Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Gazetat me gërma të mëdha po njoftonin për këtë sukses të gjeologëve tanë naftëtarë, por në radhë të parë, ky sukses i atribuohej politikës së drejtë të partisë. Autorët e studimit dhe unë u bëmë disa herë objekt i emisioneve televizive me intervista të shpeshta. Me këtë rast, u bënë dekorime për disa gjeologë e gjeofizikantë të Institutit, të ndërmarrjes gjeofizike e të ndërmarrjes së shpimit dhe të brigadës që shpoi pusin me sukses, deri në projekt-thellësi. Unë u dekorova me urdhrin e shkallës së parë “Për punë të shquar në miniera dhe gjeologji” dhe pak më vonë edhe me “Urdhrin e Flamurit të Kuq të Punës” të shkallës së parë, që ishte një dekoratë tepër e lartë pune.
Më vonë, pastaj, me rastin e festave të nëntorit mua më dhanë “Çmimin e Republikës të Klasit të Parë”, çmim që jepej për kontribut të veçantë në fushën e shkencës dhe të teknikës. Ky ishte çmimi i dytë që merrja deri në atë kohë, gjë që ishte një ngjarje e rrallë për punonjësit shkencorë të vendit tonë. Ky çmim jepej në çdo pesë vjet për kontribut të shquar në fushën e shkencës, teknikës dhe të artit. Në vitin 1978 më ngritën në përgjegjësi e më emëruan drejtor të Institutit.
Në këtë mënyrë, jeta ime po ngjante me një varkë të vogël peshkatarësh, që lundron në shtrëngatë mes një deti plot me dallgë të larta e, që lufton të mos mbytet, duke dalë herë-herë mbi këto dallgë me fenerin e saj që gëzon njerëzit e afërt të familjes, se njeriu në varkë është i gjallë. Herë-herë varka zhytej në humbëtirat e dallgëve, ku ajo humbiste nga sytë. Unë, peshkatari, luftoja me dallgët njësoj edhe kur dilja sipër tyre, edhe kur zhytesha poshtë. Unë, naftëtari vetëmohues, kurdoherë luftoja njësoj me të gjitha forcat e mia, me të gjitha aftësitë e mia, në të mirë të vendit, por emri im në momente të caktuara, nderohej e përmendej me respekt, në momente të tjera, bëhej objekt akuzash për punë të dëmshme, sulmesh shumë të ashpra nëpër mbledhje e konferenca të gjëra, që përfundonin me masa ndëshkimore. Njeriu nuk arrinte të njihte veten e tij, se ku futej përfundimisht nga pushtetarët komunistë, në listat e të mirëve apo, në të dyshimtëve, të armiqve?!
Jeta jonë ishte pre e tekave të diktatorit. Ne ishim skllevër të kohës modern, në duart e këtij skllavopronari të gjithëpushtetshëm, m’u në kërthizë të shekullit XX-të. Na detyronin të kishim vetëm mendimet që lindnin në një kokë. Na tregonin ku të punonim e, si të punonim; na udhëzonin si të flisnim e si të shkruanim; na detyronim ku të banonim dhe si të jetonim, nëpërmjet një regjimi të egër pasaportizimi për çdo qytet e fshat; na urdhëronin si të visheshim; na kufizonin cilat gjuhë të flisnim; ata na përcaktonin kujt t’i shkruanim e, kë të përshëndesnim; na detyronin çfarë lloj muzike të dëgjonim. Na detyruan të kalonim jetën nëpër radhët e gjata të ushqimeve: radhë për qumësht, radhë për djathë, bulmet, mish, vezë, vajguri për zjarr.
