Nga Qerim Lita
Pjesa e katërt
– Ukë Cami, ushtarak dhe nacionalist i shquar shqiptar –
Memorie.al Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.
Situata politike dhe e sigurisë u përkeqësua edhe më shumë gjatë muajit gusht, kur kemi parasysh, që tashmë Dibra e Poshtme, kontrollohej tërësisht nga forcat e UNÇSH-së, numri i të cilëve shkonte mbi 2.500 partizanë, të pajisur me armatim të përsosur për kohën. Ndërkohë, për shkaqe taktike, njësitë komuniste jugosllavo-maqedonase, ishin vendosur në malet e Gajres e Osoit, ndërsa njësitë komuniste shqiptare nën komandën e Mehmet Shehut e të Haxhi Lleshit, vepronin në Gollobordë, Ostren, Luzni dhe Selishtë.
Përballë forcave të koalicionit komunistë jugosllavo-shqiptarë, qëndronin forca të pamjaftueshme vullnetare shqiptare, të cilat në fillim të muajit gusht 1944, ishin vendosur si vijon: Ali Maliqi me forcat e veta qëndronte në Klloboçisht, Sabri Kadriu – Maqellari, Fuat Dinja dhe Hilmi Karahasani me forcat e tyre, në Dibër të Madhe, Ukë Cami me forcën e tij në Mirosh, Demir Dema në Kojnarë, Cen Elezi në Dardhë, Hazis e Dan Kaloshi në Sinë, Ramadan Hoxha në Shqath të Muhurit, Dervish Lusha e Haxhi Noka të plagosun, ndodheshin në Gryk të Nokës, Llan Kaziu në malet e Selishtës dhe Zuf Xhilaga, në malet e Deshatit.
Hysni Dema, në cilësinë e komandantit të operacionit për Qarkun e Dibrës, më 1 gusht 1944, i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme ; “…morali i popullsisë dhe i krenave asht shumë i ulët” dhe se kjo ka ardhur si rrjedhojë e propagandës së madhe nga ana e komunistëve, të cilët “si gjithnjë vazhdojnë propagandën e tyne të përkrahun prej Aleatëve”. Ai më pas, duke u mbështetur në burime të sigurta, vë në dukje një përgatitje të madhe nga ana e komunistëve jugosllavo-shqiptar, për pushtimin e Dibrës, dhe se sipas tij, ky sulm i komunistëve “nuk ka me zgjat ma tepër se katër ose pesë ditë”.
Ai, si zgjidhje të vetme, për siç do të shprehet “me mundun me i shpëtue katastrofat komplet Kombëtarë”, e shihte organizimin e shpejtë të forcave nacionaliste shqiptare, për një “operacion seriozë”, i cili, sipas tij duhej të fillonte “para se me fillue Komunistët Ofansivën,…për me mund e me u dhanë Komunistavet grushtin shkatërrues. Në rast se nuk merret parasysh seriozisht e nuk veprohet në këtë mënyrë, – shprehet më tej Dema, – duhet të binden autoritetet e Nalta se Komunistët do t’akupojnë edhe Dibrën e Madhe dhe me kët mënyrë, do të zotërojnë situatën në gjithë Shqipnin….”!
Gjatë muajit gusht 1944, luftime të ashpra midis njësive partizane dhe atyre nacionaliste shqiptare u zhvilluan në Fushë Alie dhe fshatrave përreth. Beteja më e përgjakshme u zhvillua në fshatin Sinë, e cila zgjati plot dy ditë e dy net, ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga ana e të dy palëve. Pas tërheqjes së forcave nacionaliste, të cilave u prinin Halil Alia dhe Selim Kaloshi, njësitë e Brigadës IV-ët e të V-të partizane shqiptare, dogjën thuajse të gjitha shtëpitë e fshatrave Sinë dhe Fushë Alie. “Në katundin Sinë, – njoftonte zv/komisari i Brigadës V-të, Manush Myftiu, – u dogjën pa asnjë arsye shtëpitë e katundit, vetëm për hakmarrje të shokëve të vrarë…! Qëndrimi i përgjegjësve ushtarakë ka qenë shumë i keq, gjë që ka inkurajuar partizanët për të shkatërruar akoma ma keq, çfarë kishte mbetur nga zjarri…”!
