NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e nëntë
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Sekuestrim i paligjshëm i pronave të institucioneve fetare!
Memorie.al / Kur autoritetet shtetërore sekuestruan zyrat e Zyrës Famullitare, Dom Shtjefnit nuk i mbeti rrugë tjetër, veç t’i drejtohet Kryeministrisë, si autoriteti më i lartë ekzekutiv në vend. Për më tepër, sekuestrimi ishte bërë me vendim të qeverisë.
Tiranë më 14 mars 1946
Zyra Famullitare e Kishës Katolike
Tiranë nr. Extra
Fort të Ndershmes Kryeministrisë Tiranë
I nënshruemi Don Shtjefën Kurti, i të ndjerit Jake, Famullitar dhe Dekan i Tiranës, kam nderin me Ju noftue se më datën 12 Mars 1946, Organet e Autoritetet t’ue sjellë me vedi nji vendim të Kryeministrisë, ku bahesh fjalë për urdhënat Jezuite e Franceskane, kan procedue me mbylljen dhe vulojsjen e Zyrës s’onë Famullitare.
Me këtë rast kam nderin me Ju njoftue se Zyre Famullitare, nuk asht pronë e Kishës por Pronë e Popullit dhe e Komunitetit Katholik të destinueme m’i shërbye popullit si zyrë për veprimet fetare të lindjes, martesës, vdekjes e të meshimve të tjera, e cila Zyrë ka të bajë me urdhënat Jezuite e Franceskane. Me mbylljen e kësaj Zyre, paralizohet edhe gjithë shërbimi zyrtar-fetar i famullis.
Gjith’ashtu për skjarim parashtrojmë se Murgeshat Servite, nuk janë të nji urdhëni autonom por janë të krijueme prej Famullisë për m’i ndihmue kësajë në shërbime fetare. Prandaj më duket se vendimi i Kryeministris nuk përfshinte Zyrat Famulliatre dhe më duket se me mbylljen e këtyne, Organet e përktuëshme kan kaule kompetencën dhe vendimin e Kryeministris. Prandaj kam kujtue për detyrë me Ju lajmërue, për korrigjimin e gabimit eventual n’asht se e ndershme Kryeministri, nuk dishiron paralizimin e shërbimit t’onë fetar, si edhe mbylljen e banesës sonë private e personale.
Me nderime
Don Shtjefën Kurti
Pas gjithë këtyre peripecive, shqetësimeve të krijuara artificialisht, ndjekjeve, persekutimeve, burgosjeve dhe vrasjeve, vjen momenti kur disa prej institucioneve fetare do të mbylleshin, duke i vënë drejtuesit e Kishës Katolike përpara vështirësishë të reja. Në këtë situatë, Don Shtjefni i drejtohet Kryeministrisë:
Fort të Ndershmes Kryeministri Tiranë!
I nënshkruemi Don Shtjefën Kurti, i të ndjerit Jak, famullitar dhe Dekan i Tiranës, kam nderin me Ju njoftue se më datën 12 mars 1946, organet e autoritetet, t’ue sjellë me vedi nji vendim të Kryeministrisë ku bahesh fjalë për urdhnat Jezuite e Françeskane, kanë procedue me mbylljen dhe vulosjen e Zyrës s’onë famullitare. Me këtë rast, kam nderin me Ju njoftue se Zyra
Famullitare nuk asht pronë e Kishës, por pronë e popullit dhe e komunitetit katolik, të destinueme m’i shërbye popullit si zyrë për veprimet fetare të lindjes, martesës, vdekjes e të meshimeve të tjera, që kanë të bajnë me urdhënat Jezuite e Franceskane. Me mbylljen e kësaj Zyre paralizohet gjithë shërbimi zyrtar – fetar i Famullisë.
Gjith’ashtu për skjarim parashtrojmë se: murgeshat servite nuk janë të nji urdhëni autonom, por janë të krijueme prej famullisë, për m’i ndihmue kësaj në shërbime fetare.
Prandaj më duket se vendimi i Kryeministrisë nuk përfshinte zyrat famullitare dhe më duket se me mbylljen e këtyne, organet e këtueshme kan kalue kompetencën dhe vendimin e Kryeministrisë. E kam për detyrë me Ju lajmërue për korrigjimin e gabimit eventual n’rast se e ndershmja Kryeministri nuk dishiron paralizimin e shërbimit t’onë fetar, si edhe mbylljen e banesës sonë private.
Katër ditë më vonë, Famullitari – Dekan i Tiranës, i drejtohet me një telegram drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Kjo ishte letra e parë që ai ia drejtonte Kryeministrit personalisht:
Tiranë, 18.III.1946
Nr. Extra
Kryeministrit Gjeneral E. Hoxha
Tiranë
Javën qi kaloj Organet e Autoritetit mbyllën tërësisht Kuvendet e Tiranës mashkullore dhe femrore, kuerse vendimi Ministruer, nuk përmban mbylljen e Kuvendeve stop.
Personeli i Kuvendeve femnore Stigmatine e Servite, përbuhet mbrenë në Kishën Famullitare, ndërsa dita për ditë prishet vulosja e Kuvendit të Serviteve nga organet e Autoritetit me hymje e dalje pa praninë e motrave dhe pa kenë ba inventari stop.
Luetmi të nepni instruksjone mbi interpretimin e vërtetë të urdhënesës e qi të respektohet mbyllja dhe vulosja, si dhe drejtësia.
Kryetar i Komunitetit Katolik të Tiranës
Don Shtjefën Kurti
Pas mbylljes së kuvendeve, duhej zgjidhur problemi i materialeve që ato kishin, pronë e Kishës Katolike. Duke u ndodhur para qëndrimeve arbitrare, Don Shtjefni i drejtohet Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës Tiranë:
Tiranë 17.IV.1946
Zyra Famullitare e Kishës Katolike
Tiranë
Prot.Nr.106/res.
Komiteti Ekzekutiv të Prefekturës
Tiranë
I nënshkruemi Famullitar e Dekan i Tiranës, lutë Kryesinë e këtij Komiteti Ekzekutiv, qi të lejojë me tërhjekë teshat dhe takamin e Kishnave që u mbydhnë në tre kuvendet e motarve Servite, Stigmatine e ato të Dashnisë, -Rruga e Kavajës-.
Famullitar-Dekan
Don Shtjefën Kurti
Me largimin e motrave që shërbenin në Spitalin Ushtarak të Tiranës, mbyllet dhe Kapela e tyre, kështu që Don Shtjefni kërkon që të marrë pajisjet e asaj Kapele, që ishin pronë e Famullisë Katolike të Tiranës:
Zyra Famullitare e Kishës Katolike Tiranë
Prot.Nr.207/46
Në Spitalin ushtarak të Tiranës asht nji Kishë Katholike dhe n’apartamentet e Motrave qi shërbejnë aty, asht edhe nji Kapelë.
Tue kenë se më dt.25 vazhdues Motrat do të largohen nga shërbimi i atij spitali mbas 18 vjetë shërbimi, dhe ma nuk mbetet kush për mbikqyrjen e Kapelës dhe, me ç’ka kemi ndigjue dhe Kisha do të mbyllet, Zyra Famullitare e Tiranës, lutë atë Dikaster të Shëndetësisë me i dhanë, të nënshkruemit, lejen me tërhjekë prej Kishës e prej kapeles, orenditë përkatëse qi vetem e vetem janë gjana kishtare.
Tue pritë nji përfundim të favorshëm, mbetem me nderime të plota.
Famullitar Dekan
Don Shtjefën Kurti
Denoncim i praktikave të terrorit ndaj Klerit Katolik
Problem i radio-transmetueses kishte bërë që të arrestohen disa persona që flinin në Mision dhe ishte zhvilluar një propagandë e etëshme që personeli i Misionit të implikohej në veprimtari armiqësore me trillime. Eprori bazilian i Misionit të Fierit, i dërgon një letër Don Shtjefnit dhe i kërkon të ndërhynte që misionarët të mos përfundonin keq. Në situatën në të cilën ndodheshin, ata misionarë e kishin lënë veten e tyre në dorë të Zotit dhe të Don Shtjefnit, me shpresë se do të bëhet diçka për ta:
Misioni i Etërve Basilian Fier
Prot. Nr.54/45
30 Mars 1945
Shkëlqesi e nderuar
Të falenderoj përzemërsisht për tre letrat e t’ua që hedhin balsam mbi mishrat e përgjakur! Nuk e ekzagjeroj por ndoshta druaj që shkëlqesija juaj e nderuar, nuk ka qenë i iformuar ekzaksisht rreth vlerave të provës së re. Shtoj: Ishim të bllokuar dhe të nënshtruar nji kontrolli të rreptë që na u bë, për shkak të kërkimit të nji radjoje transmetuese. Më së fundi, u pyetën dhe u arrestuan tre punëtorët që bënin pjesë në Misionin tonë, si dhe dy oficerë që prej disa javëve vinin të flinin në sallën tonë të pritjes.
Le mënjanë të gjitha vuajtjet, Komisari i Divizionit të Tretë, deklaron që radioja nuk ishte gjetur, por kishin bindjen se ajo gjindet tek ne, dhe shtoi që ne si të gjithë katolikët e Shqipërisë formojshim forcat racionale. Mbi të gjitha ditë për ditë populli bën propagandë dhe poshtëron me fjalë Misionin tonë, duke bërë të ditur që kanë gjetur një sasi armësh e municionesh, radio-transmetuese dhe veshje ushtarake…!
Të jetojmë, nuk mjafton, i akuzuar që unë me këtë radio të kem thirrur pilotët gjermanë të cilët në gusht bombarduan Fierin, dhe që kam ftuar në shtëpi Besim Belishovën, i cili aktualisht ishte person në kërkim. I akuzuar edhe për atë, që unë të kem helmosur një njeri që ai të mos shkonte partizan …, këto dhe shpifje të tjera të pafund që përsëriten çdo ditë, dhe që populli i pëshpërit gjërat ashtu sikurse thuhen dhe jo si janë në të vërtetë dhe kështu ngrihet kundër nesh. Gjindemi në një atmosferë të zymtë. Nesër do të ngrihet një proces gjyqësor, ku do të kërkohet gjykimi i popullit, i cili kaq i përgatitur do të thërrasë një zëri “Kryqëzojeni”!
Kam kërkuar të vij në Tiranë, por nuk më është lejuar, kam këmbëngulur për lirimin e të burgosurve, duke ju vërtetuar pafajsinë e tyre, por asgjë. Çfarë mund të bëj? Shihni ju Shkëlqesi e nderuar, në mund të flisni gojarisht me autoritetet Qeveritare. Unë për vehten time jam vendosur në duart e Zotit. Por njëkohësisht mbështes ndërhyrjen tënde të domosdoshme dhe të vlefshme mbështetjes suaj atërore, respektoj iniciativën që mori Selia e Shejtë për ndërhyrjen dhe për zgjidhjen e këtij problem. E kërkoj për mua dhe për gjithë Bekimin tuaj, të Shkëlqesisë Tuaj të nderuar».
Një formë tjetër presioni për t’i deturuar njerëzit e fesë që të lirojnë banesat e tyre ishte presioni i ushtruar ndaj tyre nëpërmjet frikësimit. Dom Shtjefni i denoncon këto veprime e për këtë informon Komandën e Përgjithshme të Mbrojtjes së Popullit:
Tiranë
Zyra Famullitare Katolike
Tiranë
P.T. Komandës së Përgjithshme të Mbrojtjes së Popullit
Tiranë
Dje para pak orës 23, njerëz të panjohur të cilët e quejshin veten polici, kanë trokitë me insistim ke porta e motrave Stigmatine «Rruga Muharrem Karapici» nr. 16. Tuj pa se kërkush nuk ju përgjigj, filluan me e shtye portën me forcë, dhe motrat të frikësueme nga ky gjest i kanë pyet nga mbrendë se kush ishin. Ata (të cilët mbas gjasave ishin katër persona të veshun si partizan), i’u përgjigjën motarve: “Jemi policija, dhe hapnje porten”
Motrat Stigamtine të shqetësueme, dhe tuj qenë se ishte natë, i u përgjigjnë se nuk mujshin me hapë portën n’atë kohë. Shtuen tuj thanun: shkoni ti kisha në bulevardin e madh, merrni famulliatrin dhe atëhere ne ju hapim portën.
Prandaj vjen pyetja: në se ata persona kanë qenë me të vërtetë të dërguemë nga Autoriteti, por kanë qenë njerëz të papërgjegjësi, mbasi as nuk duken t’u kjo zyrë famullitare, as te Motrat Stigmatine.
Në rast se nuk kanë qenë njerëz të dërguem prej asajë Komande, ju lutemi të keni mirësinë me ba hetimet e duhuna, për zbulimin e këtyne elementëve turbullues të qetësisë publike.
Me nderime
Kryetar i Komunitetit Katholik
Don Shtjefën Kurti
Dëbimi dhe riatdhesimi i klerikëve të huaj
Në mes të vitit 1945, çështja e riatdhesimit të të huajve u shtrua në rend të ditës. Por, riatdhesimi kalonte nëpër procedura, shpesh burokratike, që u’a shtonin vuajtjet atyre njerëzve. Në rastin e klerikëve dhe murgeshave, zvarritjet dhe mungesa e respektit shprehte dhe mosmirënjohjen shtetërore për kontributin e atyre njerëzve, sidomos në çështjet humanitare, shëndetësi, arsim etj. Radio Tirana e motivonte përzënien e tyre me argumentin se: “ata kishin ardhur në Shqipëri, për të mbështetur ushtrinë e pushtuesit dhe për të favorizuar kolonizimin”.
Dekani-Famullitar i Tiranës që nënshkruan edhe si Kryetar i Komunitetit Katolik, ishte i interesuar rreth procedurave dhe kishte kërkuar riatdhesimin sa më të shpejtë. Deri me 26 shkurt 1946, e kishin lënë Shqipërinë më shumë se 90 priftërinj dhe murgesha, me përjashtim të disa murgeshave ‘Ancelle della Carità’ të Breshias, që punonin në spitale deri në vitin 1948, kur edhe ato u përzunë nga vendi.
Dëbimi i klerikëve, që në masën më të madhe ishin italianë, u prit me keqardhje të madhe nga populli. Në mënyrë të veçantë, Misioni tashmë i shkatërruar i Jezuitëve, të angazhuar në pajtimin e qindra gjaqeve, kishin fituar simpatinë dhe mirënjohjen e popullit, si të katolikëve dhe të myslimanëve e ortodoksëve.
Në një shkresë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, të datës 3 nëntor të vitit 1945, Dom Shtjefni kërkon në emër të Kishës që: riatdhesimi të bëhet sa më shpejt.
“I nenshkruemi ka nderën me i përcjellë atij Dikasteri të Punëve të Mbrendshme, kërkesën e murgeshave italo-shqiptare nga Vlora, me lutje qi të merret para syshë e të nepet nji përfundim i favorshëm sa ma shpejt”.
Një kërkesë riatdhesimi bashkë me Kryeipeshkëvin Prenushi, bën edhe për pesë murgeshat italiane që shërbenin në Spitalin Civil të Gjirokastrës, nëse nuk u sigurohet shërbimi fetar që e kishin. Atë kërkesë ia dërgon privatisht Ministrit të Shëndetësisë Dr. Ymer Dishnicës.
Ka dhe shkresa të tjera që dëshmojnë interesimin e tij për procesin e riatdhesimit të klerikëve dhe murgeshave të huaja:
Tiranë
P.T. Mbrojtjes së Popullit
Tiranë
Zyra Famullitare e Tiranës kërkon prej Komandës së Mbrojtjes Popullit leje me riatdhesue n’Itali për motrat Stigmatine:
1 – Colonna Carnela (Aposia)
2 – Ranieri Celestina
Bashkanjesim dokumentat përkatëse për të dyja. Motart në fjalë kanë shërbyer në Shqipëri nëpër spitale – si mund të shifet në certifikatë lëshue prej Circola Galibardi Të dyja nisen për arsyena shëndetsore.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Kështu vepron ai edhe për At Panaro Alberton, për të cilin në shkresën 257/45 datë 31.7.1945, kërkon riatdhesim “për arsye shëndetsore». Ndoshta arsyeja e klerikut në fjalë ka qenë vetëm shpëtimi prej zvarritjeve të pafund dhe dëshira për të shpëtuar prej atij mjedisi armiqësor. Po me këtë datë, në shkresën Nr. 156/45, kërkoi riatdhesim për z. Don Paolo Bidano Egilia Bernabei dhe Maria Tarabegli, të cilët sipas Dom Kurtit “nuk janë të nevojshëm për shërbim të Kishës sonë, prandaj janë t’lirë të ikin për atdhe të tyne”.
Siç shihet nga formulimi i shkresave, duhej paraqitur situata sikur këta të huaj po iknin vetë për arsye të ndryshme, shëndetësore etj…, apo se nuk kishte më nevojë për ta, duke fshehur faktin e vërtetë se ishin bërë të padëshirueshëm për shtetin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016