-Si u zbulua në Shqipëri, lënda e volumit të tretë të “Acta Albaniae”, e Milan Shuflait, për të cilën ka vite që diskutohet –
Memorie.al / Pas dëshmive dhe dokumenteve që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën e mesjetës, nga viti 334 – 1406, tani historiografia shqiptare, ka edhe lëndën e volumit të tretë që përfshin kohën e motit të madh të Skënderbeut. Milan Shuflai, lindi në Lepogllav të Kroacisë më 9 nëntor 1879. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin, vazhdoi studimet për shkencat historike në Universitetin e Zagrebit. Qysh në universitet, lexonte në origjinal veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Ai njihte në themel të gjitha gjuhët sllave, e më vonë mësoi hebraisht, shqip e sankrisht. 24 vjeç, afirmohet si studiues i përmasave evropiane. Pas studimeve universitare, bashkëpunon me Shmiciklasin, për hartimin e korpusit “Codex diplomaticus”.
Gjatë vitit 1902-1903, punon pranë Institutit të Studimeve Historike në Vjenë, ku boton “Dokumente private të Dalmacisë”. Nga viti 1904-1908, punon në Muzeun Popullor të Budapestit. Vepra monumentale e Milan Shuflait, mbetet “Acta et diplomata res Albaniae, mediae aetatis illustrantia”, që do të thotë dëshmi dhe dokumenta që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare. Shkurt; kjo vepër me dy vëllime për historinë e Shqipërisë, njihet me emrin “Acta Albaniae”. Volumi i parë u botua në Vjenë më 1913, kurse volumi i dytë, më 1918, po në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406 dhe janë shkruar në bashkëpunim, me studiuesit K. Jirecek e L. Talocin.
Në vitin 1916 e më pas, boton: “Gjendja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në mesjete”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e shtetit sllav, ku veç Serbisë përfshihet edhe Sllovenia e Kroacia, për historianin Milan Shuflai, fillojnë ndjekjet dhe persekutimet. Arrestohet, burgoset dhe dënohet me 3 vjet e gjysmë burg, si anëtar i komitetit kroat, të formuar në Grac të Austrisë. Serbët nuk mund të harronin aq kollaj, argumentet dhe analizat që kish bërë ai për lashtësinë e shqiptarëve.
Pasi del nga burgu i Mitrovicës boton “Mjegullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Bërthamat shtetërore, Shqipëria në lashtësi”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat në mesjete” etj., etj., gati 3 mijë tituj librash e artikujsh studimore mbi Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Malin e Zi, Italinë, Slloveninë, Austrinë. Milan Shuflai ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emër ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balshaj”. Siç shihet dhe nga kjo bibliografi e shkurtër, Shuflai është një nga personalitetet më të mëdhenj të shkencës dhe albanologjisë. Ai është përfaqësuesi më dinjitoz i saj.
Nuk ka albanolog tjetër, që mund të konkurrojë Shuflain për periudhën e mesjetës. Me dokumente dhe fakte, ai argumenton fillimet e para të jetës qytetare të Shqipërisë, shumë kohë para se sa të vinin sllavët. Ai argumentoi prejardhjen tonë. Davariti mjegullat e kohës e, saktësoi kohën ilire, helene, romake e bizantine të Shqipërisë. Ai dhe vetëm ai prezantoi themelet e ndërlikuara, mbi të cilat është ndërtuar jeta jonë kombëtare e shtetërore. Për të kryer studime të tilla, nuk është e lehtë. Burimet e informacionit janë shumë të largëta, gati të paarritshme. Por edhe kur i gjen, është e pamundur t’i deshifrosh se njerëzit në atë botë, nuk flisnin e nuk shkruanin, siç flasim e shkruajmë ne sot.
Mendoni, ç’dituri e madhe, ç’punë kolosale, ç’kohë e gjatë e sa mund i është dashur Shuflait, për të rindërtuar pa asnjë të metë, mozaikun e shqiptarëve të sotëm që më parë quheshin arbër e akoma më herët, ilirë. Nëse historiografisë sonë i heqim Shuflain, atëhere ç’mbetet?! Prejardhja jonë do të ishte e dyshimtë, e mangët, e cunguar. Të dhëna për këtë periudhë kanë paraqitur dhe studiues të tjerë, si; Farlati, Valentini, Dyselje etj., por roli dhe saktësia e Shuflait, nuk mund të krahasohet me asnjë. Ai është i padiskutueshëm. Të gjithë ata që duan të flasin për historinë e Shqipërisë, patjetër duhet të kalojnë nga burimi i Shuflait. Vritet pabesisht në Zagreb, më 18 shkurt 1931, një muaj pasi kishte vizituar Shqipërinë.
