Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e njëzet e shtatë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
XXVI
Kur mendojsha shokët që varën veten, që u hodhën nga dritoret e Sigurimit të Shtetit për vetëvrasje, u shuen nga uria e dhanë shpirtin nën peshën e drunit e të shkelmave të rojeve të kampeve e burgjeve, pamja e djaloshit me kokë të shtypun me gur, i çmenduni që rrahej për vdekje…sikur kishin marrë me vete, si avullin e tokës së lagët, nën zjarrin e vapës verore, njiherë e përgjithmonë besimin që kisha pasë në vete, në njeriun, e në fuqinë frymëzuese e ndërtuese të tokës nanë, që quejsha Atdhe! E megjithatë, shokët, oh shokët, ngrohtësia e pranisë së tyne, ende më ushqente, e më mbante të gjallë!
Puna në betonimin e pistës vazhdonte me ritëm të shpejtuem. Brigadat e të burgosunve shkojshin e vijshin nëpër fushën e gjanë të aerodromit të ardhshëm, pa ndalim, në rreshta të gjatë e me nji kambëngulje që nuk njihte pushimin. Edhe drekën e merrshim me turne, e kur betoni fillonte me u trashë, ose ngurëzohej në vagona për arsye të ndryshme, ora e drekës shtyhej. Betoni, betoni ishte perëndia e re…! Të burgosunit, shërbëtorët e kësaj perëndie përuleshin; çdo ngadalësim paguhej me shkopij të panumërt në kurriz, dënime pa bukë, pa gjellë, pa ujë e shpeshherë, edhe pa gjumë, në qelitë e izolimit, ku kalohej nata i uritun, e tue u dridhë si qeni në dimën! Puna e randë dhjetë-orëshe e shkarkimi i kamionëve me çimento, mbas orarit të punës, kur të gjithë ishin në kamp, më lodhën aq shumë, saqë më dridheshin kambët kur ngrejsha thasët e çimentos nga kamioni e i shkarkojsha në magazinë.
Pluhuni i thithun vazhdimisht më krijoi vështirësi në frymëmarrje, e gjatë kohës së gjumit, kollitje të forta. Ishte e domosdoshme me u kthye në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetsore. Nji punë e re, e randë, e pandërpreme më priste në “botën e jashtme”. Ky ishte fati i te gjithë të burgosunve të liruem: punë e randë në ndërtim, në punishta tullash, në ngarkim-shkarkim. Nji ndjenjë e çuditshme më mbuloi. Për të parën herë, mendojsha seriozisht për mundësinë e “lirimit” nga burgu. Çdo ditë e ma shumë, ideja e ruajtjes së shëndetit, po ndërrohej në obsesion e më ngacmonte pa pushim. Instinktivisht, fillova të kursej energjitë me çdo mënyrë, e përfitojsha nga momentet e pushimit, në çdo situatë.
Takimet u shkurtuen, e shëtitjet në oborrin e kampit, u banë të rralla. Shokët më të afërm më vizitojshin te krevati, ku zhvillojshim bisedime, kryesisht mbi atë që më priste mbas lirimit. Mendimet ishin të ndryshme; megjithatë, të gjithë ishin dakord, se nji “tjetër kamp” ma i gjanë, më priste, e se trajtimi im në qendrat e punës, nuk do të ndryshonte shumë nga i tanishmi. Mandej, vijshin “këshillat” e panumërta, e “porositë” për familjet. Ishte nji gjendje e vështirë, që çdo i burgosun kalonte në muajt e fundit. Ajo që më shkaktonte dhimbje të pakufishme, ishte porosia e prindëve në moshë të re, që kishin lanë nuset e reja, e fëmijët e parritun. Të ngarkuem me vjet të gjata burgu, ky legjion fatmjerësh, vuante ma shumë se të tjerët.
Ideja që do të kalojshin njizetë vjet në burg, ose ma shumë, larg familjes, ishte në vetvete nji torturë e padurueshme, e pandërpreme. Jeta tyne, e dërrmueme në burgjet e kampet e punës së detyrueshme, do të vazhdonte përsëri në nji familje, që për njizetë vjet me radhë, ishte persekutue për “fajin” e tij: gra të detyrueme në punë të randa fizike e, fëmijë të diskriminuem e të diskretituem në shkollë, e në jetën e përditshme nga nji regjim hakmarrës, deri në vdekje. U burgosa i ri, e pa angazhime. Porsa të lirohesha, do të shkojsha pranë familjes, në bodrumin ku jetojshin, e së bashku do të përballojshim vështirësitë e jetës. Megjithë frikën për të ardhmen, mendimi se do të ndihmojsha familjen, më ngrente moralin. Nuk më pritej ma. Çdo ditë, më dukej ma e gjatë se tjetra; çdo natë nji ndërpremje e ecjes së kohës. Shpirtnisht, po përgatitesha me fillue jetën e re, në rrethana e me sfida të reja.
Gjatë takimit me nanën, nuk isha në gjendje me i tregue datën e lirimit. Komanda e quente këtë njoftim, nji sekret. I thashë se nuk do të jetë e largët dita e, duhej të priste me durim. Ajo nuk u përgjigj, por në sytë e saj, dukej qartë frika e internimit tim. Unë buzëqesha me vështirësi. Ajo u largue thellësisht e zhgënjyeme. Nga “grupi 50”, liroheshin çdo ditë. Shumica ishin ordinerë. Disa prej tyne, kishin humbë çdo ndjesi njerëzore. Të tjerë ishin persona me dinjitet, të akuzuem pa faj, ose mbrojtës të pasunive private, të grabituna nga qeveria. Komanda i zëvendësonte me të tjerë. Nga fundi i qershorit, unë isha i vetmi nga grupi i parë, ende i burgosun. Atëherë, dyshimi se mos nuk do të lirohesha, u rrit shumë, e shihej edhe në fytyrat e shokëve, që më vizitojshin çdo mbramje në kamp.
Nji të shtunë, ditën e fundit të qershorit, mbas orarit të punës, roja e kampit, ndaloi në fushë nji të burgosun dhe mue. Në fillim nuk kuptuem. Pak minuta ma vonë, dy kamiona plot çimento, u ndalën para magazinës. Shoferi hapi sponden e, roja urdhnoi shkarkimin. Ishim vetëm dy punëtore. Në këtë gjendje, njeni hypi në kamion e ngarkonte thasët e çimentos në kurrizin e tjetrit, që e sillte në magazinë. Mbandej, mbas njizetë o tridhjetë udhëtimesh, të dy së bashku, renditshim thasët në rreshta të rregullt. Herë mbas here, kur njeni lodhej shumë nga transporti, tjetri nga makina e zëvendësonte. Por kjo metodë zgjati shumë kohë, e nata ra mbi ne. Shoferët nuk dëshirojshin me kalue natën në këtë vend, e filluen me u ankue. Rojet u afruen, e me inat, ngulën kambë të shpejtojshim hapin. Na ishim gjysëm të vdekun, e kjo dukej qartë për të gjithë.
Ma në fund, shoferi hypi në makinë e filloi ngarkimin e thasëve mbi kurrizet tona. Tashti ishim dy hamej e, puna ecte ma shpejt. Me shkarkimin e kamionit të parë, u afrue kamioni i dytë. Tue shikue këtë makinë monstruoze që afrohej, më vinte nji dëshirë të hidhesha nën rrotat e saj. Pa bukë, pa gjellë, pa gjumë e në punë, qyshë në orën shtatë të mëngjesit, kisha arritë pikën e fundit të dëshprimit. Shoku im, gjithashtu. Shikojshim njeni-tjetrin me mosbesim, sikur të ishte nji andërr e keqe. Atëherë, ndigjuem zanin e rojes së kampit: “Shpejtoni, derra! Nuk do kalojmë tërë natën këtu”! Na nuk u përgjegjëm, e vazhduem punën në heshtje. Por trupat tonë, nuk kishin ma energji. Filluem me u lëkundë, me u mbajtë për mur, me lëshue thasët në shesh, e me u gjunjëzue. Rojet u çmendën. Na heshtëm. Shoferi shikonte me dhimbje, e përpiqej me na ndihmue. Thasët e fundit u shkarkuen nga mesnata, kur turni i rojeve, zëvendsoi rojet e para.
Nga kampi nuk vinte asnji za. Të gjithë ishin në gjumë të thellë. Edhe kthimi në kamp, u ba nji torturë e vërtetë. Kambët, duert, e lëkura e kurrizit, ishin rrjepë nga fërkimi me çimenton. Ecshim me veshtirësi të madhe. Rojet na shtyjshin. U rrëzuem. Shoku im, refuzoi me lëvizë. U përpoqa ta ndihmoj, por ai kishte humbë çdo fuqi. Roja filloi shkelmimin. Ai nuk lëvizte. Atëherë, e kapëm për dy krahësh, deri te porta e madhe e kampit, e futëm brenda dhe e lamë në shesh. Unë shkova për ujë, me pi e për pastrim. Mbusha paguren edhe e afrova te goja e shokut të ramë. Ai fliste me vështirësi. Me mundime të mëdha e pruna në kazermë, e lëshova në krevat e u largova. Uria më shtyni me shkue në kuzhinë, për bukën e gjellën e darkës. Ishte e mbyllun. Kërkova nga roja, racionin e ditës. “Nesër në mëngjes”! më tha. “Tani çdo gjë është e mbyllur…”!
U ktheva në kazermë ku kisha shtratin. Të gjithë flejshin. Vetëm shoku që flente pranë meje, Et’hemi, nji ish-gjimnazist idealist, ishte ende i zgjuem. Ajo që pashë, më tronditi. Dysheku im ishte shqepë copë-copë. Çdo leckë ishte grumbullue në nji lamsh, gjysma e tyne të shkyeme, ose të preme me gërshanë. Ky grumbull leckash, më bani të qeshë e të qajë, njikohësisht. Kjo ishte e gjithë pasunia ime, mbas dhjetë vjet burgimi: lecka, e tani, lecka të shkyeme. Ç’kanë me leckat e mia?! I prekun thellë, Et’hemi më shpjegoi, se kjo bastisje, ishte ba gjatë ditës prej rojeve, që kërkojshin diçka, ndoshta shkrime, ndoshta letra të shokëve, për familjet e tyne. Tue mos gjetë gja, ata kishin pre e coptue, çdo këmishë, çdo rrobë, krevatin, jastëkun, edhe çantën e bukës. Asgja kompromentuese!
Pamja e mjerueme, nuk më tronditi ashtu siç pritej, sepse nevoja e pushimit në atë orë të natës, ishte ma e madhe se shqetësimi i prishjes së rrobeve. U ngjita në krevat, i tregova shokut me dy fjalë, përvojën e ditës, e u lëshova nji copet, në krahët e nji gjumi të thellë. Të nesërmen, ishte ditë e dielë, ditë pushimi. Të shtunën mbrama, mbas punës, ndërsa shkarkojsha kamionet me çimento, rreshteri i komandës, më kishte kërkue. Ky ishte zakonisht nji shej se, të nesërmen do të lirohesha. Në mëngjes u ngrita herët nga shokët që më urojshin lirimin nga burgu. Mora racionin e bukës në kuzhinë. Isha i uritun. Fillova të ha me shpejtësi, ndërsa nji varg i gjatë shokësh, me urojshin fatin e mirë. Emocionet ishin të forta, sidomos kur përqafojsha të rinjt, akoma të parritun, e shokët e kaluem nga mosha e, që kishin akoma vjet të gjata burgu në kurriz.
Me dukej se nuk do t’i shihsha përsëri këto fytyra, kaq të dashtuna, që nuk m’u ndanë për dhjetë vjet, të gjata. Tellalli thërret emnin tim. Pranë portës nji rreshter, më urdhnoi të palos rrobet. Ashtu bana. Ishte e thjeshtë. Gjithçka e imja, hynte në nji strajcë që mbusha, e lidha dhe e vuna në sup. Përsëri përqafime, shtrëngime duersh, urime e plot lotë, nga unë e nga të tjerët. Te porta, rreshteri më mori për krahu, deri në zyrën e komandës, e mbas nji kontrolli të kujdesshëm, plotësoi formularët e “lirimit”, e më njoftoi se, oficeri që duhej të firmoste, gjindej për nji ditë pushimi në Tiranë. Më urdhnoi të largohem nga kampi, e të pres në fushën e hapët, deri në mëngjes. Kur dola prej zyrës, pashë shokët të grumbulluem brenda kampit, që ndiqshin lëvizjet e mia. Disa përshëndetën me dorë. Unë nuk u përgjigja. Ula kokën e, me rrobet në sup, u drejtova kah nji pemë e madhe, jashtë kampit, ku vendosa me kalue natën e parë në “liri”!
1 korrik 1956. – Ishte dita e parë jashtë telave me gjemba, të kampit të punës së detyrueshme. I ulun buzë pemës së madhe, shikojsha me lotë në sy, kampin e rrethuem, ku vuejshin afër dy mijë shokë, pa mund me u shkëputë nga ata. Po afrohej mbramja. Nxora copën e bukës nga strajca, e fillova me ngrënë. Nuk shkonte poshtë. Nji ngashërim i papërmbajtun, më zinte grykën. Ende nuk besojsha, se isha jashtë kampit, larg shokëve dhjetëvjeçarë, pa roje mbi kokë, e sidomos, larg duarve të rreshter Ismailit. Buzëqesha! Ku do të ishte qeni?! Çfarë do të mendonte nesër, kur nuk do të më shihte në vendin e punës, përsëri me rrobet e shkyeme, tue ngarkue çakull për betonierën?! Nji mendim i këtillë, më bani të qeshem me za. Sa absurde ishte jeta! Isha nji leckë, në duert e nji maniaku që kënaqte sadizmin e tij, me vuejtjet tona. Kush ishte ai? Nji zot i vetëdeklaruem, pa ligje me e përmbajtë, pa rregulla morale me e drejtue. Megjithatë, jo i lirë! E unë? Askush e, asgja, për atë!
I poshtnuem deri në nji pikë të këtillë, vazhdojsha me jetue edhe me frikën e shkatërrimit tim fizik, nga nji çekan i pamend që kërcënonte të binte mbi kokë, në çdo kohë, në çdo vend, pa asnji arsye…! Megjithatë, në vetvete, isha i lirë! Ndigjova hapat që afroheshin. Ktheva kokën nga frika, e pashë nji plakë me strajca mbi supe që afrohej me mundim. U ngrita në kambë, e ofrova ndihmë. Ajo pranoi. Mandej, të dy së bashku u afruem pranë pemës, lëshuem në shesh ngarkesat, e u ulëm. “Më ktheu roja,… tashti më duhet të flejt këtu, përjashta, e të pres deri nesër mbas dreke të shoh djalin…”! I shpjegova se isha lirue atë ditë, e më duhej të pres deri në mëngjes. Pa më pyetë emnin, menjiherë filloi: “E njef djalin tim, Jusufin? Si është? Lodhet? Si është me shëndet? Ka rrobe? Më thuaj, të lutem, si është…”?!
Kur më tregoi emnin e djalit, nji shok i ngushtë i imi, unë e përqafova. “Ndigjo moj nanë,- i thashë, – jam shoku i tij. Kemi punue së bashku, kemi kalue shumë kohë së bashku…! Ashtë mirë me shëndet, ashtë i forte, ka kurajo, nuk mërzitet…e shpeshherë të kujton, sepse zotrote, jeton e vetmuar…”! – “Po! – përgjigje. – Kam nji djalë e nji vajzë në Itali, kurse këtë e zuri belaja këtu në Shqipëri…! Ç’të bëjmë? E ke nënën? E di nëna që je liruar sot?! Oh, sa do të gëzohet e mjera nënë, kur të të shohë! Shyqyr o bir, që dole nga burgu e, je akoma mirë me shëndet…”! Më shikonte pa ndërpremje, sikur dëshironte të shihte në mue, fytyrën e djalit të vet. Mandej, me nji gjest prindor, më mori kokën, e vuni në gji e filloi të më fërkojë me dashuni. Unë nuk lëviza, derisa lotët e saj me njomën flokët. U ngrita, e përqafova përsëri si nanën time, e sigurova që djali i saj ishte mirë, e fillova të tregoj ngjarje që kisha ndigjue nga i biri. “Po, po”, më thonte. Më kujtohet. Po, ashtu ka qenë”!
Bisedimi vazhdoi për orë të tana me këtë nanë, që zëvendësoi loken time, atë natën e parë nën hijen e diellit që perëndonte, e yjet që e ndoqën gjithë natën. Nuk kisha ma uri, e ajo nuk dëshironte me ngranë. I tregova jetën e kampit, e sidomos ngjarje që kishin të bajnë me djalin e saj. Ishte e djegun nga dëshira me ditë ma sa shumë për atë krijesë që adhuronte. Ma në fund, lodhja na këputi të dyve. Mbështetëm kokët në pemë, e u përpoqëm me fjetë. Plaka e lodhun fjeti pa vështirësi, por unë shihsha dritat rreth kampit e u kredha në mendime. Pothuej çdo skenë e jetës së kampit, filloi të dalë parasysh me fuqi. Ishte e besueshme, që për dhjetë vjet të gjata, kisha kalue rininë time në kondita të këtilla, i burgosun, i torturuem, i detyruem me jetue e punue në kampet komuniste, si skllavët e piramidave? Nji nevojë e thellë, kambëngulëse, më detyronte me kërkue arsye e justifikim, ose të paktën nji shpjegim, për këtë katastrofë që kishte molisë, e më kishte pru në prak të shkatërrimit fizik, e rrezikut të vdekjes morale…!
Nën bukurinë e yjeve që ndritshin në qiellin e asaj nate korriku, nuk kuptojsha si ishte e mundur që njeriu të binte aq poshtë, sa të trajtonte tjetrin ma keq se nji kafshë e zgjebosun; si ishte e mundun që shqiptari, të trajtonte vllaun shqiptar, ma keq se trajtimi i fashistëve dhe nazistëve, gjatë pushtimit të vendit tonë?! “I hueji”, ashtu si e kishim konceptue na për vjetë me rradhë, shtypës i egër e hakmarrës, zbehej para realitetit të krijuem nga tirania komuniste, nji regjim pa asnji respekt për qytetarët e vendit, e që njihte vetëm obsesionin për nji pushtet absolut, të pakontestuem, të pakontrolluem, e i vendosun ta mbroje atë me dhunë, padrejtësi, e propagandë gënjeshtare, nji regjim që e dëshironte me kambëngulje “të keqen”, shkakonte me ndërgjegje vuejtjen e pameritueme, e ushqente atë me urrejtje të ngjallun në mendjet e zemrat e hakmarrësve, të indoktrinueme deri në çmenduni. Shokët e mi, në kampin para meje, më dukeshin tashti si mishi për top, ushqimi i lugatëve mishngranës, viktima të damkosuna, me vdekë nga uria, puna e randë, e tortura…!
Koka më ziente nga nji mijë mendime që më mundojshin, sepse nuk gjejsha përgjigje. Mbas të gjitha, sa kisha pa e dëshmue gjatë qëndrimit në burg, a mund të thojsha se, vetëm ata që kanë kompromentue parimet morale të nji shoqnie të qytetnueme – që pretendojnë të përfaqësojnë! – kanë mundësi me dalë të gjallë nga burgu? Shpeshherë, gjatë këtyne dhjetë vjetëve, kam qenë dëshmitar i ngjarjeve që definitivisht imponojshin ndërhymjen, marrjen e nji qëndrimi, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Pse nuk u revoltova, megjithëse revoltimi ishte sinonim me vdekjen? Atëherë, mbijetesa paraqitej si rezultat i kompromisit, me ndërgjegjen tonë, nji jetë amorale (në qoftë se jo imorale!); e si rrjedhim, e padenjë për cilido që pretendon me jetue për mbrojtjen e këtyne parimeve…! Kur fillon fusha e heroizmit civil, e ku mbaron?! Mbijetova kampin e vdekjes! Sot jam jashtë telave me gjemba, që më coptuen pamjen e lire, për dhjetë vjet të gjata. Si do të justifikojsha jetën time të ardhshme, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë? Cili duhet të isha unë nesër, që nga çasti kur i burgosuni i djeshëm, vdiste zyrtarisht? Kisha hye në burg i ri e pa eksperiencë, po dilsha nga burgu i pjekun e i dëshpruem! Nji e panjohun e madhe, ma e madhe se unë, më ballafaqonte! Kur ndigjova bilbilin e rojeve, për zgjimin e të burgosunve të kampit, kuptova se nata, kishte kalue pa gjumë.
Së shpejti, nji ditë e re do të zbardhej mbi tokën time të martirizueme, me viktima të reja në njiqind burgjet e kampet e shfarosjes, që mbulojshin atdheun tim ato ditë. Plaka u ngrit nga gjumi e, nuk e zinte vendi nga dëshira për takim. Rreth orës shtatë të mëngjesit, kolonat e gjata të burgosunve dolën nga kampi, në drejtim të sektorit të punës. Plaka u trondit nga numri i madh i fatzezve, e më shikoi me habi. Unë i hodha krahun. Mandej, të dy u drejtueme kah zyrat e kampit. Nji orë ma vonë, e pashë që ishte ulë mbi nji bllok betoni dhe priste kthimin e brigadave nga puna, e takimin e dëshiruem me djalin. I urova ditën e mirë dhe lirimin e shpejtë të djalit, e u largova. Ajo më ndoqi me lotë në sy. Në zyrën e oficerit që më dha “Dëftesën e Lirimit”, më treguan se, gjatë dhjetë vjetëve punë, kisha grumbullue nji shpërblim, prej 1200 lekë. – “A mund t’i marr sot”? – pyeta pa të keq. – “Sigurisht! – më tha ai. – Janë paratë tuaja. Pushteti i popullit paguan për punën që ke bërë…”!
Mora të hollat e u largova. Me hapa të shpejtë ndoqa rrugën që, nga kampi, dilte në rrugën kryesore Tirane-Shkodër. Pak minuta ma vonë, nji kamion i hapët u afrue. Bana shenj me dorë. U ndal.
– “Ka vend deri në Shkodër”? – pyeta. – “Jo në Shkodër, – më tha shoferi, – hyp të shpie gjer në Mamurras”. – “Falemnderit”! – përgjegja, kërceva nga gëzimi e, zuna vend pranë shoferit. Pa e pyet, më tregoi se vinte nga Korça, e se puna që bënte nuk ishte e lehtë. “Orë të gjata punë”, më tha, e vazhdoi: – “Tani sa je liruar nga burgu”?! – Qartazi, dukja ime e rrobet tregojshin se vijsha nga kampi. – “Po! – i thashë. – Sot jam lirue”. Unë e shikova në sy, e me nji buzëqeshje të lehtë: “Dhjetë” i thashë. Ai u trondit. “Dhjetë vjet? Po ti dukesh i ri”, e nuk foli ma gjatë. Në Mamurras, kamioni u ndal. – “Këtu duhet të zbresësh, – më njoftoi. – Prit për një taksi që të shpie në Shkodër”. Autobusi ka kaluar, e duhet të presësh gjatë…! – “Sa të kam borxh”? – “Asgjë, mo vëlla! Si të marr para nga ti…”?! – E tue më zgjatë dorën, shtoi: “Më vret Zoti…rrugë e mbarë”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm