Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetenjë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Shumica e këtyre rasteve bëhen nga disa kuadro të pa aftë, që nuk i kuptojnë në masën e duhur direktivat e Partisë. Këtu përfitojnë mashtruesit dashakeqës me triskë partie, të cilët janë futur me qëllim për të mbjellë farën e gërmit…”!
– “Gëremi mbin vetë edhe në gur, s’ka nevojë as për prashitje e as për ujitje, – e ndërpreu nëna. – E keqja, more bir, mbin gjithnjë nga mashtrimi, të cilin e ka në gjak i ligu, por s’kuptohet menjëherë radhën e parë nga shija e ëmbëlsuar. Vetëm herën e dytë, kur e di ç’përmban brenda, mban qëndrimin e duhur: Po të pëlqeu, je dhe ti i këtij kallëpi.
Kur e ndjen se të fut në qorrsokak dhe prapë s’të bën përshtypje, ahere je moskokëçarës, s’e vret fare mendjen për ç’qëllim përdoret. Meqë fatkeqësisht tek ne shumica janë frikacakë si lepujt e moskokëçarës, mashtruesit e kanë të lehtë të mbjellin farën e përçarjes. Prandaj dhe ndodh që e drejta gjendet kur i ka mbirë bari një pëllëmbë mbi varr të pafajshmit”!
– “Për rastin tuaj nuk ndodhi kështu”! – kundërshtoi dhëndëri.
– “Domethënë sipas teje u vu në vend drejtësia”? – ia ktheu nëna me ton qortues.
– “Të paktën u ndreqën disa gabime trashanike”, – këmbënguli Stavri.
– “Shpirti i njeriut nuk është vegël, që kur prishet mund ta ndreqësh. Ndoshta kështu e shihni ju komunistët, si mjet për të na shtrydhur, sa herë u teket të shfryni mllefet, apo të na fusni lepurin në bark. E di si e kuptoj unë vendosjen e drejtësisë? Pas ndreqjes së gabimit, të më jepet masa e dënimit që më takon, sipas fajit të bërë. Shteti ka në dorë dhe gurin dhe arrën: jo për vete ata mbajnë thelpinjtë e arrës, ndërsa neve na tregon gurin. Po të kenë shpirt, le të hartojnë ligje për njerëzit, e jo për kafshët. Sepse në shumicën e rasteve i bien samarit, në vend të korrigjojnë paudhësitë e tyre”!…
– “Jot bijë të ka ngjarë nga forca e arsyetimit”, – tha Stavri duke tundur kokën. – Këmbëngul deri në fund ti shkojë e saja.
– “Jo të këmbëngulësh si mushka, por të dish ta mbrosh një mendim kur e shfaq. Mbrojtja nuk duhet kuptuar nga kundërshtari si kokëfortësi e mendjemadhësi. Kur nuk të pëlqen, duhet ta provosh se e kam gabim. Në rast se sjell fakte bindëse, dhe unë prapë nuk i pranoj, atëhere ke ti të drejtë të më quash kokë mushkë. Por provat duhet ‘ japësh vetë, si e gjykon ti me trurin tënd, e jo të më përsëritësh si papagall: Partia na mëson kështu e ashtu. Unë, për shembull, kur shfaq një mendim e kam nga vetvetja. Domosdo Ungjillin e kemi udhërrëfyes, sepse na pastron mendjen nga ngasjet e përditshme dhe na tregon rrugën ku duhet të ecim. Por veprimet ama duhet t’i kryejmë me trurin tonë”.
– “E di që na kishte marrë malli të shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin….”, – tha Stavri për t’u vënë kapak këtyre fërkimeve. – “Po të ishte e pranishme jot bijë, do ma bënit kurrizin më të butë se barkun”!… – qeshi ai.
Pavarësisht pse së jashtmi dukesha sikur e ndiqja me vëmendje bashkëbisedimin e tyre, në të vërtetë nuk më interesonte çfarë diskutonin, sepse i dija hollësisht pikëpamjet e nënës dhe bashkëshortit të motrës. Të dy ishin njerëz të drejtë, të mrekullueshëm dhe secili e arsyetonte gjendjen sipas këndvështrimit të tij, pa prapamendime mëdyshëse. Në këto minuta unë përfytyroja udhëtimin për në Tiranë, si do shkojë takimi me vëllanë e madh, pas kaq kohë ndarjeje të dhunshme, si do të ndjehet ai para meje, çfarë justifikimesh do të nxjerrë për këtë qëndrim të “ftohtë”.
Kishte shumë rëndësi të përcaktoja mënyrën më të përshtatshme të sjelljes, sidomos përdorimin e një gjuhe që të mos e rëndoja me faj. Sepse në fund të fundit edhe ai ka patur boll telashe. Po të mos e përkrahte dhe mbështeste fuqishëm kolektivi i Teatrit Popullor, ndoshta mund të përfundonte në Berat, si regjisor i teatrit profesionit të rrethit. Dhe kjo do shënonte ikje pa kthim, frenim e ndërprerje të karrierës artistike. Ditën e shtunë, meqë s’kishim prova, u nisa për në Tiranë me autobusin e vullnetarëve, të cilët shkonin deri në Durrës me mjet transporti, për të parë Bigën “Adem Reka”, dhe ktheheshin prej andej në këmbë, për të nderuar aktin heroik të shpëtimit të rimorkiatorit, nga përplasja me kalatën e portit.
Rreth këtij marshimi fliste disa herë në ditë Radio-Tirana dhe shkruanin gazetat qendrore për entuziazmin revolucionar të rinisë shkollore, punëtore e kooperativistë, të cilët merrnin zotime konkrete për rezultate të shkëlqyera në mësime dhe të plotësonin çdo ditë deri në fund të muajit dy norma. Ashtu siç pritej, nga nisja deri në mbërritje autobusi buçiti nga këngët revolucionarë, të përcaktuara më parë nga komiteti i rinisë të rrethit.
– “Paska gjallëri…” – i pëshpërita ngadalë shoferit, meqë e njihja që në fëmijëri.
– “Këtë avaz dëgjoj përditë…”, – ma ktheu shoferi duke qeshur. – “Por në këtë vend pune, jam më mirë se sa tek zjarrfikëset. Pasi këtu kam orar të përcaktuar, nuk dalin urgjenca, kështu që në kohën e lirë e pi rehat një kafe me shokët. Tì sot po shkon në Tiranë për të rregulluar punë për vete”? – pyeti ai befas.
– “Nga të erdhi ky mendim”?.. – ia ktheva unë i habitur.
– “Me të dëgjuar e kam. Sipas pëshpëritjeve lart e poshtë, thuhet se me që ta hoqën strokën që të ngjitën pa patur faj, pas shfaqjes së teatrit, të jepet e drejta të zgjedhësh njërën nga dy rrugët: Në qoftë se do qëndrosh në Lushnje, këta të Komitetit janë të detyruar të gjejnë punë. Ndërkaq, po deshe të rikthehesh në Tiranë, nuk të pengojnë, por jo si i transferuar. Kjo do të thotë ta gjesh vetë vendin e punës.
Pikërisht në këtë pikë ngec sharra në gozhdë, pasi ti je kuadër i lartë, dhe bashkëbisedimi me drejtorin apo shefin e personelit në Tiranë, nuk ka vlerë pa pëlqimin e drejtuesve të këtushëm. Domethënë: në qoftë se njeri i bie gozhdës, tjetri patkoit, kot lodhesh lart e poshtë. Kjo që sapo thashë është e vërtetë, apo janë llafe kot”? – shtoi ai duke hedhur mbi mua një vështrim të shpejtë.
– “Vetëm pjesërisht”, – ia ktheva unë.
– “Si ta kuptoj këtë pjesërisht”?!… – pyeti me kureshtje shoferi.
– “Se stroka m’u hoq, por pa të drejtën e rikthimit për të banuar në Tiranë”! – shpjegova i dëshpëruar.
– “Si ka mundësi”?! – u habit ai.
– “Ja që kështu e kanë përcaktuar”! – theksova unë, njësoj sikur t’i thosha: “A nuk e lëmë këtë muhabet?”
– “Të pengojnë këta të këtushmit, apo nuk pranojnë shefat e mëdhenj në kryeqytet”? – shtoi ai më tej.
– “Këtyre hollësive nuk u futem, pasi janë pyetje me zarar. Përderisa nuk bëhet, për mua nuk ka rëndësi të dihet ku ndodhet pengesa, këtu apo atje”.
– “Llaf me vend. Mos ma merr për ters, se ne njihemi familjarisht nga fëmijëria. Por meqë erdhi rasti po ta bëj pyetjen: me të vërtetë keni banuar këto vite në kasollen e lopës? Edhe këtë me të dëgjuar e kam…”- nxitoi të shfajësonte veten. – “Në qoftë kështu, paskeni hequr të zezën e ullirit”! – theksoi me ton të trishtuar. – “Çfarë e zë njeriun e gjorë dhe nuk e heq” – ja ktheva duke psherëtirë.
– “Kur të dënojnë me hak, sepse ke katranosur një katrahurë, i thua vetes: koka bën koka pëson. Por kur të vjen andej nga nuk e pandeh…”!
– “Ja që të tilla janë ligjet dhe rregullat e shtetit tonë”, – e ndërpreva unë për të mos u futur në zonën e minuar.
– “Kot nuk i thonë llafit: kur të zë kadiu s’ke ku e bënë davanë…, – tha shoferi duke tundur kokën. – Por sidoqoftë, e keqja e madhe kaloi, këtej e tutje do jetosh më mirë…”!
– “Kështu shpresojmë”!… – psherëtiva unë.
– “Po byrazeri i madh në Tiranë, si i ka hallet”? – u bë ai kureshtar.
– “Edhe unë me të dëgjuar i kam: të shohim sa të vërteta janë kur ta takoj…”!
– “Hera e parë që shkon nga koha kur të prunë këtej”?!… – pyeti ai mjaft i habitur.
– “Kur punoje si shofer tek zjarrfikëset, largoheshe dot pa leje”? – ia ktheva unë.
– “Bah, as që bëhet fjalë! Për një veprim të tillë të rrasnin brenda në birucë! Dhe nuk ta zgjatin fare: të ngjitin damkën e armikut, që nuk të hiqet për tërë jetën”!
– “E mora vesh ku do dalësh, se edhe ti gjatë këtyre viteve gjithnjë i rrethuar nga zjarri ke qenë: nuk lëvizje dot lirshëm, ngaqë i ke patur duart dhe këmbët të lidhura! Dhe gjatë tërë kësaj kohe nuk ke shkëmbyer muhabet me asnjë tjetër, veç njerëzve të shtëpisë?!….Pse s’thua paske qenë më keq se të burgosurit, pasi këta llafosen me njëri-tjetrin!… Po ai kaçaku që ju bëri gjëmën, ku ka përfunduar?… Më fal! E teprova me pyetjen e fundit.
Gjatë muhabetit, njeriu bëhet kureshtar më shumë sa i lejohet, i rrëshqet kontrolli ndaj vetes dhe pa e kuptuar e ngacmon shokun në pikën më nevralgjike. Nejse, neve si shok fëmijërie na falet kur nxitojmë më shpejt sa duhet. Sipas meje, ty më mirë të bie të zbresësh këtu, tek Plepat, pasi kryqëzohen të gjitha rrugët…”, – tha ai duke frenuar autobusin.
Kur zbrita mbeta një çast i hutuar, sikur për herë të parë e shihja këtë nyje rrugore! Në të vërtetë kisha kaluar këtu me dhjetëra herë, duke filluar nga koha e fëmijërisë, kur erdha për pushime në Kampin e Pionierit dhe më pas, sidomos gjatë shërbimeve të shpeshta në Radio. Zhgualli i tmerrshëm i izolimit, karantina e zgjatur dhe e pandërprerë, i kishte trashur e zgjeruar vitet, duke formuar një shtresë mirazhi fluror. Ndaj dhe e krahasova veten me të shtruarit në repartin e re-animacionit, të cilët s’e kuptojnë dhe nuk u kujtohet çfarë ka ndodhur kur u del narkoza, ndaj bien në një ëndërrim të shformuar me sytë hapur, duke u përpjekur të ravijëzojnë të vërtetën pse gjendet këtu.
Kur hodha vështrimin drejt kampit të pionierëve, u mundova të rikujtoja ndonjë ngjarje konkrete mbresëlënëse, të veçantë, që me kishte bërë më shumë përshtypje. Por nuk më erdhi asgjë ndërmend. Si duket ditët kishin qenë pothuaj të gjitha njësoj, plot diell, nga zgjimi deri në mbrëmje, dhe pas gjimnastikës së mëngjesit prisnim me padurim kohën e banjës, në det, argëtimi me i këndshëm për të gjithë, pasi këtu provonim zotësinë dhe shkathtësinë e vetvetes, duke bërë gara notimi me njëri tjetrin.
Krejt befas pranë këmbëve të mia, frenoi një “Gaz” 69, shtatë vende. Më hyri tmerri në palcë, pasi pandeha mos ishte makina e ndjekjes e Ministrisë së Brendshme dhe brenda saj dikush që më njihte. Në çast më ngërtheu mendimi i llahtarshëm, se “Xhipi” ka ardhur posaçërisht për mua, që të më hedhin hekurat si dezertor, edhe pse kisha me vete lejen e lëshuar nga Dega e Brendshme!
(Keqdashësit e kanë shumë të lehtë ta grisin, ose ta quajnë të pavlefshme, e dhënë padrejtësisht, me shpjegimin se largimin nga vendi i internimit për raste të jashtëzakonshme, e ka vetëm drejtoria përkatëse e ministrisë!)
– “Me ç’makinë erdhe deri këtu? – dëgjova një zë të njohur nga brendësia e “Gaz”-it.
– “Me autobusin e vullnetarëve”, – iu përgjigja unë pa guxuar të zgjatja kokën ta shihja.
– “Pret ndonjë makinë, apo tani sa zbrite”? – shtoi zëri i njohur.
– “Meqë e paske rrugën për në Tiranë, hip lart se të çojmë ne deri tek hyrja e Teatrit Popullor”! – shtoi me ton urdhërues oficeri që rrinte ulur pranë shoferit dhe pa pritur përgjigje u përkul pak përpara të kaloja. – “Për herë të parë udhëton për në kryeqytet pas largimit më 5 tetor të vitit 1964”? – pyeti ai pa e kthyer kokën prapa.
– “Lëvizja e parë që bej jashtë rrethit”, – ia ktheva unë, duke drejtuar vështrimin nga shefi i internim-dëbimeve, për të parë nëse ky do më jepte ndonjë shenjë.
– “Edhe pse kanë kaluar disa vite duhet të më mbash mend”, – shtoi oficeri i ulur pranë shoferit. – “Sepse çaste të tilla kaq të dhimbshme për një shkrimtar, kurrë nuk harrohen. Shiko si vërtitet situata: pikërisht mua, që më ngarkuan atëherë të digjja dorëshkrimet e tua, më caktuan si detyrë të ndjek një procedurë tjetër për ty, por këtë radhë nuk do ta thartosh fytyrën si herën e shkuar.
– Të hidhurat i lamë pas. Këtej e tutje ka filluar stadi i rehabilitimit…”- ndërhyri shefi im për të më qetësuar. Por ama duhet ta kesh të qartë që tani: rehabilitim të plotë nuk ka. Do të jepen vetëm disa të drejta të munguara, për lëvizje në disa qytete: në vend të pasaportës, do pajisesh me një karton jeshil dyfaqësh, ku do shënohen qytetet e lejuara, me kusht të domosdoshëm, të njoftohet Dega e Brendshme”, – sqaroi me kapardisje drejtuesi i mjetit, njësoj sikur të thoshte: “Ne të Ministrisë, s’kishim ndërmend të bënim asnjë lëshim. Këtë peshqesh e ke nga zemërgjerësia e sekretarit të Parë të rrethit. Por vetëm kaq”.
– “Sokrati gjatë këtyre viteve, ka patur sjellje shembullore…”, – ndërhyri oficeri i Degës, për ta zbutur disi qëndrimin e të dërguarit të Ministrisë.
– “Dhia e urtë shton racionin e tagjisë, – theksoi me krekosje oficeri i ministrisë. – Po të mos kishte patur sjellje të plotë bindëse, sado fuqishëm të ndërhynte sekretari i Parë i rrethit, ne nuk do lëshonim pe’. Për aq vite sa banove në kasollen e lopës, u duk ndonjë herë byrazeri i madh”? – pyeti ai duke u kthyer me trup nga unë. – “Për të nuk u mor masë administrative, si për ju të tre, por ama kufirin ia vumë tek thana. Që do të thotë: edhe pse jo i internuar, prapë je nën vëzhgimin tonë.
Ti si ish-gazetar, e di saktësisht se organet e Diktaturës së Proletariatit, kanë nuhatje dhe mprehtësi revolucionare, nuk lejojnë asnjë milimetër zhvendosje nga zbatimi i vendimit. Ta dish: për qime shpëtoi pa lëvizur nga Teatri Popullor”! – theksoi me mburrje të hapur, sikur donte të tregonte rolin e tij të rëndësishëm që e mbajtën këtu, se (pa këtë kockë të fortë, do t’ia kishin mbathur opingat!).
– “Jo vetëm im vëlla dhe familja e tij, por edhe ne e vlerësojmë ndihmën tuaj…”, – ia ktheva unë duke kundruar drejt në sy oficerin e Degës së Brendshme. – “Tani erdhi radha ta zbutim pak masën e dënimit edhe për ju të tre: sapo të pajisesh me kartonin jeshil, nuk do paraqitesh tre herë në ditë tek i Plotfuqishmi.
Dhe lidhjen me Degën e Brendshme, do ta mbash nëpërmjet shefit tënd. Por gjithnjë me kusht që këto lehtësira duhet t’i meritosh. Sepse po të na sinjalizojnë një shmangie sado të vogël, ne menjëherë të rikthejmë prapë, në gjendjen e parë”!
Unë nuk iu përgjigja. Dhe deri në fund të udhëtimit, do qëndroja i heshtur. Sepse s’e duroja dot ta dëgjoja këtë tip mburraveci, që përvetësonte me kaq zell meritat e të tjerëve dhe përpiqej në çdo fjalë, ta paraqiste veten si trim e të përkushtuar me pasion ndaj detyrës së besuar, dhe të tjerët të formojnë bindjen, se ky i ka të gjitha shanset e mundësitë, për të ngjitur shkallët e karrierës. Vetëm duke ndenjur i heshtur, nuk e merrte dot me mend çfarë mendimesh bluaja në kokë, gjatë këtyre minutave heshtje: “se të gjitha kapardisjet e tua kaq të fryra, janë pesë me hiç, krahasuar me vendimet e guximshme dhe dashamirëse të sekretarit të Parë, të cilat sollën kthesën e madhe rrënjësore, hoqën zgjedhën e shtazërisë, po më rikthejnë tek normaliteti, krijuan mundësinë të lidhem me motrën dhe vëllanë, sheshuan fërkimet e ashpra mes Arqelinit dhe familjes, afruan zgjidhjen paqësore të fejesës, e cila pa këto masa do mbetej një ëndërr e thyer”!
Vetëm Zoti e di sa do xhindosej e tërbohej, në qoftë se nuhatja do t’i gërricte sadopak sedrën e sëmurë, dhe yshtja e fyerjes së paduruar e nxiste të ndërmerrte veprime të frikshme! Kur “Gazi”- 69, frenoi para ngrehinës hijerëndë të Ministrisë së Brendshme, në përfytyrimin tim u ndez llamba e skenës drithëruese e djegies së dorëshkrimeve dhe letërkëmbimeve e, portreti mburracak i këtij oficeri pordhac shpirtkazmë, që e hiqte veten si gardist shembullor të Diktaturës së Proletariatit, mori përmasat e një kanibali apo të kafshës neringrënëse! Prandaj mezi prisja të shkëputesha.
– Kujdes nga përmallimi i tepruar! Kij parasysh porositë që të dhashë! – më tha me ton të prerë komandues oficer i Ministrisë së Brendshme.
Unë i përshëndeta me dorë dhe mora drejtimin tek hyrja e Teatrit Popullor. Aty pyeta shitësen e biletave nëse ndodhen gjithë aktorët në mjediset e teatrit dhe në veçanti Ilia Shyti. Ajo zgjati kokën dhe e ngërtheu vështrimin për disa sekonda mbi sytë e mi, para se të përgjigjej.
– Më falni për pyetjen e tepruar: mos jeni gjë vëllai i Ilias? – m’u drejtua me kureshtje. – Sepse nga pamja e jashtme keni ngjashmëri. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016