Nga Nafi Çegrani
Pjesa e dytë
FENOMENI I SPIUNAZHIT JUGOSLLAV
Memorie.al / Spiunazhi, i njohur që nga kohërat e lashta si “syri i padukshëm i pushtetit”, në Ballkan mori gjithnjë një ngjyrim tragjik e të përgjakur. Në këtë hapësirë ku perandoritë janë përplasur si dallgët mbi shkëmbinj, fshehtësia dhe tradhtia u bënë monedhë e përditshme. Për shqiptarët, ky fenomen nuk ishte vetëm teknikë e pushtetarëve për të kontrolluar popullin, por një plagë që u ngulit në psikologjinë kolektive dhe në ndërgjegjen historike. Në thelbin e tij, spiunazhi nuk është thjesht mbledhje informacionesh – është dhunë e rafinuar mbi mendjen e njeriut, një ndërhyrje në zonat më intime të lirisë. Ai përzien frikën me dyshimin, duke e bërë njeriun të humbë qetësinë e brendshme dhe shoqërinë të copëtohet nga mosbesimi. Në këtë kuptim, spiunazhi është akt i dytë i skllavërisë: i pari është vargonjtë fizikë, i dyti është burgimi i ndërgjegjes.
Metodat e përdorura për rekrutimin përfshinin:
Shantazh personal dhe moral: informacion mbi jetën private apo lidhjet familjare shndërrohej në instrument presioni.
Prejardhja ideologjike: rekrutimi shpesh prezantohej si “shërbim ndaj revolucionit” ose, “mbrojtje e kombit”, duke maskuar presionin real.
Përdorimi i përfitimeve materiale: privilegje ekonomike, udhëtime jashtë vendit, mundësi karriere – të gjitha shërbenin si kurthe.
Manipulimi i afeksioneve personale: miq, kolegë, dashnore – shpesh përdoren për të bindur individin të bashkëpunojë.
Duhet kuptuar se ky sistem krijonte tension të vazhdueshëm midis dëshirës për liri dhe frikës nga pasojat. Shumë individë refuzuan të bashkëpunojnë dhe u gjendën përballë izolimit, burgut ose vdekjes sociale. Ata që pranuan shpesh u bënë pjesëmarrës të heshtur të një mekanizmi të madh manipulimi, duke mbajtur në shpirtin e tyre një betejë të heshtur morale dhe ekzistenciale.
Si të tilla, me kombinime operative dhe mision të heshtur, rrjetet agjenturore copëtuan shoqërinë. Besimi u shndërrua në luks, ndërsa dyshimi u bë normë. Diaspora shqiptare në Perëndim, veçanërisht në vitet ’60–’80-të, u përball me infiltrimin e UDB-së dhe Sigurimit, duke çuar në përçarje të organizatave emigrante dhe humbje të fuqisë kolektive.
Esencialisht duhet kuptuar se rekrutimi i agjentëve dhe informatorëve si një fenomen specifik i çështjes që po trajtojmë, është një pasqyrë e tensionit midis frikës dhe lirisë, midis mbijetesës dhe ndërgjegjes. Historia shqiptare e periudhës komuniste, por edhe përvoja e Ballkanit dhe e Bllokut Lindor, tregon se individi shpesh duhet të balancohet midis dy botëve: një bote të dukshme të sigurt dhe një bote të fshehtë të shpirtit që kërkon liri dhe ndershmëri.
Përsëri them se, megjithatë, rrjetet agjenturore dhe rekrutimet e sofistikuara nuk janë thjesht histori të shërbimeve sekrete. Ato janë tregime për natyrën e njeriut, për tensionin midis moralit dhe frikës, dhe për sfidën e përhershme të ruajtjes së lirisë së brendshme, edhe kur syri i padukshëm i pushtetit duket se e mbulon gjithçka. Shembujt e individëve shqiptarë tregojnë se, edhe nën presionin më të madh, ekziston një mundësi për të ruajtur dinjitetin dhe ndërgjegjen, si akt i përhershëm i lirisë.
AGJENTURAT KOMUNISTE DHE LABIRINTI I DYFISHTËSISË
Rrjetet agjenturore të Jugosllavisë dhe të Bllokut Lindor, ishin më shumë se shërbime inteligjente; ato ishin organizma të sofistikuar të kontrollit, ku çdo individ ishte nyjë e një labirinti të panjohur dhe të vështirë për t’u kuptuar. Në krye qëndronte hierarkia e ngushtë: udhëheqës të lartë politikë dhe ushtarakë, të cilët përcaktonin objektivat strategjike, dhe nën ta, struktura e zyrtarëve operativë, instruktuesve dhe koordinatorëve që mbulonin rajone, qytete dhe fshatra.
