Nga Agron Çuedari
Pjesa e dytë
-Katër vite pune si drejtor, në Uzinën e Përpunimit të Naftës në “Qytetin Stalin”-
Memorie.al / Përpunimi i naftës bruto, për nxjerrjen prej saj të nën-produkteve si karburantet, lëndët djegëse, bitumin, etj., aq të çmuara për zhvillimin e ekonomisë së një vendi, edhe tek ne është i hershëm. Rafineria e parë në vendin tonë (distileria), me kapacitet të vogël përpunues, u ngrit nga shoqëria koncesionare AIPA, që me zbulimin prej saj të vendburimit të parë të naftës në Kuçovë, në vitin 1935. Një tjetër rafineri ishte ngritur në Kuçovë edhe nga pushtuesit gjerman në vitin 1944, por në kohën që ajo po vihej në punë, u sulmua dhe shkatërrua nga bombardimet e aviacionit anglez.
Uzina nuk kishte mur rrethues dhe as porta në hyrjet dhe daljet e saj. Atje gjithashtu nuk kishte mensë, aq e nevojshme për ushqimin e punonjësve, në ato ambiente të ndotura nga gazrat e naftës. Rrugët nga hyrja, përgjatë reparteve e deri në dalje, nga pesha e tonelatave të larta të automjeteve që transportonin bitumin dhe lëndët djegëse, edhe pse riparoheshin çdo vit, ishin gropa-gropa. Për punonjësit e uzinës aq shumë nevojtarë, ende s’ishte ngritur ndonjë pallat banimi familjar me kontribut vullnetar.
Zyrat e administratës qendrore ishin në një godinë të vogël njëkatëshe, me pesë dhoma, e ndërtuar para çlirimit, si garderobë për punëtorët italianë. Të mbledhur në një takim të veçantë me kryetarët e degëve dhe shefat e reparteve, për t’i dhënë rrugë-zgjidhje këtyre problemeve shqetësuese në uzinë, pas shkëmbimit të mendimeve vendosëm të ndërtonim sa më shpejt mensën me vendndodhje midis tre impianteve AVT-1, repartit të bitumit dhe fabrikës së fuçive, ku punonin shumica e punëtorëve të uzinës dhe të fillonim pa humbur kohë punën për ngritjen e murit rrethues të uzinës.
Në tre variantet e diskutuara për ta ngritur atë me tulla, blloqe betoni apo me kangjella metalike, përparësi mori kjo e fundit, pasi ndërtimi do të bëhej më shpejt e me kosto më të ulët. Për ndërtimin e kangjellave do të përdoreshin materialet rrethanore, tuba të dalë jashtë përdorimit brenda uzinës e ndërmarrjeve të nxjerrjes së naftës, si dhe profilet “ele” që dilnin gjatë hapjes së plikove të llamarinës në fabrikën e prodhimit të fuçive për ambalazhimin e bitumit. Për zyrat e administratës, mendimi ishte të ndërtohej një ndërtesë dykatëshe, me 10-12 dhoma, ngjitur me këndin e kuq.
Për strehimin e punonjësve, nisur nga kërkesat që kishin paraqitur në ndërmarrje vit pas viti, vendosëm të flisnim me Komitetin Ekzekutiv të qytetit, që të na jepte sheshin e ndërtimit sa më afër uzinës për ngritjen me kontribut vullnetar të dy pallateve, ngjitur me njëri-tjetrin. Diskutimi më i gjatë u bë për ndërtimin e rrugës me gjatësi rreth 2 km, që fillonte nga hyrja e uzinës te zyrat e administratës, vazhdonte duke lënë në të majtë impiantin AVT-1 dhe repartin e bitumit e në të djathtë impiantin AVT-2, për t’u bashkuar me rrugën që lidhte qendrën e qytetit me Kuçovën e vjetër.
Varianti që u miratua ishte që kjo rrugë të shtrohej me beton e jo me asfalt, sepse vetëm ashtu mund t’u rezistonte për disa vjet dhjetëra automjeteve të tonazhit të lartë mbi 20 ton, që e shkelnin atë çdo ditë. Nëpërmjet dy portave të reja do kontrollohej çdo lëvizje hyrje-dalje në uzinë. Një shqetësim jo i vogël ishte fakti që, për ngritjen e këtyre objekteve, nuk ishin kërkuar dhe as miratuar fonde investimesh për vitin 1973. Që të mos bëja shkelje, me një relacion të hollësishëm për nevojën e këtyre investimeve, shkova në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Fier.
Në takimin me specialistët e drejtorisë së investimeve dhe të financës, mora miratimin për t’i bërë këto punime dhe se fondin për to do na i jepnin në gjashtëmujorin e dytë. Që të mos zgjatem me këtë rrëfim, ecuria e punimeve për këto objekte shkoi si më poshtë: mensa, gardhi rrethues dhe zyrat e administratës përfunduan brenda vitit 1973. Rruga me gjithë trotuaret e lulet anash saj, përfundoi po atë vit.
Dy pallatet ku u sistemuan mbi 50 familje përfunduan në tremujorin e dytë të vitit 1974. Këto dy pallate pesëkatëshe me kontribut vullnetar, u ngritën afër uzinës në krye të parkut plot gjelbërim të qytetit. Gjate viteve 1971-1972, e ndoshta edhe më parë, për shkak të ndalesave të shpeshta nga mos evadimi ritmik i nënprodukteve të gatshme, në një basen me përmasat e një fushe futbolli, me thellësi 1,5-3 metra, ishte hedhur bitum i lëngshëm që vlerësohej në shifrat 10-12 mijë ton. Kjo sasi bitumi që ishte raportuar për prodhim, ngaqë qëndronte stok e i pashitur, kishte ngurtësuar fonde të mëdha financiare.
Nxjerrja dhe evadimi i tij për eksport do të përmirësonte shumë bilancin financiar të uzinës. Në grupin e punës për të kryer nxjerrjen e bitumit nga baseni, ngarkuam dy specialistët më të mirë që kishte uzina, P. Gjoza e H. Xhyberi. Me përgatitjen e impiantit në ofiçinë dhe vendosjen e tij buzë basenit, ku thellësia ishte më e madhe, në muajin qershor të vitit 1973, filloi puna për nxjerrjen e tij nga gropa, ambalazhimin në fuçi dhe nisjen e tij për eksport. Gjatë tre muajve qershor, korrik e gusht, u nxorën 6000 ton në vitin 1973, 4000 ton në vitin 1974 e 2000 ton në vitin 1975.
Një pjesë e vogël e të ardhurave financiare që u krijuan nga ky aktivitet u përdorën për të subvencionuar një pjesë të shpenzimeve që punonjësit e uzinës 97 Rrëfime dhe mbresa harxhonin për ushqimin në mensë, si dhe për shpërblim me një rrogë shtesë në fund të çdo viti. Në mars të vitit 1974, kur çdo gjë shkonte shumë mirë, papritur në uzinë ndodhi një ngjarje shumë e rëndë. Eksplozioni në një depozitë bitumi, mori jetën e një punëtori dhe plagosi gjashtë të tjerë. Ishte ora shtatë e mëngjesit, koha që ndërroheshin turnet.
Në hapësirën bosh midis dy depozitave 200 ton secila, kur punëtorët e turnit të parë vishnin rrobat e punës, njëri nga punëtorët e impiantit të turnit të natës që kishte për detyrë të mbushte me bitum të lëngshëm depozitat, në vend të hapte saraçineskën e depozitës që ishte bërë gati (nëpërmjet serpentinave me avull për ngrohjen e ajrit brenda saj), hapi gabimisht saraçineskën e depozitës tjetër. Bitumi i lëngshëm me temperaturë 200°C, në kontakt me ajrin e ftohtë brenda depozitës, mori flakë dhe shpërtheu depozitën.
Pas riteve të dhimbshme që ndiqen në këto raste fatkeqësish, në një analizë me ndjenjë përgjegjësie që bëmë në vendin ku ndodhi shpërthimi, arritëm në përfundimin se shkaku ishte një gabim njerëzor, që megjithatë prej tij duheshin nxjerrë mësime. Nëse garderoba e improvizuar midis dy depozitave do të ishte 10-15 metra larg tyre, nuk do të kishin qenë ato pasojat. Dy muaj më pas, më thirrën në Këshillin e Ministrave për të raportuar për këtë ngjarje të rëndë.
Nuk kisha shkuar ndonjëherë tjetër në atë institucion të lartë shtetëror, por me të dëgjuar e dija që kryeministri, Mehmet Shehu, kishte një hije të rëndë, ishte i rreptë e shumë autoritar. Gjatë rrugës mendoja që masa më e lehtë që do më jepnin ishte shkarkimi nga detyra si drejtor. Nuk e di nëse ishte apo jo fati im që atë mbledhje e drejtoi zëvendësi i tij, Adil Çarçani. Pasi informova shkurt për atë që kishte ndodhur, para se të fliste zëvendëskryeministri, fjalën e mori anëtari i qeverisë, Avdyl Këllezi.
Ndryshe nga ajo që mendoja e prisja unë, ai u shpreh me këto fjalë: “Shoku Adil, kam qenë para dy viteve në atë uzinë, i shqetësuar se në të nuk realizohej plani. Agroni, si drejtor i emëruar rishtas në atë detyrë, më ngriti disa probleme dhe më premtoi se, nëse do të ndihmohej për t’i zgjidhur ato, planet në uzinë do të realizoheshin. Premtimin e ka mbajtur. Në këto dy vitet e fundit, planet janë tejkaluar. Ngjarja e rëndë që ka ndodhur, edhe sipas meje, ishte një gabim njerëzor”. Në përfundim, masa disiplinore që m’u dha nga qeveria ishte vërejtje para Këshillit të Ministrave.
Në muajin shkurt të vitit 1975, sekretari i Byrosë së Partisë në uzinë, M. Hoxha, në konfidencë më tha: “Po shpie në Komitet të Partisë, një CV tënden”. I shqetësuar se ndoshta ishte kërkuar për të më transferuar Drejtor në Kombinatin e Përpunimit të Naftës në Ballsh (përflitej se isha dhe unë një ndër kandidaturat), e luta atë që kur të shkonte, të mundohej të merrte vesh përse e kërkonin.
Kur u kthye, më tha se ishte bërë një kërkesë nga Drejtoria e Kuadrit të Ministrisë së Jashtme, për të kryer një kurs 9-mujor për përfaqësitë tona tregtare jashtë shtetit. Kur ia tregova këtë Donikës, përsëri nuk e priti mirë. “Jemi shumë mirë këtu në Qytet, – më tha, – ku do i lemë fëmijët”?! I thashë se do shihnim e do bënim. Në ato vite që punoja drejtor në uzinën e përpunimit të naftës, shumicën e kohës gjatë ditës, nga mëngjesi në orët e vona të mbasdites, e kaloja në punë.
Edhe drekën aty e haja. Të shtunën mbas dite dhe të dielën i përkushtohesha familjes. Albana e vogël, nën kujdesin e nënës dhe Donikës, gëzonte shëndet të plotë dhe rritej nga dita në ditë, kurse Kozeta, pasi mbaroi shkollën fillore, filloi tetëvjeçaren. Përveç filmave në kinema e koncerteve të shpeshta që organizonte pallati i kulturës, çdo vit pushimet i bënim në plazh, në një nga kabinat e plazhit “Apollonia” në Durrës, të planifikuara për pushuesit e rrethit të Beratit.
Në vitet 1974 dhe 1975, planet për nxjerrjen e naftës nga vendburimet ekzistuese dhe ato të reja që do zbuloheshin, ishin planifikuar në shifra shumë të larta, 2.5 milion ton çdo vit. Këto shifra të rritura ishin një nga mundësitë më të mundshme për të përballuar në ato vite problemet shumë shqetësuese që po krijoheshin në ekonominë e vendit, si rezultat edhe i prishjes së marrëdhënieve me Republikën e Kinës dhe izolimit të vendit. Këto shifra të larta, ishin të lidhura edhe me optimizmin dhe besimin e madh që ishte krijuar tek udhëheqja e partisë dhe qeverisë se “Shqipëria noton mbi naftë dhe shumë shpejt burime të reja do të zbuloheshin e viheshin në shfrytëzim”.
Por, ngaqë punët nuk po shkonin mirë dhe planet nuk po realizoheshin, me porosi të Byrosë Politike, erdhi në naftë një ekip kontrolli, i drejtuar nga sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Haki Toska. Pas një kontrolli paraprak në pesëmbëdhjetëditëshin e parë të muajit mars 1975, për të dhënë përfundimet, u organizua në Patos, po atë muaj, një aktiv partie, me pjesëmarrjen e sekretarëve të byrove dhe drejtuesit e të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve të naftës.
Në atë aktiv, bashkë me sekretarin e byrosë së partisë, M. Hoxha, mora pjesë edhe unë. Aktivi i zhvilloi punimet në ambientet e pallatit të kulturës në Patos, i mbushur plot e përplot. Ajo që më bëri përshtypje ishte se, ndryshe nga aktivet e mëparshme ku kisha marrë pjesë, në tribunë, përveç Haki Toskës, të gjithë të tjerët ishin të panjohur e shumica nuk punonin në naftë. Me sa mësova më vonë, midis tyre ishte një inxhinier nafte dhe dy punëtorë. Në të mungonin drejtuesit e partisë dhe të pushtetit ekzekutiv në Fier dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës.
Në përfundimet e paraqitura fillimisht nga ekipi i kontrollit, thuhej qartë që; për gjendjen shumë shqetësuese që ishte krijuar në industrinë e naftës e gjithë përgjegjësia binte mbi drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme dhe ato të Institutit Gjeologjik të Naftës në Fier. Si nga raporti, edhe nga diskutantët (me siguri të porositur, sipas meje), fajtorët ende të pa adresuar, me emrat konkretë ishin: Lipe Nashi, Beqir Alia dhe Koço Plaku.
Me sa më kujtohet, motivacioni ishte për shpërdorimin e fondeve të naftës në blerjen e 2-3 aparaturave për spitalin e Fierit, për ndërtimin e rrugëve dhe bazamenteve para kohe dhe për vonesën e vendosjes në to të sondave për shpimin e puseve të kërkimit, për blerjen e makinës elektronike të sizmikës të tipit amerikan në Gjermani, për investimet e shumta në vendburimin e ri të Sarandës e me rezultate jo të pritshme, në tendencën për shfrytëzimin e vendburimit të Gorishtit me shkelje të projektit, etj.
Nuk ishte vështirë të kuptoje që përgjegjësia binte mbi ata, si drejtues të industrisë së naftës, të cilët përgjatë njëzet viteve punë të përkushtuar e mbresëlënëse, nëpërmjet zgjerimit të vendburimeve ekzistuese dhe zbulimit të dy vendburimeve të reja me rezerva të mëdha (Marinzës dhe Gorishtit), e kishin çuar bashkë me mijëra naftëtarë të tjerë nxjerrjen e naftës, nga 200 mijë ton në vitin 1954, në 2.2 milion ton në vitin 1974.
Ngaqë nuk isha plotësisht i bindur nga ato që po thuheshin në aktiv, krejt papritur, u ngrita nga vendi ku isha ulur dhe iu drejtova presidiumit me këto fjale: “Do ishte me shumë interes të na thoshit diçka më konkretisht për veprimet dhe shkeljet e qëllimshme që janë bërë nga drejtuesit e naftës, për të penguar realizimin e planeve në nxjerrjen e naftës dhe cili është qëndrimi i tyre për këtë”.
Kur pashë që Piro Gusho, sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Fier, ulur tre rreshta para meje, ktheu kokën për të parë se kush po fliste, e kuptova që po gaboja dhe u ula pa e zgjatur më tej. Në vazhdim, mbështetur në përfundimet e kontrollit të paraprira nga fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike një muaj më parë, e cila për ne ende nuk ishte bërë e ditur, ku ishte deklaruar se nafta drejtohej nga një grup i rrezikshëm armiqësor, e pasi larguan L. Nashin nga salla, u dha njoftimi bombë që ai vetë, B. Alia dhe K. Plaku, kishin kryer veprimtari sabotuese dhe armiqësore në naftë, e për këtë duhet të ndiqeshin penalisht.
Aktivi u mbyll, Lipe Nashi u arrestua. Në dalje nga godina ku zhvilloi punimet aktivi i partisë, i shqetësuar takova po aty një shokun tim të klasës së shkollës së mesme, H. Frakulla, që punonte sekretar në Komitetin e Partisë në Patos. Duke diskutuar me të ato që unë thashë në aktiv, edhe ai ishte i mendimit që isha treguar i nxituar pa qenë e nevojshme, por më tha të mos shqetësohem se për mendimin e tij nuk do të kisha pasoja dhe se bëja mirë të vija në dijeni për atë çështje organizatën bazë të partisë.
Të nesërmen, shkova në zyrën e Emine Gurit, sekretare e parë e Komitetit të Partisë në Qytetin Stalin. Folëm gjatë me të për punimet e aktivit dhe, në koincidencë, të dy ishim në një mendje, se masat që ishin marrë nuk ishin shumë bindëse. Menjëherë pas aktivit, nisën analizat e thelluara në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet e naftës. Një analizë e tillë u bë edhe në uzinën tonë. Fakti që planet e përpunimit të naftës ishin realizuar çdo vit dhe kontrolli që u ushtrua për përdorimin e fondeve financiare nuk gjeti asnjë shkelje, më çliroi nga ankthi i madh që më kishte zënë.
Në muajt më pas, sipas një organizimi të ri të sektorit të naftës, uzinat e përpunimit u shkëputën nga vartësia e institucioneve të naftës në Patos dhe kaluan direkt në vartësi të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave. Në muajin korrik të vitit 1976, i shoqëruar nga Emine Guri, erdhi në uzinë ministri i ri i Industrisë dhe Minierave, Pali Miska, që kishte zëvendësuar në atë detyrë Koço Theodhosin. Punët në uzinë shkonin mirë, plani realizohej çdo muaj. Në raportimin që i bëra ministrit, e garantova që ecuria e punës do të vazhdonte e tillë edhe në muajt në vazhdim, duke mos i ngritur asnjë shqetësim, duke qenë se ishte takimi i parë me të.
Më pas, kur kishte kaluar mbi një vit nga dërgimi i CV-së time në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Komitetit të Partisë s’i kishte ardhur asnjë njoftim për t’u vënë në dispozicion të tyre, mora vesh që ministri Pali Miska, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e Komitetit të Partisë, kishte menduar të më merrte në punë në dikasterin që ai drejtonte. Pas tre muajve, më njoftuan të paraqitesha në Drejtorinë e Kuadrit të Komitetit Qendror të Partisë në Tiranë.
Për herë të parë në Komitetin Qendror te Partisë Punës së Shqipërisë Dy ditë më pas nga marrja e njoftimit, në javën e fundit të muajit shtator 1976, shkova në Tiranë. Edhe pse mendja më thoshte se kjo thirrje do të ishte diçka për mirë, emocionet ishin të shumta. Në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, u paraqita në orën e caktuar e sipas rregullave me letër njoftimi në dorë. Ishte hera e parë që shkoja aty.
Pasi kalova portën hyrëse të asaj godine hijerëndë buzë bulevardit, oficerët e postbllokut brenda saj më udhëzuan të ngjisja shkallët për në katin e dytë, ku në krahun e majtë të korridorit më priste drejtori i kuadrit Mihal Bisha. Pasi ngjita shkallët, si majtas ashtu edhe djathtas të atij korridori të gjatë, në të dy qoshet e tij, qëndronin në këmbë të tjerë oficerë të veshur civilë, që bënin sikur nuk të shikonin, por sigurisht përgjonin çdo lëvizje përgjatë korridorit e nëpër shkallë. Në atë korridor, mbizotëronte heshtja; asgjë nuk pipëtinte.
I vetmi në lëvizje në atë moment isha unë. Në zyrë më priti Mihali, me atë pamjen e një burri me trup të madh, me hije të rëndë dhe i vrazhdë në fytyrë. Me të nuk isha takuar ndonjëherë, as e kisha parë në distancë. Me të dëgjuar, dija që për kontributin e dhënë gjatë Luftës Nacional-çlirimtare e besimin ndaj partisë, e kishin ngarkuar me njërën nga detyrat më të rëndësishme, atë të përzgjedhjes së kuadrit në sferat më të larta: në institucionet e partisë, në dikasteret shtetërorë dhe ato të pushtetit lokal.
Pa u ngritur nga vendi, me një lëvizje të trupit më zgjati dorën dhe më ftoi të ulesha në një karrige përballë tij. Pasi më pyeti për shëndetin, me pamje serioze e me zë autoritar, më tha: “Mbështetur në vlerësimin shumë të mirë në punën si Drejtor në Uzinën e Përpunimit të Naftës, me propozimin e Ministrisë së Industrisë dhe Minierave, udhëheqja e partisë, ka vendosur të të emërojë Drejtor Drejtorie në po këtë ministri. Detyra e kësaj drejtorie është e një rëndësie të veçantë. Ajo planifikon dhe siguron në bashkëpunim me institucionet e tjera bazën materiale të vendit dhe importit të sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë që mbulohen nga Ministria e Industrisë dhe Minierave”.
Më pas shtoi: “Bëj kujdes e mos u nxito të bësh ndonjë gabim, si ai në aktivin e naftës në Patos, një vit më parë”! Pasi e falenderova për emërimin, e sigurova se do punoja i përkushtuar, për ta kryer sa më mirë detyrën e re që po më ngarkohej. Me të dalë nga godina e Komitetit Qendror, disi i lehtësuar nga emocionet, shkova drejt e në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
I vetmi që njihja aty qe ministri Pali Miska. Me të isha takuar tre muaj më parë, kur erdhi për vizitë tek ne në uzinë. Të gjithë drejtuesit e tjerë të mëparshëm, ministri K.Theodhosi, Zv/ministrat Zenel Hamiti, H. Çaçi e R. Shehu dhe gjithë drejtorët e drejtorive, ishin larguar dhe zëvendësuar me të rinj. Takimi me ministrin ishte shumë dashamirës. Pasi më uroi punë të mbarë e më tha se për të ishte kënaqësi që do punonim bashkë, me gjysëm zëri shtoi se ishte përpjekur shumë për emërimin tim në atë detyrë, pasi ende nuk kishin përfunduar gjyqet e veprimtarisë armiqësore në naftë.
“Për emërimin tënd, m’u desh të takoja edhe Hysni Kapon”, – më tha. Po atë ditë pasdite, u ktheva drejt e në shtëpi në “Qytetin Stalin”. E dija se nëna dhe Donika, Kozeta e Albana, që tanimë ishte rritur, gjithë ditën kishin qenë në merak dhe prisnin me padurim lajmin e pse-së së thirrjes time në Tiranë. Edhe pse më panë të qeshur e të gëzuar kur hyra në derën e shtëpisë dhe u qetësuan që thirrja kishte qenë për mirë, akoma pa përfunduar unë fjalën, filluan shqetësimet e ankesat që janë të zakonshme në këto raste.
“Obobo, si do largohemi nga qyteti që e duam aq shumë…si do e lëmë këtë shtëpi kaq të mirë në qendër…si do ndahemi me fqinjët, me Bariun e Sofijen që jemi aq të lidhur…ku do gjejmë punë kaq të mirë për Donikën… e ajo më e keqja që s’mjaftuan pesë vitet e universitetit që na le vetëm…ku i dihet kur na vjen radha për të marrë shtëpi në Tiranë…”?! Tre-katër ditë më vonë, pasi i dorëzova detyrën drejtorit të ri të uzinës Ll. Shella, e u ndava shumë i emocionuar me punonjësit e administratës dhe punëtorët në të gjitha repartet e uzinës, u nisa për të filluar detyrën time të re në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave në Tiranë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016