Çfarë duhet më shumë për të qenë skllav? Zinxhirët?! Ato i kishim por vetëm rrapëllima e tyre nuk dëgjohej, se si i hiqnim zvarrë nëpër rrugë, në shëtitje, nëpër trena e autobusë, nëpër sallonet e shkallëve të kryeministrisë. Ndërhyrjet e udhëheqjes së partisë në çështjet teknike të naftës ishin të vazhdueshme dhe natyrisht, kishin vetëm pasoja negative. Rast i tillë ishte ai në pusin e shpimit në vend-burimin e ri të Cakranit, në Ca 21. Pusi kishte hyrë në shtresat gëlqerore të shtratimit dhe po thellohej për të kaluar nga zona e kapeles gazore, në atë të brezit naftëmbajtës, që ndodhej nën të. Gjatë shpimit, disa specialistë gjeologë e gjeofizikë, pa përvojë të mjaftueshme teknike, ngritën idenë se pusi po shponte në zonën naftëmbajtëse dhe jo në gaz, nisur nga disa shenja nafte, që gjenin në kampionet e gëlqerorëve të nxjerrë nga pusi, gjatë shpimit me karrotier.
Ky gjykim nuk ishte i saktë. Përfytyrimi i tyre mbi tipin e shtratimit ishte i gabuar, sepse ne nuk ishim në zonë naftëmbajtëse, por gazmbajtëse dhe ndërprerja e shpimit që kërkonin ata, do të sillte miliona dollarë të shpenzuar pa rezultat. Ua argumentova specialistëve që ishin aty, duke u thënë se shenjat e naftës, ishin pasojë e kondensimit të naftës nga dalja prej një zone me presion të lartë, ku ajo ndodhej në gjendje të gaztë dhe kur kampioni dilte në sipërfaqe, për efekt të uljes së presionit, kondesati, kthehej në formën e naftës. Specialistët nuk u bindën dhe e shpunë këtë çështje në Komitet të Partisë të Fierit. Aty kishin parashtruar mendimet e tyre dhe ishin ankuar për një qëndrim konservator nga ana ime.
Një pasdite më kërkuan në Komitet të Partisë. Në zyrën e Sekretarit të Parë, gjeta të ulur edhe Sekretarin e Komitetit Qendror të asaj kohe, Prokop Murrën, i cili më priti me këmbët e para: -Shoku Xhaçka, ti nuk e dëgjon mendimin e kuadrove të reja?! Ata kanë një propozim të drejte për pusin Ca 21. Pusi ka hyrë në shtresën naftëmbajtëse dhe duhet të ndërpritet shpimi. Si ta shpjegojmë qëndrimin tënd?!
Ende nuk më kishin ftuar të ulem. Ashtu në këmbë, iu përgjigja: – Shoku Prokop, unë pranimin e mendimeve të drejta, qoftë nga të rinjtë, qoftë nga të vjetrit, i kam patur dhe i kam në metodën time të punës, e në themel të edukatës sime. Por kur bëhen interpretime të gabuara, si në këtë rast, që është fjala as më shumë, as më pak, për ide absurde, unë nuk mund të marr vendime që dëmtojnë rëndë ekonominë. Më vjen shumë keq, që ju mbani këtë qëndrim të prerë, pa e njohur saktë, sidomos teknikisht gjendjen! Pas shkëmbimit të ashpër të replikave të para, biseda u qetësua dhe unë u ula e u detyrova t’ua shpjegoja problemin në hollësira teknike. Megjithatë, Prokop Murra, nuk hiqte dorë nga i vetë-ndjeri i drejtuesit partiak. Ai që kur qe nisur nga Tirana, kishte vendosur të ruante mendimin, se ata ishin të rinj e, rrjedhimisht kishin të drejtë.
Atëherë unë vendosa të mos e zgjatja. – Unë nuk jap urdhër të ndërpres shpimin e pusit. Për mua, ky do të ishte një krim. Ju në qoftë se keni vendosur të dëgjoni ata, atëherë ju lutem më jepni një urdhër me shkrim, për të vepruar ne si institut. Kjo mënyrë e ashpër për t’ia lënë vendimin tërësisht në dorë Prokop Murrës, nuk i pëlqeu. Ai nuk e kish aspak kurajon të vepronte vetë, e të ndalonte pusin, sepse dhe ai jetonte si gjithë ne të tjerët, me hijen e frikës.
