Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Pas mbarimit të vitit të parë akademik, me rezultate shumë të mira dhe meqë në pushimet e verës ne nuk ktheheshim për pushime në Shqipëri, pranë familjes, dekanati më befasoi me një surprizë përtej çdo hamendësimi dhe imagjinate: sekretaria më dorëzoi një fletë pushimi për në qytetin më të famshëm kurativ të Bashkimit Sovjetik, në Soçi, në bregdetin e Detit të Zi, qytet fantastik me “tre kate”, ku pushonin funksionarë të lartë të Partisë dhe shtetit, ndërtuar vetëm me vila luksoze!
Për të mos thënë i vetëm, isha ndër shqiptarët shumë të rrallë që shkoja për pushime në këtë vend përrallor, me kushte tejet luksoze, (si hotelet e sotme me pesë yje), me kamerier dhe mjek personal, të cilat sa herë i kujtoj, më duken trill fantazie! Sepse kur zgjohesha dhe ngrihesha nga shtrati në mëngjes, në vilën dy kate, “Zallatoj Kollos”, – më dukej sikur përmendesha nga një ëndërr trallisëse, apo përjetoja botën e çudirave, pasi pranë meje, gjendej mjeku i vilës për të kryer detyrën: më maste tensionin, perimetrin e kraharorit, provonte frymëmarrjen, kontrollonte peshën, përcaktonte dietën ditore!
Pas higjienës së mëngjesit, ku përfshihej dhe dushi, shkonim në sallën e ngrënies bashkë me mjekun, pasi ky duhet të ishte i pranishëm gjatë ngrënies së ushqimit, që të shihte sa përqind të dietës së caktuar konsumoja. Përgjithësisht ishte i kënaqur me mbarëvajtjen e regjimit ditor, nuk ankohej për harxhim të tepruar energjie, me përjashtim të banjës në det, ku e tejkaloja kohën e notimit, shkoja përtej kufirit të caktuar dhe qëndroja më pak në diell. (As sot nuk e di, nga më erdhi kjo mirëqenie kaq e begatë, sa më dukej vetja i shndërruar në princin e kaltër!).
Ditën e tretë, në këndin sportiv të zonës tonë, tek fusha e tenisit, ishin mbledhur shumë kureshtarë. Ndaj shkova dhe unë aty të shihja çfarë e shkaktonte këtë interesim kaq të madh dhe pyeta me mirësjellje dy vajza të reja pranë meje. (Këto më vështruan me njëfarë habie, sikur po më thoshin: si ka mundësi të mos e dini që tani po ndeshen dy pianistët e rinj virtuozë, me famë botërore, rusi Ashkenazi, me amerikanin Van Klibnert?….)
– “Ne jemi studentë në Konservatorin e Moskës”, – tha njëra nga ato, me fytyrë çokollatë e shtat mesatar.
– “Prandaj jeni të pranishme këtu”?… – shtova unë me buzëqeshje. – “Cilin nga dy lojtarët adhuroni më shumë ju personalisht”? – e pyeta më tej.
– “Unë kam si parim: pëlqej atë që luan më mirë, – ma ktheu ajo. – Kurse shoqja ime, adhuron të fejuarin e saj…”, – theksoi me vështrim të ndezur.
– “Paskemi të dy të njëjtin parim, se edhe unë gjithnjë përkrah e mbështes më të zotin, pasi këtij i takon merita, – pohova unë. – Do t’ju lutesha të mos e merrni si kureshtje të tepruar vërejtjen time, por shoqja juaj, më duket ca e nervozuar…”- shtova me pëshpëritje.
– “E mundon frika mos i fejuari nuk fiton”?
– “Edhe kjo mund të jetë. Por çifutët në përgjithësi, kanë natyrë të ashpër, pa ëmbëlsinë e femrave ruse…”- ma ktheu ajo me pëshpëritje. – Keni dëshirë të vini në koncertin e dy virtuozëve”? – shtoi me vështrim pritës.
– “Me kënaqësinë më të madhe, nëse gjej bileta”! – iu përgjigja unë.
– “Biletat janë shitur dy javë para se të vinin pianistët këtu. Pritet me shumë interesim ky koncert. Quajeni veten me fat, që u takuam rastësisht dhe njohët shoqen e ngushtë të të fejuarës së pianistit rus. Kështu që do merrni një biletë rezerve”.
Unë e falënderova për mirësjelljen e treguar, duke i thënë se; po me dhuroni privilegjin më të madh, të cilin as mund ta ëndërroja! – Me të vërtet jam me fat që do marr pjesë në koncertin e dy pianisteve me famë botërore”! – pohova unë mjaft i kënaqur.
Ajo me pyeti në cilën vilë banoj, që të më dërgonte biletën me korrierin. Pas mbarimit të ndeshjes mes dy pianistëve, (ku fitoi vetëm me dy pikë amerikani), u përshëndetëm me premtimin se do shihemi në teatrin veror, ku do të jepej koncerti. Njohja me studentet e Konservatorit, ishte fat për mua, jo vetëm pse nëpërmjet tyre sigurova biletën për koncertin e madh, por m’u dha mundësia të takoja e bisedoja me dy pianistët virtuozë, gjatë kohës kur darkuam! Ditët që kalova në Soçi, ishin fantastike dhe përrallore, një muaj i artë pushimi, i papërsëritshëm!…
U ktheva në Moskë me energji të freskëta dhe kujtime të ëmbla! Por në vjeshtë u shfaqën vranësira tmerrësisht të zymta, me shtrëngata dhe rrebeshe të frikshme, kur nisi punimet Konferenca e 81 Partive Komuniste e Punëtore të Kampit Socialist, në Moskë. Të gjithë studentët shqiptarë, u pështjelluan nga një trysni brejtëse psikologjike. Morëm urdhër të formës së prerë, të kishim me vete në sallat e auditorëve dhe seminareve gazetën “Zêri i Popullit”, ku çdo ditë botoheshin artikujt redaksionalë me sulme të përbindshme kundër Udhëheqjes Hrushoviane, si tradhtare e Marksizëm-Leninizmit dhe e Diktaturës së Proletariatit, e cila po e qorrolliste Kampin Socialist, drejt batakut kapitalist.
Në ambasadë na dhanë udhëzim të rreptë, që në orët e mësimit të historisë së Partisë Komuniste (bolshevike) të ngremë zërin fuqishëm dhe t’ua përplasim me guxim e kurajë revolucionare në fytyrë profesorëve, “faktet e pamohuara të tradhtisë”, t’ua çjerrim maskën djallëzore renegatëve revizionistë, Judëve dhe Jagove të Kampit Socialist!…
Pas këtij urdhri, na kaploi një gjendje e tmerrshme ankthi e makthi, që filloi të na shoqëronte kudo si hije, ndaj ngryseshim e gdhiheshim me pasazhet rrëqethëse e drithëruese të luftës ideologjike për jetë a vdekje! Për mua u bë mjaftë e qartë, se pas kësaj kërleshjeje tmerrësisht të egër, mbi Shqipëri do dyndeshin shtjella të rrëmbyera tornadosh, stuhish e tajfunësh.
Ndërkaq lektorët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqipërisë, pohonin krejt të kundërtën: trumbetonin me mburrje të bujshme, se; “Shqipëria Socialiste gjendet në lartësi të tilla drejtuese, si asnjëherë më parë, në sajë të Udhëheqësit gjenial, me kurajë dhe largpamësi, i cili ua çori maskën dhe ua përplasi në fytyrë uzurpatorëve, tradhtinë ndaj Marksizëm-Leninizmit dhe u bëri thirrje popujve të Bashkimit Sovjetik, të ngrihen si në vitin 1917, të përsëritnin me të njëjtën madhështi, Revolucionin Socialist të Tetorit”!
Pas fjalimit të mbajtur nga Enver Hoxha, delegacioni ynë u largua urgjentisht nga Rezidenca Qeveritare, e caktuar enkas për ta, dhe u vendos në mjedisin e ambasadës tonë. Nga Tirana erdhën me avion ushqimet, pijet, frutat. Paniku i atentatit të mundshëm rritej nga dita në ditë, merrte përmasa gjithnjë e më të frikshme.
Prandaj ikja e delegacionit nga Moska, do të bëhej me tren ekspres. Neve na u dha si detyrë, të merrnim me vete sa më shumë kureshtarë vendas, që stacioni hekurudhor “Kievski Vokzall”, të mbushej plot e përplot me entuziastë, për të përcjellë “Udhëheqësin e Madh të popullit shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij”! Në fakt, kjo përcjellje ishte nga më të turpshmet dhe përçudnuese për studentët shqiptare, si pjesëmarrës aktivë në këtë ceremoni me shtirje të bujshme, sepse jo vetëm nuk u mjaftuam me thirrjet histerike për Enver Hoxhën dhe Partinë e lavdishme te Punës, por vrapuam si të çmendur në platformën e stacionit, ndoqëm si të ndërkryer vagonin ku udhëtonte Udhëheqja jonë largpamëse!…
(Prandaj rusët, që i kishin harruar ovacionet e bujshme pas vdekjes së Stalinit, na vështronin me keqardhje dhe mëshirë, të katandisur mos më keq!)
U bë e qartë për të gjithë, se pas tërmetit të Konferencës së 81 Partive Komuniste e Punëtore, marrëdhëniet shtetërore dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, do pësonin çarje përfundimtare. Pas këtij çasti, do niste metamorfoza e gaforres, ku padronët e rinj kinezë, do ta fusnin Shqipërinë Popullore Socialiste, në karantinën e izolimit të plotë. Si rrjedhojë e kësaj karantine politike, vendi u shndërrua në ishullin e njëmijë e një intrigave dhe kurtheve, çifligu i çmendurisë së Diktatorit, i cili besonte verbërisht se: “shqiptarët si popull prehistorik, janë mësuar të hanë bar, ndaj tërhiqen lehtësisht nga kapistra, mjafton t’u krehësh pak bishtin e, t’u thuash se ne nuk thyhemi, para asnjë shantazhi”!
E ndrydhur nga kjo gjendje e frikshme, vetëdija mbeti peng e mëdyshjes së ankthshme, nga përcaktimi i së cilës vendosej e ardhmja ime. Dekanati i Fakultetit më dha mundësi e garanci, të vazhdoja aty studimet, madje më premtoi shansin e dëshiruar, të ndiqja më pas studimet në Institutin “Gorki”, (meqë kisha prirje për letërsi)! E para herë që më jepej mundësia e artë, ta shndërroja ëndrrën në realitet, kur isha i sigurt se në Shqipëri, me shumë vështirësi do ta përballoja mbijetesën, pasi izolimi kishte nisur të brente përbrenda trupin e atdheut dhe nuk dihej ç’përmasa do të merrte sakrifica e vetëmohimit! Sigurisht, në kushtet e krizës, nuk bëhej fjalë për zgjedhjen e degës, sipas prirjeve dhe aftësisë.
Kjo kërkesë cilësohej shfaqje mikroborgjeze. Prandaj, para se ta hidhja këtë hap jetik, pyeta mendërisht shpirtin e nënës, nëse më lejonte të shkëputesha nga dashuria e shenjtë prindërore dhe a do të gjeja forca ta përballoja mëkatin ndaj vëllezërve e motrave, duke e ditur paraprakisht që këta edhe mund të kishin pasoja rrënuese, nga moskthimi im. Tundimi ndaj dashurisë së nënës (babai kishte ndërruar jetë, kur studioja në vitin e dytë të gjimnazit) dhe pendesa për shkaktimin e ndëshkimeve të motrave e vëllezërve, me urdhëruan të kthehem, me shpjegimin se fatet e njerëzve dhe shteteve, janë paracaktuar. Ndaj e vendosa: “Do bëhet ashtu siç është shkruar nga lart”
Kur u ktheva në Tiranë, gjendja ishte tmerrësisht e mjerueshme! Po ta krahasoje me nivelin e jetesës së Moskës, ishim 500 vjet prapa, metastazat e krizës i ndeshje në çdo hap! Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku na regjistruan ne, studentët e kthyer nga jashtë, të jepte përshtypjen sikur kishte dalë nga hiri i shpërthimit atomik: mungonte çdo gjë, deri tek uji dhe epruvetat!
Leksionet jepeshin fare thatë, pa eksperimente dhe ilustrime! Kur dëgjoja lektorët e këtushëm (dhe kujtoja akademike e shquar me famë botërore, deri nobelist, të cilët me shpjegimet e tyre tërhiqnin shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës, që udhëtonin enkas për të dëgjuar të rejat dhe zbulimet e fundit), ligjërimet e thata pa tharm shkencor të pedagogeve tanë, dukeshin mjeranë deri në dhimbje! Duke e parë gjendjen nga ky këndvështrim real, e vetmja mundësi për të mposhtur pezmin e dëshpërimit të thellë, ishte t’i përkushtohesha krijimtarisë letrare.
Por më parë duhej gjetur forma e të shkruarit, që të mos bija në batakun e Realizmit Socialist. Sepse, po të futesha në llurbën e kësaj kënete, aty do të mbetesha dhe sot, s’do isha ky që jam, madje do nëmja veten, që ndoqa këtë rrugë qorre, të qerthulluar me mashtrime. Isha i sigurt që vetëdija dhe karakteri im, nuk i përshtateshin metodës letrare të realizmit socialist. Nëse me sforcim do ta detyroja veten, t’i përkushtohesha Partisë dhe “Zeusit”, të pranoja idenë tmerrësisht fatale, se identitetin e kombit tonë, e krijoi Partia Komuniste, me shpjegimin rrëqethës, se pa Partinë në pushtet, ne do të ishim endacakë pa dinjitet, qenie të nëpërkëmbura, do të urreja shpirtin tim!…
Shpëtimin nga ky ngërç, e gjeta tek humori dhe satira. Përse të mos shkruaja një roman satirik, humoristik, që t’i prekte çështjet delikate të kohës, nëpërmjet analizave të holla psikologjike dhe filozofike?… Filluan të skicohen në imagjinatën time personazhet e romanit: Filozofi, juristi, intelektuali, futuristi, i lajthituri. Dhe në sfond, njerëz fare të rëndomtë: hokatarë e qyfyrexhi. Brenda një kohe të shkurtër, u ngjiz në fantazinë time tharmi i romanit, “Madam Doktoresha” dhe u shkrua me një frymë.
Ngjarjet u shtjelluan në plazh, gjatë disa ditëve. Në vend të shkoja në fakultet, merrja rrugën për në Parkun e Madh të Tiranës, duke mbajtur në dorë një fletore të trashë dhe laps. Ulesha diku ne pyll dhe shkruaja me orë të tëra pa ndërprerje. Mendimet rridhnin vrullshëm, pa pengesa. Dora lëvizte me shpejtësi mbi fletore. Faqet mbusheshin me shkrimin e imët, njëra pas tjetrës.
Në shtëpi askush nuk e dinte me çfarë merresha, ndaj ishin plotësisht të bindur, se ndiqja rregullisht studimet. Kur përfundova dorëshkrimin e romanit, me doli përpara pyetja: kujt duhet t’ia jap, për ta lexuar? (Ose më saktë: kujt duhet t’i bie në qafë, duke e torturuar me shkrimin tim të imët?). Sepse askush nuk merr përsipër, të lexojë një dorëshkrim qindra faqesh, edhe sikur të jetë perlë, e jo kur autori është fare i panjohur, për më tepër çunak 21 vjeçar.
Sidoqoftë, mora guxim dhe shkova deri në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por meqë e kisha për herë te parë, nuk dija në cilën derë te trokisja. U kuturisa disa minuta duke ecur nëpër korridor, pa vendosur si të veproja. Përpjekja ime më dukej sa serioze, aq dhe qesharake. I thashë vetes se duhej gjetur një zgjidhje tjetër dhe u mata të dilja jashtë. Tek shkallët u përballa me një burrë trup imët e fytyrëhequr, i cili më pyeti me zërin e tij të trashë:
– “Keni prurë për botim, poezi apo prozë”?
– “Ju pranoni dorëshkrime me shkrim dore”? – ia ktheva unë me njëfarë droje.
– “Bashkëpunëtorët i sjellin të daktilografuara. Por me sa shoh, ju i paskeni dorëshkrim origjinal. Mund t’u hedh një sy?… Bobo, sa imët e dendur paske shkruar!… Edhe me lente me zor deshifrohet! Di ta përdoresh makinën e shkrimit?
– “Nuk kam patur mundësi ta provoj…”, – i thashë unë i përskuqur në fytyrë.
– “Atëherë ne të dy, po lidhim këtë çast një marrëveshje: brenda pak ditëve, unë do t’ju gjej një makinë të vogël portative shkrimi, ndërsa ti, do ta shtypësh vetë në tri kopje. Kur ta përfundosh, njërën kopje do ta sjellësh tek unë. Me këtë rast mëson dhe përdorimin e makinës, e gjate daktilografimit, mund të bësh ndreqje apo përmirësime. Dakord?
Ai zgjati dorën të përshëndetej dhe u largua. Unë zbrita shkallët i hutuar. E quajta shans të mbarë takimin dhe njohjen me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Sidomos më beri përshtypje thjeshtësia dhe gatishmëria e këtij burri trup imët, për të më ndihmuar.
Pas një jave trokita me druajtje në kthinën e tij, në Lidhjen e Shkrimtarëve, për ta pyetur nëse e kishte gjetur makinën e shkrimit. Ai nxori nga sirtari i tryezës së punës një si valixhe metalike, e vendosi mbi syprinë, e hapi dhe më tha:
– “Nga pamja e jashtme nuk ta mbush syrin, sepse nuk ngjason me makinat moderne të shkrimit. Por punën e kryen mjaft mirë, mund ta bartësh në duar lehtësisht dhe e përdor në çdo mjedis. Ta gëzosh! Do të takohemi në barin e ‘Dajtit’ pas një muaji, ditën e shtunë, pas orës nëntë para dite. Shpresoj ta kesh përfunduar së shtypuri krejt dorëshkrimin. Atëherë punë të mbare dhe mirë u takofshim!…”- shtoi ai duke zgjatur dorën për t’u përshëndetur.
Unë e falënderova për mbajtjen e fjalës dhe bujarinë e treguar, futa nën sqetull makinën e vogël portative të mbështjellë me gazetë dhe i premtova se do bëja çmos, ta përfundoja së shtypuri dorëshkrimin para afatit të caktuar.
– “Sidoqoftë, të shtunën pas një muaji, do jem në barin e ‘Dajtit’ me kopjen e daktilografuar të romanit”!… – theksova unë mjaft i kënaqur. Duke ecur me makinën portative nën sqetull, më dukej sikur po kthehesha nga vendi ku përjetohen dëshirat e ëndërruara, ndaj e ndjeja veten të lumturuar! Nëna u habit kur e pa dhe më pyeti e shqetësuar: “ku i gjete paratë qe e bleve”?! Unë iu përgjigja se; ma ka dhënë hua një shok për njëfarë kohe, që të shtypja disa shkrime.
Dhe për te mos patur ngacmime, e merrja me vete makinën e shkrimit, atje ku shkoja, ne park, e vendosja mbi një trung të prerë dhe punoja pa ndërprerje, deri pasdite. Në fillim pata vështirësi për shkathtësimin e gishtave dhe fiksimin e shkronjave në tastiere. Prandaj ditët e para, rendimenti ishte i ulët. Por më tej sikur ia mora dorën dhe ritmi i punës u përshpejtua. Isha mjaft i kënaqur që ia dola mbanë, ta dorëzoja në kohën e duhur dorëshkrimin të daktilografuar! Edhe shkrimtarit i qeshën sytë, kur i vendosa mbi tryezë vëllimin e romanit.
– “E meriton një kafe ekspres”!… – tha ai duke buzëqeshur. – Besoj të janë stërvitur mollëzat e gishtave! Të lodh pak më shumë se makinat e tjera, pasi rulin duhet ta rrotullosh me dorë, por të mbaron punë. Atëherë, takimin e radhës do ta bëjmë fiks pas katër javësh këtu, ditën e shtunë, prandaj po e shënoj në kalendar…”- shtoi ai, kur unë u ngrita për te ikur. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016