Memorie.al sjell historinë e gjyqit të famshëm që u zhvillua në kryeqytetin japonez, Tokio, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në 1946-ën. Cilët ishin politikanët dhe ushtarakët e lartë japonezë që dolën në bankën e të akuzuarve për krimet që kishin bërë në Azi dhe Oqeani dhe emrat e gjykatësve e prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare që asistuan në procesin më të bujshëm pas atij të Nurembergut të zhvilluar në Gjermani në 1945-ën.
Më 3 maj të vitit 1946, në kryeqytetin japonez, Tokio, nisi një nga proceset më të famshme gjyqësore për dënimin e kriminelëve japonezë të Luftës së Dytë Botërore, i cili njihet ndryshe si: Procesi i Tokios. Procesi i famshëm gjyqësor u organizua nga aleatët anglo-amerikanë dhe sovjetikë, që kishin luftuar me ushtrinë perandorake japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ishin njohur me barbarizmat e ushtrisë japoneze në Azi dhe Oqeani. Në procesin gjyqësor do të merrnin pjesë prokurorë dhe gjykatës edhe nga shtete të tjera si: Franca, Kina, India, Australia, Zelanda e Re, Hollanda, Filipinet, dhe Kanadaja, sepse kur japonezët kishin pushtuar Azinë dhe Oqeanin i kishin dëmtuar rëndë kolonitë e këtyre shteteve. Procesi u zhvillua në kuadër të dënimit të kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kuadër po zhvillohej një tjetër gjyq ndërkombëtar në Nuremberg të Gjermanisë për të dënuar kriminelët nazistë të luftës, homologët e japonezëve. Arrestimi dhe burgosja e ushtarakëve e politikanëve japonezë të akuzuar si kriminelë lufte, u krye nga forcat amerikane të cilët në atë kohë kishin pushtuar Japoninë, mbas bombardimit atomik në Hiroshima dhe Nagasaki. Me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës u arrestuan të gjithë hierarkët e lartë japonezë, të cilët ishin implikuar në krime masive në Azi dhe Oqeani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kategori bënin pjesë: politikanë të lartë, ushtarakë madhorë, dhe disa ambasadorë, të cilët i kishin shërbyer qeverisë militariste perandorake japoneze gjatë viteve të luftës. Arrestimi i tyre nga ana e amerikanëve u bë i mundur brenda pak ditësh, për shkak se asnjë nga të akuzuarit nuk ishte arratisur nga Japonia. Ata ruheshin në një burg të sigurisë së lartë, prej nga të cilit nuk do të mund të arratiseshin dot.
Fillimi i gjyqit
Procesi gjyqësorë i Tokios filloi më 3 maj të vitit 1946, dhe u zhvillua në pallatin e drejtësisë në Tokio, nën kushte tepër të rrepta sigurie. Në proces asistonin prokurorë ndërkombëtarë të cilët do të merreshin me denoncimin e krimeve të japonezëve, si: Joseph Keenan (SHBA), Justin Mansfield (Australi), Henry Nolan (Kanada), Hsiang Ce Çun (Kina), Robert Oneto (Franca), Govinda Menon (India), Frederik Mulder (Hollanda), Roland Quilliam (Zelanda e Re), Pedro Lopez (Filipinet), Arthur Komins (Britani e Madhe), dhe Sergej Golunski (BRSS). Ndërsa gjykatësit ndërkombëtarë që do të dënonin kriminelët japonezë të luftës ishin: William Wueb (Australi), Eduart MekDauell (Kanada), Mei Ju Ao (Kina), Henri Bernard (Franca), Radhabinod Pal (India), Bert Roling (Hollanda), Harvi Northcroft (Zelanda e Re), Delfin Jaranilla (Filipine), Lord Patrik (Britania e Madhe), John Higgins (SHBA), dhe Ivan Zarajanov (Bashkimi Sovjetik). Kriminelët japonezë do të përballeshin me akuza të rënda si p.sh: internimi dhe masakrimi i robërve të luftës në kampe, bombardimi i qyteteve, Shanghai, Nanjing, Manila, dhe fshatrave me civilë të pambrojtur, përdorimi i torturave dhe çnderimi i grave dhe fëmijëve, përdorimi i gazit helmues dhe armëve bakteriologjike, etj. Autorë të këtyre masakrave dhe krimeve të mëdha ishin: kryeministrat japonezë, Hiranuma, Hirota, Koiso, Tojo, ministrat e Jashtëm, Matsuoka, Shigemitsu, Togo, ministrat e Lufëts Araki, Hata, Itagaki, Minami, komandantët e Flotës Detare, Nagano, Shimada, gjashtë gjeneralët e ushtrisë perandorake, Doihara, Kimura, Matsui, Muto, Sato dhe Umezu, dy ambasadorët Oshima, Shiratori, këshilltari i Perandorit Kido, teoricieni radikal Okava, admirali Oka, koloneli Hashimoto. Të vetmit që nuk u gjykuan në Procesin e Tokios ishin Perandori Hiroito dhe princi Asaka, të cilët i mbronte urdhri i shenjtë mbretëror. Në procesin gjyqësor dëshmuan rreth 20 dëshmitarë të cilët i treguan prokurorëve dhe gjykatësve, krimet e pashembullta të cilat i kishin kryer me vetëdije të plotë hierarkët japonezë. Në gjyq u paraqitën edhe mjaft prova të cilat i implikonin hierarkët e lartë japonezë në shumë shkelje rregullash lufte dhe traktatesh paqeje. Asnjë nga kriminelët japonez që dolën para gjyqit nuk i pranuan akuzat për krime lufte që u bëheshin nga prokurorët ndërkombëtarë, sepse ata mendonin se mund të kishin lehtësira nga akuzat e shumta që u bëheshin. Por akuza që ata kundërshtuan, u vërtetuan gjatë procesit gjyqësor nga dëshmitarë të shumtë dhe prova filmike që ishin marrë direkt nga vendngjarjet.
Klasifikimi i krimeve të luftës
Krimet e luftës të kryera nga ushtarakët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të luftës, klasifikoheshin sipas disa kategorive. Krimet e kategorisë A, krime kundër paqes B, krime lufte dhe C, krime kundër njerëzimit. Më të implikuar në këto krime ishin më shumë gjeneralët dhe ushtarakët e lartë japonezë të cilët ishin përgjegjës për keqtrajtimin dhe vrasjen e robërve të luftës në kampet e punës në Filipine, Indonezi, Malajzi etj. Në këto krime përfshiheshin edhe bombardimet e qyteteve kineze, filipinase, koreane, dhe bombardimin e bazës detare amerikane në Pearl Harbour të ishujve Havai më 7 dhjetor 1941. Në këtë kategori krimesh përfshihej edhe masakra e padëgjuar ndaj qytetarëve kinezë me bajoneta në bregun e Lumit Yangtze, e cila ishte e dokumentuar edhe me anë të fotove të mara nga vendngjarja e krimit. Por edhe pse Procesi i Tokios pati një jehonë të madhe në mbarë botën, një pjesë e mirë e kriminelëve japonezë të luftës mbetën pa u gjykuar, ose i shpëtuan gjykimit nëpërmjet arratisjeve dhe pjesëmarrjeve në kabinetet e pasluftës në qeverinë pro-aleate japoneze, si Kishi, Kuhara, Ajukava, Nishio, Ando, Kodama, Aoki, Tani, Amo, Suma, Sasakawa etj.
Dhënia e vendimit nga gjykata
Mbas dy vjet e gjysmë proces gjyqësor të zhvilluar në Tokio, anëtarët e Gjykatës së Lartë për Krimet e Luftës dhanë vendimin përfundimtar për kriminelët japonezë të Luftës së Dytë Botërore. Si rezultat u dënuan me vdekje: Tojo, Muto, Doihara, Kimura, Hirota, Itagaki, dhe Matsui. Me burgim të përjetshëm u dënuan: Araki, Hashimoto, Oka, Oshima, Sato, Hoshino, Minami, Suzuki, Hiranuma, Kido, Shimada, Shiratori, Hata, dhe Umezu. Ndërsa Shigemitsu u dënua me 7 vjet burg, dhe Togo me 20 vjet. Shtatë të dënuarit me vdekje u ekzekutuan me varje natën e 13 nëntorit të vitit 1948 në palestrën e burgut “Sumada” në Tokio. Shumica e të dënuarve të tjerë me burgim të përjetshëm, vdiqën në burg për shkak se disa prej tyre ishin të moshuar dhe nuk arritën t’i shpëtonin dot sëmundjeve që i pllakosën në qelitë e tyre. Në fund të procesit të Tokios, shumë japonezë u shprehën mjaft të kënaqur nga vendimet që kishte dhënë Gjykata e Krimeve të Luftës. Disa të tjerë që besonin se regjimi diktatorial militarist japonez kishte qenë i mirë, dhe se vetë ata kishin jetuar mirë në një regjim të tillë, nuk e mirëpritën vendimin e dhënë nga gjykata. Ata i nderuan udhëheqësit e tyre që tashmë sapo ishin ekzekutuar. Po kështu edhe reagimet ndërkombëtare për dhënien e dënimit nga Gjykata ishin të ndryshme: ata që kishin vuajtur nën pushtimin perandorak japonez u shprehën se vendimet mund të ishin edhe më të ashpra (më shumë dënime me vdekje). Ndërsa të tjerët reaguan duke thënë se vendimet që u morën nga Gjykata Ndërkombëtare ishin mjaft të drejta. Por dënimet kundër kriminelëve japonezë të luftës vazhduan edhe më vonë. Në Kinë (shteti që vuajti më shumë nën çizmen ushtarake japoneze), u zhvilluan 13 procese gjyqësore, ku nga 504 japonezë të akuzuar për krime lufte, u dënuan ashpër 149 prej tyre. Nga qëndrimet në burg, pati edhe nga ata kriminelë japonezë të cilët i “shpëtuan” vendimit të Gjykatës së Tokios. Matsuoka dhe Nagano vdiqën nga ataku kardiak në burg, ndërsa Okava u cilësua si i sëmurë mendor, dhe u çua në psikiatri. Por me tu larguar “pushtuesit amerikanë” nga Japonia, ai u lirua nga psikiatria. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës e çrrënjosi nostalgjinë e epokës diktatoriale militariste japoneze, që u ushtrua gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Precedenti.
Pas nazistëve e japonezëve, në bankën e të akuzuarve edhe Sadami e Milosheviçi
Nga Nurembergu, tek kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi e Irak
Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët anglo-amerikanë, sovjetikët, dhe francezët vendosën të dënonin të gjithë kriminelët e luftës, nazistët gjermanë dhe për këtë gjë ata ngritën Gjykatën Ndërkombëtare për dënimin e Krimeve të Luftës. Në këtë kuadër, në Nuremberg të Gjermanisë filloi gjyqi i famshëm për gjykimin e dënimin e hierarkëve të lartë nazistë, si: ministra të Hitlerit, ushtarakë madhorë dhe komandantët e kampeve gjermane të përqendrimit. Nga ky proces që u zhvillua nga tetori i vitit 1945 deri në nëntor të vitit 1946, nga kryesia e Gjykatës së Krimeve të luftës, u dhanë këto vendime: Gering, Ribbentrop, Keitel, Kaltenbrunner, Frank, Shtrajker, Frik, Jodëll, Sankel, Rozenberg, dhe Inkuart me vdekje. Me burgim të përjetshëm u dënuan Hess, dhe Funk. Me 20 vjet burg, Shaper dhe Rider. Me 12 vjet burg u dënuan Donitz dhe Nojrat. Të pafajshëm u shpallën Papen, Fritsche, dhe Shakt. Sekretari i Partisë Naziste të Hitlerit, Borman, dhe shefi i Gestapos, Hajnrich Myler u dënuan me vdekje në mungesë. Ishin vendimet e Gjyqit të Nurembergut ato që ndikuan që të dënoheshin të gjithë kriminelët e luftë të cilët ndodheshin kudo në botë dhe veprimet e tyre kriminale të dënoheshin nga mbarë opinioni botëror. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në botë pati luftëra të tjera të tmerrshme të cilat terrorizuan mbarë globin. Mbas rënies së sistemit të Aparteidit (dallimit racial) në Afrikën e Jugut, shumë funksionarë të lartë të shtetit (të bardhët), të cilët akuzoheshin nga popullsia me ngjyrë për masakra masive dhe tortura në burgje, dolën përpara bankës së të akuzuarve, për krime raciale kundër afrikanëve. Në përfundim të procesit, shumë prej këtyre u dënuan me burgime të përjetshme. Edhe në Ruanda u gjykuan anëtarët e fisit Hutu, për masakrën e 100 mijë anëtarëve të fisit Tutsi brenda një muaji. Por procesi më i rëndësishëm në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, është ai që po vazhdon të zhvillohet në Hagë ndaj politikanëve dhe gjeneralëve jugosllavë (serbë, boshnjakë, dhe kroatë), të cilët po përballen me akuza për krime kundër njerëzimit në luftën civile në Jugosllavi në vitet 1992-1999. Në këtë gjyq u gjykua edhe presidenti i ish-Jugosllavisë, Sllobodan Milloshevic, i cili ishte autor i spastrimeve etnike në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, si dhe ndaj diktaturës që ndoqi në Serbi në vitet 1989-2001. Por ai vdiq në qeli dhe gjyqi ndaj tij u ndërpre. Paralel me kriminelët serbë të luftës, në Irak ,gjyqi ndaj ish-diktatorit Sadam Hussein, i akuzuar për masakrat ndaj popullsisë kuvajtiane dhe kurde me gaz helmues.
Eksperimentet me trupa humanë në kampet japoneze nuk patën kurrë të ndëshkuar
Njësia 731 e gjeneralit Ishii
Në vitin 1989 punëtorët e ndërtimit të një lagje në Tokio (Shinjuku) bënë një gjetje me vlera, që hidhte dritë mbi krime të ndodhura gjatë kohës së Luftës së Dytë: nën shtresën e asfaltit që po hiqnin, ata hasën në një varr të madh masiv, ku ngjitur me njëri-tjetrin ndodheshin me mijëra trupa njerëzorë.
Presioni i opinionit publik e detyroi qeverinë japoneze, t’i kushtonte vëmendjen e duhur njërit ndër sekretet më të mëdha të paraardhësve të tyre.
Në afërsi të vendit ku zhvilloheshin ndërtime, gjatë Luftës së Dytë, ndodheshin pikërisht laboratorët e gjeneral-lejtnantit Shiró Ishii, shef i njësisë 731 – një skuadre speciale, që ishte e ngarkuar me detyrën e zhvillimit të programit japonez të armëve biologjike.
Aty ishin testuar lëndët biologjike, kimike e bakteriologjike mbi trupat e kinezëve të Mançurisë, që silleshin nga një kamp pune i atjeshëm. Nga fundi i luftës, trupat e pajetë u hodhën në një varr masiv, derisa më 1989 u zbuluan rastësisht.
Në fakt, prej pesë vjet para se të bëheshin zbulimet në fjalë, një student zbuloi, apo më mirë, hasi në një dyqan të dorës së dytë në Tokio, në disa dokumenta mjekësore të vjetra, që përbënin pikërisht dokumentacionin e eksperimenteve me trupat njerëzorë të njësisë speciale 731. Dokumentet e lëna aty nga një bashkëpunëtor i këtij seksioni special kriminal, përmbanin dokumente të protokolluara mjekësore mbi ndikimin vdekjeprurës që kishin në trupat humanë shpërthimi apo injektimi i sëmundjeve epidemike të induktuara artificialisht – qysh nga momenti i injektimit deri në atë të vdekjes.
Përgjegjësi i kësaj njësie ishte Shiró Ishii, i cili kishte qenë një mikrobiolog i shkëlqyer në shërbim të Ushtrisë perandorake japoneze, që shumë shpejt do të bënte emër e karrierë të madhe. Si një ultra nacionalist i angazhuar në ministrinë japoneze të Luftës, ai vlerësohej si drejtuesi i padiskutueshëm i programit të zhvillimit të armëve kimike e bakteriologjike.
Në kampin e ashtuquajtur “Zhong-Ma” u vendos edhe njësia 731. Ky kamp u ndërtua nga punëtorët e detyruar kinezë. Në mes të ndërtesës së kampit në fjalë gjendej edhe një laborator ku ndodheshin edhe dhomat eksperimentale me të burgosurit. Të burgosurit që përzgjidheshin për t’u eksperimentuar, ushqeheshin me qëllim mirë e majmeshin, për të qenë të pranueshëm për kushtet në të cilat do të viheshin në dispozicion të eksperimenteve. Eksperimentet ishin mëse ç’njerëzore. Kur Ishii porosiste një tru të freskët nga vartësit e tij për eksperimentet e tij, atij nuk i bëhej fjala dysh. Ushtarët e kampit merrnin zvarrë të burgosurit, dhe ndërsa ndonjëri prej viktimave binte në tokë i rraskapitur, japonezët nxirrnin shpatën nga brezi dhe i prisnin kokën si samurajit dikur. Truri dërgohej menjëherë në laboratorin e gjeneralit Ishii, ndërsa trupi i mbetur i viktimës, pak më vonë digjej në krematoriumin e kampit.
Të tjera krime të ngjashme përbënin përditshmërinë në këtë kamp-laborator.
Në vitin 1986, ish të burgosurit e këtij kampi thyen për herë të parë heshtjen. Nga komisioni hetimor i Kongresit amerikan, gjithsesi u dëgjuan rreth 200 dëshmitarë dhe u hetuan gjithashtu edhe metodat e punës së njësisë 731 në kampin e përqendrimit. Por në vend që të hidhej dritë mbi këto krime, në njoftimin zyrtar të komisionit, u tha se dokumentet që zotëronte kjo njësi nën udhëheqjen e Gjeneralit Ishii, i ishin dorëzuar gjatë viteve 50-të qeverisë japoneze. Eksperimentet me njerëz të njësisë 731, iu nënshtruan harresës me qëllim, si nga ana e japonezëve, ashtu dhe ajo e amerikanëve.
Gjenerali Schiró Ishii vdiq në vitin 1959, pa u penduar kurrë për veprimet e tij dhe pa mundur të vihej kurrë në dispozicion të drejtësisë.
Por si pasojë e presionit të opinionit publik brenda e jashtë vendit, ministri amerikan i mbrojtjes asokohe, William Perry në vitin 1993 kërkoi ri hetimin e kësaj çështje dhe kthimin mbrapsht të dokumentacionit.
Por megjithatë, vrasja e mbi 3.000 të burgosurve kinezë në kampet japoneze nëpërmjet armëve biologjike të përdorura nga njësia 731, mbetën të pasqaruar plotësisht dhe pa asnjë të ndëshkuar/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016