Puna shkoi deri në kryeministri. E nuhata se udhëheqja e partisë nuk ishte e një mendimi me mua, prandaj kish ngarkuar kryeministrin Shehu, që bashkë me zëvendësit e tij, të bënte një ballafaqim të plotë të mendimeve, e pastaj të vendoste ai vetë. Na mblodhën në kabinetin e tij. Kryeministri, duke parë këmbënguljen time, në mbështetje të mendimit teknik, e kuptoi se më afër të drejtës isha unë. U rreshtua në anën time dhe dha urdhër, që pusi të vazhdojë shpimin e të mos ndërpriten punimet. Morëm vendimin e tij në një shkresë shtatë faqesh, për ta patur në Institutin Gjeologjik dhe për t’ua bërë të qartë të gjithë të interesuarve.
Shpimi nuk u ndërpre dhe puna dukej sikur u vu në vijë. Por historia nuk mbaroi kurrsesi me kaq. Një urdhër nga ministria, që ish në kundërshtim me atë të Mehmet Shehut, kërkoi prerë që ne të ndërprisnin shpimin e mëtejshëm të pusit, të ulnim kollonën dhe pusi të kalonte në shfrytëzim, për nxjerrjen e naftës! Urdhri i Mehmet Shehut, ishte fare i freskët. Si shpjegohej?! Ne si drejtori Instituti, vërtet u çuditëm kur lexuam urdhrin e ministrisë, por e kuptuam menjëherë, se këtu ishte futur në valle, vetë Enver Hoxha. Nuk kish shpjegim tjetër: Vetëm ai mund të dilte mbi kryeministrin!
U krijua situatë e praptë. Në këto kushte, në mënyrë që mos ta humbitnim përfundimisht pusin, gjykova dhe zgjidha një variant teknik të ndërmjetëm, duke ulur një bisht kollone, ç’ka lejonte që pusi të kalonte në përvetësim, por lejonte më vonë edhe thellimin e mëtejshëm të tij. Këtë e bëra sepse kisha një bindje të patundur, se në atë thellësi, pusi do të jepte gazin që mendoja unë dhe jo naftën që prisnin ministria dhe të gjithë ata që e shtynin atë.
Iu bindëm urdhrit të ministrisë. I dhamë porosi ndërmarrjes së shpimit, të kalonte në ketë variant të ri. Urdhri është urdhër. Enver Hoxha, i kishte të zakonshme të tilla veprime arbitrare. Nuk përfilli autoritetin e kryeministrit të tij, nuk pyeti për përvojën e gjeologëve dhe lëshoi thjesht një urdhër. Si do që të përfundonte përplasja, atij kurrë nuk do t’i vihej mbi kurriz përgjegjësia, sepse ishte “udhëheqësi i pagabueshëm” dhe e kish marrë këtë epitet, nga që pikërisht; nuk “gabonte” kurrë!
Kur në pusin Ca 21, kishin filluar punimet sipas urdhrit të ri që i përcollëm ne, Mehmet Shehu, ishte vënë në dijeni për të gjitha këto peripeci. Zbriti në Ballsh dhe na thirri të gjithëve. Pas mbledhjeve të njëpasnjëshëm në kinemanë e Patosit, lajmërime të tilla, pa rend dite, gjithmonë ta shpinin mendjen për keq. Në një sallë të madhe, ishin mbledhur rreth dyqind e pesëdhjetë vetë: drejtues, specialistë, punëtorë dhe natyrisht ata që kohët e fundit nuk mungonin kurrë, punonjësit e Sigurimit të Shtetit.
Kryeministri nuk kish ardhur vetëm. Ai kish pas tij kryetarin e Komisariatit të Posaçëm për Naftën, organizëm që u krijua pas vitit 1975. Në krye të Komisariatit, ishte vënë Hekuran Isai, i cili vinte nga një sërë vendesh pune banale, deri sa kish arritur në postin e Sekretarit të Parë të një rrethi, që tani nuk e mbaj mend. Menjëherë e mori fjalën Mehmet Shehu. Shpenzoi ca fjalë të mira në adresë të naftëtarëve, e veçanërisht për Institutin e Naftës, në lidhje me zbulimin e vend-burimit të Cakranit. Pastaj, hundë e buzë, me ton të prerë, u drejtua nga mua: – “Ngrihu pak ti, Xhaçka”!
