Nga Stavri J. DAJO
Pjesa e dytë
-Misioni i dështuar sekret i zbuluesit shqiptar Koço Kazanxhi në Greqi, arrestimi dhe dënimi i tij me vdekje (1948-1951) –
Memorie.al / Pas Luftës së Dytë Botërore dhe takimit konspirativ Churchill-Stalin, në tetor 1944 në Moskë (që shënoi ndarjen e zonave të influencës lindje-perëndim) u vendos që Greqia të kalonte në orbitën perëndimore. Partia Komuniste Greke (PKG) nuk u pajtua me këtë vendim të Fuqive të Mëdha dhe u orvat ta uzurponte pushtetin me dhunë, pa pranuar rendin parlamentar dhe zgjedhjet e lira. Reagimi i saj i dhunshëm shkaktoi përleshjet e përgjakshme të dhjetorit 1944 që formalisht sollën moratoriumin armëpushues ose, thënë ndryshe, Marrëveshjen e Varkizës (12 shkurt 1945), kushtet e së cilës, përfundimisht, u dhunuan nga palët ndërluftuese. Si pasojë, në Greqi shpërtheu një luftë shkatërrimtare vëllavrasëse, e cilësuar si Luftë Civile (1946-1949), me mijëra viktima nga të dyja palët, nga Ushtria Demokratike Greke (UDG), e formuar nga komunistët dhe nga Ushtria Kombëtare Greke (UKG) –ushtria qeveritare–, por dhe nga civilë të thjeshtë e të pambrojtur.
Sipas fashikullit gjyqësor
– Kuadri historik-
Misioni do të mbështetej nga ky shtab, i cili ishte vënë në dijeni paraprakisht. Pas plotësimit të misionit, po me ndihmën e shokëve grekë, do të kthehej nga Greqia në postin e tij. Legjendimi ishte i trashë dhe Kazanxhiu nuk e besoi atë. Iu dha një letërnjoftim i rremë me emrin Christos Kampanis, lindur më 1923, në fshatin Mikri Gotitsa në Janinë, firmosur nga shefi i Sigurimit të Janinës.
Nga mesi i gushtit 1948, anija sovjetike e mallrave “Pushkin” u ankorua në portin e Durrësit, me ngarkesë municione, veshje, miell dhe pajisje ushtarake për komunistët grekë. Operacioni monitorohej nga vetë Myftar Tare dhe atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë, Sokolov. Anija përmbante 400 tonë pajisjesh ushtarake: 40 topa, mina, traktorë, dinamit, pushkë dhe gëzhoja. Shkarkimi i tij zgjati pesë ditë dhe do të ndiqte itinerarin: Durrës-Korçë-Gramoz, ndërsa 90 tonë, do të transportoheshin me një anije tjetër me naftë, me destinacion Peloponezin. Kutitë për frontin e Peloponezit, u shënjuan me mbishkrimin “FOKA”.
Më 28 gusht 1948, ngarkimi i anijes kishte përfunduar (u bë vetëm natën) dhe përmbante: 1500 pushkë, 1000 mina, 1000 dinamit, 180 automatikë italianë, 15 mitraloza, 15,000 granata dore, gëzhoja, libra dhe material propagandistik. Kazanxhiut i dhanë 500.000 për nevojat e tij personale dhe 2000 dollarë ia dhanë të shtëpisë. “Nëna, motra dhe tezja ime shpërthyen në lot, kur e morën vesh dhe m’u lutën të gjunjëzuar që të refuzoja. Më shoqëruan duke më spërkatur këmbët me ujë, një zakon i vjetër i yni, që të kthehesha prapë, shëndoshë e mirë. Por unë nuk isha i bindur, u tha Kazanxhiu gazetarëve. Vëllait, Alfredit i thashë: “Nuk do të kthehem, mos më prisni më”!
Ekuipazhi me pesë komunistë grekë dhe Kosta Kazanaxhiun me pseudonimin “Kosta Maqedonasi”, u nis më 28 gusht në mesnatë nga Durrësi. Në Sazan bëri një ndalesë dhe e lyen me ngjyrë blu, i vunë emrin “Niki-Foitore”. Anija kishte një tonazh prej 120 tonësh dhe gjatësi 22 metra, pronë e tregtarit shkodran, Vaso Kadia, emrin e të cilit mbante deri atë ditë, i konfiskuar nga qeveria komuniste. Të hënën, më 30 gusht 1948, anija u nis nga Karaburuni për në Egje. Askush nuk dinte asgjë për qëllimin e misionit tim, madje as ekuipazhi vetë”. Ishte hera e fundit që Kosta Kazanxhiu shikonte atdheun e tij, dhe ishte vetëm 24 vjeç!
Për shkak të mungesës së përvojës të ekuipazhit, në vend të Peloponezit, anija mori drejt jugut dhe të shtunën më 4 shtator iu afrua bregdetit të Kretës, kështu që u detyruan të ktheheshin, por, në kthim, u përplasën në brigjet e një ishulli shkëmbor. Më 6 shtator 1948, bashi i anijes ishte mbushur me ujë. Personeli i ekuipazhit u bënë lesh e li, u zunë dhe u rrahën. Në këto rrethanë, Garda Detare Greke e pikasi dhe pak orë më vonë Flota Ajrore e bombardoi. Ekuipazhi u arratis në Fokiamos të Peloponezit.
Në Shqipëri u përhap lajmi se anija ishte e mbytur, por Kazanxhiu nuk qe brenda. Njeri nga të ekuipazhit, me emrin Vaitsis, pasi kishte harruar ditarin e tij në anije, kaloi nga gjyqi partizan dhe u ekzekutua po ato ditë. Por në duart e autoriteteve të UKG-së, kishte rënë ditari i tij, me të dhëna të hollësishme për anijen, ngarkesën, emrat si dhe informacion sekret për UDG-në dhe krerët e saj në Shqipëri dhe Peloponez. Shkurt, misioni i Kazanxhiut, dihej që atë ditë me hollësi, pra ishte i dekonspiruar.
Në shtabin e UDG-së të Peloponezit
Pas shumë peripecish, Kazanzhiu mbërriti në shtabin partizan të Peloponezit, shtabi i dytë më i rëndësishëm i frontit të Luftës Civile Greke, pas atij të Gramozit. Pas shumë mundimesh, më 12 shtator, u atashua pranë Komandantit të Shtabit, Stefanos Giuzelis, i cili pas dështimit të transportit dhe humbjes së ngarkesës së anijes, e priti ftohtë zbuluesin shqiptar, por i premtoi, sipas udhëzimeve të Tiranës, se në rastin më të parë, do ta dërgonte në destinacion të vet, d.m.th., në ishullin e Kefaloniasë, që ishte shumë kilometra larg vend ndodhjes së Shtabit.
Në deponimet tij, Kazanxhiu pohon hollësira për jetën e vështirë të guerileve grekë, për gjyqet partizane dhe ekzekutimet e dezertorëve për mosbindje, tradhti, për mizoritë ndaj popullsisë civile të krahinës përreth, për plaçkitjet e pasurive të fshatarëve të thjeshtë deri më 20 shator 1948, që në thelb ishte dita e shpërbërjes përfundimtare të frontit të Luftës Civile të Peloponezit.
Kazanxhiu tregon me detaje kalvarin pranë shtabit, atmosferën mosbesuese mes krerëve, qëndrimet konspirative ndaj njeri-tjetrit, dështimet e njëpasnjëshme në përleshjet me forcat qeveritare të UKG-së, endjet nëpër vende të ndryshme, pritja e ftohtë nga fshatarët e Peloponezit, hollësira që nuk kanë interes për lexuesin shqiptar.
Në dhjetor 1948, në Polonez kishte rënë një avion çekosllovak, i cili u plaçkit barbarisht nga guerilët grekë: 5000 lira floriri dhe 4000 dollarë, i ndanë mes vedi krerët e shtabit, tregon Kazanxhi. Operacionet spastruese të UKG-së në dimër 1948 dhe në pranverë 1949, shkatërruan të gjitha strukturat e UDG-së në Peloponez, të cilat nuk kishin mbështetjen e duhur nga popullsia vendëse. Kazanxhiu depononte se krerët e UDG-së, vidhnin njëri-tjetrin, sabotonin dhe intrigonin si mashtrues ordinerë.
Gjatë kësaj kohe, Kazanxhiu u ankua disa herë pranë shtabit, se duhet të shkonte në destinacion të vet, por asnjë nuk donte t’ia dinte për fatin e tij. Në orët e para të 31 gushtit 1949 Komandanti i Shtabit Stefanos Giouzelis, u vra, radiondërlidhja, mbrojtja shifrore (kriptimi dhe shifrimi), dhe të gjitha pajisjet ranë në dorën të UKG-së.
Vdekja e Giouzelis na shkaktoi zhgënjim të madh të gjithëve, jo sepse Giouzelis mund të na mbronte, të na siguronte ushqim, ose të na shpëtonte. Ishte thjesht një simbol që na ngushëllonte të gjithë neve që mbetëm duke shpresuar në një mrekulli. Por fundi i tij ishte i paracaktuar. Dhe e jona, thotë Kazanxhiu.
Ndërkaq, fronti i Gramozit kishte rënë, pas bombardimeve të pamëshirshme me aeroplanë bombardues Spitfire me napalm (me fluturim pingul) dhe 12.000 rebelë grekë u futën në Shqipëri, sistemuar në kushte mjerane në kampe përqendrimi. Pak ditë më vonë, nisi tërheqja dhe e pjesës së mbetur të forcës ushtarake të Peloponezit, me drejtim Shqipërinë, e vetmja strehë shpëtimi. Kazanxhiu kishte shpresë se me ta mund të tërhiqej dhe ai.
Në fillim të tetorit, Kazanxhiu kishte mbetur vetëm, strehuar në shpella dhe endur në terren të panjohur, si peshku pa ujë. Kishte humbur çdo kontakt me njerëzit e shtabit dhe luftëtarë të tjerë. Për mision as që bëhej fjalë. Në momente të përzishme pesimizmi, mendoi ose të dorëzohej, ose të vriste vetën. Më në fund, më 6 tetor 1949, zbriti nga guvat ku fshihej në fshatin Kastor dhe atje e njohën, e kapën dhe e arrestuan. Në pyetjet e para në xhandarmëri ai deklaroi identitetin e tij të vërtetë dhe pranoi se kishte ardhur në Greqi disa muaj më parë, me anije si gazetar.
Gjatë kontrollit trupor i gjetën 1.220 dollarë, pistoletën e mbushur, 20 000 dhrahmi dhe orën e dorës, të cilat ia mbajtën në stacionin e xhandarmërisë dhe ia dorëzuan pjesë-pjesë në Athinë, për t’i përdorur për nevojat personale gjatë hetimit. Në deklaratat e tij para gazetarit Panos Troumbounis, ai fillimisht deklaroi se xhandarët, gjatë gjithë kohës së ndalimit në stacion ,u sollën miqësisht me të, por më vonë e përgënjeshtroi këtë pohim.
Më 7 tetor një oficer i lartë i ushtrisë e mori në pyetje dhe i kërkoi hollësi për krerët Shtabit, për vendstrehimet e tyre dhe i komunikuan vdekjen e shumë prej tyre, por nuk i thanë asgjë për ata që ishin kapur robër dhe kishin pohuar për misionin e tij. Kazanxhiu u dha informacion të detajuar për lëvizjet e krerëve të Shtabit, për vendet dhe qëllimet, por këto ishin të njohura dhe nuk rëndonin pozitën e tij.
U tregua i gatshëm për të shoqëruar oficerët e ushtrisë në vend-strehimet e Shtabit për kontroll dhe gjurmim të mëtejshëm. Më 25 tetor 1949, u paraqit pranë Komisionit Hetimor Ballkanik të OKB-së dhe dha informacion për ndihmën e Shqipërisë ndaj UDG-së. Dëshmia e tij kishte rëndësi të posaçme, për shkak të pozitës së tij në hierarkinë e Sigurimit të Shtetit.
