Nga Bashkim Shehu
Pjesa e dytë
Memorie.al / Bashkim Shehu ka lindur në Tiranë në vitin 1955, ndërsa origjina e familjes së tij, është nga fshati Çorush i Mallakastrës, të rrethit të Fierit. Pasi mbaroi gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ai ndoqi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji në degën e Gjuhë-Letërsi. Që në moshë të re ai kishte pasion letërsinë dhe pas diplomimit ai u emërua me punë si skenarist pranë “Kinostudios Shqipëria e Re” dhe në vitin 1980, ai shkroi skenarin e filmit “Skëterë ‘43” që u realizua nga regjisori i njohur Rikard Ljarja. Pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur i ati, kryeministri Mehmet Shehu, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, dhe Enver Hoxha e shpalli armik të popullit e poli agjent”, në janarin e vitit 1982, ai arrestohet dhe dënohet me 7 vjet heqje lirie, i akuzuar, “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Pas kësa, e ëma, dhe vëllai, Skënderi, u internuan fillimisht në Belsh të Elbasanit, nga ku më pas u arrestuan dhe përfunduan në burg, Fiqreti në Zejmen të Lezhës (ku dhe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1987), kurse Skënderi, në burgun e Burrelit, prej nga u lirua vetëm në vitin 1991, me të fundit të dënuar politikë. Ndërkohë, vëllai i madh i Bashkimit, Vladimiri, gjeti vdekjen në rrethana misterioze, në shtëpinë e tij në qytetin e Gramshit, (versioni zyrtar, vetëvrasje me korrent), ku ishte internuar menjëherë familjarisht, pas ngjarjes me babanë e tyre në dhjetorin e ’81-it. Me shembjen e regjimit komunist, menjëherë pas viteve ’90-të, Bashkim Shehu, i’u rikthye pasionit të tij, letërsisë, dhe përveçse i pranishëm në shtypin e kohës si publicist e prozator, ai ka botuar edhe shumë libra, ndër të cilët mund të përmendim: “Vjeshta e Ankthit”, “Rrethi”, “Mallkimi ose mosqenia e autorit”, etj. Po kështu veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Prej vitesh dhe aktualisht Bashkim Shehu jeton në Spanjë me familjen e tij, ku vazhdon të krijoj dhe botoj përsëri. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është një triptik, që e kemi marrë nga një prej librave të tij, ku ai përshkruan artistikisht periudhën e arrestimit dhe vajtjen në burg, të cilën po e publikojmë në Memorie.al.
TRIPTIK
Muri
Për të dalë s’andejmi, duhet të sjell ndër mend një ngjarje, që të më kujtohet me qartësinë më të madhe, a thua jam duke e jetuar, që të mund të mbetem kësodore i ngërthyer e i ngurosur në të, ashtu si zogu i ngrirë i hënës në mes të qiellit. Ta rindërtoj, çast për çast, që nga fillimi atë ngjarje, siç kam bërë çdo natë, kur heshtin hapat e atyre lart ndërsa unë ende vazhdoj të jem zgjuar. Po asnjëherë s’e kam çuar dot gjer në fund, gjumi më kaplon në ngjarje e sipër, prandaj dhe gjithmonë ngelet diçka për t’u rindërtuar.
E unë, sa herë që i kthehem, ia nis nga fillimi, se vetëm ashtu mund të rindërtohet. Ose ndoshta e bëj këtë për ta vonuar sa më tepër, që të mos mbërrij dot gjer në fund, sepse e kam një si shybe ogurzezë që, mbasi ta kem jetuar edhe një herë të tërën, drangu i derës së qelisë do të kërkëllijë e do vijnë të më marrin, e do të më duhet të jetoj, kësaj here përnjimend, vdekjen time. Sepse është ngjarja e fundit, që më ka ndodhur para se të më sillnin këtu, madje vetë ngjarja për të cilën më sollën këtu, dhe përtej saj kurrgjë nuk më pret, pos vdekjes.
Ndërkaq, është ajo që, më shumë se çdo gjë tjetër, mund të ma largojë mendjen, në këtë orë, nga vdekja që më pret, ndoshta pikërisht pse është e fundit që më ka ndodhur jashtë këtyre mureve, e mund ta kujtoj, prandaj, me qartësinë më të madhe, ose, ku ta dish, sepse duke i bishtnuar në vegimet e mia fundit të saj sikur i bishtnoj edhe vetë vdekjes. Te përqendrohem, përshkoj edhe një herë çdo imtësi të ngjarjes qysh nga fillimi.
Do ta kisha shkruar, po të mundja, do ta kisha shkruar një novelë, që do të ishte më e mira e shkruar prej meje. Porse tani, këtu, mbyllur në këtë qeli të vdekjes, lidhur këmbë e duar me zinxhirë, me kokën futur në një skafandër që të mos e shkapet për muri për t’u vetëvrarë, i dergjur në shtrojën e fortë gur, gur prej varri, i palëvizur, në pritje të gjumit dhe të vdekjes, e vetmja shtegdalje e imja është që ta ëndërroj me sy hapur ngjarjen, për të dëbuar atë ëndrrën tjetër me sy hapur, të gapërruar, ëndrrën e përsëritur të vdekjes.
Përqendrohem, ëndërroj me sy hapur, i kam ndër sy të gjitha imtësitë në çdo çast të asaj ngjarjeje të fundit, para se të më mbyllnin në këto mure, ku asnjë ngjarje më nuk ndodh. I kam ndër sy, ashtu si t’i kisha përnjimend, të gjitha ato që do të shkruaja, po të mundja.
Sesi u nisa me fugonin tim për t’u arratisur në botën e madhe e të lirë. Sesi, në udhë e sipër, ndalova, megjithatë për të marrë një çift, burrë e grua, ngase më erdhi keq për ta, apo edhe ngaqë shprehitë e shoferit mesa duket janë të pandryshueshme, paçka se është nisur të arratiset. Porse nuk do të ishin ata pengesa ime. Ata hipën veç për të zezën e vet, për atë që s’e dinin dhe që as unë s’e dija, por që do të pllakoste dikur, diku, te një kthesë e ngushtë në një grykë përroi, përtej së cilës lugina merr trajtën e një qivuri.
Ja, po më përhihet sesi një veturë e Sigurimit më është vënë nga pas, a thua i vetmi njeri, të cilit i pata treguar se do të arratisesha, me ka spiunuar. Vetura e zezë, që aq shumë po u përngjaka atyre të funeralit, përkundër tyre ecën me një shpejtësi prej stuhie ferri dhe unë e gozhdoj këmbën te pedali e bëj dredha të dëshpëruara, që të mos e lejoj të më dalë përpara.
Përpjekje e kotë, ngase kufiri gjendet tepër larg dhe, për më tepër, të gjitha postat kufitare duhet të jenë lajmëruar. Burri dhe gruaja në kabinë pandehin se u çmenda, më luten të ngadalësoj, pastaj bërtasin duke ngulmuar që të ndalem.
Atëbotë, gruaja e ka humbur toruan dhe, duke piskatur, zë e më qëllon me grushta, futemi në kthesën e ngushtë, më ka ikur timoni nga duart dhe biem në greminë që të tre, teksa unë, aty për aty, hap derën e kabinës dhe lëshohem rrokullimthi në prozhmin e pjerrët.
Ky është fundi. Mbërrita, pra, sonte, përtej kthesës, aty ku lugina vjen e merr trajtën e një qivuri të hapur nën qiellin e natës me një hënë arkeologjike, shëmbëlltyrë e një zogu të ngurosur gdhendur nga stërgjyshërit tanë në agun e kohërave.
Ishte errësirë dhe m’u bë se kisha hyrë në botën e hiçit përgjithmonë, sikurse në të vërtetë kisha hyrë, tek e pashë veten, duke ardhur në vete, ndër duar që do të më vulosnin vdekjen. Ky është fundi, pra. Dhe s’më mbetet veçse të pres vdekjen, siç mund të vijnë sonte, që mbërrita përtej kthesës.