Në Jugosllavi, OZNA dhe më pas UDB-ja, ngritën rrjetet në mënyrë territoriale dhe sektoriale. Çdo rajon kishte një qendër operative që mbikëqyrte spiunët, informatorët dhe diversantët. Informatorët vullnetarë shpesh hynin në sistem si “sy i fshehtë” brenda komunitetit, por shumë prej tyre u kthyen më pas në agjentë të dyfishtë, duke punuar njëkohësisht për UDB-në dhe për shërbime të tjera të influencës, ose për të mbrojtur vetveten nga rreziqet që përbënin bashkëpunimi i vetëm.
Në Bllokun Lindor, rrjetet agjenturore, si KGB-ja në Bashkimin Sovjetik, Stasi në Gjermaninë Lindore dhe Służba Bezpieczeństëa në Poloni, ishin strukturuar më hierarkikisht dhe me mjete teknologjike më të avancuara. Ata përdornin një kombinim të survejimit elektronik, informatorëve të fshehtë dhe agjentëve të infiltruar në emigracion. Sistemi ishte i tillë që çdo informacion kalonte nëpër disa nivele kontrolli, duke bërë pothuajse të pamundur verifikimin e tij nga jashtë.
Agjentët e dyfishtë ishin një instrument i pazëvendësueshëm i këtyre rrjeteve. Ata mund të shërbenin për dy shërbime njëkohësisht: njëherë si burim informacioni për shërbimin që i rekrutoi dhe njëherë për të mbrojtur interesat e veta ose të komunitetit të tyre. Një rast tipik është ai i disa shqiptarëve të rinj të rekrutuar nga UDB-ja në Kosovë, të cilët më pas mbajtën lidhje të fshehta me Sigurimin e Shtetit shqiptar. Ky status i dyfishtë i ekspozonte individët ndaj frikës, dyshimit të dyfishtë dhe përgjegjësisë morale të pafund.
Lidhjet me Shqipërinë ishin gjithashtu të sofistikuara dhe të fshehta. Rrjetet jugosllave dhe të Bllokut Lindor monitoronin emigrantët shqiptarë në vendet fqinje dhe në Perëndim, duke përdorur diversantë dhe informatorë për të shkatërruar organizata emigrante, për të inskenuar akuza dhe për të kontrolluar aktivitetin politik të diasporës. Sigurimi i Shtetit shqiptar shpesh i përdorte këto rrjete për të identifikuar dhe izoluar individë brenda vendit, duke krijuar një sistem të ndërlikuar survejimi me dy drejtime: nga jashtë dhe nga brenda.
Shikuar këto çështje si specifika në aspektin psikologjik, ky mekanizëm krijonte një atmosferë të padukshme frike dhe dyshimi. Shqiptari dhe bashkëpunëtorët e dyfishtë jetonin me një tension të përhershëm: çdo veprim mund të interpretohej, çdo fjalë mund të kthehej kundër tyre. Rrjeti agjenturor nuk godiste vetëm trupin, por edhe ndërgjegjen dhe shpirtin, duke e bërë moralin të një lloji të veçantë: moral i mbijetesës, i fshehtë dhe i ndarë nga vlerat publike.
Kurse, nëse bëjmë një qasje nga aspekti sociologjikisht, rrjetet e tilla ishin instrumente të fuqishme për ndarjen e komuniteteve. Besimi shndërrohej në luks, ndërsa dyshimi bëhej normë. Ndarja, izolimi dhe kontrolli u kthyen në elementë të përhershëm të jetës së përditshme, duke deformuar jo vetëm marrëdhëniet midis individëve, por edhe vetë idenë e komunitetit dhe solidaritetit.
Sepse, është më se e kuptueshme se rrjetet agjenturore janë metaforë e pushtetit që shikon gjithçka dhe gjithkënd, por njëkohësisht janë prova e fuqisë së ndërgjegjes njerëzore. Ata tregojnë se, edhe nën presionin më të madh, njeriu mund të ruajë moralin dhe dinjitetin, duke zgjedhur heshtjen e ndërgjegjes përballë errësirës së jashtme. Historia e rrjeteve agjenturore, si në Jugosllavi ashtu edhe në bllokun lindor, është historia e një betejë të vazhdueshme midis kontrollit absolut dhe lirisë së brendshme të shpirtit njerëzor.
SHTEGTIMI DHE SAKRIFICA NË ANALET E SPIUNAZHIT
Në sfondin e rrjeteve të sofistikuara agjenturore, individi shqiptar shpesh u shndërrua në një lojtar të heshtur në një teatër ku çdo lëvizje kishte pasoja. Secili agjent apo informator ishte një botë e vetme, një betejë midis frikës, mbijetesës dhe ndërgjegjes morale.
Një rast tipik është ai i Mustafë Lleshit, siç kam përmend në një shkrim timin të veçantë ose edhe në librin me titull “Diversantët”, Stafa si komandant kufitar në Dibrën e veriut, i cili pas ikjes nga Jugosllavia në fillim të viteve ’50-të u përball me dyshime të vazhdueshme nga të dy shërbimet: UDB-ja e kërkonte si “armik të shtetit”, ndërsa Sigurimi i Shtetit shqiptar e monitoronte, për të parë nëse bashkëpunonte me ndonjë rrjet të jashtëm. Ai u detyrua të zgjedhë rrugën e moralit të vet, duke refuzuar çdo tentativë për të spiunuar bashkëatdhetarët dhe duke ruajtur integritetin e tij, pavarësisht rreziqeve personale dhe të familjes.
Një shembull tjetër vjen nga Kosova e viteve ’60-të, ku disa studentë shqiptarë në universitetet e Beogradit u rekrutuan nga UDB-ja për të raportuar mbi aktivitetet e kolegëve. Disa prej tyre u bënë agjentë të dyfishtë: nga jashtë raportonin për UDB-në, ndërsa brenda komunitetit shqiptar mbajtën informacione të fshehta, për të mbrojtur shokët e tyre nga akuza të pabazuara. Ata jetuan me tension të vazhdueshëm moral dhe emocional, duke e ditur se çdo veprim mund të shndërrohej në tragjedi për veten ose për të tjerët.
Në Shqipëri, disa intelektualë dhe artistë u rekrutuan nga Sigurimi i Shtetit për të monitoruar aktivitetet kulturore dhe akademike të shokëve. Një pjesë refuzoi bashkëpunimin dhe u përball me burgim, ndëshkime dhe internim, ndërsa të tjerët pranuan, shpesh për të mbrojtur familjet e tyre. Historia e tyre tregon dilemën e përhershme midis mbijetesës dhe besnikërisë morale. Disa mbajtën në fshehtësi të dhëna të rëndësishme për të shpëtuar jetë, duke jetuar me barrën e dyfishtë: frikën dhe ndërgjegjen.
Rastet e agjentëve të dyfishtë janë veçanërisht dramatike. Ata shpesh kishin lidhje me dy shërbime të ndryshme: njëherë si burim informacioni për pushtetin që i kishte rekrutuar, dhe njëherë për të ruajtur interesat e tyre ose të komunitetit. Ky status i dyfishtë e vendoste individin në një betejë të heshtur psikologjike: çdo vendim kishte pasojë morale dhe jetësore.
Theksoj se gjithë këta individë zhvilluan një veprimtari të heshtur si një formë të veçantë moraliteti, një moralitet të fshehtë, i cili nuk reflektohej në publik. Ata mësonin të vepronin me kujdes, të ruanin besimin, por edhe të ndërhynin për të shpëtuar të pafajshmit. Sociologjikisht, ata ishin nyja që lidhte dy botë të kundërta: komunitetin e shkatërruar nga frika dhe rrjetet e sofistikuara agjenturore që kontrollonin çdo hap.
Shtegtimi dhe rrugëtimi i tyre drejt grykave apo pllajave të gjata rrëzë malesh, apo në përballje me kreshtat e Korabit, apo andej shtigjeve kah Kalaja e Dodës, për ata që niseshin nga Jugosllavia, tregon tensionin e përhershëm midis lirisë së brendshme dhe dominimit të pushtetit të padukshëm, rrëmbimet ne mendimet e tyre të të qenurit dhe ekzistencës.
Ose, nga ana tjetër kemi edhe historinë e agjentëve shqiptarë aksionet e të cilëve na mësojnë se, edhe kur mekanizmat e kontrollit në vijat kufitare, apo ndryshe, duket se e mbulojnë gjithçka, njeriu mund të ruajë integritetin, ndershmërinë dhe ndërgjegjen – si akt i përhershëm i lirisë së njeriut përballë stuhive dhe maleve.