Procesi i rregullt hetimor nisi më 9 tetor 1949 në Spartë, por për shkak të rëndësisë që paraqiste çështja, Kazanxhiu u transferua në Athinë dhe atje u krye procesi i plotë hetimor.
Të vërteta dhe të pavërteta të apologjisë së tij
Si nga autoritetet hetimore greke, ashtu edhe nga shërbimet administrative shqiptare, gjatë rishikimit të mëvonshëm të çështjes së tij, deponimet e tij u konsideruan si jo absolutisht të vërteta. Në një masë të madhe, përgjigjet e tij ishin produktet kompromisesh me gazetarë dhe hetues për një trajtim të butë në gjyq, ose përfitime të tjera personale.
Për më tej, anëtarë të Shtabit ose luftëtarë të UDG-së që ishin kapur nga UKG-ja ose ishin dorëzuar vullnetarisht, dëshmuan në hetuesi dhe në gjyq kundër tij, madje i atribuuan Kazanxhiut, krime që ai nuk i kishte kryer, si p.sh., ekzekutimin e dy luftëtarëve të akuzuar për mosbindje në Peleponez.
Para gjykatës ushtarake
Paraburgimi i Kostas Kazanxhiut i vënë nën akuzë para organeve hetuese dhe prokurorisë, zgjati deri në mesin e dhjetorit 1951. Më 25 maj 1951 u vendos të bëhej gjyqi i parë, por për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve, Komisioneri Mbretëror (në vend të prokurorit) kërkoi shtyrjen e gjykimit, dhe seanca e dytë u caktua më 8 tetor 1951. Përfundimisht, gjyqi u zhvillua më 17 dhjetor 1951, në orët e pasdites me akuzë të nyjëtuar: akuzuar për vepra penale, që kërcënojnë sigurinë e vendit, sipas aktakuzave të datës 11.12.1951, në prani të avokatëve mbrojtës Stavros Kanellopoulos – i cili ishte anëtar i Frontit Nacional Çlirimtar Grek (EAM)-it dhe Konstantinos Tsirimokos, gjithashtu faktor i njohur i së majtës.
I akuzuari deklaroi se dinte greqisht, të cilën e kishte mësuar gjatë qëndrimit në burg dhe nuk kishte nevojë për interpretues gjyqësor. Në akuzë thuhej se i akuzuari, në Ormos Fokianos të Kynurisë, Lakonisë, Kastorit e gjetkë të Peloponezit, gjatë periudhës nga 6 shtator 1948 deri më 5 tetor 1949, kishte fshehur statusin e tij si toger i policisë shqiptare, dhe me pseudonimin “Maqedonas-i” kishte infiltruar në zonën operative të UKG-së, ardhur me anije nga Shqipëria, dërguar nga qeveria e vendit të tij, grumbulloi informacion sekret në lidhje me mbrojtjen dhe sigurinë e jashtme të shtetit grek dhe për qëllime zbulimi, përdorte mjete të ndërlidhjes radiomarrëse-radiodhënëse, d.m.th., transmetonte informacione sekrete që kishin të bënin me njësitë e UKG-së…! Përmbushja e misionit të mësipërm u krye vullnetarisht dhe me bindje…”!
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Kazanxhiu deklaroi se misioni i tij ishte të infiltronte në Kefalonia, të zbulonte nëse atje kishte flotë amerikane, luftanije, aeroplanmbajtëse, nëse baza dispononte bomba atomike dhe nëse amerikanët dhe grekët, përgatiteshin për agresion pushtues në Shqipëri. Unë kam qenë oficer ushtrie, jo oficer policie, deklaroi. Deklaroi se çështja e tij ishte një komplot i sajuar paq nga kolegët e tij smirëzinj të Sigurimit të Shtetit, për ta hequr qafe, sepse ishte i krishterë ortodoks dhe për shkak të prejardhjes greke të nënës së tij. Gjithaq, deponoi dhe të dhëna të tjera të karakterit intim familjar. Shtoi, gjithashtu, se babai i tij, ishte me arsim grek, njohës i kulturës greke, mohoi misionin e tij në kufi, gjatë periudhës 1947-1948, dhe pranoi se kishte qenë në Greqi, vetëm 13 muajt e fundit para arrestimit.
