Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e pestë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
SI E ARRESTUAN BARDHIN?
Këto që po përmend këtu më poshtë, janë disa grimca kujtimesh, të shkruara në shoqërinë e tymit të cigares, i cili, duke bërë dredha në ajër, duket sikur del jashtë dhomës, merr rrugëtimin e largët, për të shkuar sa më larg e sa më thellë në kalvarin e familjes Cara, nga Kavaja. Kjo familje qe shpërngulur e qe vendosur për arsye pune në qytetin e Fierit, në vitin 1939 dhe jetoi atje, për gati një gjysëm shekulli.
Arsyeja e vetme që më shtyu t’i shkruaj këto kujtime, është që t’u rrëfej pasardhësve e gjithë bashkëqytetarëve tanë, vuajtjet dhe poshtërimet që na bënë pushtetarët komunistë, për arsye fare të kota! Çfarë faji kishte bërë im shoq, Bardhi, që u vu në shënjestër të policisë së fshehtë komuniste? I vetmi “faj” që kishte bërë Bardh Cara para burgimit, ishte se ai qe i biri i Musa Carës, prandaj për atë pushtet, Bardhi ishte “armik i popullit”!
Ai ishte njeri i ndershëm, punonte privat, si shumë të tjerë në qytet, ishte shitës i enëve të ndryshme prej bakri. Furnizimin e bënte në Kavajë. Çdo gjë me dokumente të rregullta. Familja jonë bënte një jetë normale, fare të thjeshtë. Unë punoja si mësuese në atë kohë dhe bashkë, ishim të kënaqur me jetën që bënim.
Në vitet 1964-‘65 u dha urdhër nga shteti, që të ndalohej tregtia private. U tha se zyra e punës, do t’i punësonte njerëzit sipas profesioneve që kishin. Bardhin e kishin punësuar si bufetis, në fshatin Drizë, ku sapo kishin filluar punimet e Azotikut. Në punë ai, ishte shembullor. Punoi një vit dhe befas atë e pushuan, sepse dikujt i shkoi mendja, se ai ishte djali i një të arratisuri politik, i një ish-eksponenti të “Ballit Kombëtar”!!
Për rrjedhojë, (çfarë çmendurie e prapë!) Bardhit nuk i lejohej të punonte nëpër vende ku po ndërtoheshin vepra të mëdha industriale!! Mbeti shumë kohë pa punë im shoq, derisa më në fund, e çuan punëtor në Ndërmarrjen Rruga-Ura, shumë larg nga qyteti, ku dhe e arrestuan shumë shpejt! (Ç’paradoks! Shtet i paradokseve!)
Ishte ditë e diel, 26 shkurt 1967. Si zakonisht, burrin e përcolla për në punë, në orën gjashtë e gjysëm, në mëngjes. Në orën nëntë të po atij mëngjesi, një trokitje e fortë u dëgjua në portë! Dola shpejt dhe e hapa e trembur! Kur, ç’të shihja?! Gjashtë burra fytyregërsuar, qëndronin para portës, mes tyre operativi i lagjes, Bastri Basha, kryetari i Këshillit Popullor të lagjes “15 Tetori”, Fejzi Hoxha, një anëtar i Këshillit të lagjes dhe tre policë.
“Ku e ka dhomën e tij Bardhi”?- pyeti egër operativi i Sigurimit.
“Unë jam e shoqja! – i thashë e tronditur.- Çfarë ka bërë Bardhi”?
“Do ta marrësh vesh me vonë se kush është Bardhi”! – u përgjigj ai gjithë inat.
Ua tregova dhomën me drejtimin e dorës, që më dridhej si purtekë. Zemra më rrihte fort, sikur donte të dilte nga vendi. Përse kishin ardhë gjithë ata njerëz?! Çfarë qëllimesh kishin?! Ç’po ndodhte me familjen tonë?!
Njerëzit e qeverisë u futën në dhomë me vrull dhe më thanë me ton urdhërues e, arrogancë:
“Ti rri aty te dera dhe mos prek asgjë me dorë! Ne kemi ardhur të kontrollojmë shtëpinë e armikut të popullit, Bardhi Cara”!
“Bardhi armik”?!- thashë unë, tepër e tronditur dhe e befasuar.
“Po, po, armik, dhe shumë i rrezikshëm”! – m’u përgjigjën ata.
