Dashnor Kaloçi
Pjesa e katër
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen edhe dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.
Dokumenti ‘Tepër Sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, për faljen e jetës…!
Tepër Sekret
Proces-verbal
I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ditën e Premte, në orën 9.00
Në mbledhje merrnin pjesë shokët: Ramiz Alia (Kryetar), Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, (Nënkryetarë), Sihat Tozaj (Sekretar), Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, (Antarë). Mungon për arsye shëndetësore shoqja Lumturi Rexha (Antare). Janë ftuar të marrin pjesë shokët Aranit Cela (Kryetar i Gjykatës së Lartë), dhe Rrapi Mino (Prokuror i Përgjithshëm).
SHOKU RAMIZ ALIA: Siç jeni në dijeni para disa ditësh u zhvillua procesi gjyqësor për grupin e komplotistëve, për armiqtë e Partisë e të Popullit, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Fiqrete Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, e tërë bandën e tyre. Gjykimi i tyre, u bë i ndarë në dy grupe.
Për civilët u bë gjyq i hapur, ndërsa për ushtarakët si: Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Mihallaq Ziçishtin, e të tjerë, u bë gjyq i mbyllur. Kjo u bë për shkak se në gjyqin e dytë, kishte çështje të interesit të madh shtetëror, e lidhur kjo sidomos me probleme ushtarake e probleme të Sigurimit të Shtetit, që nuk duhet të dilnin në publik.
Në përfundim Gjykata, përveç dënimeve të tjera që dha të cilat nuk janë në kompetencën tonë për t’i shqyrtuar, ka dhënë edhe katër dënime me vdekje. Konkretisht ka dënuar me vdekje: Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin, e Llambi Ziçishtin. Të katër këta, i kanë bërë lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës.
Në bazë të ligjit dënimet me vdekje, shqyrtohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, edhe sikur mos të ketë kërkesë për faljen e jetës. Dhe pikërisht për të shqyrtuar këto vendime është mbledhur Presidiumi i Kuvendit Popullor. Me qenë se ky gjyq ishte me rëndësi të madhe, shoku Aranit Çela ka përgatitur një përmbledhje të të dy vendimeve dhe ja ka paraqitur Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Unë propozoj që shoku Sihat Tozaj, ta lexojë këtë material që edhe shokët të vihen më mirë në dijeni e pastaj të vendosim. Në këtë mbledhje, kemi thirrur Kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela dhe Prokurorin e Përgjithshëm, shokun Rrapi Mino, sepse mundet që shokët e Presidiumit të kenë ndonjë pyetje. Atëherë fillojmë.
SHOKU SIHAT TOZAJ: (Lexon përmbledhjen e vendimeve që ka përgatitur shoku Aranit Çela).
SHOKU RAMIZ ALIA: Ja pra ky është relacioni që ka paraqitur Gjykata e Lartë. Nga gjykimi u vërtetua plotësisht se kishim të bënim me një bandë komplotistësh, armiq të betuar të Partisë e të Popullit, që për 40 vjet me radhë kanë qenë në gjirin tonë, si gjarpërinj të rrezikshëm, për fatet e Partisë dhe Popullit, për fatet e Socializmit.
Në gjyq të gjitha këto fakte që përmendëm në relacionin që ka përgatitur shoku Aranit Çela, u vërtetuan jo vetëm nëpërmjet vetë deklaratave e pohimeve të këtyre të pandehurve, por u rivërtetuan dhe me një mori deklaratash e dëshmitarësh të shumtë.
Për veprimtarinë e tyre armiqësore në gjyq, u dëgjuan rreth 250 dëshmitarë. Siç del nga relacioni, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Fiqrete Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Mihallaq Zicishti, etj., janë bërë agjentë të të huajve që në kohën e Koci Xoxes, pra që në ditët e para të çlirimit.
Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, dhe Nesti Nase, kanë punuar në organet e Sigurimit të Shtetit që në vitet 1945, 1946, 1947, dhe po në atë periudhë ata, kanë qenë aktivë në veprimtarinë e tyre, nën udhëheqjen e Koci Xoxes. Madje siç është vërtetuar në gjyq me fakte të shumta, këta kanë marrë pjesë dhe në krime që janë bërë në kohën e Koci Xoxes.
Por siç dihet në atë kohë Partia, nuk i hoqi të gjithë njerëzit që punonin në organet e Punëve të Brendshme, por u përpoq që me ta të bënte diferencime. Kështu u hoqën vetëm një pjesë e tyre, që në atë kohë u gjykuan se ishin fajtorë, si: Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Myftar Tare, Vangjo Mitrojorgji, e disa të tjerë.
Mirëpo këta që u lanë, ishin pikërisht ky grup që përmendëm. Natyrisht një gjë e tillë u bë pa e ditur realisht se deri ku ka shkuar fajësia e tyre. Por ç’ndodhi?! Ndodhi që në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas Koci Xoxes, erdhi Mehmet Shehu. D.m.th., iku një armik, dhe erdhi një armik tjetër më i egër, një armik me një eksperiencë më të madhe, një agjent i të huajve që përpara çlirimit të vendit.
Dhe kjo është vërtetuar plotësisht nga dokumentet e ndryshme që u paraqitën në gjyq. Mehmet Shehu, me sugjerimin e jugosllavëve, mori nën sqetull të gjithë këtë bandë që mbeti nga grupi i Koci Xoxes, d.m.th., Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin, Mihallaq Ziçishtin, që ishin punonjës të Sigurimit të Shtetit. Po ashtu edhe Nesti Nase, ka qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit.
Ky i fundit në vitet 1945-1947, ka qenë pranë misionit jugosllav në Nju Jork, si zbulues i Sigurimit të Shtetit, gjoja i angazhuar për punën me emigracionin politik. Të tërë këta Mehmet Shehu, i mori nën sqetull dhe ata, vazhduan punën e tyre armiqësore tashmë nën drejtimin e një ustai tjetër, në atë të tradhtarit Mehmet Shehu.
Krahas armiqve që përmendëm, ishin edhe Panajot Plaku, Maqo Çomo, etj. Të gjithë këta bashkë, bënin një grup që, manipulohej, drejtohej, e udhëhiqej, nga Mehmet Shehu. Të gjithë këta, kanë vazhduar veprimtarinë e tyre armiqësore për të sabotuar ndërtimin socialist nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër, për të përmbysur pushtetin tonë popullor dhe në veçanti për të likuiduar Udhëheqësin e Partisë sonë, shokun Enver Hoxha.
Tashmë është fare e qartë, edhe nga historia e Partisë e dimë që të gjitha goditjet e të tërë armiqve janë drejtuar tek shoku Enver i cili, përfaqëson udhëheqësin konsekuent marksist-leninist të Partisë dhe të Popullit tonë, që ka zbatuar gjithnjë me përpikëri vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë sonë.
Prandaj, të tëra goditjet, si gjatë ashtu edhe pas Luftës, janë drejtuar kundër shokut Enver Hoxha. Të njëjtën taktikë që kanë ndjekur të të armiqtë tanë, kanë ndjekur dhe këta banditë. Pse?! Se nuk jua mbante, dhe se e kishin të vështirë të dilnin ballë për ballë. Prandaj kanë punuar nën rrogoz, tamam si spiunë.
Ata nuk dalë ballë për ballë gjithashtu, pasi nuk ishin një grup opozitar politiko-ideologjik që nuk ishin dakord me vijën e Partisë, në një çështje apo për një tjetër. Por ata, ishin spiun ordinerë që vepronin sipas urdhrave që merrnin nga agjencitë e ndryshme të spiunazhit. Pikërisht kjo, është një nga karakteristikat e këtij grupi.
Ky grup banditësh, nuk ishte i pavarur në veprimet e tij, por ishte i nxitur, dhe i organizuar, nga dikush tjetër. Pra kishte për regjisor, spiunazhin e huaj, ndërsa këta ishin marioneta që lëvizin sipas udhëzimeve që merrnin prej tyre. Po të shikosh rrjedhën e ngjarjeve, do të vësh re që ky grup, ashtu siç u vërtetua në gjyq, ka dalë në skenë në momente kyçe të zhvillimit tonë, të zhvillimit të socializmit në Shqipëri.
Për shembull pasi u godit Koci Xoxe, dhe vija e tij pro-jugosllave, ishte e natyrshme që ky grup do të mblidhte këmbët me qëllim që të konsolidonte qëllimet e veta, e t’i shpëtonte goditjes së vitit 1948. Prandaj nga viti 1948 e deri në vitin 1956, relativisht ne shikojmë një farë qetësie në veprimet kundër Partisë. Por nga ana tjetër, shikojmë përpjekje për të konsoliduar pozitat dhe për të rritur autoritetin e tyre.
Prandaj, siç shpjegohet dhe në relacionin që ka paraqitur shoku Aranit Çela, del që gjatë kësaj kohe këta, duke qenë në krye të organeve të Punëve të Brendshme, janë përpjekur që të rrisin autoritetin e tyre duke shfrytëzuar luftën e madhe që ka bërë populli ynë së bashku me Forcat e Ndjekjes, kundër diversantëve dhe banditëve të ndryshëm.
Ju kujtohet periudha e viteve 1950-1953. Ajo ka qenë periudha e zhvillimit të luftës kundër bandave të shumta të armatosura që vinin në vendin tonë. Përse?! Se agjencitë e ndryshme të spiunazhit, e gjetën të udhës të vepronin nga jashtë për t’i vënë në gjumë agjentët e tyre brenda.
Dhe kjo ndodhi pasi po të viheshin në lëvizje këta agjentë, ata mund të zbuloheshin pasi ngjarjet lidheshin me ato të vitit 1948, e cila nuk ishte kohë e largët. Kjo, ishte e rrezikshme. Prandaj ata, vepruan me anë të bandave diversioniste.
Por bandat këtu ndeshën me një rezistencë të madhe popullore. Juve e mbani mënd që në atë kohë ne, e kishim tërë popullin e armatosur e këta, ishin me mijëra njerëz. Edhe në organet e Sigurimit të Shtetit, vepronin një masë e madhe njerëzish të ndershëm dhe komunistë të cilët, nuk e dinin se c ishte Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu, në kuptimin agjenturor, por ata zbatonin direktivat e Partisë për luftën kundër bandave dhe likuidimin e tyre.
Këtë luftë heroike të masave të popullit, të organeve të Sigurimit të Shtetit, dhe të Forcave të Ndjekjes, ata e shfrytëzuan për të rritur autoritetin e tyre. Në gjyq, veçanërisht në gjyqin ushtarak, dolën një sërë manipulimesh që kjo bandë ka bërë, madje deri tek një marrëveshje me amerikanët.
Kështu përshembull, organet e Sigurimit të Shtetit, diktuan në Vlorë banditin Xhelo Koçiu, së bashku me grupin e tij, dhe i propozuan Ministrisë së Punëve të Brendshme që ai të goditej.
Mirëpo amerikanëve, ju interesonte që ky grup të dilte jashtë dhe jo të arrestohej. Në këtë mënyrë, u organizua arratisja e kësaj bande. Dhe në fakt banda e Xhelo Koçiut, iku ditën për diell. Dhe për kompensim, kërkuan që të dërgohesh një bandë tjetër dhe këtë, ta likuidonin me qëllim që të fshihnin atë që bënë dhe të fitonin famë (Xhelo Koçiu është i ati i tradhtarit Halim Xhelo).
Kështu pra ata, bënë një kompensim të humbjes me fitimin e agjentëve, për të dalë të justifikuar para opinionit me arsyetimin “Vërtetë na iku Xhelo Koçiu, e bandën e tij nuk e kapëm dot, por ka edhe disfata mbasi armiku është i egër e dinak, por ama kapëm bandën tjetër”. Pra në këtë periudhë ata, kanë bërë manipulime të tilla për të rritur prestigjin e tyre.
Erdhi në vitin 1956. Është një moment kyç në historinë e Partisë sonë. Është një moment kyç pasi siç e dini, në të gjithë Kampin Socialist, filloi të marrë revansh rryma revizioniste e Hrushovit. Kjo u pasqyrua në veçanti dhe me pajtimin që u bë me revizionizmin jugosllav. Pra, po lëpihej 1948-ta.
Lufta e Informbyrosë për demaskimin e titizmit, po revizionohej. Filluan kështu lidhjet e ngushta me titizmin. Në atë kohë, kishte zhvilluar punimet Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Pas tij, u revizionuan të gjitha gjyqet që ishin bërë kundër elementëve titistë në vendet e ish-Demokracive Popullore.
Kini parasysh këtu Rajkun në Hungari, Kostovin në Bullgari, etj. Vija e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sic dihet hapi një rrugë revizioniste në lëvizjen komuniste e punëtore ndërkombëtare. Partia jonë, ndodhej përpara Kongresit të saj që u bë në Maj të vitit 1956. Nga historia e Partisë, ne e dimë se çfarë presionesh zyrtare kanë bërë sovjetikët, për të ndryshuar vijën tonë.
Në atë kohë sovjetikët, kërkuan që me anë të delegatëve të tyre në Partinë tonë, e me diskutime në bisedime zyrtare, që ne të rishikonim çështjen e Koci Xoxes e të vijës sonë, me qëllim që ta përshtatnim atë me vijën e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Partia jonë, nuk e pranoi një gjë të tillë. Duke qenë se qëndrimi i Partisë sonë me shokun Enver në krye, ishte kundër vijës oportuniste të Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, për luftën e klasave, për problemin e Stalinit, të bashkë-ekzistencës paqësore, të çështjes së kulakëve, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016