Fjala e tij nuk e bindi trupin gjykues, kryetari i gjykatës ushtarake kundërshtoi dhe shtoi se gjithçka që pretendonte i pandehuri, ishte e rreme, e pabazë dhe mashtruese dhe se ai e dinte mirë greqishten (edhe pse e mohoi duke deklaruar se e kishte mësuar gjatë kohës së qëndrimit në burg), ishte njeri i vendosur, i zgjuar dhe bash për këtë ishte zgjedhur për përmbushjen e një misioni kaq të vështirë dhe të rrezikshëm. Në thelb, e gjithë dëshmia e tij u cilësua si një përzierje faktesh reale, trillimesh dhe manipulimesh, por aspak bindëse.
Përfundimisht, gjykata me vendimin 2788/17.12.1951, vendosi njëzëri shpalljen fajtor të pandehurin Kosta Kazanxhi, në kuptim të neneve 5§2 të (AN) 375/1936 “Për dënimin e krimeve të spiunazhit dhe veprimeve kriminale që kërcënojnë sigurinë e jashtme të vendit”, duke e dënuar dy herë me vdekje. Pas komunikimit të vendimit gjyqësor, kryetari i Gjykatës Ushtarake e pyeti të pandehurin, nëse kishte diçka për të shtuar, por ai vetëm brohoriti: “Rroftë Shqipëria”! duke shkaktuar indinjatë kolektive tek të pranishmit.
Në sallën gjyqësore u ndodhën edhe të afërm të tij që jetonin në Selanik, të cilët e mbështetën moralisht dhe materialisht gjatë kohës së paraburgimit. Njërin prej tyre, një dajo me emrin Petro, me banim në Selanik, u urdhërua nga Kazanxhiu që të njoftonte familjen për dënimin e tij dhe për fundin e këtij kalvari.
Dy ditë pas dënimit, më 20 dhjetor 1951, Kosta Kazanxhiu u dërgua në burgun e Kalitheas (Athinë). Nga qendrat e paraburgimit dhe nga burgu, në ditët e agonisë para skuadrës së ekzekutimit, ai shkroi një sërë letrash – disa prej të cilave mund të mbërrijnë në duart tuaja, shkruan shprehimisht ai – nënës së tij Pandorës dhe familjareve të tjerë me pothuajse të njëjtën përmbajtje.
Letra e parë mban datën 18 dhjetor 1951, të nesërmen e gjyqit, drejtuar dajos së tij në Selanik, me emrin Petro, të cilit i thotë se, megjithëse vendimi i dënimit të tij dy herë me vdekje, ishte i rëndë, por jo dhe i padrejtë. Pas kësaj ai drejton dhe letra të tjera, sidomos nënës së tij Pandora, për të cilën ndien adhurim.
Përmbajtja e këtyre letrave përmbys kryekëput deklaratat e tij të mëparshme në hetuesi, ose deklaratat para gazetarëve dhe bie ndesh me gjithçka kishte pranuar, pohuar ose deponuar deri atëherë. Kazanxhiu, pretendon se gjykimi i shkurtuar treorësh, u bazua “në akuza pa vend”, konsideron vendimin – të cilin e priste prej kohësh – të paragjykuar.
Sipas epistolarit të ruajtur, periudha 27-mujore e pyetësisë dhe e hetimit, kishte kaluar mes vuajtjesh dhe mundimesh, anulimesh të pamëshirshme dhe të shumta dhe këtë ia vuri në dukje dhe kryetarit të gjykatës, të cilit i pat theksuar me vendosmëri: “Nuk po më dënoni mua, por armiqësinë dhe pretendimet që keni kundër vendit tim”!
Megjithatë, thotë ai në këto letra, sipas parashikimeve të ligjit, të nesërmen avokatët e mi kanë bërë kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të vendimit dhe ankim në Gjykatën e Lartë për falje. Por këto janë procedura formale të legjislacionit vendës. Tani pres të më transferojnë në burg tjetër, thotë ai. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016