Dhe pas këtyre fjalëve, ia nisën kontrollit, duke shqepur të gjitha gjërat që ishin të qepura, dyshekë e jastëkë dhe për çfarë dyshonin. I kthyen të gjitha përmbys, madje edhe një qyp farfuri i kohës së parë, që ishte shumë antik e i bukur, me grykë të ngushtë, ku nuk hynte dora, por bënte një zhurmë, kur e tundje, e thyen! (Fëmijët kishin futur brenda kopsat e trikos dhe një shami të vogël dore, që nuk i linte të binin kopsat poshtë.)
E thyen! Në dysheme u shpërndanë copat e qypit, kopsat dhe shamia. Ata kushedi se ç’menduan, të kishte brenda. Pasi mbaruan me kontrollin, më dhanë një letër dhe më thanë me zë të egër: -“Firmos këtu, që gjatë kontrollit nuk të kemi dëmtuar asnjë gjë”! Firmosa, duke m’u dridhur stilolapsi në dorë dhe i pyeta e habitur: “Përse nuk po më thoni, se çfarë ka bërë Bardhi? Ta di të paktën?!
Kryetari i këshillit të lagjes, m’u përgjigj me një ton habitor: “Nuk na e kishte marrë mendja kurrë për Bardhin! Paska qenë thëngjill i mbuluar, si druri i marinës, që, kur ia shikon hirin, duket i shuar, po ta prekësh, të djeg, shpuzën e ka brenda! Nesër shko çoja një batanije në burg”!
Ikën! Dhe lanë pas frikën, trishtimin. Në ato çaste, thashë me vete, se më iku tepeleku i kokës, por një thirrje e brendshme më frenoi: “Ndal! Çfarë po bën? Mblidhe veten”! Sikur të ishte vërtetë thirrja e të madhit Zot! Jo se u qetësova, por vërtet e mblodha disi veten. M’u ftilluan mendimet në kokë. Pleqtë e moçëm, dikur thonin: “Një fjalë e thënë në kohën e duhur, është ilaç për t’u shëruar”.
Një zë brenda vetes më thoshte: “Sofi, mos u dëshpëro shpirtërisht, mos u dorëzo fizikisht, sepse ti qëndron në lartësinë e duhur, nuk keni bërë asgjë të keqe, se je besimtare e vërtetë tek Zoti”! Atëhere, me zemër të dridhur, iu drejtova të Plotfuqishmit për ndihmë: “O Zot, i qofshim falë vullnetit tënd! O Zot, falmë qetësinë tënde! O Zot, derdhe Mëshirën Tënde për mua, për njerëzit e mi më të shtrenjtë”!
Heshtja ka raste që të çon në dobësi e paralizë shpirtërore, ose të bën të pajtohesh me humbjen dhe fatkeqësinë. Duhet të veprosh shpejt, me vendosmëri e pjekuri, që të tregosh se çfarë njeriu je, se sa i vlefshëm je, për të mbrojtur veten. Shpeshherë nga prindërit, trashëgojmë vetinë, se si të respektojmë më të mirët, si t’i analizojmë gjërat që dëgjojmë, që të mbajmë më të mirën dhe të hedhim poshtë atë që nuk vlen për ne. Duhet ta vëzhgojmë për një farë kohe tjetrin me urtësi, që të vërtetojmë, në se veprimet përputhen me fjalët.
Njeriu është i destinuar të bëjë vetëm atë që fati i ka caktuar, të provojë vuajtjet e ndryshme nga qeveria, apo sistemi shoqëror dhe asnjëherë të mos fajësojmë të madhin Zot! Dihet nga të gjithë, që, po ju nënshtrove fatit të keq, bëhesh skllav i tij dhe nuk gjen lumturi. Si mund ta anashkaloj atë ditë, që do të mbetet e paharruar për mua, atë trembje, atë trishtim e dhimbje të madhe, ata lot të derdhur, që, kur hapin shtegun, nuk e mbyllin ditë e natë së rrjedhuri.
Por njeriu ndodhet edhe përpara qëndrimeve të reja, situatave të papritura, kur i vihen të gjitha gjërat kundra. Ashtu ndodhi me mua. Zagarët e diktaturës komuniste, kapeshin me mua pas vogëlsirash të kota, më ndanë nga njerëzit e mi, bënin kallëzime të rreme, më çonin në punë të vështira, që unë të mërzitesha e të kapitulloja. Ndonëse nuk rashë në këtë grackë, ata më në fund më pushuan nga puna. Koha është si ilaçi, që zbut inatin, jeta vazhdon të ecë, shpresa për të jetuar vazhdon, sa të jesh gjallë, si yjet në qiell, që nuk shuhen kurrë.
