Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / E lindur dhe e rritur në një familje me tradita intelektuale dhe aristokrate, si nga ana e babait (me origjinë nga Narta e Vlorës), ashtu dhe nga nëna e saj (nga qyteti i Durrësit), madje prej katër brezash të diplomuar në universitetet më të njohura të Evropës, në degë të ndryshme si; Drejtësi, Ekonomi dhe Mjekësi, edhe ajo bashkë më të vëllanë, (një nga ikonat e Mjekësisë shqiptare, prej gati gjysëm shekulli), nuk mund të “devijonin” nga geni familjar dhe rruga që kishin zgjedhur e përshkuar të parët e tyre, në rrjedhat e jetës. Madje, duke se ka shkuar pak më tej, pasi përveç mësimdhënies si pedagoge, është marrë edhe me politikë aktive, duke u zgjedhur jo vetëm si deputete e Kuvendit Shqiptar, por edhe nënkryetare e Parlamentit, ndonëse për një kohë të shkurtër, aq sa zgjati ajo legjislaturë. Duke pasur parasysh, degën ku është diplomuar dhe profesionin e pedagoges së universitetit, që ka ushtruar deri sa doli në pension, e gjithashtu edhe të vëllait, i specializuar në një nga klinikat më të mira universitare të Parisit, në fillimin e viteve ’70-të, jeta, jo vetëm nuk e ka “përkëdhelur”, por i ka sjellë edhe mjaft peripeci, në rrugëtimin e saj dhe karrierës profesionale. Për shkak të luftës së klasave, Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 1 të Tiranës, e pati etiketuar si: “Vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër para çlirimit dhe ajo nuk është e denjë, për të studiuar…”, gjë e cila e privoi edhe nga dega që ajo kishte zgjedhur për të ndjekur. Të gjitha këto, tashmë i përkasin një kohe të shkuar, por për shkak të kërkesave tona të vazhdueshme, Prof. Dr. Margarita Qirko, është e “detyruar” që të prishi “kodin e heshtjes” që e ka zbatuar me përpikëri deri më sot, duke mos i kujtuar ato kohë të shkuara, e duke folur për herë të parë, për Memorie.al, në një intervistë, për historinë e familjes, dhe të sajën.
Znj. Margarita, për çfarë gabimesh e keni fjalën?
Gabimi i pare, ishte aprovimi fillimisht dhe mos këmbëngulja e anulimit më vonë, të Ligjit 7501, i cili bëri që prona të mos shkojë tek i zoti i saj. Pronën e njerëzve që kishin vuajtur nga lufta e klasës dhe ishin kalbur burgjeve e internimeve, e morën njerëz të tjerë, apo dhe ata që u vetëquajtën demokratë, pa qenë të tillë. Ky ligj kapërceu germën “A”, të demokracisë, që është kthimi i pronës tek i zoti. Gabim tjetër, përsëri në këtë kontekst, ishte dhënia e dyqaneve dhe lokaleve të ndryshme, për shitësit që kishin punuar aty. Por kjo nuk kishte sens, pasi ato lolake dhe dyqane, ishin ndërtuar në tokën e njerëzve që kishin vdekur në burgje dhe që ja u kishin marrë me dhunë, 46 vite më pare dhe atyre duhej t’u jepej e drejta e parablerjes.
Këto vendime do të thosha shumë të nxituara, krijuan armiqësi ndërmjet palëve të prekura dhe filloi një ‘fllad’ i lehtë pakënaqësie, ndërmjet njerëzve. Tjetër gabim i madh, ishte lejimi i firmave piramidale, madje kjo gjë ishte një nga gabimet më të mëdha të qeverisë së djathtë të asaj kohe, sepse ato më pas, morën përmasa të tilla të frikshme, që pala kundërshtare (opozita e majtë), e shfrytëzoi me përmbysjen me dhunë të pushtetit demokrat në vitin 1997. Nuk ka mbetur kot shprehja e popullit, që thotë: “Fillimi i mirë, gjysma e punës”, kurse ne, nuk e filluam mirë.
Në ato vite, ju vazhduat të ishit e angazhuar në politikë?
Në këtë periudhë për të cilën po flasim, pra në vitet 1992-1996, unë isha mjaft e aktivizuar me Partinë Demokratike dhe bëja pjesë, përveç Këshillit Kombëtar të PD-së. edhe në Kryesinë e PD-së të Tiranës, gjithmonë duke qenë pedagoge në Universitetin Politeknik. Por, pata disa ndërprerje, pasi në vitin 1993-1994, në Universitetin Politeknik të Tiranës, u aprovua projekti “Tempus”, për specializimin e pedagogëve, në Universitete të tjera Evropiane. Kështu në vitin 1993, u përzgjodhëm dhe caktuam 10 pedagogë, që do të pasuronim njohuritë e përvojën tonë, në bashkëpunim me kolegët përkatës në Universitetin Politeknik të Athinës.