Sjelljen brutale të njësive partizane shqiptare ndaj banorëve shqiptarë të kësaj zone të Dibrës, më së miri përshkruhet nga njëri ndër drejtuesit kryesor të LNÇ-së në krahinën e Dibrës, Sulë Baholli: “…Mandej forcat e bashkuara të Brigadës IV-ët e V-të mësynë fushë Aliaj-n dhe i vunë zjarrin kullës së Halil Alisë, por vranë edhe dogjën edhe njerëz të pafajshëm…! U dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit Fushë-Aliaj, në vend që të digjeshin vetëm shtëpitë e reaksionarëve të shquar…”!
DORËZIMI I UKË CAMIT
Thyerja e parisë nacionaliste në Sinë e Fushë-Alie, e cila, siç u tha më lartë, u përcoll me një sjellje tejet kriminale të njësive partizane shqiptare, si ndaj popullsisë civile po ashtu edhe ndaj pronave të tyre, e shtynë një pjesë të parisë nacionaliste të zhvillojnë negociata me udhëheqësit e UNÇSh-së e të UNÇJ-së. Kështu, Dan Kaloshi, së shpejti u kyç në radhët e UNÇSh-së. Më 22 gusht, Dali Ndreu i shkruante komandantit të Brigadës V-të, Shefeqet Peçit: “Siç u është theksuar edhe herë të tjera, duhet t’i jepet rëndësi çështjes së mobilizimit të Divizionit I-rë. Prandaj jepni Dan Kaloshit një kompani, mbasi ai ka mundësi mobilizimi e ka premtuar, dhe t’ia filloj me një herë mobilizimit për Brigadën e V-të”.
Ngjashëm sikurse me Dan Kaloshin, u veprua edhe me Cen Elezin dhe djalin e tij, Xhelal Ndreun. Në këto rrethana, Ukë Cami së bashku me Murat Labënishtin dhe Esad Dokon, zhvilluan negociata me përfaqësuesin e SHK të LNÇM-së, Vidoo Smilevski – “Bato”, për një bashkëpunim të mundshëm. Burimet e kohës vënë në dukje se në këto bisedime, është arritur marrëveshja gojore, sipas së cilës, Ukë Cami, të mos u kundërvihet sulmeve të njësive partizane për marrjen e Dibrës, ndërsa Labënishti dhe “Doko”, t’i bashkojnë forcat e tyre me forcat partizane, por me kusht që “Dibra dhe Struga me rrethinë pas çlirimit t’i takojnë Shqipërisë”.
Tërheqja, përkatësisht bashkëngjitja e një pjese të njësive nacionaliste shqiptare me njësitë e LNÇ-së, si dhe tërheqja e gjermanëve (1 shtator 1944), mundësoi që në Dibër të Madhe, më 2 shtator, të futen njësitë partizane jugosllave-shqiptare pa asnjë rezistencë nga krerët nacionalistë shqiptarë. Posa u morë Dibra e Madhe, u vendos pushteti ushtarak jugosllavë, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptarë nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor.
Në mesin e të burgosurve ishte edhe komandanti i Zonës I-rë Operative të LNÇJ-së për Maqedoni, Hamdi Dema. Lidhur me burgosjen dhe më vonë vrasjen makabre të Hamdi Demës, në një dokument të OZN-ës, thuhet: “Hamdi Dema: Si agjent e MK AbËKdO 310, është futur në LNÇ-ë në territorin Kërçovë-Dibër, ku arriti deri te pozita komandant i Zonës I-rë operative, i cili shkonte në linjën e copëtimit të lëvizjes. Është burgosur dhe likuiduar në vitin 1944, nga të besuarit e OZN-ës, gjatë përpjekjes së arratisjes nga burgu i Prilepit”.
Ndonëse Ukë Cami, mbi bazë të marrëveshjes së arritur paraprakisht me anëtarin e Shtabit të UNÇM-së, Vidoe Smilevskin, nuk bëri asnjë rezistencë të armatosur gjatë pushtimit të Dibrës, duke qëndruar neutral, njësitë partizane shqiptare, me urdhër të Haxhi Lleshit, ia bënë shkrumb e hi të gjitha shtëpitë e tij dhe të kushërive të tij në fshatin Vllasiq. Kjo ngjarje e shëmtuar, më së miri përshkruhet në dokumentin me titull “Ndihma Internacionaliste e PKSH-së, dhënë popujve shqiptarë të Maqedonisë në luftën kundër nazi-fashizmit”, i cili ruhet në Muzeun e Peshkopisë, ku ndër të tjerave thuhet: “…Batalioni i dytë i Brigadës Parë Sulmuese, Batalioni i Dibrës dhe një çetë e Kosovës, kaluan në Maqedoni me qëllim që të koordinonin veprimet me forcat e ushtrisë NÇL Jugosllave në Maqedoni.
Duke kaluar afër Tanushajt nëpër Zhirovnicë, Galiçnik, Llazaropole, arritën në Karaorman. Në pyjet e Karaormanit Haxhi Lleshi u takua me udhëheqësit e Shtabit Kryesor të Maqedonisë. Pas disa ditësh arriti në Karaorman dhe Brigada e Parë Sulmuese e UNÇL-së Shqiptare. U vendos që me forca të bashkuara të sulmohej Dibra e Madhe. Shtabi Maqedonas në këtë kohë kish bërë marrëveshje mos-sulmimi me reaksionarin e njohur Ukë Camin. Haxhi Lleshi u tha maqedonasve që të digjen shtëpitë e këtij reaksionari në Vllasiq, një lagje afër Prapanikut, maqedonasit nuk pranuan, partizanët shqiptarë ia bënë shkrumb e hi shtëpjat këtij reaksionari, për krimet që kish bërë në Shqipëri dhe Maqedoni…”!
Është e rëndësishme të vihet në pah fakti, se terminologjia e përdorur nga udhëheqja komuniste shqiptare kundër krerëve nacionalistë shqiptarë, ishte po ajo që përdorej nga udhëheqja komuniste jugosllave. Pra, Ukë Cami, sikurse edhe e tërë paria nacionaliste e antikomuniste shqiptare, etiketohej dhe njollosej si “reaksionar” dhe “kriminel”, vetëm pse ai nuk u pajtua që tokat shqiptare të ripushtoheshin nga repartet komuniste jugosllave. Haxhi Lleshi dhe klika e tij komuniste në Dibër, tashmë kishin harruar se gjatë Luftës së Dytë Botërore, në shtëpinë e Ukës në Vllasiq, për një kohë më të gjatë qenë strehuar shumë përkrahës të ideologjisë komuniste, në mesin e tyre edhe motrat Qefsere e Muzejen Baholli, ndërsa me rekomandimin e tij, te Latif Musa, miku i tij i idealit, u strehuan Hasan Luma dhe Ibe Palikuqi.
Është absurde dhe e papranueshme kjo etiketë që i mveshej nacionalizmës shqiptare, kur dihet botërisht se krimi dhe gjenocidi ndaj popullsisë shqiptare në këto treva, ndodhi pikërisht, pasi në to u vendosën repartet komuniste jugosllave dhe ato shqiptare. Për këtë, mjafton t’i referohemi të njëjtit dokument, pjesës ku përshkruhet krimi dhe gjenocidi i brigadave jugosllavo-maqedonase në Strugë, Kërçovë, Gostivar e Tetovë: “…Ndërsa brigada (e IV shqiptare – v.j.) mori urdhër të largohej nga Maqedonia për në Serbi e Kroaci, në luftën frontale kundra gjermanëve, në rrethet Strugë, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë, filloi terrori kundra shqiptarëve nga shovinistët maqedonasë. Burgjet u mbushën plot e përplot, përdorën dhe xhamirat dhe shkollat për këta të burgosur, por ishin të pafajshëm prandaj formuan dhe kampet e përqendrimit.
Mjafton të përmendim se vetëm në ndërtesën e monopolit të duhanit (fermentimit) në Tetovë, kishte mbi 6.000 të burgosur nga qyteti dhe fshati, në të gjitha katet e godinës, bile ishte kaq ngushtë, sa të burgosurit detyroheshin të rrinin në këmbë dhe të ngjitur njëri me tjetrin. Qoftë nga burgjet ashtu dhe nga kampet, me lista të veçanta pushkatoheshin çdo natë me dhjetëra shqiptarë, me pretekst se gjoja kishin bërë pjesë në grupet e Xhemës dhe të Mefailit…! Si mbas të dhënave gjysmë zyrtare, në këtë kohë për më tepër se dy muajve në Kërçovë u pushkatuan dhe vdiqën nga sëmundja, afro 400 shqiptarë, në Gostivar rreth 500, në Tetovë mbi 350 dhe në Grupçin mbi 70 vetë…”!
Këto si dhe shumë burime tjera arkivore të zbuluara kohëve të fundit, i hedhin poshtë të gjitha ato shpifje, trillime e të pavërteta apo gjysmë të vërteta që janë thënë si nga historiografia komuniste jugosllave në përgjithësi, po ashtu edhe nga ajo komuniste shqiptare në veçanti, për personalitetet e shquara nacionaliste shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, ku rol të rëndësishëm pa dyshim se luajti edhe Ukë Cami. Është për t’u theksuar fakti se, kjo ishte hera e tretë që Ukë Camit iu dogjën shtëpitë.
Përderisa dy herët e para (1913 dhe 1918) qe kryer nga ushtria pushtuese serbe, herën e tretë, fatkeqësisht, ndodhi nga një fuqi ushtarake shqiptare (mercenare), e cila në mënyrë të verbër mbronte qëndrimin e politikës së PKJ-së dhe të Josip Broz Titos, sipas së cilit të gjitha tokat shqiptare të cilat me shpërbërjen e Mbretërisë Jugosllave iu bashkuan Shqipërisë (Kosova, Trevat Lindore dhe Veriore), duhej “detyrimisht të shkëputeshin nga trungu shqiptar” dhe t’i faleshin federatës së re të quajtur Jugosllavi.
Këtë qëndrim antikombëtar të kreut të PKSH-së dhe të UNÇSH-së e mbrojti me një fanatizëm të paparë, komandanti i Divizionit të I-rë të UNÇSH-së, Mehmet Shehu, në takimin me delegacionin shqiptar të Kërçovës, i cili u mbajt më 12 shtator 1944 në Dibër të Madhe. Të njëjtën ditë, Shehu i shkruante Qemal Agollit, për sa më poshtë vijon: “Delegatët e Kërçovës i gjetëm dhe biseduam me’ta. Asht e mira që të bisedosh edhe t’i me’ta për t’u skjaruar mbi gjendjen. Neve u thamë kështu: Ky delegacion nuk asht i dërguar nga populli i Kërçovës, por nga populli dhe nga paria. Neve nuk mund të pranojmë asnjë bisedim dhe asnjë marrëveshje me parinë e Kërçovës dhe të Gostivarit, për deri sa ajo pari nuk na paraqitet pa kondita, që të na jap llogari për tradhtinë që ka bërë deri tash.
Populli i Kërçovës duhesh që të më dërgonte një delegacion i cili tishte krejtësisht i shkëputur nga paria. Neve shqiptarët, edhe në qoftë se vijmë në Kërçovë, nuk mund të vijmë përveç se bashkë me shokët maqedonas dhe jo vetëm me flamurin shqiptar, por patjetër edhe me flamurin maqedonas. Delegacioni para se të vinte tek neve, duhesh t’ishte paraqitur për marrëveshje, pranë Shtabit Maqedhonas. Duhet pra që populli i Kërçovës t’a përjashtojë Mefailin dhe tradhtarët e tjerë nga gjiri i tij dhe të hyjë me një herë në marrëveshje me Shtabin Maqedhonas.