U ngrita në mes të një heshtje të madhe. – “Të dija se ishe trim, por nuk paske qenë veçse një oportunist”, – vazhdoi kryetari i qeverisë. – “Përse e ndërrove mendimin që kishe, për të vazhduar shpimin në pusin Ca 21?”?! Ishte e kuptueshme që ai ndihej shumë i prekur në sedër dhe me që nuk e zbrazte dot zemërimin në vend tjetër, pat bërë gjithë atë rrugë, të shfrynte këtu në Mallakastër. Ai e dinte se kush ia kish zhvleftësuar urdhrin, por ndoshta nuk e dinte, se nga mendimi im teknik, për ecurinë e pusit, unë ende nuk isha tërhequr.
U detyrova të nis një shpjegim shumë të vështirë. – Shikoni, shoku kryeministër. – “Përse e ndaluat shpimin e tij”?!, vazhdoi ai.
Para gjithë të pranishmëve e kisha jo të lehtë, por megjithatë, i mbushur deri në majë të hundës na kjo gjendje e padurueshme, i thashë. – “Unë, shoku kryeministër, jam akoma i bindur se pusi do të japë gaz dhe jo naftë. Unë e shoh që jeni zemëruar me mua, por unë jam po ai i pari. Në qoftë se pusi do të japë naftë, mua të më varni këtu në këtë vend, ku po i them këto fjalë”. Unë e dija se të tilla forma të shprehuri atij i pëlqenin.
-“Por, shoku Mehmet, janë ca urdhra që unë nuk kam plotfuqi t’u dalë përballë. Megjithatë, i mbështetur në bindjen time të patundur, unë i kam marrë masat, që të mos e humbim pusin. Le ta bëjmë një prove, si thonë ata që nuk mendojnë si unë. Ne do të kthehemi përsëri në vazhdimin e shpimit, për të arritur ku ishte lënda e vërtetë”:
Deklarata ishte tepër e fuqishme, në një mjedis aq të populluar. Unë mora përsipër një përgjegjësi të lartë, sepse po të dilte e kundërta, unë e dija nga ç’brumë ishin bërë ata që nuk m’i ndanin sytë dhe çfarë mund të bënin. Por nervat, nuk i kisha më aleate. Ndërhyrjet nga lart, ishin bërë të padurueshme. Fjalët e mia, tërthorazi, por shumë qartë, linin nënkuptimin se i madhi i vendit, Enver Hoxha, e kishte gabim që merrte një vendim të tillë, por ne gjithsesi duhej ta zbatonim me sy plasur. Pas kësaj përgjigje, kryeministri nuk e shtyu më, sepse e kuptoi drejt si qëndronte puna.
Kur pusi kaloi në procesin e përvetësimit, u bë e qartë gjithçka. Pusi vërtetoi praninë e gazit dhe jo të naftës. Kështu mendimi që mbrojta me guxim, doli që ishte teknikisht i drejtë dhe zgjidhja e dhënë prej meje, për të patur mundësi që pusi të thellohet më tej e, të ulet kollonë tjetër për shfrytëzim më thellë, ishte po kështu e menduar hollë dhe me masa mbrojtëse të kujdesshme. Naftën e morëm më poshtë, aty ku parashikova unë, e jo në thellësinë që pat vendosur ta ndalte pusin, partia. Prodhimi që dha pusi ishte me leverdi të madhe për ekonominë e vendit tonë. Si edhe e pata marrë me mend, me debatin e ashpër nuk u mor më askush dhe po askush nuk tregoi mirësjelljen e respektin më të vogël njerëzor, apo së paku të më kërkohej falje, për tërë ato strese nervore që kalova.
