Nga Mërgim Korça
Pjesa e parë
Vrasa, simas Kanunit Maleve
– Vështrim analitik –
Memorie.al / Nisur nga fakti se përgjatë diktaturës ‘Kanuni i Maleve’ tona shumë është përfolur e goditur e, aq më shumë është hedhur baltë mbi të, vendosa t’ia shtroj vetes detyrën e një analize analitike të tij (‘Kanunit’). Pikësynimi im është që të analizohet ai duke i u shmangur, me aq sa mundem ekstremumeve, e pra, jo vetëm duke mos e ndjekur shembullin e studiuesve të kohës diktaturës komuniste e, të marr kahun diametralisht të kundërt, por duke u munduar t’i analizoj pozicionimet e ‘Kanunit’ me aq drejtpeshim, sa kam unë mundësi. Në vazhdim do të vihet ré e më pas edhe do të kuptohet qartë se përse, ndonëse bir i një korçari, si edhe i një gjirokastriteje, e ndjej nevojën që duke trajtuar një temë e cila thelbësisht ka të bëjë me si rregulloheshin normat e etikës, si edhe të moralit të malësorëve të trevave të Veriut, t’u drejtohem lexuesve në të folmen gege!
Për m’e kuptue lexuesi i ktyne rreshtave gjendjen tême shpirtnore, emocionet qi ndij si edhe kënaqsínë qi kam qi m’u dha rasa m’i prûe disa prej kujtimeve t’mija të rinisë herëshme në shtyp, duhet me më falë…por duhet të ktheheni s’bashkut me mue mbi gjashtëdhet vjete mbrapa…!
Kish javë të tâna qi bijshem me fjet’edhe u çojshem në nâdje prej gjumit me mêndimin e ngulun se kur, i ndjêmi êm Atë, kish me vêndosë e të shkojshim me tê n’Orosh te Kulla e Gjomarkajve, ku na kishin ftue, me bujarín’e tyne t’ zakonshme At edhe Bir, Kapidani i Mirditës Gjoni, si edhe i biri, Marku i Gjomarkajve.
E nji ditë t’bukur Prêndvere edhe ajo ditë erdh! Nuk kam me u zgjatë tue diftue se si deri n’ Milot udhtuem me vetura e, mandej atje, (ku axha Marku edhe u ndal m’u ndrrue e m’u veshë me veshjen mirditore), i-a hypme kualve… edhe e majtme frymën bash n’Orosh. As nuk kam m’u ndalë e t’a përshkruej Kullën e gurtë të Markagjonve, e ndërtueme ajo mbi nji kreshtë kodre, gjâ e cilla pa t’a diftue kush, me madhështín’e saj e paraqit’te vedin, se cilla edhe e kuj ish!
Të tâna këto i përshkrova fluturim me t’vetmin qëllim të dyfishtë qi lexuesi, i cilli m’nderon sot tue e lexue kët analizë, t’a kuptojnë se me t’vërtetë kam arsye me u ndíe shum’i prekun shpirtnisht. Kurse, m’ânë tjetër, t’ju diftoj edhe se interesi êm lidhun me t’kuptuemt e interpretimit të ‘Kanunit të Maleve’, shkëndínë fillestare e pati përgjat diskutimeve qi bâjshin êm Atë me Kapidan Gjonin, si edhe me djalin e tij, Markun, (qi ishte njoftës edhe spjegues sa i thêll’ edhe i hollë i ‘Kanunit të Maleve’ në at rasë, si edhe n’vazhdim, me kalimin e vjeteve).
Përgjatë ksaj hullíje nuk mûndem m’e kalue pa e theksue edhe nji fakt i cilli merr rândsí për vetë temën qi trajtohet: Kapidan Marku ish’i diplomuem n’Jurisprudencë, pra ish nji specialist n’fushë të drejtsísë, si edhe të ligjeve e, ksisoji te aj ishin ngërthye njoftja e dokeve edhe e zakoneve të mbrûeme përgjat nêneve të Kanunit, me thármin e përvojës popullore ndër shekuj, ndërthurë kto edhe me optikën e t’pamit edhe t’gjykuemit të tyne simas optikës nji juristi.
E bâna ktê hymje për dy arsynat qi spjegova n’fillim, kjo âsht’e kjartë. Por m’ânë tjetër, megjithse vetëm dy net kjene ato t’kalueme n’Orosh, âsht’e vërtetë, por diskutimet e atyne dy netve, m’a ndêzne fantazinë t’ême e ksisoji n’vazhdim, sa herë qi diskutohej rreth problemesh t’Kanunit, n’mjes Gjomarkajve, Mustafa Merlikës, Imzot Luigj Bumçit, si edhe me miq tjerë të t’êm Eti, un vesht’i bâjshem pípza!
Ksisoji fati êm m’i pasë ndigjue ato biseda prej dore t’parë njoftsash t’‘Kanunit’, e doemos mandej tue e lexue e rilexue ‘Kanunin’ përgjatë vjetesh, sa víte edhe me gjykim gjithmon’edhe mâ t’pjekun, më bân me i shtrue sot disa probleme rreth tij, t’cillt kam vjete, bilé dhetvjeçarë q’i bluej n’mênde t’êmen. M’e analizue gjânsisht e mos me lânë “i” përpa ia vûe pikën n’krye, âsht e kjartë se jo vetëm qi del prej caqeve të nji shkrimi gazete, pa xânë n’gojë se del ndoshta edhe caqesh njoftunísh t’mija.
Por, tue e pasë fatin m’i pasë ndigjue gjykimet rreth ‘Kanunit’ prej gojësh personalitetesh prej mâ t’shquemeve n’lâmë të kulturës n’përgjithsí e, mândej edhe t’‘Kanunit’ n’veçantí, mêndoj se nji farë interesi kish m’e njallë m’e vûe në dukje s’pari dialektikën e t’shtruemit të problemeve e mandej edhe hapjen e horizontit q’i bâhet lexuesit, prûemja para tij se si ata intelektual’i interpretojshin pikat kardinale të ‘Kanunit’. Nisun tash prej përvojës atyne msimeve po mundohem, s’bashkut me lexuesin, me ia hye disa arsyetimeve e xjerrjes edhe të disa përfundimeve qi t’na e shtrojnë rrugën m’e gjetë nji êmnues t’përbashkët m’e gjykue Kanunin pa paragjykime.
Âsht e kjartë se përgjatë periudhës diktaturës,‘Kanuni’ âsht kênë trajtue si bartës i të tâna të kqijave t’asaj bote edhe bilé kje reduktue n’spjegim, sikur ‘Kanuni’ i gjithi s’ish gjâ tjetër, veç nji kod gjakmarrjeje. Kjo boshsí njoftuníshë si edhe informacioni krejt t’njianshëm e t’cunguem, por dashakeq, nuk kish se si mos me pasë ndikue mandej në brêzat e mâvonshëm, t’cillt nuk kanë faj se ashtu janë kênë edukue n’shkolla e universitete, e sot sa herë qi vriten dy trafikanta a hajduta ordiner, me gêrma kapitale gazetat i titullojnë artikujt e tyne sensacionalë: “U vranë tre veta në Shkodër. Veproi edhe një herë ‘Kanuni’”!
M’ânë tjetër, specialistat e fushës të së Drejtës Civile apo Penale, qi n’kohë të diktaturës përgjatë dhetvjeçarve e kishin marrë me tapí t’kênit akademikë, njêna palë sot heshtin (e bâjnë mirë qi heshtin), kurse janë nji takâm qi edhe sot duen m’u paraqitë gjoja specialist, edhe n’fushë t’ ‘Kanunit’. Amani more, nuk ju mjaftuene dhetvjeçarë, tue predikue e gjykue n’bazë moralit komunist, po edhe sot, kah flitni për ‘Kanunin’, vazhdoni e propagandoni se si Kshillat Nacional-Çlirimtare synim kryesuer kishin pajtimin e gjaqeve!? E kush na paska pajtue gjaqet, komunistat q’e ndezne luftën civile?! Ata qi me atentate vrane e zhdukne njerzit e shquem të kombit tonë?
Lene mandej qi ata qi nuk u vrane me atentate u pushkatuene prej gjygjeve t’ashtuquejtun të popullit! Ky kje pajtimi i gjaqeve, n’kundërshtim me ‘Kanunin’? A mos Bataljoni “Hakmarrja” u krijue m’i pajtue gjaqet? Po kta specialista, edhe sot e quejnë se si ‘Kanuni’ i ka marrë nepër kâmb’ edhe të drejtat e grave! Dakord. E pranojmë për nji çast. Po un’i pves kta zotnij, ‘Kanuni’ a ka veprue në Mesjetën e hérshme, apo në t’njizet’enjitin shekull?
Si bâhet pra qi me synin e t’gjykuemit t’sotshëm, dona m’e dënue ‘Kanunin’? E përgjatë ksaj hûllíje, jam kah bij nji krahasim sa m’e shtîe lexuesin sadopak n’mêndime. Mêndoj se kushdo e konsideron traditën juridike romake, qi ka bâ êmën tashmâ n’të tânë botën me Kodin e Justinianit të vjetit 529 (mas Krishtit), t’quejtun ‘Corpus Juris Civilis’, i vazhduem prej shkollës juridike bolonjeze t’Irnerios famshëm, të datueme në vjetin 1100 (mas Krishtit), si pararêndse të drejtsísë italiane t’sodit. Apo jo?
Mirpo a nuk duket për séri kah të pohoj se gratë italiane e kanë fitue të drejtën e votes, hiç mâ parë por n’vjeten 1925?! E n’kjoftë se ky kish me kênë caku mâ i shêmtuem n’trajtim t’grave n’gjiun e nji kombi t’civilizuem, kish me kênë gjysa e s’keqes! Por ka edhe mâ për síri, se nji vênd si Zvicra, ku 80 vjet mâ parë e ka pasë selín’e saj Lidhja e Kombeve, e cilla duhej m’i zgidhë të drejtat e popujve të tânë rruzullimit, të drejtën grave me votue ju a ka dhânë hiç mâ parë, por në vjetën 1972?! Pra, pa dashtë me shkue mâ thellë n’ksi argumentash, i prûna kta qi kah të gjykohet rreth ‘Kanunit’, të jem sa mâ me kâmbë n’tokë.
Nji tjetër problem qi duhet shestue, âsht edhe aj i asaj kategoríje hulumtuesash mâ t’rij n’moshë, por prepseprep pinjoj t’atyne juristave komunistë, t’cillt t’shkolluem në Prêndim, (ku veç ata muejshin me shkue), qi duhet t’a kuptojnë se ‘Kanuni’ jo qi nuk duhet me përbâ objekt zhgjetimi n’vetvedi, por përkundrazi, duhet me i a vûe n’dukje ânt’e mira e tejet pozitive qi ka pasë n’kohë t’vet, se ksisoji veç’e nderojmë Kombin t’onë. E ktu fillon tash e keqja e tyne.
Ata, m’njén’ânë nuk kanë si mos me kênë t’ndikuem prej trysnís prindve t’tyne, qi ‘Kanunin’ e dogjne n’turrë të drûve, e m’ânën tjetër, tue mos pasë asnji mundsí kontaktimi me ata intelektual shqyptarë, q’e njoftne ‘Kanunin’ me temél, boshllekun gjysëshekulluer e plotsojnë tue ndigjue krejt n’mënyrë pindarike, pohime ose konsiderata prej njerzish qi ‘Kanunit’ mâ shum vetëm i a kanë ndíe zânin, ose edhe tue bashkpunue me autor prêndimorë, qi ‘Kanunin’ e kanë kqyrë me syt’e ândrruesve idilíkë, qi n’tê shifshin të zbatuem në praktikë përgjatë fûndshekullit XIX-të e fillimit të XX-tit, kodet zakonore të tynet, si fjalavjen Magna Carta-n e Anglisë, të nênshkrueme prej vetë Mbretit Jovani i Patokë, n’vjeten 1215, e qi ky dokument njifet edhe si teméli i par’i Common Law-s anglosaksone!
Për m’e pshtetë kët pikpamje t’êmen, po bij nji shêmull. Koloneli Oakley Hill, organizuesi i Xhandarmerís Shqyptare përgjatë vjeteve të Monarkísë, i pat thânë t’êm vllá në Athinë, në vjetën 1953, se ândrra e tij kish kênë, kur t’delte n’pensjon, me pasë blé disa déle edhe nji dash e, m’e kalue jetën tue shtegtue n’Bjeshkt’e Shqypnísë! Êm vllá e mori me rezervë ktê pohim të kolonel Hillit, tue e quejtë shêj mirsjelljeje tipike britanike.
Mirpo kaluene vjete. I ndollun n’Londër me punë, êm vllá kërkon m’e tokue kolonelin, mirpo aj ndërkohë kish ndrrue jetë. Atbotë i shkon për vizitë ngushllimi s’shoqes kolonelit, e ajo n’bised’e sipër, tue dashtë m’i diftue mikut shqyptar, se sa i lidhun kish kên’i shoqi shpirtnisht me Shqypnín’edhe shqyptarët… ia difton s’ríshmi t’êm vllá, at ândërr t’parealizueme të t’ndjemit kolonel Oakley Hillit!
E prûna ktê shêmbull tipik, për me diftue se analiza e ‘Kanunit’ nëpërmjet optikës dashamirsve prêndimorë, âsht lerg realitetit shqyptar edhe t’asaj kohe, lêne mandej m’e gjykue për mâ lasht. E keqja mandej thellohet edhe mâ, kur studjuesat shqyptarë qi xûna n’gojë mâ nelt, për me kênë objektivë, citojnë prep studjues t’huej e, mâdje edhe bashkpunojnë me ta për punime rreth ‘Kanunit’, ku mosnjoftja e ktyne t’fûndit, aspak të historisë mjedisit shqyptar t’Bjeshkve t’ona, (lêne mândej t’mentalitetit malcorit t’onë përgjatë shekujve), i bân ata m’e krahasue ‘Kanunin’ t’onë, për rreptsí, me Kodikun e Hammurabit të 1700-nës (para Krishit), ku ish dallues kushti penal: “sy për sy e dhâmb për dhâmb”!
Përgjatë ksaj hullìje po marr dy shêmuj tipikë, gjykimi i t’cillve t’a skjarojnë pozicionimin t’êm n’vazhdim. Un pohoj se studimet si edhe analizat në të tâna fushat, e posaçe n’lâmë t’ ‘Kanunit’, duhen mirpritë e gjithashtu duhet mundohena mos m’u ndikue aspak (mrênda mundsive), prej paragjykimeve përkundrejt autorve të tyne. Ky kish me kênë kriteri mâ i afërm i s’vërtetës qi kërkohet.
E konkretizoj tash kët pozicionim t’êmin. Sa i tokon mospasjes asnji paragjykimi prej anës s’ême, un personalisht kishjem me dashtë qi nji Prof. Ismet Elezi, (pamvarsisht se ka kênë shef i Kolegjit Juridik të Kryeministrisë n’kohë të diktaturës komuniste), apo kushdo i arádhs tij, me përvojën teknike si edhe zgjânimin e fushës njoftuníve t’tynet, t’fitueme për dhetvjeçarë rresht n’lâmë drejtsíje si edhe sociologjíje, t’a analizojshin ‘Kanunin’ tue i harrue paragjykimet komuniste.
Ky kish me kênë nji hap i madh përpara n’zbatim të pikpamjes s’ême, qi nuk mundet m’u levdue kurrsesí ajo qi nuk njifet, ose me vûe n’dukje vyemje t’nji gjâsêndi qi s’njifet. Pra, kompetencën e ksaj kategoríje profesorash, un’e vlersoj shum. Gjithashtu duhet vlersue kah Prof. Ismet Elezi, edhe vetë detyrohet me pranue se shkrimet e tija janë kênë përshkue prej citateve me përmajtje politike e ideologjike, derisa politika edhe ideologjíja ishin sunduese. Gjithashtu ai vetë pranon se duhen rivlersue si pikpamjet e gjithashtu edhe mendimet e tija t’asokohet, (flet për kohën’e diktaturës).
Deri ktu jam plotsisht dakord qi profesorin n’fjalë, jo qi mos m’e paragjykue, por m’e mirpritë me studime të tijtë. Por e keqja âsht se ato pikpamje edhe idé atij me shokë, u janë infiltrue n’gjak e aj shkon kah shkon, e jo vetëm përgjatë diktaturës, kur aj me shokë e kanë hjedhë hapin simas vázet, por edhe sot vazhdojn’e flasin me bindjet e dikurshme, t’cillat as qi pranojnë m’i rivlersue.
Konkretisht edhe sot Prof. Ismet Elezi, vazhdon e i bjen gozhdës n’krye, tue përmêndë se si Rezolucioni i Konferencës Pezës, parashikote pajtim gjaqesh, ose xjerr tabún’e Kshillave Nacionalçlirimtare, lidhun me luftën e tyne t’vêndosun n’pajtim gjaqesh! Kah profesori i nderuem vazhdon edhe beson n’ato qi prep i përmêndë sot, e nuk e shef se ato kshilla e ajo luft’e quejtun antifashiste, çoi në luftën civile, veç m’e marrë pushtetin n’dorë, vërteton pa as mâ t’voglin dyshim, se aj vazhdon me kên’i indoktrinuem e, nuk mundet m’e gjykue paansisht ‘Kanunin’.
Aj flet për Konferencë Peze edhe Kshilla Nacionalçlirimtare, por nuk âsht futë kurr e me analizue se në Pezë vazhdote ênde me kênë ndikimi i Abaz Kupit me shokë e, lêne mâ mbrapa kur të tânë të drejtpeshuemt’e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, si Riza Dani, Sheh Karbunara, Dr. Enver Sazani e Shefqet Bêja me shokë, u pushkatuene si tradhtarë! Pra ajo luft’e cilla filloi e kamuflueme si Nacional-Çlirimtare, kje tamam luftë civile për marrje pushteti e, mandej n’vazhdim edhe dhun’e egër mbrênda t’njajtit soj, veç për majtje pushteti!
Kalojmë te rasti i dytë. Vërtet pinjuell i bashksísë q’e dogji n’zjerm ‘Kanunin’, âsht edhe zotni Fatos Tarifa Ph.D. Por vullneti i tij i mirë m’e studjue ‘Kanunin’ n’përgjithsí e gjithashtu edhe vetë gjakmarrjen simas ‘Kanunit’, n’mënyrë t’posaçme, tue hulumtue sa ka muejtë rreth tij, nuk kam se si mos m’e quejt nji fillim sa të mirë e gjithashtu edhe t’vyem. Pa hye n’hollsina, veç apriorí, un’e kam bindjen se ky studjues âsht mâ pak i indoktrinuem se sa Prof. Ismet Elezi.
Pra, pamvarsisht se edhe ky ka shërbye si profesor i Shkencave Politike, prepseprep jam shum dakord qi, n’kjoftë se ky ka vullnet’e dishirë, m’i hjedhë mas krahve paragjykimet, kish me kênë nji studjues shum mâ i paanshëm i ‘Kanunit’, se sa Prof. Ismet Elezi me shokë. Kjo pak, por e sigurtë.
Vijmë tash te thalbi i problemit. Lidhun me zotni Tarifën, un problemin e shtroj ksisoji: Zotni Tarifa ka botue nji shkrim si pjes’e nji bashkpunimi me Prof. Jay Weinstein, për nji vëllim rreth ‘Kanunit’. Shkrimin e tij aj e fillon tue citue studjuesin e huej John Scriven, i cilli hjedh tezën se; malcorët kur nuk kishin se me kê me luftue, luftojshin n’mjedis vedit. Ose vazhdon tue citue J.J.Huttonin, qi pohote se shqyptarët e Malcive t’Veriut, janë krenarë të vetizolimit tyne.
Mandej vazhdon me teorinë neomaltusiane të Carleton Coonit, e ksisoji citohen jo pak por mbi 18 autorë të huej. Dakord. Me sinqeritet e pohoj se e vlersoj mundimin e z. Tarifa me hulumtue rreth ‘Kanunit’, e shka kanë thânë t’huejt për tê. Por ama nji studjues i mirfillt’edhe i paanshëm, i cilli don me i u shmângë ndikimeve paragjykuese me t’cillat e kaluemja e tij mundohet me i a turbullue nenvetdijen e tij, nuk kam se si t’a pranoj qi ndër shqyptarë, t’i referohet vetëm nji studjuesi tashmâ të dekun, At Gjeçovit.
S’parit, i ndjemi mbledhës i ‘Kanunit’ ka gadi 80 vjet qi s’jeton mâ. Dorshkrimet e tija, pa dashtë m’u bâ atyne asnji aluzion negativ, u mbajtne mbi pêsë vjet pa u botue e, ksisoji as vetë Ati nuk e mori kurr vesht, me dallue se shka ka shkrue vetë e, shka i âsht vûe n’gojë, mbas botimit! Ktu për mue tash pika e udhës kryq, me zotni Tarifën.
Dyshimi m’lind, sa i tokon sinqeritetit të studjuesit të nderuem, a ka se si aj me hjekë dorë prej ideologjísë kalueme, qi e mbruejti edhe e formoi atê, e me u bashkue n’hulumtim t’paanshëm të problemeve t’asaj Kushtetute t’pashkrueme, q’e ka rregullue për shekuj n’vazhdim jetën e banuesve të trojeve t’ona heroike veriore e, qi u quejt ‘Kanuni i Maleve’? E materializoj dyshimin t’êm i cilli uroj të jet’i gabuem. Zotni Tarifa nuk ka se si mos m’e dijtë se për m’e dhânë nji gjykim të drejtpeshuem rreth dishkaje patjetër se duhen ndigjue si “pró-të” e, gjithashtu edhe “kundra-t”.
Tue kên’aj i detyruem me u pshtetë vetëm n’pohime të t’huejve n’gjykime t’dhânuna rreth ‘Kanunit’ e gjithashtu edhe vetëm shka ka lânë t’shkrueme At Gjeçovi, si nuk i u dhá atij e m’u tokue për s’gjalli në New York me njérin qi e quejnë mâ ekspertin n’fushë të s’drejtës kanunore, Kapidan Ndue Gjomarkajn? Kapidan Ndoja, mir’ose keq âsht pinjuell i Kapidan Gjon Markagjonit. Shum të gjân’e të shtrîme e ka aj përvojën e jetës n’përgjithsí e doemos edhe rreth ‘Kanunit’, në veçantí. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
















