Nga VELI HAKLAJ
Memorie.al / Denoncimi i masakrave serbe, në fillimet e shekullit të kaluar, nuk janë bërë vetëm nga shqiptarët, apo drejtuesit vendorë të njësive të tyre administrative. Edhe periodiku i kohës, “rreshtohet” në anën e denoncuesve të masakruesve sllavo-malazeze. “N’Podrime, afër Gjakovës, n’Bajrak t’Asterzubit (nji ndër ma t’n’zashmit bajrak për burrni), n’javë që shkoi kje ba nji luftë e rreptë qi zgjati katër dit e net. Podrimasit, tuj mos mujtë me durue ma gjatë mizorinat e serbëve, të cilët, përpos t’kqyrunit me serbizue me forcë, dhunuen gra e varza, u ngritnë bash me burrni që vjen prej dishprimit e, tuj mos pasë armë, kapnë spata, sakica e shkopi. T’pa pushkve ju bashkuen nja gjashtëdhjetë vetë me pushkë, qi ishin nëpër male. Serbt, ndonse kishin pes topa dhe ishin katër taborre, nuk mejtuen me e shue at kryengritje, e cila kje shue n’gjak me t’ardhun pes taborre malazeze me katër topa, të cilat msynë tonët mas shpine.
Populli i pshtuem prej kerdisë s’anmikut ka hi n’kufij të Shqypnis, por prej t’ikunish kanë pshtue sall 860 vetë. Nji shumicë u mbyt n’Dri duke ikur. Serbt nuk u kondetuen me djegë vetëm shpijat e kryengritësve, por dhe ato të bajrakut marrë. S’paku shpijat e djeguna janë 1 800. Rastet e pashpirt kerdijet e mizorijet nuk i difton as goja, as penda! Ngallnim diplomacis e Gjyqës Ndërkombëtare”!
(Gazeta “Taraboshi”, 6-7 prill 1914)
Diftime n’Pejë
N’Malci t’Pejës, e bash në Gjorgjevikë, malazezt tuej pas pa nji kryengritës tuj dalë prej shpijet, mas qi nuk mujten me xanë atë, t’shtyem prej ndijimeve t’veta t’mnershme ndezne shpin, brenda së cilës dogjën gjallë gjashtëmbëdhjetë rob, ma e shumta gra e fëmi. Kjo rasë e mnershme ndodhi nja dhet dit para. Shpija ishte e nji farë Ahmet Brahimit qi la jetën me gjithë gjinin e miqt.
(Gazeta “Taraboshi”, 22-23 prill 1914)
Keqbamjet sllve, 180 burra të coptuem në Ponashec
Pa as një farë shkaku 180 trima, disa dit ma parë, u shkuenë në thikë e u prenë pa mëshirë prej Qeverisë malazeze në Ponashec, Malësi e Gjakovës. Katërdhet shpia të mëdhaja të këtij katundi i dogjnë masi ju grabit malli e gjaja. Treqind e pesdhet gra e fmi të vegjël, masi u s’deshne, u qitnë jashtë kufiës në Malësi të Gjakovës, që ka met Shqypni, ku desin prej ujet e prej të ftohtit.
Këto ndodhin tash në këto dit kur Mali i Zi me konsujt e trimarveshjes lypin një miqësi me Shqypninë, për me shkue malli lirisht në Cernagore, ku populli vuen për shkak të luftës. Asht një turp i madh qi në kët shekull, në mes të Evropës, të theren e të priten njerës në ket mnyrë qenrishte. Ç’kanë me thanë pra liberalët Inglizë, të qytetnuëtit francezë për miqtë e tyre sllavë?
(Gazeta “Besa Shqyptare”, 17 prill 1915)
Mizorinat malazeze
Tash disa ditë, antarët e hyqmit të Cetinës paditën Sadik Ramën e Ponashecit, për mausere qi kishte mshefë. Masi pa veten ngushtë e rrezikun e konakut, Sadik Rama i dha armët e mlueme. Për këtë sebep Sadik Rama me ropt e vet, iku e hini n’tok t’Shqypnies. Malazezt e zaptuen shpin e mallin e tij, tuj hi mrend. Kur muer vesh se shpija ja ba kaush, u nis Sadik Rama me do shokë, tuj marrë me vedi daltën me t’cilën shpërthen murin e ships e, hini mrend tuj qitë n’roje që kishin ra e fjetë.
Për kët t’ndodhun, hyqmi barbar e i pa arsyeshëm, bani me dit Veshoviqin në Gjakovë, i cili çoi ushtarë me emër me rrethue Ponashecin e gjysën e Morinës natën, e me ditë tanë mashkujt mbi 10 vjet e përpjet, me i ba batare. Tjert gra e fmi me i qit me forcë prej shpijave të veta, tuj lanë gja e mallë me hi n’Shqypni.
(Gazeta “Besa Shqyptare”, 29 prill 1915, lajm që duhej të botohej më datë 27 prill 1915)
Mizorinat serbe
Kahë njerës t’ardhun kto dit kah vendet shqyptare qi janë nan serbë mësojm t’kqijat qi hjek populli shqyptar për të cilat shumë herë kena shkrue. Shqyptarët jo vetun grabiten, burgosen, çnderohen prej zyrtarevet serb, vriten pa ndonjë faj, por Qeveria serbe don me kallxue botës së jashtme se, në kto ngjarje qi ajo i quen kryengritje shqyptare, kan gisht disa krenar (pari-shënimi i V. H.) t’Shqypnis së lirë.
(Gazeta “Besa Shqyptare”, 3 qershor 1915)
N’katundin Ponashec të Rekës s’Gjakovës, malazezt kanë mbytë e gri 116 vetë, n’mes të cilëve u gjindshin edhe gra e fëmijë. Ma t’shumtit e këtyne t’pafajmve janë coptue bishënisht. Malazezst, mbasi e kanë mbarue ket vandalizëm, familjet që kanë mbet i kanë përzanë jashtë kufinit. Ky katund përmban 36 shpi. Këto mizorina le t’i digjojn ata qi janë tuj thanë se luftojnë për lirinë e kombevet, tuj përkrahë ata qi pamëshirë mbytin gjind t’pafajshëm.
(Gazeta “Populli”, 14 prill 1915)
Me 11 t’keti mueji, Qeveria serbe ka urdhnue që t’i merret t’tanve gjaja e gjallë. Në nji katund afër Gjilanit, mblodhën 1 400 lopë, dhi e dele, pa u dhanë kurrë farë dëshmijet t’zotvet. T’shkretët shqyptarë t’Kosovës, janë ka hjekin zi prej grabitjeve t’Qeverisë serbe.
(Gazeta “Populli”, 30 maj 1915)
Shqyptarët nën burgje t’Serbisë
Lajmohemi se Qeveria serbe, sikurse pat mytë aty ma parë tetë bajraktarë, të cilët u paditën qi kanë pasë marrëveshje me nji beg t’Kosovës, ashtu edhe tash kanë fillue me shti në burg do shqiptarë të pafajshëm, për shkak se kanë pasë marrëdhënie me Hasan beg Vuçiternin. Me këtë mënyrë kanë burgosë edhe Muharrem efendinë, t’kushërinin e Hasan Begut. Këto t’ndodhuna nuk janë për t’u habitur, se serbët i kanë zakon veprat barbare.
Njenin e burgosen pse ashtë shqyptar, tjetrin për me e rrjepë ma zi se n’kohë të Hamitit (Sulltan Hamitit shënimi i V. H.). E dim se sundimi serb nuk don me ditë prej shkrimeve tona, po ani. I bajm këto shënime qi t’meten si kujtime për nesër e, t’shofin shqyptarët e Shqypnisë s’lirë se çdon me thanë robnie e veturdhenim.
(Gazeta “Populli”, 30 maj 1915)
Shkurtim prej nji letret qi i vjen komitetit Kosovar më 5 fruer:
“Mbas lajmeve të sigurta qi po marrim prej Peje, populli i atjeshëm po mëkon ndën nji sundim mizuer e grabitës. Siguri jete nuk ka. Njeriu shkon kot pa u pyetë e pa u kja. Ata që ia kan vaktin në Pejë e në rrethe, po gjobiten e po grabiten me 5.000 e deri 500.000 korona. Parësia shqiptare është e ndryeme nëpër shtëpia, pse serbt u kanë ngjitë ka nji roje te dera e, nuk i lan më fol me kërkënd.
Në krahinë të Rugovës, qi ndodhet midis Pejës e Plavës, serbt kanë sjell tri mufreze ushtarë e, gjithë ça i duhet kësaj ushtrie për me jetue ia kan nagarkue njerëzisë së Rugovës. E kështu populli atje janë tue dekë për bukë. Dihet që populli i Rugovës asht kaq i vorfën sa ushqehet me kanji barrë dru që i shet në pazarin e Pejës…”.
(Gazeta “Populli”, 10 Fruer 1919)
Në Plavë e Gusinjë
Mbas lajmeve të sakta qi arritën dje në Shkodër, komitat serbe e malazeze, mbas nji lufte të përgjakshme qi kan ba pesë ditë rresht me popullin shqiptar të atjeshëm, kan zaptue me perdhuni Plavën e Gusinjën, tue shkaktue të djeguna e dame të mëdha me top, pos gjindes qi kan mbetë dekun në kët të ndeshun. Katundi Vuthaj prej 200 shtëpish, gadi asht rrënue krejt nën zierm të topave. Po priten tufa muhaxhirash me ardhë në Shkodër.
(Gazeta “Populli”, 25 Fruer 1919)
Populli i Plavës, Gusinjës i Rugovës muhaxhirë në Shkodër
Pardje, të hënën, filloi tufa e parë e muhaxhirëve të duket në Shkodër, e këtij populli fatkeq të Plavës e Gusinjës, n’at hall të përvajtueshëm e vargu nuk asht mbarue ende. Midis këtyre muhaxhirëve në vend të vet fytyronin edhe njerëzia e Rugovës, pse edhe këtë krahinë e paskan djegë e shkretue jugosllavët…! Ky popull shqiptar i bamë me dalë muhaxhir, kapet deri më pesëmbëdhjetë mijë frymë, por një pjesë ka marrë anën e Malësisë së Gjakovës. Numri i atyne që kanë mbetë të dekun nuk mund të dihet pse nuk po e njeh qeni të zotin, siç thonë.
(Gazeta “Populli”, 28 Fruer 1919)
Edhe në Hot e Grudë
Marrim vesh se serbo-malazezt, mbas ndodhnjimit të tyne qi ban mbi popull të Plavës, Gusinjës e të Rugovës, tash von kan hi edhe në Hot e në Grudë. Me hovin e këtynë zotënieve na gjen si Nastradin Hoxhën kur i thanë se ka ra zierm.
(Gazeta “Populli”, 8 mars 1919)
Ndihma për muhaxhirët
Shkëlqesia e tij gjeneral B. de Fourton, kumandari i ushtrive aleate në Shkodër ka pasë bujarin me dhanë për këta muhaxhirë 1. 000 korona e 500 kg miell. Z. Musa Juka dha 1.500 korona, z. Sulçe Bej 500 korona etj. Gjithsej u dhanë ndihmë 23 150 korona.
(Gazeta “Populli”, 8 mars 1919)
Lista që përmban barbarit e mizorit serbe të kryeme në kohën e dy vjetëve në Kosovë
Shekulli i qytetërimit
Krahinat / Të mbytun / Të burgosun / Të gjymtuem së rrahuri/ Shpija të djeguna/ Shpija të plaçkituna
Lumë e Prizren 836 2,700 120 770 1.562
Gjakovë 68 200 25 56 78
Pejë 1.510 3.800 240 714 1.970
Mitrovicë 133 1.700 30 42 104
Vuçiternë 2.179 2.940 215 1.463 2.431
Prishtinë 4.600 3.650 350 1.340 2.190
Ferizaj 1.695 2.400 190 720 960
Kaçanik-Elez 340 1.300 160 295 350
Gjilan 680 2.400 220 450 630
Preshevë 260 970 85 180 240
T’Rugovës, Plavë e Gusi 1.740 300 70 180 240
Kjo është lista e përgjithshme emnore e shqiptarëve të mbytun në Kosovë prej xhandarmërisë serbe edhe fuqive disiplinare serbe, që na dërgoj Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Në të gjitha krahinat e Kosovës, prej të burgosunve merren rushfete, qyshë në 5.000, deri 30.000 dinarë, për lirim të tyne. Por prapë zihen e burgosen për me i gjobitë rishtazi.
Ndërrohen shpesh prefektat e nënprefektat, vetëm për me burgosë e me gjobitë popullin mbarë. Të burgosunit nuk dënohen deri sa t’u merret e gjithë pasunija e tyne si ryshfet. Ka ndodhë shpesh që janë burgosë e lirue 7-8 herë, tue u gjobit fort randë. Nëpër burgje shumë vetë janë mbytë tue u rrahë me dru./ Memorie.al
(Gazeta “Koha”, 30 prill 1921, Korçë)













