Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të vitit 1972 dhe janë pjesë e një dosje “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë e gjatë, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me ambasadën shqiptare në Romë dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, dhe një raport-informacion i hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme në Tiranë, Nesti Nase, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me emërimin e ambasadorit të ri shqiptar në Romë, Skender Konica, në vend të Ksenofon Nushit, gjë e cila kishte sjellë probleme të mëdha diplomatike, në mes dy vendeve, pasi vetëm pak ditë pas atij emërimi dhe dhënien e pëlqimit nga qeveria italiane të kandidaturës së Skënder Konicës, Buletini O.P.I., (Osservatore Politico Internazionale), i drejtuar nga avokati i njohur, Mino Pecorelli e kishte dekonspiruar atë, si një ekspert spiunazhi dhe ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, që ishte përzënë edhe nga qeveria turke (si person i padëshirueshëm), gjatë kohës që ai drejtonte ambasadën shqiptare në Anakara, etj. Lidhur me këtë, në dokumentin në fjalë midis të tjerash thuhet: “Ne akoma nuk ju kemi dhënë përgjigje. Vlen për t’u theksuar gjithashtu fakti se, disa ditë përpara dhënies së agrementit, Buletini i përditshëm O.P.I. (Osservatore Politico Internazionale) ndër njoftimet e ndryshme, jepte dhe lajmin me titull: “Ambasadori shqiptar në Romë, thirret në atdhe”, ku midis të tjerave thuhet: “Vendin e ambasadorit Ksenofon Nushi, do ta zërë Skënder Konica, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit (Policia Sekrete Shqiptare), i cili ka shërbyer po në Itali, para disa vitesh si Sekretar i Legatës.
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me problemin që kishte dalë me emërimin e ambasadorit të ri shqiptar në Romë, pasi Buletini O.P.I., (Osservatore Politico Internazionale), e kishte dekonspiruar, si ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit
I N F O R M A C I O N
Lidhur me emërimin e shokut Skënder Konica, e shohim të nevojshme të njoftojmë sa vijon:
1 – Me rastin e transferimit në qendër të shokut Ksenofon Nushi, ne dolëm me propozimin që në vend të tij si ambasador në Itali, të emërohej shoku Skënder Konica. Ky propozim u bë, duke u nisur nga fakti se shoku Skënder Konica për disa vite me radhë, drejton në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Drejtorinë e Katërt e cila, mbulon Italinë si dhe shumë çështje që kemi pasur me këtë vend dhe që janë trajtuar prej tij, me ambasadorin italian në Shqipëri.
Ne u nisëm gjithashtu nga fakti se ai, e njeh gjendjen e Italisë dhe marrëdhëniet e vendit tonë, me këtë shtet. Pas aprovimit të këtij propozimi, ne bëmë veprimet përkatëse pranë palës italiane. Në 8 Shkurt të këtij viti, shoku Ksenofon Nushi njoftoi Ministrinë e Jashtme italiane për transferimin e tij dhe njëkohësisht kërkoi agrementin për shokun Skënder Konica. Ministria e Jashtme pas 20 ditësh, më 28 Shkurt, njoftoi ambasadën tonë në Romë për dhënien e agrementit.
Nga ana tjetër, në 1 Mars ambasadori italian në Tiranë, gjatë takimit me Kryetarin e Degës së Protokollit në Ministrinë e Jashtme, dorëzoi notën Nr. 371 datë 29 Shkurt 1972, ku njoftohej se Presidenti i Italisë jep agrementin për shokun Skënder Konica. Të tërheq vëmendjen fakti që në këtë takim, ndryshe nga herët e tjera kur na është komunikuar pëlqimi për ambasadorët tanë, ambasadori italian me porosi nga Roma, kërkonte të dinte nëse ne jemi dakord që pala italiane, të japë pas disa ditësh në shtyp, njoftimin mbi emërimin e ambasadorit të ri shqiptar.
Ai, shtoi se ata nuk mund të bëjnë njoftimin në shtyp, pa marrë më parë pëlqimin tonë për këtë çështje. Ne akoma nuk ju kemi dhënë përgjigje. Vlen për t’u theksuar gjithashtu fakti se, disa ditë përpara dhënies së agrementit, Buletini i përditshëm O.P.I. (Osservatore Politico Internazionale) ndër njoftimet e ndryshme, jepte dhe lajmin me titull: “Ambasadori shqiptar në Romë, thirret në atdhe”, ku midis të tjerave thuhet: “Vendin e ambasadorit Ksenofon Nushi, do ta zërë Skënder Konica, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit (Policia Sekrete Shqiptare), i cili ka shërbyer po në Itali para disa vitesh si Sekretar i Legatës.
Emërimi i Konicës, ka shkaktuar zemërim dhe është kontestuar gjerësisht. Në fakt ky person, njihet si ekspert i spiunazhit dhe është shpallur person i padëshirueshëm nga Turqia, ku ky i fundit drejtonte ambasadën shqiptare në Ankara.
Në ambientet diplomatike të kryeqytetit italian, nuk arrihet të kuptohet qëllimi i këtij emërimi nga ana e Tiranës zyrtare, pikërisht në momentin kur dhe marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve janë shumë të mira (më shumë për Tiranën, sesa për Romën). Ambasadori i ri shqiptar, përveçse është dëbuar nga Turqia, ka rënë në sy edhe për lëvizje të shumta në SHBA-ës, ku ka qenë pjesë e delegacionit të Shqipërisë në OKB”.
Buletini O.P.I., i drejtuar nga i quajturi Mino Pecorelli i cili, njihet dhe nga shokët e ambasadës sonë në Romë, në bazë të shpjegimeve që ai përbën në fund të çdo numri, reklamohet si një botim privat dhe i pavarur. Por nga të dhënat që disponon ambasada jonë, del se ky Buletin, botohet nën kujdesin e Ministrisë së Brendshme Italiane.
Shënojmë gjithashtu se gazeta “Shqipëria e Lirë”, organ i organizatës kriminale “Komiteti i Shqipërisë së Lirë”, në numrin e saj të Shtator-Tetorit të vitit të kaluar, ka botuar një artikull me titull: “Diplomatët e Tiranës”, në të cilin bëhen sulme dhe shpifje kundër disa prej shokëve tanë diplomatë që kanë punuar ose që edhe punojnë jashtë shtetit, në sektorin e Zbulimit. Për shokun Skënder Konica, në këtë artikull thuhet: “Këtu po sjellim vetëm disa skandalet ndërkombëtare që zbulojnë haptazi aktivitetin agjenturor të këtyre “diplomatëve”.
Kështu vite më pare, një farë Skënder Konica, që shërbente si Sekretar i Parë i ambasadës shqiptare në Romë, u detyrua që të kthehet në Shqipëri, me kërkesë të qeverisë italiane, për veprimtari spiunazhi ndërmjet emigrantëve shqiptarë dhe kolonisë arbëreshe në Itali. Ky u dërgua më pas me gradim në Turqi si “ambasador”, ku pas një kohe, u kthye në Shqipëri me kërkesë të qeverisë turke, pas sjelljeve provokuese të Konicës ndaj shqiptarëve të Turqisë, sidomos atyre me origjinë kosovare”.
2 – Duke parë sa më sipër, ne arrijmë në konkluzionin se: botimi i materialit mbi Skënder Konicën në Buletinin O.P.I., gjatë kohës kur autoritetet italiane po shqyrtonin agrementin e tij, nuk është diçka e rastit. Po të kihet parasysh se karakteri jo i zakonshëm i ndërhyrjes së bërë në Ministri, nga ambasadori italian lidhur me botimin në shtyp nga ana e tyre të lajmit, mbi ambasadorin e ri shqiptar, del qartë se njoftimet tendencioze të Buletinit O.P.I., janë bërë nën nxitjen e autoriteteve italiane, për t’ia komunikuar qeverisë sonë.
