Nga Sami Repishti
Pjesa e dytë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Në mesin e muejit shtator, u hapën shkollat. Klaset ishin të mbushuna plot. Takohemi njeni me tjetrin, mbas nji ndamjeje tremujore. Jemi gjimnazistë! Por jo të gjithë vazhdojmë studimet e mesme. Nji nga fqinjt e mi, shok klase, e ndërpreu shkollimin, sepse baba i tij, punëtor në nji duhantore, kishte nevojë për ndihmën e djalit, dymbëdhjetë vjeçar. Fillimi i çdo vjeti shkolluer në nji klase të re, krijonte nji lloj pasigurie para vështirësive që më pritshin. Ma vonë u ambientojsha, e çdo ditë sillte besimin në aftësinë time. Fillonte jeta e rregullt, me shpjegimet e profesorit, detyrat e shtëpisë, leximet jashtëshkollore e përgatitja për provimet tremujore. Jetë studenti…! Për klasën tonë, landa ma tërheqëse ishte letërsia shqipe.
E lindun shekuj ma parë, por e zhvillueme vonë e në nji ambient të papërgatitur për te, ajo prodhoi shumë, sidomos në epikë, aty ku i bahej thirrje ndjesive luftarake të nji populli që i nevojitej qëndresa për mbijetesë. Lexojshim revista, artikuj gazetash, libra të përkthyem, botime të së kaluemes që ishin shumë të pakët, e shuejshim etjen që kishim me lexime fillestare në gjuhët e hueja. Pritshim krahë hapët çdo vepër origjinale, lexojshim me kureshtje çdo prodhim të ri, sidomos poezinë, dhe shenjtnojshim poetë e shkrimtarë. Ata ishin krenaria jonë!
***
- Njëzet e pesë vjet ma parë, ishte fitue pavarësia! Në nji qytet të vogël të atdheut tonë, u ngrit flamuri kombëtar. Atdheu ynë u quajt i lirë. Oratoria e zjarrtë mbulonte çdo mbledhje publike, çdo shfaqje të përgatitun me qëllim festimi. Edhe në klasën tonë. Në oborrin e shkollës, profesori na vuni rresht. Përgatitemi për festë. Rrugët ishin të zbukurueme me lule e flamuj kuq e zi. Ballkonet e disa shtëpive, kishin lule e flamuj. Tabela e parulla kishte kudo, si dhe zhurmë zanesh të naltë, tinguj muzikorë, thirrje entuziazmi.
Pleqtë tregojshin kujtime. Të gjithë ishin veshë si për festë, sidomos malësorët me kostumet e tyne tradicionale. Policë në uniformë mbajshin rendin. Këndohej pa pushim dhe kur ndonjëni thërriste “Rrnoftë Shqipnia”!, mijra gojë përgjigjeshin njizani; “Rrnoftë”. Nji atmosferë që nuk lente me mendue e bante për vete, na rrëmbeu, tue na lëkund si vala e detit. Nji flamur ishte i stolisun me ngjyra ari; ishte ai i shkollës së mesme femnore.
Nji grue lutej me dalë në rresht të parë. Fëmijët shikojshin me habi. Herë mbas here, ata i ngrejshin mbi supe. Grumbullimi rritej e të gjithë përpiqeshin me pa diçka. Thërritshin me za të naltë, bajshin shenja me dorë e me shami. Mezi ndigjohej krisma e topave për festë. Tingujt e bandës muzikore të bashkisë, vijshin si të mbytun. Ishte nji kaos i vërtetë, por i mbështjellun në pëlhurën e madhe të nji gëzimi të plotë. Filloi ceremonia! Kangë patriotike, muzikë, thirrje e fjalime. Duartrokitje, thirrje e përsëri fjalime.
Dukej sikur gjithkush dëshironte me tregue, atë që ndiente. Ishte nji popull i tanë i prekun nga mallëngjimi, i dalldisun nga madhështia e përkujtimit, i etshëm me kremtue lirinë e fitueme shumë shtrenjt. Mbramjet përkujtimore në klube e salla kulture, darka për zyrtarët, kangë e valle vazhduen deri në orët e vona të natës. Ishte festa e madhe e nji populli të vogël, por të lirë! Gëzim përjashta, gëzim në shtëpi, gëzim në zemrat tona.