Ndryshe, jo vetëm që nuk do të ketë asnjë ndihmë nga neve, por përkundrazi, do të detyrohemi që të dërgojmë forca partizane shqiptare, të cilat bashkë me forcat partizane maqedonase do të bëjnë detyrën e tyre për çlirimin e Kërçovës dhe të Gostivarit. Populli i Kërçovës, duhet t’a kuptojë se e vetmja rrugë e shpëtimit për t’a, është që të bashkohet me një herë me forcat maqedonase e të ndahet nga tradhtarët e vendit…”.
Për takimin me delegacionin e Kërçovës, Meht Shehu i shkruante edhe Vidoe Smilevskit, ku ndryshe nga letra e parë, në këtë të dytën, ai është edhe në i qartë, ku thekson: “…Ne partizanët shqiptarë, nuk mund të ndërhyjmë në punët e Maqedhonisë, pa marrëveshje dhe bashkëpunim të k maqedhonas…! Edhe në qoftë se neve do të dërgojmë një forcë në Kërçovë, nuk do të futemi kurrë vetëm, porse me doemos e me çdo sakrificë bashkë me partizanët maqedhonas. Dhe nuk pranohet në asnjë mënyrë që në Kërçovë të shkojnë forca shqiptare me vetëm flamurin shqiptar, porse me doemos edhe me flamurin maqedhonas, duke e respektuar këtë ma tepër se t’onin, për në atë vend. Të mos shpresoj populli i Kërçovës, se neve partizanët shqiptarë do të shkojmë atje dhe do të pranojmë kompromise duke mbrojtur tradhtarët…”.
Për sa më sipër, shtrohet pyetja logjike, cilët ishin tradhtarë, nacionalistët shqiptarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për mbrojtjen e tokave shqiptare nga ripushtimi jugosllavë, apo komunistët shqiptarë, të cilët në emër të “vëllazërim bashkimit”, luftuan krah për krah me jugosllavët, që ato toka me çdo kusht të ripushtoheshin nga jugosllavët!? Këtë qëndrim antikombëtar, Mehmet Shehu e shpalos në pjesën e dytë të letrës, ku ai në mënyrë të qartë e shprehte mendimin e tij dhe të udhëheqjes së UNÇSH-së, lidhur me pushtimin e ardhshëm të Kërçovës (që ai e quan çlirim) nga njësitë komuniste jugosllave:
“…Tash neve mejtojmë që edhe në mos ardhshim neve, plani i veprimit t’uaj të mos pengohet. Në qoftë se e shihni t’arsyeshme dhe të nevojshme, që Shtabi i këtij Divizioni t’i bëjë nji thirrje popullit të Kërçovës, si mbas udhëzimeve t’uaja na njoftoni menjëherë, që t’u a dërgojmë thirrjen për kontrollim dhe për shpërndarje, duke na e njoftuar gjendjen me hollësi dhe listën e tradhtarëve që duhet të dënohen edhe nga neve, me anën e traktatit. Kemi bindje se delegacioni ka mbetur i bindur se midis nesh dhe jush, nuk ka asnjë ndarje dhe përçarje. Dhe tash s’kanë nga ja mbajnë, veçse të kapitullojnë me hir ose pa hir…”!
ARRESTIMI DHE DËNIMI I UKË CAMIT
Në rrethana kur njësitë komuniste jugosllavo-shqiptare, vërsuleshin ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që nuk mendonin sikur ata, veçanërisht ndaj parisë nacionaliste shqiptare, Ukë Camit nuk i kishte ngelur rrugë tjetër, përveçse të dorëzohej në besë, te shehu i Martaneshit, Baba Faja, i cili asaj kohe mbante postin e nënkryetarit të Presidiumit të Këshillit Antifashist të Shqipërisë. Së shpejti u përhap lajmi se Baba Faja, e kishte falur Ukën, dhe se ai qëndronte i lirë në shtabin e aradhës partizane të Martaneshit. Kundër këtij vendimi dolën qarqet e atëhershme ekstreme komuniste shqiptare të Dibrës, si Esat Ndreu, Haxhi Lleshi, Qemal Agolli etj., si dhe ato jugosallave-maqedonase, të cilët Ukë Camin e konsideronin si njërin ndër “reaksionarët kryesor” të asaj krahine, prandaj sipas botëkuptimeve të tyre, ai “duhej të dënohej e, jo të falej”.
Rrjedhimisht, Mehmet Shehu, më 11 shtator 1944, i shkruante Shtabit të Zonës operative të IV-ët të Maqedonisë, për dorëzimin e Ukë Camit, faljen e njëanshme nga Baba Faja, si dhe për planifikimin e një bisede informative, për ta detyruar Ukën që ta firmos një deklaratë të përgatitur paraprakisht nga vetë ai: “…Ukë Cami, – shkruante Shehu, – ka pasë ardhë në lidhje me Baba Fajën në këto kohët e fundit dhe Babai, pa marrë parasysh llogaritë qi duhet t’i apë Ukja juve dhe neve, e ka falë. Bisedova me Qemalin dhe mbasi s’kemi ndryshe si të veprojmë, për të mos hedhur poshtë prestigjin e Babait, mbasi ky është ndënë kryetar i Presidiumit të Këshillit Përgjithshëm Antifashist, detyrohemi që t’a flasim Ukën këtu dhe të firmosi nji deklaratë, si për ju, si për ne, dukë shënuar që detyrohet të paraqitet para gjyqit popullor shqiptar ose maqedhonas, kurdoherë që të kërkohet prej tyre, për të dhënë llogari për fajet e tija…”!
Këtë deklaratë të imponuar, Ukë Cami e nënshkroi më 19 shtator 1944, në selinë e Shtabit të Divizionit I-rë, në prani të Mehmet Shehut, Panajot Plakut dhe Baba Fajës. Në të, ndër të tjerave, Ukja, “vullnetarisht” deklaron se; ka qenë mik i ngushtë i Ibrahim Biçakut, Irfan Ohrit, Hazis Kaloshit, Hysni Demës, Fiqiri Dines, Halil Alisë, Xhem Gostivarit, Mefail Kërçovës etj., dhe se është i gatshëm të paraqitet “para gjyqit të popullit maqedhonas e shqiptarë, kurdoherë qi të më kërkoje për të dhanë llogari”.
Është e rëndësishme të theksohet fakti se pas kësaj deklarate, Ukja fillimisht do të lihet i lirë dhe bashkërisht me Baba Fajën, do të udhëtoj për Berat, pranë Shtabit Kryesor të LNÇSH-së, më pas për Korçë dhe Tiranë, ku edhe arrestohet nga ana e njësive të Korparmatës së I-rë të UNÇSH-së. Me kërkesë të jugosllavëve, më 30 shtator 1944, Ukë Cami, dërgohet në burgun famëkeq të OZN-së jugosllave, fillimisht në Dibër, më pas në Strugë, ku qëndroi deri më 17 maj 1945, kur Gjykata ushtarake e shkallës së parë të Qarkut të Manastirit në Strugë, atë dhe bashkëluftëtarin e tij të ngushtë, Fik Maliqin, i dënoi me dënimin maksimal, vdekje-pushkatim.
Në aktvendimin e atij gjyqi famëkeq, thuhej: “Ukë Ramadan Cami nga fshati Vllasiq, rrethi i Dibrës, gjatë kohës së pushtimit ka qenë major i Ballit Kombëtar. Si i tillë ka qenë edhe organizator i formacioneve të armatosura balliste, të cilët për detyrë kanë pasur të luftojnë kundër lëvizjes partizane. Ka marrë pjesë aktive thuajse në të gjitha operacionet e ndërmarra nga ballistët kundër ushtrisë popullore. Gjatë viteve 1943 dhe 1944, ka shkuar disa herë në ndjekje të partizanëve në Karaormnan. Gjithashtu ka marrë pjesë në mbrojtje të Dibrës kur është sulmuar nga partizanët. E mobilizon popullin dhe e armatos që të luftoj kundër partizanëve, etj”.
Procesi gjyqësor kundër Ukës u prcoll me vëmendje të madhe nga shumë banorë të rretheve të Dibrës, Strugës, Zhupës dhe Gollobordës. Me dhjetëra letra nga ato krahina i arritën gjykatës, ku vihej në dukje vlera dhe kontributi i Ukë Camit në mbrojtje të popullsisë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për rrjedhojë, Gjykata Supreme e Republikës Federale Popullore të Jugosllavisë, me vendimin nr. 3261/45 të datës 8 nëntor 1945, pasi e shqyrtoi ankesën e të dënuarit Ukë Cami, solli vendim në të cilin thuhej shprehimisht: “Vërtetohet Vendimi i shkallës së parë, lidhur me marrjen e vendimit për fajësinë e të akuzuarit ndërsa lidhur me shqyrtimin modifikohet dhe i akuzuari dënohet: Ukë Ramadan Cami, me dënim privim nga liria me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 8 viteve dhe humbje të të drejtave politike dhe disa të drejtave qytetare, në përjashtim të atyre prindërore në kohëzgjatje prej 3 /tre/ viteve”.
Dënimin prej 8 vjetësh e vuajti në tërësi në burgun e Idrizovës, përkatësisht deri më 30 nëntor 1952. Në atë burg famëkeq jugosllavë, krahas tij qëndronin edhe shumë personalitete tjera të shquara politike e ushtarake shqiptare, me të cilët ai kishte bashkëvepruar ngushtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përderisa Ukja vuante dënimin në Idrizovë, familja, përkatësisht fëmijët e tij, ishte ndarë në dy pjesë. Tre djemtë: Liriu Samiu dhe Napoleoni i vogël, jetonin në fshatin Vllasiq të rrethit të Dibrës, ndërsa, vëllezërit Rifatu dhe Feriti dhe tre djemtë tjerë të Ukës: Muizi, Sudbiu dhe Shefkiu, jetonin në Sepetovë të qarkut të Peshkopisë. Autoritetet e atëhershme komuniste jugosllave, ndërmorën masa represive kundër pjesë së familjes së tij, që jetonte në fshatin Vllasiq, veçanërisht kundër djalit të madh, Liriut, i cili, gjatë tërë kohës, do të jetë i përndjekur nga shërbimi sekret jugosllavë i UDB-së.
Në një dokument të hartuar më 24 dhjetor 1950, nga i njëjti shërbim, ndër të tjerave thuhet: “…Liri Cami gjatë kohës së pushtimit ka qëndruar në fshatin Vllasiq. Pasi babai i tij asaj kohe është shquar si udhëheqës ballistë, i njëjti ka marrë pjesë në aksione të ndryshme që i ka udhëhequr babai i tij. Në atë periudhë kohore, familja e tij nuk pati qëndrim të mirë ndaj LNÇ-së. Pas çlirimit, Liriu ngeli në Vllasiq dhe merret me bujqësi. Në veprimtarinë politike të tij vërehet pakënaqësia, kritika dhe kundërshtimi ndaj Pushtetit Popullor, pasi babai i tij gjendet në burg dhe është i dënuar me 8 vjet heqje lirie. I njëjti është adhurues i madh i Shqipërisë Etnike, ndërsa familja e tij gjithashtu nuk ka disponim ndaj Pushtetit Popullor, nuk merr pjesë në aksione të ndryshme punuese, nuk u përgjigjet ftesave të ndryshme të Pushtetit Popullor, e gjithashtu nuk përgjigjet me kohë ndaj vendimeve dhe taksave të ndryshme…”.
