Nga Prof. As. Dr. Sonila Boçi
Kristi Kolçe
Pjesa e parë
-Petraq Peppo: intelektuali dhe historian, përballë indoktriminimit komunist-
Memorie.al / Mihai Botez, një intelektual rumun që kërkoi strehim politik në SHBA-ës më 1988, duke folur për jetën e një intelektuali në një sistem diktatorial pohonte: “Thuhet ndonjëherë se një intelektual që jeton nën një regjim komunist, duhet patjetër të zgjedhë midis të qenit ‘njeriu i oborrit’, ose disident. Ky është një thjeshtëzim i tejskajshëm. Të pranosh kontratën sociale (të regjimit komunist), nuk nënkupton automatikisht se u bëre ‘njeri i oborrit’. Sepse, nën diktaturën komuniste, ekziston një koncept i trishtë, por i vërtetë që quhet ‘arti i të mbijetuarit’, madje në një mënyrë dinjitoze, i cili përfshin kombinimin e nënshtrimit të kalkuluar, kritikën e vetë kontrolluar, mbajtjen taktike të një profili të ulët dhe përdorimin me inteligjencë të mundësive. Sigurisht për shumë intelektualë perëndimorë, këto strategji duken të çuditshme, madje edhe të neveritshme. Në princip, jam gati të bie dakord me ta, duke shprehur urimin tim, që atyre të mos iu duhet asnjëherë, ta mësojnë këtë art”.
Bazuar në vlerat morale dhe akademike të një njeriu të rritur dhe të edukuar në një sistem politik të demokracisë liberale, portreti i çdo intelektuali që punoi gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mund të ngrinte pikëpyetje të natyrës sa shkencore, aq edhe morale. Teza që ngremë në këtë ministudim, është se si do të mundte një intelektual i edukuar në Perëndim, në thelb apolitik, inteligjent dhe ambicioz të gjente vendin e tij në një regjim, ku indoktrinimi marksist-leninist ishte në themel të gjithçkaje.
Petraq Peppo, është personazh shumë interesant për t’iu përgjigjur kësaj teze, pasi ai nuk shfaqi asnjëherë entuziazëm, por as armiqësi, me regjimin. Ai përpiqet të përshtatej, por herë-herë shpirti i tij rebel, nuk e lejon ta bëjë plotësisht këtë gjë. Studimi është ndarë në tri pjesë, të cilat pasqyrojnë tri periudha shumë të rëndësishme në historinë e jetës së Petraq Peppos: fëmijëria, familja dhe shkollimi; veprimtaria e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila në një masë të madhe përcaktonte sjelljen e regjimit ndaj individëve; dhe, së fundi, veprimtaria e tij si pjesë e Institutit të Shkencës.
Janë shfrytëzuar për këtë studim një numër i madh dokumentesh, nga një sërë fondesh të Arkivit të Shtetit, nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme, si dhe nga dosjet formulare të kolegëve të Petraq Peppos, që gjenden pranë Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Është përdorur edhe literatura historike relevante, si për personazhin në studim, ashtu edhe shtypi i kohës. Intervista me familjarët e prof. Peppos, si dhe me kolegë të tij, na kanë bërë të kuptojmë më shumë njeriun që qëndron prapa historianit.
Kush ishte Petraq Peppo?
Në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë, mbiemri Peppo është nga më të njohurit. Shtëpia e tyre në pjesën historike të qytetit, afër shtëpisë së Themistokli Gërmenjit, ishte një vend referimi për banorët. Në këto rrugë të shtruara me kalldrëm, në një familje mjeshtërish korçarë, lindi më 30 qershor 1903, Petraq Peppo.
Petraqi ishte më i madhi nga tetë fëmijët e familjes dhe, koha e tregoi, se ai u bë shembull, të cilin e ndoqën vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël. Sipas djalit të tij, Leonidhës, ishte ai që i nxiti vëllezërit dhe motrat e tij, t’i kushtoheshin arsimimit të tyre dhe të ndiqnin shkollat e larta. Prindërit e Peppos nuk ishin të pasur, por ishin ata që edukuan te secili prej fëmijëve të tyre patriotizmin, dashurinë për punën dhe dijen.
Më 1917, Petraqi 14-vjeçar, ishte një nga 36 nxënësit e parë që u regjistruan në Liceun e hapur nga francezët në Korçë, një nga shkollat elitare, që funksiononin në Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore e, në vijim. Ai dhe 9 studentë të tjerë, ishin të parët që morën diplomën e Liceut Kombëtar të Korçës, më 1925. Që në vitet e shkollës, spikati pasioni i tij për historinë dhe letërsinë.
Më 1922, ai u bë një prej iniciatorëve të themelimit të një shoqate liceistësh, e cila nxori një revistë me karakter letrar, të quajtur “Shpresa”, redaktor përgjegjës i së cilës, dhe më pas drejtor i saj, ishte Petraq Peppo. Kur u zgjodh drejtor i saj, Peppoja ishte në klasën e gjashtë të Liceut dhe ishte vetëm njëzet vjeç. Revista botonte kryesisht përkthime nga filozofët dhe shkrimtarët francezë të të gjitha rrymave. U botuan në numrat e saj pjesë nga iluministët francezë, si: Rousseau, Voltaire, por edhe nga letërsia klasiciste, si p.sh. fragmente nga ‘Dorështrënguari’ (Kopraci) i Molierit.
Ndonëse në thelb nuk ishte i prirë ndaj politikës, në fund të majit 1924, Peppoja iu bashkua 60 studentëve të Liceut Kombëtar të Korçës, të cilët u nisën në mbështetje të Lëvizjes së Qershorit, të drejtuar nga imzot Fan S. Noli, një moment, të cilin Peppoja e ka konsideruar vazhdimisht si një ndër pikat kulmore në veprimtarinë e tij atdhetare.
Në reportazhin që shkroi për numrin 10-11 të revistës letrare “Shpresa”, shprehet se; ishte ideali që i kishte bindur liceistët të linin mësimin dhe të rrëmbenin armët. “I shenjtë qëllimi, më i shenjtë, kur shpëton njeriu popullin nga feudalët, kur s’e lë bujkun të jetë rob dhe, në fund, kur shpëton shtetin”. Kontributi i liceistëve në lëvizje ishte veçse propagandistik, pasi ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi dhe në kohën kur liceistët hynë në Tiranë, Zogu dhe qeveria e tij ishte larguar dhe Noli kishte zënë kolltukun e kryeministrit.
Pavarësisht kësaj, reportazhi i shkruar nga Peppoja flet shumë për pasionet e vërteta të të riut Peppo. Përshkrimet e vendeve ku kishin kaluar liceistët revolucionarë, theksimi i zakoneve dhe traditave të krahinave të ndryshme, ku kishin qëndruar, njohja e trashëgimisë materiale historike, tregon qartazi talentin e hershëm të Peppos, për fjalën dhe historinë.
Në kërkim të identitetit si historian: Petraq Peppo gjatë viteve ’30-të
Përfundim i studimeve në Liceun Kombëtar të Korçës, koincidoi dhe rikthimin në pushtet të Ahmet Zogut, tanimë si president i Republikës Shqiptare. I riu Peppo kërkoi mbështetje financiare për të vijuar studimet e larta jashtë vendit. Më 1925, ai përfitoi një bursë studimi nga qeveria shqiptare dhe niset për të studiuar në ‘Ecolé Normale Superieure’ në Paris të Francës. Në vitin 1929, ai diplomohet për Licences-Lettres (Histoire et Geographie), merr çertifikatën Ancien Elève de l’Ecole Normale superieure de Paris, po ashtu edhe çertifikatën “Diplome de l’Ecole Nationale des Languages Orientales Vivantes de Paris”.
Në jetëshkrimin e tij, Peppoja kujton se, në vitin 1928, ballkanologu Mario Roques, i kërkoi ndihmë për të ngritur për herë të dytë një kurs për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, në katedrën ku Roques ishte titullar. Kështu, për gati një vit, studenti shqiptar shërbeu si lektor për gjuhën shqipe, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë. I biri i tij, Leonidha Peppo, pohon se gjatë kërkimeve të tij personale mbi jetën e babait të tij si student në Francë, kishte zbuluar se Peppoja kishte dhënë mësim për gjuhën e letërsinë shqipe edhe në Universitetin e Lionit.
Përfundimi i studimeve e rikthen sërish në qytetin e lindjes, në Liceun Kombëtar të Korçës, tanimë në cilësinë e profesorit të historisë, gjeografisë dhe të greqishtes së vjetër. Në jetëshkrimin e Peppos, nuk thuhet shumë për veprimtarinë e tij gjatë viteve ’30-të. E vetmja ngjarje që ai e ka konsideruar të vlefshme për ta përmendur, janë përpjekjet e tij për të futur si pjesë të kurrikulave shkollore të Liceut, edhe lëndën e historisë së Shqipërisë, e cila nuk zhvillohej deri atëherë.
Kërkimet në Arkivin Qendror të Shtetit, na tregojnë se profesori i ri ambicioz dhe i pasionuar për kërkimet historike, ka një veprimtari jo të vogël intelektuale dhe pedagogjike, gjatë viteve ’30-të. Nuk janë të pakta rastet ku Petraqi ka kërkuar leje nga Ministria e Arsimit, për të shkuar në Austri, Francë dhe Itali, për të marrë pjesë në konferenca shkencore, apo për të kryer kërkime në arkivat e huaja, për historinë e Shqipërisë.
Në korrik 1931, ai arriti të sigurojë lejen e Ministrisë së Arsimit, për të marrë pjesë në një Kongres të Arsimtarëve që zhvillohej në Paris. Gjatë viteve 1935-1939, ai disa herë ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit, për të vizituar arkiva të Vjenës dhe të Vatikanit, për të mbledhur dokumente për të shkruar një libër mbi historinë e Shqipërisë.
Duket qartazi se interesi i tij kanë qenë studimet e natyrës historike dhe antropologjike, pasi në disa raste ka kërkuar të bëjë ekspedita kërkimore te kolonitë arbëreshe të Italisë. Në vitin 1935, ai së bashku me Eqrem Çabejin kanë kërkuar leje nga Ministria e Arsimit për të vizituar Piana dei Grecci në Itali, por nuk ka arritur të sigurojnë lejen e autoriteteve për këtë udhëtim studimor.
Gjithashtu, Peppoja ka korrespondencë të dendur me një sërë personalitetesh të kulturës shqiptare të viteve ’30-të, si: Lef Nosin, Ilo Mitkë Qafzezin, Mehdi Frashërin, etj. Në bazë të këtyre dokumenteve dhe letërkëmbimeve, lexohet qartë interesi i Peppos për studimet mbi lashtësinë e shqiptarëve. Interesante është veçanërisht korrespondenca e Peppos me albanologun Lef Nosi, të cilin duket se e ka takuar për herë të parë në vitin 1924, kur Nosi, si kryetar i Bashkisë së Elbasanit, priti ngrohtësisht liceistët revolucionarë.
Në një letër, që Peppoja i dërgon Nosit nga Athina, kuptohet se qëllimi i udhëtimit të tij, është i karakterit studimor. Ai shkruan se kishte vizituar Bibliotekën Kombëtare të Athinës dhe se në të kishte gjetur të dhëna për historinë e Shqipërisë, që nuk mund t’i gjeje në bibliotekat e Parisit apo të Vatikanit. Peppoja i shkruan Nosit me shumë pasion, për studime të natyrës historike, etnografike dhe gjuhësore, që mund të zhvilloheshin rreth arvanitasve të Greqisë.
“Arvanitët e Greqisë më kanë hequr vërejtjen (vëmendjen) me gjuhën e tyre plot figura, ku gjen fjalë shqip që ne nuku i kemi. Shumë fjalë që janë krejt shqip, nuku ngjasin me fjalët t’ona, për shembull në një fshat afër Athinës, klyçit i thonë ‘rahederës’, fjalë plot kuptim”. Në një letër tjetër që mban datën 12 korrik 1937, duket se marrëdhëniet mes Peppos dhe Nosit, janë bërë më miqësore.
Peppoja, tanimë në profilin e një intelektuali të ri, i tregon Nosit për dëshirën që ka që të krijojë në qytetin e Korçës, rrethe intelektualësh. Ai gjithashtu e fton Nosin të ndërmarrin së bashku me Mehdi Frashërin, një tur studimor në fshatrat e Korçës, për të gjetur të dhëna mbi kodikët.
“Dëgjo, i dashur Lef, – shkruan Peppo, – Korça, Voskopoja, Vithkuqi, Shipska, etj…. veç dokumenteve arkeologjike – guri, kishëra, kanë dhe kodikë (codic) ku shënohen kronikat shqiptare nga shekulli i VI-të. Unë pak a shumë i di mirë këto vise dhe kam mjaft miq të sinqertë, për të patur kodikët në dispozitën tonë; për këtë arsye, në vend të vish në Pogradec, sipas fjalës, po të ftoj, mik në shtëpinë time, të vish në Korçë dhe kështu tinë, Mehdiu dhe unë, të vemë në vendet ku te dobitim si nga shëndeti, ashtu dhe nga dokumentet. Me duket se do jemi një trini që do merremi vesh për bukuri, mbasi unë si i rrëmbyer që jam në bisedim, do kapem me Mehdi benë dhe tinë me urtësinë tënde, do na zbutësh”.
Për fat të keq, nuk kemi mundësi të gjykojmë nëse këto projekte të Peppos kanë pasur ndonjë vijimësi, apo jo, dhe nëse ekspedita për të cilat ai flet në letrën e tij, të jetë kryer apo jo. As në arkivat shtetërore, as në arkivin personal të familjes, nuk gjenden përgjigjet e Lef Nosit për Petraq Peppon. Ai vetë, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka folur kurrë mbi njohjen dhe bashkëpunimin e tij me Nosin, madje as në biseda intime me familjen. Shpallja e Lef Nosit si “armik i popullit” dhe dënimi i tij me vdekje nga Gjyqi Special Ushtarak më 1945, vinte në rrezik çdo njeri, që kishte pasur afërsi me të. Kjo e ka detyruar, mesa duket Peppon, t’i hedhë mikut të vjetër tisin e harresës.
Sfidat e një profesori dhe patrioti, në vitet e Luftës së Dytë Botërore
Historia e Petraq Peppos për vitet e pushtimit, është sa konfuze, aq edhe interesante, për të kuptuar marrëdhënien e njeriut me të vërtetën, në kushtet e një sistemi totalitar. Në jetëshkrimin e tij, të shkruar në vitet ’60-të, ku Petraq Peppoja përpiqet t’u argumentojë autoriteteve më të larta të PPSH-së, se, si profesionalisht, ashtu edhe politikisht, e meritonte të merrte titullin Profesor.
Ai thekson vetëm një anë të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndrimin e tij antifashist, duke mos përmendur asgjë sa i takon veprimtarisë së tij shkencore. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit, indiferenca politike që e kishte karakterizuar jetën e tij gjatë viteve ’30-të, nuk mund të vazhdonte më gjatë. Pas demonstratave të studentëve të Liceut të Korçës, në nëntor 1939, Peppoja transferohet në Shkollën ‘Normale’ të Elbasanit.
Zyrtarët fashistë e konsideronin Peppon si një antiitalian dhe antifashist; “nxitës për rebelimin e studentëve, të cilëve u ka folur me ekzaltim për Francën”. Ai ka qenë ndër të paktët profesorë të asaj kohe, të cilët refuzuan të nënshkruanin deklaratat; për t’u anëtarësuar në Partinë Kombëtare Fashiste. Temperamenti i tij impulsiv dhe i rrëmbyer, kishte bërë që disa herë të kundërshtonte hapur propagandën që bëhej nga pushtuesit, sipas së cilës, Italia e kishte çliruar Shqipërinë nga “regjimi i satrapit Zog” dhe se ajo mund të sillte përparimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
Sipas dëshmive të kolegëve të tij, kundërshtimi i këtyre tezave në mënyrë të hapur, i shkaktoi dy herë burgosjen dhe internimin e tij, respektivisht në kampin Colfiorito afër Firences (Itali) në 1941, dhe në atë të Porto-Romanos (Durrës), në 1943. Për fat të keq, burimet primare për internimin e prof. Peppos në Itali, nuk kemi mundur t’i gjejmë, me kohën që kishim në dispozicion për kryerjen e këtij studimi. Në këtë rast, na vijnë në ndihmë dëshmitë e bashkëvuajtësve të tjerë në kampin e internimit.
Sipas kujtimeve Ferrik Ferrës, djalit të Xhemal Ferrës, në kampin burg të Kolfloritos, ku ky i fundit kishte qenë i internuar; “ndodheshin të internuar si kundërshtarë politikë të regjimit fashist dhe shumë intelektualë të njohur shqiptar, si profesorët: Zijaudin Kodra e Petraq Peppo, Tahir Dizdari, Faik Bregu, Tefik Gjyli, Skënder Frashëri, Haki Luzati, Seit Bilali, etj.”
Ferrik Ferra kujton fjalët e babait tij: “Aty në Kolflorito në ditët e para të internimit, u kujtova se shkollën e kisha lënë pa bërë dhe gjithë kohën që kisha në dispozicion, e kaloja midis intelektualëve të njohur, si profesorët Zijaudin Kodra e Petraq Peppo, të cilët diskutonin e debatonin në atë kamp ku ndodheshin shumë nga ajka e inteligjencies shqiptare të asaj kohe, të cilët i dëgjoja me kujdes”.
Sipas të birit, Leonidhës, internimi i tij kishte ardhur pas një takimi të intelektualëve të kohës me Mëkëmbësin e Përgjithshëm të perandorit Victor Emanuele III, Francesco Jacomoni. Qëllimi i këtij takimi ishte një tentativë për të kaluar këta intelektualë në krah të fashizmit. Në sallë mbizotëronte qetësia dhe fjalën e merr Peppoja; “Kujt i tregoni ju se çfarë është fashizmi! Kujt i thoni ju se fashizmi çliroi Shqipërinë?
Trupat tuaja ushtarake në vendin tonë, thonë vetëm pushtim, fashizmi nuk sjell ndërtim, por robëri. I biri shton me tej; “Sipas Misto Treskës, pas ndërhyrjes së babit, e gjithë salla ngriu. Ngelëm të gjithë si hunj. Nuk e kuptuam ku e gjeti atë guxim”, – do të ishin fjalët e Aleks Budës. Edhe për burgosjen e dytë të prof. Peppos, shkak do të bëhej kundërshtimi i tij ndaj dogmave të hierarkëve fashistë.
Mësuesja e mirënjohur korçare, Helidhona Fallo, në një deklaratë të 9 tetorit të vitit 1951, do të kujtonte se gjatë një takimi në Liceun e Korçës, me ministrin e Arsimit, Xhevat Korça, ky i fundit kishte deklaruar se; “pavarësia e Shqipërisë është e siguruar (pasi) Shqipërinë e mbron Musolini”. Prof. Peppo, kishte pasur sërish guximin të ngrihej dhe të thoshte; “Shqipëria është e robëruar nën fashizmin dhe duhet të përpiqemi, për lirinë e Shqipërisë”.
Po ndërsa qëndrimet e tij patriotike dhe antifashiste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë të mirë dokumentuara, si nga ai vetë, ashtu dhe nga fjalët e familjarëve të tij, të cilët qartazi i kanë dëgjuar shumë herë këto kujtime, për veprimtarinë e tij si studiues dhe mësimdhënës në këto vite, ai nuk ka folur aspak. Dokumentacioni arkivor tregon qartazi se Peppoja, nuk e braktisi pasionin e tij për historinë edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Petraq Peppoja ishte një nga pjesëmarrësit në Kuvendin I-rë të Studimeve Shqiptare, të mbajtur nga 9-12 prilli 1940, i cili shërbeu si aktiviteti themelues për Institutin e Studimeve Shqiptare.
Gjatë zhvillimeve të këtij aktiviteti, Peppoja replikoi në disa raste me arkeologun italian, prof. Mustillin, i cili u referohet vetëm zbulimeve arkeologjike, të bëra në Shqipëri nga arkeologë italianë, si: Baldacci, Ugolini, etj. Peppoja i kujtoi se; “afër Trenit, Pittard ka gjetë sheje neolytike. Në Klisyrë janë gjetë sheje të periudhës së shpis lakustre. Filovi e Vulici, kanë gjetë gjana illyrike në Trebnisht, të cillat e pshtesin thezin e lidhjes me artin mirëqenë”.
Përmendja e tezave të arkeologëve jo italianë, duhet të mos jetë mirëpritur nga drejtuesit e Institutit dhe personalitetet italiane. Më 8 tetor 1940, Peppoja i drejton një letër Mustafa Krujës, kryetarit të Institutit të Studimeve Shqiptare, ku njofton se kishte përgatitur një konferencë me temë; “Shqipëria dhe banorët e saj gjatë periodës proto-ilire”, të cilën ai dëshironte ta mbante në emër të Institutit të Studimeve Shqiptare.
Ai vë në dukje se materiali që kishte përgatitur për këtë konferencë, ishte hartuar në mënyrë të tillë, që të kuptohet si nga “intelektualët që kanë kulturë të gjerë, por edhe prej nxënësve të shkollave të mesme”. Në përgjigjen që Mustafa Kruja i kthen dy javë më vonë, shprehet se; “këshilli {i Institutit} vendosi me të kumtue, se e pëlqen mendimin tënd dhe se ka për ta rreshtue konferencën t’ande, në vargun e konferencave që do t’organizojë ky Institut, në nji kohë ma të volitshme, mbasi në gjendjen e sotme, nuk na duket qi konferenca të këtilla, ta tërheqin shumë publikun”.
Edhe pas kthimit nga internimi në Itali, profesori vijoi t’i përkushtohej sa mësimdhënies në Gjimnazin e Tiranës, aq edhe shkrimeve në shtypin e kohës. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të revistës “Drini”, e cila kishte synim të promovonte turizmin shqiptar. Në disa raste, ai bashkëpunoi dhe me revistën “Albania / Shqipni”, një revistë mujore e politikës, ekonomisë, shkencës dhe letërsisë, që drejtohej nga Ferdinanto Guido di Bagno.
Në këtë revistë në mars 1942, Peppoja botoi artikullin “Shqipëria në prehistori”. Një artikull me tematikë të ngjashme e botoi një vit më vonë edhe në revistën “Shkëndija”, e cila drejtohej nga Ernest Koliqi. Prof. Peppo nuk do t’i përmendte më vonë këto bashkëpunime dhe veprimtarinë shkencore që kishte zhvilluar gjatë Luftës. Ai do të heshte për këto, ashtu siç nuk përmendi njohjen me Lef Nosin.
Petraq Peppo dhe sfida për t’iu përshtatur trajtimit marksist të historisë
Është e vështirë të flasësh për pozicionimin e Petraq Peppos me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Përveç ndjenjave të forta patriotike, Peppoja nuk kishte shfaqur asnjëherë më parë ndonjë preferencë politike, qoftë të majtë, qoftë të djathtë. Petraq Peppos i duhej të përballej me dy situate, njëra më sfiduese se tjetra.
Si një njeri në thelb apolitik, atij do t’i duhej të përshtatej në një sistem qeverisjeje i cili, mobilizimin e masave dhe “edukimin komunist” të tyre, e konsideronte si themel të mbijetesës. Si historian i edukuar në një shkollë perëndimore, atij do t’i duhej të përshtatej ta shkruante historinë, sipas shkollës marksiste të mendimit historik, me të cilën ai nuk ishte familjar.
Në përshtatjen e tij me regjimin komunist, duket se Peppon e kanë ndihmuar disa rrethana. Së pari, njohja me Enver Hoxhës, të cilin e kishte pasur edhe student, edhe koleg. Të dy kishin një ndjenjë të përbashkët dashurie për Revolucionin Francez, pavarësisht se Hoxha adhuronte Komunën e Parisit dhe jakobinët, ndërsa Peppoja, nga sa duket në shkrimet e tij, kishte idhuj iluministët. Së dyti, antifashizmi dhe burgosja e internimi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kishte siguruar një lloj dashamirësie të krerëve të regjimit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm