Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
NË SPITALIN Nr. 2, TIRANË
Në vitin 1969 Zotia u sëmur nga prostati dhe Doktor Vasili i Madh e dërgoi për një ndërhyrje kirurgjikale në Tiranë, në klinikë të specializuar tek Prof. Dr. Ferdinand Paparisto, kolegu dhe miku i tij.
Sapo pa letrën e Vasil Labovitit, doktor Paparisto tregoi një kujdes të veçantë për Zoten e, u tregua mjaft konfidencial me të. Çdo ditë Paparistua e takonte në pavijon dhe bisedonte me shumë kënaqësi me Zoten, duke shijuar humorin e shokut të Vasil Labovitit, për të cilin ruante respekt të veçantë, që nga koha kur kish punuar si mjek i ri pranë tij në Tiranë.
Me infermieren
Ditën e parë të shtrimit të Zotes në spital, u fut infermieria në dhomë dhe thirri:
– “Krevati katër”!
– “Unë”! – u përgjigj Zotia, që po qëndronte në këmbë.
Infermieria i zgjati dorën me tableta dhe ia dha për t’i pirë.
– “Për kë janë këto ilaçe”?!
– “Për krevatin katër”. – iu përgjigj ajo dhe mori të largohej.
– “Krevati nuk pi ilaçe, – i tha Zotia -, po për cilin pacient, po të pyes, si e ka emrin”?
– “Emrin e ke të regjistruar tek dhoma e mjekut”, – e sqaroi ajo.
Me ilaçet në dorë shkoi aty dhe kërkoi sqarim. E kontrolluan kartelën dhe rezultoi se tabletat, që po mbante në dorë Zotia, i takonin një pacienti që kish patur të njëjtin krevat, por që pat dalë atë ditë nga spitali
– “Puu, – thirri Zotia -, si nuk e arrita ta takoja atë. Ishte që ishte, të operohej në vendin tim”!!
Në sallën e operacionit
Para se të fillonte operacioni në sallë, Zotia, i impresionuar nga pamja e sallës, nga personeli me maska, nga tërë ato pajisje e instrumente, që cilido mendon se do t’i përdorin mbi trupin e tij, i drejtohet Dr. Paparistos:
– “Doktor, të lutem, kam dy kërkesa: Kam dëgjuar se, ku është filli i hollë, këputet”.
– “Është e vërtetë, – iu përgjigj doktori -, pse, ku e ke hallin”?
– “Jo mo, mu kujtua ashtu kot, po tani që do më hapësh, po ma pe gjëkundi ‘fillin’ të hollë, lidhe bëje komb, aman të keqen, se jam edhe djal’ i vetëm”.
– “Mos u baj merak hiç, Alizot, kur ta shoh të hollë, do ta lidh, do ta baj nyje dy here”.
– “Edhe atë gjakun e kam merak të madh”, – vazhdoi Zotia.
– “Ça meraku ke me gjakun, Alizot”?!
– “Po ja, a do më hidhni gjak”
– “Po, po u desh, do të të hedhim. Pse pyet”?
– “Zgjidhmani një çikë, që të mos jetë gjak evgjiti, se jemi dhe racë trimash e, mos e prishim kot”.
– “Qënke shtëpi pushke, Alizot”?
– “Çudi si nuk e ke kuptuar, doktor! Edhe një pushkë të vjetër që kishim në shtëpi, ia hoqëm tytën dhe e bëme fisë, për të fryrë zjarrin në oxhak”.
Dalja nga spitali
E njoftoi mjekja e pavijonit një ditë para, se të nesërmen duhej të largohej nga spitali. Ia kishin plotësuar dokumentet. Pra, ishte bërë fakt i kryer. U shqetësua shumë. Ndihej akoma mjaft i dobët, për të dalë menjëherë mbas atij operacioni që kish bërë, sidomos kur mendonte se do shkonte nga Tirana në Gjirokastër. Rruga ishte shumë e gjatë dhe e lodhshme për një të porsa-operuar. Si të bënte? Do takoj Papariston, mendoi. Doktori ishte në operacione. E priti sa doli, i shkoi në zyrë.
– “More doktor, – i tha -, mos më kanë ngatërruar gjë mua këto punonjëset, që merren me nxjerrjen e pacientëve nga spitali”?
– “Pse, si është puna”? – e pyeti Paparistua.
– “Më njoftoi të përgatitem, për të dalë nesër nga spitali”.
– “Mirë kanë ba, ti tani je mirë e, mund të vazhdosh në shtëpi, me çfarë të kanë ngatërru, mor Alizot”?
– “Po them se më kanë ngarruar me domatet e eksportit – ju përgjigj Alizoti – Ato po, i këpusin jeshile këtu në Shqipëri dhe skuqen rrugës, deri sa mbijnë në destinacion, mbas një jave, në Europë. Unë nuk u vë faj punonjëseve këtu. Siç duket kanë marrë vesh se dhe unë kam rrugë të gjatë për të bërë, deri në Gjinokastër dhe kanë menduar, se gjer sa të mbërrij atje, do jem shëruar. Do t’u ketë dalë fare na mëndja, se rrugës ka dhe skarcitete. Nuk harinë të tëra shëndoshë. Pandaja, po deshe, shikoje dhe një herë vetë këtë punën time e, po munde, mos më nxirr jeshil nga spitali, lemë të kuqem dhe një çikë këtu. Të lutem”!
Doktori e thirri në moment punonjësen dhe i tha:
– “Ky pacient, do dalë kur të të them unë”!
NË SPITAL NË GJIROKASTËR
Spitali i Gjirokastrës ka qenë një ndër spitalet më të mirë në Shqipëri. Një ndërtim shumë i mirë për atë kohë, me hapësira të bollshme, kate të larta, me ngrohje qendrore. Shkëlqente nga pastërtia, mbizotëronte rregulli e disiplina dhe, mbi të gjitha, përkushtimi e profesionalizmi i mjekëve. “Kishte në themel një traditë të krijuar nga mjekët e talentuar, të mëdhenjtë e mjekësisë shqiptare: Dr. Aleksandër Kalivopulli – patolog, Dr. Vasil Laboviti ose “Vasili i Madh”, kirurg dhe Dr. Vasil Jorgji ose “Vasili i Vogël” – pediatër.
Në vitin 197.. Zotia u sëmur. Pati probleme me tensionin e syrit. Ju vështirësua shikimi. Kur shikonte përpara një figurë i bëhej tre…!
I kishte thënë mjekut okulist, doktor Adem Harxhit :- “Po më bëhen tre Fete (emri i gruas së tij), – hiqmi di, lemë me atë që kisha”.
Në repartin e okulistikës
E shtruan në spitalin e Gjirokastrës, në pavionin e okulistikës. Në orarin e vizitave të pacientëve, e thirri mjekia e pavionit. Shkoi, nuk njihej me mjeken, ishte e porsaardhur.
Ajo e pyeti për shqetësimet që ndjente dhe e vizitoi. Ja përshkroi Alizoti me hollësi çfarë i ndodhte me shikimin, të shoqëruar dhe me marrje mendsh, duke përsëritur me shqetësim disa herë shprehjen:
– “Me humbi shikimi, me iku shikimi, ç’qe kjo hata që më gjeti,…”?!
Në përfundim të vizitës mjekia e qetësoi:
– “Mos u mërzit, xhaxha, shikimi do të të vijë gradualisht”!
– “Moj, po a më thua dot se ku më ka vajtur mua shikimi, – iu drejtua Alizoti mjekes, që u tregua shumë e sjellshme dhe korrekte -, se s’pres të më vijë unë, po dërgoj ta marr ku të jetë. S’ju mundoj fare juve, kam një radhë fëmijë, që s’përtojnë për të tilla gjëra. Edhe ju s’keni ç’të bëni më përpara me ne të sëmurët. Si e do njeri, s’e do tjetri”.
Mjekja, që nuk e njihte Alizotin, qeshi me këtë pacient dhe e nisi në dhomën e pavijonit, ku ishte i shtruar, pa ia zgjatur. Kur u takua me doktor Harxhin, i tha duke qeshur:
– “Në pavijon na ka ardhur një pacient me probleme mendore, por jo i rrezikshëm e mjaft i respektueshëm, që më bëri të qesh gjatë vizitës”, – dhe i tregoi se si pacienti do dërgonte fëmijët t’i gjenin shikimin e humbur e t’ia sillnin sa më shpejt.
– “Cili pacient, si e ka emrin, në ç’dhomë e kemi”? – pyeti nxitimthi doktori, që dyshoi menjëherë, se mund të ishte miku i tij.
– “Alizot Emiri”! – u përgjigj mjekia pasi pa në kartelë.
– “Obobo, – thirri doktor Harxhi, që kish goxha miqësi me Zoten -, mos e bëj muhabet me asnjeri, se do mbetesh, pa dashur, në histori në Gjirokastër”, – dhe e sqaroi mjeken se kush qe pacienti me probleme mendore. E thirrën Zoten tek dhoma e personelit, e prezantuan me mjeken e re dhe bënë një copë herë bisedë sa serioze, aq argëtuese.
– “More Zote, po akoma s’fute këmbët, mo derëzi, edhe në spital s’do rrish rehat ti? Dhe shiko, se mos më dalë nga mëndja mua, mos i mundo kot fëmijët, – i tha me qesëndi doktori -, prit të ta biem ne atë shikimin tënd, që të ka ikur! Edhe mbaj mendjen e kokës në vend, se kujtojnë që je budalla”!
Radha e qymyrit
Në dhomën e spitalit, në pavijonin e okulistikës ku qe shtruar, Zotia, rastisi bashkë më tre djem të rinj nga Përmeti, që ishin dëmtuar në sy nga një aksident i vogël në punë. U fut menjëherë në botën e tyre. U tha se kishte djalin e madh, Ibrahimin, inxhinier në Përmet. Ata e njihnin “inxhon”, kështu i thërrisnin! Zotes iu bë qejfi shumë. I kënaqi me histori e muhabete. Qeshnin gjithë ditën, se edhe dëmtimi i vogël, që kishin në sy, po u shërohej shpejt.
Pacientët e shtruar në këtë spital trajtoheshin në kushte mjaft komode, krahasuar me kushtet e vështira në dimër, në shtëpitë e tyre të ftohta. Ngrohja qendrore në atë kohë ishte shumë e rrallë. Djemtë e dhomës e ndjenin këtë privilegj, sa herë që vinin njerëz nga jashtë, duke u dridhur nga të ftohtit e hidhur të fund-nëntorit në Gjirokastër.
Një ditë para se të dilnin nga spitali djemtë, që tashmë ishin shëruar, Zotia mendoi që, para ndarjes, të bënte një lojë me ta. Hyri gjoja shumë i mërzitur në dhomë dhe djemtë e vunë re menjëherë. Ata e shikonin Zoten në dritë të syrit. Nuk dinin se si t’ja bënin qejfin më mirë, e respektonin shumë, u kish fituar zemrat me afërsinë e madhe që mbante me ta, ndonëse ishin evgjitë.
– “Ç’ke kështu, mo xha Alizot, të shohim shumë të mërzitur, do ndonjë gjë, të ndihmojmë dot ne”? – po e pyesnin djemtë.
– “Po jo mo, po më erdhi inat më veten kur më thanë. Duhet ta kisha menduar dhe vetë”.
– “Po pse, ç’të thane”? – s’po duronin dot çunat.
– “Do t’ua u shpjegoj më ngadalë juve, që të mos mërziteni siç u mërzita unë. – filloi sqarimin Alizoti dhe vazhdoi -. A nuk kemi diskutuar plot herë bashkë, që sa kushte të mira kemi? Po! A kemi thënë që në këtë spital më shumë shërohesh nga ngrohja qendrore, se sa nga mjekimet”?
– “As që diskutohet ky muhabet, e kemi thëne që ç’ke më të, o”! u përgjigjën djemtë.
– “E po, që të funksionojë si sahat kjo ngrohja, duhet të kontribuojnë edhe të sëmurët si puna jonë, që nuk kanë sëmundje të rënda, po vuajnë një çikë nga sytë apo nga veshi, e të tjera si këto. Kot nuk thonë: nuk çalon gomari nga veshët. Këtë rregull unë nuk e dija, se është hera e parë që shtrohem në spital. Kur ma thanë, u ndodha bosh dhe u mërzita”.
– “Po ç’të thanë? – mezi prisnin të mësonin shkakun e mërzitjes së Alizotit.
– “Nesër dhoma jonë ka radhën e qymyrit”! – ua tha më në fund Zotia.
– “Ç’është kjo radha e qymyrit, mo Alizot? – e pyeti një nga djemtë e Përmetit me buzën në gaz -, se andej nga ne e përdorin për dashurinë këtë punën e qymyrit. Përshëmbëll, thonë filanin e ka zënë qymyri me filankën. Po ne, më kë na ka zënë…”?
– “Po jo, mo shejtan, – i tha Zotia -, po me që të ka vajtur dhe mëndja, do ta provojmë nesër që pa gdhirë. Do shkojmë tek kaldaja e spitalit dhe do bëjmë furnizimin me qymyr. Është punë e lodhshme fizike, do bëhemi për ibret, tëre hi e kapenè (blozë), mos e pyet”.
– “Ama, për këtë je mërzitur kaq shumë ti, o xha Alizot”?!
– “Po për këtë, pse e pakët ju duket kjo? Ku kam fuqi unë të bëj punë të rëndë fizike! Apo që s’jam shëruar akoma…”!
– “Pse, të ka lënë mëndja ti, o? Si e mendon ti, që ne do të të lëmë ty të punosh më lopat’o? S’kemi vdekur akoma ne! Atë punë ne e bëjmë me qejf, zaten ajo është puna jonë. E dimë ne si do ta bëjmë kaldajën e spitalit nesër, që të mbahet mënd”.
– “Mirë mo djem, paçi uratën”! – u tha Zotia dhe më pas u interesuan se nga do dilnin, ku ishte kaldaja, etj.
Pa zbardhur mirë djemtë u ngritën pa zhurmë, që të mos e zgjonin Zoten që gërhinte, morën nga një batanije, që të mos ftoheshin dhe dolën me shumë kujdes. Zbritën në katin përdhe, shkuan tek porta e madhe e hyrjes së spitalit, që qe e mbyllur. U bë zhurmë me dorezën e derës, u zgjua roja i spitalit, që po dremiste në karrige. Pa tre njerëz me pizhamet e spitalit dhe me batanije në kokë. U trëmb! I shkoi pështyma keq dhe mezi nxori fjalët:
– “Po ju, ku veni kështu mo, në mes të natës”?!
– “Kemi radhën e qymyrit”! – i thanë djemtë të vendosur.
– “Shiko, shiko, – qeshi roja, që e kuptoi parullën e të rinjve të asaj kohe, megjithëse ishte i përgjumur. – Po ku e keni lënë takimin”?
– “Tek kaldaja”, – u përgjigjën djemtë pa ua bërë tër syri.
– “E di unë ç’doni ju, dhe jua tregoj unë qymyrin mirë pastaj. Ju doni të njoftoj policinë dhe të veni të bëni dashuri në biruca. U bëtë dhe ju evgjitët e mu…, me rrobat e spitalit, paskeni marrë dhe batanijet, domosdo, tamam për ‘qymyr’”?!.
Djemtë po e dëgjonin të habitur dhe e morën vesh se roja u keqkuptua, ndaj me qetësi e sqaroi njëri prej tyre, se ku po shkonin dhe se ngrohja e spitalit varej nga ata. Do mbante përgjegjësi kush i pengonte.
– “Kush ju tha se sot keni radhën e qymyrit”? – i pyeti me qetësi roja, që i kish dalë gjumi mirë.
– “Xha Alizoti”.
– “Cili Alizot, mo”?
– “Alizot Emiri, jemi bashkë në një dhomë. Do vinte dhe ai, po nuk e lamë ne”.
– “Kur qenka shtruar në spital Alizoti, s’e kam marrë vesh fare”, – tha roja që çalonte nga një këmbë. Banonte ne “Palorto”, në të njëjtën lagje me të. – “Djema, qenkeni kënaqur me Zoten ju, në një dhomë më të, po ja që bën dhe nga këto prapësitë ai. Kthehuni në dhomë se për kaldajat e spitalit ka menduar tjetër kush, nuk mbeti spitali në dorë të Alizotit, që do t’i dalë për zot, me evgjitët e Përmetit”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












