Nga Prof. Dr. Paskal Haxhi
Memorie.al / Politikanë të ndryshëm të Shqipërisë, vazhdojnë si në Parlament edhe në shtypin periodik, të diskutojnë ende se Greqia nuk ka hequr gjendjen e luftës me Shqipërinë. Ky është një spekulim politik e juridik, që nuk i përgjigjet të vërtetës historike, politike dhe juridike. Ja si qëndron e vërteta bazuar në aktet zyrtare.
E vërteta historike
Italia më 7 prill 1939, i shpalli luftë Shqipërisë dhe më në fund e pushtoi atë ushtarakisht. Qëndresa ushtrisë shqiptare ndaj makinës ushtarake italiane, ishte e pamundur. Mbreti i Shqipërisë, Ahmed Zogu dhe qeveria e tij legjitime, u larguan nëpërmjet Greqisë dhe u vendosën në vendet aleate të koalicionit, ashtu siç bëri dhe mbreti i Greqisë me qeverinë e tij, pasi u pushtua nga okupatorët gjermane dhe italianë. Italia fashiste vendosi në Shqipëri regjimin e saj të pushtimit, duke e shpallur Shqipërinë si pjesë të Mbretërisë së saj me Mbret Viktor Emanuelin.
Në të njëjtën kohë krijoi organizmat shtetërore kuislingë të drejtuara nga mëkëmbësi i Mbretërisë italiane, Jakomoni. Në këto kushte, lufta ishte midis boshtit italo-gjerman e Greqisë dhe jo me Shqipërinë e pushtuar, ku shteti shqiptar nuk kishte asnjë autoritet legjitim të merrte vendime sovrane, për të shpallur luftë. Qeveria legjitime e Shqipërisë u largua nga Shqipëria dhe u vendos në vendet aleate që ishin në luftë me Italinë dhe Gjermaninë. Për nga sa rezulton situata e gjendjes së luftës me Greqinë, ishte një paradoks historik që është shfrytëzuar nga shovinizmi grek, për qëllime të tjera politike.
Më 28 tetor 1940, Italia i shalli luftë Greqisë dhe e sulmoi atë ushtarakisht. Qeveria greke me në krye Metaksanë, nuk e pranoi ultimatumin dhe bëri një rezistencë, ku populli dhe ushtria greke bëri që ushtarët italianë jo vetëm të mos pinin kafen në Athinë brenda 24 orëve, siç pretendonin, por të pësonin disfatë të rëndë dhe do të ishin hedhur në det po të mos i ndihmonte ushtria gjermane që e sulmoi nga veriu Greqinë, dhe e pushtoi ushtarakisht, duke vendosur edhe ne Greqi regjimin e pushtimit italo-gjerman.
E vërteta juridike
Më 10 nëntor 1940, Greqia shpalli ligjin 2 663 ”Mbi veprimet juridike armiqësore dhe sekuestrimin konservativ te pasurive armike”. Ndërsa, po më datën 10 nëntor 1940, shpalli dekretin mbretëror që përcaktoi shtete armike, sipas kuptimit të ligjit të lartpërmendur: ”Italinë me zotërimet e saj, territoret perandorake, kolonitë e saj si dhe Shqipërinë”. Përfshirja e Shqipërisë në këtë dekret mbretëror si shtet i pavarur, ishte i padrejtë, pasi Shqipëria ishte një shtet i pushtuar nga Italia, ku vepronin rregullat e pushtimit me qeverinë përkatëse kuislinge, ashtu si edhe në Greqi.
Në ligjin 2636 të vitit 1940, u përcaktuan se: a) e drejta që me Dekretin Mbretëror dhe me propozim të kryetarit të qeverisë, Ministrisë së Jashtme dhe të Ekonomisë, të caktohen shtetet armike; b) u ndaluan marrëdhëniet tregtare dhe në përgjithësi çdo marrëdhënie midis personave që banonin në Greqi, pavarësisht nga kombësia e tyre dhe e armiqve, si dhe çdo veprim i administratës ose veprim i njëanshëm i personave që banonin në Greqi; c) u vunë në sekuestrim nga shteti pasuritë e armiqve dhe u ndalua disponimi i tyre nga armiqtë.
Pas Luftës II-të Botërore, në vitin 1949 u shpall ligji nr. 1 138, që ndryshoi ligjin e mëparshëm dhe përcaktoi se zgjidhja e zbatimit të dispozitave të këtij ligji mund të bëhet me vendim të përbashkët të kryeministrit, ministrit të Jashtëm, të Financës dhe të Drejtësisë, ndërkohë që ligji i mëparshëm për këto çështje kërkonte Dekret Mbretëror. Pra, sipas legjislacionit në fuqi që përmendëm, mund të rregulloheshin dy probleme: a) heqja e sekuestrimit të pasurive të shtetasve shqiptarë dhe; b) heqja e gjendjes së luftës.
Pikërisht në zbatim të dispozitave të mësipërme, më 28 gusht 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë me në krye Andrea Papandreun, vendosi heqjen e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Vlen të theksohet se ministri i Jashtëm i asaj kohe ishte z. Karolos Papulias, sot president i Republikës së Greqisë, i cili ka kontribuar direkt për heqjen e gjendjes së luftës.
Përpara se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua gjerësisht nga juristë dhe konstitucionalistë të shquar grekë, me në krye profesor Jorgo Kasimatin, që në atë kohë ishte edhe këshilltar juridik i qeverisë së ”Papandreut”. Diskutimi u shtrua për të përcaktuar se cili ishte organi kompetent, sipas Kushtetutës greke, për të vendosur heqjen e ligjit të luftës, ku u arrit në konkluzionin se juridikisht, heqja e gjendjes së luftës bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave të Greqisë.
Në librin e tij ”Regjimi sipas Kushtetutës”, Prof. Kasimati, në faqen 241-242, duke trajtuar këtë problem në bazë të Kushtetutës greke, përcaktohen kompetencat, në interpretimin të nenit 36 të saj. Ai shprehet se; ”heqja e gjendjes së luftës ndaj Shqipërisë, të miratuar me Dekret Mbretëror të paraluftës, mund të bëhej me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe në këtë mënyrë u veprua drejt. Ky veprim nuk mund të konsiderohet contra legem, por si një interpretim që bazohet në ndryshimet historike të kuptimit të dispozitave të Kushtetutës, pas kalimit nga regjimi mbretëror në republikë parlamentare”.
Në këtë mënyrë, heqja e gjendjes së luftës u shpall publikisht më 28 gusht 1987, me anë të komunikatës së qeverisë greke, ku thuhej: ”Qeveria deklaron se karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik, ka pushuar së ekzistuari. Tashmë, organet kompetente greke po studiojnë me kujdes mënyrën më frytdhënëse për rregullimin ligjor të çështjeve të mbetura pezull. Përfundimi i gjendjes së mëparshme (të luftës), do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit midis tyre”.
Në të njëjtën kohë ministri i Jashtëm i qeverisë, Papulias, që hoqi gjendjen e luftës, deklaroi në Parlamentin grek më 3 dhjetor 1987 se: ”Vendimi i qeverisë greke për avancimin e heqjes së Ligjit të Luftës me Shqipërinë përbën një akt të lartë politik. Ai u bë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe u përgjigjet plotësisht ndjenjave paqedashëse të shumicës dërmuese të popullit grek”. Heqja e gjendjes së luftës me Shqipërinë u prit nga qarqet ekstremiste nacionaliste si tradhti kombëtare e qeverisë së Papandreut.
Edhe Partia Demokracia e Re e kryesuar nga z. Micotaqi, jo vetëm që nuk e anuloi vendimin e qeverisë, kur erdhi në pushtet, por me veprimet e saj e quajti të mirëqenë vendimin e datës 28 gusht 1987. Kryeministri Micotaqi vetëm zgjeroi më tej marrëdhëniet me Shqipërinë, madje si kryeministri i qeverisë greke, bëri edhe vizitën e parë miqësore, pas heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë.
E vërteta politike
Ekzistenca e gjendjes së luftës me Greqinë dhe vazhdimësia e saj deri ne vitin 1987, ishte një gjendje antihistorike, anti-politike dhe anakronike, e mbajtur në këmbë nga ndikimi i qarqeve shoviniste greke. Populli shqiptar e vazhdoi qëndresën e tij kundër Italisë dhe Gjermanisë me një luftë të gjatë e të armatosur dhe çliroi vendin e vet, sigurisht dhe me ndihmën e aleatëve. Ishte pikërisht kjo luftë e popullit shqiptar që radhiti Shqipërinë aleate përkrah shteteve që ishin kundër boshtit fashist.
Duhet theksuar gjithashtu se me ligjin nr. 61. të 17 majit 1945 të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili në atë kohë ishte në Shqipëri organi më i lartë i pushtetit, u shfuqizuan dhe u shpallën si të paqena të gjitha normat juridike të nxjerra gjatë kohës së pushtimit italian e gjerman. Shpallja e tyre si të paqena donte të thoshte se anulimi i tyre kishte fuqi absolute dhe kishte efekte ex tunc, d.m.th. jo që nga hyrja në fuqi e ligjit të lartë-përmendur, por që nga e nesërmja e 7 prillit 1939.
Ky përfundim nga pikëpamja juridike ndërkombëtare ripohohet edhe në nenin 31 të Traktatit të Paqes më Italinë, të nënshkruar si rezultat i Konferencës së Parisit të vitit 1947, i cili shprehet se ”Italia njeh se të gjitha marrëveshjet ose traktatet e përfunduara ndërmjet Italisë dhe autoriteteve që ajo kishte ngritur në Shqipëri që prej 7 prillit 1939… janë nul e të paqena”.
Në tetor të vitit 1947, në bazë të Traktatit të Parisit nr. 480, dt. 9.10.1947 të Kuvendit Popullor, Shqipëria aderoi në këtë traktat, së sipas nenit 38/1 i saj u konsiderua fuqiplotë. Nulitetit i të gjitha akteve me karakter të brendshëm ose ndërkombëtar të shpallura nga autoritetet kuislinge shqiptare, përfshi ndër të tjera edhe ”vendimin” e qeverisë së Italisë fashiste kundër popullit grek.
Heqja e gjendjes së luftës u shoqërua edhe me veprime të tjera në marrëdhëniet politike greko-shqiptare të përfshira në të drejtën ndërkombëtare. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe vendosja e përfaqësive në rangje ambasadash, shpreh si de jure ashtu edhe de facto mos-ekzistencën e gjendjes së luftës.
Përveç kësaj, pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, anëtare të së cilës ishte dhe Greqia; dhënia e reparacioneve të luftës nga Italia dhe Gjermania, Shqipërisë si vend aleate kundër boshtit hitlerian; nënshkrimi nga Shqipëria i Kartës së Helsinkit; lidhja e një sërë marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Greqisë; dhe së fundi nënshkrimi i traktatit të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, vërtetojnë plotësisht heqjen e gjendej se luftës me Greqinë.
Nga sa u parashtrua më lart, gjendja e luftës me Greqinë ishte një akt formal i padrejtë për kohën e vet, çka e vërtetoi plotësisht historia e vërtet e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Konkluzionet
Në këtë mënyrë, detyra e qeverisë dhe e gjithë klasës politike nuk është të diskutojë për një gjendje që nuk ekziston, por të kërkojë në rrugë institucionale nga qeveria greke të zbatojë duke zgjidhur ligjërisht dhe praktikisht, detyrat që burojnë nga heqja e gjendjes së luftës. Konkretisht anulimi de jure e gjendjes së luftës pas sjell pasojë edhe anulimin e sekuestrimit konservativ të vendosur ndaj pasurive të shtetasve shqiptarë që banonin në Greqi.
Ka politikanë dhe analistë të ndryshëm që duke mos patur të qartë gjendjen e luftës dhe pasojat e saj, e ngatërrojnë edhe pretendimet e të drejtave të çamëve të dëbuar mizorisht nga shteti i tyre legjitim, me ligjin e gjendjes së luftës. Ato janë dy probleme të ndryshme që zgjidhin në mënyrë të ndryshme. Çamët si ish-shtetas grekë, duhet të ndihmohen nga qeveria dhe nga klasa politike e Shqipërisë, veçanërisht që problemin i pronësisë të zgjidhet jo më ligjin e luftës që s’ka asnjë lidhje, por me të drejtat e tyre legjitime, si pronarë në pajtim me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e së drejtës së pronës. / Memorie.al