Nga Hysen Selmani
Pjesa e tridhjetë e shtatë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Aleksandri, 5 dhjetor 1947
“Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ishte shumë i shqetësuar pa masë prej situatës të ndërlikuar që zhvillohej në Shqipëri. Ai ju dërgoi Notat përkatëse, Fuqive të Mëdhaja, si Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu Britanisë së Madhe e, Francës. Këto kishin të bënin mbi vuajtjet e tmerret e popullit shqiptar. Ishte një mëkat i madh për këtë popull të varfër, që anglo-amerikanët, nuk ngulën këmbë siç bënë për Greqinë. E që me shpëtimin e Shqipërisë, kishin stabilizuar edhe qetësinë greke, nga komunistët që e shkatërruan. Ata dhe po e shkatërrojnë përditë dhe përfundimi nuk dihet.
Çdo ditë, shtëpia e Mbretit Zog në Aleksandri, ishte e hapur për miqtë amerikanë, britanikë, francezë, turq, arabë, spanjollë dhe grekë, e të tjerë. Ku nuk kishte ditë o natë, pa mysafirë të huaj dhe gjithashtu shqiptarë, pa masë. Po ashtu ishte edhe kolonia egjiptiane, që ishin të lidhur ngushtë me dashurinë e Mbretit.
Sot, me datën 7 Dhjetor 1947, erdhi prapë një delegacion grek prej disa deputetësh, nën kryesinë e Andonopolos, për të biseduar me Mbretin Zog. Mbreti, i priti shumë mirë e si gjithmonë, me buzëqeshje dhe fjala e parë që ju tha, ishte: “Nuk di sepse ne shqiptarët, ju duam ju grekëve, e ju nuk na doni ne shqiptarët?! Kjo është një mëkat e habitshme sepse, jemi dy kombe më të afërt me miq, më të vjetër. E, që na puqen edhe interesat e njëjta, për ta mbrojtur njeri tjetrin. Po akoma juve, nuk tregoheni të sinqertë me shqiptarët”.
Delegacioni grek, i parashtroi Madhnis se Tij, Mbretit Zog, homazhet më miqësore të Marshallit Papogos, Kryeministrit Grek. Ata i dhanë të kuptonte se, siç shpjeguat Madhnia Juaj, po ashtu edhe ne grekët e vërtetë, po ajo dashuri e vëllazërim, mbretëron kundrejt miqve trima shqiptarë. Por, rrethanat si edhe një pjesë që po të thuash, që e kanë vesh xhaketën nga e mbrapa, janë ata që kanë shkaktuar këtë armiqësi, në mes të dy kombeve miq e vëllezër. Që gjithmonë, do të ruajnë interesat e tyre të barabarta e, me plot sinqeritet, kundër çdo armiku, që mund t’i vijë Shqipërisë, ose t’i vijë Greqisë. E mos të mendohen më të kaluarat, që cirkostancat evropiane, na lanë duarlidhur.
Mbreti Zog, ju tha se: “Do të jeni miqtë e mi personale, derisa të ktheheni në Athinë”. Për ditë të vini me bisedu e, sidomos darkat do t’i hamë së bashku këtu. Kemi edhe Zerven e, Spiro Milon. Por, po të doni, bisedoni dhe i merrni edhe ata. Kjo varet nga dëshira juaj, si ta gjykoni dhe i urdhëroi kolonel Husein Selmanit, që t’i shoqëronin në Hotel “Houri-vazhe”, dhe i tha që; t’i thoshte Drejtorit, që këta janë miqtë e Mbretit Zog, e të mbahen më së miri.
Por jo se ka ndonjë shpresë, – edhe prej këtij delegacioni grek, edhe këto po si gjithë të tjerët, se e gjithë puna, varet tek Britania e Madhe dhe Amerika. Kjo nuk varet prej tyre, kur ata e shohin nevojën, që të heqin dorë nga kërkesat e pavend. Dhe, sidomos, është një budallallëk që nuk përshkruhet, që e konsiderojnë se janë në luftë, me Shqipërinë. Kjo nuk i barabitet asnjë ndërgjegje, se kur u sulmua Shqipëria, prej Italisë Fashiste, më 7 Prill 1939, grekërit jo që nuk i dhanë asnjë ndihmë jo materiale, po edhe morale. Veçanërisht edhe i telegrafuan Musolinit, duke e uruar, që u bënë shefiare (aleatë) me Italinë Fashiste, e të tjera.
Mbreti Zog, ju tha delegacionit grek: “Unë kam dëshirua dhe dëshiroj që me grekët, të mbërrijmë në një marrëveshje miqësore e krejt reciproke, në sinqeritet. Për të mbrojtur interesat e përbashkëta, nuk kuptoj, tha Mbreti Shqiptar, se qysh më 1920-ën, e deri më 1939-ën, kishim një miqësi e vëllazërimi krejt të sinqertë. Çdo gjë o pretendim, ishte harruar, por lufta e fundit, i përsëriti në mënyrë banale. Kur filluan kërkesat italiane, këto, siç ja kemi patur komunikuar Qeverisë Helene, ishin në dëmin e Ballkanit, d.m.th., kundër Greqisë e Jugosllavisë. Ata nuk u zgjuan më 7 Prill 1939, kur Italia Fashiste sulmoi Shqipërinë. Dhe, protestacionet e kërkesat të ndihmave, nuk na u përgjigjët, por bëtë të kundërtat, duke njohur okupimin e Shqipërisë.
“Kur u sulmua Greqia, më 28 tetor 1940, Shqipëria, Qeverisë Helene, ju drejtua si Mbretit Georg II-të, po ashtu Kryeministrit Mataksait, për një aleancë ushtarake, për të luftuar armikun e përbashkët. Në Turqi, u bë mobilizimi më herët dhe ishin gati 6000 vetë, për t’u nisur për Greqi. Në Jugosllavi, kishim 400 oficerë e nja 1000 civilë, edhe këtu u urdhëruan që të kalojnë kufirin jugosllav, e të hyjnë në Greqi, për të luftuar krah për krah me vëllezërit grekë. Po ashtu, dhe në Shqipëri, siç u vërtetuan se 600 oficerë, me 2400 ushtarë, ishin gati për të sabotuar ushtrinë italiane, ashtu si edhe u sabotuan.
Përveç kësaj, u urdhërua mbarë populli shqiptar, për t’u ngritur kundër fashizmit e, për t’u bashkuar me ushtrinë vëlla greke. Gjithë këto, dita e parë ishte në rregull, të nesërmen u ndryshuan. Tani, miqtë e mi, ju mirëseerdhët. Keni ardhur këtu dhe jeni miqtë e mi. E përsa ditë që do të qëndroni këtu, në Aleksandri, por çdo bisedim, derisa Qeveria Greke, të heqë dorë nga këto pretendime absurde, duke u vërtetuar edhe nga Britania e Madhe dhe Amerika, çdo bisedim është i kotë. Këtë, me anën e gjeneral Zervës e të Spiro Milos, ja kam shpjeguar marshallit mik, Papogos. Këto i din mire, kryeministri i sotëm grek”.
“Siç jemi duke parë dhe duke vërejtur, po kjo, ishte më parë në Shqipërinë. Duhet thënë se, sikur mos të kishte qenë këmbëngulja greke, kundër njohjes të Qeverisë Shqiptare në mërgim, kurrë nuk do të ngjante kjo katastrofë në Greqi. Nuk do të kishte komunist në Shqipëri, sikur mos të ishte influenca sovjetike dhe jugosllave, në Shqipëri. Por do të ishte influenca e anglo-amerikanëve dhe Shqipëria, kur do të ishte e qetë. Atëhere, ja u merr mendja se komunizmi në Greqi, nuk do të gjente atë liri, e atë përkrahje, po përkundrazi, do kishte pengime si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri”. Këto ishin fjalët e Mbretit Zog, që ju tha delegacionit grek.
Pasi gjendja në mes Izraelit e Arabëve palestinezë, çdo ditë, vjen duke u keqësuar, Shtetet Arabe, Egjipti, Siria, Jordania dhe Libani, kanë mbetur dakord për t’i mbrojtur vëllezërit e tyre, edhe në qoftë se me luftë. Por, kjo është një gabim i madh që bëhet, tha Mbreti Zog.
Ishte kjo arsyeja që, Mbreti Zog, një natë, i thirri si miq për darkë në shtëpinë e tij në Aleksandri, Mbretin Faruk, Mbretin Abdulla, Kryetarin e Syrisë, Shyqri Kueatly, Myftinë e Jeruzalemit, Hysein Efendine, Xhemil Madam Bene, Emile Chamunin dhe ju dha të kuptonin, mbi ngjarjet që po zhvillohen në Palestinë, në mes Arabeve e Izraelitëve. “Dhe vërtetë, – ju tha Mbreti, mes të tjerave – gjendja është e rëndë. Ju duhet të studioni mirë se, në ç’mënyrë mundeni të gjeni një pajtim, të favorshëm. Por, kjo në urtësi dhe gjithnjë, duke këshilluar vëllezërit tuaj arabë, që të rrinë urtë. Mos t’i japin asnjë shkak egërsie, se ju me forcë, nuk mundet të bëni asgjë dhe ska asnjë fitim, vetëm se humbje. Mos harroni se Anglo-Amerikanët, qysh se i kanë instaluar Zhuifet në Palestinë, ata që i shpëtuan nga shpata e Hitlerit, sot nuk do të lejojnë që t’i masakroni ju.
Ata i kanë siguruar qoftë politikisht, qoftë financiarisht dhe nuk mund t’i prekë askush. E duhet të dini edhe një gjë më tepër se këtë: Që sot, në botën amerikane dhe angleze, izraelitët, luajnë një rol me rëndësi. Se një pjesë e financave, është në dorën e tyre. Për këtë, unë si një mik i juaji, e shoh shumë të dëmshme për ju, një akt të tillë, kundër tyre. Nuk do të bëni gjë dhe do të dilni me humbje të madhe, e është turp, këtë ua them seriozisht, në rast se vendoset një akt i tillë”.
Më poshtë, Mbreti vijoi: “Unë, kur kam patur rast, po këtë fjalë, ua kam thënë edhe amerikanëve e anglezëve, që të bëjnë ç’është e mundur, të gjejnë një muzivene pajtimi. Se keni për të qitur dorë arabët, si politikisht dhe ekonomikisht. Pra, të merreni vesh me arabët, që në Palestinë, po qe e mundur të ndahet në mes të dy popujve, arabe e izraelitë dhe të dy shtetet e vegjël, të jenë të garantuar nga anglo-amerikanët, për çdo nevojë, si ekonomikisht dhe politikisht. Kjo është e vetmja mënyrë, që mundet të realizojë këtë gjendje të kritikueshme”.
Kurse shefat arabë, vijon adjutanti- duket se e dëgjonin veten aq të fortë, saqë do t’ia hidhnin jashtë Izraelin, po kjo ishte një absurditet. Mbreti Zog, ju tha pastaj: “Mirë, edhe unë me zemër jam me ju. Por, kjo është një rrugë që nuk del, në asnjë mënyrë. Sikurse edhe Rusia Sovjetike, të jetë me ju, nuk mund të nxirrni jashtë Zhuifet, se prapa tyre, siç ju shpjegova, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca.
Ky mendim juaji, është krejt i gabuar, se vetëm do të merrni më qafë ato një milion arabë, se Izraeli do t’i hedhë jashtë dhe asgjë tjetër. Nuk do të bëni e do të humbisni të gjitha të drejtat, se nuk do ju lenë të bëni një veprim të tillë, kundër tyre, se po atë ditë që ju të filloni një veprim, ato do ju dërgojnë UNE-n, për t’ju ndaluar. Dhe, në rast se ju nuk do të pranoni udhëzimet e UNE-s, ju bijnë vetë e, ju shkatërrojnë. Po gjeni mënyrë me urtësi, me amerikanët edhe me anglezët, e rregullojeni me të butë e urtësi. Vetëm prej kësaj, mund të fitoni”.
Me gjithë, këto bisedime që vazhduan pothuaj prej më tepër se 5 orë, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Duket se ju shkonte mendja, se Mbreti, flet vetëm për dëshirat e amerikanëve e anglezëve, e kjo ishte krejt e kundërt. Mbreti po i këshillonte, si një mik i vërtetë arab, “që mos të futen në një hendek, që nuk kanë për të dalë kurrë, po të gjejnë mënyrë me diplomaci e në urtësi për të rregulluar në dy shtetet Palestinën. Është i vetmi solucion që ishte. Dhe, këtë punë, duhej ta kishin bërë me kohë, qysh kur filluan të sjellin Zhuifet, në kohë lufte. Atëhere, do të kishte qenë më lehtë, që ta kishin ndarë edhe këto t’i instalonin, në pjesën e tyre”.
Mbreti Zog, po të njëjtat ua thoshte edhe amerikanëve, si dhe britanikëve. Me këmbëngulje, atyre ju thoshte se jeni duke i nxjerrë dore përgjithësisht arabët, por, gjeni një mënyrë rregullimi, për këtë gjendje që po vjen përditë, duke u keqësuar. Dhe, ju thoshte: “Mos të bini në atë kohë që të merren masa me armë. Se atëhere, do të jetë shumë e vështirë, se Arabët janë tepër të zemëruar dhe kanë të drejtë mbi gjithë këto pa drejtësira që ju bëhen, e të tjera”.
Me datën 22 tetor 1947, Kryqëzori Britanik “Saumarez dhe Destrojer Volage”, lundroi përmes Kanalit të Korfuzit dhe u ndesh në mina detare, që e shkatërruan gati krejt. Dyzet e katër marinarë britanikë, mbetën të vdekur, në këtë ngjarje të shëmtuar e tragjike, që u quajt “Incidenti i Kanalit të Korfuzit”. Një javë më vonë, Enver Hoxha, i dërgoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një note, ku shpallte se luftanijet Britanike, kishin shkelur ujërat detare të Shqipërisë, me qëllim që të shkaktonin trazira në Shqipëri. Incidenti, që po flitet, është incidenti më i rëndë, në historinë mes të dy vendeve.
“Na vjen miku britanik, Excellenca e tij, Emri, ish – Ministër Britanik, që ishte mik i Mbretit Zog e, i Mbretëreshës Geraldinë. Emeri, rreth Luftës së Dytë Botërore, ishte Ministër dhe një mik i ngushtë i Mbretit Zog. Ai fliste gjuhën shqipe. Natyrisht, – kujton adjutanti – Mbreti dhe Mbretëresha, u bënë pritjet më miqësore, e ishin mysafir të Mbretit Zog”. Emri, ishte Baba i Julien Emrit. Ndërkohë, edhe për interesat e Mërgatës, Mbreti, shikon dhe sugjeron madje dhe Emeri, që vendet arabe, të bëjnë kujdes, me kolonët hebrenj. Papritmas, Princesha Ruhije, është rëndë. “Madhnia Tij, Mbreti Zog, është shumë i mërzitur prej sëmundjes se Princeshës Ruhije. Ajo është e detyruar, të shkonte në Kajro për një konsultë më të gjerë, në Spitalin Francez. Por, Princesha është tepër rëndë e, shpresat e një shërimi, janë krejtësisht të errëta”, kujton adjutant.
Është e vështirë, që të sjellësh ndërmend sentimentet e Mbretit Shqiptar, kur ka takuar për herë të parë, pas lufte, Familjen Mbretërore italiane. Sepse, këta të fundit, mbanin në kokën e tyre, edhe “Kurorën e Skënderbeut”, që është dhuruar nga Parlamenti Shqiptar. Institucion, që u instalua, pas largimit të Monarkëve Shqiptarë nga vendi. Është vetë Monarku italian, që ka bërë demarshet e para të pajtimit, ndërsa Mbreti Zog, ka bërë kortezinë e rastit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, me zhvillimet ndërkombëtare të asaj kohe. Të dy Mbretërit në ekzil, duket se kanë pak mundësi, që të kthehen në Atdhe. Të vetmet gjëra, që i lidhin në këtë të tashme, janë të përbashkëta: Ekzili dhe e Ardhmja!
Për Mbretin Italian, duket se mundësitë e rikthimit janë më të pakta dhe se mosha nuk ia lejonte një gjë të tillë. Ndërsa, Ahmet Zogu, është gjithsesi jo shumë i ri, por me më shumë shpresa, për t’u kthyer në vend. Ka një kapital njerëzor më të madh, që e mbështesin dhe që ai harxhon tani energjitë e tij më të mëdha, në mënyrë që ata, të sistemohen. E kësaj kohe, është edhe fillimi i mendimit të organizimit të tyre. Të gjithë ata duken të njësuar, përveç në një farë mase, bën përjashtim grupi, që ka bashkëpunuar me pushtuesin gjerman. Të gjithë e pranojnë mbështetjen e Zogut dhe drejtimin e tij. Ky i fundit, kërkon me insistim, që ka ardhur koha, në të cilën Mërgata, duhet të ketë një destinë tjetër. Është më mirë, që ata të jenë në Vendet Perëndimore, të cilat e kanë pikasur realisht, se kush është regjimi i vërtetë komunist në Shqipëri.
Kjo energji, e bën Mbretin shqiptar, që nga ana e tij, di të falë edhe Mbretin Italian, në mërgim. Me vdekjen e Viktore Emanuelit të III-të, pjesëmarrja e Mbretit Zog i I-rë në funeral, tregon se koha i shëron të gjitha. Madje, edhe mërinë ndërmjet dy monarkëve në ekzil.
Vdekja e Viktore Emanuelit të III-të
Mbreti italian në ekzil, Viktore Emanueli III-të, që pas 12 prillit të 1939-ës, ‘mbante’ edhe “Kurorën e Shqipërisë” vdes në Egjipt. Në kohët e fundit, ai ishte pajtuar me Mbretin Shqiptar. Dhe madje, i biri i tij, Umberto, bashkë me të shoqen, ka shkuar në audiencë tek Zogu i I-rë, me rastin e sëmundjes së Princeshës Ruhije. E papritur ka qenë, për Familjen e Savojës, kur në ceremoninë mortore, merr pjesë edhe Lartmadhëria me Mbretëreshën Geraldinë.
“Gjithkujt, e sidomos italianëve, ju bëri një përshtypje aq të madhe, prezenca madhështore e Mbretit Zog, në varrimin e një mikut të parë dhe armikut të fundit”, kujton adjutanti. Po, përshtypja e Mbretit Zog, duket se është tradicionale. Sipas zakoneve shqiptare, ai e fal atë që pranoi të mbante, kur ishte gjallë edhe Kurorën Mbretërore Shqiptare. Në këtë kohë në Egjipt, mbërrijnë njerëz të tjerë të mërgatës shqiptare. Mustafa Kruja, që ishte kryeministër në kohën e fashizmit, pas plot 25 vjetësh, vjen dhe e takon Mbretin. Bashkë me të edhe Hiqmet Delvina dhe Mehdi Frashëri.
Mbreti, merr të gjitha masat, për qëndrimin e tyre, madje edhe duke i ndihmuar direkt. Por, situata është e rëndë në rajon. Mbreti Shqiptar, e shikon se e ardhmja e njerëzve të tij, nuk mund të jetë më në vendet arabe, ashtu si ka shpresuar. Gjendja e keqe e, 500 emigrantëve shqiptarë në Siri, e bën Zogun, që të insistojë për shpejtimin e afrimit të Mërgatës, në vendet Perëndimore. Në këtë kohë, ashtu si pritej, për Familjen Mbretërore ndodh një fatkeqësi. Ruhija, një nga Princeshat, pas plot gjashtë vjet sëmundje të pashërueshme, jep shpirt në një nga spitalet më moderne të Kajros.
Aleksandri, 28 dhjetor 1947
Madhnia Tij, Viktor Emanueli III-të, Mbreti i Italisë, vdiq në Aleksandri, me datën 28 dhjetor 1947. Ceremonia e varrimit, ju bë me datën 29 dhjetor 1947, në orën 3 pasdite. Në ceremoni, ishte lajmëruar edhe Lartmadhëria Tij, Mbreti Zog. Ai mori pjesë në ceremoninë e varrimit dhe ishte i shoqëruar prej Madhnisë Saj, Mbretëreshës Geraldinë, kolonel Husein Selmanit, Princ Omer Farukut, Ministrit Kemal Mesarea dhe Ministrit të Oborrit Mbretnor, Sotir Martinit.
Pasi mori fund ceremonia, Madhnia e Tij, Mbreti Umberto, Princi Ramonof, Mbretnesha Giovanna dhe gjenerali Gracioni dhe një elitë e madhe, e shoqëruan Mbretin Zog, deri jashtë tek automobili. Aty, veçanërisht Mbretit Umberto dhe Mbretnesha Giovanna, ju shtrëngoi dorën, duke i ngushëlluar për këtë humbje të rëndë.
Gjithkujt, por sidomos italianëve, ju bëri një përshtypje aq të madhe prezenca madhështore e Mbretit Zog, në varrimin e mikut të parë dhe armikut të fundit. Po përshtypja e Mbretit Zog, ishte tradicionale, ashtu siç ju ka hije zakoneve shqiptare. Gjithkushi e admiroi dhe pothuajse të gjithë, e shoqëruan deri tek automobili, kujton adjutanti.
“Madhnia e Tij, Mbreti, porsa mbërriti në shtëpi, e gjeti të motrën Princesën Ruhije, shumë sëmurë. Kjo kishte 6 vjet, që vuante nga kjo sëmundje e pashërueshme. Saqë edhe Madhnia e Tij, Mbreti Faruk, me gjithë të motrën, erdhën. Bashkë me ta, ishin më tepër se 12 doktorë e profesorë. I thirrën duke i dhënë gjak deri në mëngjes. Deri diku, dhimbjet u qetësuan provizorisht. Mbreti Faruk, nuk do të harrohet kurrë, sepse për të gjithë natën, ka qëndruar bashkë me Mbretin Zog”, vijon adjutanti.
Meqë, Princesha është shumë rëndë, kujton për këtë ditë kolonel Hysein Selmani- konsultacioni i Profesorëve, këshilluan Mbretin, që tashmë kishte pak shpresë. Ata këshilluan që ta dërgojnë në Spitalin Francez në Kairo. Mbasi, aty kishin ardhur disa vegla të reja, elektrike, për këtë sëmundje. Kishte mundësi që t’i bëhej ndonjë përmirësim. Po nga ana tjetër, Mbretit, doktorët ja thanë haptas: “Se shpresa është 2-3 përqind. Kjo ishte vetëm për të hequr merakun”.
“Madhnia e Tij, Mbreti Zog, me gjithë Mbretëreshen Geraldinë e Princeshat, si edhe suitën, vendosën dhe me datë 2 Kallnor 1948, u nisën për në Kairo. Të gjithë ishin bashkë me Princeshën e sëmunde, Ruhije. Menjëherë, të nesërmen, shkuam me të gjithë profesorët, në Spitalin Francez. Aty ishin edhe specialistët francezë, me makinat më moderne. Filluan të gjithë konsultacionet. U bënë analiza e të tjera. Por gjendja vazhdonte të ishte mjaft rëndë”.
Doktorët, nuk mbetën aspak të kënaqur, megjithëse i bënë disa kura, – vijon adjutanti. Qëllimi ishte vetëm për ta qetësuar dhe jo tjetër. Aty, doktorët e këshilluan Mbretin, që ta shtrojnë në spital, sepse kishte të gjitha mjetet e nevojshme, por shpresa e shpëtimit, pothuaj ishte e prerë. Kështu, Madhnitë e Tyre, Mbreti dhe Mbretnesha, shkuan në një shtëpi, që e kishin marrë me qera. Aty mbeti e motra, Princesha Sanije.
“Në çdo ditë, gjendja vjen vetëm duke u dobësuar edhe më tepër. Mbreti Zog, është shumë i mërzitur, sepse, ishte njëra nga motrat më të urta dhe kishte 6 vjet, që vuante nga kjo sëmundje”, kujton adjutanti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016