Vite nën një qiell të përflakur
Festa nuk zgjati shumë, sepse pas një viti, gjatë shpimit të posit Ca. 27, ndodhi një avari e rëndë, fontanë e hapur tepër e fuqishme, me një presion shtrese afro 450 atmosferë. Ditë për ditë, përgjatë afro tre vjetëve, flakeshin në atmosferë dhe digjeshin gaz e naftë, të kthyera në ekuivalente nafte, rreth 6000-7000 ton në ditë, dëm jashtëzakonisht i madh, për këllqet e ekonomisë së vendit tonë.
Fontana e hapur, ndodhi për pakujdesinë e llahtarshme të brigadës së shpimit. E gjithë brigade, e dinte që po shpohej në shtratimin e naftës, e cila kishte presione të larta. Një natë e lanë pusin vetë në qetësi për një defekt të vogël në pompat e pusit dhe ranë të flenë, sikur të ishin në hotelet e plazhit. Pusi kish filluar të aktivizohej dhe në një çast shpërtheu. Kur punëtori i vetëm që po punonte, pa se çfarë hataje po ndodhte, i zgjoi shokët e tij, por ata të tmerruar nga fontana e fuqishme, u larguan pa tentuar të bëjnë ndonjë manovrim.
Fontana flaku përpjetë ç’kishte përsipër, pjesët metalike krijuan shkëndijën dhe flaka rrëmbeu qiellin. Muaj me radhë flaka e djegies në Cakran, mblidhte vështrimet e trishtuara të banorëve rreth e qark saj, të fierakëve, beratasve, lushnjarëve, vlonjatëve, deri dhe tiranasve. Kur kushtet atmosferike jepnin një transparencë më të madhe, flaka e fontanës së Cakranit, dukej gjatë atyre tre vjetëve deri në brigjet e Italisë.
Naftëtarët trima, me guxim punuan në kushte tepër të vështira, me në krye shtabin e specialistëve drejtuar nga inxhinierët Perikli Prifti, Koli Mone, Dhimitër Deda, e të tjerë, në shtabin e të cilëve isha përfshirë edhe unë, që ta frenonim flakën e fuqishme, e cila shkatërroi në sipërfaqe çdo gjë. Me rrezikun e jetës, naftëtarët mundën ta shuanin disa herë flakën e fuqishme, por fontana ishte e pamundur të mbyllej, sepse ajo kishte shpërthyer në damarët e nëntokës, nga çarjet në kollonën metalike, në brendësi të pusit, dhe dilte në sipërfaqe në formë grifoni, në hapësirë shumë të madhe, prej qindra metrash katrorë.
U tentua dhe u arrit të shpohet në ambiente të vështira gazi, një pus i thellë, për t’u takuar me fundin e pusit të parë. Por me teknikën ekzistuese, u arrit afrimi deri në shtatë metra. Përpjekjet ishin mbinjerëzore, por nuk u bë e mundur të arrihej ndonjë rezultat, për të komanduar daljen e fontanës nga pusi i ri. Tentativën për të kërkuar ndihmë, nga ndonjë kompani amerikane e specializuar për të realizuar këtë detyrë, shteti, as mendonte ta pranonte. Politika e verbër nuk lejonte t’i shikonte gjërat realisht dhe as ta hapte këtë diskutim. Pasuria e popullit në qindra milionë dollar, vazhdoi të hidhej në erë për tre vjet rresht.
Megjithëse ne nuk kishim ndonjë përgjegjësi individuale apo si Institut, fatkeqësia e madhe që ndodhi në këtë vend-burim, ishte një goditje e re në vargun e fatkeqësive të tjera dhe na shqetësoi jashtë mase. Unë kur shkoja shpesh herë në zonën rreth grykës të pusit, në afërsi të asaj fontane e zjarri të fuqishëm, për të gjetur ndonjë zgjidhje për proceset që do të kryheshin në përshtatje me situatën konkrete në grykë të pusit, më pikonte në zemër, aq sa shpesh sytë e mi, mbusheshin me lot. Aty digjej pasuria e vendit, aty digjej gjaku, djersa e sakrificat e gjeologëve, digjeshin mundësitë e një jete më të qetë.