Ndërkohë, vuajtjet e komunizmit i përjetoi edhe më keq pjesa e familjes që ngeli të jetonte në Sepetovë të Peshkopisë, ku djemtë e tij u dërguan në kampet e përqendrimit në Lushnjë. Përveç kësaj, në vitin 1947, shërbimi sekret shqiptar, burgosi vëllanë e Ukës, Rifatin dhe kushëririn e parë të tij, Shaqirin, të cilët më pas u dënuan me burg të rëndë, nën pretekst se të njëjtit, na paskan qenë “jatak të çetave ilegale balliste”.
Në përmbyllje të këtij punimi studimor, kushtuar Ukë Dan Camit, figurës së madhe nacionaliste e ushtarake shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, i cili ka qenë tërësisht i anashkaluar nga historiografia komuniste shqiptare, jam i obliguar të them se, pas vuajtjes së dënimit, UDB-ja jugosllave, do të vazhdoj ta ndjek veprimtarinë e tij, deri në vitin 1980, kur pas një sëmundje të rëndë, vdiq në moshën 84 vjeçare. Kjo dëshmohet në burimet e shumta të proveniencës policore të kohës, që me ketë rast po e veçoj, elaboratin kushtuar veprimtarisë politike e ushtarake të Ukë Camit, i hartuar më 13 shkurt 1964 nga UDB-ja jugosllave, ku ndër të tjerave në të thuhet:
“…Ukë Ramadan Cami, gjatë kohës së pushtimit, në vitin 1941/42, erdhi të jetoj në fshatin Vllasiq –rrethi i Dibrës në çifligun e tij, ku jeton edhe sot. Në atë kohë, që në momentet e para, u fut nën shërbim të Shqipërisë së Madhe dhe u bë udhëheqës i më shumë se 300 ballistëve, me të cilët ka marrë pjesë në më shumë aksione – luftime kundër LNÇ-së. Pas çlirimit në vitin 1945, u dënua me vdekje, por më vonë dënimi iu zvogëlua në 26 vjet, ndërsa mbi bazën e një ankese plotësuese, dënimi iu zvogëlua në 8 vjet burg të rëndë. Dënimin e vuajti deri në fund dhe nga burgu u lirua në pjesën e parë të vitit 1953. Së bashku me të qenë liruar edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: Xhemë Xhemaili (Hajredini) dhe Mafiz Elezi, që të dy nga fshati Papranik i Madh.
Përkundër kësaj, Ukë Cami, për shërbimin tonë është shumë i dyshimtë prandaj qëndrimi i tij është vëzhguar vazhdimisht nga ku mund të shihet se para njerëzve të tij, shfaqet në përmasa të caktuara, dhe në mënyrë shumë të matur, si në linjën shqiptaro-madhe po ashtu edhe në linjën e irredentizmit. Dyshimi edhe më i madh te Ukja vjen, për shkak se është vazhdimisht në shoqëri me njerëz, gjithashtu bajraktarë gjatë kohës së pushtimit dhe me emigrantët politik. Në një rast, në praninë e më shumë bajraktarëve Ukja ka folur si vijon: ‘Është shumë e rëndë për ne bajraktarët që ne sot po e përjetojmë një kohë të tillë, që të na komandojnë çobanët, të cilët më herët as thana nuk kishin për të ngrënë, ndërsa tash po na hanë me gjithë opanga’.
Para disa njerëzve tjerë – miq nga fshati Zajas, të ardhur tek ai për vizitë në fshatin Vllasiq, ka folur kështu: ‘Ne jemi duke punuar për të mirën e shqiptarëve, që do të duhet edhe ju në Kërçovë të punoni sikurse ne. Nëse dëshironi jonxhën ta mbjellin nga fara e jonë, në atë do ua japim falas’. Nga këto fjalë të drejtpërdrejta që janë thënë nga Ukë Cami, mund të shihet, përkatësisht konstatohet se ai vazhdon të mbaj qëndrim të pastër nacionalist-shoviniste, i cili më herët por edhe tash, vuan për Shqipërinë e Madhe…”. Memorie.al