Në çdo çast mund t’ia behin, ja, tashmë po më kapërthen ajo ëndrra e ardhjes së tyre, po e jetoj edhe një herë tashmë, kur nuk po di nga ta çoj mendjen, para se të më zërë gjumi, që s’mund të më zerë, përderisa vazhdimisht më bëhet se do të zgjohem nga kërkëllima e drangut, që do të pasohet nga të gjitha ato që çosa herë i kam jetuar në këtë jetë-vdekjen time brenda këtyre mureve, e që më flakin përtej caqeve të jetës, në botën e hiçit përgjithmonë.
Dhe hapat e atyre lart nuk dëgjohen në këtë orë, është e plotë dhe e mynxyrshme heshtja. Tani do të vijnë të më marrin, sa më parë le të vijnë, më mirë të vijnë sesa kjo heshtje, sesa kjo pritje, ku edhe vijnë, edhe nuk vijnë. Heshtje që prishet papritur. Pritje që papritur prishet. Trokitje, trokëllimë, jo kërkëllimë. Është muri i verbër, jo dera, edhe më e verbër se muri, përveçse kur gardiani vëzhgon nga syri magjik i sportelit.
Porse në këtë orë gardiani nuk vëzhgon, duhet të jetë duke dremitur ndanë stufës, ashtu si ndonjë maçok i plakur, në dhomën e tij atje larg, në skajin më të largët të korridorit. Muri qenka, pra, ai nga e djathta e derës. Ua vë veshin të goditurave, rrotullohem dhe qasem te muri.
Janë të goditura që përsëriten ngulmueshëm tre nga tre, sinjali që kërkon fillimin e bisedës. E di këtë, e kuptoj mirëfilli, sado që kurrnjëherë nuk kam folur me mur, as tani dhe as gjatë burgimit tim të parë, dikur në rininë time të hershme, kur më dënuan për shkak të disa shkrimeve që m’i gjetën, për të cilat nuk di kush më pati spiunuar.
Kurrënjëherë s’e kam bërë këtë, të flas me mur, ndërsa tani po do ta bëj, që paskëtaj të mund të sjell në mendje ato që kjo do të më sjellë. Sidoqoftë, edhe pse nuk e kam përdorur këtë alfabetin e të folurit me mur, e di qysh nga burgimi i parë që çdo e goditur me nyje të gishtit i përgjigjet një njësie të numërimit dhe çdo numër njësish të tilla i përgjigjet numrit të një shkronje sipas rendit alfabetik, ndërsa, për ta përshpjetuar bisedën, çdo goditje e murit me grusht, gjë që kumbon krejt ndryshe nga ajo me nyjen e gishtit, u përgjigjet dhjetë njësive të numërimit.
Kësisoj, që të përftohet shkronja e tridhjetenjëtë, s’është nevoja të rrish e të godasësh me nyjën e gishtit tridhjetenjë herë, po tri herë me grusht dhe një herë me nyjen e gishtit. Dhe për çdo ndarje mes shkronjave ka një pritje, gjatë së cilës dëgjuesi përgjigjet me një goditje njëse.
Ky ka qenë alfabeti qysh atëherë, në kohën e burgimit tim të parë, e ky vazhdon të jetë, sikurse pako gjë në burg mund të ndryshojë, a thua është i njëjti burg, qysh nga koha kur bota është botë. E dinë përmendësh ata që vazhdimisht dhe dendur e kanë përdorur, po mua s’më prish punë pse është hera e parë që flas me mur, e kam të shkruar në mur alfabetin, me të gërvishtura të cipës prej gëlqereje të murit, kutia-kutia i tërë alfabeti, me nga një shkronjë e nga një numër në çdo kuti, në rreshta dhjetë e nga dhjetë, kështu që dhjetëshet gjenden fare kollaj në krye të rreshtave.
Përgjigjem dhe unë me tri të goditura, për të thënë se jam gati. Tjetri përtej murit më kërkon që t’i kumtoj diçka dikujt, që është në qelinë matanë meje. Pastaj bën një goditje me grusht. Shkronjë pa lidhje, kjo, për më tepër që është e vetme. Sidoqoftë, arrij të kuptoj që kjo s’është kurrfarë shkronje, është pika në fund të fjalisë. Ia bëj pyetjen pse ka besim te unë. Sepse jam një i dënuar me vdekje, thotë ai.
Matem t’i bëj një pyetje tjetër, porse ai më ndërpret, duke rrëshqitur mbi mur pëllëmbën e dorës, edhe shton se i vjen shumë keq pse jam i dënuar me vdekje. S’ka gjë, mos e çaj kryet, i them. Pastaj bëj pyetjen tjetër, e pyes pse nuk mendon që, pikërisht duke qenë i dënuar me vdekje, mund të jem ashtu fare i papërgjegjshëm. E ai ma kthen që s’ka mundësi, ai ka parë shumë të dënuar me vdekje dhe është i sigurt se një i dënuar me vdekje është i mirë.
Vetëm atëherë e pyes çfarë kërkon t’i them atij matanë, apo, më sak, asaj matanë. Sepse unë e di tashmë që është grua, e kam dëgjuar zërin e saj sa herë e nxjerrin që të shkojë në nevojtore.
Tjetri më thotë se është gruaja e tij, se duhet t’i them që ai përgjatë hetimeve e ka mbajtur gojën të kyçur, e se i lyp falje për të gjitha vuajtjet që dashur-padashur i ka shkaktuar gjatë jetës së tyre të përbashkët. Mirë, i them, po edhe e pyes pse gjer tani s’është përpjekur të flasë me gruan.
Sepse sot më prunë këtu, në këtë qeli, më thotë. Sot, që u mbyllën hetimet, thotë ai, duke shtuar që s’e dinte çfarë mund t’i kishin përrallisur gruas kinse ai i paskësh pohuar të gjitha. S’e ngacmova më tej, mirë, i them prapë. E ai, me të goditura këmbyerazi me kyçin e dorës dhe nyjet e gishtërinjve, më jep shenjën se kaq kishte.
Unë ia kthej me të njëjtën shenjë. Pastaj zvarrisem gjer te muri kundruall, në të mëngjër të derës së qelisë. Kërkoj nëpër mur një tabelë të alfabetit, e gjej diku dhe aty ndalem. Trokas tri herë në mur me nyjën e gishtit të mesëm. Asnjë përgjigje, gruaja ndoshta po fle. Megjithatë ngulmoj me tri të trokitura. Pastaj sërishmi, për të tretën here, tri herë. Më së fundi dëgjoj tri të trokiturat e saj.
Mirëpo gati njëkohësisht kanë kumbuar hapa që nga korridori, maçoku plak me sa duket na është zgjuar. Rrëshqas pëllëmbën mbi mur, sikurse përnjëherësh matanë edhe ajo, që gjithashtu me çdo gjasë i ka dëgjuar kumbimet e hapave të gardianit, dhe nxitoj duke u zvarrisur gjer te shtroja ime.
Sakaq dëgjoj sportele që hapen e mbyllen me zhurmë, zhurma sa vjen e afrohet, hapet dhe sporteli im, qëndron për një çast i hapur, e unë e mbaj frymën pezull, pastaj mbyllet, pastaj po kështu sporteli i gruas, e unë përsëri me frymën pezull, pastaj zhurma e sporteleve që hapen e mbyllen sa vjen e largohet.
Të nesërmen përsëriten të njëjta gjëra, me heshtjen e hapave të atyre që janë lart, ndërsa mua ende s’më ka zënë gjumi, rrekem ta dëboj e ta vonoj vdekjen duke rindërtuar udhëtimin tim drejt mynxyrës dhe duke mbërritur gjer te kthesa, ku të tre biem në greminë, burri, gruaja dhe unë, teksa unë hidhem vrikthi përjashta në terrin e hiçit.
I kam shkuar, pra, gjer në fund, po gjumi ende s’më ka zënë dhe as vdekja nuk më ka ardhur. Dhe përsëri shkoj te muri më të mëngjër të derës dhe ngulmoj me të trokitura, nga tre e nga tre, gjersa gruaja më përgjigjet. Porse hapat e gardianit kumbojnë ende pa filluar biseda, që duhet të vazhdojë gjithsesi të nesërmen.
Nuk jam në gjendje të them sa herë u përsërit kjo, apo ndoshta është gjithherë e njëjta natë, dhe përsëritja, pa ia dalë dot t’i përcjell gruas ato që thoshte i shoqi, s’është veçse një ëndërr e mundimshme. Sidoqoftë, ndërkaq më vjen të besoj se ata të dy, janë burri dhe gruaja që kisha pranuar t’i merrja, për të zezën e tyre, në udhëtimin tim të fundit.
Po, vërtet, e kam edhe një udhëtim për të kryer, porse me atë tjetrin mori fund gjithçka, mori fund pakthyeshëm, te ajo kthesa. Po, vërtet. Tek e dëgjoj zërin e gruas në korridor në orë të ndryshme të ditës, teksa i hapin derën dhe ajo shkëmben ndonjë fjalë me gardianët, që e qortojnë pse nuk flet me zë të ulët, e sidomos duke e kujtuar paskëtaj tingullin e atij zëri, më ngjan se është ajo gruaja e udhëtimit të fundit, askush tjetër.
Gjë që do të thotë se ata të dy nuk paskan vdekur, ndërsa unë jam akuzuar për një vrasje të paqenë, e cila iu shtua akuzës për tentative arratisjeje duke vulosur kështu dënimin me vdekje. Sepse vrasja u quajt e qëllimtë dhe e paramenduar, kinse që të tre po arratiseshim, dhe unë, duke parë që kjo po dështonte, paskësha dashur të zhdukja dy bashkëfajtorët dhe dëshmitarët e mundshëm.
E nëse janë gjallë, atëherë edhe akuza për vrasjen e paqenë zhvlerësohet e zhbihet. E ndoshta tani po më ngrihet një kurth, përderisa po u veproka kundër çdo rregulli duke i vënë tre të arrestuar, për të njëjtën çështje penale në qelira puqur me njëra-tjetrën. E ka një synim të fshehtë e tërë kjo, kushedi se ku duan të dalin. Po mua aq më bën, më keq se vdekja s’ka se ç’të më gjejë më, i vdekur se i vdekur jam, në mos po edhe kjo mund të ndryshojë.
Të shohim çfarë ka në këtë mes, pa të shohim. Po ja, gjatë ditës atë burrin e kanë marrë e më s’e kanë kthyer, as tani që po bie nata dhe katrori i ngushtë i dritares i përngjan grykës së një tuneli të errët, që s’të çon askund. I afrohem ngadalë murit që më ndan nga gruaja dhe trokas me nyje të gishtit tri herë, ashtu lehtazi.
Ajo nuk përgjigjet e unë trokas më fort. Matem të trokas për të tretën herë, gjithë duke u druajtur se mos e zgjoj gardianin, porse ajo më ndërpret duke m’u përgjigjur me tri të trokitura të shpejta e të lehta a thua po më kërkon të jem sa më i kujdesshëm. I bindem.
Dhe më së pari i kumtoj fjalët e të shoqit, duke u këshilluar për çdo shkronjë me tabelën e alfabetit të vizatuar në mur, përbri një vizatimi tjetër, që paraqet një grua lakuriqe. Tjetra më përgjigjet se e di që i shoqi vërtet s’e ka hapur gojën gjatë hetimeve, mirëpo vazhdon duke shtuar se nuk ka dëshirë të dëgjojë për të asnjë fjalë, sepse ai ia pati nxirosur jetën.
Sidoqoftë, më falenderon për mundimin që mora. Dhe, duke trokitur këmbyrazi me kyçin e dorës e me nyjet e gishtërinjve, më thotë se biseda mbaroi.
Nuk pata kohë, pra, që ta pyesja nëse është ajo e greminës. Po ndërkaq, pasi kam mbërritur gjer te shtroja ime e fortë gur, gur prej varri, pasi kam gjetur mënyrën sesi, ashtu i dergjur, të bezdisem sa më pak nga zinxhirët e nga skafandra që fare mirë mund të më sjellë dhimbje qafe, nëse nuk e mbështes kokën në këndin e duhur, zë e mendohem për atë çka do ta pyesja gruan dhe kuptoj se diçka më pengon që ta pyes. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016