Kur një shpirt humbet qetësinë, është shumë e vështirë të kthehet në zemrat e njerëzve që janë mësuar të bëjnë keq, sepse ata pushtetarët e atëhershëm, vetëm keq kanë ditur të bëjnë, nuk dinin të bëjnë asnjëherë mirë. Njeriu ndodhet përpara të papriturave të hidhura dhe duhet të bëhet i fortë, që të mos tërhiqet, sado sharje e kërcënime të ndryshme t’i bëhen. Mirëpo mos tërheqja për mua, qe një fatkeqësi tjetër e madhe. U mbështeta tek forcat e mija, ndoshta ato ishin të fundit në jetën time. Mendova të jetuarit e vetme, e braktisur. Kush nuk ka nevojë, ta duan?
Në të vërtetë ndiejmë kënaqësi, kur mendojmë se të afërmit na duan, por sa keq ndihemi kur dikush na lëndon dhe bën që të afërmit të na braktisin, të na mohojnë, të mos na takojnë, jo se nuk na duan, por këtu na hyn në mes fara e keqe, djalli. Ajo që nuk mund të ndryshojë kurrë dashurinë për të afërmit, është vetëm zemra. Isha ngopur keqas me mbresa të këqija për ato që më ndodhën dhe ku arrita?! Sa e lehtë është të flasësh për jetën! Por sa e vështirë është ta jetosh atë jetë! Unë u mësova vetëm, e ndrydhur, duke i kaluar orët, ditët, javët e muajt, në heshtje e durim, në mënyrë që jetën time, ta bëja më të lehtë.
Vështirësitë që më kapën, duhej t’i kapërceja pikërisht me atë jetë të vetmuar, duke jetuar me kujtimet për njerëzit e mi, për prindërit, motrën, vëllezërit, nipat, mbesat dhe farefisin e dëshpëruar. Koha ecte shumë ngadalë, tmerrësisht ngadalë, tamam si hapat e ecjes së breshkës! Shpeshherë mendoja e i jepja kurajo vetes: “Sofi, mos e çaj kokën, mos e vrit mendjen! Tashti i ke vënë detyrë vetes, të rritësh dy fëmijë të vegjël, që kanë shumë nevojë për ty”.
Por nganjëherë më pushtonte dëshpërimi, bëhesha pesimiste, aq sa dëshiroja të vdisja. (Kësaj i thonë të flasësh me veten, të bëhesh shok me veten!) Isha e re, 22 vjeç. Ndoshta, thoja me vete, do të kishte qenë më mirë të mbyllja sytë, e mos t’i hapja më, që të mos shihja njerëzit e mi, me të cilët ishim në të njëjtin qytet, por, në të njëjtën kohë, shumë larg, sikur të mos ishim të një gjaku.
Dhe këtë dhuratë e kishim nga e famshmja “lufta e klasave”. Çdo festë që vinte, uroja me zemër që këta njerëz të dashur për mua, të gëzonin shëndet e lumturi, kurse të gjitha të ligat e tyre, të vinin tek unë, sepse fati, (jo Zoti,) më kishte zgjedhur pikërisht mua, që të provoja këtë kalvar, të kaloja të gjitha të këqijat e kësaj bote. Një zemër e gëzuar, ta shton jetën, një goditje, sado e vogël në zemër, ta ligështon e ta than atë.
Tashti, i thoja vetes, jam e ndarë me njerëzit e mi, vetëm mendimet e ndjenjat, më lidhin me ta. Sa e keqe qenkësh ndarja! Ajo është e hidhur, si pelin. Një fjalë e urtë, thotë: “Kur nevoja për jetën hyn nga dera, dashuria për jetën, del nga penxherja”! Shumë rrallë e kisha parë nënën time nga larg, asnjëherë nuk u ndeshëm ballë për ballë. Unë e ndieja dhembshurinë e saj si nënë, sepse isha bërë vetë nënë. Lotët më shkonin si pikat e shiut, zemra më shtrydhej si limoni.
Nëna ime kishte frikë të më fliste, sepse e shikonin me sy qeni, njerëzit e atij sistemi komunist dhe pastaj bënin denoncim. Kështu e pësonin vëllezërit dhe motrat, sepse lufta e klasave, shkonte në shtatë breza! E vërteta ishte se, po jetonim kohë shumë kritike. Njerëzit ishin shumë të frikësuar, të terrorizuar mendërisht, sepse regjimi ishte shumë e keq, hakmarrës, aq sa që të shtypurit i kishin humbur shpresat, për një jetë sado pak më të mirë.
Njerëzit ecnin rrugëve të frikësuar, të hutuar, me pasigurinë për atë që do të vinte. Ashtu edhe prindërit e mi. Jo se më kishin hequr nga zemra. As që mund të mendohet një gjë e tillë. Sepse, dihet që çdo prind, zemrën dhe jetën e jep për të mirën e fëmijëve të tij. Por le të kthehemi tek arrestimi qesharak i tim shoqi, Bardhit. Përse e kishin arrestuar atë?!
AKUZA E PARË
Qysh nga dita e arrestimit të Bardhit, kishin kaluar dy muaj. Sipas udhëzimeve nga lart, (ishte viti 1967,) që elementët “armiq të pushtetit”, të bëheshin shembull për të gjithë, gjyqi i Bardhit, do të zhvillohej në lagje. Ne si familje, nuk na lajmëruan fare. Banorët e lagjes dhe shumë persona nga lagjet e tjera, ishin lajmëruar. Atë ditë, kur shkova të blija bukë, para se të hyja brenda, dëgjova një fqinjë, që i thoshte tjetrës: “Selvi, do të vish në orën 10, tek shkolla Nr.6, se del Bardhi në gjyq…? Kështu na lajmëruan”!
Sapo hyra unë, ato i prenë fjalët si me gërshërë, nuk folën e, po më shikonin me bisht të syrit. Ishte ditë e diel, njerëzit e kishin pushim. Ky gjyq aplikohej për herë të parë, pra, që të goditej personi publikisht dhe dënimin ta bënte, gjoja, lagja, ndonëse atë e kishte dhënë me kohë, qeveria! Tek ballkoni i shkollës Nr.6, para një tavoline të madhe, ishin ulur; hetuesi, prokurori, kryetari i Këshillit të Lagjes, anëtarët e gjyqit, më tej ishin policët, që e kishin rrethuar burrin tim, Bardhin, se mos ikte(!?), të cilit, edhe pse po gjykohej, hekurat nuk ia kishin hequr nga duart!
Hetuesi, një farë Zoi Çavo, lexoi “akuzën”, që kishte hartuar për dënimin e burrit tim. Ai u shpreh kështu: “Sot, më datë 28 prill 1967, jemi mbledhur këtu për të gjykuar e dënuar në një gjyq special, armikun e popullit, Bardhi Carën, gjyq ky që bëhet për herë të parë, në këtë formë, për ta dënuar vetë banorët e lagjes të akuzuarin. Lagjja e njeh më mirë tradhtarin e popullit Bardhi Cara, i cili është armik i betuar i partisë, me shokun Enver Hoxha në krye!
Bardhi është i biri Musa Carës, i cili edhe ky është një armik i betuar i pushtetit tonë, ka qenë eksponent i ‘Ballit Kombëtar’, që u arratis nga Shqipëria dhe shkoi në Australi. Ai nuk u kthye më, sepse e dinte se çfarë e priste. Bardhi ka paramenduar që të arratisej jashtë shtetit, për tek i ati, sepse mendonte që jeta atje, është më e mirë se tek ne. Ai ka ofenduar vëllezërit tanë kinezë, që janë miqtë më të mirë për ne! (Kur u prishëm pak më vonë me Kinën, njerëzit e drejtësisë tonë, nuk ia hoqën Bardhit dënimin që i dhanë.)
Kinezët dhe italianët në vitet 1965-1966, punonin për ndërtimin e Azotikut në Fier. Bardhi, sipas tyre kishte marrëdhënie të mira me italianët, (në atë kohë, si shtet, nuk i kishim mirë punët me Italinë,) se ai na paskësh bërë agjitacion e propaganda, për fenë! (Në vitin 1967 tek ne u prishën barbarisht kishat e xhamitë, u ndalua besimi fetar!!) Në fakt Bardhi, kur po prishnin kishën në qytet, i kishte thënë një komshiu, që e kishte shok: “Sa keq, që po i prishin gjithë këto kulte fetare, kaq të bukura! E çfarë të keqe po i bëjnë ato shtetit?! Ato janë vepra arti të vlefshme, me piktura shumëvjeçare”.
(Këto fjalë, Bardhi i pranoi që i kishte thënë.) Burri im ishte mysliman, unë kristiane, por të dy nuk faleshim, ndonëse të dy besonim në një Zot! Kur po bënte mbylljen e akuzës, hetuesi tha me zë të lartë: “Bardhi është i pakënaqur nga partia jonë dhe të gjithë ata që veprojnë si ky, populli vetë do t’i gjykojë e, do t’i dënojë”! Pas mbarimit të fjalëve të hetuesit, e mori fjalën kryetari i Këshillit të Lagjes e disa të tjerë, që u vinin gishtin. Më e bukura ishte se ata që flisnin, ishin oficerë e kapterë ushtrie, të ardhur në Fier dhe banonin në lagjet e tjera.
Ata nuk e njihnin fare Bardhin dhe flisnin siç e kishin marrë “mësimin”. Për një gjë është e qartë: po nuk e njohe tjetrin, nuk ke çfarë flet. Dukej qartë që gurin dhe arrën, e kishte në dorë ai shtet policor, që shtypte pa mëshirë të gjithë ata që nuk i donte. Hetuesi pastaj, ia dha fjalën kryetarit të Frontit Demokratik të Lagjes sonë, me emrin Llambi Profka, burrë serioz, i cili, ndër të tjera, tha: “Po çuditem që sot po dëgjoj këto fjalë për Bardhin. Unë e kam pasë shumë afër, asnjëherë s’e kemi pasur problem atë për asnjë gjë.
Të gjithë në familjen e tij, i njohim si njerëz të mirë, që shikojnë punën e tyre. Problem ne kemi ca të tjerë, për të cilët duhen marrë masa…! (Pas pak ditësh, Llambi Profkën e hoqën si kryetar të Frontit.) Në përfundim të gjyqit, nga banorët e lagjes, nuk foli asnjëri, sepse na njihnin mirë, që vërtet ishim familje që shikonim punën tonë. Meqenëse nuk na kishin lajmëruar fare për të ardhur në atë “gjyq”, kur na pa aty, hetuesi kërkoi të flasë një person nga familja e, ky njeri, isha unë.
Njeriu në jetë, po nuk pati pengesa e rreziqe, nuk ka si e kalit karakterin e tij. Edhe sot e kësaj dite, nuk e shpjegoj dot, se ç’qe ajo fuqi, ç’qe ajo shtytje e të madhit Zot, kaq hyjnore, që më erdhi pranë në ato çaste e, më ngriti peshë nga vendi, ku po rrija e mbyllur, si një midhje në guaskën e vet! Në ato çaste zemra më rrihte aq fort, sa gati po më shkulej nga kraharori dhe ajo jepte një mallkim të heshtur si varri. U ngjita shpejt, në ballkonin ku ishin personat e gjykimit të burrit tim. Ia fillova të flisja për Bardhin, që e kishin lënë pa punë e, që ishim pa bukë në shtëpi.
Hetuesi, i skuqur flakë në fytyrë, ma preu fjalën, duke më bërtitur dhe nuk më la të vazhdoja “Ulu, ulu, shoqe”! – më foli me ton urdhërues. – “Ulu poshtë e mos fol më! Unë mendova se do të shtoje ndonjë gjë tjetër, për t’i treguar vendin këtij armiku! Në radhë të parë, ai është armik, në radhë të dytë, ty me dy fëmijët, donte të të braktiste, atë që e ke, dhe tjetrin që po të vjen në jetë! Ti je shumë e re, 22 vjeçe, jetën e ke përpara, tashti duhej të kërkoje ndarjen nga ky. Ik, ik, mos fol më! Ta dish, se një ditë do të pendohesh për këtë gabim të madh që po bën, që po i del në mbrojtje një armiku të partisë sonë, i cili nuk të ka dashur dhe nuk ka menduar për ty e fëmijët e tu! Mos fol më, ik”!