Drejtuesi kryesor i këtij projekti, në Universitetin Politeknik të Athinës, ishte Nikolaos Uzunoglu. Ai ishte profesor në lëndët inxhinierike dhe një kapacitet i spikatur në këtë Universitet. Të gjithëve na angazhoi të punonim në katedrat e lëndëve tona përkatëse, për të rritur nivelin tonë me përvojën e tyre, duke vënë në dispozicion të gjitha materialet për lëndët e reja, që pedagogët tanë dëshironin të vendosnin në katedrat e tyre në Universitetin Politeknik të Tiranës. Komunikimi dhe bashkëpunimi me ta vazhdoi gjatë viteve, në shkëmbimet tona shkencore.
Me aq u mbyll ai specializim, apo marrje përvoje?
Nuk u mbyll me aq, pasi në vitin 1994, isha përsëri me kolegët e mi në Universitetin Politeknik të Athinës, me projektin ‘Tempus’. U vendosa për të punuar në katedrën e Analizës Numerike, ku referova temën time të disertacionit, e cila u mirëprit me interes nga kolegët grekë. Bashkëpunimi me ta, u shtua nëpërmjet punës dhe ata më sugjeruan dhe dhuruan të gjitha materialet e gjuhës ‘Matlab’, për t’a vendosur në lëndën e Analizës Numerike, për të ngritur lëndën në një nivel më të lartë shkencor. Ndërkohë, trokiti viti 1996, ku në muajin maj ishin zgjedhjet parlamentare.
Si i kujtoni ato zgjedhje, cili ishte angazhimi juaj aty?
Unë në atë zgjedhje u propozova nga dega e Partisë Demokratike e Tiranës, si kandidate për deputete e PD-së në zonën elektorale nr. 50-të, zonë e cila përfshinte Librin Universitar dhe një pjesë të “Rrugës së Kavajës”. Kryetari i degës së PD-së së Tiranës në atë kohë, ishte Albert Brojka, i cili më ka ndenjur në krah, në çdo takim me zgjedhësit dhe ruaj për të, konsideratë të lartë e mirënjohje të thellë.
Kush ishte përkrah jush në atë fushatë elektorale?
Zoti, Sajmir Shehri, ishte drejtuesi organizativ i fushatës time. Nuk do ta harroj kurrë, dashamirësinë, energjinë me të cilën punonte, këmbënguljen, vizionin për një organizim të përsosur, të cilat e përkufizonin atë si njeri. Në sajë të një pune me shumë pasion, dashuri dhe përkushtim, ndaj njerëzve që takoja, arrita të fitoj si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, në 26 maj 1996, në zonën 50. Isha e lumtur që do të kontribuoja për një jetë shumë më të mirë, kryesisht të studentëve të mi. Ky mision, më justifikonte rrugën e re të nisur në politikë. Por zgjedhjet e 26 majit 1996, patën probleme dhe kohërat e vështira, po përvijoheshin në horizont.
Si i kujton kolegët në parlamentin e asaj kohe, të dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996?
Kolegët e mi deputetë nga PD-ja, ishin njerëz të ditur, një pjesë nga radhët e Universitetit dhe të tjerë, specialistë të spikatur në fusha të ndryshme. Ishte një grup parlamentar i mirë-formuar dhe i ndërgjegjësuar për misionin e vet. Kurse të gjitha zonjat e këtij Parlamenti, ku unë bëra pjesë, ishin një buqetë mirësie, dashurie dhe tolerance.
Ju u zgjodhët nënkryetare e atij parlamenti, si e kujtoni kush ju propozoi në atë funksion?
Presidenti, Prof. Dr. Sali Berisha, më thirri një ditë në zyrën e tij dhe më komunikoi, që do të isha Nënkryetare Parlamenti, së bashku me Pjetër Arbnorin, si Kryetar. E prita me ngurrim, pasi nuk isha e dhënë pas dukjes dhe posteve. Doktori porositi dy kafe, më uroi sukses të plotë në punën e re dhe ajo punë, si të thuash, u bë fakt i kryer.
U gjenda papritur e emëruar Nënkryetare e Parlamentit Shqiptar, e emocionuar dhe me stresin e përgjegjësisë së detyrës së re, për ta kryer atë me përkushtim maksimal. Në atë moment, duhet të ndahesha përfundimisht nga marrëdhëniet e shkëlqyera me studentët e mi dhe nga pasioni im në dhënien e leksioneve të lëndës, të cilat më jepnin kënaqësinë maksimale, të profesionit.
Si e kujtoni ditën e parë si Nënkryetare Parlamenti?
Në 2 korrik 1996, u mblodh Parlamenti pas zgjedhjeve të kontestuara të 26 majit. Atë ditë u votova dhe u zgjodha si Nënkryetare Parlamenti. Kryetari, zoti Pjetër Arbnori, mbajti një fjalim për hapjen e Legjislacionit të ri dhe problemet që kishin ndodhur me opozitën. Pas fjalës së tij, unë formulova një prezantim të shkurtër, për detyrat që na dilnin përpara në këtë legjislaturë.
E quajta demokracinë shqiptare, një “fëmijë të brishtë 4 vjeçar”, të cilin duhet ta mbrojmë, ta forcojmë, për ta bërë “18 vjeçar”, duke i dhënë diplomën e pjekurisë, pasi me të vjen drita, vjen mirësia, vjen dituria dhe lumturia e shqiptarëve. Kujtova dhe poetin e madh Kombëtar, Naim Frashërin, i cili ka thënë: “Për ne Shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon”. Pra, theksova se detyrat që kemi përpara, janë të vështira dhe pengesat akoma më të mëdha, por ne do t’ia dalim, duke bashkuar mendjet zëmrat dhe shpirtrat tanë. Detyra e re filloi mirë.
Patët takime me politikanë dhe personalitete të huaja dhe si i kujton ato?
Kishim shumë takime dhe ndër të parat, kujtoj atë të 29 tetorit të atij viti, kur shkova në Vjenë, e ftuar nga Zv/Kryetarja e Parlamentit Austriak, për një mbledhje që do të zhvillohej me vendet e Evropës Juglindore. Në delegacionin shqiptar, isha vetëm unë. Mbledhjen e drejtonte vetë Anna Hasselbah, Nënkryetarja e Parlamentit, e cila mbajti fjalën e hapjes. Pas saj, meqë Shqipëria kishte germën A, (Albania), e kisha radhën të flisja. Fjalimi u ndoq me interes dhe u mirëprit nga salla, me duartrokitje të nxehta, pas fjalës time. Në darkën që shtroi zonja Hasselbah, më vendosi pranë saj në tavolinën kryesore.
Keni pritur politikanë të huaj?
Në atë periudhë, erdhi për vizitë në vendin tone, Nënkryetari i Parlamentin Kanadez, Z. David Kilgour. Ai qëndroi dy ditë dhe pata mundësinë të diskutoja me të, për hapjen e një shkolle 12 vjeçare, (Kanadezo-Amerikane), me të gjithë mësuesit e tyre, me përjashtim të atyre të gjuhës shqipe. Kisha dëshirën e madhe të arsimimit në nivel bashkëkohor të nxënësve tanë, që të afroheshin sa më shpejt, në portat e botës së qytetëruar.
Nënkryetari i Parlamentit Kanadez, ishte me prejardhje shkrimtarësh dhe u entuziazmua nga kërkesa ime, duke qenë i gatshëm të ndihmonte, për ngritjen e kësaj shkolle, me të gjithë infrastrukturën, njëlloj si në vendin e tij. Shkolla do të kishte dhe konviktet, si dhe ambientet e tjera, duke filluar nga fushat e tenisit, të ragbisë, pishinat, dhe një amfiteatër. Të gjithë pedagogët do të ishin të huaj, pasi kishte mjaft pedagogë vullnetarë, të cilët kërkonin të ndihmonin në misionin e edukimit.
Si i’u përgjigj ai kërkesës suaj?
Ai na tha se; më duhet vetëm toka, se projektet e tjera i kam gati. Vajtëm bashkë tek kryeministri, zoti Aleksandër Meksi, i cili mori përsipër të interesohej, për përcaktimin e tokës ku do të ndërtohej shkolla. Por nuk ishte thënë që të realizohej ai projekt, pasi çdo gjë u shkatërrua me rënien e firmave piramidale dhe misioni i ndërtimit të shkollës, nuk u krye kurrë.
David Kilgourin, nuk do ta harroj kurrë, pasi kur plasën revoltat për firmat piramidale, vendi u fut në kaos dhe jeta ishte e pasigurt, ai më dërgoi mesazh, ku më thoshte se; nëse të rrezikohet jeta, unë jam gati të pres, bashkë më familjen tënde. U emocionova nga mirësia e tij dhe m’u kujtua ajo shprehja: “Jeta është një udhëtim, ku ndalesat më të mira të saj, janë takimet me njerëzit e veçantë”.
