Nga Këze Kozeta Zylo
Memorie.al / Mimoza Lesko, me origjinë nga fshati Tatzat i Delvinës, pinjolle e një prej familjeve nacionaliste më të njohura të asaj krahine, të cilën regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, e kishte shpallur “armike të popullit” dhe e kishte internuar në fshatrat më të humbura të Shqipërisë, në një rrëfim për familjen e saj, tregon krimet që ai regjim ndërmori ndaj asaj familje si dhe fisit Shaska nga nëna e saj, dy prej fiseve nacionaliste, shumë të njohur dhe me histori të madhe në Jugun e Shqipërisë. Për më shumë rreth kësaj etj, na njeh intervista që znj. Mimoza Lesko, i ka dhënë gazetares së njohur, Këze Kozeta Zylo, të cilën po e publikojmë në këtë shkrim.
Znj, Mimoza, le ta nisim këtë intervistë me ju, në periudhën e viteve të fëmijërisë suaj, si ka qenë ajo dhe si e keni përjetuar ju si fëmijë?
Ishin vite të vështira! Familja ime përfaqësohet nga të dy mbiemrat; Lesko nga babai dhe Shaska, nga mamaja, pra vetë mbiemrat flasin shumë! Mbas shumë dëbimeve nga vende të ndryshme, ku edhe mbiemrin nga Lesko, ja shkruaja në Leskaj, babai më në fund vendoset në një kasolle të vjetër, në periferi të një qyteti të vogël, që quhet Shijak!
Mbas shumë mundimesh arrin të ngrejë një shtëpi. Aty linda unë, dhe ndërsa rritesha, fillova të kuptoja peripecitë e mëdha të familjes. Një fëmijëri e heshtur e imja, si e shumë të tjerëve që rridhnin nga familje me “biografi të keqe”, kjo lloj “damke” të ndiqte kudo, dhe në çdo lloj moshe. Kam jetuar çdo ditë të jetës sime, me frikën se nga momenti në moment, mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime.
Persekucionet mbi babanë dhe familjen gjithashtu, ishin të shumëllojshme dhe kjo ndikonte shumë në rritjen dhe formimin tim si fëmijë. Vendi ku jetonim, kishte njerëz bujar dhe të mirë, të cilët na lehtësuan sado pak mënyrën e jetesës në Shijak, kështu që ndërsa kalonim rrugës, nuk na shante dhe ofendonte njeri, me fjalën e ndyrë “balliste e qelbur”, siç bënin shpesh në zonat ku jetonin të afërmit e mi.
E them me shumë respekt se vetë shijakasit, ishin njerëz të mirë, bujarë dhe mikpritës. Babai im, njeri shumë i ndershëm dhe punëtor arriti të fitonte respektin dhe dashurinë e këtyre njerëzve të mirë. Na shihnin me respekt, dhe vlerësonin kulturën e familjes sonë. Pjesa më e dhimbshme e fëmijërisë time, ishte familja e mamasë time, d.m.th., gjyshërit dhe dajot të internuar në një majë mali, i quajtur ‘Skotull’ (nga zona e qytetit të Vlorës), ku kishte vetëm egërsira. I ngjitesha atij mali me orë të tëra, për të parë të afërmit që jetonin atje. Isha vetëm pesë vjeçe dhe imazhi i asaj jete atje, më ka ngelur akoma në sy.
Kam përpara syve dhe sot gjyshin, Filo Shaska, i dalë shumë i sëmurë nga torturat e egra të burgjeve. Njeri i shkolluar, ekonomist i zoti dhe njeri i ndershëm, që njohu torturat dhe varfërinë më makabre të atyre kohërave. Varfëria e panumërt e ditëve që shoqëruan mamanë dhe motrat e vëllezërit e saj mbas arrestimit të gjyshit, është e llahtarshme. Ajo nga mos të ushqyerit, u sëmur aq shumë, sa dhe sot i vuan ato pasoja. Këto ngjarje dhe shumë të tjera, i kam përjetuar shumë keq fëmijë. Kam derdhur lot të panumërt, përballë vuajtjeve të tyre, ku ajo e imja nuk ishte asgjë.
Cila është familja juaj dhe pse u persekutuat nga regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhës?