Një natë vonë, isha kthyer në shtëpi për t’u larë pas ditë qëndrimi në këtë betejë me pusin, u afrova në dritaren e kuzhinës, që shihte qiellin e përskuqur sipër posit, e po shikoja me dhimbje të paprerë tabllonë, qe ato ditë na dukej se një dorë mizore, na e kish varur në të gjitha dritaret tona. Nervat e mia ishin bërë cope, e sytë m’u përlotën përsëri. Gruaja më vuri re, m’u afrua e më pyeti: – Pse po qan, Petraq?! Nuk po më tregon, ke ti ndonjë gabim tëndin, në këtë avari që ka ndodhur?!
Unë ia shpjegova edhe një here, se nuk kisha asnjë përgjegjësi e nuk qaja se isha fajtor: Qaja për vlerat që digjeshin, qaja se ne gjeologët, do ta kishim shumë vështirë ta gjenim atë përsëri. Dhe këtë brengën time, e vërtetoi jeta më pas. N’daç nga ne, n’daç nga kompanitë e huaja, që kërkuan për naftë e gaz për mbi dhjetë vjet, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, në vendin tonë nuk u arrit të zbulohej ndonjë vend-burim tjetër; qoftë edhe jo me përmasat e atij të Cakranit.
Në vitet 1979-’80-të, përsëri ndaj Institutit Gjeologjik, filluan të rriten kërkesat dhe kritikat, si edhe më parë. Ata mendonin se nën shtytjen e frikës, ne do të zbulonim ndonjë Cakran tjetër. Me gjithë përpjekjet tona gjatë këtyre viteve, nuk patëm rezultat. Rritje rezervash nafte e gazi ,kishim çdo vit, por jo në ato nivele të larta, që ishin planifikuar.
E gjithë kjo punë e jetë me një tension të jashtëzakonshëm, solli si pasojë që unë të sëmurem nga nervat, me një depresion shumë të theksuar. Për periudhën 1980-’82 u kurova nga doktorët më të mirë të vendit, që më shtruan tri herë në spitalet e Tiranës, në pavijonet e neurologjisë dhe ndenja atje disa muaj. E keqja ishte se disa, nuk deshin ta kuptonin rrezikun e kësaj sëmundje, me gjithë paralajmërimet e doktorëve, për të ndërruar vendin e punës. Organet përkatëse, nuk i morën parasysh sugjerimet e mjekëve, kështu që mua nuk m’u dha ndihma e nevojshme, pas njëzetë vjet pune intensive e plot ngarkesa nervore. Për një periudhë gjashtëvjeçare, vazhdova të përdor kura me doza të forta, të cilat falë edhe punës së mirë të mjekëve, më ndihmuan t’i shpëtoj rrezikut që më kërcënonte.
Në vitet 1978-’81, krahas punës së përditshme, punova edhe për përgatitjen e mbrojtjen e disertacionit për gradën shkencore të doktoraturës, për në fushën e tektonikës së gjeologjisë së naftës së Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1981, mbrojta me mjaft sukses disertacionin, në të gjitha instancat, që nga Instituti, deri në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe fitova gradën shkencore “Doktor i Shkencave Gjeologjike”. Kjo ishte e para gradë e këtij niveli shkencor, e dhënë deri në atë kohë në sektorin e industrisë së naftës. Kështu, gjatë gjithë kësaj periudhe dhe deri në ditën e arrestimit, isha dhe anëtar i seksionit teknik, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vura shkak gjendjen shëndetësore dhe kërkova përsëri të lihem i lire, për t’u larguar nga sektori i naftës, e të kaloja pranë Universitetit, që vazhdonte të më kërkonte me këmbëngulje, për pedagog. Por ata e kishin në dorë jetën time, deshin ta mbanin ende limonin e ta shtrydhnin atë deri në fund, deri sa ai të mos kishte më asnjë pikë lëngu, e pastaj ta flaknin në kosh! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016