar. Dhe e sollën kundërshtarët e tij.
U mblodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Krye-parlamentari Ruçi, ai që akuzohej drejtpërsëdrejti për masakrën e 2 prillit në Shkodër, ku Pjetër Arbnori ishte mes protestuesve, Presidenti i Republikës Meta, i përfolur për korrupsion galopant, i arrestuar vitin që shkoi, ndërsa nga opozita, ishte kryetari Basha dhe Zonja Topalli, ish Krye-parlamentarja tjetër demokrate, e para grua.
Të dy s’do të flisnin me njeri-tjetrin e plot aventura të tjera. Erdhi dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e besnikëri. Më dukej sikur nga çasti në çast shtatorja e Arbnorit, do të shpërndante cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.
Ai urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbartte qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s’është më Pjetri, por simboli i tij. Ndjej që më thërret dhembja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosurit të madh, zhgënjimin dhe ëndrrën e vrarë. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.
* * *
Unë shkruajta me rastin e vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit, artikulli doli në disa media dhe jashtë vendit. Aq. Dhe do të harrohej dhe bronzi i tij si për të shmangur më pas sa më shumë dhe atë ëndërr e atë frymë që vjen nga martirët, të vrarët dhe të burgosurit e të internuarit, nga revoltat e studentëve dhe të qytetarëve, aq të domosdoshme për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe të popullit dhe të atdheut. Duhet të rinisë nga opozita. Në pritje të një vizioni të ri të lidershipit.
E rëndësishme është rikthimi i asaj fryme. Duke u sjellë busti i Arbnorit prej kundërshtarëve, le ta shohim, mendoja atëhere si një përpjekje për t’u pajtuar bashkërisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e pa guxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një statuje.
Apo ishte mashtrim, më thotë një zë tjetër. Gjithsesi statuja është… ajo për ju, ne pasuritë e Shqipërisë, deri dhe te florinjtë e familjes së Pjetrit, që ia konfiskuan, kur e arrestuan dhe nuk i mori kurrë, edhe pse e fitoi të drejtën me gjyq. Ma tha vetë Pjetri: “E di që s’do t’i marr, por fitova moralisht”, – e mbylli.
EPILOG I VOGËL, JO VETËM PËR MUA!
Na ndodh shpesh të flasim me shokë, më shumë për të kaluarën, ku e tashmja është si një zgjatim i keq i saj, por për më mirë, – themi, jo një zëri. Janë po ata ose bijtë e tyre, që bënë diktaturës, që duan të bëjnë dhe demokracinë, por po e sundojnë…!
“Natyrisht që kujtohet dhe Pjetër Arbnori, me nderim për dinjitetin, për qetësinë në Parlament”, – thotë një tjetër, -“drejtpeshimin, për vuajtjen, mos-hakmarrjen”, – shtojnë, – “duhet të bënte më shumë për shtresën e vet”, – vazhdon ndokush që e di veten shtresë tjetër, “madje duhej të jepte dorëheqjen”, hidhet një tjetër, që vetë s’ka guxuar për asgjë, “ju mashtruan, ju, të persekutuarve…”!
“Pse? Ty jo”?… “Po prapë jemi ne…” – ma thonë si me humor të zi, por dhe me kënaqësi dinake. Edhe pse jetojnë në SHBA-ës, të lirë, janë pasuruar shumë, por s’u ikën nostalgjia për kohën e tyre, enverizmi u shpifet në eshtra si reumatizma kur vrenjtet moti, kur Moska nxjerr dhëmbët apo Kina po bëhet superfuqi, sipas tyre, i deh globalizmi…!
Bashkëvuajtës të mi dëshpërohen me të drejtë, “prapë s’jemi mirë, – thonë, – ka dhe nëpërkëmbje, harrim të qëllimshëm, ai dëmshpërblimi i qeverisë, dukej si shpërblim i dëmshëm”, kam shkruar dikur. Por gjithsesi e kam gjetur përgjigjen time, ngushëllimin, çelësin. Unë them:
– “Ne fituam, kauza jonë, nuk u bëmë ne komunistë, as Pjetër Arbnori me shokët e tij, por ata u bënë siç donim ne, kapitalistë, pavarësisht…! A po ndërtojmë sistemin kapitalist, ekonominë e tregut, – vazhdoj të them, – me të drejtat e njeriut të parat, liritë dhe besimin? Ata, ata erdhën në rrugën tonë…” Kush ka fituar”? Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016