• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, July 25, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Pas gafës që bëri Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, Dr. Shiroka i tha; unë s’të lejoj të bësh eksperimente te shqiptarët, siç keni bërë në…”/ Historia e panjohur e legjendës së mjekësisë shqiptare

“Pas gafës që bëri Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, Dr. Shiroka i tha; unë s’të lejoj të bësh eksperimente te shqiptarët, siç keni bërë në…”/ Historia e panjohur e legjendës së mjekësisë shqiptare
“Pas gafës që bëri Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, Dr. Shiroka i tha; unë s’të lejoj të bësh eksperimente te shqiptarët, siç keni bërë në…”/ Historia e panjohur e legjendës së mjekësisë shqiptare
“Pas gafës që bëri Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, Dr. Shiroka i tha; unë s’të lejoj të bësh eksperimente te shqiptarët, siç keni bërë në…”/ Historia e panjohur e legjendës së mjekësisë shqiptare
“Kur Liri Belishova kishte thirrur të shoqen e Tukut dhe e kishte provokuar, ajo e kishte nxjerrë përkrahu jashtë, duke…”/ Raporti i Punëtorit Operativ, Halim Xhelo
“Pas gafës që bëri Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, Dr. Shiroka i tha; unë s’të lejoj të bësh eksperimente te shqiptarët, siç keni bërë në…”/ Historia e panjohur e legjendës së mjekësisë shqiptare
“Dr. Vangjel Meksi, realizoi projektin e tij madhor, ku besimtarët dëgjonin fjalët e Zotit në shqip, ndërsa nxënësit shqiptarë në shkollat greke mësonin…”/ Historia e panjohur e rilindësit të parë shqiptar
“Në librin e tij ‘Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër’, Dr. Kadri Kërçiku, për kolegun e tij, Dr. Shirokën, ka shkrue…”/ Historia e panjohur e mjekëve të famshëm, nga Dr. Tedeschini, te Kol Mark Suma, etj.

Nga Prof. FEDHON MEKSI

Memorie.al / Frederik Shiroka, mjek kirurg i shquar, themelues… i Kirurgjisë moderne shqiptare, lindi më 27 shtator 1907 në Shkodër, qytet me tradita të lashta atdhedashurie dhe bujarie, në një familje atdhetare shkodrane me tradita e kulturë. Shkollën fillore e kreu në Kolegjin Severian, që konsiderohej si një shkollë elitare në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë. Frederiku, qysh në fëmini, dallohej për zgjuarsi dhe talent të veçantë në disa drejtime. Ai luajti suksesshëm në teatrin e shkollës, zotëronte disa vegla muzikore dhe njihte disa gjuhë të huaja.  Ai ishte gjithashtu i talentuar edhe në sport dhe ka qenë një notar mjaft i mirë.

Hapat e para

Gjatë pushimeve të verës, Frederiku adoleshent, u aktivizua me ekipin e futbollit të Shkollës së Jezuitëve e, më vonë me skuadrën e futbollit “Juventus”, që përbëhej vetëm nga të rinj të fesë katolike. Veçse, një pjesë e lojtarëve të Shoqërisë “Juventus”, pa marrë parasysh pasojat që do të kishin nga ana fetare, u bashkuan me shoqërinë laike “Studenti – Shkodra”. Këta sportistë ishin: Luigj Shala, Frederik Shiroka, Anton Mazreku etj.

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur mjekët italianë këmbëngulën që operimi i syrit të tij, s’mund të bëhej pa narkozë, ai u tha…”! / Historia e panjohur e Plakut të Butkës, që “uli në gjunjë” edhe gjeneralët e diplomatët francezë

“Me ftesë të Hysni Kapos, Valter Audicio erdhi në Shqipëri dhe u akomodua në një nga vilat e plazhit të Durrësit, ku vinte për ta takuar edhe…”! / Dëshmia e rrallë e përkthyesit të kolonelit që vrau Duçen

“KIRURGJIA NUK KA ATDHE, KIRURGU KA”

Mbasi mbaroi shkollën fillore në vitin 1923, Frederiku u dërgua prej familjes së tij, që të vazhdonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës), ku shkolloheshin edhe shumë të rinj të tjerë nga Shkodra. Frederikut iu deshën vetëm 2-3 muaj, që të mësonte gjuhën gjermane, të folur dhe të shkruar. Ai përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme (1928) dhe fitoi bursën për të vazhduar Fakultetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë. Pasi u diplomua, vendosi të bëhej kirurg dhe u specializua për Kirurgji dhe Gjinekologji, meqenëse Shqipëria në atë kohë kishte shumë nevojë për kirurgë dhe gjinekologë.