***
“Kryengritje”! “Kryengritje”! Gazetat e vendit shkruejnë se, katundarë të mashtruem nga disa persona që nuk e duen atdheun, kishin sulmue forcat e rendit publik, në përpjekjet e tyne me përmbysë rendin shtetnor e ligjor. Por qeveria, që kishte për zemër interesat e popullit, do të vepronte me energji, rendi do të sigurohej, e atdheu do të shpëtonte. Populli do të vazhdonte jetën e tij i lirë. Fajtorët do të kapeshin e do të ndëshkoheshin si mbas ligjit në fuqi.
Gazeta shpjegonte, se ka pasë disa përleshje me kryengritësit, se ishte derdhë gjak, se kishte pasë viktima, e ata që kishin shpëtue të gjallë, gjindeshin në burg…! “Çizmja e lustrueme e mundi edhe kësaj radhë opingën fshatare”, ndigjova nga nxanësit e klasave të nalta. Ligji urdhëronte ngritjen e trekambëshit, e muret e trasha të burgjeve mesjetare, do të strehojshin për vjet të gjate me radhë, fshatarët kokëfortë. Ata do të hidheshin në qeli të lagta e pa dritë, e nuk do të ishin ma në gjendje, me trazue jetën e qetë të popullit…!
Mbas shuemjes së kryengritjes, nuk pushuen diskutimet. Disa e aprovojshin; të tjerë e përbuznin. Në çdo çast të lirë në mes të orëve të mësimit, kryengritja ishte thelbi i bisedimeve tona, dhe jepte mundësi me kalue në subjekte të tjera për diskutim. Na, klasat e ulta, ndigjojshim me vëmendje çdo fjalë e në veshët tonë tingëllojshin, për herë të parë, fjalë e shprehje që nuk i thonte mësuesi, as i gjejshim në libër.
Ata të klasave të nalta, flitshin edhe me za të naltë, e paraqitshin pikëpamjet e tyne plot zjarr: skena mjerimi, të nxjerruna nga jeta e vështirë e bujkut shqiptar. Tregojshin se si qëndronte gjendja në fshatet tona, pikturojshin me hollësi vorfninë e madhe të punëtorit, flitshin për lodhjen dërrmuese të bujkut të thyem nga e keqja, për gruen e tij të sëmurë, për fëmijët e tij pa shëndet, e për kasollen e tij të zhveshun.
Mandej përshkruhej korrja e dobët, që bahej edhe ma e dobët prej taksave që paguheshin me detyrim, e pjesa që i takonte pronarit, sepse toka nuk ishte e atij që e punonte. Disa e quheshin kryengritjen, akti guximtar i një katundarie që nuk duronte ma gjatë e që e revoltonte mjerimi, e lodhte vaji i fëmijëve të uritun, e këpuste puna e randë dhe e pafryt, nji katundarie që mallkonte gjithkënd e gjithçka, pronarin, gjindarmin, shtetin! Të tjerë, nuk kënaqeshin me mallkim. Ata nuk u ndalshin në mes të rrugës ku i kishte prue mallkimi. Atyne u kishte ardhë shpirti te hunda, ata mallkojshin Zotin e të gjithë shenjtët, përbuzshin ligje e zakone, e të tërbuem nga mjerimi që i dërrmonte merrshin kurajon me sulmue cilindo që u dilte përpara, ku të munden e si të munden. Vuejtja i kishte ndrue në egërsina!
Por “shoqnia e qytetnueme“, i kundërshtonte! Ajo i luftonte, i kapte, i dënonte, i burgoste. Në familjet e mbetuna bosh, e ku vetëm vorfnia ishte e plotë, gra pa burra e fëmijë pa prind, luftojshin çdo ditë me urinë që i kërcnonte, ndërsa në burgjet e errëta, baba e burri rebel, mbushte zemrën me urrejtje e ndjesi armiqsore, që nuk premtojshin gja të mirë për të ardhmen. Kështu tregojshin studentët e klasave të nalta. Ka qenë pikërisht gjatë këtyne ditëve, të nji gjendjeje të ndeme, që unë pashë për të parën herë, nji faqe materiali propagandistik antiqeveritar.
Në fillim, nuk kuptova. Por kur shoku më porositi ta mbajsha sekret e ta lexojsha vetëm në shtëpi, kuptova se ishte fjala për diçka krejt të re për mue. Për të parën herë kisha në duert e mia material që ndryshonte krejtesisht nga ai që mësojsha në klasë, lexojsha në shtyp, ose ndigjojsha në bisedime të haptë. Vetë përmbajtja këshillonte vëmendje, e paralajmonte rrezik. Më dukej e pambarim ora e fundit e mësimit të asaj dite. Nga shpjegimi i profesorit kuptova shumë pak.
Vëmendja ime ishte përqendrue në atë fletushkë që mbajsha të mshehun, në çantën e librave. Ç’asht? Ç’thotë? Kujt i drejtohet? Pse nuk guxojmë ta mbajmë haptas e ta lexojmë lirisht në mesin tonë? Kumbona e shkollës tingëlloi. Mblodha shpejt librat e isha nga të parët që lashë klasën. U drejtova kah shtëpia. Në dhomën time të vogël, nxora me nxitim materialin që nuk më pritej me lexue. Ajo që lexova nuk ndryshonte nga ajo që ndigjojsha çdo ditë nga disa shokë: përshkrime të mjerimit e thirrje për revoltë.
E vetmja gja që më tërhoqi vrejtjen, ishte nënshkrimi “Grupi i të rinjve komunistë”, Atëherë kuptova çka përfaqësojshin ata që flitshin aq shpesh dhe me aq kambëngulje, dhe pse i gjithë ky grup kishte nji unitet pikëpamjesh. Kuptova se ishte fjala për diçka të orkestrueme mirë nga elementët jashtëshkollorë, e u zhgënjeva. Pak ditë ma vonë, nji ngjarje e jashtëzakonshme tronditi gjithë shkollën.
Nji grup nxënësish i klasave të nalta, ishin arrestue. Ishte hera e parë që shkolla jonë, ballafaqohej me nji ngjarje të këtillë. Kur në mëngjes u grumulluem në oborrin e shkollës, ndigjova nga të tjerët emnat e mjaft të arrestuemve. Shumica ishin nga ata të rij, që pak ditë ma parë, flitshin me entuziazëm për kryengritjen. Nuk kuptojsha mirë ngjarjen dhe rrjedhimet e saj ma vonë. Megjithatë, nji frikë e madhe më kapi kur në grumbullin e studentëve, u përzien edhe policë me uniformë.
Era e autoritetit qeveritar, ndihej tashti e fortë, e krahu i atyne që kapin qytetarët për zverku, nuk ishte larg. Për të parën herë, shihshim kërcënimin drejtpërdrejt nga njerëz, që deri dje nuk na frikësojshin. Arrestimi i shokëve, prania e policëve e atmosfera e frikës që u krijue, shkaktuen nji gjendje të vështirë në shkollë. Askush nuk fliste ma si përpara, askush nuk diskutonte, e për bisedimet me karakter thjesht shkolluer, flitej me za të ulët…!
Kur efekti i arrestimeve ishte pakësue, fillova të ndigjoj për të arrestuemit. Çdonjeni tregonte atë që kishte ndigjue nga të tjerët. Vetëm kur hetimet morën fund, kuptuem se do të delshin para gjyqit. Ma vonë, u tha se ishin dënue e se do të vuejshin dënimin, në nji burg larg qytetit tonë. Nuk dijsha gja për dënimin e tyne, as mora vesht cila ishte akuza e ngritun. Por ajo që flitej mbas dënimit, ishte me të vërtetë mjaft tronditëse. Të indoktrinuem nga elementë të degjeneruem, nji grup të rijsh, entuziastë nga lexime e fjalime që nxitshin urrejtje për rendin ekzistues, ishin lëshue pa mendue, në krahët e nji jete të shthurun.
Ngjarje të pabesueshme tregoheshin si të vërteta dhe se degjenerimi moral, ishte ba rregull i sjelljes së tyne në shoqni. Nji indoktrinim i smurë kishte zhvillue prirje kriminele, tek disa prej tyne. I paaftë me gjetë të vërtetën, u lëndova randë si viktimë e zhgënjimit të parë, me përmasa të mëdha e të pakontrollueshme. Fillova me marrë qëndrime cinike. Padyshim që humba pafajninë e moshës sime të re dhe nuk e gjeta përsëri. Po hyjsha, para kohe, në moshën e pjekundisë.
III
Në ditët e para të muejit prill të vitit 1939, kur në gjimnaz gjithçka shkonte në rregull, nji lajm që ra si bombë, shkaktoi përmbysjen e plotë të jetës së përditshme. Nji mëngjes, me librat në dorë, si zakonisht, po i afrohesha oborrit të gjimnazit e pashë grumbuj nxanësish që nuk mbajshin radhën e rendin si zakonisht; me gjeste e thirrje shprehshin diçka që, nga larg, nuk kuptojsha. Nuk kisha asnji ide, mbi atë që ndodhte para syve të mi.
Vetëm kur iu afrova hymjes, dy shokë të skuqun në fëtyrë prej shqetësimit, më dolën para e pa folë as sqarue, m’u drejtuen me nji ton serioz: “Miremëngjes”! Ktheva përshëndetjen, e pa muejtë me pyetë çka ishte gjithë kjo rrëmujë, ata shqiptuen fjalët, që mbetën me mue të gjithë jetën: “Përgatitu! Atdheu asht në rrezik”! E gjithë shkolla ishte e fermentueme atë ditë. Grupe nxanësish të çdo klase, pa dallim moshe, bisedojshin me za të naltë, bërtitshin me gojë plot, fyejshin, shajshin, kërcënojshin me grushte, nji armik të padukshëm, hija kërcënuese e të cilit, rrinte mbi kokë.
U përziva edhe në këtë turmë të ndezun flakë, e ndërsa kërkojsha me sy shokët e klasës sime, në nji kand të oborrit u vendos nji tryezë e nji profesori leshverdhë nga Elbasani, atlet e elegant, që dukej sikur nxirrte shkëndija nga sytë e skuqun, e kërceu mbi të si nji mace. Hodhi sytë rreth e rrotull, e me nji gjest krahu urdhënues, kërkoi ta rrethojshim. Si bletë zgjoni u vërsulem kah ai, dhe gjithë ajo zhurmë e afër njimijë të rinjve, filloi të pakësohet, derisa u shue krejtësisht.
Nji heshtje, e denjë për momentin solemn që po kalojshim, mbretnoi. “Djelmosha”!, filloi profesori i zemruem. Na u ngrimë në vend! Ai vazhdoi, me nji ton urdhënues, me shpjegue se nji kob i zi i kërcënohej atdheut tonë. Italia fashiste po mbrehte dhambët përsëri. Ende pa shijue si duhet pavarësinë e fitueme, ende pa u ngopë me ajrin e atdheut të lirë, nji agresor na kërcënonte, nji shtypës kishte vendosë të na sulmojë: “bisha italiane fashiste”.
Profesori vazhdoi tue na kujtue se na jemi bijt e atyne që vdiqën për këtë vend dhe se gjaku që rrodhi në dejt e të parëve tonë, rridhte sot tek ne, rinia shqiptare e etshme me jetue e lirë, e vendosun me ruejtë traditën e sakrificës për pavarësinë e vendit tonë, për mbrojtjen e jetës sonë, të prindëve tonë, të atdheut tonë… “Sot”, tha profesori, “ma shumë se kurrë, detyra na thrret: Të gjithë në kambë! Rrokni armët! Veni gjoksin pa frikë hordhive fashiste të agresionit italian! Sot, profesorët tuej, bashkë me ju studentë të dashtun, le t’i tregojmë popullit tonë, se jemi bijt e tij të denjë, dhe botës mbarë, se dijmë të vdesim për atdhe…! Rroftë Shqipnia e lirë! Poshtë agresioni italian fashist”!
Nji gjamë moti ishte përgjegja jonë! Njimijë të rij entuziatë, shpërthyen pa muejtë me përmbajtë urrejtjen për të huejin, që ziente si nji kazan në mbrendinë tonë. Përsëri thirrje, betim, shamje, e grushta të ngritun për kërcënim. Njimijë të rij, me nji dëshirë; njimijë të rij, njimijë vullnetarë. Asgja nuk kuptohej, as merrej vesh kush fliste. Pashë në këtë grumbull, tre-katër studentë, të ngritun mbi supe nga të tjerët, qe flitshin me zjarr, bajshin gjeste me krahë, e drejtojshin grushtin kah perëndimi.
Nuk ndigjoheshin fjalët, vetëm thirrjet, herë “Rroftë”!, herë “Poshtë”!, të njenit ose të tjetrit grup. Nji vullkan kishte plasë me të gjithë fuqinë e vet, e vala e revoltimit kishte rrëmbye zemrat e mendjet e të gjithëve. Ishte ballafaqimi im i parë, me kërkesat e jetës e me rrezikun! Ora e fillimit të mësimeve, kishte kalue.
Askush nuk mendonte me hy në klasë. Në nji atmosferë të këtillë, nuk bahej fjalë, veçse për revoltim. Si nji ortek bore, studentët u përplasën për derën e jashtme të shkollës, ndërsa nji grup i vogël, hoqi nga shtiza flamurin kuq-e-zi të shkollës e u bashkue me ne. Kjo mjaftoi! Nji britëm që u ngrit deri në qiell, u ndigjue atëherë, e sikur të kishim veprue me urdhën, u formue nji kolonë e gjatë demonstrative.
Entuziazmi jonë nuk njihte kufi. Oborri i shkollës mbeti shkret, ndërsa kolona jonë, u vërsul në rrugën kryesore, me drejtim qendrën e qytetit. Hymni kombëtar këndohej pa pushim, e kangët patriotike ndiqshin njena-tjetrën. Entuziazmi jonë mbillej kudo që kalojshim, e në çdo skaj të qytetit populli lente punën e bashkohej me ne. Orteku që zbriste kah ndërtesat qeveritare rritej pa pra, me qytetarë që bashkoheshin me demonstruesit.
Në këtë grumull bashkatdhetarësh, që i lidhte nji qëllim i përbashkët e nji ideal, kishte njerëz që qajshin me lotë nga dëshpërimi, të tjerë që shkyheshin tue thirrë, e mjaft të tjerë që ishin hutue. Për të parën herë, pashë popullin në nji gjendje deliriumi. Por isha i ri me kuptue, se kjo lëvizje ishte paralajmërimi i nji stuhie për vendin tonë, pa shpresë se do të qetësohej përsëri. Ndërtesa e madhe e prefekturës, doli para nesh, me të gjithë hijen e saj të randë. Dritoret ishin gjysëm të mbylluna.
Në lulishten e pallatit, nuk kishte rojtarë. Thirrje, përsëri thirrje, shamje, kërcënime, e grushte të ngritun. Kangët patriotike mbushën ajrin e këtij sheshi. Por atë ditë, nuk kishte policë që mbajshin rendin, as fjalime të përgatituna ma parë, as parakalime. Gjithçka ishte spontane, emocionale, shpërthyese. Po dishmojsha shfaqjen madhështore të nji populli të revoltuem. Ajo që mungonte plotësisht në këtë kuadër, ishte “autoriteti”, e përfaqësuesit e tij.
Para prefekturës kërkuen nga “autoriteti” të fliste, të na inkurajonte, me shpresën se do të qetësonte shpirtët tonë të trazuem. Në këtë boshllëk të krijuem, demonstrata po zhvillohej ashtu si nuk ishte parapa. Kur nji burrë i pjekun, i madh nga trupi, i shëndoshë, i veshun mirë, me syze e që na njohëm menjiherë, prefekti, u shfaq në balkon, na shpërthyem në duertrokitje, nga dëshira e madhe që na pushtoi me ndigjue diçka, nga ata që mendohej se dijshin ma shumë se të tjerët.
Në atë shesh të madh, mbretnoi heshtja. “Vëllezër”! na u drejtue prefekti nga balkoni. “Mos u shqetësoni”! Ajo që flitet për rrezikun e vendit tonë, është propagandë. Kini besim tek qeveria….”! Ende pa mbarue fjalën, britma njerëzish të tërbuem, e ndërprenë. Ai u largue menjiherë. Na vazhduem thirrjet tona, e nga grumbulli madh, u ndigjue nji fjalë e re për mue: “Tradhtarë! Tradhtarë! Vllazën, keni kujdes. Kjo asht tradhti”!
Në këtë mish-mash zanesh e thirrjesh, kërcënimesh e grushtesh të ngritun, e flamujsh në ajr, askush nuk kishte vu re, se nga ndërtesa qeveritare ku na drejtoheshim për ndihmë, nji grup policësh të armatosun, filluen me largue demonstruesit me dhunë. Me kërkesën e policëve, rreshtat e parë filluen me u tërheqë. Por turma ishte e madhe e përpjekjet e policëve, nuk e tundën fare. Në zemrat tona, ishte ngulë thellë ndjenja e mospërfilljes për “autoritetin”, e demonstruesit filluen të mos tërhiqen. Atë ditë, “popull” e “qeveri”, u ndanë përfundimisht.
Koha e ballafaqimit kishte ardhë. Na ishim të përgatitun për te, por pa nji orientim të caktuem. Gjatë gjithë ditës, patrulla policësh të armatosun filluen me qarkullue nëpër rrugët e qytetit të trazuem, tue krijue nji gjendje të jashtëzakonshme.
Dyqanet mbetën të mbyllun. Nxanësit lëshuen klasët, katundarë të panumërt vijshin “me pa çka ban Shkodra”! Kalimtarët ecshin pa za, si të ishte nji proces mortor. Por u shihte qartë se ishte qetësia që paraprinte stuhinë.
Të nesërmen në mëngjes, u mblodhëm përsëri në oborrin e shkollës. Në mesin tonë, kishte policë me uniformë, që kontrollojshin lëvizjet tona. Ishte e qartë për të gjithë, se nji tjetër demonstratë, ndoshta ma e fuqishme se ajo e ditës së kalueme, ishte e paevitueshme. Jashtë mureve të oborrit shkolluer, nji popull pa numrim, priste aksionin tonë.
Pa u kuptue, ishim ba qendra e rezistencës. Kudo flitej për agresionin italian. Vetëm “autoriteti” heshtte e kërkonte heshtje, edhe nga ne. Kur zilja e shkollës tingëlloi me hy në klasë për mësim, na e morëm atë, si alarmi i dhanun me shpërthye. Britma, thirrje! Policët u hutuen. Nga mesi i grupit tonë u shpalos me shpejtësi nji flamur i madh kuq e zi, e kolona e krijueme menjiherë, u vërsul drejt portes së daljes.
Pesë policë zunë vend me pengue marshin tonë. Atëherë, nji grup studentësh të fuqishëm, u hodh me guxim mbi ata, e mbas nji përleshje të shkurtër, rruga ishte e lirë e kolona jonë e gjatë kaloi e patrazueme. Në rrugët e qytetit, gjetëm kolona të tjera demonstruesish, që mbajshin flamurë e këndojshin kangë patriotike. Grupet treshe të policëve të armatosun, nuk vepruen. Zane, thirrje, britma, shamje, grushte, kërcënime e flamuj të ngritun, shiheshin kudo.
Kolona arriti në sheshin kryesor. Pa pritë, as fjalë, as fjalime nga “autoriteti”, filloi gjuejtja me gurë. Nga mesi i turmës, nji djalosh i gjatë e me shpatulla të gjana, u ngrit mbi supet e shokëve e, kërkoi të mbahej qetësia. Por ishte e vështirë. Ai filloi të flasë me za të naltë, që vinte tek unë, si i mbytun. Grupi rreth tij filloi thirrjen e përbashkët: “Duem armë! Duem armë”! Thirrjet “Armë, armë”! u ndigjuen nga çdo anë.
Por kulmi i entuziasmit u arrit, kur nji katundar kapi për fyti nëpunësin që doli nga ndërtesa qeveritare, e mbështeti atë për muri, ndërsa i bërtiste me fuqi: “Duem armë! Duem armë! Armë…! Na jepni armë, të mbrojmë vendin”! Zemrimi kishte arritë kulmin. Masa u lëkund si nji valë deti, e me nji të shtyme të fuqishme, hyni brenda në prefekturë, me shpresën e gjetjes së armëve. Në zyrat e mbetuna bosh, kishte vetëm letra, dosje, regjistra, por jo pushkë.
Të zhgënjyem, disa demonstrues filluen të prishin, të shkyjnë, të djegin…! Rrugët e qytetit ishin pa kontroll. Policët u larguen, e në nji qytet pa autoritet shtetnor, turma demonstruesish të tërbuem, silleshin në kërkim të armës, që nuk gjejshin. Nji autoritet që tregonte qartë kalbëzimin e tij, u rrëzue nga goditjet e para. Nji popull pa armë, priste pa shpresë rrezikun e robnisë.
Në kodrat përjashta qytetit, reparte ushtarake të vendosuna për qëndresë, u tradhtuen nga oficerët “Mbretnorë”, që u larguen nga fronti. Nji grup civilësh nga Postrriba, të veshun me kostume feste, mbante mbi supe nji muze të vërtetë armësh të vjetra, të çdo lloji e të çdo kohe. Ishin nisë per lufte, por u penguen nga oficerët me uniformë. Okupatori i ardhshëm kishte përgatitë me kohë terrenin, dhe ajo që na filluem me cilësue si “kolona e pestë”, tashti kryente për të huejin, shërbimin për të cilin ishte pague vjet me radhë.
Qyteti pa zot, ishte mbushë me demonstrues që u banë zotër të qytetit. Në atë gjendje të turbullt e të shthurun, vazhduem manifestimin tonë, me kangë patriotike. Por, bashkë me përbuzjen për “armikun”, po kultivojshim edhe neveritjen e madhe, për qëndrimin e “autoritetit”.
Hienat e krrusuna nga pesha e xhepave të randueme me të hollat e të huejit, mohojshin atdheun. Atë ditë kërkojshim armë, me shlye me gjak, edhe turpin e tradhtisë qeveritare! Në mbramje, u ktheva në shtëpi i lodhun e me zanin e çjerrun. Para derës, gjeta nanën e shqetësueme. U përqafuem me zjarr, ajo nga frika e unë nga nevoja e madhe për ngushëllim. Në dhomën time të vogël, shikova me dhimbje në zemër, librat mbi tryezë e fletoret e shpërndamë pa rregull.
Për të parën here, kuptova ndryshimin që kisha pësue; nuk isha ma studenti i dy ditëve ma parë. Po jetojsha në atmosferën e aktivizmit, që mobilizon në shërbim të nji kauze të naltë! Nesër? Përsëri si sot: demonstrata e ndoshta, edhe përleshje. Gjithçka më sillej në mendje, gjithçka më dukej si nji andërr: kolona, ecja solemne, zanet e fuqishme si gjama e motit. Mendojsha për qytetin pa rregull, e pa qetësi, ushtarët e stërvitun, që tërhiqeshin pa luftue, e të rij të pastërvitun, që kërkojshin armë me luftue.
E na, i përcjellshim me kangë, i nxitshim…! Ishte nji jetë krejtësisht e re! Pamja e babës që hyni atë çast në dhomë, më solli në vete. – Çka u ba sot?, më pyeti me za të ulët. I tregova gjithçka me hollësi. – Fatkeqsi, më ndërpreu ai. – Kam pasë shpresa se breznia ime, do të ishte e fundit që do të luftonte për mbrojtjen e vendit. Jam lutë që ju të rriteni të lirë, pa sprovue atë që vuejtëm na. Kam frikë se, ditë edhe ma të këqia se tonat, po vijnë për ju. Biri im, je ende i ri, – më tha, – por, dëshiron sot baba yt, me të thanë ate që duhet të thojsha, në nji moshë ma të pjekun. E me nji za që filloi t’i dridhet nga emocioni, vazhdoi: – Nuk ka tjetër shpëtim ky vend, veç vendosmënisë sonë me e mbrojtë. Me e dashtë e me e ruejtë, asht e vetmja rrugë nderi për ty, ashtu si ka qenë edhe për mue.
E tue më fërkue kokën lehtas me dorë, ai shtoi: – Do të shohësh sa e vështirë asht, me i qëndrue besnik asaj rruge…! Pa muejtë me e shikue në sy prindin që vuente, i hodha krahët në nji përqafim, ku shijova, me kënaqsinë ma të madhe, nxehtësinë e përqafimit atnor. Ai më mbështolli me krahët e vet, e më dha nji të puthun në ballë. Nuk e dijsha se çka shqetësonte babën ma shumë, në atë moment solemn, por sigurisht, frika e përleshjes në rrugët e qytetit, e frikësonte pa masë.
Babë e djalë, u ndjemë kaq afër njeni me tjetrin, e për arsye që kalojshin kufijt e jetës sonë familjare, e të shkollës. M’u duk sikur po hyjsha në nji ndërtesë të re, ma të madhe, ma të randësishme, në nji faltore të shenjtë, derën e së cilës po e hapsha çdo ditë, e ku gjeta babën, luftarin e së kaluemes, që më ftonte me bindje – e sigurisht me frikë – me u gjunjëzue para altarit, që kërkonte sakrifica njerëzore. E tmerrshme! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm