• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, July 12, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Nuk duem as Shqipni të vogël, as të madhe: duem Shqipninë që asht, si nga pikëpamja historike ashtu dhe nga ajo etnografike, me…”/ Ana e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrentit, shtator 1944

“Ligja e zgjedhjeve nuk u kuptua si lypsesh dhe zgjedhjet në qytetin tonë, të quhen të parregullta e të…”/ Gazeta “Shkumini” e 1921-it, kur u përsëriten zgjedhjet në Elbasan
“Çfarë më tha Xhafer Deva për ngjarjen e 4 shkurtit ‘44 dhe si e raportoi atë në Këshillin e Ministrave, ku…”/ Dëshmia e rrallë, e ish – zv/ ministrit të Brendshëm
“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit
“E, ndërsa nacionalistët internoheshin në Ventotene, komunistët shqiptarë fërkonin duart me entuziazëm, për sukseset e ‘Luftës rrufe’, të Hitlerit…”/ Refleksionet e ish-të dënuarit politik, për “kolaboracionizmin”!
“Mit’hat Frashëri dërgoi dy batalione me të rinj ballistë në Kosovë, ku në luftimet kundra çetnikëve të Radisav Peçit, vëllai im…”/ Historia e panjohur
“Vëllai ynë, Aliu, me disa djem të tjerë të ‘Ballit’, u vranë nga çeta e Zylyftar Veleshnjes dhe pasi u futën të gjithë në një gropë, u thanë fshatarëve…”/ Historia tragjike e fisit të famshëm nga Berati

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Pjesa e dytë

Memorie.al / Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, më 16-19 shtator 1943, Lidhja e Dytë e Prizrenit është organizatë politiko-ushtarake kombëtare demokratike shqiptare. Sipas Tahir Zajmit, Kuvendi themelues punoi edhe më 20 shtator[1]. Që këtej kjo datë ka hyrë gabimisht në historiografi. Nuk qëndron as mendimi i shumë publicistëve se “iniciativën për Lidhjen e Prizrenit, e mori Xhafer Deva pas kapitullimit të Italisë fashiste”! Kjo ka një si mbështetje në konstatimet e Ali Hadrit se; “person kryesor në grupin iniciativ për thirrjen e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishte Xhafer Deva, mbështetje e madhe e shërbimit informativ gjerman”!

                                                           Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943  

Në kohën derisa po i zhvillonte punimet Seanca e Dytë e Kongresit të Prizrenit, arritën përfaqësuesit e Komitetit Ekzekutiv të Përgjithshëm të Tiranës: Bedri bej Pejani, Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva, të shoqëruar nga Rrok Maloku dhe “shumë delegatë të tjerë”. Sipas Tahir Zajmit, me këta ishin edhe publicistët shqiptarë më të shquar të kohës: Dr. Xhelal Mitrovica dhe Maz’har Sopoti, i vetmi delegat i arealit të Shqipërisë londineze, pjesëmarrës në Kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

I pari ishte-redaktor i organit “Kombi” kurse i dyti drejtor i organit “Kosova”, prandaj informatat në këto organe janë burime autentike, të dorës së parë, nga stenogramet e kuvendit. I tërë Kuvendi, Dërgatën nga Tirana e priti me brohoritje: “Rroftë Bashkimi Kombëtar”! kurse Bedri bej Pejani, duke përshëndetur delegatët, midis të tjerash, theksoi: “Mbas kapitullimit t’Italisë, në Kryeqytetin t’onë, në Tiranë, asht formue nji Komitet Ekzekutiv i Përgjithshëm, prej gjashtë vetash, i cili kryen përkohësisht, detyrat e Qeverisë, në pritje të mbledhjes së njij Kuvendi Kombëtar, nga gjini i të cilit do të dalë Qeveria e përhershme dhe caktimi i trajtës së regjimit që do t’i epet Shtetit”.

Dhe, këtu duhet të nënvizohet fuqimisht konstatimi i Bedri bej Pejanit në përmbyllje të fjalës, një si amanet për brezat shqiptarë: “Italia, ajo që përdhunoi lirinë dhe pavarësinë shqiptare në vitin 1939, pësoi dënimin që meritonte. Çdo i huaj që vjen për t’a nënshtrue Kombin Shqiptar e ka fatin të caktuem: del me këpucë të kuqe. Kështu duel edhe Italia!” Kjo nënkuptonte betimin, se fatin e Italisë do ta pësojë akëcili okupator që mund të synojë okupimin e tokave shqiptare.

Ndërkaq Fjala e Rexhep Mitrovicës, do të sheshonte platformën politike, diplomatike e luftarake të Qeverisë së Shqipërisë në formim e sipër. “Të drejtat t’ona kombëtare do të mprohen, me të gjitha fuqinat. Kombi Shqiptar, këtë herë, nuk do të lejojë ma të kryhen mbi kurriz të tij padrejtësinat e së shkuemes. Shqiptarët, të bashkuem të gjithë me nji dëshirë dhe për nji qëllim, pa marrë para sysh asnji dallim krahinuer, besimi ase ideologjie, do të jenë, nesër, po të gjindemi para nji gjase përtrimi të padrejtësisë, nji bllok i vetëm kundra çdo dredhije imperialiste”.

Burrë-shteti Rexhep Mitrovica nga foltorja e Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i vuri në spikamë kombit shqiptar, se fundi i pushtimit gjerman-hitlerian ishte afër dhe e ftonte atë të përgatitej për epilogun e e pashmangshëm të Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi: “Na duhet t‘i përgatitemi, të gjithë së bashku, edhe njih përpjekjeje tjetër: asaj politike dhe diplomatike. Nesër, kur të shtrohet tryeza e paqës, duhet që Kombi Shqiptar të dalë para saja, me të tana dokumentet që do të provojnë të drejtat e tij nga çdo pikëpamje. Duhet që kombi i jonë të jetë në gjendje, me nji herë, porsa të fillojë bisedimi mbi fatin e popujve, për t’i dalë zot vetvetes edhe në këtë fushë, madje kryesisht në këtë fushë”.

Si masë preventive për të pritur fundin e Luftës së Dytë Botërore, propozoi këto aktivitete të ngutshme: Regjistrimi i banorëve në të gjitha viset shqiptare jashtë Shqipërisë londineze dhe mbledhja e dokumenteve që do të provonin autoktoninë dhe të drejtën etnike e historike të shqiptarëve, në ato toka të copëtuara me Traktare diplomatike: më 1878, 1913, 1919, 1941. Mitrovica saktësoi qartë: “Dokumentet që të provojnë të tana shpërnguljet e përdhunshme, kolonizimet e padrejta, grabitjet e tokave dhe të pasunive, ndjekjet, vrasjet, presjet, djegiet, torturimet, terrorizmat dhe masakrimet. Me këto dokumenta në dorë, Kombi Shqiptar mundet të dalë, krejt i vllazënuem, kryenaltë përpara Konferencës së ardhshme të paqes dhe të kërkojë të gjitha ato të drejta që, të dokumentueme dhe të provueme, të studjueme dhe të konstatueme nga nji drejtësi e vërtetë, nga e cila urojmë të jetë e frymëzueme nesër mbledhja e paqës së botës, nuk mund t’i mohohen, nuk do t’i mohohen”.

Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, seancën e tretë e mbajti më 18 shtator 1943, me këtë rend të ditës: “Bashkimi i Mitrovicës me Shqipni”, përkatësisht “Bisedim mbi çashtjen e bashkimit të Mitrovicës, Podujevës, Vuçiternës, Pazarit të Ri, Senicës e Zonës Neutrale me Shqipni”. Përfaqësuesi i Besianës (ish-Podjeva), patrioti Jahja Fusha, konfirmoi fuqimisht dëshirën dhe kërkesën e visit të Llapit për t’u bashkuar me Mëmën Shqipëri: “Un jam Delegat i Llapit, të atij Vendi që, ndonëse vuejti shekuj nën zgjedhën e Perandorisë Ottomane, ndonëse hoq nji mij e nji të zeza, nën shkelmin e Klikës Ushtarake imperialiste të Belgradit, nuk flet, as nuk din të flasë, prej njij skaje në tjetrën të gjanësisë së vet, tjetër gjuhë veç gjuhës s’onë amtare; Shqipes së pavdekshme; jam delegat i Llapit, i atij vendi qind për qind shqiptar, që padrejtësinat e Fuqivet imperialiste t’Evropës kishin dënue, si shumë vende të tjera thjesht shqiptare, me nji padrejtësi të rëndë”.

Në fund, martiri i kombit, Fusha, e ftoi “Kuvendin, që të vendosë marrjen e të tana atyne masave që do të gjykohen të përshtatshme për të sigurue lidhjen e bashkimin e Mitrovicës, të Vuçiternës, të Podujevës, të Tregut të Ri dhe të Senicës me Shqipni”. Dhe, veçanërisht mesazhet e Fjalimit të delegatit nga “Tregu i Ri”, Aqif Bluta, janë historike edhe për jetë të jetës së Shqipërisë Etnike: “Jam shumë i gëzuem që kam fatin e bardhë, mbas tridhjetë e sa vjetëve përpjekjesh të vazhdueshme, të ndodhemi, për herë të parë, si përfaqësues i ‘Tregut të Ri’ dhe i Senicës, në gji të nji Kuvendi Kombëtar si ai i tashmi (…) me Atdheun e përbashkët të të gjithë Shqiptarëve: me Shqipninë Nanë”.

Patrioti zjarr vullkanik i pashuar për lirinë e Shqipërisë Etnike, Aqif Bluta, do të konstatonte, guximshëm e qartë: “’Tregu i Ri’, ose ‘Jeni Pazari’, si quhej deri dje, si dhe Senica me krahinat e tyne, janë vise thjesht shqiptare, pse popullsia që i banon asht krejt shqiptare; çdo njeri, ndër ato ana, din të thotë se prej çfarë fisi shqiptar rrjedh, ndaj me kërkesën këmbëngulëse të popullit ‘po bashkohemi me Shqipninë, me Nanën t’onë të përbashkët, për të cilën jemi djeg e shkrumue, jemi vra e shkretue deri në ditë të sodit”.

Këtu sikur e kërkon momenti historik të sjellim edhe një fragment nga Fjala e Blutës, për faktin se qysh nga periudha e regjimit socialist-komunist “shkenca shqiptare” dhe politika shqiptare zyrtare, kanë hequr dorë qartë nga një pjesë e Shqipërisë historike e etnike, pikërisht nga Sanxhaku i Vilajetit të Kosovës: “Gjatë këtyne dy vjetëve e gjysë këto krahina, që kam nderin të përfaqësoj në gji të kësaj mbledhjeje, kanë provue, me gjakun e derdhun bujarisht, se sa e duen dhe se si e mprojnë individualitetin e tyne kombëtar, bashkimin e tyne me Shqipni dhe lirinë e mëvetësinë kombëtare; qindra dhe mija të flijuem në fushë të nderës, në ndeshje me fuqina shumë herë ma të shumta, shumë herë ma të mëdhaja dhe shumë herë ma të pajosuna me mjete moderne, janë zmbrapun kreshnikisht nga popullsinat t’ona trime”.

Dhe, duhet të theksohet se në mbështetje të kërkesave të Aqif Blutës, do të ngrihej fuqimisht përfaqësuesi i Rugovës, patrioti Salih Rama, i cili do të theksonte: “Edhe un, si malësuer, due me fol në kët Kuvend, me folë për të mirën e Vendit, me fol, poh, për t’i u lutun Qeverisë s’onë në Tiranë, q’i të mundohet me na i shpëtue qato tokë krejt shqyptare, q’i janë andej ç’prej Mitrovicet, në ‘Pazar’ e në Senicë. Ato janë toka t’ona pse atje populli asht shqyptar, me zemër e me adete, si na kësaj ane. Un i njof njato vend, pse kam konë me luftue, bashkë me shok‘t e mij, kundra shkjevet, qi dojshin me hie atje me vra e me therë gjinden, veç se janë e duen me metë shqyptarë sikur na këndejna”.

Po kështu, për bashkimin me Mbretninë e Shqipnisë të ish-Zonës së interesave gjermane në veri të Shqipërisë Etnike, do të angazhohet me dinjitet përfaqësuesi i Nënprefekturës së Vushtrrisë, martiri Adem Voca: “Tash detyra e jonë asht e qartë: duhet që, të bashkuem në nji besë të papërdhunueme, t’i përmbledhim të tana fuqinat t’ona për përmbushjen e aspiratavet dhe të kërkimevet t’ona te shejta, për krijimin e Shqipnisë Ethnike. Nuk duem asgja që nuk asht e jona; por, çka ashte jona, duhet pa tjetër të na kthehet. Edhe Mitrovica, ‘Tregu i Ri’ e Senica janë shqiptare. Pra, na përkasin neve. Qeverija e Tiranës, prandaj, duhet të ftohet që t’i përvishet punës, për sot e për nesër, që të na i sigurojë, me çdo mënyrë dhe mjet, të drejtat t’ona. Ajo do të ketë, në këtë përpjekje, krejt Kombin Shqiptar mbas vedit e në vi të parë, po t’a lypë nevoja, tanë Kosovën”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Gjakovës, Sulejman Kryeziu, bëri një krahasim mbi rëndësinë që pati Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë Etnike dhe të Lidhjes së Dytë të Prizrenit që po ngrihej, për bashkimin e tërësisë së asaj që ishte ruajtur nga tërërsia e Shqipërisë historike dhe etnike. Patrioti, midis të tjerash, theksoi: “Lidhja e atëherëshme e Prizrenit, vendosi dhe e shpëtoi Vendin. Lidhja e sotshme duhet gjithashtu, t’i dalë zot njisisë s’onë ethnike: t’a plotësojë dhe t’a mprojë. Nji hap drejtë plotësimit të njisisë s’onë ethnike do të jetë, pa tjetër, edhe bashkimi i Mitrovicës, i ‘Pazarit të Ri’ dhe i Senicës me Shqipni”.

Pas një debatimi të gjithanshëm të delegatëve, Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, formuloi dhe aprovoi këto konkluza: “Kuvendi i dytë i Prizrenit, i mbledhun me 16 të Shtatuer-it 1943, si bisedoi, në mbledhjen e tij të tretë, ditën e 18 Shtatuerit 1943, gjatë e gjanë problemin e Prefekturës së Mitrovicës, tue e shqyrtue nga të gjitha pikëpamjet: nga ajo historike, gjeografike dhe ethnografike, bisedim në të cilin muerën pjesë nxehtësisht të gjitha Dërgatat e viseve të përfaqësueme në Kongres;

D e k l a r o n:
Të gjitha vendet që përshinë rrethi i Prefekturës së Mitrovicës, don me thanë; Mitrovica, Vuçiterna, ‘Pazari i Ri’ dhe Podujeva, janë vise të banueme ku krejtësisht prej popullsie me gjak, gjuhe e zakone thjesht shqiptare dhe ku me nji përqindje dërmuese, gjithënji shqiptare, që kapet deri në 95 dhe 99% dhe, si të tilla, i përkasin krejt Shqipnisë;

F t o n:

Të gjithë Shqiptarët, brenda ase jashta Shqipnisë, ku do që janë dhe ku do që ndodhen, që, ndër përpjekje të tyne atdhetare, të kenë, si nji ndër caqe themelore të luftës së shejtë për Liri, pavarësi dhe bashkim të të gjithë bijve të Nanës së përbashkët: të Nanës Shqipni, edhe Prefekturën e Mitrovicës, populli i së cilës, si ç’e ka bamë të njoftun në gji të kësaj mbledhjeje, asht gati m’u shkri për t’a pamë të konkretuem në realitet andrrën e vet të bashkimit me Shqipni” etj. Vendimin për bashkimin e viseve të ish-Zonës së interesave gjermane me Mbretninë e Shqipnisë, e nënshkruan përfaqësuesit: Delegatë të Mitrovicës, Vuçiternës, ‘Pazarit të Ri’ dhe Podujevës (Llap)”.

Kuvendin themelues i cili nxori në dritë Lidhjen e Dytë të Prizrenit, i përshëndeti publicisti Maz’har Sopoti, siç u tha: veteran i përpjekjeve për tërësinë dhe pavarësinë shtetërore të Shqipërisë Etnike, drejtor i organit “Kosova”, i cili saktësoi: “Nuk duem as Shqipni të vogël as të madhe: duem Shqipninë që asht, si nga pikëpamja historike ashtu dhe nga ajo ethnografike, me popull, me zakone, me tradita, me doke dhe gjuhë vend shqiptar dhe, si i tillë, kryekëput pjesë plotësuese e Shqipnisë Tanësore; duem, shkurt, vetëm gjithëçka asht krejt e jona”.

Fjala e Sopotit ishte më e gjata e mbajtur në Kuvendin themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ai, midis të tjerash, konstatoi burrërisht: “Sigurimi i njisisë s’onë ethnike, në një Shtet kryekëput të lirë, në nji Shtet kryekëput të pavarun, në nji Shtet që të jetë kryekëput i Kombit Shqiptar(…). Njisi ethnike a vdekje(…). T’i përmbledhim, pra, të tana energjinat t’ona dhe, si nji blok i pathyeshëm, andej dhe këndej kufijve të vitit 1913, të synojmë nji cak të vetëm: sigurimin e Lirisë s’onë brenda kufijve që përshinë vetë njësija e jonë ethnike…”.

Në vazhdim të Seancën së tretë, në pasditën e 18 shtatorit 1943, Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, diskutoi për mënyrat e “Organizimit politik e ushtarak të Vendit”. Për këto çështje i pari foli arsimtari prizrenas, Sylejman Aliu – Drini, dhe e ftoi kombin të hidhej në përpjekje për të evituar mundësitë e përsëritjes së Londrës (1913) dhe Versailles (1919) në dëm të Shqipërisë Etnike. Theksoi, fuqimisht, se; “Sot duhet të mendojmë për organizimin e nji mprojtjeje që të jetë e aftë me i përmbledhë të gjithë burrat nën flamurët e luftës në rasë rreziku(…).

Për t’i arrijtun këtij qëllimi lypet që, në krye të këtij organizimi, të vehen burra të ndërshëm, atdhetarë të sprovuem në çdo rasë dhe elemente që të jenë t’afta t’i përmbledhin rreth kësaj organizate të gjitha kategorinat e popullit, pa asnji dallim”. Opcionin politik luftarak të Sylejman Aliut – Drinit, e përkrahu fuqimisht Tahir Zajmi, i cili, midis të tjerash, konstatoi: “Për çka i përket mprojtjes, jemi të bindun se do të mendojë krejt Kombi Shqiptar, pse Kosova, Dibra dhe Struga nuk janë veç se krahina thjesht shqiptare dhe, si të tilla, pjesë të pandarëshme të Shqipnisë. Mproja, pra e këtyne vendeve, nuk asht nji nevojë e domosdoshme vetëm për to, por për krejt Kombin(…).

Me gjithë këtë, na, Kosova, Dibra dhe Struga, që jemi ma t’ekspozueme kundrejt rreziqeve t’ardhëshme, duhet të mendojmë, ma përpara dhe ma fort se viset tjera të Shqipnisë, për çdo të papritun që mund të na ruej koha. Nji përgatitje e tillë ishte mendue, edhe ma përpara; por mjerisht, rrethanat ndër të cilat jemi ndodhun, nuk na e kanë lejue. Prandej tash që këto pengime janë shdukun, duhet t’i kushtohemi, me gjithë fuqi, kësaj përgatitjeje”.

Në vazhdim, veterani i luftës për Shipërinë Etnike, vuri në pah dëmet si pasojë e mosvigjilencës shqiptare në janar 1943, në Bihor, kur çetnikët serbo-malazez therën dhe dogjën, në shtëpitë e tyre, “nji sasi të tmerrshme viktimash prej katër mij e shtatëqind vetësh, ma shumë gra, fëmij, pëleq dhe plaka” dhe, me forcë të argumenteve, vuri në spikamë:

“Rreziqet priten vetëm me gatësi përballimi të çdo të papritune. Pra, duhet t’armatosemi, t’armatosemi deri ndër dhambë; të forcohemi për çdo gjasë, me çdo mënyrë dhe me çdo mjet. Organizimi i plotë politik dhe ushtarak, duhet të mbeshtetet kryesisht mbi fuqinat t’ona, due me thanë të popullit; burimet, nga të cilat do të dalë kjo përgatitje, si nga pikëpamja financjare ashtu dhe nga të gjitha të tjerat, duhet të jemi na vetë: qytetarë dhe katundarë; gjithë pasunija e jonë, e tundshme, duhet vue në dispozitë t’ organizatës që do të lejë prej kësaj mbledhjeje. T’ organizuem në këtë mënyrë, na do të mundemi të mprohemi, të shpëtojmë dhe të fitojmë davanë t’onë”.

Pasoi fjala e shkurtër, por plotësisht me mesazh testamenti, e Bedri bej Pejanit, i lagjjes së madhorëve të kombit: “Pika që asht në bisedim tash në gji të këtij Kuvendi, ka randësi themelore: asht mproja e Vendit e, si mprojë, prej saj do të varet e nesërmja e jonë: humbja ase fitimi. Prandaj, kësaj pike, si gjithë të tjeravet, duhet t’i kushtojmë kujdesin t’onë ma të madh. Asht nji e vërtetë e pabisedueshme se, çdo lëvizje, për të mund me shkue përpara, për t’i arrijtun caqevet të veta, ka nevojë për organizim, pse, pa organizim, nuk i dilet asgjaje në krye. Por, edhe me organizim, duhet të kemi njerëz, njerëz që punojnë ditë e natë, me të gjitha fuqinat e tyne, drejt qëllimit të caktuem. Pra, edhe neve, na duhen, kryesisht, për t’arrijtun qëllimin t’onë të përbashkët, burra, burra si ata që u dalluen për të mirë të Shqipnisë 65 vjet përpara, në Lidhjen e Prizrendit”.

Më tutje, Pejani, konstatoi dhe përfundoi qartë e me përplotni: “Si mbas mendimit t’em, organizimi që paraqitet në rasën t’onë si ma i përshtatëshëm asht ai që të ketë, në Prizrend, nji Komitet Qendruer, i cili, mandej, të ketë degët e veta në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunat e të gjitha Viseve të Kosovës, Dibrës dhe Strugës e mundësisht, edhe në të gjitha viset e Shqipnisë”.

Në vazhdim të Seancës së tretë, drejtuesi i punimeve Kongresit ia paraqiti propozimin e Kryesisë së Kuvendit për anëtarët e Komitetit Qendruer të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pikërisht burrat që me veprimtari politike të gjatë kishin dhënë provimin para Atdheut: Rexhep Mitrovica (kryetar), Sheh Musa Shehzade dhe profesor Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca. Në vazhdim vuri në pah se; “Komiteti Qendruer do t’i ketë bashkëpunëtorët e vet në çdo qendër Prefekture, Nënprefekture dhe komune (…) dhe do të ketë fuqina të plota; do të bisedojë dhe do të vendosë me shumicë votash (…), shkurt mund të themi se, prej tij, duhet të rrjedhë gjithëshka e, degat, në bashkëpunim me te, do të ngarkohen me zbatimin e masave të marruna”.

Kongresi aprovoi me aklamacion propozimin e Kryesisë dhe miratoi propozimin e delegatit të Pejës Qerim Begollit, që prefekturat, nënprefekturat dhe komunat të përcaktoheshin vetë për kryetarët e Degëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kryesuesi i seancave, dr. Rexhep Krasniqi, e shpalli të mbyllur Kuvendit Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me këtë konstatim: “Gjatë këtyne bisedimeve janë hedhun themelet e nji organizimi që, dal nga dalë, do të jetë organizata drejtuese e gjithë mprojtës dhe e rregullimit t’onë ndër të gjitha fushat. Urojmë që, vepra e jonë, të ketë suksese të shkëlqyeshme”. Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kapter Xhike Xibraku i burgut të Burrelit, kur vdiste ndonjë i dënuar dhe ne e tërhiqnin zvarrë, me një batanije të vjetër, ai qen i gjatë, zgërdhihej gjithë kënaqësi dhe...”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

Next Post

“Bazna i tha, se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet, pa marrë sterlinat, përndryshe, do t’ua shiste sovjetikëve...”/ Historia e panjohur e agjentit shqiptar, që u dha gjermanëve planet e anglo-amerikanëve

Artikuj të ngjashëm

“Të mos përdorim forcën ndaj çamëve, se janë shtetas të huaj, por brenda një nate, t’i shpihem në kufi dhe pa na diktuar kush, pasi …”/ Mbledhja e panjohur e Byrosë Politike, më 25 mars 1949
Dossier

“Në Filat u masakruan 47 burra, gra dhe fëmijë, në Spathar, 157 i zhdukën, kurse të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervës…” ! / Historia tragjike e Çamërisë, nga masakrat greke!

July 12, 2025
“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943   
Dossier

“Lidhja e Dytë e Prizrenit, nuk i përkiste asnjë tarafi politik antifashist të kohës: LANÇ-it, ‘Ballit Kombëtar’ as Legalitetit, sepse ajo…”! Historia e panjohur e mbledhjes së famshme të 16 shtatorit 1943  

July 12, 2025
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës
Dossier

“Ndryshe nga operativi i parë i kampit të Rubikut, Qorri, që nuk futej kurrë brenda te ne, ai që e zëvendësoj, Sabri Meta, nga Shëngjergji i Tiranës, jo vetëm që futej, por…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 12, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Dossier

“Kapter Xhike Xibraku i burgut të Burrelit, kur vdiste ndonjë i dënuar dhe ne e tërhiqnin zvarrë, me një batanije të vjetër, ai qen i gjatë, zgërdhihej gjithë kënaqësi dhe…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 11, 2025
“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit
Dossier

“Më 11 shtator 1943, Këshilli Ministror i Shqipërisë nën kryesinë e Iljaz Agushit, nën-kryeministër dhe ministër i Punëve Botore, shpalli ‘Pavarësinë e Shqipërisë’ me kufijtë..”/ Historia e panjohur e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

July 10, 2025
“Për ish-oficerin e Marinës, xha Dauti tha; Larg spiunit, është hafije i Sigurimit, mos e afro, se sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur! Turpi i Beratit dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik   
Dossier

“Nga malazezi Velko Stepanoviç, kroati Mihajllo Prebeg, e dy maqedonasit, Ljubo Strezovski dhe Panov, të dy serbët, Jovica Cervenko e Boro, greku Sevastidhis, që…”/ Dëshmia e Uran Kalakullës, për kampin e Rubikut

July 9, 2025
Next Post
“Bazna i tha, se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet, pa marrë sterlinat, përndryshe, do t’ua shiste sovjetikëve…”/ Historia e panjohur e agjentit shqiptar, që u dha gjermanëve planet e anglo-amerikanëve

“Bazna i tha, se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet, pa marrë sterlinat, përndryshe, do t’ua shiste sovjetikëve...”/ Historia e panjohur e agjentit shqiptar, që u dha gjermanëve planet e anglo-amerikanëve

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme