Nga UVIL ZAJMI
Memorie.al / Kjo është historia e pa treguar e Artur Lekbellos: Nga kitara e kënga në shkollën e Kadetëve “Skënderbej” në Tiranë, për t’u bërë oficer madhor. Pastaj, portier te “Partizani”, në Kombëtare dhe hero në Barcelonë. “Inati” me Zubizarretën, zbulimi nga “Sportski”, duetet e famshme me Ilir Lamen e Sul Starovën apo Rrapo Tahon e Vlorës, te telegramet që i ndryshuan jetën. Nga oficer i lartë në Brigadën e Tankeve, te ndërhyrja e Muho Asllanit, për ta sjellë në Durrës dhe “Happy end” në Roterdam, në moshën 36-vjeçare ndaj “Fejnordit”. Çfarë bënte pasi la futbollin e luajtur, njeriu që frenoi “Barcelonën” në “Camp Nou”?
Çiçiku zbulon Lekbellon, Mustën e Ahmetajn…!
Një fillim shumë i ndryshëm nga të tjerët për Tur Lekbellon. I vendosur familjarisht në Durrës, pa asnjë traditë sportive, në vitin 1971-’72, regjistrohet në shkollën e mesme të Kadetëve “Skënderbej” në Tiranë, me qëllim për t’u bërë një ushtarak i mirë. Ishte Sherif Çiçiku, me profesion shofer i shkollës, por me pasion trajner futbolli, që e zbulon edhe e merr me nxënësit e ekipit të shkollës. Pak më vonë edhe Perlat Mustën e Arjan Ahmetajn, (dy ikonat e mëvonshme të ekipit “Partizani” dhe përfaqësueses shqiptare), do t’i kishte shokë, miq dhe për shumë vite bashkë te klubi i famshëm shqiptar që ishte nën patronazhin dhe varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që nga krijimi i tij. Por, ata që i hapën derën, ishin trajnerët e mirënjohur, Refik Resmja e Iljaz Dingu, të cilët e vendosën në portë me të rinjtë e “Partizanit”. Pikërisht këtu fillon karriera, për të cilën Lekbello, nuk e kishte menduar asnjëherë se do të ishte shumë e veçantë.
Ngjarjet në ushtri, merret nga “Partizani”
Jemi në vitet ’70-’80-të. Në portën e “Partizanit” është Bashkim Muhedini dhe Jani Kaçi. Pas ndëshkimit të ushtarakëve në vitet 1974-‘75, pozicioni i Muhedinit, si dhëndër i ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, vështirësohet dhe “Partizani” kërkon të ketë një portier të dytë pas Kaçit. Alternativa e parë dhe e mundshme, pa kërkuar dhe marrë nga ekipet e tjera, është Artur Lekbello, portieri i skuadrës së të rinjve, i dalluar dhe me perspektivë. Është vetëm 17 vjeç dhe bashkë me Perlat Mustën që do të vijë më pas, do të qëndrojë gjatë te “Partizani”. Për qëndrimin në Tiranë, merr emërimin nga Ministria e Mbrojtjes që e cakton oficer në Brigadën e Tankeve në Sauk. Vetëm figuronte si i tillë, pasi as edhe një ditë nuk i hipi, apo drejtoi tankun.
1986 – Kur Muho Asllani e ktheu në Durrës
Nuk janë të rralla rastet, kur sportistët janë marrë apo kanë ndryshuar skuadër e klube, nga dëshira, urdhrat apo aksionet e pushtetarëve të kohës. Janë raste si ato të Saba Bizit dhe Medin Zhegës (legjendave të futbollit shkodran), që kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, i kujtoi për inxhinierë dhe i riktheu në Shkodër (luanin me “Partizanin” e “Dinamon”), për të “përfunduar” hidrocentralin e Vaut të Dejës, pasi ia kërkuan punonjësit e asaj vepre të rëndësishme, gjë një vizite inspektimi të punimeve që ai bëri atje.
Sezoni 1984-’85, është mbyllur dhe Lekbello është 27 vjeç, ndërkohë që një kërkesë e bërë nga klubi i “Lokomotivës” së qytetit bregdetar të Durrësit dhe me interesimin e Muho Asllanit, (asokohe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit), Artur Lekbello, transferohet në qytetin e tij, për të luajtur me ekipin durrsak, por për të qenë edhe afër familjes, tashmë i sapofejuar. Dhe te “Lokomotiva” do të bashkohet me emra të njohur, si: Lad Ajazin, Nar Kokën e Shtamën, Fred Filjarin, Niko Janin, Mir Himën, Çelën, Kokën, Engjëllin, Arjan Hadon, Abazin, dy Ballgjinët, dy Manushët, Metën, Mihon, Markun, Sejdinin, Sulejmanin, Ketën, Sukaj, Bishën, Çekën, etj.
Njoftimi surprizë
Lekbello, nuk ka pasur asnjë lidhje me Vlorën, por skuadra vlonjate, do të ishte vendimtare për jetën dhe karrierën e tij. Ishte i grumbulluar me skuadrën në hotel “Kruja” në plazh, kur paraditen e së mërkurës, duke qëndruar në dhomë me mbrojtësin e majtë Niko Janin, informohet nën zë, se në Klub për të, kishte ardhur një telegram nga federata. Dhe informacioni kishte qenë i saktë dhe “bombë”. Në mesditë, pas stërvitjes, sekretari i klubit, Zeneli, e njofton se të hënën, në orën pesë, duhet të ishte në Vlorë, në Klubin “Flamurtari”.
Motivi nuk shkruhej në telegram, por kuptohej se kërkohej për përforcim, në prag të takimit me “Barcelonën”, ku ekipi vlonjat do të ndeshej në kuadrin e Kupës së Kupave të Europës. E kishin propozuar pikërisht atë, pasi një problem e pengonte portierin Birçe, të shkonte jashtë shtetit dhe portieri i dytë, Arapi, ishte i ri dhe pa eksperiencë. Duke parë që Lekbello ishte në formë, futbollistët biseduan me Klubin, që t’i kërkonte FSHF-së emrin e tij.
Udhëtimi drejt Vlorës me “Vollga”
As nisja për Barcelonë, asnjë nisje tjetër për ndeshje apo diku tjetër, nuk ishte e tillë si ajo e asaj të hëne, të datës 8 shtator, 1986. Nuk kishte mjete udhëtimi si sot, vetëm treni me orare të caktuar, ishte ai më i sigurti dhe i garantuar për popullatën. “Do të çojmë ne”, – i thanë dy miqtë e tij, mjeku kirurg, Roland Katroshi dhe Niko Gjiri, drejtor i Parkut në Durrës. E lanë të takohen tek “Ura e Dajlanit” dhe me auto veturën “Vollga”, u nisën për në Vlorë, ku para stadiumit, po e prisnin Shefi i Klubit, Skënder Ibrahimi, bashkë me futbollistët Rrapo Taho, Kreshnik Çipi, Land Iljadhi e Fred Zijai. Pastaj sistemimi në hotel “Adriatik”, në një dhomë me Vasil Rucin. Ishte zgjedhje e Vasilit, pasi kishin njohje më pare, kur ishin bashkë në Kombëtare.
Grumbullimi, prag ndeshja
Lekbello, nuk luajti ndeshjen e radhës me “Lokomotivën”, në kampionat, pasi ishte i regjistruar dhe figuronte si portier i “Flamurtarit”. Dy javë stërvitje, pastaj ndeshja. Një analizë e shkurtër me shumë thjeshtësi nga trajneri Leonidha Çuri paraditen e takimit, ora 10:00 në hollin e “Adriatikut”, ku ishin prezentë; Mehdi Bushati, Miço Papadhopudhi dhe Enver Halili, Sekretar i Parë i rrethit. Asnjë informacion për “Barçën”, vetëm Hjuxh, Linekër dhe trajneri i Vejnebllës, ishin të njohur. I dhanë nga 30 copë bileta, nga të cilat Lekbello mbajti vetëm dhjetë, të tjerat ua shpërndau tifozerisë. Kishte ankth e frikë për një goleadë, pasi ndiente përgjegjësi, ndaj ekipit dhe tifozëve vlonjatë. Por, çuditërisht, shikonte siguri te lojtarët, kur i thoshin: “Mos e çaj kokën, do të fitojmë”. Pastaj ndeshja, një 1-1 surprizë dhe pas dy javëve, sfida e kthimit.