Në shkollat austriake u formua një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë. Por, ajo që mësohej në Austri përveç profesionit, ishte edhe sjellja e hijshme, fjala e mençur dhe edukata qytetare, pa të cilat çdo njeri, sado i zoti që të jetë, nuk është asnjëherë i plotësuar në formimin e tij. Frederik Shiroka gjatë gjithë jetës së tij dhe në të gjitha situatat që do t’i krijoheshin, tregoi se ishte shembull gjallë i një intelektuali shqiptar, që kishte kryer me sukses gjimnazin, universitetin dhe specializimin, në shkollat austriake.

Edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Grac, ai vendosi të kthehej në atdhe. Kur e pyetën pse do të kthehej në Shqipëri, ai u përgjigj i vendosur: “Kirurgjia nuk ka atdhe, kurse kirurgu ka”. Si edhe disa intelektualë të tjerë shqiptarë, sidomos mjekë, që nuk pranuan kërkesat për të punuar në katedrat e universiteteve të Europës, madje dhe të SHBA-së, Dr. Frederik Shiroka erdhi për të punuar në Shqipëri. Shqipëria në ato vite kishte nevojë të madhe për intelektualë të zotë, bij e bija të saj.

Këta mjekë që erdhën për të punuar në atdheun e tyre mbeten edhe sot si shembuj të gjallë të atdhedashurisë dhe humanizmit. Të tillë ishin edhe mjekët e mirënjohur Jovan Basho, Osman Jonuzi, Sabri Tefiku, Ismail Tartari, Kadri Kërçiku, J. Jorgoni, Shefqet Ndroqi, Dhimitër Lito e shumë të tjerë. Kësaj plejade i takon edhe Dr. Frederik Shiroka, që ndihej krenar se ishte shqiptar. Mbahet mend të ketë thënë se; “…unë nuk kam dojç kulturë, por kam kulturën dhe edukatën shqiptare, që më dhanë nëna dhe baba im”.

NGA GRAC NË TIRANË

Në vitin 1935, Dr. Shiroka filloi punën në Spitalin e Tiranës, si mjek kirurg dhe do të punonte si asistent i mjekut hebre, Prof. Lehmann, i cili vuri re talentin e kirurgut të ri, qysh në operacionet e para të kryera prej tij. Dr. Shiroka, i përkiste atij brezi intelektualësh, të cilët njohën Shqipërinë pas Kongresit të Lushnjës dhe me Tiranën kryeqytet, që dukej se po merrte njëfarë fizionomie si shtet. Ardhja e Dr. Shirokës në Spitalin e Tiranës, u mirëprit nga kolegët e tij, si Dr. Sabri Tefiku, Dr. Besim Zyma etj., të cilët e ndihmuan dhe e orientuan Dr. Shirokën, për të njohur Tiranën, spitalin dhe kolegët e tjerë.

Sjellja e tij natyrale dhe elegante e dallonin nga gjithë të tjerët. Të sëmurët dhe familjarët e tyre u dashuruan me këtë mjek që u buzëqeshte atyre, i shikonte në sy dhe ua vinte dorën në sup, për t’u dhënë kurajë. Në regjistrat e operacioneve që u kryen gjatë viteve 1935-’40 në Spitalin e Tiranës, janë pasqyruar ndërhyrjet kirurgjikale me shkallë të lartë vështirësie të kryera nga Dr. Frederik Shiroka, si p. sh., operacionet në të sëmurët që vuanin nga tuberkulozi i kockave, në të sëmurët me plagë të shumta nga dëmtime të mëdha të organeve kryesore, në trajtimin e sëmundjeve obstetrike kirurgjikale, në sëmundjet urologjike, në sëmundjen e ekinokokut të gjeneralizuar e, shumë e shumë të tjera.

Duke u nisur nga talenti i kirurgut të ri dhe me të ardhme të sigurt, Dr. Lehmann, ish-shefi i tij në Spitalin e Tiranës, që tashmë ndodhej në Amerikë, në vitin 1940, e ftoi zyrtarisht në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Filadelfias, për të punuar së bashku, por përgjigjja e Dr. Shirokës ishte e prerë: “Unë jam më i dobishëm në Shqipëri, se në Amerikë. Unë do të veproj njësoj si mjekët e tjerë shqiptarë, ashtu si Ashta, Benusi, Kërçiku, Zyma, Basha etj., që qëndruan në Shqipëri ku populli i do dhe i nderon”.

PUSHTIMI FASHIST DHE TRANSFERIMI NË SHKODËR

Pushtimi fashist e gjeti Dr. Frederik Shirokën në krye të punëve në Spitalin e Tiranës. Ai tashmë kishte kryer shumë operacione të suksesshme, brenda një kohe fare të shkurtër (1935-1939). Në vitin 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur Prof. Lehmann si hebre që ishte, u largua nga vendi ynë, shef i Kirurgjisë mbeti ish-asistenti i tij, Dr. Frederik Shiroka. Pas pushtimit të Shqipërisë, pa u vonuar, kirurgët italianë zunë vendet kryesore në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Tiranës.

Koleg i Dr. Shirokës tashmë do të ishte Dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, të cilit Dr. Shiroka, pas gafës së radhës që bëri, i tha prerazi: “Unë nuk të lejoj të operosh në këtë mënyrë e, të bësh eksperimente në trupat e shqiptarëve, siç keni bërë në Abisini. Teknikat operatore që përdorni ju, tashmë janë të vjetruara, kurse shqiptarët, që janë ndër kombet më të lashta të Europës, meritojnë të trajtohen ndryshe, prandaj jua theksoj edhe një here, se nuk ju lejoj të operoni me mua”.

Fjalët e Dr. Shirokës u përhapën vetëtimthi te personeli mjekësor i spitalit, te të sëmurët dhe familjarët, të cilët u ndjenë krenarë për qëndrimin e vendosur të idhullit të tyre. Për të plotësuar figurën e shëmtuar të këtij mjeku italian, do të përmend edhe një ngjarje të shëmtuar, që lidhet me të. Pas çlirimit të vendit, ai u kap në Portin e Durrësit, si shoqërues i kufomës së një oficeri të lartë italian, barkun e të cilit e kishte mbushur me monedha të shumta floriri.

Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar, ai qëndroi edhe disa vjet në Shqipëri, por këtë radhë në burg. Duke qenë se Dr. Shiroka nuk pranoi të hynte në Partinë Fashiste, e larguan nga Tirana dhe e transferuan në Shkodër, në qytetin e lindjes, si shef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës. Ai qëndroi në vendlindje nga 1 dhjetori 1940, deri në 7 prill 1946. Në Shkodër ai dha një ndihmesë të madhe në mjekimin e popullit në spital e, në çdo shtëpi ku e thërrisnin.

Ai ndihmoi pa u kursyer luftëtarët e lirisë, të plagosur në luftën kundër fashizmit. Në ditët e para të çlirimit, mjekoi pa u lodhur të gjithë partizanët që çliruan Shkodrën, të plagosur ose të sëmurë. Në periudhën e tifos së morrit, që u shfaq në vitin 1945 në gjithë vendin, dolën në pah edhe një herë zotësia dhe aftësitë e tij organizative. Dr. Shiroka iu drejtua me një thirrje popullit të Shkodrës, për t’i dhuruar spitalit 400 shtretër, si edhe batanije e dyshekë. Brenda ditës, Spitali i Shkodrës u pajis plotësisht, për të pritur të sëmurët e shumtë të infektuar nga tifoja.

PËRSËRI NË TIRANË

Në vitin 1946, Dr, Shiroka u kthye në Tiranë, si kirurg i parë në Spitalin Civil dhe kryekirurg i gjithë Shqipërisë. Ai ishte shumë entuziast që do t’u shërbente të sëmurëve dhe do të përgatiste mjekët e rinj, të cilët po ktheheshin në atdhe, pas plotësimit të viteve mësimore që u mungonin, për shkak të luftës. Por ai fillimisht u ndesh me shumë vështirësi e pengesa, si edhe me xhelozinë e disa kolegëve. Shpesh e quanin mikroborgjez, madje në një gazetë të Tiranës (Bashkimi) ishte shkruar se “Dr. Jani Basho dhe Dr. Frederik Shiroka, nuk përfillin eksperiencën sovjetike”. Vetëm pak vite më vonë, do të ishin mjekët sovjetikë, që do ta ftonin në Moskë Dr. Shirokën.

Pas disa operacioneve demonstrative që kreu në sallat e operacioneve të spitaleve universitare moskovite, ata pohuan njëzëri, se kishin përfituar mjaft nga mjeku shqiptar me duar të arta, sikurse e quajtën vetë ata. Mjekët rusë ngelën të mahnitur, veçanërisht nga njohuritë e thella, talentin dhe zhdërvjelltësinë e kirurgut shqiptar. Në të vërtetë, populli shqiptar kishte vite që ia kishte vënë këtë emër të merituar Dr. Frederik Shirokës. Gjatë viteve 1946-1955, për herë të parë në vendin tonë, ai operoi me sukses në të gjitha organet e trupit të njeriut. Dr. Shiroka edhe një herë tregoi formimin e tij akademik të shkëlqyer, talentin natyral dhe karizmën personale, duke dominuar për shumë vjet, si figura qendrore e Kirurgjisë shqiptare.

Ai preku çdo fushë të Kirurgjisë nga pulmonet, kockat, në mëlçi, stomak, zorrë, tru, aparatin urogjenital, deri në traumatologji. Ai kreu perikardiolizën e parë në Shqipëri, operacionin në zemër, që konsiston në heqjen e cipës së perikardit tashmë të trashur dhe të aderuar me zemrën, pas perikarditeve me origjinë tuberkulare, që ishin shumë të shpeshta në ato kohë. Dr. Shiroka dha një ndihmesë të shquar për trajnimin e kirurgëve të rinj, por edhe në drejtim të organizimit të sallave të operacioneve, që ndodheshin në qytetet periferike të vendit dhe përparimin e kirurgjisë në gjithë Shqipërinë. Ai ishte pedagog i Institutit të Lartë të Mjekësisë, që u inaugurua në vitin 1952, por mundi të japë vetëm dy leksione, për studentët e mjekësisë së vitit të tretë.

NJERIU DHE KIRURGU

Dr. Frederik Shiroka në radhë të parë ishte njeri i drejtë, gojëmbël, por edhe i papërtueshëm. Ai shëroi me fjalët e tij të ngrohta dhe me duart e tij të arta, qindra e mijëra shqiptarë. Ishin të shumtë tiranasit që e shikonin birin e tyre në çdo kohë, në të ftohtë e në vapë, me biçikletën e tij të vjetër “Bianki”, kur kalonte në kalldrëmet e “Rrugës së Dibrës”, për të shkuar në spital. Kirurgu me duar të arta, megjithëse jetoi në tri regjime të ndryshme, mbeti shqiptar me karakter dhe dinjitet. Ambicieve të disa kolegëve partiakë në ato vite, ai iu përgjigj me punë cilësore, me kujdesin e tij të sinqertë për të sëmurët dhe me modesti. Frederik Shiroka mbeti për kolegët kirurgë dhe për të gjithë bashkatdhetarët e tij, një idhull që rrallë i vjen një kombi.

Në Spitalin e Tiranës përmendej deri vonë gjesti i Dr. Shirokës, që bashkë me infermieren e tij M. Caci, i dhanë gjak nga gjaku i tyre, një fëmije në gjendje të rëndë dhe me anemi, para operacionit që duhej të kryej sa më parë. Çdo pjesë e trupit të njeriut e, çdo organ i tij i dëmtuar, u prek nga bisturia e artë e Dr. Shirokës dhe në shumicën e rasteve, ajo ishte jetëdhënëse për qindra e mijëra pacientë që operoi. Shumë ndërhyrje kirurgjikale të vështira, të bëra për herë të parë në Shqipëri, mbajnë vulën e Dr. Shirokës. Në vitet 1952-‘53 të shekullit XX-të në Angli, Prof. Terenc Milli, paraqiti një teknikë të re operatore për kurimin e adenomës së prostatës, sëmundje e shpeshtë te meshkujt mbi 60 vjeç.

Dr. Shiroka, së bashku me kolegët e tij të rinj, e zbatoi për herë të parë në vendin tonë këtë teknikë kirurgjikale, ndërkohë që në klinikat e vendeve të tjera të Ballkanit, nuk njihej fare. Ai kryente me sukses operacionet në kokë, duke u bazuar vetëm te shenjat klinike që paraqiste i sëmuri, pa pasur arteriografi, skaner apo, rezonancën manjetike që përdoren sot. Kuraja e tij u shtua edhe më tepër, kur erdhën dhe filluan të specializohen për Kirurgji nga vetë ai mjekët e rinj, të cilët ai i shikonte si e ardhmja e Kirurgjisë shqiptare. Këta do të ishin plejada e madhe e kirurgëve të shkollës së Dr. Shirokës.

Në vitin 1985, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Dr. Frederik Shirokës, Dr. Dhimitër Lito, drejtori i Sanatoriumit të Shkodrës, i mbështetur nga të gjithë intelektualët shkodranë, organizoi një sesion shkencor, që u përsërit më pas edhe në Tiranë, me iniciativën e Profesor Petrit Gaçe, i cili në fjalën e tij, e quajti Dr. Frederik Shirokën “Themelues i Kirurgjisë Shkencore Shqiptare”. Tashmë figura e doktor Shirokës është vendosur krahas korifenjve të tjerë shqiptarë të shkencës. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht shkodranët, kanë të drejtë të krenohen, që bashkë me Fishtën dhe Migjenin, lindën edhe “Poetin” e kirurgjisë shqiptare, Frederik Shirokën, kirurgun e talentuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Ai ishte një mjek që i përmbushte me korrektësi e pikë për pike, detyrat e famshme të betimit të Hipokratit, duke qenë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, pa dallim, se cili ishte dhe se cilës klasë i përkiste. Nga viti 1947, ai ishte anëtar i Institutit të Shkencave të Shqipërisë (sot Akademia e Shkencave), kurse në vitin 1948, u dekorua me Urdhrin e Punës të Klasit I-rë, me motivacionin: “I dalluar në mënyrë të veçantë për punë të palodhur e frytdhënëse, për merita të shquara në aplikimin e shkencave të mjekësisë, për cilësi të rralla teknike dhe me rezultate të mira të operacioneve, ka kontribuar në shkallë të gjerë për përforcimin e shëndetit të popullit”.

Dr. Frederik Shiroka vdes papritur nga Infarkti i Miokardit, në orën tre të natës, më 15 dhjetor të vitit 1955. Duke iu referuar revistave dhe gazetave të datave 16-17 dhjetor të vitit 1955, që dilnin në Tiranë, “Populli i Shkodrës dhe të tjerë të ardhur nga i gjithë vendi, me dhimbje, nderim dhe respekt të thellë e përcollën Dr. Shirokën në varrezat e Rrmajit”. U shkrua shumë për Dr. Shirokën, u mbajtën konferenca e simpoziume për veprën e tij dhe për gjurmët shkencore e humane që la pas.

OLIMPIA, GRUAJA AUSTRIAKE DHE LETRAT E SAJ

Olimpian nga Tiroli, e kishte njohur e dashuruar gjatë kohës së studimeve në Austri. Me mbarimin e studimeve, Olimpia u bë bashkëshortja e Frederikut dhe e ndoqi atë në Shqipëri. Pas ndarjes nga jeta të doktorit, Olimpias, për të siguruar mbijetesën, iu desh të kërkonte që të punësohej diku. Ajo nuk kishte asnjë profesion, përveç gjuhës amtare, që ishte gjuha gjermane. Pasi shërbeu në disa ambasada, më në fund kaloi në ambasadën e Gjermanisë Lindore në Tiranë, ku punoi për disa vjet.

Në ato kohë ishin gjallë vëllezërit dhe e ëma e saj që jetonin në Itali, por ajo preferoi që të banonte në Tiranë, edhe pse doktori nuk i la asnjë pasuri dhe iu desh që bukën e gojës, ta fitonte duke punuar vetë. Kjo vërteton plotësisht faktin se Dr. Shiroka, edhe pse gjatë 20 viteve kishte operuar dhe vizituar disa mijëra të sëmurë, nuk kishte lënë asnjë pasuri.

Veçse kërkon përgjigje pyetja se; pse Olimpia nuk u kthye në vendin e saj të lindjes?! Ajo qëndroi në Tiranë, si e shoqja e Dr. F. Shirokës dhe si e tillë ajo ndihej e sigurt, e mbrojtur dhe e përkrahur nga të gjithë banorët e Tiranës. Më në fund, në mesin e viteve ’60-të, ajo shkoi në Itali, ku e priste kushërira e saj, e vetmja nga të afërmit që ishte gjallë. Letrat e shumta që u dërgonte Olimpia nga Tiroli i Italisë, miqve të familjes së tyre në Tiranë, pas ndarjes nga jeta e doktorit, plotësojnë ato që tashmë njihen për Dr. Frederik Shirokën dhe familjen e tij.

Në letrat e saj, gruaja e “doktorit”, siç e quante ajo të shoqin, i përmend me mburrje dhe kënaqësi të ligjshme të gjitha nderimet që iu bënë të shoqit pas vdekjes. Ajo përmend që një rrugë në Tiranë, tashmë mban emrin e tij. Ajo përmend gjithashtu se për të përjetësuar kujtimin e kryekirurgut të vendit, mori emrin dhe u vendos busti i tij, në hyrje të pavijonit 14, që ishte drejtuar prej Dr. Shirokës.

Gjithashtu u vendosën buste të punuara nga skulptorja e njohur Kristina Hoshi, si në Sallën e Operacioneve të Spitalit Civil të Tiranës, ashtu edhe në auditorin kryesor të Institutit të Lartë të Mjekësisë. Në letrat e saj ndihej dhimbja nga humbja e Frederikut, njeriut më të shtrenjtë të saj, që ishte e pashlyeshme. Veçse respekti e dashuria që tregonin njerëzit e thjeshtë për “doktorin” dhe të shoqen e tij, qe shërimi i shpirtit të saj.

Ajo shkruante: “Njerëzit qanin me dënesë gjatë funeralit të tij, që ishte shprehje spontane e popullit dhe jo një miting i organizuar. Kur po shkonim për në Shkodër për ta varrosur, rrugës na është dashur shumë herë që të ndalonim makinën dhe të hapnim arkivolin e të vdekurit, mbasi njerëzit donin të shihnin për herë të fundit Doktorin e tyre”.

Në një letër tjetër që mban datën 17.2.1964, e veja e Dr. Shirokës shkruan: “Pak ditë para se të vdiste, Frederikut tim të shkretë, që për popullin ishte shenjtori i të varfërve, i thashë se asnjëri nuk do ta besonte që ne ishim gjithmonë pa lekë në shtëpi. Një herë tjetër e pyeta, çka do të kisha bërë në rastin e ndonjë fatkeqësie. Atëherë ai më vështroi gjatë e më tha: ‘Në një rast të tillë, vendos vetë, a do të vazhdosh të rrish këtu, apo do të ikësh në Itali, te njerëzit e tu’”.

Shkodra, qyteti i kulturës dhe i atdhetarizmit, ka nxjerrë njerëz të shquar të kombit shqiptar. Në mes tyre shkëlqen Dr. Frederik Shiroka, themeluesi i Kirurgjisë moderne shqiptare, i cili përkujtohet me krenari nga i gjithë populli, pacientët, familjarët e tyre dhe nxënësit e tij. Në 25 dhjetor të vitit 2020, mbushen 65 vjet nga vdekja e Dr. Shirokës. Me këtë rast mund të organizohet një konferencë përkujtimore në kujtim të veprës së tij.

Në këtë konferencë mund të paraqiten me referate shkencore pedagogët e Shërbimit Universitar të Kirurgjisë së Përgjithshme, që japin sot leksionet për studentët, të cilat i filloi, por pa mundur t’i vazhdonte Prof. Frederik Shiroka, kirurgu i madh shqiptar. Gjatë aktivitetit të dendur dhe të shkëlqyer të Dr. Shirokës, mungojnë vetëm punimet shkencore.

Por, në “kohën e Shirokës” ishte e pamundur që të gjendej koha e duhur për veprimtari shkencore, aq më tepër kur ai ishte i vetëm dhe duhet të zgjidhte problemet kirurgjikale të të sëmurëve, që vinin nga gjithë Shqipëria. Dr. Shiroka, i ndërgjegjshëm për këtë mangësi, ka lënë një amanet për kolegët e tij: “Në pamundësi kohe dhe shëndeti, historinë e mjekësisë shqiptare, po e shkruaj me majën e bisturisë. Të tjerët le ta shkruajnë me majën e pendës”! Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Davidi, është djali i Mimiko Kantozit, i cili në Shqipërinë komuniste, punoi gjithë jetën në ‘Albturizëm’, kurse tani jeton në Tel Aviv, pasi...“/ Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

Next Post

“Në burgun e Burrelit, u miqësova me Dom Ndoc Nojën, vëllai i njërit nga ‘Heronjtë e Vigut’, nëna e të cilit jetonte në Shkodër me pensionin e të birit ‘Hero’, por Ndoci...”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës  

Artikuj të ngjashëm

“Në librin e tij ‘Gjashtë muaj histori të Shqipërisë’, koloneli francez Dekon, pranoi propozimet e Sali Butkës për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe…”/ Refleksionet e studjuesit dhe historianit të njohur
Personazh

“Kur mjekët italianë këmbëngulën që operimi i syrit të tij, s’mund të bëhej pa narkozë, ai u tha…”! / Historia e panjohur e Plakut të Butkës, që “uli në gjunjë” edhe gjeneralët e diplomatët francezë

July 20, 2025
“Me ftesë të Hysni Kapos, Valter Audicio erdhi në Shqipëri dhe u akomodua në një nga vilat e plazhit të Durrësit, ku vinte për ta takuar edhe…”! / Dëshmia e rrallë e përkthyesit të kolonelit që vrau Duçen
Personazh

“Me ftesë të Hysni Kapos, Valter Audicio erdhi në Shqipëri dhe u akomodua në një nga vilat e plazhit të Durrësit, ku vinte për ta takuar edhe…”! / Dëshmia e rrallë e përkthyesit të kolonelit që vrau Duçen

July 20, 2025
“Me Enciklopedinë e tij, Sami Frashëri kërkonte të bënte për Turqinë, atë që bëri Didëroi për Francën në shekullin e XVIII-të dhe pikërisht…”/ Refleksionet e akademikut të njohur, për rilindësin e shquar
Personazh

“Me Enciklopedinë e tij, Sami Frashëri kërkonte të bënte për Turqinë, atë që bëri Didëroi për Francën në shekullin e XVIII-të dhe pikërisht…”/ Refleksionet e akademikut të njohur, për rilindësin e shquar

July 19, 2025
Fotografi me pamje të ndryshme nga Gjirokastra në vitet 1910-1930
Personazh

“Veli Hashorva, si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar, shënon në programin e tij, moton bazë të gazetarisë, ku shkruan se…”! / Historia e panjohur e intelektualit atdhetar nga Gjirokastra, që vdiq në Turqi

July 17, 2025
“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit
Personazh

“Gazeta e parë që u hap në Gjirokastër në gjuhën shqipe, ishte ‘Drita’, në vitet 1920-1924, me editor patriotin dhe publicistin Veli Hashorva…”! / Historia e panjohur e intelektualit të shquar gjirokastrit

July 16, 2025
“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit
Personazh

“Qyteti modern e ka zanafillën e tij në shekullin e XV-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën hyqmin e Sulltan Mehmetit II-të, zhvilloj Korçën dhe…”/ Historia e panjohur e bamirësit të madh, dhëndrit të Sulltan Bajazitit

July 12, 2025
Next Post
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   

“Në burgun e Burrelit, u miqësova me Dom Ndoc Nojën, vëllai i njërit nga ‘Heronjtë e Vigut’, nëna e të cilit jetonte në Shkodër me pensionin e të birit ‘Hero’, por Ndoci...”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës  

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme