Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Në mesin e tetorit të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit, (i cili nga viti 1980 deri në ’82-in, mbajti dhe funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme), sipas porosive të Enver Hoxhës, të dhënë Hekuran Isait, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së që iu ngarkua posti i ministrit të Punëve të Brendshme, në muajin shkurt të atij viti, menjëherë u krijua një ‘Grup special’, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili do të merrej me: “zbardhjen e veprimtarisë armiqësore dhe agjenturore të grupit të Kadri Hazbiut dhe lidhjeve të tij me poli-agjentin Mehmet Shehu”.
Në krye të atij grupi special, që do të ishte nën vartësinë direkte të ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, u caktua Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht mbante edhe postin e zv/ministrit të Punëve të Brendshme, dhe si ndihmësa të tij, ishin Hasan Ulqinaku dhe Enver Zeneli, të dy funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Menjëherë me marrjen e detyrës, ‘Grupi special’ filloi nga puna, ku krahas procesit hetimor ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, si dhe pjesëtarëve të tjerë të atij “grupi armiqësor”, (ku bënin pjesë edhe Nesti Nase, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, Mihallaq Ziçishti ish-gjeneral-major dhe zv/ministër i Brendshëm, Llambi Peçini, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, Fiqret Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin, Elham Gjika, ish-kryetar i Hetuesisë së Tiranës, Kristofor Martiro, ish-hetues që ishte marrë me hetuesinë ndaj Beqir Ballukut, Gani Kodra, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, etj.), ai grup, u muarr edhe me hapjen e studimin e dosjeve për një sërë ish-kuadrosh dhe funksionarësh të lartë të ish-udhëheqjes së PPSH-së, partiakë dhe shtetërorë, të cilët që nga viti 1945, e në vazhdim, ishin dënuar me burg apo vuanin nëpër internime.
Kjo, bëhej për të “zbuluar e zbardhur veprimtarinë armiqësore të grupit agjenturor të Kadri Hazbiut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, dhe pjesë e këtij hetimi, u bënë edhe disa nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës, ish-anëtarë të Byrosë Politike e ministra, si; Liri Belishova, Bedri Spahiu, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Zoi Themeli, Gjin Marku, Maqo Çomo, etj. Në këtë kuadër, një pjesë e madhe e tyre që ndodheshin të internuar, u arrestuan, një pjesë tjetër u thirrën në hetuesi për të deponuar, të tjerëve iu dërguan pyetjet me shkrim, për të dëshmuar mbi ato që u kërkohej etj.
Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, (për propagandën, artin e kulturën), e cila që nga viti 1961, ndodhej e internuar (ndërsa bashkëshorti, Maqo Çomo në burgun e Burrelit), në dhjetor të vitit 1982 dhe janar të 1983-it, iu dërguan dy letra nga ‘Grupi special’, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ishin përpiluar disa akuza dhe disa pyetje, që ajo t’u përgjigjej me shkrim.
Nga dokumenti në fjalë, këto letra drejtuar Liri Belishovës, përkojnë me një situatë tejet të vështirë të familjes së saj, pasi ajo sapo kishte humbur vajzën e vetme, (Drita Çomo, 20 vjeçe, vdiq nga një sëmundje e rëndë në Sanatoriumin e Tiranës), ku asaj i bëhej presion, duke e kërcënuar, me arrestim.
Për më shumë, bëhet e ditur nga ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë, i cili është nxjerrë nga një dosje voluminoze e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), e cili publikohet për herë të parë nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I DREJTORISË SË PARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, ME LETRËN E LIRI BELISHOVËS, SI PËRGJIGJE NDAJ AKUZAVE TË BËRA KUNDËR SAJ NGA GRUPI OPERATIV PRANË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, “PËR ZBARDHJEN E VEPRIMTARISË ARMIQËSORE TË GRUPIT TË KADRI HAZBIUT DHE MEHMET SHEHUT”
SEKRET
Ekzemplarë i vetëm
Tiranë, më 6.6.1983
PËRGJIGJE AKUZËS DHE PYETJEVE
Më 30 dhjetor 1982 dhe më 13 janar 1983, më keni akuzuar si pjesëmarrëse të komploteve armiqësore për të përmbysur shokun Enver, Partinë, pushtetin, kurse në takimin e tretë, më 20 maj, shtuat dhe akuzat për spiunazh dhe agjitacion e propagandë.
Më keni thënë se; dispononi të gjitha provat e faktet dhe se tani varet nga unë, të flas për këtë veprimtari armiqësore dhe të mbetem në shtëpi, apo ndryshe të futem në burg e, të dënohem.
Më keni dhënë edhe një sërë pyetjesh, të para në këtë prizëm.
Këto akuza janë të pa drejta dhe fakte e dokumenta për ta provuar atë, nuk ka dhe nuk mund të ketë, gjersa unë nuk kam bërë asgjë të tillë. Dëshmi, provë është tërë jeta ime. Unë që fëmijë, u lidha me komunizmin, me Partinë dhe komuniste do të mbetem deri sa të vdes.
Kam luftuar dhe punuar me të gjitha forcat e mia dhe se si e ka vlerësuar Partia luftën dhe punën time, e tregon fakti i ngarkimit tim me përgjegjësira shumë të rëndësishme, megjithëse isha në moshë fare të re – 16 vjeçe anëtare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste për Tiranën, l8 vjeçe Sekretare e Rinisë së Shqipërisë dhe kandidate e Komitetit Qendror të Partisë, 20 vjeçe në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë dhe 25 vjeç, Sekretare Komitetit Qendror të Partisë.
Megjithëse rinia, drejtoria e organizimit, propaganda, kultura dhe arsimi, çështjet e jashtme ishin sektorë shumë delikat, nën udhëheqjen e shokut Enver, unë kam luftuar për mbrojtjen e pastërtisë të vijës së Partisë e të marksizëm – leninizmit dhe deri në verën e 1960, nuk jam kritikuar për gabime politike e ideologjike. Nëse nuk kam bërë më shumë, kjo ka ardhur jo se jam kursyer, porse kaq kanë qenë forcat e mia, fizike e mendore.
Shoku Enver, që më ka udhëhequr direkt, shoqja Nexhmije që ka qenë udhëheqësja ime e parë në fillimin e lëvizjes dhe gjithë shokët e tjerë udhëheqës, me të cilët kamë bashkëpunuar gjatë gjithë këtyre viteve, e dinë shumë mirë sa e kamë dashur unë Partinë, sa e kamë respektuar shokun Enver, sa e vendosur kamë qenë. Dhe jo vetëm unë, por e gjithë familja ime.
Po ndalem tani konkretisht, në akuzat e pyetjet e tuaja. Çdo gjë e them me përgjegjësi të plotë dhe nesër nuk mund të them s’mbaja mend, se këtu nuk është fjala për gjëra të vogla e hollësira, por për çështje me rëndësi, që s’mund të harrohen.
– Me Jugosllavët (duke përmbledhur dhe Stoiniçin, Dizdareviçin, J. Gjergjen, Zllatiçin etj.), si dhe me Koçi Xoxen etj., as në Berat dhe as pas Beratit, nuk kamë bërë asnjë bisedë kundër shokut Enver e Partisë.
Përkundrazi, i kam luftuar duke u përpjekur me t’a, që në pranverën e vitit 1945, duke mbajtur qëndrime të drejta në Byronë Politike e, në çdo rast, duke luftuar kundër tyre, në hekurudhën e rinisë etj.
Jugosllavët e Koci Xoxja, arritën që unë të përjashtohesha nga udhëheqja e nga partia dhe bashkë me familjen, të pësoja shumë vuajtje e fatkeqësi. Unë kam luftuar gjithmonë me vendosmëri, për demaskimin politik e ideologjik të revizionizmit jugosllav dhe në çdo rast, kemi mbajtur qëndrim të drejtë kundër tyre.
Të gjitha këto dihen dhe janë vlerësuar nga Partia e Enver Hoxha disa herë, madje edhe ne plenumin që më dënoi, si merita të mia të rëndësishme. Kurse ju, më akuzoni për bashkëpunim me ta!
- – Për çështjen e Nakos.
Do të ishte mirë që ai të fliste vetë, por kanë kaluar 36 vjet, që kurse vrau veten. Unë për Nakon, kamë menduar ashtu siç është përcaktuar në Kongresin e I-rë të Partisë.
Për Nakon dhe vetëvrasjen e tij, kam folur në Plenumin e XI-të të Komitetit Qendror në shtator 1948, ku u analizuan gjithë veprimtaria e Partisë, që nga krijimi – nuk i kam fshehur asgjë Partisë. Këtu kam shprehur mendimin dhe për ato që kanë thënë për Nakon, Koçi Xoxja, Pandi Kristoja, etj.
Për periudhën e Beratit e pas tij, duhet të them se në ato kohëra, isha shumë e re, 18 vjeç, shumë çështje nuk i dija se s’punoja në Udhëheqje të Partisë, po me rininë. Nako ishte Presidenti i Rinisë, por ishte mjaftë i zënë dhe me punë të tjera partie dhe kur na takonte, bisedonte për çështje që lidheshin me organizatën e Rinisë.
Në Odriçan, unë nuk kamë qenë. Për prapaskenën e Beratit, nuk di gjë. Në Berat, kam qëndruar shumë pak, se më nisën për në Tiranë, në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, nuk mora pjesë.
Kur erdhi Udhëheqja në Tiranë, Nakua më foli shumë shkurt për plenumin dhe më tha të shkoja në aparatin e Komitetit Qendror, se ata ishin ngarkuar të më informonin mua dhe të tjerë.
Pak ditë më vonë, u nisa me delegacionin e rinisë, për në Jugosllavi dhe pasi u ktheva që andej, që në takimin e pare, kur i fola lidhur me një debat midis disa udhëheqësve të rinisë, të Jugosllavisë dhe të Bullgarisë, se Titua ishte më i madh se Dimitrovi, Nakua tha: “Janë shumë mendjemëdhenj”.
Ai kishte filluar të mbante qëndrim kritik, ndaj atyre pikëpamjeve e veprimeve të Jugosllavëve, që nuk i dukeshin të drejta, po kështu edhe për Koci Xoxen e Sejfulla Malëshovën.
Edhe më vonë Nakua, nuk ka biseduar me mua ndonjëherë për Beratin, as ka dalë që ai të ketë biseduar me ndonjë shok tjetër për këtë, as kam dëgjuar që shokë të Komitetit Qendror ose të tjerë, të bisedojnë për Beratin. Vendimet e këtij Plenumi, as u punuan në organizatat e Partisë.
Unë për Plenumin e Beratit, kam menduar si të gjithë shokët, nuk e kam parë si një sulm kundër Enver Hoxhës. Përsa kamë ditur mbi këtë Plenum, për ato që më thanë në Komitetin Qendror të Partisë dhe për ato që më ka thënë Nakua, nuk kam qenë në gjendje të thellohem, për shkak të moshës e nivelit dhe sepse shume gjëra, nuk dija si ishin zhvilluar në të vërtetë, mbasi s’kisha qenë pranë Udhëheqjes së Partisë.
Me përgjegjësi të plotë, them se Nakua, i cili bënte shumë kritika për Koci Xoxen, Sejfulla Malëshoven etj., nuk më ka thënë asgjë armiqësore për shokun Enver, as në Berat dhe as më pas, as kam kuptuar gjë që ai ta urrente e të donte ta përmbyste, as që ai të bënte veprime për të dalë në krye të Partisë.
Përkundrazi, kam vënë re se pas çlirimit, ai hante në shtëpinë e sh. Enver dhe ishte shumë i afruar me të, afrim që vinte duke u forcuar në luftën për ndërtimin e socializmit dhe kundër revizionistëve Jugosllave dhe bashkëpunëtoreve të tyre.
Gjithashtu me përgjegjësi të plotë, them se nuk di gjë për bisedime të Nakos me Stoiniçin, Dizdaroviçin, Koci Xoxen etj., kundër Partisë. Po kështu nuk di gjë që Nakua, të ketë biseduar kundër Partisë me Josip Gjergjën ose me Jugosllavë të tjerë. Nuk di gjithashtu asgjë, që Nakua të ketë pasur lidhje agjenturore me Jugosllavet.
Ju pyesni: “Çfarë ke biseduar me Nakon, në lidhje me ndryshimin e qëndrimit të tij, mbas prapaskenës së Beratit, nga pro-jugosllav, në pro-sovjetik”
(Pyetja 2). Në këtë mënyrë, nuk kamë biseduar asnjëherë. Si thashë dhe më lart, shpejt pas çlirimit, Nakua kritikonte Sejfulla Malëshoven, Koci Xoxen dhe jugosllavet.
Vetë ne shokët e rinisë, filluam të ndesheshim me pikëpamje e veprime të tyre, që nuk na dukeshin të drejta, më parë s’kishim patur të bënim me ta.
Në mars 1945, Nakua dhe ne shokët e tjerë të rinisë, i kundërshtuam ndërhyrjet dhe pikëpamjet e padrejta të delegacionit të rinisë jugosllave.
Kritikat e Nakos kundër Jugosllavëve e bashkëpunëtorëve të tyre, shkuan duke u shtuar e ashpërsuar dhe luftën e tij kundër qëndrimeve të pa drejta të këtyre ndaj vendit tonë, sidomos në fushën ekonomike, e gjeja të drejtë, për mbrojtjen e vijës Partisë, të interesave e pavarësisë të vendit tonë.
Ju pyesni; çfarë kam biseduar me Nakon, për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë (pyetja 12). Nakua nuk ka pasur asnjë mendim të tillë dhe ka luftuar kundër synimeve të revizionistëve jugosllav e bashkëpunëtorëve te tyre.
Nuk kam venë re ndonjë moment kthese, në qëndrimin e Nakos ndaj Bashkimit Sovjetik. Orientimin e tij për miqësinë me Bashkimin Sovjetik, bashkëpunimin me këshilltarët sovjetik, përfitimin nga eksperienca sovjetike, i shihja të natyrshme, në rrugën e Partisë, e cila që nga krijimi, ngrinte më shumë forcë rolin e Bashkimit Sovjetik e, miqësinë me ta.
Nuk di që Nakua të ketë patur lidhje agjenturore me sovjetikët, as që këta t’i kenë dhënë udhëzime kundër Partisë. Atëhere Partia, i konsideroj ato të drejta, nuk di që të jetë kritikuar për qëndrime oportuniste ndaj tyre (Pyetja 9).
III. – Unë, nuk kisha gjë kundër sh. Enver e Partisë dhe prandaj nuk kisha ç’të bisedoja kundër tyre me Mehmet Shehun e Fiqiretin. As që bëhet fjalë për dhënie ndihme njeri-tjetrit. (Pyetja 15).
Nuk di gjë për bashkëpunimin e Mehmetit me Koci Xoxen, etj., për prapaskenën e Beratit. Unë e kam njohur pas çlirimit. Deri sa Mehmeti u fut në Byronë Politike, më 1946-ën, nuk di të ketë patur muhabet me Nakon dhe nuk di gjë për propozimin e tij si Shef të Shtatmadhorisë.
Pasi Mehmeti u fut në Byro, diskutimet e tij, puqeshin në përgjithësi me të Nakos, sidomos në çështjet që kishin të bënin me jugosllavët dhe me sektorët që drejtonte Koci Xoxe.
Por ndonjë miqësi të madhe familjare, nuk kemi pasur asnjë herë, nuk kemi vajtur e nuk na kanë ardhur për vizitë, pa lë për darkë e drekë. Asnjëherë nuk është biseduar midis Nakos, Mehmetit Fadilit (Paçramit) dhe meje, kundër udhëheqjes së Partisë.(Pyetja 7)
Pas vetëvrasjes së Nakos, as që mund ta takoja Mehmetin, se ai u bë ministër i Komunikacioneve, kurse unë u përjashtova nga Partia, si armike e saj dhe nuk më fliste njeri me gojë. Pas Plenumit të XI-të, kam pasur për Mehmetin, konsideronin e Partisë, por miqësi e afrim me të, nuk kemi pasur.
Miqësi, kamë pasur me shokun Hysni etj. Gjatë kësaj kohe, vëreja se ai në kritikat ndaj meje, ishte shumë i zellshëm e i ashpër. Pasi u ktheva nga Kina në verën e vitit 1960, qëndrimi i tij ndaj meje, ishte shumë i ashpër, sidomos kur raportova ne Byro.
Për Sokrat Bufin (Pyetja 16). Nuk kam pasur as grindje e as kontradikta me të. Kur mësonte në shkollën e lartë të Partisë në Moskë, Sokrati ngriti disa gjera që, nuk i mbaj mend mirë (mund të pyeten shokët e tjerë që mësonin në shkollë, se kanë qenë në dijeni).
Me duket se ai, thoshte se Mehmeti, ka falsifikuara raportin e sh. Enver. Unë bisedova me sh. Enver, që atëhere ish në Moske; ai ngarkoi Beqirin. Me kaq kjo çështje mori fund, se Sokrati u kthye në Shqipëri e s’erdhi më në shkollë. Me Mehmetin, nuk kamë biseduar kurrë, për letrën e Sokratit dhe as e kam ditur që ekziston kjo letër.
Nga 1 shkurti, deri në maj 1956, unë kamë qenë e sëmurë dhe në kohën e Konferencës së Tiranës, ndodhesha në Moskë për kurim. Pra nuk di gjë, për rolin e Mehmetit, Fiqiretit, Beqirit, Kadriut, Feçorit etj. (pyetja 17). Mua për Konferencën e Tiranës, më ka informuar sh. Vito Kapo, që erdhi në Moskë për të shkuar në Pekin. Siç thashë, unë kurrë nuk kamë qenë kundër Partisë dhe sh. Enver, prandaj asgjë nuk mund të bisedoja me Panajot Plakun, kundër tyre.
Kjo s’ka ndodhur, as këtu dhe as në Moskë, as vetëm me mua dhe as me Maqon. Panajoti dhe çdo armik, si do të guxonin të bisedonin me mua, kur dihej vendosmëria e besnikëria ime, çdo tentativë, do t’i demaskonte para Partisë, pasi e kemi dënuar si armik që ish. (Pyetja 18) Sovjetikët nuk më kanë dhënë ndonjë porosi, prandaj nuk kisha ç’ti thoshja. (Pyetja 21). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016