Nga Lazër Radi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Lazër Radi u lind në Prizren më më 29 janar të vitit 1916, në një familje me origjinë të hershme nga Mirdita. Shkollën fillore dhe tre vite të shkollës së mesme, i ndoqi në qytetin e lindjes në vitet 1922-1929. Në fillimin e viteve ’30-të, familja Radi shpërngulet nga Kosova dhe vjen e vendoset fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës. Në vitin 1930, Lazri nis mësimet në gjimnazin e Tiranës dhe në vitin 1931, iu akordua një bursë shtetërore nga ministri i Arsimit, Hilë Mosi, për në gjimnazin e Shkodrës, në konviktin “Malet Tona. Verën e vitit 1936, e kalon në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra, dhe aty Lazri u njoh me poetin e njohur, Migjenin. Në 1938-ën, nis studimet për Drejtësi në Universitetin “La Sapienza” në Romë dhe më 1942-in, diplomohet me rezultate të larta në Filozofinë e së Drejtës. Pas diplomimit, u ftua si asistent profesor në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza, por, vendos të kthehet në atdhe më 1942-in, dhe nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Gjatë periudhës 1942-‘44, punon si sekretar pranë zyrës së Strehimit për të huajt. Kontribuon për më shumë se një vit në gazetën “Bashkimi i Kombit” me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”. Më 1944, merr liçencën e avokatit dhe nis ta ushtrojë profesionin, deri më 23 nëntor 1944, kur u arrestua nga forcat partizane të Enver Hoxhës. Pas disa muaj hetuesie në burgun e Tiranës, u gjykua në 13 prill të 1945, në ‘Gjyqin Special’, ku u dënua me 30 vjet burg, i akuzuar për përfshirjen e tij në politikë, përmes të publicistikës. Vuan dënimin në vitet 1944-1954, në kampe dhe burgjeve të ndryshme, (ku ndau qelinë edhe me Mirash Ivanajn, Petro Markon, Jusuf Vrionin, etj.), ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi me përkthime. Më 1952-in, iu arrestua edhe e shoqja, (mbas ngjarjes së bombës tek ambasada sovjetike), e cila fillimisht u dënua me dhjetë vite burg dhe punë të detyruar, por më pas i ulet në pesë vjet mbasi rezulton me TBC. Më 1954, lirohet nga burgu, dhe pa mbushur dy javë, internohet fillimisht në Savër të Lushnjes e më pas në Shtyllas e Radostine të Fierit, pastaj në kampin e Kuçit të Kurveleshit, ku qëndroi deri më 1958-ën. Në vitet 1958-1960 vazhdon i internuar në kampet e Gradishtës dhe Çermës dhe në vitet 1960-1990, për më se 30 vjet me rradhë, jeton familjarisht në kampin e Savrës, ku punoi si mekanik, murator, marangoz, hekurkthyes e dizenjator, me piktorin e kampeve Lek Pervizin. Me 1974 e kalojne në bujqësi si puntor krahu, deri kur del në pension pleqërie më 8 tetor 1976. Më 1982-in, demaskohet publikisht si “Armik i popullit” dhe i pakënaqur nga regjimi komunist, rrezikohet të burgosej sërish. Në vitin 1990, kthehet në Tiranë dhe aktivizohet sa në politikë, aq dhe me shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, e duke shkruar libra. Më 1998 pas mërgimit të fëmijëve, vdekjes së gruas më 21 mars 1997 dhe rëndimit të shëndetit, ndërroi jetë në Tiranë mëngjesin e 22 shtatorit. Më 23 shtator, Shoqata e ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë, i organizoi një varrim madhështor. Me ngjarjet e 1997-ës, librat që kishte botuar gjatë kësaj periudhe, ia nis mikut të tij në Bruksel, Lek Pervizi, me porosinë që “t’ia ruejë sepse në Shqipëri po rivendosej serish komunizmi…”! Prej vitit 2018, nisi botimi i kolanës “Vepra e Plotë e Lazër Radit”, nën kujdesin e të birit, Jozef Radit, e cila përfshin 15 vepra të tija si autor dhe 9 vepra të përkthyera, e cila përfundoi në vitin 2021 dhe u promovua ne Panairin e Librit 2021. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga kujtimet e tij për periudhën e vuajtjes në kampe dhe burgje, si dhe ato që i kanë treguar bashkëvuajtësit e tij. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga kujtimet e tij për periudhën e vuajtjes në kampe dhe burgje, si dhe ato që i kanë treguar bashkëvuajtësit e tij.
– VITET E FUNDIT TË MIRASH IVANAJT –
Ditët e fillimit në burg (tregon Ibrahim Hasnai)
– E ndigjova rënkimin e fort të Mirash Ivanajt! Unë kam shumë shpresa se Profesori do ta marrë veten. Autoritetet po tregohen tepër të interesuara. Kam përshtypjen se është venë në lëvizje i tërë spitali për të.
– Ti je krejt i papjekur o Agron! Si kujton ti, a mos e bëjnë për shpirt humanitar që s’e kanë? Apo janë tue e ba se duen fort Profesor Ivanajn? Po ta kishin dashur, nuk do ta kishin futur kot nasi koti në burg. Tani, a din ti pse po interesohen kaq fort në burg? Ja po ta them unë! Ata e dinë se Ivanaj është i mbaruar. Por, dinë edhe diçka tjetër, se ai është nji emër i njohur dhe bota do të thotë se qeveria e mbyti Ivanajn në burg. Kanë dhënë gjithë këto urdhra tashti në fund për ta përdorë spitalin si dëshmitar se, qeveria ka bërë çmos për ta shpëtuar, por nuk qe e mundur…!
– Këto gjana nuk më kanë shkue asnjëherë nëpër mend!
Në këtë bisedë e sipër, u hap dera dhe na e sollën Profesorin në dhomë. Ndërsa po rregullonim në shtrat, pyetëm infermieren se si i dolën rezultatet e kontrollit. Na u përgjigj si ndër dhëmbë dhe asnjëri nuk morëm vesh se çfarë na tha. E shihnin qartë se Profesori po keqësohej gjithnjë e më tepër, fytyra i kishte marrë një ngjyrë të thellë në kafe të verdhë, shikimin e kishte të turbullt dhe shumë të çrregullt në krahasim me shikimin e tij të zakonshëm.
Më kujtohet se atje në repartin e përkthimeve, në nji kohë të lirë, po bisedonim Zoti Mirash, Sulejman Dizdari dhe dikush tjetër, të cilit nuk po m’i kujtohet emri, nuk e dija a do ta riprodhoj dot si duhet bisedën. Ndër të tjera Profesori tha:
– Syri, përveç funksionit fiziologjik, për ta ndihmuar njeriun në veprimet e tija të përditshme, ka edhe disa funksione të tjera që edhe këto kanë rëndësi të madhe për jetën morale dhe për ngritjen shpirtërore të tij. Është pikërisht kjo shqisë d.m.th., syri, që përcjell i pari çdo perceptim të shpirtit njerëzor: nëpër të kalon e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja. Nëpërmjet syrit shohim të gjitha mrekullitë dhe bukuritë e natyrës dhe të jetës, shohim madhështinë e perëndive dhe mahnitjen e agimeve. Pa sy, e varfër dhe e mjerë do t’ishte jeta e njeriut…!
… N’orën 7 të mbrëmjes erdhi infermier Njaziu dhe i aplikoi serumin. Më porositi të kujdesesha për të dhe për çdo komplikim të mundshëm të njoftoja komandën. I qëndrova te kryet. Profesori nuk shqiptoi as edhe nji fjalë. Shpesh herë, me dorën e tij, përkëdhelte timen dhe dukej sikur me atë lëvizje shprehte mirënjohjen e vet. Gjatë kësaj kohe na erdhi darka. Dolën në banjo dhe kur u futëm në dhomë roja i vuri shulin derës nga jashtë. Sipas rregullave, natën, për asnjë arsye nuk hapej dera. Po, atje ku kishte bërë kërkesë, pritej mes-nata dhe vetëm në atë orë, për disa çaste…! Në të gjithë spitalin e të burgosurve, në orët e mbrëmjes, mbretëronte nji qetësi e plotë.
Edhe unë e Ndou të shtrimë në krevate dhe pa thënë asnjë fjalë u zhytëm në mendimet dhe hallet tona. Gjatë ditës duket se kisha bërë lëvizje të tepërta dhe fillova të ndjej dhembje tek plaga e operacionit. Atje kah orët e vona të natës po shikoja profesorin kah më thirrte si memec dhe duke bërë shenja me dorë. Ngrihem. Kërkonte ta çoja në banjo se kishte nevojë. Pas shumë mundimesh, më në fund roja erdhi por, kurrsesi nuk e hapi portën. Mbasi i tregova hallin e Profesorit na tha se sipas rregullores, porta nuk hapet natën dhe çdo nevojë e madhe ose e vogël, duhej bërë në enën e lënë apostafat për këtë punë.
Me ndihmën e Ndout e ngritëm Profesorin dhe e ulëm në oturak. Me shumë vështirësi mundi të derdhë vetëm disa pika urinë. Duket se kishte ndonjë defekt në kanalin urinar. Pas shumë mundimesh, e sigurisht edhe pas shumë dhimbjesh, mbaroi punë. E shikonim se shtrëngohej aq shumë sa i dilnin damarët në ballë por nga goja e tij si nuk u dëgjua nji rënkim, apo një gjamë. E rehatuam përsëri në shtrat. Sikur u qetësua pak! Edhe ne zumë vend në shtretërit tonë. Na zuri gjumi…!
…Që të treve na kishte zënë një gjumë i ëmbël, si gjumi i fillimit të vjeshtës. Do ta kishim vazhduar të shkujdesur këtë gjumë edhe për kush e di se për sa kohë sikur një përplasje e derës në të hapur të mos na kishte trembur. Ishte roja e brendshme, arrogant dhe i pagdhendur, që s’donte t’ia dinte as për të sëmurë dhe as për njerëz që po dergjeshin në agoni. Përplasjen e derës e shoqëroi me britmë uluritse:
– Hajde, shpejt në nevojtore… shpejt… shpejt…!
Edhe pse përreth po bëhej gjithë ajo zhurmë, gjumi nuk e kishte ndër mend të më lëshonte. Ndou më erdhi tek shtrati dhe duke më luajtur me dorë më tha:
– Shpejto se po na e mbyllin derën!
U ngrita dhe shkova drejt e tek shtrati i profesorit. Ai ishte zgjuar: kush nuk do të zgjohej pas gjithë asaj zhurme? Nuk ishte në gjendje të lëvizte ndonëse kishte vërtetë nevojë. U përpoqa ta ndihmoj të ngrihej. Dobësia e trupit kishte arritur kulmin. Nuk ishte në gjendje as të qëndronte në këmbët e veta…! Disa pika urinë dhe asgjë tjetër. Mbasi e rehatova në shtratin e vet, e pyeta:
– Profesor, si e ndjeni veten? – Njësoj, sot kam marrje mëndsh dhe më vjen për të vjellur! Profesori ishte në zgrip të jetës… por, me sot e me nesër, kaluan pesë a gjashtë ditë! Këtë mëngjes fillonte dita e shtatë. Profesori nuk jepte asnjë shenjë përmirësimi. Na dukej sikur e kishin sjellë në infermierinë e spitalit për, të luftuar me jetën dhe pas disa ditëve t’i dorëzohej vdekjes.
Na erdhi mëngjesi: komposto, marmelatë dhe bukë. Bashkë me mëngjesin na erdhi edhe lajmi i mirë se për një orë, Ndou duhej të bëhej gati se do të transferohej në Dispanseri. Gëzimi jetoi vetëm një çast se, u mërzit shumë që po na linte vetëm Profesorin dhe mua. Për ato ditë që ndejtëm bashkë, u bëmë miq e vëllezër.
Iu afrova Profesorit dhe me komposton e me lugën në dorë po i lutesha që të fuste diçka në gojë. Gjatë gjithë atyre ditëve që ndejtëm së bashku në infermieri, nuk futi asgjë në bark veçse pak kos të holluar e pak lëng kompostoje. Shpirti i mbahej me insulina. Ai qëndronte gjallë vetëm në sajë të serumeve që i administroheshin. I lutesha, i përgjërohesha të merrte të paktën pak lëng…! Asgjë. Me zë të trashur e më shumë duke dhënë shenja me dorë, më thoshte: – Nuk më hahet asgjë! Nuk Kam apetit fare!
Ndërkohë Ndou u bë gati dhe, kur erdhën rojet ta merrnin, u ngrit dhe erdhi tek Profesori, u përkul tek koka e tij dhe e puthi në ballë. Çudi! Profesori reagoi menjëherë! Ai ishte fizikisht për tokë por, mendja i punonte në mënyrë të shkëlqyer. Mundi ta ngrejë njërën dorë dhe t’ia vejë Ndout mbi kokë dhe me zë të dobët e me fjalë të paqarta nga gjuha e trashur, tha:
– Në Dispanseri do të jesh më mirë se këtu! Je i ri: duhet të shërohesh dhe të jetosh! Mos kij dert për mue! Unë e kam hëngër livadhin tim.
Në fytyrën e tij të rreptë, të zbehtë e të rrudhosur dhe në sytë e tij të mekur sikur vrulloi një pakicë lëngu që mund të konsiderohej si lot, si shprehje e dhembjes që po ndahej nga një shok i dhembjes. Duket se në ato çaste të ndarjes që të dyve po u rrëshqiste nëpër mendje se ajo përshëndetje mund të ishte lamtumira e fundit që po i jepnin njeri tjetrit. Vetëm kështu mund të shpjegohet ai momenti i trishtueshëm që nuk po i lejonte t’i shkëpusnin kokat nga njëri-tjetri…!
…Në drekë njoftova sanitaren se gjendja shëndetësore e Profesorit po vinte duke u keqësuar gjithnjë e më tepër. Duheshin njoftuar mjekë! U përpoqa t’i jap me hëngër pak kos! Më bënte shenja se, stomaku nuk i pranonte asgjë. Mbas këmbënguljes sime, pranoi me numërim vetëm tri lugë kos! Të katërtën ma ktheu. Pastaj, u ktheva në kurriz. Sytë, në mënyrë të përfrigueshme, i mbante gjysëm të hapur.
Fytyra i dukej e ngrirë. Në ballë u dukën disa bulëza uji: ishin djersët e ftohta…! Asnjë muskul s’i lëvizte. Nuk kaloi shumë kohë e filloi të tregojë shenja shqetësimi. Ky shqetësim i dukej pak në lëvizjen e kokës e pak në lëvizjen e duarve. E pashë se kishte mund në stomak dhe i vinte për të vjellë. Paska pasë të drejtë profesori që s’donte me hëngër! Mora nji peshqir dhe ia afrova te goja duke i thënë:
– Nxirre Profesor, çfarë ke për të nxjerr!
Mbasi e ktheva në krahë dhe po i rrija gati me peshqirin: nxori vetëm ato tri lugë kos që i dhashë në drekë. Nga gulçi u spërkat pakëz në mustaqe e në fytyrë. E fshiva dhe e pastrova me peshqirin që kisha në dorë. E laga peshqirin në një cep dhe ia kalova fytyrës. Ia kreha edhe flokët, ia rregullova kopertat dhe pata përshtypjen se u qetësua. Tani munda të ulem dhe të ha drekën. U shtrina në krevat dhe nuk e di se kah më fluturonte mendja, kur e dëgjoj zhurmën thirrëse të Profesorit. Ngrihem me të shpejtë…!
– Më fal Goni, se të kam kastigue!
– Aspak Profesor, po të shërohesh ti, hallall i ke të gjitha.
– Unë jam i mbaruem! Këtu nën jastëk ke nji poezi. Ma ka pas dhënë dikush. E kam ruajt me shumë kujdes. Po munde nxirre prej këndej dhe po t’ia gjesh rastin botoje. Është e thjeshtë por ka vlera njerëzore…!
Sikur u zgjat pak si tepër me këtë porosi. Foli me mallëngjim dhe tepër i emocionuar. Për t’ia bërë qejfin i thashë:
– Do ta nxjerr me siguri në qoftë se dal gjallë prej këtij burgu. Do ta mësoj përmendësh! Fillova t’ia recitoj, ashtu siç dijsha unë! Bëri një sforco të jashtëzakonshme, ma kapi dorën dhe ma shtrëngoi fort. Nuk kisha parë asnjëherë një njeri në çastet e fundit të jetës. Ai shtrëngim dore, m’u duk sikur kërkoi ndihmë për t’i dalë shpirti sa më parë. Pastaj i lëshoi të dyja duart.
Zëmra e Profesorit pushoi së rrahuri!
E thirra tri katër herë. Heshtje! Atëhere rashë mbi trupin e tij duke e mbuluar me lotët e mi. Babën nuk e pashë as kur e vranë e as kur e varrosën (në qoftë se e kanë varrosur). Në këtë rast po qaja edhe babën edhe Profesorin. Si erdha në vete, vura re se kisha harruar t’i mbyll sytë.
Kurrë nuk kam për t’i harruar ato çaste tronditëse.
Sa kohë zgjati kjo gjendje? Ndoshta pak çaste. Ndoshta disa orë? Asgjë nuk di! Më kujtohet vetëm se u hap dera dhe u dha në dhomë infermier Niaziu. Duke më parë ashtu të përlotur e kuptoi menjëherë se gjithçka kishte marrë fund.
U habita se nuk tregoi asnjë shqetësim! Sikur kishte ngordh një qen! Nuk shfaqi asnjë lloj keqardhje! Si infermier i një spitali të madh kushesi se sa raste të tilla ka parë me sytë e vet. Pa thënë asnjë fjalë, doli dhe e mbylli derën me shul. Nuk vonoi shumë dhe erdhi me dy rojet e burgut dhe me mjekun e turnit. E ngarkuan mbi një karrocë-shtrat me rrota e mbuluan me çarçaf dhe e kapërcyen pragun.
Roja e mbylli derën dhe i vuri shulin. Latini thotë: “Sie transit gloria mundi” (Kështu ikën lavdia e kësaj bote). Se ku e çuan, se çfarë bënë me të, se ku e varrosën: asgjë nuk di! Edhe ashtu të vdekur të ma kishin lanë atë natë do t’ishte një mirësi e madhe për mua.
Tek shtrati im, i shtrirë në kurriz, me të dyja duart e lidhura pas kresë, ndërsa po i ripërtypja ato çastet e fundit të jetës së profesorit, nisa të çuditem edhe me veten time: si u shua ashtu papritmas? Si më iku ashtu nga dora si një zog rebel? Kah e mori fluturimin, kah qielli apo kah pylli…?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016