Sipas mendimit tonë, me qëndrimin e saj ndaj çështjes së emërimit të shokut Skënder Konica, pala italiane ndjek qëllime të caktuara. Në radhë të parë ajo me këtë gjë, do të na e tregojë se e di se cili është personi i propozuar nga ne për ambasador në Romë, ndërsa në radhë të dytë, qeveria shqiptare duke vënë në krye të ambasadës së saj një person nga radhët e Zbulimit Politik, tregon se e sheh me dyshim dhe mosbesim politikën e qeverisë italiane ndaj Shqipërisë.
Megjithatë pavarësisht këtyre gjërave, Roma zyrtare u tregua korrekte duke e dhënë pëlqimin e saj për emërimin si ambasador të shokut Skënder Konica, por me takt, vuri në dukje vërejtjet që ajo ka për të.
3 – Pasi analizuam me kujdes këtë problem, kemi arritur në konkluzionin se: në paraqitjen e kandidaturës për ambasador të shokut Skënder Konica, neve jemi treguar të shpejtuar dhe nuk jemi thelluar sa duhet. Nga ana jonë këtë problem, duhet ta kishim studiuar nga të gjitha anët, dhe aq më tepër për një shok që ka qenë dy herë në Itali me punë në ambasadën tonë, dhe që është marrë me çështje të zbulimit agjenturor edhe me shtetas italianë, nga ku qeveria italiane, është vënë pjesërisht në dijeni.
Po kështu ishte e domosdoshme që ne, të qëndronim më shumë në vlerësimin konjuktural të politikës italiane dhe të marrëdhënieve tona dypalëshe. Në këto kushte, për të evidentuar probleme të ndryshme që mund të lindin në të ardhmen, në marrëdhëniet tona kemi menduar të veprohet si më poshtë.
Varianti i parë: Të anulohet dërgimi i shokut Skënder Konica, si ambasador në Itali. Lidhur me këtë të thirret në ministri nga Zv/ministri i jashtëm, ambasadori italian në Tiranë dhe t’i flitet përsa është shkruar në Buletinin O.P.I., për shokun Skënder Konica. Ambasadorit, t’i vihet në dukje se ky veprim, duket se po bëhet për qëllime të caktuara nga ato qarqe që nuk duan zhvillimin e marrëdhënieve normale midis dy vendeve tona.
Dhe se me veprime të tilla ato, kërkojnë që të komprometojnë pozitën zyrtare të përfaqësuesit të Shqipërisë në Itali, të ngjallin dyshime ndaj tij si në personalitetet italiane, ashtu edhe para trupit diplomatik në Romë. Kjo, nuk është e vështirë të kuptohet po të kihet parasysh fakti se, Buletini në fjalë, shpërndahet gjerësisht në Itali, duke përfshirë këtu edhe të tërë trupin diplomatik të akredituar në Romë.
Ambasadorit italian, t’i vihet në dukje gjithashtu se qeveria italiane, duhet të marri masa karshi personave që janë përgjegjës për veprime të tilla të palejueshme që, nuk i shërbejnë zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe njëkohësisht t’i thuhet se, qeveria shqiptare, duke marrë parasysh veprimtarinë e papërgjegjshme komprometuese e me qëllime të panjohura të bëra nga qarqe të caktuara italiane në adresë të ambasadorit shqiptar, vendosi që të mos e dërgojë shokun Skënder Konica si ambasador në Itali dhe në një të ardhme të afërt, do të kërkojë agrementin për një person tjetër.
Varianti i dytë: Meqenëse duke vepruar sipas variantit të parë, tek pala italiane mund të krijohet përshtypja se ne pranojmë atë ç’ka thuhet në Buletinin e lartë dhe bëjmë një tërheqje, shoku Skënder Konica, të dërgohet si ambasador në Itali, për një periudhë të shkurtër kohore, deri në një vit. Përpara nisjes së tij të thirret në ministri ambasadori italian, dhe t’i vihet në dukje ajo çka shkruhet në Buletinin OPI mbi Skënder Konicën, si dhe për qëllimet që ndjekin autorët e tij.
T’i flasim atij shkurt, për politikën e fqinjësisë së mirë që ndjek vendi ynë me Italinë, dhe të kërkojë që qeveria italiane, të marri masa ndaj përhapësve të shpifjeve të tilla, dhe njëkohësisht për mospërsëritjen e veprimeve të papëlqyeshme që dëmtojnë marrëdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve.
4 – Duke e shikuar problemin në të gjitha aspektet e tij, zhvillimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Italinë, gjendjen ndërkombëtare dhe situatën e krijuar në Ballkan e Mesdhe, perspektivën e marrëdhënieve normale me Italinë, si dhe nevojën që ambasada të vazhdojë më tej veprimtarinë e saj me miqtë, ne mendojmë se, mund të veprohet sipas variantit të parë.
5 – Nën dritën e ngjarjeve të mësipërme ne, mendojmë që të rishikojmë me kujdes problemin që lidhet me kuadrot e Zbulimit, që për arsye të veprimtarisë së tyre janë bërë të njohur nga organet e shteteve të huaja, dhe që tani mbajnë poste me përgjegjësi në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Del e nevojshme që të shqyrtohet struktura e Ministrisë të cilën mendojmë që ta bëjmë së shpejti. Në këtë kuadër, do të rishikojmë gjithashtu çështjen e disa kuadrove të Zbulimit që aktualisht janë atashuar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë shtetit, e që janë bërë të njohur si të tillë.
Nesti Nase
Tiranë më 7.3.1972
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me ecurinë e negociatave me qeverinë italiane, për emërimin e Skënder Konicës, si ambasador në Romë
I N F O R M A C I O N
Në vijim të informacionit tonë të datës 7 Mars të vitit 1972, lidhur me emërimin e shokut Skënder Konica si ambasador në Itali, e analizuam dhe njëherë këtë çështje dhe duke u mbështetur në vërejtjet që na bënë, arritëm në këto përfundime:
1 – Duke marrë parasysh nga sa ka shkruar Buletini O.P.I., mbi shokun Skënder Konica dhe ndërhyrjen jo të zakonshme të ambasadorit italian mbi botimin e lajmit të emërimit të shokut Skënder si ambasador në Itali, mendojmë: Të thirret në Ministri nga Zv/Ministri i Jashtëm dhe t’i vihet në dukje shkrimi i Buletinit O.P.I., mbi shokun Skënder Konica, ku dhe t’i thuhet se ato janë totalisht shpifje dhe trillime.
Ambasadorit italian, t’i thuhet se këto shpifje nuk janë të rastit, dhe se ngjajnë shumë me ato të shkruara kohë më parë nga kriminelët e arratisur shqiptarë në organin e tyre “Shqiptari i Lirë” që botohet në SHBA-ës. Të tërheq vëmendjen se i njëjti lajm, sikur diplomati Skënder Konica, është dëbuar nga Turqia si person i padëshiruar, është botuar si nga kriminelët shqiptarë, ashtu dhe nga Buletini O.P.I.
Një gjë e tillë, flet qartë mbi lidhjet e fashistëve shqiptarë me ata italianë. Ne, protestojmë përpara këtyre shpifjeve që kanë si qëllim cënimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Në fund, ambasadorit italian t’i thuhet se, qeveria e vendit të tij, duhet të marri sa më parë masa që të bëhet përgënjeshtrimi i këtij lajmi, të merren masat ndaj personave përgjegjës, si dhe të vihet në vend nderi i ambasadorit shqiptar Skënder Konica, duke mos lejuar kështu në të ardhmen, përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Gjatë bisedës ambasadorit italian, t’i vihet në dukje se Buletini i O.P.I., nuk është organ i çfarëdo lloji që nuk meriton vëmendje, pasi ky organ ka lidhje me qarqet e rëndësishme politike dhe ekonomike italiane, si dhe gëzon një përhapje të gjerë në këtë vend.
2 – Mundet që ambasadori italian, të justifikohet duke thënë se: ky është një veprim i papërgjegjshëm i njerëzve të shtypit që merren me sensacione, se Buletini në fjalë, është një organ i parëndësishëm jo zyrtar, dhe se qëndrimi zyrtar i palës italiane, është krejtësisht i ndryshëm nga ai çfarë shkruhet në shtypin italian, etj.
Duke përsëritur qëndrimin tonë zyrtar, duhet t’i themi ambasadorit Italian, nëse Romës zyrtare do t’i vinte mirë nëse në shtypin tonë do të botoheshin materiale që do të cënonin personalitetin e autoriteteve italiane dhe aq më tepër të ambasadorit të tyre në Tiranë?!
3 – Lidhur me dërgimin e shokut Skënder Konica, si ambasador në Itali, mendojmë:
a) Nëse pala italiane, do të kërkojë ndjesë dhe do të bëhet përgënjeshtrimi në Buletinin e O.P.I., siç kërkohet nga ana jonë, mendojmë se shoku Skënder Konica, të shkojë në Itali. Por për arsyet e parashtruara nga ne më parë, ai të qëndrojë deri në një vit.
b) Në rast se pala italiane, nuk kërkon ndjesë dhe nuk bën përgënjeshtrimin, por paraqet një përgjigje evazive, duke na thënë që ta mbyllim këtë çështje, atëherë mendojmë se shoku Skënder Konica, të mos shkojë në Itali, por në vend të tij të dërgohet një shok tjetër. Megjithatë mendojmë se këtë çështje ta përfundojmë para se të marrim përgjigje nga pala italiane.
Nesti Nase
Tiranë më 10.3.1972
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ambasada shqiptare në Romë, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me me të dhënat sqaruese, se çfarë përfaqësonte Buletini O.P.I. (Osservattore Politico Internazionale) që botohej në 5 mijë kopje në Itali
Mbi disa të dhëna rreth Buletinit O.P.I., sipas shokëve të ambasadës sonë në Romë.
O.P.I. (Oservattore Politico Internazionale), e ka qendrën në Romë, dhe është një agjenci lajmesh prej 6 vjetësh. Pronar i saj, është avokati Mino Pecorelli. Avokat Pecorelli në vetvete, drejton zyrën e tij të avokatisë, e ndërsa për problemet e agjencisë, merret një grup prej 4-5 gazetarësh.
Këto gazetarë, paguhen për informacionet që grumbullojnë dhe botojnë në këtë buletin. Buletini O.P.I., është i dyllojshëm. Një numër, është i përditshëm, ndërsa numri tjetër del tre herë në javë, dhe përmban materiale gjoja të karakterit sekret. Agjencia, shpesh boton materiale politike dhe ekonomike, me natyrë sensacionale dhe dizinfornuese, për të krijuar ngatërresa ndërmjet grupimeve politike italiane dhe firmave ekonomike.
Disa muaj më parë ky buletin, botoi një lajm mbi vendin tonë, rreth qëndrimit tonë zyrtar ndaj revizionizmit sovjetik. Në përgjithësi komenti, ishte pozitiv por, kishte dhe paqartësira. Nisur nga ky fakt, një nga shokët e ambasadës, takoi Mino Pecorellin dhe na informoi sa më poshtë.
A- Buletini i tij, financohet kryesisht nga rrethet ekonomike dhe grupimet e ndryshme politike, të cilat sipas interesave të tyre, kërkojnë ta shfrytëzojnë në favor të situatës, si dhe për të çorganizuar rivalët e tyre politik.
B – Del në rreth 5 mijë kopje, dhe ju shpërndahet kryesisht segmenteve të mësipërm, institucioneve politike, përfaqësive të ndryshme, etj. Për të, ka interes meqë shpesh herë boton lajme dhe informacione të panjohura për publikun.
C – SID (Organet e Zbulimit Italian), e marrin vazhdimisht atë dhe Pecorelli, theksoi se atë e akuzonin se financohet nga Ministria e Brendshme por, ai i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se paratë i merr nga qarqe të ndryshme politike dhe ekonomike.
D – Burimet e tij informative, janë nga dikastere të ndryshme dhe ato merren në bazë shpërblimi. Ka burime informative, si nga dikasteret e brendshme, ashtu dhe nga ato të jashtme. Në buletin, shkruhet çdo lloj materiali qoftë ky dhe dizinformacion, që i interesuari ose institucionet e ndryshme, ndikojnë që kundrejt pagesës, ato të botohen. Memorie.al
Tiranë 10.3.1972
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016