Si u vra Milan Shuflai!?
Jo vetëm jeta, por edhe vdekja e Shuflait, ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Ai që ia kish kushtuar gjithë jetën historisë së Shqipërisë, s’kish se si të ndahej nga kjo botë, veçse për shkak të saj. Në dhjetor të vitit 1930, Mbreti Zog e fton Milan Shuflain, të vizitojë Shqipërinë. Mbreti e njihte mirë kontributin e Shuflait në hartimin e historisë së Ballkanit, prandaj ai donte që Shuflai, të shkruante edhe historinë e Shqipërisë. Dhe Shuflai që e admironte kaq shumë këtë popull të vogël, me histori të lashtë, erdhi në Tiranë. Bujti në hotel “Kontinental” dhe qëndroi 8 ditë. Në një nga këto ditë, ai mbajti një fjalim para parlamentarëve shqiptarë. Aty përmendi biologjinë e fisit shqiptar, si pjesë e një projekti për historinë tërësore të Shqipërisë. Në parlament ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit dyfish.
Një javë pasi u largua nga Shqipëria për në Zagreb, i erdhi kërcënimi i parë. Një pusullë prej letre, ku i kërkohet të hiqte dorë nga studimet dhe shkrimet e mëtejshme. Në fund shënimi: “Organizata Nacionale, për Mbretin dhe Atdheun”. Natyrisht, tani ai kish më shumë punë, se asnjëherë tjetër. Sapo qe kthyer nga Shqipëria, ku kish marrë obligim për të përfunduar vëllimin e tretë të “Acta Albaniae”. Katedra e historisë për Evropën Juglindore në Universitetin e Budapestit, i kish afruar një vend pune. Mirëpo mbreti Aleksandër, nuk e la të dilte jashtë kufijve të Serbisë.
Ndërkohë dhe Akademia e Shkencave të Vjenës, i kish propozuar të mbaronte punën, për vëllimet e lëna përgjysmë. 52-vjeçari Milan Shuflai, nuk mund të trembej nga një kërcënim prej letre. Të tërhiqej? As që bëhej fjalë! Kështu deri në mbrëmjen e 18 shkurtit. Ndërsa po kthehej në shtëpi, hyri në një rrugicë dhe… (sipas pohimeve të mëvonshme) tre vetë e ndalojnë në errësirë, e qëllojnë me levë në kokë dhe largohen me shpejtësi. Rrëzohet pa ndjenja në tokë dhe ashtu të mbytur në gjak, e gjejnë kalimtarët e rastit, të cilët e çojnë menjëherë në spital. Mirëpo është vonë. Vdes po atë natë, pa thënë asnjë fjalë, e pa lënë asnjë amanet!
Autoritetet ndaluan botimin e çfarëdo lajmi, që kish lidhje me vdekjen e tij. Mirëpo Shuflai, nuk ishte individi i zakonshëm. Ai ishte kthyer tashmë në institucion. Gazetarët e huaj dhanë menjëherë lajmin e bujshëm: “Milan Shuflai, ndërsa po kalonte rrugës për të shkuar në shtëpi, u godit në errësirë nga persona të panjohur e, më pas vdiq në spital”. Ata e quajtën; “krim të madh”, pa nguruar të thonë; “i organizuar nga policia serbe, e cila rrëmbeu nga shtëpia, të gjitha dokumentet e dorëshkrimet e tij”. Pas këtij njoftimi intelektualët evropiane, midis të cilëve edhe Ajnshtajni e Hajnrih, e dënuan vrasjen makabre.
Akademia e Shkencave të Kroacisë, lëshoi një komunikatë ku dënonte vrasjen dhe shtronte pyetjet: Si u vra dijetari, studiuesi dhe profesori ynë? A ishte ky një sulm për ta grabitur, apo një vrasje politike e paramenduar? A u godit Shuflai, thjesht për ta trembur, e vetëm kaq apo, duhej asgjësuar përfundimisht? Nëse po, atëhere pse duhej likuiduar fizikisht, një burrë 52-vjeçar siç ishte Milan Shuflai? Ç’ekuilibër prishi ai? Po! Milan Shuflai, kishte gabuar rëndë. Ai ishte larguar nga shkolla sllave. Rilindja serbe, e quante popullin serb, popull misionar, një popull i cili, qëndron mbi të tjerët. Sllavët e jugut, kishin ardhur në këtë rajon të Evropës, për të emancipuar barinjtë e egër të Ballkanit.
Kjo filozofi që ekziston dhe sot e kësaj dite, binte ndesh me frymën evropiane të Shuflait. Ja pse vdekja e Shuflait, në atë natë të ftohtë dimri, mbeti misterioze deri në dimrin e vitit 1940! Ajo u ndriçua vetëm pas këtij viti, kur para Gjykatës së Zagrebit, u nxorën si të pandehur; Branko Zverker, Lubomir Bellosheviç dhe Stevo Vecernica. Ata deklaruan se vendimi për likuidimin e Milan Shuflait, u mor pasi ai u kthye nga Shqipëria. Pas kërcënimeve për të hequr dorë nga studimet e tij më 15 shkurt, në zyrën e shefit të Policisë së Zagrebit, u vendos likuidimi i tij”. Kështu shkruan Josip Horvart (f.228) në veprën e tij, kushtuar Milan Shuflait.
Si u gjet lënda e vëllimit të tretë të “Acta Albaniae”?!
Për lexuesin e gjerë duhet theksuar, se qysh pas vdekjes së Milan Shuflait, ka ekzistuar një debat i gjatë, nëse e kish shkruar apo jo Shuflai, vëllimin e tretë të; “Acta et Diplomat es Albaniae mediae aetatis illustrantia”?! Kur Jirecek e Taloci qenë gjallë, të tre autorët, kishin deklaruar; se do të botonin të paktën 4 vëllime. Mirëpo ata kishin vdekur. Vetë Shuflai kish deklaruar, se do të ketë një vëllim të tretë, që do të fillojë nga viti 1406, e do të mbarojë në vitin 1536. Po t’i referohemi letërkëmbimit, që ka pasur Mit’hat Frashëri me Milan Shuflain në gjuhën frënge, në një nga letrat e tij, Mit’hat Frashëri e pyet: A po vazhdon të punosh me korpusin “Acta Albaniae”? Shuflai përgjigjet: “Po i dashur mik, jam duke përgatitur vëllimin e tretë”.
Gjithsesi, ky pohim është një e dhënë e tërthorte, që tregon se Shuflai kish ndërmend të botonte edhe vëllimin e tretë. Mirëpo nuk është vetë vepra. Një studiues mund të nisë një punë, apo të pohoje për një vepër, e më pas ta lërë përgjysmë, ose të mos e shkruajë kurrë. Debati, nëse ka apo jo një vëllim të tretë, u aktivizua në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur studiuesi serb Radoniç, botoi një vepër me titull: “Acta Skanderbega” dhe me linjë të ngjashme me atë të “Acta Diplomata”. Shumë studiues, mendonin se lënda i përkiste Shuflait, por jo fryma. Ato nuk ishin marrë nga dy vëllimet e para, por nga një vëllim tjetër, që nënkuptonte vazhdimin e dy të parave. Radoniç, ose linte mënjanë frymën evropiane të Shuflait, ose e cungonge atë. Ka shumë mundësi, që një botim i tillë, të jetë bërë pikërisht për të ndrequr “gabimet e Shuflait” ose, më e pakta, për të riparuar diçka nga tërmeti që shkaktoi Shuflai, në lidhje me lashtësinë dhe historinë e shqiptarëve.
Radoniç, nuk e bëri këtë për të vjedhur punën e tjetrit, por me të njëjtën lëndë, të krijojë një imazh tjetër të kundërt, me atë që kish dhënë Milan Shuflai. Sa më shumë ka kaluar koha, aq më shumë është forcuar bindja, se vëllimi i tretë i “Acta Albaniae”, është shkruar dhe diku ekziston. Para tre muajve, gjatë një kërkimi të zakonshëm në fondin e Ministrisë së Arsimit që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, u gjet një dosje e veçantë me nr.295, viti 1931, i quajtur fondi 85. Kjo dosje, s’kishte të bënte fare me Ministrinë e Arsimit. Ajo ishte një dosje e çuditshme, me 50 faqe dhe me një pasqyrë lënde, me tituj për Historinë e Shqipërisë, nga viti 1400-1536. Ministria e Arsimit, ka në fondin e vet dokumente administrative, që lidhën me arsimin, e jo dokumente historike.
Atëhere ç’ishte kjo dosje?
Hapi i parë që u bë nga Arkivi Qendror i Shtetit, ishte të verifikonte lëndën e ta krahasonte atë, me një tjetër të ngjashme. Pas verifikimit u pa se e ngjashme me të, ishte vetëm “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis ilustratia”. U vu re homogjeniteti i lëndës, vazhdimësia e saj, burimet e njëjta. Pikërisht atje ku mbyllej volumi i dytë, i “Acta et diplomata”, fillonte dosja 295 e vitit 1931. Megjithatë ishte vështirë të thuhej nëse dosja 295 ishte vërtetë dorëshkrimi i Milan Shuflait apo jo?
“E fotokopjuam këtë dorëshkrim,- thotë Shaban Sinani, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë,- dhe gjatë vizitës sime në Arkivin Qendror në Zagreb, e mora me vete. Në takim me një grup specialistësh të Arkivave të Kroacisë, u shtrova këto pyetje: A mund të verifikohet nëse gërmat e këtij dorëshkrimi, i përkasin makinës me të cilën ka punuar Shuflai? A mund të verifikohet gjithashtu nëse shkrimi i bërë me dorë në faqen 19, është shkrimi origjinal i Milan Shuflait? A gjendet kjo lëndë në Arkivin e Kroacisë? Dhe, me në fund, a është kjo ende një vazhdim logjik i vëllimit të dytë, të “Acta Albaniae”?
Drejtori i Arkivave të Kroacisë, z. Josip Kalanoviç, mblodhi një grup ekspertësh, të cilët pasi u morën me verifikimet e dorëshkrimit dhanë këto përgjigje: Po, gërmat e përdorura në këtë fletë, i përkasin makinës së shkrimit të përdorur nga Milan Shuflai. Gjithashtu, shkrimi i bërë me dorë në faqen 19, i përket Shuflait. Për pyetjen e tretë, nëse kjo lëndë ndodhej dhe në arkivat e Kroacisë, ata u përgjigjen: Jo! Kurse për pyetjen e katërt, arkivistët kroatë u përgjigjen se; e gjithë lënda që përfshinte periudhën 1400-1536, ishte vazhdim logjik i “Acta et diplomata”. Nga të dyja palët, u konfirmua përfundimisht, se Shuflai e kish pasur të gatshëm për botim, gjithë lëndën e vëllimit të tretë. E kur pasqyra është 50 faqe, mendoni se sa do të ishte vëllimi i tretë? Të paktën 700 faqe”!
Për fatin tonë të mirë, një pjesë e kësaj lënde ndodhet në arkivin tonë, një pjesë në arkivin kroat, kurse pjesa tjetër, në Venedik, Vatikan, Napoli, Raguze, Vjenë, etj. Pas këtij konfirmimi, të gjitha hamendjet, nëse ka patur apo jo një vëllim të tretë, bien poshtë. Çudia, si çdo çudi shqiptare, qëndron tek fakti, që; askush për 70 vjet në Shqipëri, nuk ka bërë fjalë për të?! Si shpjegohet, që ndërsa vazhdonin diskutimet për vite e vite me radhë, ne shqiptarët të heshtnim, kur lëndën e kësaj vepre, e kishim në sirtar?! Tani mjaft njerëz pyesin: Si u ndodh në Ministrinë e Arsimit? Pse aty e, pse këtu?! Në vitet ’30-të, Shqipëria nuk kishte as Akademi, as Institut Historie e, as universitet. I vetmi vend, ku mund të arkivohej një vepër e tillë, ishte Ministria e Arsimit.
Milan Shuflai, mund t’ia ketë dhuruar këtë kopje bie fjala Mit’hat Frashërit, Lef Nosit, apo ndonjë të njohuri tjetër, ose e ka lënë për siguri, pas kërcënimeve të bëra nga serbët. Ndofta kjo ka qenë një masë paraprake, për të patur dy kopje, që lënda e vëllimit të tretë, të ndodhej krahas Zagrebit edhe në Tiranë. Tani problemi shtrohet: Si mund të disiplinohet kjo lëndë? Si mund të rikompozohet volumi i tretë i “Acta Diplomata”, sa me afër përfytyrimit dhe stilit të Shuflait? Natyrisht vëllimi i tretë, nuk mund të bëhet menjëherë. Ndoshta një redaksi e përbashkët, me historianë, arkeologe, arkivistë e studiues nga Shqipëria e Kroacia, mund t’ia dalin mbanë, si shenjë admirimi për Milan Shuflain, që punoi dhe vdiq për Shqipërinë! Memorie.al