Në Kosovën e fillimit të viteve ’60-të, një grup studentësh shqiptarë u rekrutua nga UDB-ja jugosllave për të monitoruar aktivitetet e komunitetit shqiptar në universitetet e Beogradit dhe të Prishtinës. Ata ishin djem dhe vajza të rinj, të entuziazmuar për dijeninë dhe të përkushtuar ndaj identitetit të tyre kombëtar, por papritur u gjendën të përfshirë në rrjetin e sofistikuar të spiunazhit.
Në fillim, rekrutimi u prezantua si një mundësi për të ndihmuar vendin dhe për të marrë bursë për studime jashtë shtetit. Por shumë shpejt u bë e qartë se detyra e tyre ishte të mbajnë shënime mbi veprimtarinë e shokëve dhe profesorëve, të raportonin çdo diskutim të dyshimtë mbi politikën ose çështjet kombëtare, dhe të transmetonin informacione në qendrat operative të UDB-së.
Dilema morale ishte e menjëhershme dhe e vazhdueshme. Shumë nga studentët u ndjenë të tradhtuar nga vetvetja: çdo raport që bënin mund të shkaktonte arrestime ose ndëshkime për bashkë studentët e tyre. Disa refuzuan bashkëpunimin, duke u përballur me kërcënime, humbje të bursave ose internim të detyruar. Të tjerët pranuan, shpesh për të mbrojtur familjet e tyre nga rreziqet që sillte refuzimi, duke u shndërruar në agjentë të dyfishtë: nga jashtë raportonin për UDB-në, ndërsa brenda komunitetit ruanin fshehtësinë e të dhënave që mund të shpëtonin shokët.
Situatat e sakrificës ishin të përditshme. Njëri nga studentët, duke mbajtur kontakte të fshehta me profesorët e tij shqiptarë në Prishtinë, përdori informacionin e raportuar për të shmangur arrestimin e disa kolegëve. Një tjetër, duke punuar si informator për UDB-në, pranoi të humbiste lidhjet me familjen, për t’i mbajtur të fshehta veprimet e veta. Secili vendim ishte një betejë e brendshme midis frikës, përgjegjësisë dhe ndërgjegjes morale.
Pasojat e rrugëtimit të tyre ishin të rënda. Disa humbën bursat dhe mundësitë akademike; disa u përballën me akuza të montuara dhe dënime simbolike, ndërsa të tjerët jetuan për vite të tëra me barrën psikologjike të dyfishtë: frikën nga shërbimi sekrete dhe dhimbjen morale të ndërprerjes së lidhjeve me komunitetin. Megjithatë, për shumë prej tyre, sakrifica më e madhe ishte ruajtja e integritetit dhe e ndërgjegjes, duke zgjedhur të mos tradhtonin vlerat e tyre, pavarësisht koston e lartë personale.
Ky grup shqiptarësh është shembull i një realiteti të përhershëm në rrjetet agjenturore komuniste: individë të zakonshëm të vendosur në një labirint moral ku çdo veprim ka pasoja, ku çdo raport mund të kthehet në armik, dhe ku liria e brendshme e shpirtit është e vetmja formë rezistence që nuk mund të kontrollohet nga pushteti. Historitë e tyre tregojnë se, edhe brenda errësirës së dyfishtë të spiunazhit, ekziston një hapësirë për humanitet, moral dhe sakrificë të vetëdijshme.
RRJETET JUGOSLLAV DHE SIGURIMI SHQIPTAR
Pas disa viteve të veprimit brenda rrjetit jugosllav, grupi i studentëve shqiptarë u përball me një situatë të re: Sigurimi i Shtetit shqiptar filloi të monitoronte aktivitetin e tyre, duke u përpjekur të identifikonte individë që mund të ndikoheshin nga “armiq të jashtëm” ose, që mund të ishin instrument i UDB-së. Në këtë moment, studentët u zhytën në një lojë të dyfishtë, ku çdo hap mund të sillte pasoja të rënda.
Disa prej tyre, duke njohur përvojën dhe rreziqet e UDB-së, vendosën të krijojnë një rrjet të fshehtë brenda rrjetit shqiptar, duke komunikuar informacion të kontrolluar për Sigurimin e Shtetit për të shmangur veprime represive ndaj tyre dhe bashkatdhetarëve. Ata përdorën mjete të sofistikuara të fshehtësisë: letra të koduara, takime të fshehta dhe mesazhe të dyfishta, duke u përpjekur të mos shkelin asnjë kufi që mund t’i ekspozonte.
Dilema dhe hamendjet u bënë më të thella se kurrë. Sepse këtu ishte një fushëveprimi e misioneve konspirative, kur çdo gjë ishte në ndjekje dhe survejim…! Psh. çdo raport për Sigurimin mund të konsiderohej tradhti ndaj UDB-së; çdo lëvizje e gabuar mund të sillte arrestimin e një shoku, ndërsa heshtja mund të shkaktonte dënime të pabazuara. Disa studentë vendosën të përdorin informacionin që mblidheshin për të mbrojtur bashkëkombësit, duke rrezikuar karrierën dhe jetën e tyre. Njëri nga djemtë e grupit, duke qenë në dijeni të një aksioni të UDB-së, që synonte një profesor shqiptar, e informoi fshehurazi Sigurimin, duke shpëtuar jetën e tij dhe duke u bërë një herë agjent i dyfishtë me vetëdije të plotë të rreziqeve.
Situatat e sakrificës ishin të përditshme: disa humbën mundësinë për studime jashtë vendit, disa u izoluan nga komuniteti akademik, dhe të tjerët jetuan me frikën e vazhdueshme se një gabim i vetëm mund t’i ekspozonte ndaj të dy rrjeteve. Psikologjikisht, kjo lojë e dyfishtë krijoi një tension të pafund, një presion që formoi një moral të veçantë të fshehtë dhe një kujdes të vazhdueshëm ndaj çdo fjalë dhe veprimi.
Ka pas raste kur ndërveprimi i grupit me të dy rrjetet tregoi fuqinë e frikës dhe kontrollit mbi individin. Ai ilustronte se si shërbimet sekrete nuk ndikojnë vetëm mbi trupin dhe lëvizjet e njeriut, por edhe mbi ndërgjegjen dhe marrëdhëniet brenda komunitetit. Besimi midis studentëve u transformua në një ekuilibër të hollë midis bashkëpunimit, mbijetesës dhe solidaritetit të fshehtë.
Dhe, është më se e qartë se ky rrugëtim tregon tensionin midis lirisë së brendshme dhe kontrollit absolut. Çdo student që vepronte me ndërgjegje brenda kësaj loje të dyfishtë bëhej simbol i rezistencës morale: një dëshmi se, edhe në mes të mekanizmave më të sofistikuar të survejimit, individi mund të ruajë dinjitetin dhe integritetin.
Ky grup shqiptarësh tregon se spiunazhi nuk është vetëm instrument pushteti, por edhe pasqyrë e zgjedhjeve morale, e sakrificës dhe e forcës shpirtërore të njeriut. Historia e tyre na kujton se, edhe brenda errësirës më absolute të survejimit, ekziston mundësia për të ruajtur dritën e ndërgjegjes dhe vlerat njerëzore. Në vitet 1960–1962, një grup studentësh shqiptarë në Prishtinë dhe Beograd, u rekrutua nga UDB-ja jugosllave me pretekstin e “bashkëpunimit për zhvillimin akademik dhe kulturor”.
Në fillim, ata besuan se ishte mundësi për të avancuar në studime dhe për të ndihmuar komunitetin. Por shumë shpejt u bë e qartë se detyra e tyre ishte të mbajnë shënime mbi veprimtarinë e shokëve, profesorëve dhe organizatave kulturore shqiptare. Disa studentë refuzuan menjëherë, duke u përballur me presion të vazhdueshëm dhe kërcënime për humbje të bursave ose internim. Ata që pranuan, u shndërruan në agjentë të dyfishtë të heshtur.
Mes-vitet ’60 – Tensioni dhe dilemat morale
Nga 1963 deri në 1966, grupi filloi të ndërvepronte edhe me Sigurimin e Shtetit shqiptar. Shërbimi shqiptar monitoronte aktivitetin e tyre për të identifikuar “infiltrime të huaja” dhe për të mbrojtur interesat e shtetit komunist. Studentët u përballën me dilema të rënda: çdo raport i dorëzuar te UDB-ja mund të konsiderohej tradhti ndaj vendit të tyre; çdo heshtje mund të shkaktonte dënime të ashpra nga Sigurimi.
Njëri nga studentët përdori informacionin e grumbulluar për të paralajmëruar profesorët shqiptarë mbi një aksion të UDB-së, duke shpëtuar disa jetë dhe duke u bërë një agjent i dyfishtë me vetëdije të plotë për rreziqet./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm