Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë e gjashtë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
As dy javë të tjera nuk kaluan dot, kur një ditë drejtori i burgut, na rekomandoi të vinim pak rregull në dhomë, se do të kishim aty vizitorë të rëndësishëm. Pastruam dhomën, u lamë e rruam mjekrat, kur vizitorët u dhanë në derë. Drejtori i burgut, u kish hequr udhën disa personave, të cilët nga pamja e jashtme, i njohëm menjëherë se ishin të huaj.
Ne i ftuam mysafirët të uleshin në karriget që kishim në dhomë. Grupi përbëhej prej pesë vetash, midis të cilëve njëra ishte grua. Ata na përshëndetën me respekt dhe u prezantuan si delegacion i Forumit Botëror të Drejtave të Njeriut të Helsinkit, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i këtij forumi. Ai vetë, bëri dhe paraqitjen e të gjithë anëtarëve të tjerë.
Midis tyre ishte dhe drejtori i Forumit të të Drejtave të Njeriut të SHBA-së, zoti Kenneth Roth. Na thanë se deshin të dëgjonin ankesat për falsitetin e procesit tonë, e na pyetën se në çfarë gjuhe e kishim më të lehtë për të komunikuar me ta. Unë preferova rusishten, ndërsa Enrikoja, parapëlqeu anglishten. Kështu që Kenneth Roth, u veçua nga grupi e zhvilloi bisedë me Enrikon, ndërsa katër të tjerët, u mblodhën rreth meje.
Si unë dhe Enrikoja, u habitëm kur pamë se na kishin pyetur e u kishim treguar hallet tona, në një takim të gjatë prej afro katër orësh! Nga parashtrimet e fakteve tona, ata u bindën plotësisht mbi pafajësinë tonë. Unë u thashë atyre në fund të bisedës, që ne nuk kërkonim me domosdo lirimin tonë të menjëhershëm.
– Ne kërkojmë, – u thashë, – të ribëhet gjyqi i lirë, i hapur në praninë tuaj, në televizion, ku ishim të sigurt se do të hidhnim poshtë pa vështirësi, gjithë falsitetin e procesit gjyqësor dhe do të zbërthenim gjithë skenarin, e ndërtuar artificialisht. Në qoftë se në të gjithë këto akuza të rënda, do të ketë qoftë edhe një fije floku të vërtetë, ne le të qëndrojmë në burg.
Por në rast të kundërt, ne do të kërkojmë, të japin llogari e të futen në burg, ata që na torturuan ne dhe persekutuar familjet tona. Disa pjesëtarëve të delegacionit, duke dëgjuar tregimet tona, u ishin përlotur sytë, e dukej që ishin natyra të ndjeshme, njerëz të ndershëm, njohës të thellë të shpirtit njerëzor.
Në fund të bisedës, para se të largoheshin, unë e vura në dijeni zotin Kenneth Roth, se të dy fëmijët e mi, kishin rreth dy muaj që kishin mundur të emigronin në Amerikë dhe kishin kërkuar këtu azil politik. Ai pranoi lutjen time, që t’u transmetonte të falat e mia, e t’u thosh Hildës e Gencit, se babi i tyre, ishte shëndoshë e mirë dhe mjaft i lumtur, që ata kishin shkuar në Shtetet e Bashkuara. Ai u gëzua për këtë fakt dhe shprehu dëshirën, të më bënte mua nja dy fotografi dhe në një tjetër të dilnim së bashku me zotin Roth, në mënyrë që t’ua jepte ato fëmijëve dhe t’u tregonte se ishte takuar me mua.
Zoti Kenneth Roth, si përfaqësues i denjë i vendit më demokratik e më të fuqishëm të botës, e mbajti premtimin e tij. Ai ishte lidhur me fëmijët e mi dhe i kishte ndihmuar mjaft ata. Jo vetëm kaq, por para se të nisej për në Amerikë, pasi me pat pyetur se ku mund ta gjente gruan time, ai gjeti adresën e kunatës në Tiranë, ku banonte Zhaneta muajt e fundit, vajti dhe e takoi atë. Ky ishte një takim i papritur dhe nëpërmjet përkthyeses, kish biseduar gjatë me Zhanin, mbi persekutimin që i kishin bërë familjes sime, gjatë periudhës pesëvjeçare të burgut.
Ne si familje, i jemi shumë mirënjohës këtij personaliteti amerikan, për gjithë kontributin e fuqishëm që dha për lirimin tim dhe për kurajën, që i frymëzoi gjithë anëtarët e familjes sonë. Më pas mësova, se nuk kish ditë që nga zyra të ndryshme të shtetit amerikan, të mos telefononin pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor, e Forumit të të Drejtave të Njeriut, për lirimin e grupit tonë. Si pasojë e këtij presioni, nuk kishin kaluar as tri javë nga takimi me Forumin e Helsinkit, me 29 mars të vitit 1991, dy ditë para zgjedhjeve, ku për herë të parë morën pjesë opozitarët e komunistëve, ne u liruam nga burgu.
Nuk mund ta harroj mesnatën e 28 marsit, kur në dhomën tonë të fjetjes trokiti shefi i kuadrit të burgut, e na zgjoi nga gjumi. – “Drejtpërdrejt nga Presidenti i Republikës, pa kaluar fare nëpër kanalet e tjera, siç kanë qenë rregullat, ka ardhur urdhri për lirimin tuaj”! – na njoftoi ai. Dhe duke parë orën shtoi: – “Në orën shtatë të mëngjesit të ditës së sotme, të jeni gati për të dalë nga burgu”!
Gëzimi ynë ishte i papërshkrueshëm. Sapo iku lajmëtari i Ramiz Alisë, unë dhe Enrikoja, brofëm drejt e në këmbë. Nuk bëhej më fjalë për të fjetur. Paketonim me ngut sendet tona dhe nuk e përmbanim dot, lumturinë tonë. Në çdo dhjetë minuta, hidheshim në krahët e njëri tjetrit, megjithëse tani na dukeshin të gjata edhe orët. Në shtatë të mëngjesit, ne kaluam dyert e burgut duar zgjidhur, e dolëm në rrugën para portës së burgut, si njerëz të lirë, që fituam mbi padrejtësinë. Takimi im me Zhanetën dhe motrën e saj, ishte i përmallshëm.
Nuk i mbanim lotët për vuajtjet nëpër të cilat kishim kaluar bashkë me fëmijët. Ata nuk ishin aty para burgut që të më prisnin, por mungesa e tyre megjithatë, na prehte me faktin, se fëmijët tanë, tani ndodheshin në vend të sigurt, të lirë në kuptimin e plotë të fjalës dhe gëzonin lumturinë, që ka jeta e patrazuar, nga streset e mëdha të diktaturës komuniste në Shqipëri. Ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin mundësi të plotësonin ato dëshira, që kishin pasur në jetën e tyre. Do të shkolloheshin, do të punonin aty ku dëshironin, të qetë e të lumtur, me një liri të plotë, siç është ajo në Amerikën e madhe, në Amerikën që e ka bekuar Zoti, për të mirat që ajo i ka sjellë njerëzimit.
Po atë ditë, unë shkova me Zhanin në zyrën postare, për të biseduar në telefon me fëmijët. Nuk e harroj kurrë atë çast, kur u lidhëm me ta. Që të trevë na lidhën grykën të qarat, nga të cilat nuk çliroheshim dot. Ishte absolutisht e pamundur, të flisnim! Mbanim linjën dhe qanim. Kishin kaluar mbi dhjetë minuta në telefon dhe ne vetëm qanim me ngashërim. U detyrova ta ndërpres lidhjen, e vetëm sa arrita t’u them, që do t’i merrja në telefon përsëri pasdite, me shpresën se do të ishim qetësuar, e do të arrinim të flisnim.
Dhe kështu vepruam. Ata u gëzuan pa masë, për ngjarjen e lumtur, që babanë e tyre, e bashkonte përsëri me familjen, pas atij çlirimi të madh, nga nofullat e egra të ligësisë njerëzore. Po atë ditë, u liruan edhe shokët tanë, me të cilët dikur u dënuam bashkërisht. Të nesërmen pasdite, unë u takova me mall me Mynyrin dhe familjen e tij në Tiranë, por njëkohësisht u hidhërova shumë, kur mësova përparimin e thellë të sëmundjes që mundonte gruan e Mynyrit. Po kështu atë ditë, bashkë me Zhanetën, shkuam e vendosëm një tufë me lule, në varrin e vëllait tim, Andonit, i cili kish vdekur, gjatë kohës që unë gjendesha në burg.
EPILOG
Lirimi i ynë nga burgu, u bë vetëm tri ditë para zgjedhjeve parlamentare të 31 Marsit 1991. Shqipëria ishte përfshirë në një valë të paparë popullore, për shembjen e diktaturës të sistemit komunist. Gjithë urrejtja dhe pakënaqësitë e mbledhura në popull përmbi katër dekada, shpërtheu si një vullkan. Kjo u favorizua në radhë të pare, nga kushtet historike tepër të favorshme të krijuara në atë kohë, nga ndryshimet në shtetet e Europës Lindore, të cilët filluan të hedhin poshtë regjimin komunist.
Në këtë lëvizje për demokraci, në radhë të parë u përfshinë masa të gjera të popullit, të cilat kishin vuajtur nga terrori e persekutimi i egër antinjerëzor e i pashembullt, edhe në vendet e tjera të Europës Lindore. Këta kishin qëllime të pastra, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diktaturës dhe vendin e saj, ta zinte demokracia e vërtetë, dhe për të ecur drejt Shteteve të Europës Perëndimore dhe Amerikës.
Krahas kësaj mase të ndërgjegjshme, në këtë lëvizje, për qëllime të këqija, u përfshinë dhe njerëz që nuk e deshën demokracinë, por ata e panë se ishin të pafuqishëm, për të ndaluar këtë rrjedhje historike të ngjarjeve. Kështu, udhëheqësit e kësaj diktature, me njerëzit besnikë të organeve të tyre, aktivizuan përfaqësues të hapur apo të fshehtë të tyre, për të marrë në dorë drejtimin e kësaj vale popullore, për demokraci. Në këtë mënyrë, ata përsëri do të ishin drejtuesit ekonomikë e politikë të shtetit.
Ata popullarizonin në popull njerëzit e tyre dhe hidhnin baltë, për njerëz të ndershëm. Mungesa e pjekurisë politike të nevojshme në popull, bëri që kjo përpjekje hileqare e tyre, të kurorëzohet me sukses. U krijuan shumë parti, krejtësisht të pa nevojshme, duke sjellë një çoroditje e përçarje, në forcat demokratike.
Me daljen nga burgu, unë i vura vetes detyrë, të jepja kontributin tim, në këtë lëvizje për demokraci, si dhe të plotësoja atë kërkesë që kishim, qysh kur ishim në burg, atë të fitimit të pafajësisë tonë, e të dënonim atë proces famëkeq, me akuza fallso, e të realizuara me mjete terrori antinjerëzor, nga ana e diktaturës komuniste në vendin tonë.
Rruga se si po realizohej kthimi në demokraci, përbën një objekt tjetër, jashtë qëllimit të këtij libri. Vetëm qysh në fillim, u dukën krahas anëve pozitive të dëshmisë për të rrezuar atë sistem frymëmarrës për popullin, edhe mjaft dukuri negative, si në fushën e politikës, të ekonomisë, të rendit, të vendosjes së një demokracie të vërtetë e të pastër.
Shoqata e të “Burgosurve e Persekutuarve Politikë”, për disa arsye, nuk arriti të luante atë rol historik, që i takonte. Dukej sikur të përndjekurit politikë, shërbenin më shumë si dekor, apo thjesht për qëllime propagandistike. Vendin e sundoi shumë shpejt kaosi, tendenca për të shkatërruar çdo gjë që ekzistonte, me qëllim që më vonë, të krijoheshin pakënaqësi të reja, t’i hapej rruga korrupsionit ekonomik dhe të krijoheshin tek njerëzit, edhe mendime të gabuara, për të kaluarën. Kjo sepse njerëzit, nuk shikonin më as shkolla, as spitale, as fabrika, por rrënoja të bëra me duart e vetë njerëzve. Kjo ishte një e keqe e pashembullt dhe e pafalshme. Populli mbeti pa punë, pa të ardhura, për të siguruar qoftë dhe atë nivel varfërie, që kishim më parë.
Pra, demokracia po ecte në rrugë të brishtë, me plot lëshime e gabime të rënda. Si pasojë, më vonë, kaosi i tmerrshëm pllakosi ekonominë dhe politikën e këtij vendi. E vetmja zgjidhje për shumicën e njerëzve, mbeti emigracioni jashtë shtetit. Partitë opozitare, edhe kur fituan pushtetin, nuk mundën t’i venë mirë e drejtë, për shumë probleme politike, ekonomike që kërkoheshin historikisht, pikat mbi “i”, për të kaluarën. Njerëzit pësuan një tronditje tjetër dhe siç thotë një fjalë popullore; “ujku mjegull kërkon”. Përfituan mjaft persona. që nuk u takonte.
Në këtë situatë të lëvizjes së gjerë për demokraci, të një lufte politike, midis pozitës dhe opozitës, unë bashkë me Enriko Veizin, iu përveshëm punës, për të fituar nderin, dinjitetin tonë, që na e kishin marrë nëpër këmbë padrejtësisht, udhëheqja e diktaturës komuniste.
Sipas rregullave, parashtruam argumentet bindëse, të falsitetit të gjithë procesit tonë hetimor dhe gjyqësor, dhe kërkuam anulimin e dënimit tonë, pavarësisht ngjarjeve politike, që kishin sjellë lirimin tonë nga burgu. Ne i qëndruam besnik kërkesave tona, të vazhdueshme, të argumentuara me baza, e që kishim paraqitur ndaj institucioneve të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, gjatë periudhës së fundit të qëndrimit tonë në burg. Për ne, nuk ishte mjaft lirimi, ne kërkonim pafajësinë!
Procedura u hap. Ajo nisi në hetuesinë e Fierit, ku ishte zhvilluar edhe hetuesia e parë. Hetuesia e Fierit, tani drejtohej nga njëri prej hetuesve tanë. Ky pranoi argumentet e pretendimet tona, lidhur me përdorimin e dhunës fizike e psikologjike, që patën sjellë mposhtjen dhe pranimin e akuzave, edhe pse nuk pat asnjë fakt, që t’i mbështeste ato. Ai u detyrua të pohojë falsitetin e akuzave, të cilat ne qemë shtrënguar t’i pranonim.
Si hap i parë, kjo hetuesi e njohu pafajësinë tonë. Pastaj materiali u kalua në Plenumi e Gjykatës së Lartë dhe në mbështetje të fakteve, ajo shfuqizoi vendimin e parë të Gjykatës së Lartë. Me një vendim të ri, në vitin 1992, ajo na dha ne pafajësinë e plotë ndaj akuzës; “për tradhti dhe sabotim, në industrinë e naftës”.
Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme, sepse ndodhi kur ende vazhdonte të ishte President i Republikës, Ramiz Alia, po ai njeri, që pat frymëzuar skenarin e dënimit tonë, këtij procesi famëkeq e kriminal, ndaj specialistëve naftëtarë. Kjo ishte një goditje, që i jepej direkt diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ishte një goditje për organet e Sigurimit, të Hetuesisë dhe vetë Gjykatës, si organe, të cilat mbanin përgjegjësi të rënda, mbi shpatullat e tyre për krime të tilla, por që nuk u ndëshkuan kurrë, as në vitin 1992, e as më pas. Vendimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë, tregon dhe përforcon edhe një herë në mënyrë bindëse, se gjithçka kam shkruar në këto kujtime, të jetës sime, janë katërcipërisht të drejta, e të vërteta. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016