Nga Ahmet Xhavit Delvina
Pjesa e parë
Memorie.al / Që në fillimet e shekullit të XX-të pati shumë intelektualë kualitativë, që përqafuan idetë e majta, si Fan Noli, Tajar Zavalani, etj., por triumfi i Revolucionit të Tetorit në 1917 në Rusi dhe ngjarjet e mëvonshme kriminale, bënë që në këtë kategori intelektualësh, të zbeheshin simpatitë e tyre të majta, aq sa më vonë këta u bënë edhe armiq të bolshevizmit. Triumfi i këtij Revolucioni u shoqërua me terror të pashoq dhe reforma antidemokratike nga më absurdet. Rrjedhimisht ky kualitet njerëzish i shkëputi përfundimisht lidhjet dhe simpatitë nga ky revolucion dhe ideologji. Nga bisedat e mëvonshme shoqërore dhe private ndërmjet miqsh dhe shkrimeve të kohës, ata ndjenin keqardhje dhe iu kishte mbetur peng që pse ky revolucion nuk u bë në vendet e zhvilluara si Angli, Gjermani, Francë, etj, por u bë në Rusinë Aziatike të muzhikëve.
Por edhe pas shkëputjes së këtij elementi me prestigj e unikal, simpatitë e majta ekzistuan edhe më vonë, por nga njerëz të ndryshëm me vlera intelektuale, apo të rinj shqiptarë që studionin nëpër universitetet e botës, bij të pasurish apo edhe bij të familjeve të mëdha, deri te shtresa e mesme dhe e punëtorëve. Vitet e mëpastajme që vijuan, për këta njerëz aktivistë të ideve të majta, kaluan kalvare peripecish të ndryshme nga ato më të lehtat e, deri ato më tragjiket, deri sa ra komunizmi si sistem.
Grupet komuniste në Shqipëri ishin disa, por nuk kishin lidhje ndërmjet tyre. Po të shihje përbërjen e këtyre grupeve, ato karakterizoheshin nga një sektarizëm krahinor fetar etj., p.sh. “Grupi komunist i Korçës” përbëhej vetëm nga ortodoksë ose siç thuhej atëhere në kaurë dhe njiheshin simpatitë patologjike të tyre për grekët; në këtë grup “militonin” vetëm Mihalët, Stefat, Koçët, Pilot, etj., dhe s’para gjeje myslimanë.
Ndërsa te “Grupi i Shkodrës” “militonin” në mazhorancë katolikët me simpati të veçantë për sllavët e me kësi përbërjesh ishin edhe grupet e tjera komuniste. Kjo gjendje pa unitet “veprimi e mendimi” apo më shumë kaotike e grupeve komuniste shqiptare, nuk iu kishte shpëtuar të “zotëve” që ishin të dëshiruar për përhapjen e komunizmit në botë, prandaj u pa e nevojshme që këtyre grupeve duhej t’u jepej një shtysë për bashkimin e tyre deri në formimin e një Partie Komuniste të vetme.
Për fat të keq të këtij “qëllimi të madh” që e gjithë bota në perspektivë të jetë komuniste, u vu në krye të Revolucionit Botëror, siç e thamë edhe më lart, Rusia e varfër, e krishterë dhe tërësisht e prapambetur. Politika e saj propagandistike ishte me teza të pëlqyeshme dhe joshëse për popujt e botës dhe dënglat bolshevike përfaqësoheshin me bazë të një mendimi internacionalist që do të bashkonte gjithë popujt e botës në një “atdhe” ku nuk do të kishte më dallim racash, as do të kishte të pasur, as të varfër, por vetëm barazi shoqërore e sociale.
Kështu që kjo politikë e majtë e mbushur plot pallavra të tilla, nuk u realizua kurrë pavarësisht punës së madhe që ata mendonin se bënin me organizmat e saj të shtrira në të gjithë botën si KOMINTERNI, etj. Kështu edhe tek ne në Shqipëri mbërritën rekomandimet e Moskës nëpërmjet KOMINTERNIT që vepronte në Evropën Qendrore për të mirë të “Revolucionit”. Sugjerimet e para ishin që të realizonin ekuilibrin e përbërjes së grupeve në raporte të drejta me bazë fenë apo krahinën.
Kjo masë u konsiderua nga më të domosdoshmet e të vihej në plan të parë, se për belanë e të “pafeve” komunistëve, në Shqipëri predominonin shumica e popullsisë me fe myslimane dhe bënte “mu” ky fakt, sepse atëhere feja në popull qëndronte në krye të çdo gjëje. Pasi të zgjidheshin këto probleme, neve do të merrnim “ndihmën” për të organizuar dhe realizuar bashkimin e grupeve, duke filluar nga ai i Korçës, që në fakt ishte dhe grupi më i madh dhe pastaj të hidheshin te “Grupi i Shkodrës”, i të “Rinjve” etj. U tha, u bë. Kështu menjëherë filloi “militimi” i myslimanëve ndër grupe.
Për bela të kokave të tyre dhe të gjithë Shqipërisë, Koço Tashko së bashku me Ymer Dishnicën, që ishin kuadro të KOMINTERNIT dhe të Partisë Komuniste Franceze, i mbushën mendjen Enver Hoxhës, që të aderonte te “Grupi i Korçës”, sepse kishin siguri tek ai sepse e kishin njohur që në Liceun e Korçës, edhe në Francë si një njeri me prezencë fizike të mirë dhe që nuk “turbullonte” gjë, sepse ata kishin patur deri intimitet dhe e njihnin deri edhe në veset e tij deri ku shkonin, ata e njihnin si “zhigolo” i përkryer dhe e dinin gjithashtu që e “admironte” dhe perversitetin, kështu që ky do të ishte marionetë në duart e tyre dhe njëkohësisht rregullonte në një farë mase dhe raportin fetar kaur-mysliman në grup.
Pak më vonë vjen urdhër i prerë nga Moska që të organizohej një Konferencë për të bërë bashkimin e grupeve komuniste për të formuar sa më shpejt Partinë Komuniste Shqiptare. Njëkohësisht bashkëngjitur me këtë urdhër ishte edhe një sugjerim kaluar urdhrit që meqenëse ne shqiptarët nuk kishim eksperiencë për të ndërmarrë kësi veprimesh të kalibrit të madh, ngarkohej Partia Komuniste Serbe, që të organizonte këtë aksion tepër të rëndësishëm. Si rrjedhim Jugosllavët ngarkuan dy anëtarë të Komitetit Qendror si specialistë zyrtarë të tyre, për të kryer këtë super detyrë.
Ata ishin Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, njëri malazez dhe tjetri serb. Por njëkohësisht ata na bënë edhe sugjerimin që, meqë Miladini ndodhej i burgosur në kampin Italian të Peqinit, shqiptarët duhet ta lironin me çdo kusht, qoftë edhe me ndonjë aksion luftarak, po të ishte nevoja. Por nuk ndodhi kështu sepse lirimi i tij shkoi shumë “ëmbël” dhe pa asnjë problem. Për këtë të quajtur “aksion” u caktua Mustafa Gjinishi, komunist i porsa-kthyer nga arratia në Jugosllavi dhe daiu tim, Esat Dishnica, njeri i pasur por me simpati të “fiksuara” të majta, njëkohësisht dhe mik i të gjithë komunistëve të vjetër dhe shumë të vjetër.
Këtë mikroekip, që nuk besoj të jetë shkruar në Historinë e Partisë, por kështu është, lirimi i Miladinit nuk iu krijoi shumë probleme këtyre dy të ngarkuarve, sepse Esati kishte armën më të fuqishme “Paranë” e cila shkonte shumë këtu në Shqipëri, për të kompromentuar. Njëkohësisht në rrethin Peqin-Elbasan, ai kishte kredi dhe respekt si nip i Aqif Pash Elbasanit, po ashtu edhe Mustafai i takonte një familjeje të nderuar e të respektuar në Peqin. Mesa duket eprorët ruso-serbë, e kishin menduar mirë këtë gjë.
Me t’u liruar, Miladini menjëherë filloi nga detyra për formimin e Partisë, ndërsa Dushani punoi për krijimin e njësive të para luftarake partizane të vogla dhe më vonë për organizimin e formacioneve të mëdha të Ushtrisë “Nacional – Çlirimtare” shqiptaro – serbe. Kështu të dy këta spiunë serbë, iu vunë punës me zell të madh, duke gjetur edhe mbështetjen masive nga elementë negativë brenda vendit. Kështu që Lëvizja Komuniste mori zhvillim të madh dhe të menjëhershëm, sepse me ta u bashkuan dhe masa të tëra popullore, duke përbërë një grupim masiv antifashist.
Për fat të keq u bashkuan edhe ata me prirje republikane, d.m.th. anti-monarkistët, të cilët vonë e kuptuan se “republikanizimi” i tyre në ato momente delikate e dëmtoi maksimalisht interesin kombëtar. Kështu ata gjetën kushte që mund të them speciale, për të luftuar nacionalizmin shqiptar i cili ishte pengesë historike për gllabërimin apo copëtimin e territoreve shqiptare, sigurisht në favor të serbomëdhenjve apo edhe grekëve. Bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavin, si republikë e 7 e saj, pala Jugosllave nuk e diskutonte, sepse kishte marrë konfirmimin e palës Sovjetike, e cila qëndronte në krye të lëvizjes komuniste botërore dhe Rusët do të na njihnin vetëm nëpërmjet Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë.
Por a ka turp më të madh për këta individë shqiptarësh, për ç’ka përshkrova më lartë e në vazhdim dhe ndoshta me ndonjë përsëritje, për të cilën ju kërkoj ndjesë për arsye profesioni, por të jeni të sigurtë se këto përshkrime janë më se të sakta, ato janë grimca të mbledhura për kohë të gjatë nëpër mjediset familjare që më lejohej të rrija, sepse kisha edhe lidhje gjaku, sidomos te shtëpia e dajës tim Esat Dishnica, ku hynin e dilnin kuadro të larta komunistësh nga më të vjetërit, të cilët kanë qenë “dikur” në krye të lëvizjes dhe pastaj pas periudhave të caktuara, Partia e tyre i kishte “centrifuguar” jashtë radhëve të saj, duke i internuar, burgosur etj dhe madje disa prej tyre që paraqisnin “rrezikshmëri”, iu kishin hequr edhe kokat.
Lavdi dëshmorëve “viktima” të ekzekutuar nga Partia e tyre.
Me ironi a me shaka apo me të gjitha format e mundshme, ata lëshonin ndonjë bisedë që unë e regjistroja në memorien time. Kjo formë bisede nga këta njerëz “trima e të pjekur”, bëhej për të shmangur ndonjë rrezik “eventual”; këta fatkeq ishin p.sh.; Ymer Dishnica, Spiro Moisiu, Kadri Hoxha, Sejfulla Malëshova, e deri te Mane Nishova, Petro Marko, Skënder Luarasi, Qamil Çela etj. Ideologjia komuniste për atë periudhë të “mallkuar”, u bë si opium për rininë, entuziazmi rinor filloi natyrshëm të shquaj në punën revolucionare që bëhej, individë të ndryshëm u shquan për trimëri, zgjuarsi, aftësi drejtuese të punëve revolucionare, oratori, etj.
Këta të dalluarit filluan dhe të diskutojnë më shumë se ç’iu takonte, madje filluan të shprehnin dhe nevojën për përmirësime në filozofinë e tyre komuniste, por ama dihej se ky “liberalizëm” ishte i dëmshëm dhe duhej frenuar dhe mbyllur goja “këtyre të papjekurve”. Prandaj Partia duhej të vepronte për të mirën e së ardhmes, kështu u autorizua ligji Rus të përdorej edhe tek ne në Shqipëri. Asgjësimi periodik brenda familjes dhe një nga të parët që e pësoi ishte Qemal Stafa, anëtar i Komitetit Qendror.
Hipokrizia komuniste arriti deri atje sa spiunllëku që iu bë tek italianët për vendndodhjen e Qemalit, atje ku ai u “asgjësua”, ndodhi pikërisht në këtë ditë, që ata më vonë e quajtën si dita e Dëshmorëve të Atdheut në 5 Maj 1942 dhe sot festohet me madhështi në të gjithë vendin si ditë përkujtimore. “Çfarë Hipokrizie”?! Shumkush që atëhere dyshoi për këtë vrasje, sepse vinte era tradhti dhe më vonë u pasua nga shumë e shumë të tjerë, por asnjëherë nuk u arrit të mbyllej apo të sqaroheshin këto çështje, por gjithmonë u diskutua me zë të ulët për to, sepse të “hante dreqi” dhe kjo situatë vazhdoi derisa ngordhi Partia.
Në vrasjen e Qemalit një gjë bënte “mu” dhe se ishte një absurditet i madh që po atë ditë, në po atë aksion të fashistëve, të shpëtojnë për bukuri të gjithë pjesëtarët e asaj baze, që ishin konkretisht: Kristo Themelko, Flora Sata (Dishnica), Ana Jakova, si edhe e fejuara e Qemalit, Drita Kosturi. Kristo Themelko iku për “punë” para se të vinin fashistët, ndërsa gjatë rrethimit ikën si zonja të mëdha “duke kapërcyer muret”, të tre heroinat, fillimisht shoqe.
Kur e pyetën njëherë Xhustinën në vitet e “demokracisë” pas vitit 1991, se si mendonte ajo për rrethimin e papritur që iu bë asaj baze të re nga fashistët, bazë apo shtëpi, (ajo sapo ishte marrë me qera nga familja Minxhozi nga Mati), ajo u përgjigj: “Ne të tre femrat jemi akoma edhe sot gjallë, të vij edhe Beqir Minxhozi, ai që ishte ngarkuar nga Partia ose, ma mirë direkt nga shoku Enver, që të binte një auto-veturë për të udhëtuar Çemali (Qemali) për në Vlorë me shërbim partie dhe të bëjmë një mbledhje të tipit ‘Maria Oktobër’ dhe aty pas kujtimeve, debateve dhe diskutimeve nga më të ndryshmet, të shohim se mos sqarojmë se si ndodhi që në vend që të vinte Beqiri me makinën, erdhën italianët pa Beqirin dhe kur e pa dhe u sigurua se shtëpia ishte e rrethuar, ai u largua menjëherë, pa iu futur ferrë në këmbë, njësoj si Kristo Themelko, apo ‘Shulia’ siç i thoshin atëhere atij”. (Flora, për arsye dialekti, emrin Qemal e shqiptonte “Çemal”).
Nga bisedat e mbledhura ndër vite nga “shokët” komunistë të “centrifuguar” më vonë nga Partia, del që Qemalit, kur i tha Drita Kosturi, përpara se ajo t’ia mbathte, që; “shih atje larg po vijnë fashistët në formacion luftimi në drejtim të shtëpisë sonë dhe ja ku i ke”, Qemali u trondit shumë dhe u rrotullua rreth vetes, por nuk pa njeri, të tërë kishin ikur dhe për fat të keq të tij, i ranë syzet e trasha të miopit dhe u ul t’i gjente, por nuk i gjeti dhe u plagos me një plumb që e mori poshtë qafës dhe në shpatullën e djathtë, ai aty ra përtokë, pati hemorragji të madhe gjaku, u mor nga italianët, u dërgua në spital, por nuk e shpëtuan dot.
Pra siç e shihni vdekja e tij ishte me të vërtetë “heroike”, “luftoi me patllake, derisa i doli xhani”! Mirëpo për denoncimin e bazës ku ndodhej dhe u plagos për vdekje Qemali, shumë flitet, por një gjë është e sigurtë, që Qemali duhej vrarë, sepse ai si pjesëtar i “Grupit të Shkodrës”, përkrahte për në krye të Partisë Zef Malën, biles thuhej se në këtë ngatërresë është përfshirë edhe Justina Sata (Dishnica). Kjo ishte dhe dëshirë e jugosllavëve.
Gjithashtu më kujtohet një rast shumë interesant me nënën time në lidhje me këtë problem të Qemal Stafës dhe të emrit Beqir Minxhozit, që hedh dritë të mëtejshme për zbardhjen e këtij misteri, apo tradhtie “alla komunist”. Ishte viti 1954, vij rastësisht për arsye shërbimi natën në orët e vona në shtëpi nga Burreli, ku kryeja shërbimin ushtarak. Kur hyj në të vetmen dhomë që kishim, nuk e shoh nënën të flinte në vendin e vet, ku flinte ngaherë në dysheme dhe pyes babanë se ku ishte nëna në atë orë të vonë të natës. Por edhe ai m’u drejtua po me habi, se nuk po e kuptonte se ç’ishte kjo lëvizje e nënës, në emër të punës apo detyrës?!
I habitur më drejtohet; “nuk e di more bir, erdhën dhe e morën me makinë për të vajtur ‘delegacion’ në Peshkopi, së bashku me disa punonjës të ndërmarrjes së tyre si edhe me drejtorin Beqir Minxhozi. Ç’të të them unë, kaq di, është koha e çudirave të mëdha”! Iu luta; “të lutem më thuaj të vërtetën, mos vallë është e sëmurë dhe po ma fsheh të vërtetën”? –“Jo nuk bëj shaka, e morën në orët e vona të natës, ‘Parol d’onor’ dhe a e di psenë? – pika atyre që duan të mbështeten në eksperiencën e madhe që ajo ka për tregtinë, edhe këtë përvojë që ajo ka, t’iua transmetojë punonjësve të tregtisë së atjeshme, që edhe ato të bëhen si Asimeja, pika që nuk ju bie”!
Atëhere pasi u qetësova iu drejtova prapë por me shaka; “epo more baba, neve të mos habitemi, se ata do të kenë dalluar ndonjë cilësi të veçantë pozitive tek ajo, bashkëshortja jote, e patjetër kështu duhet të jetë”. Ai u bë nervoz dhe menjëherë reagoi me zë të lartë: – “Ik ore bjer e fli, se me siguri do të çohesh nesër shpejt”. Mirëpo urdhri i tij ishte urdhër dhe ashtu u bë. Shyqyr për mua qëlloi që për arsye shërbimi, m’u shty afati i qëndrimit dhe 2-3 ditë plus dhe për fatin tim dhe të saj, ajo erdhi një ditë përpara se unë të ikja për në Burrel.
Tregimi i saj për shërbimin që sapo kishte kryer, i shpjeguar me humorin e saj karakteristik, duke u hequr se fliste seriozisht, i lejoi asaj ta zgjas bisedën plot shaka sa deshi, ndërsa ne fëmijët e saj u kënaqëm dhe po qeshnim, babai u bë nervoz, sidomos kur ajo hiqej si një mësuese dhe ndihma e saj që dha, u konsiderua plot efektivitet, duke marrë dhe shumë lëvdata nga punonjësit e tregtisë Dibrane. Babai ndërkohë duroi sa duroi dhe bërtiti me deklamacion; “mjaft, mjaft më me këto budallallëqe dhe broçkulla të kohës”. Kështu që ajo e ndërpreu menjëherë bisedën dhe nuk u ndje më, sepse urdhri ishte urdhër dhe se ai kishte autoritet të padiskutueshëm në familje.
Mirëpo kurioziteti im më shtyu ta ri pyesja prapë kur babai doli nga shtëpia dhe iu drejtova asaj me pyetjen se; “çfarë ishte me gjithë mend kjo ‘aventurë’ shtetërore e pakuptimtë” – dhe ajo mu përgjigj; “kjo vizitë që ne bëmë, ishte në programin e Partis, në kuadër të fushatës për shkëmbim eksperience ndërmjet punonjësve të dalluar të sistemit të tregtisë në të gjithë vendin, por me ç’mora vesh, pavarësisht se unë isha punonjëse e vjetër e sistemit të tregtisë dhe drejtor kishim Beqir Minxhozin, ai ato ditë kishte marrë vesh se unë isha e motra e Esat Dishnicës dhe Meli Dishnicës dhe menjëherë dha urdhër, që unë t’i bashkohesha atij ekipi propagandistik.
Gjatë kohës së lire, ai më tha se kishte marr vesh se kush isha dhe më dha shumë muhabet, mua më interesonte ta kisha mirë me drejtorin, se puna sot, – më tha, ajo e shkretë, – do të thotë bukë për ju dhe babain, por duke mu afruar më thotë se as më… (që nuk e kuptova se ku e kishte qëllimin)! Ai donte të merrte vesh direkt nga unë ndonjë opinion a mendim që kishin ata të Esatit për të dhe a kisha dëgjuar rastësisht të flitej për të në atë shtëpi, ku siç thamë edhe më lartë vizitohej shpesh nga ish-kuadro komunistë, si shtëpia e Esatit helbete.
Me ç’mora vesh, ata të dy, Esati me Beqirin kishin njohje të vjetër, pasi Beqiri u takonte grupeve të rinisë antifashiste dhe kishte direkt udhëheqës Qemal Stafën, për të cilin thonin që ai u zgjodh Sekretar për Rininë në 8 Nëntor 1941. Gjatë gjithë kohës që ishim të lirë, ai më bënte pyetje dhe biseda të kohës së ilegalitetit dhe unë çuditesha se si ai e njihte me aq imtësi atë periudhë të parë të ilegalitetit, gjithashtu më tregonte për njerëzit dhe ngjarjet, si p.sh., ato të fabrikës së cigareve ‘Flora’ ku punonte si menaxher Enver Hoxha”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