Familja ime, ishte kundërshtare e regjimit komunist. Ajo asnjëherë nuk u përputh me idetë e gabuara të atij sistemi. Im atë, ishte djali i një nacionalisti shumë të njohur, në gjithë zonën e Jugut, njeri me influencë të madhe, i quajtur Ahmet Lesko, nga Tatzati i Delvinës! Me plagosjen e tij dhe eliminimin fizik në spitalin e Tiranës, ngjarjet ndryshuan. Menjëherë mbas fitores së komunizmit, vëllezërit e tjerë; Qaniu, Karafili dhe Ismet Lesko, u arratisën dhe jetuan jashtë Shqipërisë, derisa vdiqën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prehen eshtrat e tyre edhe sot. Nëpërmjet arratisjes, i shpëtuan barbarizmit të egër komunist.
Ndërsa vëllai vogël, Namik Lesko, duke menduar për fëmijët e mitur, të lënë me nënat në moshë shumë shumë të re, vendos të qëndrojë dhe të kujdeset për ta. Nuk kalon shumë kohë dhe e kapin, duke e eliminuar fizikisht në mënyrë barbare, në copëtimin e trupit të tij, për ta hedhur në lumin e Lanës, ku kuptohet ngelet dhe pa varr! Pra duket qartë persekutimi në vazhdim i fëmijëve që filluan të rriteshin, ku më i madhi ishte babai im, Enver Lesko!
Çfarë do të kujtoni nga jeta juaj e peresekucionit, si e keni përjetuar diferencimin në shoqërinë e atëhershme, a mund të na sillni ndonjë episod që mund t’ju kujtohet?
Kam shumë për të kujtuar. Vuajtjet janë të mëdha dhe të pafundme, por do ju sjell vetëm tri episode…!
Episodi i parë, kur isha në moshën tetë vjeçe, qëllohem në buzë me sustën e një çante shkolle, dhe gjaku më rridhte pa pushim. Ashtu e gjakosur futem në shtëpi dhe prindit të shqetësuar filluan të ulërinin. Kjo bëhesh që babai im, të reagonte dhe duke u irrituar, të fliste apo të shante dhe kështu të gjenin shkak, për ta burgosur. Ngjarjet pasuan me një denoncim, ku u përgatit një fletë-rrufe e hidhur, siç përdoreshin atëherë për të demaskuar kundërshtarët e regjimit!
Episodi i dytë ka qenë kur isha në moshën 14 vjeçe dhe nuk më jepej e drejta për të vazhduar shkollën e mesme dhe pse isha shumë mirë me mësime! U bënë përpjekje të jashtëzakonshme nga njerëz që na donin dhe respektonin, të cilët e quanin të pavend faktin, se nuk duhej të shkollohesha.
Episodi i tretë, ka qenë në vitin 1987, kur unë marr guximin dhe fshehurazi prindërve, i shkruaj një letër xhaxhait në SHBA-ës. Ishte thjeshtë një letër përshëndetje, e shkruar me shumë kujdes, por që doja t’u tregoja, se ne ishim gjallë e mirë, dhe i mendonim e kujtonim ata. Përgjigja e tyre vjen pas një viti dhe nuk na jepet ne, por thërrasin babain në Degën e Punëve të Brendshme, ku e kërcënojnë, duke i thënë që; duhet të më ”mblidhte”, për guximin që mora, pasi në një rast të dytë, do mendonin ata vetë për mua!
Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja të parealizuara në Shqipëri dhe si ndiheni sot, kur i kujtoni pengesat e peripecitë e shumta që ju sollën gjatë regjimit komunist?
E vetmja ëndërr primare që kisha, ishte Liria! Doja të isha e lirë dhe jo ashtu në kafaz, siç jetoja! Nuk reshta asnjëherë në çdo moment të jetës, pa e ëndërruar, sepse nga kjo varesh gjithçka. Shkruaja dhe lexoja me etje çdo libër, ëndërroja të bëhesha shkrimtare me emër, ku të mund të shkruaja vetëm të vërteta! Dhe me këto dy ëndrra u rrita, ndërsa vitet kalonin. Që të dyja nuk i realizova dot në Shqipëri, dhe është kjo arsyeja që unë shkruaj dhe botoj në gjuhën shqipe.
Ju ka rastisur gjatë periudhës postkomuniste, të takoni persekutorët e familjes suaj?
Kam shkruar një tregim për këtë. Kam qenë dëshmitare kur im atë takoi persekutorin e tij! Nuk mund ta harroj kurrsesi. Përsa i përket spiunëve ordinerë, që ishin persekutorët në vazhdim, pothuajse jetonim me ta. Ishte njëlloj “kompromisi” e quaj unë….! Pra unë hesht, dhe ti s’më bën dot gjë. Absurditeti i asaj jete të jetuar ndryshe dhe të qenurit ndryshe, do thosha.
Kur ikët nga atdheu dhe cila ishte arsyeja kryesore e largimit për në Itali?
Nga atdheu u largova në vitin 1995, por kjo për arsye sepse u martova dhe krijova familje në Itali, pra një zgjedhje personale e jetës!
Cili është ndryshimi midis atdheut tënd Shqipërisë dhe Italisë që të priti? Në bisedat me miqtë italianë, në se ju ke treguar historinë tuaj të dhimbshme familjare, cili ka qenë qëndrimi i tyre?
Ndryshimet janë të mëdha, sepse filloi një jetë familjare nga e para. Vendi, kultura dhe mënyra e jetesës, ishin e kundërta e asaj që lashë dhe jetova unë. Shpesh me shaka them, që kam jetuar dy botë, por kjo është e vërtetë. Në biseda me miqtë kam treguar shumë ngjarje, shpesh dhe nuk më kanë besuar, kjo për faktin se ka ngjarje vërtetë të paimagjinueshme, dhe kam arritur në konkluzionin, që është e pamundur të na kuptojnë, duhet jetuar!
Sot mjerisht ka politikanë, pseudo gazetarë, ku më duhet të them se ka dhe nga klasa juaj e persekutuar, që në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër komente, që fshihen nëpër adresa anonime apo në shkrime të ndryshme, duke i akuzuar si kriminelë, tradhtar, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njëjtën gjë, siç i dënoi diktatura, me shpifje, inate, diskriminime…!
Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve kudo ne botë?
Karakteri është personal! Ndërsa jeta rrjedh me shpejtësi edhe njeriu kërkon të rikuperojë me shpejtësi kohën e humbur, dhe këtu del në pah karakteri personal i çdokujt. Përsa i përket rrëmujës që ndodh në Shqipëri, ndiej dhimbje. I kthej shpesh mendjen dhe sytë aty me keqardhje të madhe. Ai popull i vuajtur meriton shumë, ai vend është vërtet shumë i bukur, por siç duket tek ne shqiptarët, ka një lloj egoizmi, që e përdorim në të keqen tonë.
Ju keni botuar libra me poezi, ku shumë prej poezive tuaja janë mirëpritur nga lexuesit, cilat janë motivet më kryesore që ju kanë dhënë frymëzim, për t’i hedhur në letër?
Gjithçka më frymëzon! Përpiqem të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë, nuk është kurrë vonë për këtë. Mbas mungesës së fortë që ndjeva pas humbjes së tim eti, i cili u bë shkas në realizimin e kësaj ëndrre, frymëzimin e gjej kudo. Nga mëngjesi dhe gjer në mbrëmje, jeta të dhuron nga më të ndryshmet emocione. I marr ato nga e kaluara, risjell tek lexuesit e rinj atë pjesë të cilët ata nuk e njohin. Praktikisht shkruaj çdo emocion të vërtetë, dhe kjo ka bërë që lexuesit të kthejnë sytë në ato çka unë shkruaj.
Cilat janë ëndrrat tuaja që parashikoni se do t’i realizoni në të ardhmen?
Të ëndërrosh është bukur, sepse jeta kudo ka vështirësitë e veta, dhe unë mendoj se do vazhdoj akoma të shkruaj. Përfundova librin e tretë poetik, “Pyeta Retë” i cili hyn për botim këto ditë, mbas atyre dy të para si: “Flas me heshtjen“ dhe “Dashuri me ngjyra vjeshte”. Po përfundoj një libër me tregime që marrin spunto nga ngjarje të vërteta dhe disa dorëshkrime, si dhe po punoj për romanin e parë, i cili titullohet “Rikthim në të kaluarën”! Shpresoj në realizimin dhe mbarësinë e tyre! Memorie.al
New York, Qershor, 2016
Marrë nga gazetadielli.com