Nga Vasil Qesari
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
REQUIEM PËR KUDRET KOKOSHIN
… Kudret Kokoshi, banonte së bashku me bashkëshorten, në të njëjtin pallat ku banoja dhe unë. I kishin dhenë me qira një dhomë të vogël, në katin e parë, në një apartament të përbashkët me familjen e një peshkatari. S’kish veç pak vjet që kish dalë nga burgu i gjatë mbi 20 vjeçar dhe, arrinte të mbijetonte në saje të një rroge tepër të vogël të gruas, e cila rropatej duke punuar nga mendjezi gjer në darkë, ullishtave të Ndërmarrjes Bujqësore “Vlora”.
Për të plotësuar sadopak “buxhetin” tejet të varfër familjar, Kudreti, arrinte të siguronte ca të ardhura modeste nëpërmjet përkthimeve letrare që bënte nga shqipja në italisht, për llogari të një shtëpie botuese në Tiranë.
Historia e jetës së Kudret Kokoshit, ishte e dhimbshme dhe tragjike, ashtu si edhe e gjithë intelektualëve të tjerë “borgjezë”. Ai rridhte nga një familje atdhetare vlonjate dhe studimet e larta i kish mbaruar për Letërsi në Itali. Gjatë viteve të Luftës Antifashiste, Kudreti e kish kundërshtuar me forcë pushtimin e huaj e qe zgjedhur edhe përgjegjës i Rinisë Balliste Vlonjate.
Ishte kjo arsyeja pse, fill mbas çlirimit, qe arrestuar e qe dënuar me pushkatim, dënim i cili më pas, i qe kthyer në burgim të gjatë 25 vjeçar. Por, fatmirësisht, Perëndia i kish qëndruar pranë, nuk e kish lenë të vdiste e, nga kalvari i gjatë e plot peripeci, kish mundur të shpëtonte gjallë. Qe futur në burg djalë i ri, dhe kish dalë që andej plak e me një koleksion sëmundjesh.
Me kujtohet se, kur Kudret Kokoshi, mbas peripecish të shumta, pat mundur të fusë kokën në një dhomë të vogël 3 x 3 m., shumë militantë komunistë të pallatit, qenë ankuar në Këshillin Popullor të Lagjes, Frontin Demokratik e gjetkë, duke kërkuar që ai të shporrej që andej e të internohej diku larg, në ndonjë fshat të humbur. Se si kish shpëtuar nga ajo urrejtje dhe histeri, një Zot e di…!
Pothuajse, asnjë prej banorëve të pallatit, nuk i fliste me gojë “armikut të popullit”, Kudret Kokoshi. Askush nuk i thosh kurrë qoftë edhe ‘Mirëmëngjesi’. Ai qëndronte vazhdimisht i mbyllur brenda, e delte rrallë herë jashtë dhomës së tij të vogël. Kështu, edhe pse në gjendje të ‘lirë’, jeta e tij vazhdonte të qe e njëllojtë, pra si në burg.
Në shtëpi, nuk i hynte askush. Me përjashtim të fare pak njerëzve të familjes, si edhe të A. Meçaj, një ish – mësues i pushuar nga puna për shkak të ‘biografisë së keqe’, i cili thuhej se shkruante poezi mjaft të goditura. Pa dyshim, njerëzi e Sigurimit, e survejonin dhe e përgjonin edhe atë vazhdimisht si hiena…!
Kudreti banonte një kat më poshtë apartamentit ku banoja unë. Një dritë e zbehtë qëndronte vazhdimisht e hapur në dhomën e tij. Gjithë ditën e gjer natën vonë, ai përkthente e përkthente. Matanë dritares së tij me hekura, jetonte një njeri, një zemër, një shpirt. Më qëllonte ta shihja shpesh, sidomos në ditët e ftohta të dimrit, atëherë ku delte para shkallëve të pallatit për të ndezur mangallin. U vinte flakën ca ashklave, hidhte mbi to qymyr dhe priste i vetmuar që ai të kthehej në prush.
Era e ftohtë që frynte nga Qafa e Koçiut priste si brisk. I veshur me një xhaketë të hollë e të vjetër, i mbështjellur fort me shall, ai qëndronte aty për rreth një gjysmë ore të mirë. Gjithmonë, me sy të përlotur nga tymi, duke fërkuar duart e përplasur këmbët, për të mos ngrirë nga acari.
E shihja shpesh ashtu, me shtatin e tij të vogël, të mpakur nga vuajtjet. Me fytyrë të rreshkur e të rrudhur, ku vetëm dy sy të larmë e plot gjallëri, tregonin se ai ishte endé në jetë e nuk qe shuar. Prushi mbi mangall bëhej e ai mbyllej përsëri brenda. Në ‘lirinë’ e tij prej të burgosuri.
Përkthente gjer vonë. Ulej në tavolinë pranë dritares. Shpesh herë, nenë dritën e qiririt, jo vetëm për të kursyer energjinë elektrike, por edhe për të mos shqetësuar gjumin e bashkëshortes, e cila duhej të ngrihej pa gdhirë. Me trupin mbështjellë me batanije, herë – herë, ai ndërpriste shkrimin e niste një kollë të thatë e mbytëse, pasojë e një bronshiti të vjetër kronik, i cili acarohej nga ajri i ftohtë i dhomës i cili nuk arrinte të ngrohej kurrë nga ai grusht hiri mbi mangall.
Shpesh, kur rastësisht e ndeshja jashtë, gjithmonë të përkulur para mangallit që nxirrte tym, ndaloja dhe, me kujdes për të mos renë në sy të fqinjëve, shkëmbeja me të dy fjalë. Ishte, pikërisht gjatë atyre takimeve të shkurtra, që unë njoha Poetin. Sepse, Kudret Kokoshi, ishte dhe kish lindur për të qenë poet. Çdo fjalë e tij kish një fuqi të çuditshme mbërthyese e sugjestionuese.
Pothuajse magjike…! Gjynah! Ai njeri i vockël, i dobët, i brishtë e me tiparet fisnike të një zotërie të kultivuar, të sjellshëm e tepër human, në rrethana të tjera, mund të kish qenë një nga estetët a poetët më të shquar të Shqipërisë…! Pas ca kohësh, kur i tregova se edhe unë kisha studiuar për Letërsi, ndjeva se ndrojtja e tij karakteristike iu largua plotësisht.
Fytyra i buzëqeshi e iu mbush me dritë. Më tha se, dy njerëz që kanë në zemër librat e adhurojnë letërsinë, mund të kuptohen bashkë shumë mirë. Më foli për vitet e studimeve të tij në Romë. Për poetët e mëdhenj italianë: Danten, Petrarkën, Ugo Foscolon e shumë të tjerë. Për botimet e tij të para në shtypin e atëhershëm shqiptar. Për poezitë që kish shkruar në burg. Për poemën ‘Toto Bolena’ që e kish shumë për zemër, e që ia kish kushtuar luftëtarit e komandantit të shquar të Luftës së Vlorës (1920).
Një herë tjetër, më recitoi me lot një poezi, të cilën ai e konsideronte si ‘kryeveprën’ e tij e që ia kish kushtuar nenës. Asaj, që e kish prurë në atë botë e që e kish ndjekur gjithë jetën, hap pas hapi nëpër burgje. Duke udhëtuar nëpër vite me trasta në duar. Hipur mbi kamionë, për orë e ditë të tëra. Asaj, që e kish lenë të re të bukur e që, kur kish dalë nga burgu, e pat gjetur plakë të kërrusur e të vyshkur nga vitet, varfëria dhe vuajtjet…!
Shpesh, e pyesja për intelektualët e viteve ’30-të e, veçanërisht, për disa gazetarë të njohur të asaj kohe. Më tregonte se, pjesa më e madhe e tyre qenë pushkatuar pa gjyq nga trupat speciale partizane, gjoja si kolaboracionistë.
(Më fliste për Branko Merxhanin e Vangjel Koçën, idealistë e themelues të neoshqiptarizmës. Për Nebil Çikën, gazetar tepër i aftë, inteligjent, prodhimtar e me penë të hatashme. Për Aleks Mavraqin – kronistin e kudo ndodhur të Oborrit Mbretëror. Vasfi Samimin, aktorin e kinemasë të formuar në Stamboll, gazetar e poet etj.)
Por, gjithë ata emra, i përkisnin një të kaluare tepër të largët. Kohe të harruar prej të gjithëve, por jo prej Kudretit. (O Perëndi, sa shokë, miq e të afërm ishin tretur nëpër burgje e nuk u diheshin varret?!). Ndër ta, Kudret Kokoshi, kish mbetur gjallë. E, për më tepër, i kish shpëtuar edhe internimit në pleqëri.
Kësisoj, në aparencë, ai dukej se bënte pjesë në radhën e njerëzve me fat. Pra, që kish shpëtuar nga vdekja. Që kishte një bashkëshorte. Që ish në jetë e kish një dhomë ku të fuste kokën. Që mund të siguronte bukën duke përkthyer, paçka se në ‘anonimat’ e pa të drejtën e autorit. Paçka se, ajo që bënte ishte paradoks…! (Poeti i anti – diktaturës, përkthente poetët e pro-diktaturës).
Eruditi, poeti dhe intelektuali Kudret Kokoshi, vdiq në Agimin e Lirisë. Atëherë kur, të lodhur e të dëshpëruar, të gjithë i kishim humbur shpresat se një ditë, ajo edhe mund të vinte. Hoqi shpirt në paqe, pikërisht mbas heqjes zvarrë të monumentit të Diktatorit, nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar.
Kur mora vesh se po lëngonte, shkova dhe e takova teksa po bëhej gati të shkonte, për t’u prehur përjetësisht, aty ku ndodhej edhe nëna e tij e shtrenjtë. I shtrirë mbi shtrat, mes çarçafëve me bardhësi verbuese, me fytyrë të zbehtë e sy gjithmonë të ndritshëm, ai kish marrë pamjen e një Shenjtori.
U ula pranë tij e i fola. I tregova një tufë poezish të lira. Të botuara pa frikë në gazetën e re ‘Rilindja Demokratike’. Pa censurë…! Nuk kish fuqi të më thosh asnjë fjalë. Pashë vetëm që, nga sytë e tij gri në të kaltër, nisën të rridhnin disa pika lot.
Isha i bindur se, kësaj here ato qenë lot gëzimi e jo dhembje…! Kauza, ideali, shpirti i tij, kishin triumfuar mbi të Keqen. Poeti, me Idealin e tij e kish mposhtur Diktaturën. Ëndrra e martirizuar e Kudret Kokoshit qe bërë realitet. Më së fundi, atdheu i tij i dashur, Shqipëria, qe ndarë njëherë e përgjithmonë nga Nata e Lëngata Totalitare…!
(Në vitin 1973, në një bisedë krejt të rastësishme me Shefqet Musarajn, në Ujë të Ftohtë të Vlorës, përfitova nga fakti qe u ndodha për disa çaste vetëm me të e, mora guximin dhe e pyeta mbi rrethanat e vdekjes së gazetarit, Nebil Çika. Ja, se ç’më tregoi ai, shkurtimisht: “Nebili u pushkatua qysh të nesërmen e çlirimit të Tiranës. Me sa di unë, ai qe fshehur bashkë me shumë intelektualë të tjerë në bodrumin e Hotel “Internacional”.
Më 18 nëntor, një skuadër partizanësh me një listë në duar, bëri kontroll dhe thirri e nxori që andej, personat që kishin emrat në të. Nebili edhe mund të kish heshtur e të mos bëhej i gjallë. Por, ai ish i bindur se skish bërë asgjë të keqe e, nga regjimi i ri, nuk kish arsye pse të persekutohej…!
Unë nuk di, nga kush është përpiluar ajo listë intelektualësh, ndër të cilët bënte pjesë edhe Nebil Çika e që u pushkatuan në vend, pa gjyq e pa asnjë shpjegim.
Pa tjetër, në rastin e Nebilit, duhet të jetë bërë ndonjë gabim…! Gjynah…! Po ta dija, do ta kisha shpëtuar nga vdekja…! Unë e njihja mirë atë e shpesh kisha bashkëpunuar në gazetat që ai botonte…! Nebili ishte i pafajshëm. Ai s’kish bërë asnjë krim…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016