Nga Sokol Parruca
Pjesa e parë
-Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj., si dhe disa prej tifozëve të “çmendur” të “Vllaznisë”!-
Memorie.al / E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” e Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh impresionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin. Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionerëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.
100 VJET, EKIPI FUTBOLLIT “VLLAZNIA”
ERNEST HALEPIANI
Ernest Halepiani, që aq ëmbëlsisht na trajnonte, se si me atë sjelljen atërore, butësinë e ngrohtësinë që tregonte për çdonjërin fëmijë dinte dhe mundi si askush të ndikonte për ta dashur futbollin. Veçanërisht, në atë moshë vetëm një njeri si ai dinte t’i afronte fëmijët me futbollin, ishte gjithmonë në fushë në çdo orë të ditës dhe kur nuk ishte aty e shihje te baraka, ulur në një stol, tek qepte me gjilpërë me spango topat e shqyer, për të na dhënë ne mundësinë të vazhdonim stërvitjen edhe pse mungonte baza materiale.
Ah sa njerëzor ka qenë! Edhe pse vite larguar prej nesh, mbetesh në kujtesën time si njeriu që dha për futbollin, iu përkushtua futbollit me shpirt…! Aty, te parku i zotni Ernestit (kështu e thërrisnin të gjithë) organizohej kampionati i moshave për fëmijë i qytetit. Aty lindën talentet që do bënin epokë.
Për herë të parë, aty kam parë Sabah Bizin, Din Zhegën, Zan Rragamin e Paulin Ndojën. Aty, trajnerët e moshave krah për krah vënin gishtin, evidentonin e seleksiononin talentet. Kam parë sa të përqendruar e përkushtuar trajnerët Muhamet Dibra, Hasan Hasa, Rexhep Laçej, Zushin e pamundur me paterica, por që na zbuloi më të madhin talent shqiptar, Sabah Bizin.
Kështu mund të përmendim dhe mjaft trajnerë të tjerë dhe se si këto talente përcilleshin hap pas hapi, vit pas viti, gjersa i merrte në dorë ustai, një kryemjeshtër si XHELAL JUKA, i cili kishte një nuhatje e dhunti fantastike seleksionimi. Ishte aq i përkushtuar në trajnimin e të rinjve, sa që edhe pse në moshë, stërvitej me ne, luante e rrëzohej me ne, në shi, në borë e në akull.
Ai baltosej njëlloj si ne për të mbetur ndofta trajneri më i rëndësishëm i futbollit shkodran. Të gjithë më të mëdhenjtë e futbollit shkodran kanë kaluar nëpër duart e tij. Ishte ky, që pasi i perfeksiononte, i çonte të gatshëm te një tjetër trajner i madh, Xhevdet Shaqiri, tek ekipi i parë i Vllaznisë.
Nëse Shkodra quhet hambari i futbollit shqiptar, ku kanë shkëlqyer yje, fenomen e talente, të gjithë këta kanë patur trajnerët e moshave, që dorë pas dore i bënë të ishin ata që ishin, maja dhe ajka e futbollit shqiptar. E këtu arritën falë talentit që kishin, por edhe punës për-kushtuese e pasiononte të trajnerëve të tyre. Një mirënjohje të veçantë meritojnë të gjithë këta trajnerë, nga ata të moshave gjer tek ai i ekipit të parë.
Vlerësimi e nderimi i tyre duhet të institucionalizohet e të mos i lihet në dorë individëve sado vullnetdashës të jenë. Me këtë dua të them, se Bashkia e sidomos Klubi “Vllaznia” të evidentojë në çdo rast e çdo përvjetor, të përkujtojë e nderojë trajnerët e sportistët që na kanë bërë të ndjehemi krenar. Kurrsesi të mos ndodhin t’i lëmë të shuhen në varfëri e vetmi.
HASAN HASA
Prof. Hasan Hasa, siç e thërriste e gjithë Shkodra në shenj respekti, futbollist i “Vllaznisë” në fillim viteve ’60-të. Në vitin 1962, teksa “Vllaznia” luante në Lushnjë, në çastin kur lojtari i Lushnjës, Gogoni, ishte bërë gati të godiste topin për të shënuar golin në portën e “Vllaznisë”, rrufeshëm futë kokën Hasan Hasa dhe e largon topin, shpëton portën shkodrane nga një gol i sigurt, por… oh, la syrin e ballit!
Gogoni i “Traktorit” të Lushnjës, nuk arriti të godiste topin, por goditi syrin e Hasanit, i cili që nga ajo ditë mbeti pa atë sy. Nuk di, që në historinë e futbollit shqiptar, në ndeshje zyrtare të Kampionatit Kombëtar, të jetë dëmtuar kaq rëndë ndonjë lojtar, si Hasan Hasa. Çfarë sakrifice, guximi e përkushtimi për fanellën e “Vllaznisë”. U largua nga futbolli, mbeti invalid me njërin sy. Dhe ishte vetëm 26 vjeç.
Pas disa viteve iu kthye pasionit të hershëm, tashmë si trajner i moshave. Në këtë foto janë disa fëmijë të trajnuar nga prof. Hasani, si; Seit Çanga, Fatmir Paçrami, Teodor Todhe, Viktor Pali, Gëzim Piraniqi, Fatmir Hysa, Bardh Boriçi, Mehdi Dragovi e tjerë. Se sa me seriozitet i kushtohej trajnimit fëmijëve, po ju tregoj vetëm një fakt.
Unë nuk kisha ndonjë të dhënë për futboll e kështu që nuk shkoja rregullisht në stërvitje…! Kur mungoja unë, mungonte dhe Fatmir Paçrami, të cilin e kisha shumë shok dhe jetonim në një lagje. Më kërkonte gjersa më gjente, prof. Hasani e më thoshte troç, me shumë sinqeritet, “nuk e kam hallin se më mungon ti, porse kur nuk vjen ti, nuk vjen as Fatmiri dhe tek ai djalë unë shoh shumë të dhëna”.
M’u desh mua të shkoja në stërvitje, ca për hatër të prof. Hasanit e ca për hatër të Fatmirit. Koha i dha të drejtë Prof. Hasanit, Fatmiri u bë një futbollist i shkëlqyer i “Vllaznisë”. Para disa vitesh, më thanë se prof. Hasani ishte shumë i sëmurë. Shkova për ta parë, diku nga vjeshta e vitit 2016. Rrinte i shtrirë dhe nuk lëvizte nga krevati.
I ishte verbuar dhe syri tjetër, pra krejtësisht i verbuar…! I thanë për mua që kisha ardhur për ta takuar. Ata dy sy që e kishin humbur funksionin e të parit, nuk kishin humbur ndjeshmërinë… ca pika loti i rrëshqitën në faqe, më përqafoi: – “Kam mbetur në shtrat, kam mall për shokët që kam luajtur …kam mall për djemtë që i mësova për të luajtur…”!
Me këtë merak shtynte jetën një nga më të sakrifikuarit e futbollit shqiptar. Nuk e di, të jetë kujtuar e nderuar sa ishte gjallë… të paktën t’i bëhen nderimet tani…!
ZAN RRAGAMI
Kam qenë fëmijë kur të kam parë për herë të parë. U rritëm me emrin tënd. Të gjithë donin të të shihnin, përshëndesnin, flisnin, takonin. Ti ishe ndër personat më të rëndësishëm të qytetit. Vetëm, në moshën 18 vjeç munda të të takoja, prekja, dëgjoja. Isha me të rinjtë asokohe, çdo të enjte zhvillohej ndeshje me dy porta me ekipin e parë.
Nuk e kisha mendjen te ndeshja…, me ëndje ju shihja Ju, Zan, Bizin, Zhegën e Paulinin. Ju ishit idhujt e mi. Ndiqja çdo lëvizje, çdo reagim me topin. Vetëm zëri yt dëgjohej tek orientoje shokët e tu të skuadrës dhe se si ata bënin atë çfarë u thoje.
Kam të fiksuar në kujtesë shumë ndeshje, por dy me kanë lënë mbresa tronditëse dhe të dyja me “Besën” e Kavajës. Njëra, finalja e Kupës së Republikës, kur realizove 7 penallti. Kam qenë i ulur diku aty afër stolit të rezervave dhe kur Paulini priti penalltinë, kam vrapuar drejt jush e se si ju gjeta të përqafuar ty e Paulinin.
Ishit duke qarë, të gjithë futbollistët me lot ndër sy. Një stadium që oshëtinte si shkreptimë rrufeje, sy të lëngëzuar, sy që qanin; një stadium me mijra vetë me lot në sy, sikur mbi ne të ishte hedhur lëndë gaz lotsjellëse, veçse ata ishin lot gëzimi, lot lumturie. Ndeshja tjetër në Kavajë, isha student, në vitin 1972, luaje në sulm, pykë.
Kam parë një moment se si nga gjysma e fushës vrapove dhe me sprint kalove gjithë mbrojtjen e Kavajës. Se çfarë qe ajo si një furtunë që të shtynte përpara dhe lé mbrapa të gjithë, duke u ndodhur vetëm me portierin dhe “gooool”. Zëri im, britmë në kupë të qiellit, tifozeria kavajëse nuk më ngacmoi, nuk më fyen, më shihnin me dashamirësi, si për të justifikuar entuziazmin tim të shfrenuar, se ata ishin të mahnitur, nga mrekullia jote Zan.
Ndërkohë, në një kënd të stadiumit dëgjoheshin brohorimat e tifozerisë shkodrane, që ndiqnin kudo skuadrën e tyre të zemrës e se si valët bashkuan zërat tonë dhe si në një kor të fuqishëm formuam atë melodinë muzikore shkodrane. Ah muzika më e bukur në botë! Sa emocione na keni falë! Mbushej stadiumi. Ju keni tronditur shpirtrat tanë.
A ju kujtohet ajo ndeshje, kur tifozit, Him Kastratit i ra hemorragji cerebrale dhe për disa vjet lëvizte me karrocë invalidi e prapë nuk mungonte në asnjë ndeshje dhe ju para e pas ndeshjes shkonit dhe e takonit, një ritual ky emocional, tepër shpirtëror.
A mund të harrohet Kini, tifozi i “çmendur” i Brazilit, që kishte arritë një letër-këmbim me klubin e famshëm brazilian, “Santos” të Peles. Thënia e tij emblematike: “Brazilianët lozin 90 minuta në pullaz e, nuk thyejnë një tjegull”, nuk harrohet.
Më ka ndodhur të kem qenë afër tij në disa ndeshje dhe e kam parë si elektrizohej, si skuqej e zverdhej, brenda një ndeshjeje portreti i tij merrte gjithë ngjyrat e ylberit. Po Dulla me borinë e tij, ku e gjente atë frymë që shungullonte stadiumin e për të përmendur Ali Bajrin, shoferin që e ndiqte skuadrën gjer në Gjirokastër.
Të gjitha fshatrat boshatiseshin të dielave, me karroca e biçikleta, të gjithë i kishe në stadium. Zbrisnin nga malet burrat e djemtë e Malësisë së Madhe, dukagjinasit, shllakasit dhe që në borë, shi e furtunë ecnin me orë e ndofta me ditë, për të mos munguar në stadium. Për mua ata janë heronjtë e pashpallur të tifozerisë shkodrane, ata janë si malet të heshtur në madhështinë e vet. Ata ishin aty, ata janë aty…!
E kështu ZAN RRAGAMI, kjo ishte mrekullia juaj magjia juaj që bënit për vete një popull të tërë. Kurrë nuk kam arritur të kuptoj, se si luaje në shi e fusha me baltë e ty, nuk të pamë një herë të bëheshe pis me baltë, si futeshe ashtu dhe dilje, i pastër, vetëm ca stërpikla në mbathje, kur të tjerëve nuk u dallohej ngjyra, a thue se nuk kishe luajtur, ndërkohë që ti ishe më i miri. Po ç’ishte kjo veti o mjeshtër! Si nuk të pamë një herë t’ia merrje topin me të shtyrë apo duke rrëzuar kundërshtarin.
Nuk mbaj mend të kesh marrë një karton, aq pastër luaje, kaq mjeshtërisht, o Zan Rragami! Ishim me fat që të pamë, të shijuam. Nuk ndodhë, që brenda një kohe, të luanin njëherësh, në një skuadër yje të tillë, mbretër të futbollit, si Zan Rragami, Bizi, Zhega e Paulin Ndoja. E pra ti ishe kapiteni, krye-gjenerali. E pra, ti ishe kapiteni, ishe sikur Bekenbauri për “Vllazninë”.
Sigurisht që je vlerësuar, ke marrë disa medalje por unë them se ti meriton shumë më tepër. Të gjithë e dimë, kush ke qenë, çfarë kontributi e çfarë ke përfaqësuar në fushën e futbollit. Komuniteti i futbollistëve ndër breza e dinë mirë kush je, të gjithë e dimë se ti ishe një mbret e pra një mbreti nuk i jepet medalje, se ai është vetë medalja, është vetë titulli.
RAKIQI, DANI, RRAGAMI
E shikoni këtë foto, janë tre shokë të ngushtë, pothuajse moshatarë, të tre e filluan karrierën sportive bashkë tek ekipi i parë i futbollit. Janë Esat Rakiqi, Selami Dani dhe Ramazan Rragami. Ne që i kemi njohur së afërmi e kemi ditur, se nuk janë ndarë kurrë për së gjalli.
Para disa kohësh, me mjeshtrin Dani, përcollëm për në banesën e fundit Zanin. I dridhej mjekra, ah sa dhimbje kishte në heshtjen e tij…! – “Na ço dhe te vend-pushimi i pasosun i Esatit”, – i tha dhëndrit… diç foli me të. Duket donte të ndante dhimbjen me të, sepse kodi i një miqësie të shtrenjtë nuk humbet kurrë, derisa të ekzistojë njëri prej tyre…!
Eh, ashtu i rënduar jo aq nga pesha e viteve se sa nga pesha e dhimbjes! Iu bashkua shokëve të tjerë të ekipit, të cilëve u lexohej tronditja për humbjen e kapitenit të tyre.
MEDIN ZHEGA
(31.1.1946 – 12.6.2012)
Kushedi sa herë rri e mendoj, kur të pashë për herë të parë, kujtohem aty te parku i zotni Ernestit (Halepiani) kur zhvillohej kampionati i futbollit për pionierë i qytetit. Ti nuk ishe me tepër se 14 vjeç një djalë biond, elegant, me një përdorim topi disi ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë, me një vrapim prej atleti… Unë të ndiqja diku pas zotni Ernestit dhe një burri tjetër, që asokohe nuk e njihja, por vite më vonë e njoha dhe e desha shumë.
Ishte Xhelal Juka. Të dy diç bisedonin për ty… duket ata dalluan shkëndijat e talentit tënd…! Dhe mjeshtrit Halepiani e Juka, nuk mund të gabonin. Ti kishe lindur për futbollin dhe futbolli u bë pasioni e profesioni yt. Dhe shkëlqeve. Kalove disa shkallë njëherësh.
Arrite të bëheshe një titullar i padiskutueshëm i kombëtares. Por, “Vllaznia” ishte dobësia jote. Gjithçka dhe për futbollin shkodran. Ah, sa gola na dhurove! Golat ishin njëri më i bukur se tjetri…njëri më i vështirë se tjetri…se ti futje kokën aty ku nuk mund të futej, ti futje këmbët aty ku nuk pritej.
Rrezikoje veten për golin. Sa herë je përplasur me shtyllën e portës dhe nuk e kishe mendjen nëse je vrarë, por ndiqje topin nëse kishte përfunduar në rrjetë… Ne të gjithë në këmbë, tepër të emocionuar… nuk ishim në gjendje t’i gëzoheshim golit… të trembur dhe gjithë ankth të shihnim të shtrirë dhe vetëm kur ngriheshe, atëherë thirrja “goooool” i ngjante një britme ulëritëse, dalë nga shpirtrat e tifozëve shkodranë.
Kaq shumë sakrifikoje për golin, për fitoren, për Vllazninë. Rrëzoheshe, dëmtoheshe, sakatoheshe e prapë, si një luftëtar i pamposhtur çoheshe dhe vazhdoje. Nga e merrje atë guxim o Din Zhega, nga të vinte ajo forcë, nga të buronte ajo kurajo, çfarë arsyeje e motivi të shtynte, sa të rrezikoje veten…! E po ti kishe zemër… kishe shpirt… Zemrën ia dhe qytetit tënd, shpirtin vendit tënd.
Ndaj, ti u bëre idhulli i gjithkujt, shembulli i më të rinjve. Ti u mësove, se për të fituar duhet luftuar, se goli nuk dhurohet po fitohet, se futbolli nuk është vetëm pasion, por mund e sakrificë, gjak dhe djersë. Ah, çfarë dribluesi fantastik ishe o Din Zhega! Lëvizjet e tua me trup ishin mahnitëse, një teknikë alla braziliane. Bëje sikur shkoje majtas dhe kaloje djathtas, ose i gjithë trupi yt djathtas dhe ikje majtas.
Kundërshtarit i mbetej të të shihte numrin e fanellës. Të kujtohet, ty të quanin mbreti i ajrit…! Krosimet nga e majta të Halil Pukës dhe nga e djathta të Lekë Koçobashit përfundonin në kokën tënde. Se ti ishe mjeshtër për të zotëruar topat në ajër. Nuk e di, a ishte kërcyeshmëria jote e lartë apo gjeje kohën për të qëndruar në ajër më gjatë se të tjerët, apo të dyja së bashku, apo fiziku e teknika jote të bënin të ishe superior…!
Po, një gjë e di mirë, ti ishe tmerri i mbrojtësve, më i frikshmi i portierëve. Ti ishe tipik sulmuesi i futbollit modern. Çdo skuadër do ta kishte për nder të të kishte sulmuesin e saj. Sa keq që luajte në atë kohë, ndryshe sot… emri yt, i Panajot Panos, Sabah Bizit, Zan Rragamit, Ali Memës, Mexhid Haxhiut, Paulin Ndojës, Ardian Arrës e ndonjë tjetri, do të gdhendej me gërma të arta në futbollin europian. Fama për ndonjërin prej jush do të pushtonte faqet e medieve sportive, do të tërhiqte vëmendjen e specialistëve, të trajnerëve, sportdashësve…! Ani, ky ishte fati juaj.
Këtu te ne, bëtë më të bukurën, më të mirën. E kështu, përmes sukseseve vazhdoi karriera jote sportive… Derisa një ditë nuk të pamë të vrapoje në fushën e blertë. Por, prapë ishe aty në stol tek bëje rolin e trajnerit. Dhe ishe perfekt. Futbolli për ty nuk ishte vetëm profesion dhe pasion, mbi të gjitha ishte dashuri…! Eksperienca, dijet, specializimi në Austri të ndihmuan të mësoje teknikat e trajnimit bashkëkohor falë dhe njohjes së gjuhës gjermane, qysh në shkollën e mesme me prof.
Karlo Ljarja. E në sajë të përkushtimit arrite aq sa të ishe trajneri i ekipit tonë përfaqësues. Kurrë nuk do ta harroj ndeshjen e përfaqësueses sonë në Gjermani, edhe pse binte shi me rrebesh, pikat e shiut të rridhnin çurk dhe kostumi të ishte bërë për t’u shtrydhur, prapë ti nuk futeshe në strehën e stolit, doje të ishe sa më pranë futbollistëve tuaj, t’i drejtoje e këshilloje e ata tek të dëgjonin e të shihnin në shi bënë më të mirën e mundshme.
Për mua, ajo ndeshje ka qenë ndër më të bukurat që ka zhvilluar përfaqësuesja jonë. E tek të ndiqnim ndër vite, kudo që shkoje. Një lajm i hidhur, tronditës, na erdhi nga Kanadaja e largët. Kishe pësuar aksident, rrije shtrirë e nuk çoheshe dot. U ktheve në Tiranë, qëndrove muaj ashtu pa lëvizur…! O Zot, sa e tmerrshme ishte të të shihnim ashtu shtrirë! Vetëm sytë nuk e kishin humbur shkëlqimin e dikurshëm. Buzëqeshja jote ndonëse e sforcuar arrinte të shprehte mirësinë, që të shoqëroi gjithë jetën.
Na duhej të të jepnim kurajo, por zemrën e kishim copë…! Ti idhulli ynë, fitimtari e fenomeni ynë, mbreti i sulmit shkodran qëndroje pa lëvizur dhe ne ishim të pafuqishëm për të të ndihmuar… Ah, sa do donim të zgjatnim mijra e mijra duar për të të ngritur, sa do donim të bashkonim mijra e mijra supe për të të mbajtur, vetëm të ishe me ne, të jetoje me ne, ti kampioni dhe i miri ynë!
Por jo, një ditë qershori, si sot tetë vite më parë ike e na le…! Dikur na bëje të qanim nga gëzimi i golave që na dhuroje, tani lotojmë nga pesha e dhimbjes së ikjes tënde. Ike lart o engjëll e aty pushon i qetë, se detyrën në botën tonë e kreve më së miri. E tani, kam bashkuar zërin tim me dhjetëra e mijra të tjerëve për të shprehur mirënjohjen e dashurinë tonë për ty, O I SHTRENJTI YNË, I PAHARRUESHMI, DIN ZHEGA! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016