Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Më caktuan me grupin e elektricistëve. Në fakt vetëm njëri ishte tamam elektricist, Gaqkë korçari, sepse tjetri, Maqua, ishte një ish-shofer. Pra, me mua plotësuan grupin tresh, që në varësi të ngarkesës në punë, mund ta shtonin apo pakësonin sipas nevojës. Po për momentin, kaq ishim. Mua atje më çuan më tepër me mik dhe si të mitur, natyrisht edhe me dëshirën dhe përkrahjen e brigadier Velkos, si mik i miqve të mi. Mëngjesin e parë, sapo hymë në repartin tonë, në një godinë kaba të lartë dhe të gjatë, të ndarë në disa anekse ku kryenin aktivitetin edhe zanatçinj të tjerë, u njoha me shokët e grupit.
Megjithëse me Gaqon isha njohur një mbrëmje më parë, tani që zumë kotecin tonë dhe u ulëm para rezistence të skuqur, shtrirë mbi një tabak eterniti, nisëm muhabetet. Gaqka më pyeti përse dhe sa më kishin dënuar, unë iu përgjigja shkurtimisht. (Pas çdo përgjigje, ai shprehte habi për gjithë ç’dëgjonte; dukej s’i besohej se mund të dënonin politikisht edhe në moshë minore. Në fund çdo fjalie, lëshonte pasthirrma çudie, si: “Uha-a-a!, ç’ne bre-e-e! jo mo! bre, bre!, ce edhe këto i bëkan këta!, ku-u-u, bre bre-e-e”! etj.
Ditët që qeshë me raport mjekësor në kamp, pleqtë më instruktuan për mënyrën se si duhej të sillesha e të bisedoja me persona të ndryshëm, për më tepër të panjohur. Më mësuan se mënyra më e mirë, ishin përgjigjet lakonike, pa u futur në komente. (“Fol prem, or mec, pa u zgjat n’shpjegime! Vetë koha, ka me t’m’su, kë ke njoft, nji e nga nji! A t’kam than që njitu, jan t’tan profesora? Ene ti, ke m’u ba nji’ashtu”! – më yshti xha Esherefi, kur u hap kjo temë. Pra, i instruktuar goxha mirë, unë iu përgjigjesha shkurt dhe saktë pyetjeve që më drejtonin, pa u futur në imtësira. Javën e parë, e shtyva pa ndonjë peripeci për t’u kujtuar, veç problemeve të përshtatjes në punë. Po si fillonte dhe mbyllej një ditë e tillë? Çdo mëngjes, zgjimi bëhej në të njëjtën orë, më pesë. Që herët, niste zallamahia e çdoditshme; domethënë: britmat e tellallit, që të nxirrnin mënd e kresë dhe fishkëllimat e gjarpërinjve të policëve, që të çirrnin veshët.
Kush ishte në punë, duhej të ngrihej vrik, të hidhte një setër krahëve dhe shpejt e te banjot. Në nevojtore, radha ishte rituali më i mërzitshëm që kthehej në dert më vete. Sapo mbaroje nevojën personale, vrap e te çezmat, me t’u hedhur dy grushte ujë syve, tasin në dorë e, drejt e te kazani i supës. Edhe atje do prisje po radhën, sado neveritëse të ish ajo lëtyrë, mbetej i vetmi burim ,që na mbante frymën, ndaj doje s’doje, do ta haje. Mbasi kishe gjerbur atë llurbë, shpejt e në kapanon të hidhje krahëve diçka më të trashë, e së fundi përfundoje në rresht për punë.
Në Reps bënte dimër i ashpër, të ftohtin e shtonte era që shfrynte pa pushim, ditë e natë. Pa le kur bënte ftohtë, acari dhe lagështira, te depërtonin deri në eshtër. Përvoja dhe nevoja i kishin detyruar të dënuarit, të përshtatnin veshje që në kushte normale, asnjë stilisti, në asnjë skaj të rruzullit, s’do t’i shkonte mendja. Me xhaketat e holla prej doku, kishin sajuar një tip pardesyje me kapuç. Të zhytura në vaj lini, ato zëvendësonin mushamanë e, të mbronin goxha nga era dhe shiu. Më fatlumët, sipas mundësisë apo rastit, iu kishin shkuar sipër edhe një shtresë bojë vaji, apo smalto dhe ndiheshin më rehat.
Pra, si hidhnin këtë lloj “pardesy” mbi supe, të dënuarit rendnin në rresht në rrugicën që lidhte dy kampet. Atje, si ca marioneta që i vënë në lëvizje me anë të ca fijeve të padukshme, secili zinte vendin e tij. Rreshtoheshin sipas brigadave dhe prisnin policët e punës, që t’i merrnin në dorëzim. Zakonisht rojet e punës, qëndronin jashtë portës, nga ana e brendshme e kantierit, po rastiste të futeshin edhe përkëtej. Atëherë na shtynin dhunshëm drejt fronteve të punës dhe niste vringëllima e dajakëve mbi kurrize, mjerë kush e kish risk, t’u binte në dorë.
Por rastiste që policët e punës, të mos mbërrinin dot në kohë, ngaqë banonin në fshatra të largët dhe mungesa e mjeteve të transportit, s’iu mundësonte të kapnin orarin. Kështu, paraqiteshin drejt e në punë. Të paktën i shpëtonim kopaçes atë ditë. Po këto raste të këndshme, ishin sporadike. Vetëm në kantierin e punës, mund të shkëputeshe nga tufa. Atje, secili i drejtohej frontit të përcaktuar që më parë. Në grupet treshe, sikur ndiheshe paksa më i çlirët, sepse gjithkush e njihte shokun. Duke qenë pjesë e një grupi të tillë, të krijohej ndjesia e lirisë, si në komunikim, ashtu edhe për mirëkuptim reciprok.
Edhe personat me probleme shëndetësore, ndjenin një far lehtësimi. Më të fuqishmit, ndihmonin të dobëtit e të sëmurët që të kapnin normën, ngaqë mosrealizimi, ndëshkohej rëndë, me lidhje pas shtyllave elektrike me tel bakri dhe mandej të duhej të shtyje ditë të tëra izolimi, në birucat e kampit. Gjatë gjithë ditës, do rropateshe në punë, deri sa të vinte ora e çangës. Aty nga katra, kur binte çanga që sinjalizonte mbylljen e një dite pune, ndiheshim të rraskapitur. Mirëpo edhe kohëzgjatja, s’ishte fikse, po varionte në varësi të humorit të policëve dhe kapove të punës.
Vetëm mbas çangës, gjithsecili me veglat në krah, mund t’iu drejtohej barakave dërrase mbuluar me kartoserë, të dorëzonte veglat te magazinieri dhe shpejt e në rresht, në një rrip të sheshtë, rreth shtatëdhjetë metra gjatësi dhe katër gjerësi, që e kishin mbiquajtur “Rruga e Golgotës”, për shkak të mundimeve e tmerreve, që na është dashur të kapërcenim herë pas here. Këtu detyrimisht, secili duhej t’i bashkohej brigadës, ama, para se të hynte në rresht, gjithkush duhej të kontrollonte vetveten. Vetëm kur siguroheshe se s’të kish ngecur në xhep ndonjë send i ndaluar, zije vendin.
Po ç’ishin sendet e ndaluara?! Asgjë më tepër, se të zakonshme. Si rregull, në të ndaluarat klasifikonin gjithçka, që mund të përdorej si mjet shpues, apo prerës. “Sendet e ndaluara”, që duhej t’i përcaktonte saktësisht rregullorja e brendshme e burgjeve dhe e institucioneve të vuajtjes së dënimit, shpesh ishin lënë evazive, ndaj iu mbetej policëve, që t’i përcaktonin sipas rradakes së tyre. Kështu, i ngelej policit të gjykonte për ta lejuar apo ndaluar, të futej në kampin e fjetjes, iks apo ipsilon send, pra, ishte ai që ndalonte dhe lejonte ose me gjuhën e popullit, ishte; “vet ali, vet kadi”. Gjithsesi, mënyra e klasifikimi të sendeve të lejuara apo të ndaluara, i paspecifikuar në asnjë rregullore, linte shtigje abuzive edhe mes vetë policëve. Atë që njeri ta lejonte sot, ta ndalonte tjetri nesër dhe anasjelltas. Përfundimisht, sipas tekave të policit, gjithkush mund të kalonte natën në birucë.
Kjo kish bërë që instinktet e të burgosurve, të mpriheshin në shkallën më sipërore. T’i emërtonin sendet sipas karakterit të policëve, në sende; “shpirt-këqij”, me rrezikshmëri të theksuar dhe në sende; “faqe-bardhë”, ato më pak të dëmshëm. Pra, sipas policit të shërbimit, sendet mund të ishin “reaksionarë”, që të çonin drejt e në birucë dhe të “paqortueshëm”. E që e shumta, mund të t’i flaknin tej, po ja hidhje paq. Për shembull, një fijez teli të çonte në birucë, ndonjë copë dru zjarri edhe mund të ta sekuestronin, për kuzhinën e repartit, ama në fund, mbyllej me një qortim të thjeshtë.
Mandej, i vinte radha numërimit. Veprim mjaft fyes, që të kujtonte shtrungën e bagëtive. Të gjithë me kapelet në duar, detyrimisht në rresht për dy, duhej të kalonin postbllokun, si fëmijët në kopsht. Por rastësisht qëllonte të mos iu delte numri, atëherë rinisnin sërish nga e para. Kjo e shumëfishonte torturën. Mbas një dite të lodhshme, kur mezi prisje të hyje në kamp, për të vrarë paksa urinë e tmerrshme, që nuk shuhej kurrë, të shtrëngonin të rrije edhe disa orë të tjera në këmbë, mes erës, shiut, borës apo vapës. Kur vinte momenti që mbërrije te kazani i supës, sipas stinës, të rastiste në dimër të gjerbje presh me copa kallkani. Dhe në verë, copa patëllxhani të nxirosur, bashkë me miza të ngordhura. Mbas gjithë këtyre që përshkrova më sipër, merret me mend se koha e lirë, ishte tepër e kufizuar.
Që ditën e parë, më pajisën me veglat e zanatit. Ndërsa prisja të merrja pincat dhe kaçavidën e elektricistit, më dhanë një daltë në formë pyke, një çekan sa një vare, një kazëm dhe një lopatë. Mandej, usta Gaqka, më shënoi ca vija me kongjill mbi mur dhe ca vraga me majën e daltës mbi dysheme, e më urdhëroi të kryeja detyrën profesionale, domethënë të çaja betonin e dyshemesë apo suvanë e mureve. Gjithsesi u rreka ta bëja atë sa më mirë, paçka se çekani i rëndë dhe dalta me vjaska, m’i bënë duart gjak. U detyrova t’i mblidhja gishtat me lecka të vjetra, që dëgjova t’iu thoshin; “straxhio”. Pas ndonjë jave u njoha edhe me pjesëtarët e tjerë të brigadës, sepse e pakta dy herë në ditë, duhej të rreshtoheshim së bashku për apel; edhe kur dilnim, edhe kur ktheheshim.
Gaqo “Tellalli” apo usta Gaqka, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një burr rreth pesëdhjetë vjeç, me trup pak të shëndosh, përherë buzagaz, ku i dilnin në pah një sërë dhëmbë gërxhall, të krimbur e të rrallë, mbi ballin e gjerë i bënin majë ca flokë të rënë. Ai ishte elektricist specialist, zanatin e kishte mësuar me italianët, në punishten e “Birra Korçës”. Kishte punuar në të gjitha veprat e ndërtuara në Korçë, që nga Kombinati i Sheqerit në Maliq e, deri të minierat e rrethit. I rritur në ambiente zanatçinjsh korçarë, që i mitur ish molepsur me idetë komuniste dhe gjatë viteve të luftës, ish pleksur me aktivitet ilegal në qytet e rrethina.
Sa kohë shokët e tij të fëmijërisë e të viteve të ilegalitetit, ishin në pozita drejtuese edhe Gaqka ndihej birinxhi fare. Komunistët e kishin përemër, e vlerësonin si shok të çmuar, i kishin akorduar “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, e kishin dekoruar me Medaljen e “Heroit të Punës Socialiste” dhe me Urdhrin “Punëtor Pararoj” që punonte për llogari të mijëvjeçarit të ardhshëm. Sapo miku i tij i afërt, Koço Tashkoja ra nga “fiku”, as Gaqka s’i duhej më kujt. Kështu, i ra pesha. Nisi të llomotiste andej e, të përfliste këtej, shkeli kallot e regjimit.
Këtë prisnin njerëzit e Sigurimit; që me të sajuar një grup, me demek qëllime sabotazhi dhe Gaqkën e katapultuan kryetar. Mbas një farse gjyqësore, me dëshmitarë të rremë, po edhe me pohimet e vetë protagonistëve, për krime të pakryera e të pamenduara asnjëherë, natyrisht të marra me dajak, i dhanë dënim kapital, me vdekje, me pushkatim, që mbas rekursit, ia kthyen njëzetepesë vjet burg dhe përfundimisht, e sollën në Reps, ku lipseshin zanatçinj. Si njeri ishte shpirtmirë, po edhe pse s’kishin ç’ti bënin më shumë, ndihej nën shantazh e panik të përhershëm, nga spiunët. Sa kohë ndihej i çlirët, ishte i qeshur, i dashur, sapo haste në një presion sado të vogël, vrërej dhe mbyllej në guaskë nga tmerri. I trembej humbjes së vendit të punës, ndaj nën efektin e terrorit, edhe pse dëshironte të më mbronte, më nxiste që të tregohesha më i zellshëm e, më i bindur.
Kurse Maqua, që emrin e vërtetë e kish Thoma Çoma, ishte një thataruq, rreth të tridhjetave, nga fshatrat e Lunxherisë. Thuhej se kish qenë ushtar-shofer, me Lym Ketën, arriti t’i mbijetonte aksidentit, ku koloneli i tij humbi jetën. Meqë dinte shumë fakte për mënyrën se si sajuan aksidentin, për eliminimin e kolonelit të padëshiruar nga udhëheqja e lartë e Partisë, si dëshmitar i dëmshëm, i duhej kyçur goja. Përfundoi në burg, gjasme se paskërka guxuar të shprehej, me demek; “Lymit i paskërkan ngritur kurth, për ta vrarë”! Se sa e vërtetë ish kjo legjendë, pak rëndësi kish, e dënuan si armik, për agjitacion e propagandë. Hëngri një shtaçe dhe i gjori Thoma, priste indulgjencën e Partisë, që t’i falnin pjesën e mbetur, po që s’ja falën asnjëherë, deri ditën që i plotësoi kokërr më kokërr.
Sido që si njeri, edhe ky s’ishte i keq, bashkëvuajtësit e konsideronin bashkëpunëtor të komandës dhe askush s’fliste hapur me të. Por unë që punova rreth dy muaj dhe pata shansin ta njihja nga afër, mendoj se ai ishte një fatkeq i gënjyer, po kurrë informator i zellshëm. Ky mendim, m’u përforcua edhe më, kur pas shumë e shumë vitesh, tashmë emigrant në Greqi, dëgjova legjendat që tregonin bashkëfshatarët e tij. Ato javë që kaluam bashkë, iu shmanga bisedave me zarar, po ai ish aq i zgjuar, sa të kuptonte se isha i ndikuar nga miqtë e mi. Pa më kërkuar shpjegim, një ditë, më tha: “E di, s’të kanë folur mirë për mua, siç e di, që kanë shumë arsye për të folur keq. Po të betohem për shpirtin e prindërve të mi, që s’ju di as varrin, unë s’kam marrë më qafë njeri, përkundrazi jam përpjekur t’i mbrojë. Unë s’jam spiun, si të tjerët, ndonëse më konsiderojnë të tillë”!
Ndërsa një ditë më pas, më tregoi për jetën e vet: “Jam jetim, i rritur për sevap! Kur më ngritën ushtar, ca kushërinjtë e mi të largët, që ishin sistemuar me punëra të mira në Tiranë, ndërhynë dhe më çuan në kursin e shoferëve. Kur mora patentën, ndërhynë sërish e më sistemuan shofer me Myslym Ketën. Në pak kohë u miqësova me të dhe familjen e tij. U bëra si i shtëpisë, aq sa koloneli s’lëvizte pa mua as edhe në hale, kur thonë. Më kupton besoj, se sa i brendshëm u bëra unë? Kur ndodhi aksidenti, që të jem i sinqertë, s’më kujtohet se si rrodhi ngjarja, por e them me bindje, se ishte i stisur. Lymin s’e honepsnin, se ishte më i njohuri, më i zoti, më i kërkuari nga femrat e Byrosë Politike. Unë i dija këto, se siç të thashë, ai s’lëvizte pa mua as një metër, po dhe të tjerët padyshim e dinin mirë, se unë isha në dijeni të të gjitha aventurave të kolonelit tim.
Kështu mendoj dhe do të mendoj përherë, që gjithë sa ndodhi, nuk ishte aksident, po një plan i mirë-përgatitur deri në detaje, për eliminimin e kolonelit, po edhe për mua, paçka se pa faj. Ja, i sheh këto shenja në fytyrë? Pa, po të më shohësh në trup, jam ngado i qepur, si me mballoma”! – Si ngriti këmishën, zbuloi barkun dhe kurrizin. Në trupin e tij pashë dhjetëra sikatrica, dëshmi të mbetura nga plagët me dimensione të mëdha edhe mbi fytyrë, kishte vraga të thella.
“Kur makina u shkatërrua, na nxorën pothuaj të copëtuar nga poshtë llamarinave. Na çuan në morg, kufoma. Po desh Zoti, mjeku ligjor, që do na bënte autopsinë e, do plotësonte skedat e vdekjes, ish një fshatar i yni- Ai vuri re, se unë kisha ende shenja jete dhe nga morgu, më çon në sallën e kirurgjisë, ku mbas operacioneve të ndërlikuara, pata shansin të mbijetoja. Shpëtimin nga kthetrat e vdekjes, e konsideroj sfidë të mjekëve, ndonëse ata më përdorën si kavje, po fundja jeta triumfoi mbi vdekjen unë sot jam gjallë.
Dija ç’më priste, më mirë të kisha vdekur bashkë me kolonelin tim! Do isha, o hero si ai, o i harruar si unë, po ama s’do vuaja në burg! Kur e panë se mbeta gjallë dhe se në të ardhmen mund të përbëja rrezik të përflisja bëmat e tyre e të kolonelit, të cilat dua ta theksoj s’ishin të pakta, regjisorët e këtij skenari horror, morën masa preventive, më futën në në burg, me akuzën për vrasje të Lymit. Normalisht, kjo akuzë qe diskredituese për ta, sepse mbas vdekjes familjarët e tij, u kujdesën edhe më tepër për shpëtimin tim, sepse të thashë, isha bërë si djalë shtëpie. Kështu, ndryshuan akuzën, nga vrasje me dashje, në vrasje nga i pakujdesia dhe, kur edhe kjo s’iu piu ujë, në agjitacion kundër Partisë e të personaliteteve të Lartë Shtetërore.
Bëra gjithçka të mbrohesha, iu paraqita fakte besnikërie të pakufishme, po ku dëgjonin nga ai vesh ata, kishin bërë planet e tyre. Ndërkohë më premtuan, se do më nxirrnin nga burgu dhe se do më nisnin me mision jashtë shtetit, për të depërtuar në radhët e emigracionit politik shqiptar, pranova të bashkëpunoja. Legjenda pre-supozonte se gjoja mbas dënimit, do më sajonin alibinë, me një arratisje të mundshme nga burgu. Sipas skenarit, kjo do më jepte kreditet e besueshmërisë, për agjenturat e huaja. Më kërkuan një deklaratë bashkëpunimi me Sigurimin, të cilën e firmosa dhe e pranova pa kushte. Pranova gjithashtu, sipas legjendës së tyre, se kisha agjituar kundër Partisë e pushtetit popullor. Më nxorën në gjyq me dyer të mbyllura, ku unë i pranova pa hezitim të gjitha ç’u thanë atje, më dhanë një shtaçe dhe ja, ku jemi bashkë tani. Mirëpo e keqja u bë, tani unë quhem spiun i Sigurimit, pa bërë asnjë denoncim dhe pa bashkëpunuar asnjë sekondë, më askënd”!
Mbas këtij rrëfimi ai heshti, bulëza djerse i mbuluan ballin dhe i kullonin çurk nëpër vragat e cikatricave të plagëve të aksidentit. S’dija ç’ti thosha, për ta lehtësuar, sepse atëkohë mendoja përnjëmend, se ai ish vërtet spiun dhe s’mund t’i jepja besim, më gërryente ideja e një provokimi të mundshëm apo, dëshira për të më bërë shok pas vetes. Më prapa, shumë më prapa, në kohën kur hiri mbi rrënojat fizike, morale e materiale që kish lënë pas komunizmi po ftohej; mbas viteve nëntëdhjetë, isha në kurbet në Greqi, emigrant ekonomik. Rastësia më poqi me disa bashkëfshatarë të Maqos, që më treguan për një qyqar të braktisur nga të gjithë, që e mbylli jetën duke përfolur me vete. Mallkonte orë e çast komunizmin, komunistët dhe Sigurimin famëkeq të Shtetit. Atëherë ndryshova mendim e ndjeva dhimbje të thellë për atë njeri të përbuzur dyfish; nga Sigurimi i Shtetit si karakter i thyeshëm, nga ne bashkëvuajtësit e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit. Po tashmë ishte shumë vonë, nuk rikuperohej asgjë.
Atëbotë kur duhej ta kisha besuar, s’e besova! Por s’kisha se si, kur të gjithë bashkëvuajtësit e konsideronin bashkëpunëtor të Sigurimit, tinë s’mund të bëja ndryshe! Ndaj sinqerisht, s’e besova! Zoti ma faltë mosbesimin, ndaj atij shpirti të dyzuar! Sidoqoftë i dedikova keqardhjen, si një përshpirtje në varr, atje ku qenë ndryrë me vakt, mbetjet e Maqos së gjorë. Pra në këtë mjedis, me këta dy njerëz, ndaja orarin e punës, deri sa ktheheshim në kampin e fjetjes, ku më prisnin miqtë e mi. Gjatë punës flisja pak, ose aspak. Bëja atë që më ngarkonin, me sforco të jashtëzakonshme, por ndihmë, s’i kërkoja askujt. Kur ktheheshim në kamp, ndihesha i kapitur, shpesh më zinte gjumi pa ngrënë, nga lodhja e tepërt. Kohën e lirë dhe ditët e diela, kur s’na nxirrnin në punë, ngaqë shpesh na detyronin të punonim edhe ditët e pushimit, e kaloja në shoqëri, me shokët të mi.
Kur gjendesha mes tyre ndihesha mirë, më bëhej se jetoja në një familje të madhe me përbërje mashkullore, me gjyshër e stërgjyshër, me xhaxhallarë e dajallarë, me vëllezër e kushërinj, domethënë me njerëz të një soji. Ndihesha i përkëdheluri i asaj celule, mbase edhe i mbivlerësuar ndonjëherë. Ndërkohë flisja me ta dhe iu tregoja për ç’do ngjarje në ambientet e punës, madje edhe për bisedat më ordinere që zhvilloheshin atje. Ata më dëgjonin me vëmendje, i analizonin ato që iu rrëfeja dhe dilnin me konkluzione, madje më piketonin vijën e sjelljes. Përgjithësisht i mirëkuptoja miqtë e mi pleq, edhe kur më qortonin. Gjithçka më sugjeronin, e merrja në të mirën time, edhe kur ndonjëri më hiqte vërejtje, për veprime të nxituara apo impulsive. Kur ndiheshin të kënaqur ata, unë krenohesha për vlerësimin që më bënin.
Isha ende i mitur, i pakët dhe i dobët fizikisht, ndaj më ngjitën nofkën “Gavrosh”. Bënin paralelizëm me djalin e barrikadave të Viktor Hygoit. Atëkohë, s’dija kushedi çfarë mbi jetën dhe aktivitetin e Gavroshit, përveç ca tregimeve të shkurtra, që kisha lexuar në tekstet shkollorë. Ato vite në shkolla, heronjtë pozitivë përmblidheshin në figurat e Pavël Morozovit dhe Aleksandër Matrazovit. ‘Të Mjerët’ e Hygoit, s’kish parë ende dritën e botimit shqip. Rusishtja ish gjuhë e detyrueshme në programet mësimore. Vendin tonë e kishin shndërruar si me thënë, në një shtojcë të Krimesë, gjithkah rusisht; filma rusisht, libra rusisht, piktura muzhikë rusë me mjekra të kërleshura, që me drapërinjtë e tyre të harkuar si kosat e vdekjes, sa s’të këpusnin kokën; në koreografi mjellmat ruse me trupin katana, ishin gati të ngrinin havada me krahët muskulozl e, të shpinin në stepat e Siberisë së largme.
Pra, gjithkund rusisht; gjuhët e tjera i konsideronin, o të mallkuara, si shprehëse të ideologjisë borgjezo-kapitalisto, o privilegj i një pakice nga fëmijët e përzgjedhur, me metodën e seleksionit politik. Kështu, hendeku mes rusishtes dhe gjuhëve të tjera perëndimore u thellua edhe më dhe reflektoi mbi ndërgjegjen tonë. Meqë rusët na u bënë bajat, urrenim edhe rusishten! Tekstet jashtëshkollorë, ishin vetëm nga literatura ruse, po tepër të dobët e të indoktrinuar; gjuhën e bukur të Pushkinit, Lermontovit, Tolstoit, Dostojevskit dhe e një plejade të mëdhenjsh të tjerë, e bastarduan deri në neveri, gjenerata e Shollohovit dhe Fadajevit me shokë. Ngado dëgjohej: “Imja Ljenina, sllovai sllova…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016