Nga Vlora në Han të Hotit, Titograd, Beograd, Romë dhe Barcelonë
Kjo ka qenë linja e avionit, që skuadra mori nga nisja deri në zbritje. Shumë e gjatë, por e këndshme dhe argëtuese. Nuk kishte linja direkte dhe duhet t’i “bije nga Kina”, për të mbërritur në Barcelonë. Të shtunën, nisja me një autobus të Shkodrës, deri në Han të Hotit, pastaj avioni Titograd-Beograd. Një natë fjetje, të nesërmen drejt Romës, një natë qëndrim dhe vizita në ambasadën tonë atje, për të vijuar në Barcelonë dhe të hënën, rreth orës 14.00, avioni hap rrotat dhe ulet në aeroportin, “El Prado”.
Bashkë me pasagjerët, zbresin shkallët edhe futbollistët. Është një pritje zyrtare, nuk ka autografe, pasi nuk i njohin, nuk kanë kostumet zyrtare të Klubit dhe si futbollistë, kanë vetëm çantat e sportit në duar. Pastaj me autobusin e caktuar, nisja drejt hotel “President”, për t’u sistemuar në katin e tetë, dhoma 804, si gjithmonë me Vasil Rucin. Tashmë ditët katalanase kanë filluar, për të mos u harruar kurrë…!
Mosnjohja dhe gota me verë që habiti gazetarët
Barazimi në Vlorë, kishte shtangur spanjollët. E panjohur aspak për ta, Shqipëria papritur, ishte bërë nga një objekt misterioz, në një vend shumë kurioz. Asnjë lidhje diplomatike, asnjë shkëmbim kulturor, sportiv apo artistik në vite, madje një mbyllje hermetike me ta dhe direkt “Flamurtari”-“Barcelona” 1-1. As ambasadë nuk kishte në Spanjë (sapo ishte vendosur ato ditë) dhe për të shoqëruar skuadrën, kishte mbërritur konsulli shqiptar nga Franca.
Ndeshja do të luhej në orën 21:15 të mbrëmjes dhe transmetimi radiofonik, i ndeshjes nga gazetari sportit (telekronisti i njohur i Radio-Televizionit Shqiptar me emisionin “Nga njëra ndeshje, në tjetrën”), Ahmet Shqarri, ishte krejt i veçantë për shqiptarët. Por ajo që habiti më pas spanjollët, ishte një gotë verë e pirë nga skuadra në drekën e së mërkurës, një detaj që nuk i shpëtoi medias: “Si ka mundësi, që ekipi të pijë verë, para ndeshjes e të arrijnë atë rezultat?” – ishte një nga pyetjet që bënte shtypi post sfide, që duket se nuk mori kurrë një përgjigje të saktë.
Filozofia dhe karakteri në “Camp Nou”
Lekbello kujton se për atë takim: “Vetëm një stërvitje në ‘Camp Nou’, pak mendohej dhe flitej për ndeshjen nga futbollistët e ‘Flamurtarit”. Kjo ia shtonte pasigurinë, kur shikonte që lojtarët ishin të lirë, lëviznin të qetë në mjediset e hotelit, me humor, por asnjë fjalë për takimin. Frika për një ndëshkim me shumë gola, e kishte çoroditur Lekbellon, por ishin Vasil Ruci dhe Rrapo Taho, që i thoshin në vazhdimësi: “Na njeh neve ti, apo jo”? Një analizë e shkurtër dhjetë minuta nga trajneri Leonidha Çuri, e organizuar në hotel dhe mbyllur me konkluzionin tipik vlonjat: “I dimë vetë të gjitha, mos na thuaj asgjë, ne do të nderojmë”, pas të cilës skuadra mori rrugën drejt “Camp Nou”-t. Lidhur me ato 90 minuta, Lekbello kujton disa detaje: “Sulmuesi anglez Lineker, pas çdo rasti të humbur, bërtiste ‘Oh my God’”.
Apo fund ndeshjen: “E frikësuar, Barcelona u tërhoq në mesfushën e saj, madje e luante aty topin dhe Fred Ferko e Agim Bubeqi, mund të shënonin. Nuk e mendoja kurrë një Barcelonë, që në pesë minuta, të mos kalonte mesfushën, në ruajtje të rezultatit dhe në pritje të vërshëllimës së portugezit Da Silva”, – tregon Lekbello. Të nesërmen, pas barazimit të madh, gazetat një pjesë të meritës do t’ia dedikonin edhe portierit: “Este senor tan simpatico ed Letbello, ‘el Capo de Albania’ (Ky zotëria simpatik është Lekbello, shefi i Shqipërisë)”, – ishte një ndër titujt që do të kishin në faqet e tyre.
Një dhuratë me kasetat e këngëve të Iglesias
E ka pasur të veçantë dëshirën, për të qëndruar në autobus pas shoferit. Kështu edhe në Barcelonë. Shumë shpejt u bë mik me Marcion, drejtuesin e autobusit: “Kishte pak flokë si unë, pëlqente muzikën dhe kishte luajtur portier në moshë të re”, kujton ai. I mahnitur për paraqitjen e Lekbellos dhe për miqësinë që krijoi, në ndarje i kishte përgatitur një pako të vogël, që fshehurazi ia dha, duke i thënë: “Janë dy kaseta të Hulio Iglesias. Edhe ai ka qenë portier në rininë e tij”. Kasetat u ruajtën dhe u dëgjuan për shumë vite, deri në konsumim të plotë të tyre. Ndërkohë, i premtoi se në rastin më të pare, do të takoheshin sërish. Lekbello u kthye pas një viti në Spanjë, në Sevilje, por takimi me Marcion, nuk u realizua.
“Inati” me portierin spanjoll, Zubizarreta!
Nuk ishte i tillë, por u krijua nga ndeshja e parë, në Vlorë. Pas takimit, si shumë të tjerë futbollistë tentuan të marrin gjithçka të mundshme nga Barcelona, edhe Lekbello vrapoi te Zubizarreta, kur po futej në dhomë, për të ndërruar fanellat, siç ndodh gjithnjë pas ndeshjeve të tilla. Por, ai reagoi ftohtë, një lëvizje mohuese me kokë, pastaj dy fjalë nëpër dhëmbë dhe iu drejtua dusheve. I zhgënjyer nga kjo sjellje, e mori inat “atë çun mami”. Por duket kishte gabuar, pasi në “Camp Nou”, pas ndeshjes, ai i kishte përgatitur një çantë të madhe me materiale sportive. Dhe, mbi të gjitha, një kravatë të kostumit zyrtar të “Barcelonës”, që Lekbello e ruan edhe sot. Por e veçanta erdhi pas një viti në Sevilje, kur Zubizarreta, i kishte përgatitur surprizën e dytë: Kishte rezervuar një lokal nate, një gotë verë dhe muzikë, një mbrëmje e paharruar, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit.
Ura e Dajlanit-Barcelonë, pse kthimi ishte refuzuar?
Tek Ura e Dajlanit, aty ky e nisi dhe mbylli aventurën spanjolle. Por, si asnjëherë tjetër, para dhe më pas, nuk kishte ndodhur që një skuadër Klubi, ta braktiste avionin dhe të refuzonte kthimin në Shqipëri pas ndeshjes. Nuk kishte ndodhur dhe as që mund të ndodhte për shumë arsye. Vetëm me Flamurtarin është regjistruar një rast i tillë. Të entuziazmuar pas barazimit, të nesërmen ishte kthimi me avionin e linjës. Dhe, ndërsa në orën 12:00 autobusi dhe policia prisnin para hotelit lojtarët, vetëm Lekbello ishte ulur në sediljen e parë.
“Ishte një vendimmarrje kolektive e skuadrës, – thotë Lekbello. – Lojtarët donin të qëndronin edhe një ditë më shumë, për të shijuar barazimin e, për të soditur Barcelonën”. Përjashtim u bë vetëm për Lekbellon: “Je ushtarak dhe ke ardhur si përforcim, mirë është që të shkosh tek autobusi, sa për t’u justifikuar që të mos kesh pasoja”, – i thanë. Ndërkohë skuadra, nuk mund të qëndronte më në hotelin “President”, ku ishte akomoduar.
Pa financa, pa hotel, “Flamurtari”-t do t’i vinte në ndihmë presidenti i “Barcelonës”, i cili i sistemoi në hotelin e tij “Christal”, duke u garantuar gjithçka, deri në largim. Më pas, kthimi dhe pritja festive në hotel “Rozafa” në Shkodër. Këtu janë dy momente që Lekbello, nuk i harron: “Kur po udhëtonim nga Titogradi, për në Han të Hotit, papritmas pamë një makinë policie shqiptare që po na shoqëronte. Frika për mosardhjen e skuadrës në kohë, kontrolli i rreptë në doganë, krijoi panik dhe ankth në skuadër.
Mirëpo, urdhri ishte krejt ndryshe: “Asnjë kontroll, vetëm pritje festive”. Autobusi do të ndalonte tek Ura e Dajlanit dhe Lekbello zbriti, duke marrë rrugën për në shtëpi. “Çfarë kombinimi, – kujton ai, – nga Barcelona tek Ura e Dajlanit! Atje e fillova udhëtimin dhe tek ajo urë e vjetër e mbylla”. E lutën të udhëtonte me skuadrën në Vlorë, por e prisnin në familje. Në Vlorë u rikthye në mesjavë, për të festuar në Pallatin e Sportit, por edhe pas një viti në një tjetër sfidë, këtë herë me Kombëtaren.
Kur dhe si e zbulon gazeta “Sportski”…?!
Luante si titullar i “Lokomotivës”, por figuronte edhe si portier i “Flamurtarit”, ndërkohë që në prag ndeshjen kundër “Partizanit” të Beogradit, një sezon pas “Barcelonës” – ndërsa ishte në projekt për t’u grumbulluar – Federata Shqiptare e Futbollit, u informua se një gazetë (“Sportski” në Beograd) shkruante të “fshehtën”, ku thuhej se; Lekbello, ishte portier i “Lokomotivës” së Durrësit, por njëkohësisht luante edhe me “Flamurtarin”. Serbët nuk ishin “Barcelona”, na njihnin dhëmbë e dhëmballë, deri në detaje. Pra, ishte i pamundur aktivizimi i tij, sepse rrezikohej skualifikimi nga UEFA, nëse ankesa e tyre do të merrej në konsideratë, siç erdhi rasti, kur “Flamurtari” u kualifikua.
Më pas, Lekbello do të ishte portier i parë me Kombëtaren, në 1987-ën, do të kishte dy takime radhazi: u rikthye në Vlorë më 28 tetor, ndaj Rumanisë (1-0 për rumunët) dhe pas një muaji, në Spanjë 0-5 (dy gola i pësoi me penallti). Për Lekbellon do të ishte hera e dytë që në harkun e një viti do të kthehej në Spanjë. Dhe ka një koincidencë të madhe: Nëse Kombëtarja luajti në Sevilje më 18 nëntor, pas një jave (më 25 nëntor), “Flamurtari” do të përballej me “Barcelonën” (1-0 në Vlorë, gol i Kushtës, dhe 1-4 në “Camp Nou”, realizoi Vasil Ruci me penallti). Megjithatë, në portë ishte Anesti Arapi. Për Lekbellon, ishte një periudhë pritjeje, sepse së shpejti do të bëhej edhe baba.
Telegrami i fshehur dhe takimi në “Dajti”!
Ky është një ndër paradokset më të mëdha në karrierën e Lekbellos. Viti 1991, e ka larguar nga atë nga ekipi “Lokomotiva”, ka ndierë dëshpërim, pasi e konsideron të mbyllur përfundimisht portën. Por, jo. Si një rrufe në qiell, një telegram i nisur nga klubi “Partizani”, do t’i jepte sërish një tjetër surprizë, madje edhe më të këndshme se ajo e Barcelonës. Në prag të takimit me “Fejnordin” e Hollandës në Kupën e Kampionëve, Musta, ishte larguar në Rumani te “Dinamo” e Bukureshtit dhe drejtuesit e Klubit, Sul Starova dhe Hasan Lika, kujtohen për Lekbellon. Një telegram urgjent Klubit durrsak, por nuk ka asnjë përgjigje.
Kalojnë ditë dhe pas dy javësh, krejt papritur, ndërsa ndodhej në Tiranë dhe po ngjiste shkallët e hotel “Dajtit”, takoi Starovën dhe Likën. “Pse nuk ke ardhur në grumbullim, po të presim, të kemi dërguar një telegram”? – e pyesin të habitur ata. Pa ditur asgjë për ftesën, Lekbello kupton, se telegrami i ardhur në Klubin Sportiv “Lokomotiva”, ishte fshehur qëllimisht dhe ai nuk ishte njoftuar. Ndërkohë ishte me mbipeshë trupore dhe pa stërvitje. Por gjithsesi, është gardian i portës në dy ndeshjet spektakolare, me “Fejnordin” e Roterdamit, 0-0 në Tiranë dhe 0-1, në Roterdam: “Kanë qenë takimet më të bukura të jetës sime”, – kujton Lekbello. Dhe këtu, fund karriere, në moshën 36-vjeçare: E filluar dhe e përfunduar me “Partizanin”.
Pasioni për muzikën, miqësia me Osman Mulën
Nuk është vetëm ai portieri që habiti Barcelonën dhe Roterdamin, por edhe diçka tjetër: Një pasion të pa treguar, shpeshherë akoma më të madh. Prindërit nuk i kultivuan Lekbellos sportin, por i lanë trashëgim; muzikën. Babai dhe e gjithë familja këndonin bukur dhe ishin orkestrues të njohur, sidomos në kitarë dhe mandolinë. Edhe Lekbello këndon e luan bukur në kitarë (në shtëpi ka dy kitara, njëra e markës amerikane “Gipson”). Kur ishte te Partizani, treshja Lekbello- Lame-Starova mbante gjallë gjithë ekipin. Po kështu edhe te Flamurtari, me Tahon kanë qenë një duet i paparë si zë i parë dhe i dytë.
Ndërsa te “Lokomotiva” me Niko Janin mbeten protagonistë në çdo eveniment festiv. Ka nostalgji për zërat e Bashkim Alibalit, Sherif Mejdanit, Tonin Tërshanës, ndërsa i pëlqejnë Eli Fara, Aurela Gaçe dhe Kastriot Tusha. Megjithatë, ajo që është e veçantë, mbetet miqësia me të njohurin Osman Mula. Kanë të njëjtin shpirt muzikor, këndojnë dhe u bien instrumenteve, Osmani saksit, Lekbello kitarës. Kanë luajtur futboll, madje në të njëjtin rol, pra portierë, dikush me karrierë të shkurtër te “Vllaznia”, tjetri shumë të gjatë dhe të suksesshme. Po sa i ngjajnë njëri-tjetrit: Kur i sheh në foto, i kujton vëllezër dhe lehtë mund të gabosh.
Vitet pas futbollit, çfarë bënte Tur Lekbello?
Lekbello ruante po ato tipare, pa ndryshuar aspak. Pas kthimit në Durrës, u emërua në Shkollën e Lirë Ushtarake në Spitalin Civil të atij qyteti, për t’u transferuar më pas, në Konvaleshencën e Ushtrisë në Plepa. Pastaj një tjetër lëvizje dhe rritje në detyrë: përgjegjës i Zyrës së Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit, ku vazhdoi punën për disa vite me radhë. Kujtonte situatat e vështira, siç ishte kriza kosovare, ajo e Gërdecit dhe përmbytja në Fushë-Krujë, në vitin 2011. Çdo ditë, çdo javë, për të, kishte lidhje me parashikimin dhe kushtet atmosferike: “Nëse parashikohet kohë e keqe me reshje, jemi në gatishmëri dhe monitorojmë me kujdes situatat. Ndryshe, kur ka diell dhe është kohë e mirë, e kemi si ditë pushimi”, kujton ai.
Një ftesë nga presidenti i Klubit Sportiv “Teuta e “Durrësit, Mon Hasanbelliu, vite më parë, e bëri të angazhohej si trajner me të rinjtë e atij Klubi. Nuk pati asnjë pasues të familjes në sport, pasi dy vajzat, janë mjeke dhe farmaciste (ashtu si Lekbello, që nuk ndoqi pasionin e prindërve të tij). Kishte një dëshirë të madhe, ende të parealizuar: Të rikthehej edhe një herë në Barcelonë, në atë qytet, në atë stadium, ku për një natë ishte mit, ishte mbret, atje ku frenoi Barcelonën në atë barazim legjendar 0-0, të 1 tetorit të vitit 1986. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016