Po “ndalesa” të tjera me personalitete që ju kanë lënë mbresa, keni pasur në atë kohë?
“Ndalesë” e veçantë në jetën time, ishte takimi me ambasadorin e izraelit, me seli në Romë. Biseda ishte shumë miqësore. Misioni im, ishte specializimi i vazhdueshëm i pedagogëve tanë, në Universitetet e tyre dhe ardhja e pedagogëve të tyre, për të ndihmuar në hapjen e degëve të ndryshme të teknologjisë së informacionit dhe fushave të tjera. Ai vlerësoi propozimin tim, pasi më tha se: “E ardhmja e një Kombi, është e lidhur ngushtë me edukimin që merr rinia”, duke i’u referuar Albert Anjshtajnit.
Me që cituat Ajnshtajnin, cili është shkencëtari më i dashur për ju?
Shkencëtari më i dashur për mua, ka qenë dhe mbetet Albert Ajnshtajni, gjeniu i Shkencës së Fizikës. Kam lexuar me vëmendje jetën e tij dhe mësova se ky gjeni, ishte afetar. Gjatë hulumtimeve të tij Shkencore në Fushën e Fizikës, kur studioi fushat elektromagnetike, ai u mrekullua nga harmonia,që ekzistonte ndërmjet tyre.
Ai ndali në këtë moment dhe pohoi se këtu ekziston misteri dhe se kjo që vërejti nuk mund të ishte e rastësishme. Në këtë mënyrë dhe shkencëtari që me teorinë e tij të relativitetit, habiti botën dhe nuk arrinin ta kuptonin atë, pranoi ekzistencën e “misterit”. Duke u bazuar tek ky gjeni, me të drejtë me lind pyetja:
- Ne vijmë në këtë jetë pa na pyetur nëse dëshirojmë dhe në një kohë të paditur për ne.
- Ne vendosemi në trupin e një nëne, të cilën nuk e kemi zgjedhur dhe bëhemi pjesë e një familjeje, pa e aprovuar vetë.
- Sa lindim, gjendemi në një shtet të paditur nga ne. Pas këtyre, vetvetiu lind pyetja: Mos, ardhja jonë në jetë është pjesë e “misterit”, të përmendur nga korifeu e gjeniu i Fizikës?
Cila është përgjigja që ju keni për këtë?
Në fakt të gjithë kemi jetë të ndryshme dhe kjo është rezultante e tre faktorëve të mësipërm, ato formojnë drejtëza të kithëta, pasi nuk takohen në asnjë pikë. Këta faktorë, për çdo person janë të ndryshëm dhe krijojnë shpejtësi fillestare të ndryshme, për arritjen dhe realizimin e një jete që dëshirojmë të kemi.
Nëse lindim në një familje të konsoliduar ekonomikisht dhe në një vend të zhvilluar, shpejtësia fillestare është e madhe, që në fëmijëri, për të arritur me lehtësi objektivat e vëna për jetën. Jeta për mua është përkufizimi magjik, realist dhe tepër filozofik, që ka dhënë Isabel Allende për të: “Heshtje para lindjes, heshtje pas vdekjes. Jeta është një zhurmë, ndërmjet dy heshtjeve të pamëshirshme”.
Si i kujtoni zgjedhjet për pushtetin lokal të zhvilluara në tetorin e vitit 1996?
I kujtoj shumë mirë zgjedhjet e pushtetit lokal në tetor të vitit 1996, ku fitoi Z. Albert Brojka, si përfaqësues i Partisë Demokratike, për postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Fushata ishte e mirë organizuar dhe erdhën mjaft vëzhgues të huaj, nga vende të ndryshme të botës. Para zgjedhjeve, pata mjaft takime me të ftuar të huaj, ku më i veçanti, është ai me një grup senatorësh nga Italia, i shoqëruar nga Ambasadori italian në Shqipëri, Z. Paolo Foresti.
Biseda ishte mjaft e këndshme dhe unë në një moment, thashë shprehimisht: “Rinia jonë, nuk gëzoi vetë rininë e saj, por nga ekrani i televizorit, jetonte vitet e rinisë, me kënaqësinë e rinisë italiane. Ne dëgjonim këngët tuaja të mrekullueshme, të cilat i këndonim çdo ditë, ndoshta më mirë se ju, nëpërmjet festivalit të Sanremos, Canzzonissima, Teatro Diecit, Un disco per L’estate, etj. Njihnim të gjithë këngëtarët të muzikës tuaj të lehtë dhe të operës. Shqiptarët e njohin italishten, pasi është gjuha e huaj, që nëpërmjet ekranit të xhamtë, kënaqnin shpirtin e tyre dhe gëzonin rininë e pajetuar”.
Gjatë asaj bisede, folëm dhe për letërsinë, pikturën dhe skulpturën italiane. Unë fola për Dante Aligerin, si një kollos në përjetësi, përmenda mrekullitë e Mikelanxhelos, Davidin në Firence, dhe La Pieta në San Pietro, pa harruar Leonardon, me kryeveprën botërore; “Xhokonda”, që ndodhet në Louvre të Parisit. Lidhur me këto, u thashë: “Jam krenare për përkthimin mjeshtëror në shqip të ‘La Divina Komedia’ nga i mjeshtri ynë i madh, Pashko Gjeçi”, i cili vdiq në kushte tepër të vështira jetese, në bodrumet e “Shallvareve”, pas viteve ’90-të. Takimi ishte një kënaqësi shpirtërore, pasi flisje me njerëz që të mrekullonin me diturinë e tyre.
Çfarë kujtoni ndonjë detaj tjetër, nga ai takim mbresëlënës?
Ai takim u mbyll me aq, por të nesërmen, më vjen në zyrë një i dërguar nga ambasadori Italian, Paolo Foresti, i cili më dhuroi me dedikimin e ambasadorit, librin “La Divina Komedia” të Dante Aligerit, në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje të pritjes së një ditë më parë. Këto përbëjnë ditët e bukura të jetës time.
Si e kujtoni largimin nga pushteti të Partisë Demokratike në atë kohë dhe si e keni përjetuar ju personalisht atë?
Pas zgjedhjeve lokale të tetorit 1996, situata me firmat piramidale u rëndua, deri sa në dhjetor falimentoi Sudja. Populli protestonte për paratë e humbura dhe dal ngadalë filloi të agravohej situata, që çoi më pas në anarkinë totale që mbuloi gjithë vendin. Në Vlorë, protesta ishte shumë e ashpër dhe kryengritja e armatosur atje, u shoqërua dhe me veprime makabre, që ishin të papranueshme në shekullin e XX-të.
Këto momente, ishin dhe ditët më të vështira që kam përjetuar në gjithë jetën time. Në mars 1997, instalohet qeveria e re e Pajtimit Kombëtar, me kryeministër Bashkim Finon. Gjithshka ecte drejt zgjedhjeve të reja dhe Parlamenti i mbylli punimet në maj 1997, kurse zgjedhjet, do të zhvilloheshin në 29 qershor, pra një muaj më vonë.
Si i kujtoni zgjedhjet parlamentare në atë kohë të vështirë që po kalonte vendi?
U caktova nga kryesia e Partisë Demokratike, si kandidate për deputete në zonën elektorale nr. 47 në Tiranë. Zona ishte tek “Oxhaku” mbi spitalin “Nënë Tereza”, zonë e cila ishte shumë e vështirë, pasi në atë kohë ajo kontrollohej nga Nehat Kulla, që ishte mbështetës i së majtës së asaj kohe dhe koalicionit që bëri Partia Socialiste me disa parti të tjera të vogla.
Kë kishit përball në atë zonë, nga e majta?
Si kandidat nga Partia Socialiste, përballë kisha Luan Hajdaragën dhe nga Aleanca Demokratike, Arben Imamin. Lufta ishte tepër e ashpër, pasi dhe zona ishte e majtë. Fushata u zhvillua e dhunshme nga pjesa kundërshtare, me prishje të mbledhjeve, kërcënime të zgjedhësve, deri në vrasjen pa asnjë shkak, të Ylli Sulës, një njeri shumë i mirë, ish-i përndjekur politik, që kishte vuajtur për vite me radhë në burgjet e diktaturës komuniste.
Ai ishte mbështetës aktiv i Partisë Demokratike, i cili, ishte duke punuar tokën e tij, kur e vranë. Anëtarët e shtabit tim të Partisë Demokratike, që ishin caktuar për fushatën, si p.sh., Sanije Caco, që më kanë ndihmuar shumë, duke organizuar një fushatë dinjitoze, me gjithë kushtet e vështira të gjendjes në të cilën ndodhej vendi e Tirana në atë kohë.
Ju, nuk fituat në ato zgjedhje?
Humba me Luan Hajdaragën, me një diferencë jo të madhe, pasi ndikonin shumë faktorë në këtë kohë të pazakontë, ku siç theksova pak më lart, sundonte terrori. Tirana doli 15 me 0. Asnjë deputet i PD-së, nuk fitoi. Trishtimi ishte shumë i madh, prej ngjarjeve që kishin ndodhur, atë vit të mbrapshtë për Shqipërinë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016