Nga Thanas Gjika
Pjesa e tretë
–Portret-biografi kushtuar Dino Thanas Martiko-
Memorie.al / Gjatë historisë kombëtare të popullit shqiptar, janë shquar shumë burra e gra, për guximin me të cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të huaj ose vendës. Kjo dukuri, ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve 1944-1991, kur sundoi diktatura komuniste. Mirëpo politika terrorizuese dhe propaganda e partisë-shtet, e detyronte popullin, që të vlerësonte si trimëri, servilizmin ndaj partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën e Partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të Partisë e të pushtetit, dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj.
“Ti nuk mund të dalësh mbi Partinë”! Ia ktheu me mburrje shefi.
Atëherë Dinua shpërtheu: “E kuptoj që gjithçka e bën me zell të tepruar. Hiqesh më katolik se Papa. Do të mbulosh të kaluarën tënde, kur ishe spiun i italianëve”. Në sallë ra heshtje e thellë. Sekretari i parë i rrethit dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv nuk e donin veten.
Nuk dinin si të reagonin. Zakonisht ata rezervoheshin të përplaseshin me Dinon. Ia njihnin ndershmërinë, karakterin burrëror dhe kokëfortësinë me të cilën ai mbronte mendimet e veta. Kur e thoshte një mendim, ai nuk tërhiqej. Ata nuk donin që ai t’u përsëriste atë thënien e tij: “Njeriu, sidomos komunisti, nuk duhet kurrë të fitojë lumturinë e tij në dëm të të tjerëve”.
Mbledhja e asaj nate u mbyll pa marrë vendim, por mbledhja pasardhëse, u organizua për të dënuar Dinon me largim nga partia. Dinua nuk e përjetoi si dënim të rëndë, madje e ndjeu veten të lehtësuar. Shpesh here, e kishte ndjerë veten jo mirë në atë ambient me njerëz të paditur, servilë, vegla qorre të diktaturës dhe spiunë.
Ndjenja për të qenë i lirë, dëshira për të mbetur i ndershëm, fisnik, ballëlart, heroik, ishte më e madhe nga dëshira për karrierë. Motivacioni i dëbimit nga Partia: “Nuk ke urrejtje për klasat e pasura”, ishte një ndjenjë e vërtetë e tij. Shefit të Degës, iu hap udha që të fillonte arrestimet e para në masë në fshatrat e Bregut. Në Shënvasi, u arrestuan nëntë fshatarë dhe po aq në Nivicë.
Lufta e klasave, në fakt ishte vijimi në kohë paqeje, i luftës vëllavrasëse, që kishte filluar prej PKSh-së në kohën e luftës me shpalljen e ‘Ballit Kombëtar’, “organizatë tradhtare”, në një kohë që forcat balliste luftonin në bashkëveprim me forcat partizane. Në kohën e luftës kjo manovër, u bë me qëllim që PKSh-ja, në mbarim të Luftës të mos kishte rivalë, për të marrë pushtetin politik dhe ekonomik, si forcë e vetme. Pas Luftës, po kjo parti zhvilloi politikën e luftës së klasave, për ta mbajtur pushtetin që mori përsëri si forcë e vetme.
Kështu gjatë Luftës Antifashiste, përçarjeve të vjetra iu shtua dhe përçarja në; komunistë, ballistë, nacionalistë, legalistë, të cilët u shpallën forca të papajtueshme, midis tyre. Kurse pas Luftës, kësaj përçarjeje iu shtua dhe përçarja në; “familje me biografi të mirë” dhe “familje me biografi të keqe”, që po ashtu u shpallën prej partisë shtet, si dy kampe të papajtueshëm midis tyre.
Për fatin tonë të keq një variant i kësaj manovre u sajua edhe pas ndërrimit të regjimit midis partive të shumta politike. Secila parti politike e tranzicionit ushqente dhe ushqen tek anëtarët dhe simpatizantët e vet urrejtje me anë sharjesh e shpifjesh kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të partive të tjera. Qëllimi ishte dhe është po ai: marrja dhe mbajtja e pushtetit politik dhe ekonomik prej një partie, ose dhe me aleatin / aleatët e saj. Kjo politikë zbulon faktin e hidhur se klasa jonë e sotme politike është pjellë dhe shërbëtore e klanit Hoxha.
Kështu përçarjeve të vjetra të popullit tonë këto vite iu shtua dhe ndarja e përçarja sipas partive politike, në socialistë, demokratë, republikanë, etj, forca të papajtueshme midis tyre, sikur nuk janë bij e bija të këtij populli, që i zgjedh për të forcuar unitetin kombëtar dhe për të përmirësuar jetesën.
Nuk marr në punë punonjës, pa përgatitje profesionale
Me krijimin e Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1947, Dinua u interesua të largohej nga Komiteti Ekzekutiv, ku mbulonte dy-tre seksione. Edhe pse gjithnjë qendra e qarkut, Gjinokastra, e lëvdonte për punën e mirë, ai nuk donte të vijonte punën në atë kolektiv, ku i dilnin përpara njerëz që ishin të zhvlerësuar në mendjen e tij. Vendi kishte etje për kuadro në fushën ekonomike, sidomos bankat.
Iu drejtua Ministrisë së Financave, për t’u transferuar me punë te Banka e Shtetit Sarandë. Kërkesa iu aprovua dhe shumë shpejt, e mori emërimin si drejtor i kësaj banke. Por edhe këtu puna, nuk do t’i shkonte vaj. Një mëngjes, sekretari i organizatës bazë të partisë së bankës, iu lut Dinos, që të merrte në punë gruan e një instruktori partie, që ishte transferuar në Sarandë para disa javësh.
I tha se për këtë kërkesë, ishte interesuar vetë Sekretari i Parë i Partisë së Rrethit. Dinua i tha se, nuk do të kishte kundërshtim, po të zotëronte një nivel të mjaftueshëm profesional. “Pranoje sido që të jetë. S’ bëhet shaka me Komitetin e Partisë”, tha sekretari i partisë, i cili punonte në bankë si arkëtar.
“Atëherë po ta jap ty, si ndihmës-arkëtare”, ia preu Dinua. “Jo, jo, të lutem, mos ma jep mua se nuk jam i sigurt sa e aftë është. Po, vendose në një tjetër vend pune, mjafton të marrë një rrogë. Shteti do ta paguajë”, vijoi sekretari. E thirrën zonjën dhe Dinua në prani të sekretarit, i u lut asaj të bënte disa veprime matematike me mbledhje, pjestim, shumëzim.
I kërkoi të shkruante disa fjali. Kur e mori fletën e letrës në dorë, kuptoi se ajo nuk kishte njohuri elementare, për të punuar si ndihmëse llogaritar, plus që kishte një shkrim, gati të palexueshëm. Ia zgjati letrën sekretarit për ta parë, pastaj iu drejtua zonjës dhe i tha me mirësjellje, se duhej të interesohej për t’u punësuar në ndonjë vend tjetër.
Një orë më pas ra telefoni. Ishte sekretari i parë i rrethit, që filloi të bërtiste: “Po ti moreee, pse nuk e more në punë atë shoqen që ta dërgova uuunë”?! “Nuk ishte e aftë”, iu përgjigj Dinua me qetësi. “Po, nga do t’i të t’i sjellim nëpunësit, nga Londra apo Uashingtoni”?! shtoi me ironi sekretari i partisë, duke menduar se emrat e kryeqyteteve të shteteve armike, do ta trembnin të porsa përjashtuarin nga partia. Dinua u inatos dhe duke folur me zë të lartë: “Nga p…. i sat ëme”, dhe uli telefonin.
Mbas pak, një nëpunës e lajmëroi drejtorin se, sekretari i parë, ishte duke ardhur për ta takuar. Dinua, në sirtarin e tavolinës së punës, mbante revolverin. Hapi sirtarin dhe ia hoqi siguresën armës, duke menduar që po të vinte sekretari i parë, me mendje të keqe për ta fyer a qëlluar me armë, ai ta qëllonte i pari. Mirëpo sekretari, krejt ndryshe, porsa hyri në zyrë, shpërtheu me të qeshur:
“Gjeta dhe unë o Dino, kë të detyroja…” dhe duke hapur krahët iu afrua për ta përqafuar. Dinua mbylli sirtarin dhe pranoi ta përqafonte. Kështu filluan të vepronin në atë kohë kuadrot prepotentë të Partisë-shtet. Pa pasur asnjë fije respekti për njeriun, keqtrajtonin kolegët vartës duke i fyer me fjalë të ulta. Kur nuk iu ecte, tërhiqeshin dhe bënin sikur e pranonin humbjen duke qeshur, por prapa krahëve, përpiqeshin të merrnin hak si njerëz pa dinjitet që ishin.
Sigurimi ka respekt për ty, prandaj do të të dërgojë jashtë shtetit
Karakteri burrëror i Dinos, u shpalos përsëri me forcë të madhe, kur pas disa vjetësh, iu propozua nga dy të dërguar të posaçëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta hedhur si agjent të shërbimit sekret, në Korfuz. Ata, në fillim i thanë se partia dhe Sigurimi i Shtetit, kishin për të respekt të veçantë për ato që kishte bërë gjatë Luftës e pas saj. Më tej hynë në temë dhe i thanë se; meqenëse ai kishte vjehrrin, vjehrrën dhe vajzën në Korfuz dhe njihte mirë greqishten, ishte shumë i përshtatshëm, për ta hedhur si agjent sekret në Greqi, ku mund të përdorte për bazë njerëzit e tij në Korfuz.
Do t’i jepej grada major si oficer i Sigurimit Shqiptar. Më tej, i sqaruan se Zbulimi Grek, nuk kishte pse të dyshonte për “arratisjen” e tij, sepse babai i tij, kishte luftuar për lirinë e Thesalisë, se ai ishte i përjashtuar nga partia, pra kishte arsye të mendonin se ishte i pakënaqur ndaj partisë. Sa për gruan e djalin, i thanë të mos kishte merak, sepse brenda një viti, Sigurimi Shqiptar, do të organizonte dhe “arratisjen” e tyre dhe ai do të jetonte për bukuri në Greqi.
I sqaruan se puna e tij, do të ishte e thjeshtë: do të shkonte pas pune nëpër kafenetë e Korfuzit, për të pirë ndonjë gotë raki ose kafe dhe do të bënte miq e shokë, sa më shumë shqiptarë dhe minoritarë grekë, të arratisur. Do të bisedonte me ta dhe herë pas here, do të dërgonte informacione për mendimet e tyre, përmes kanaleve që do t’i tregoheshin.
Mirëpo Dinua, parashikoi se informacionet e tij, do të merrnin në qafë familje të ndryshme në Shqipëri, do të burgoseshin e internoheshin njerëz të pafajshëm. Dhe vendosi të mos e pranonte këtë lloj “vlerësimi”. Për t’u justifikuar, u tha prerë: “Unë kam studiuar për ekonomist. Këtë zanat që më propozoni nuk e njoh dhe nuk e bëj dot”. Të dërguarit nga Tirana, nuk ngulën këmbë dhe i thanë se mund të largohej. Mesa dukej mund të kishin dhe raste të tjerë.
Episodet trimërore nga jeta e Dino Martikos, gjatë kohës së Mbretërisë Zogiste, të pushtimit italo-greko-gjerman dhe të diktaturës komuniste, që zbulojnë karakterin e tij të diamantë, që nuk pranoi kurrë të ndërtonte lumturinë e tij, duke dëmtuar të tjerët, janë të shumtë. Për jetën e tij plot përplasje me të pamoralshmen, shkrimtari Petraq Pali, ka shkruar një roman të tërë, prandaj nuk po zgjatem më tej me episode të tillë.
Burgimi i parë
Më 30 qershor 1954 në kafenenë e njohur “Kristal” të kryeqytetit (sot nuk ekziston, por ka qenë tek një lulishte midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shtetit), u krye arrestimi i parë i Dinos, në prani të shumë njerëzve. Ky vend u zgjodh sepse ishte vend publik, gjë që ndihmonte për të ngjallur më shumë frikë në popull. Thirrjes së sigurimsave: “Në emër të popullit je i arrestuar”!
Dinua u përgjigj me sarkazëm: “Ju lumtë, për nder! Sot zbuluat Amerikën tek unë”. Agjentët nuk u përgjigjën, por sipas urdhrit, i hodhën prangat, ia shtrënguan fort duart me hallkat e çelikta dhe e hipën në makinën “Gaz”-69. E shpunë në Vlorë, te kryetari i Degës, Gjeneral Petrit Hakani, ish-bashkënxënës me Dinon, në Shkollën Tregtare. Ky filloi ta shante me një fjalor të ndyrë rrugësh.
“Nëse paske vendosur të përdorësh këtë fjalor të ndyrë me mua, dije se me të njëjtën gjuhë, do të përgjigjem edhe unë”, ia ktheu Dinua flakë për flakë. Gjenerali vijoi më tej me të njëjtat fjalë të ndyra. I arrestuari e ndërpreu me ton kërcënues: “Përdore me gruan tende këtë fjalor rrugaçësh”!
Atëhere shef Petriti, e ndjeu veten ngushtë nga reagimi i ashpër i të arrestuarit, në prani të vartësve. Ai e njihte mirë guximin e Dinos. Iu kujtua sesi kur ishin nxënës, tek oborri i shkollës, Petritin po e godiste me shkelma një tragjasas trupmadh, nxënës mbetës dhe Dinua i doli në mbrojtje, pa marrë parasysh se mund të hante dhe ai shkelma të rënda. Shefi ndërroi fjalorin, por tonin e lartë e ruajti:
“I ndaloni cigaret! I ndaloni çdo furnizim nga familja! Futeni në dhé të gjallë! Të shohim burrërinë e madhe të këtij agjenti grek”. Kaluan pesë muaj dhe hetuesit nuk arritën të nxirrnin gjë prej gjëje nga goja e Dinos. Një ditë, ai i tha njërit prej tyre: “Më arrestuan pushtuesit grekë e italianë, por pasi nuk ua pranova akuzat, më liruan pas një ose dy javësh.
Kurse ju nuk po më lironi, as pas pesë muajsh. Unë nuk kam çfarë t’ju tregoj. Ato shpifje që kërkoni të pranoj, nuk do t’i pranoj edhe sikur ta sillni djalin tim 6-vjeçar, e ta varni para syve të mi. Jam krejt i pafajshëm dhe nuk pranoj asnjë akuzë”!
I sollën si dëshmitar një ish-punonjës të tij të bankës, i cili gjatë pushtimit fashist kishte veshur këmishën e zezë dhe e kishin emëruar federal. Sapo ky nxori nga goja gënjeshtrën e parë, Dinua iu hodh dhe deshi ta godiste me hekurat e prangave të tij, por nuk mundi se ndërhynë policët. Nënkryetari i Degës, Kolonel Nesti, që ishte caktuar kryetar i hetuesve, ndërhyri:
“Çfarë njeriu ka qenë Sulejman Kapua, gjatë Luftës”?! E kishte fjalën për vëllain e Hysni Kapos, i cili në fillim të Luftës, ishte i lidhur me ‘Ballin Kombëtar’, dhe Hysniu kishte dhënë urdhër ta vrisnin, por pastaj ai kishte kaluar nga ana e partizanëve.
“E njoh për njeri të ndershëm”, tha Dinua, i cili e kishte njohur vërtet për njeri të mirë, prandaj nuk e shau. “E shikon që gënjen”, tha shefi. Kur dikush e akuzonte Dinon se “gënjen” ai bëhej shumë nervoz, por kësaj radhe u përmbajt dhe tha i qetë: “Po ta përsëris: unë e njoh për njeri të ndershëm”.
Hetuesi bërtiti: “Dhe unë po ta përsëris: e shikon që gënjen”?!
Atëhere, ngriti zërin Dinua, në qoftë se do ta dish, Sulejmani është njëqind herë më i ndershëm se ty, që të urdhërojnë eprorët e tu, të më imponosh gënjeshtra, dhe ti edhe pse e di shumë mirë që jam i pafajshëm, vazhdon të më bësh presion. Unë jam i pafajshëm dhe nuk pranoj asnjë nga shpifjet tuaja, edhe sikur të më kryqëzoni si Krishtin në kryq”.
Pas këtij takimi, te shtëpia e Dinos, u shfaq një polic dhe kërkoi që Sofia ta shoqëronte deri në godina e Degës së Punëve të Brendshme. Kur arriti aty, tre-katër hetues e morën në pyetje. Në fillim u sollën mirë, por pastaj filluan nga kërcënimet. I thanë se do ta burgosnin dhe se birin e saj të vetëm, Robertin, do ta fusnin në Jetimore. I theksuan se do të ishte më mirë për të, të tregonte gjithçka dinte për aktivitetin agjenturor të Dinos. Po të sillej e bindur, i premtuan se atë me djalin, do t’i linin të ktheheshin në Greqi.
Sofia, edhe pse ndjeu panik për të ardhmen e saj e të djalit, nuk u dorëzua. Kur mbeti vetëm në qeli, për t’u ndier më e sigurt, preku me dorë dy copat e brisqeve të rrojes, që i kishte thyer më dysh dhe i mbante fshehur në një xhep që kishte krijuar në këmishë me një herë pas arrestimit të Dinos. Sa herë ndërronte veshjen, kujdesej të fshihte këto copa brisqesh, me të cilat do të priste venat e gjakut, po ta detyronin që të dëmtonte jetën e burrit të saj, apo të ndonjë të afërmi. Sa herë e morën në pyetje, ajo mbajti të njëjtin qëndrim, duke përsëritur fjalët: “Nuk di gjë”. E liruan pas tri ditësh.
Sigurimsat, vendosën të bënin me Dinon një presion tjetër. Një paradite, me një “Gaz”- 69, e morën të arrestuarin dhe shkuan në një vend të shkretë, në periferi të Vlorës. Bënin sikur kishin urdhër për ta ekzekutuar pa gjyq. E ndalën makinën në një vend dhe doli njëri nga oficerët, pa rreth e rrotull e kur u kthye, tha: “Më mirë të kërkojmë një vend tjetër, ku të mos e gjejnë dot kufomën”. Shkuan më tej, doli përsëri po ai oficer dhe kur u kthye, u ankua se rrëpira nuk ishte shumë e thellë. Dinua e kuptoi se shefi i Sigurimit, donte të luante me nervat e tij, për ta trembur e për t’a detyruar, t’u kërkonte që t’ia falnin jetën, pra të dorëzohej. Ndalën për të tretën herë makinën dhe i thanë: “Dil”!
Dinua doli nga makina, mirëpo shefi i Degës pa se fytyra e tij ishte e qetë, pa asnjë shenjë frike. Atëhere dha urdhër të hipnin të gjithë në makinë dhe kështu e kthyen të arrestuarin në qeli. Gjyqi u organizua në Vlorë, më 20 nëntor 1954, nga Gjykata Ushtarake Territoriale e atij rrethi. Dinua kishte marrë për avokat mbrojtës, juristin Shefqet Shkupi, një profesionist dhe njeri i përsosur. Kundër Dinos, dolën tre dëshmitarë, njerëz që ishin burgosur për vjedhje ordinere.
Këta thanë ato që u ishin porositur për ta rënduar akuzën. Kurse në favor të të akuzuarit, foli atë ditë Sulejman Kapua, i cili tha se; kur Dinua u pushua si nëndrejtor i bankës, për të bërë punën e tij, u shtuan dhjetë nëpunës, për të përballuar volumin e punës së tij. Ky dëshmitar, tregoi se Dinua ishte një organizator i talentuar. Brenda tre muajve, ai e kishte nxjerrë Bankën e Vlorës nga prapambetja. Ministria e Financave, e dërgonte për kontroll dhe eksperiencë, në shumë banka të Shqipërisë, etj.
Mirëpo prokurori, pa marrë parasysh mbrojtjen e avokatit Shkupi, dhe fjalët e mira të qytetarit Kapo, lexoi vendimin që e kishte shkruar më parë, sipas të cilit, Dino Martiko, dënohej për spiunazh në favor të Greqisë dhe për agjitacion e propaganda, me 7 vjet heqje lirie. Roberti, duke treguar ato që kishte dëgjuar më vonë prej babait, më tha se; mjek i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, kishte qenë doktor Irfan Pustina, një njeri i ndershëm.
Ky, pasi kishte marrë vesh qëndrimin burrëror të Dinos në hetuesi dhe në gjyq, pa e njohur fare të dënuarin, kërkoi që të mos e transferonin në ndonjë burg të largët, por ta mbanin aty në burgun e Vlorës, pra pranë familjes, sepse gjatë muajve të hetuesisë, jeta në qelinë e vogël me lagështirë, i kishte shkaktuar pneumoni dhe rrezikohej për të kaluar në tuberkuloz.
Ndërkohë Sofia dhe Roberti, banonin në një dhomë fare të vogël në lagjen “Muradie” në Vlorë. Mospranimi nga ana e Dinos, për të firmosur akuzat false, ndikuan që gruan dhe djalin, të mos i internonin. Robertin, në muajt e verës e merrte në fshat gjyshja, dhe xhaxha Ndrekua. Mbas tre vjetësh, Dinua u lirua nga burgu, në prill të vitit 1957. Roberti tetë vjeçar, priste lirimin e babait të tij së bashku me Pëllumb Llupën, një djalosh i edukuar, i cili ishte liruar disa muaj më parë nga burgu i Vlorës, ku ishte miqësuar me Dinon. Në anën tjetër të Robertit, rrinte nënë Sofia dhe gjyshja me rrobat e saj të zeza. Askush nuk pyeste për të ftohtin dhe shiun. Pas takimit të përmallshëm, grupi u nis për në shtëpi, duke ecur nëpër llucë e baltë që nga ullishtet, ku qe burgu, deri te apartamenti. Prapa tyre, vinte një hamall me thesin plot libra të Dinos, të cilin komanda e burgut, nuk kishte lejuar t’u falej të burgosurve.
Dinua, i veshur me rrobat e reja që i kishte sjellë Sofia, ecte me hapa të lehtë dhe krenar. Në ndërgjegjen e tij, nuk rëndonte asnjë mëkat. Pas disa ditësh, shkoi për të kërkuar punë në komitetin ekzekutiv. I thanë se mund ta emëronin me punë, llogaritar në Selenicë, por Dinua nuk pranoi. I shkroi një letër Hysni Kapos dhe përgjigja ishte; të shikohej kërkesa në Vlorë. E thirrën dhe në Komitetin e Partisë, por dhe atje propozimi mbeti po ai: llogaritar në Selenicë. Ish-i burgosuri, mbeti përherë nën vëzhgimin e palodhur të spiunëve të gjeneral Hakanit.
Në fakt të dënuarve politikë, vuajtjet e burgut dhe bisedat me klerikë dhe intelektualë të formuar në Perëndim, u kthehej në shkollë edukimi, kundër sistemit diktatorial. Nga bisedat me të dënuarit e tjerë, Dinua mësoi shumë raste krimesh, që ishin kryer nëpër Shqipëri, prej punonjësve të Sigurimit, të Partisë e të pushtetit. Aty ai mësoi se midis popullit shqiptar, kishte shumë trima si ai, që i kishin dalë dhe i dilnin kundër së keqes.
Në biseda me Robertin dhe gruan e tij, ai përmendte të jashtëzakonshmin, Padër Pjetër Mëshkalla, filozof e shkuar filozofit; Izet Kallaratin dhe dy trima të pashkollë; Andrea Qirjakon e Teli Konomin, që i quante burra të vërtetë, si burrat e vjetër. Fliste me respekt dhe për Dilaver Rrapo Premtin, i cili ishte në moshë fare të re, por u kishte rezistuar torturave në hetuesi, si të ishte burrë i pjekur dhe trim i madh.
Sofisë, iu dha punë në fillim llogaritare në Ndërmarrjen “Bashkimi”, e më vonë te ferma e ullishtave. Kurse Dinos, iu dha punë vetëm pas pesë vjetësh, në 1962, llogaritar te Kolektivi i Tregtisë Private. Pas katër vjetësh, më 1966, kur doli ligji për mbylljen e punëve dhe dyqaneve private, atë e emëruan ekonomist te Ndërmarrja Industriale Shtetërore e Prodhimeve. Këtu ai punoi derisa doli në pension, më 1978. Gjatë këtyre 21 viteve të punës pas burgimit të parë, ai e forcoi respektin e gjithë punëtorëve dhe qytetarëve të Vlorës, me të cilët e lidhi puna. Tashmë ai, krahas korrektësisë e qëndrimit burrëror, me të cilat dallohej dhe më parë, kishte bërë të vetat dhe një sjellje e të folur më të butë e më të ëmbël. Përpiqej t’u ngjante njerëzve të dijshëm si Padër Mëshkallës…!
Roberti, mbaroi në vitin 1966, gjimnazin “Halim Xhelo”, me nota të shkëlqyera, por nuk iu dha e drejta e studimit për në Universitet. Kështu ai u shtrëngua të futej në punë si xhenerik, te kamionët e rëndë në Parkun e Mallrave të Vlorës. Paskëtaj, shkoi e kreu shërbimin ushtarak në një repart në Tiranë, gjatë viteve 1969-1971. Një vit më vonë, lufta e klasave sikur ra në fashë dhe me ndërhyrjen e disa miqve të Dinos, Robertit iu dha e drejta e studimit, për inxhinieri.
Më 1977, ai u diplomua inxhinier teknolog, por në vend që ta emëronin në Vlorë, e emëruan te Stacioni i Makinave Bujqësore të Burrelit. Vajtën dëm njohuritë e fituara me sakrifica gjatë katër viteve, në degën e teknologjisë mekanike. Pas dhjetë vjetësh, Robertin e transferuan nga Burreli, në një uzinë mekanike te ferma e Akërnisë, 25 km. larg Vlorës. Dinua, Sofia dhe Roberti, u bashkuan sërish. U duk sikur edhe për familjen Martiko, fatkeqësitë politike morën fund. Në prill të vitit 1978 Roberti u fejua me zonjushën Donika Jorgji, mjeke e porsa diplomuar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga zemrashqiptare.net