Le të falenderoj e të adhuroj të madhin Zot, i cili na ushqeu, kur kishim uri, na këshilloi, kur ishim të çoroditur, na tregoi rrugën, kur e kishim humbur e, na mbron e na drejton gjithmonë me këshillat e tij, na jep zemër e forcë, që të mos u trembemi të këqijave që na vijnë! O Zot, të qofsha falë, nuk e di se si më mbrojte, që nuk më doli fëmija nga barku, ato ditë! Isha në muajin e tetë të shtatzënisë; kur po prisja gëzimin e lindjes së fëmijës së dytë, prita hidhërimin e madh, të fatit të burrit, që po e dënonin si armik!
Kur zbrita nga shkallët, kisha marrë çehren e verdhë të një të vdekuri, këmbët më dridheshin, mezi po më mbanin për të shkuar tek vendi ku isha. Aty pashë një polic, që po bisedonte me një grua, e cila ishte shefe kuadri në NSHN, (Ndërmarrja Shtetërore e Ndërtimeve), kuptohet, ishte komuniste dhe e kishte burrin ushtarak, komisar, nga Tepelena. Ajo nuk ishte banore e lagjes tonë, ishte nga lagja “Konferenca e Pezës”.
Shefja e kuadrit, ashtu siç pritej, u tregua shumë e gatshme të kryente detyrën që i dha polici, menjëherë u ngjit lart tek shkallët, në ballkon, dhe ia filloi si papagall, siç ia kishin mësuar mësimin të tjerët. Ajo foli gjithë servilizëm, për “ato që bën Partia dhe shoku Enver për popullin” e, pasi e shau Bardhin si një rrugaçe, tha:
“Unë jam grua dhe, po të vepronte burri im kështu si ky, ju betohem, për idealin e partisë, do të isha unë e para që do ta denoncoja, do t’i jepja dënimin më të rëndë dhe do ta ndaja”! Ajo e mbylli fjalimin e saj, me këto fjalë: “Propozoj që të merret masë edhe për të shoqen e tij, sepse edhe ajo ka qenë bashkëpunëtore me burrin! Kësaj shoqes i ka ardhur mirë, që burri t’i arratisej jashtë shtetit, sepse jeta atje bëhet më e mirë se këtu, dhe ai do t’i dërgonte dollarë, prandaj e mbron burrin ajo”.
Unë isha 22 vjeçe, po bëhesha nënë me dy fëmijë, kurrë nuk do ta çoja ndër mend, të më ikte burri! Ne ishim vetëm burrë e grua dhe nuk jetonim dot pa njëri- tjetrin. Në fakt, ajo shefja komuniste, ra vetë në grackë, bëri vetë “agjitacion e propagandë”, kur tha se; “jeta jashtë shtetit, bëhet më e mirë se këtu”! Asaj i duheshin vënë prangat në atë kohë, jo burrit tim! Por ajo ishte vegla e tyre, qorre!
Hetuesi, mbasi u bind se lagja nuk pati ankesa dhe nuk do ta dënonte Bardhin, u ngrit e tha: “Mirë, atëhere. Ju nuk e dënuat Bardhin, por atë do ta dënojë gjyqi i popullit dhe ligji”! Sigurisht, njerëzit e drejtësisë vareshin nga qeveria, populli i thjeshtë, ishte i ndrydhur nga ajo qeveri e keqe, sepse ata që janë rebeluar, gjithnjë i ka futur shtatë pash nën tokë dhe frika i ka bërë njerëzit të hutuar, të çoroditur, të flasin me vete, duke shikuar andej e këtej, duke kontrolluar edhe hapin e tyre ku e hidhnin.
Familja e Bardhit ka vuajtur shumë: shtëpinë dykatëshe na e morën me dhunë, e bënë çerdhe për fëmijët në atë kohë; triskat e frontit, nuk na u dhanë; fëmijët na mbetën me shtatë klasë shkollë, sepse për të nesërmen e tyre, nuk bëhej fjalë fare. Djemtë ndihmonin gjyshin, që shiste artikuj poçerie. U rritën me halle të mëdha të gjorët, deri sa krijuan familjet e tyre. Sabriu u martua me Teftën, Bardhi me mua, Sofikën, Xhevdeti, siç do ta lexoni më poshtë, nuk vendosi të martohej, kurse Besniku me Burbuqen…! Prandaj edhe hapin që hidhnim, e kontrollonim në çdo drejtim që shkonim. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016