Nga Kosta Papa Tomorri
Pjesa e pestë
Memorie.al/ publikon librin “Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut” – në vitet 1913 – ’14, të shkruar Kosta Papa Tomorri, i cili ka qenë prift ortodoks shqiptar, me origjinë nga Leusa e Përmetit. Si dëshmitar i masakrave greke gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ai shkroi të libër, apo më saktë një vëllimth, duke ia kushtuar Mehmet bej Konicës dhe u botua më 1917-ën. Prifti Kosta Papa Tomorri, ishte një dëshmitar i kohës së sulmeve dhe barbarive greke të viteve 1913-1914, që i përjetoi ngjarjet tragjike mbi popullsinë shqiptare të pambrojtur në Jug të vendit, të cilat më pas i përshkroi në atë libër. Dëshmitë e tij janë tronditëse, edhe për faktin se ai ishte një vëzhgues i saktë i atyre ngjarjeve dhe në kronikat e tij, ndriçon shumë ndodhi dhe ngjarje që hedhin dritë mbi barbarizmat e pushtuesve grekë. Ai libër është një ekzemplar i veçantë, ndoshta i vetëm, që iu kushtohet atyre ngjarjeve, nga një dëshmitar okular. Libri i Kosta Papa Tomorrit, përshkruan ngjarje rrëqethëse, dhe dëshmon me hollësi, historinë tragjike të banorëve të atyre anëve, ku shërbeu autori në ato vite. Libri është një akuzë që u bëhet nga një prift dhe duke shfletuar fletët e tij, shikojmë se në mes të tjerash, ai shprehet: “Shqiptarë! Juve djemtë tanë, brez pas brezi, kur të zini në gojë fjalën grek, mos harroni therjet, djegiet dhe çnderimet”! Këtë porosi e jep prifti,
Ju Shqipëtar’ me vllazën jinni tuj vra, En’nj qint çeta jinni shpërda. V.P
BARBARITË GREKE NË SHQIPËRI
Prej
COSTA P. TOMORI LEUSA
JOURNAL PRESS
FRAMINGHAM, MASS
1917
KUSHTON 35 C
DELEGATIT TË SHQIPTARËVE T’AMERIKËS MEHMET BE KONITZA QË PËRPIQET T’A SHPËTOJNË SHQIPËRINË NGA MJERIME TË NESERME SI ATO TË KËSAJ LIBRE
KËTË VEPËR JA DEDIKONJ NJË USHTAR I TIJ
Një shkrepëtihmë, pastaj natë,
O e bukur Fluturakë.
OFENISVA E KURVELESHEVE KUNDËR PICARIT
Trimat e Kurveleshit gjendeshin në Qaf’e Picarit, vendosnë që t’u bënin një ofensivë andarëve, pas Këngës popullore që thotë, “Këta djemt’e Kurveleshit / lëftojnë me palë sheshit”. Me të vërtetë ashtu e bënë dhe jo vetëm burrat, po dhe gratë si Spartiatka, duall me sëpata ndër duar. Dita e hënë 22 Prill sa po u zbardhëllua, Kurvëleshasit ju vunë zjarr dyfekëve dhe ju a dhanë andarëve. Dyfeku zuri i reptë nga të dy palët.
Një plak Nivicjot flokë bardhë, me një jatagan të qimoçim, kish dalë përpara trumbës dhe shkontej përpara, duke dhënë kurajo djemëve. Andarët po lëftonin burrërisht po Kurveleshasit ju jipnë përsipër. Andarët u thyen gjer në Manastir të Chepos, atje qindruan t’u bënin ballë Shqipëtarëve. Po Shqipëtarët nuku pëshuan plumba, po përpara mbi ta. Këtu kafshuan dhenë nga andarët 160 vehta, dhe u thyen nga Manastir’i Chepos. Shqipëtarët po i ndiqnin si kecërit dhe haritnë gjer në Oviro, 2 orë nga Gjinokastra, këtu Shqipëtarët qëndruan. Kur mori vesh Zografua që Shqipëtarët haritnë në Oviro, e zuri data, nuku mënoj po ngriti Qeverinë dhe e shpuri në Delvinë.
Një të tillë ofensivë ju bënë Kolonjarët andarëve gjithë atë ditë, të cilët i thyhen. Shqipëtarët pra vinin përpara nga dy anë. Nga Gjinokastra dhe nga Kolonja. Zografua duke parë që Shqipëtarët fitonin nga dy anë, vetëm mesin kishin lënë prapa, domethënë qarkun e Përmetit, kish frikë se mos bënin no një strategji Shqipëtarët, për të mbyllur andarët e Përmetit që të bashkoheshin Shqipëtarët e qarkut Kolonjës, me Shqipëtarët e qarkut Gjinokastrës, në mes të urave dhe kështu të mbyllnin andarët e Përmetit. Prandaj telegrafoj Kumandarit Përmetit, që të mbledh andarët dhe të shkonin për në mes të urave.
Sa po erdhi kjo lajme në Përmet, data i zuri vendasit se do të ngriheshin të gjithë për në mes urave. Kumandar’i Përmetit lajmëroj të gjithë trupat për të ikur. Të gjithë fshatërat të ngrinin fëmijën për në mes të arave. Andarët ju dha urdhër që t’u vinin zjarë të gjithë fshatrave të Krështera, që kështu Shqipëtarët të gjenin vetëm gërmadha. Zjari ndër të Krështerët u nis nga Frashëri. Kumandari’i trupave të Frashërit, lajmëroj të gjithë trupat të mblidheshin në shesh të kishës. Të krështerëve të Frashërit ju dha urdhër, që të mernin fëmijën të linin shtëpitë dhe të vinin në Përmet. U nisnë të mjerët Frashëllinj me robat e trupit dhe muar rugën për në Përmet.
Pasi u mblodhë trupat në shesh i Kishës. Kumandari ju thotë urdhrin që kish marrë dhe ju tha që t’ju vinin zjarrë shtëpive të Krishtera. U lëshuan pra andarët me pishë në dorë dhe ju vunë zjarr të gjithë shtëpive dhe si të mbaronin Frashërin, do të zinin fshatërat e tjera me radhë. Zografua po thëristej për ndihmë se ndryshe qenë të humbur, ahere guverna Greke, urdhëroj nënë Generallin Papulla, i cili gjendej në Jorgucat, që t’u dërgontej ndihmë. Papulla u nis vetë me ushtri për në Gjinokastër dhe në Përmet dërgoj Kollonelin Ciruli, që të qetësontej vendin dhe të pushontej zjarr të fshatërave të Krishtera.
Me të ardhur Ciruli në Përmet, dërgoj një mandetar në Frashër për të pushuar zjarrë, po kur ardhi mandarin në Frashër, Frashëri qe mbaruar. Hariti vetëm fshatërat e tjera. Fëmija e të gjithë fshatërave të qarkut Përmetit, u mblodhë në Përmet. Sheshët e Përmetit u mbushnë me fëmijë. Shumë fëmijë u ropnë prej andarëve dhe shumë gra u ç’nderuan. Si u vate ndihmë qarkut Gjirokastrës, ditën tjatër ju bënë ofensivë Shqipëtarëve, të cilët pas një ditë luftë u thyen. Ndihma që ju vate andarëve qe e madhe dhe dy topa po rinin pozitat e Shqipëtarëve.
S’kishin seç të bënin Shqipëtarët, përveç se të shkonin. Andarët po i ndiqnin këmba këmbës dhe duke djegur fshatërat që gjenin përpara, i rynë andarët në Hormovë, mblodhë të gjithë njerëzit e fshatit të cilët bënin një shumë prej 160 veta dhe i shpunë në Kodër. Hormovës i vunë zjarë. Vanë në Luzat, zjarë dhe rynë në Tepelenë, hapnë dyqanet që qenë pa zot, u muar plaçkat dhe ju vunë zjarë, si dogjnë Tepelenën, u zgjatnë më poshtë dhe dogjnë këto fshatëra: Bënçë, Velgjot, Turan, Dukaj, Memalias dhe Zaljari. Këtu qindruan.
MASAKRAT E HORMOVITËVE
Thamë që Hormovitë i shpunë në Kodër. Si qindruan trupat e Gjinokastrës në Zalari, Kolloneli Zira, i këthye në Kodër ku kish lënë Hormovitë dhe vendosi t’u japë funt jetës Hormovitëve. I ndau Hormovitët me tri banda nga 60 shpirt, të lidhur kra më kra dhe i vuri më tre vende, pastaj zgjodhi nga trupi i tij 36 veta nga më të zotët në bajonetë dhe i urdhëroj t’u vinin bajonetat dyfekëve.
Si i vunë bajonetat, ju tha që të ndaheshin më tri banda nga 12 shpirt dhe të vinin në vendin ku qenë Hormovitë dhe t’i ç’ponin me bajoneta. Andarët bënë pas urdhrit që ju dhe Komandari. Vanë ku qenë Hormovitë dhe zunë me radhë t’i ç’ponin me bajoneta…! Të mjerët Hormovitë të lidhur këmb’e duar, po çponeshin pa mëshirë prej katilëve. Kjo skenë tragjike, u bë mu në Kishë të fshatit, si i mbaruan të gjithë së ç’puari, i hodhë më një përhua të fshatit. Ky qe fundi tragjik i Hormovitëve.
ARMISTICA
Më 12 të Majit u bë një armisticë midis Shqipëtarëve edhe andarëve. Shkaku i kësaj armistikë qe se do të mbahej një Konferencë në Korfus, prej Konsujve të Fuqive të Mbëdha dhe prej Delegatëve që do të dërgonin nga an’e guvernës Shqipëtare dhe nga Zografua. Hollandezi qe gjendej në Këlcyrë, dërgoj në Përmet një oficer me një xhandarëma, në Kumandari Grek Mavroidhi dhe u muar vesh, që të shënonin një vijë neutral gjer sa të mbaronej Konferenca e Korfuzit. U ngrit Mavroidhiu dhe vate në Këlcyrë, ku u bashkua me Hollandezin dhe shënuan vijën neutral me bajrakë të bardhë.
Qeveria Shqipëtare dërgoj delegate në Korfuz, Kollonelin Thomson dhe Medi Bej Frashërin, nga an’e Kryengritësve vate Zografua me Dhulin. Kjo Konferencë mbajti një javë dhe përfundoj duke dhënë Zografos ca privilege, për ato vise që bënë Kryengritje. Zografua futi dhe Korçën brenda, po këtu gjeti kundërshtim nga Medih Beu, se i tha: “Pse kërkonjë privilege për Korçën, kur Korça nuku dekllaroj Kryengritje”. Zografua ju përgjeq: “Kam detyrë të mpronj të Krishterët”. Më së fundi u pranua dhe e Korçës. Privilegjet që i dhanë Zografos qenë këto:
- Këto vise që dekllaruan Kryengritje, ta njinin për mbret, Mbren’e Shqipërisë dhe flamur’i Shqipërisë të valontej ku do.
- Nënëpunësit dhe xhandarmaria të qenë vëndas, prej të Krishterë dhe Myslimanë dhe qeverija Shqipëtare, nuku kish të drejtë t’i këmbentej nënëpunësit, Toskët t’i kthejë në Gegëri dhe Gegërit në Toskëri.
- Të ardhurat e këtyre viseve, pasi të paguheshin arxhet që do të lipseshin për këto vise, të mbeturat do të dërgoheshin në arkë të përgjithshme.
- Gjuha zyrtare të qe Shqipja në gjykatore dhe në shkollat. Shkollat Gërqisht, të mbeteshin siç qenë, po të mësonej dhe Shqip si gjyhë zyrtare.
Kishët të mbeten siç kanë qenë, në gjyhën Gërqisht.
Këto privilegje mori Zografua. Po posa mori funt kjo Konferencë si vëllaj i Zografos, Esati, si kur e kish bërë fjalë me Zografon, për të çkatëruar fare Shqipërine. Nuku mënoj fare pas Konferencës, po dekllaroj kryengritje kundër Mbretit Shqipërisë. Kështu pra së mjerës Shqipëri, ju vu zjari nga të dy anët, Grekërit kur mësuan kryengritjen e Esatit, u gëzuan pa masë, se ujku kurdoherë kërkon mjergull. Këtë herë pra, Grekërit i dhanë funt Shqipërisë, si kundër dhe Esati andej.
Plasi Kryengritja në Korçë, që u vranë njeri-jatërin nëpër rrugët e Korçës, dy herë u gërguan mandatar nga Mitropolia e Përmetit në Korçë, Pano Litua, vate dhe ardhi pa kupëtuar qeveria Shqipëtare. Tani andarët po pregatiteshin, t’u bënin tjatër ofensivë Shqipëtarëve.
OFENSIVA KUNDËR KËLCYRËS DHE TË ÇEPANIT
Bëneshin pregatitje kundër këtyre viseve. Unë ndodhesha në Dhiavat të Sevranit, një ditë kisha dalë me nja dy shokë të mi dhe po shikonim fshatërat e djegura dhe po qanim hallet që si do të vintej puna jonë. Zbritmë më një fshat të djegur që quhej Seniçan, në këtë fshat pamë që me të dalë të fshatit, kish mbetur vetëm një shtëpi e pa djegur, ju drejtuam kësaj shtëpie. Guxuam dhe rymë brënda. Ku shikojmë me një çip të dhomës, po rintej një plakë në vërsë jo më poshtë se 60 vjet, plaka posa që na pa u tremb, po neve ju afruam dhe e pyetmë që ç’bën, ajo posa që digjoj Shqip u gëzua dhe na tha; Shqipëtarë ini or bir? Po ju përgjeqmë.
Po ç’bën plakë? Si të mos të jem or bir, ç’janë këto gjynahe vallë që të rronj unë dhe të shikonj gjithë këto të këqija! Durim plakë se janë të gjithë të shkruara, që do t’i pësonim këto. Këtu e mjera plakë, zuri qau dhe me zë të mallëngjyer na thotë; ç’durim më thoni! Do tua di për mirësi të madhe, sikur të më jepnit një plumb të vdes, të shpëtonjë se s’durokam dot. Unë plakë sot me leshra të bardha, të më bënet ajo që s’e kam bërë në të rit’e mi të gjitha i durova, djalin, vëllanë mi vranë, po kjo nuku pati anë, të ç’nderohem unë plakë sot. Po kush të ardhi moj plakë? I thamë po ku di unë or bir, ca Dërqishtarë më vinë për dita, për të dëfryer me mua plakën!
Këtu na u mbushnë sytë me lot. Tek po rinim të mallëngjyer një erë e ligë na ardhi nga dhoma tjatër. Pyetmë plakën pse vjen kjo erë e ligë. Ch’apni në dhomë tjatër të shikoni or bir na thotë plaka duke psherëtirë, rymë në dhomë tjatër, po ç’të shikojmë? Shtrirur në mes të dhomës, një nuse e bukur si Dielli, e vdekur! E mjera dukej që qe dhe me barë dhe ngaqë kish shumë dit, kish zënë të mbantej erë. Ahere vemi në dhomë. Plaka na thotë duke qarë, që është nus’e djalit, 10 muaj martuar. Po kush e vrau e pyetmë? Nuku di seç i bënë or bir, atë ditë që na dogjnë fshatin andarët, ma zunë nusen nja dhjetë shpirt e mbyllë në odë! Pas nja dy orë shkuan. Kur vete unë e zeza në dhomë gjenj nusen të vdekur ne mes të odës…!
Ahere kërkuam në shtëpi një kasmë të cilën e gjetëm dhe vamë jshtë në kopësht hapmë një gropë, pastaj e muarmë të mjerën nuse e pështuallëm me një rrobë dhe e vumë në gropën që hapmë. Pastaj plakës i lamë ca bukë që kishim me vehte dhe shkuam, fatin e së cilës nuk’e dimë seç u bë.
Siç thamë më sipër që andarët po bënin pregatitje për të bërë ofensivë kundër Këlcyrës dhe Çepanit, shënuan ditën e cila qe e hëna 29 Maj. Pllan’i ofensivës u bë kësisoj: Fjorgakaqi, Jorgollaqi, Qiro Vaso, në Miçan t’i binin Backës. Kapedan Farmaqi në Malint, t’i bintetj Qafës Rogut, Kapedan Niko, Aristidhi dhe trup’ i Kocifaqit në Qarishtë, kundreq Muzhakës. Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kepedar Zerva, Kapedan Kollovoj, trup’i Karaxhaqjt, në Fratar, Mavrovoidhi në Breshan, me gjith top. Ofensiva zuri më 2 ora në mëngjes në Qarishtë. Dyfeku u ndes në të tërë vijën, topi nga Brezhani, po bombardohej pa pushim Këlcyrën, topi tjatrën nga Miçani, po bombardontej Backën, trupat’ e Qaristesh u sulë kundër pozitave që kishin Shqipëtarët.
Mëngjesi edhe nuku kish përhapur erësirën e natës. Këtu u trazuan andarë dhe Shqipëtarë bashkë, pylli qe i dëntur, erësira e thellë… dhe kështu nuku mereshin vesh njeri tjatrin, si u zbardhëllye pak, Shqipëtarët u mblodhë e iknë dhe andarët ju ranë pas në Qarishtë, u vranë 4 andarë dhe u plagosnë. Si u thyen Shqipëtarët e Qarishtes, u thyen dhe të Këlcyrës u thyen dhe të Backës, rynë në Backë zjarë, Çorovodës zjarë. Trupi’i Sevranit ryri në Rrog, zjarë, në Muzhake zjarë, në Çepan zjarë, në Zhepovë zjarë, në Kajcë zjarë, në Toskësh zjarë, në Vinokash zjarë, në Ballabanas zjarë, në Bubez zjarë, në Mazhan zjarë. Trupat e Gjinokastrës i rynë Dragotit, Beçishtit, Meçguranit zjarë, këtu qindruan.
Plaçkat që zunë andarrët në këto fshatëra, nuku kanë hesap si edhe gjë të gjallë. 300 barrë vetëm bakërë vanë në Janinë, gjë e gjallë me mijëra krerë, po shkonin për në Greqi. Në Backë u therë 30 shpirt, gra dhe foshnja që nuk haritnë të shkonin në Zhepovë, 15 gra me djepe në krahë i zunë i therë me gjithë foshnjat që kishin. Shqipëtarët demoralizuan se nga njëra anë përparimet e Esatit, i cili zuri Beratin, kështu pra Shqipëtarët duke gjendur në mes të dy zjarëve, u përndanë dhe nuku munt të mbanin më zijnxhir.
Muhamedanët Shqipëtarë që shkuan me gjithë fëmijë për në Berat, hoqnë të zit e ullirit, s’kishin vënt se ku të gulnin fëmijën dhe nga ana tjatër, ushtëri e Esatit po i mundontej nga këto shkake, vendosnë më të shumët të këtheneshin nëpër gërmadhat e tyre që u bënë andarët. Vendosnë t’u faleshin prapë atyre që i përvëluan, që i therë, që i ç’nderuan. Kështu pra u kthyen shumë fëmijë. Përmbi 300 fëmijë ardhë në Vinokash, Toskësh, Kajcë dhe Zhepovë. Përmbi 400 fëmijë, ardhë në Skrapar. Po të zez ata, seç hoqnë nga andarët, se me njanë u dhanë fjalën që do mos pësonin gjisendi dhe nga tjatëra anë u punuan ata më të ligat.
Një Grek i quajtur Koqino nga Lefkadha e Greqisë, me 3 shokë të tjerë, u nis nga Çepani dhe vate në fshatin Rovicë, pasi hëngre’e pinë zunë burrat e fshatit dhe i lidhë u pëlqyen nja dy mushka që kishin, u a muar. Pëlqyen dhe një çupë e muar dhe atë dhe u nisnë për në Çepan. Kur u afruan anfër Çepanit ndënjë pak të çlodheshin, këtu vendosnë t’i lëshonin burrat që kishin marrë, se me qenë që qenë afër Çepanit, nuku kishin nonjë frikë se mos u bënin gjisendi burrat e fshatit.
Kështu pra burrat i lëshuan. Burrat si u lëshuan nuku vanë në fshat të tyre, po vanë me një fshat tjatër që qe atje afër dhe ju a bënë të njohur këtë që ngjau. Burrat e atij fshati nuku mënuan, po mori secili atë armë që kish dhe duall t’ua zinin këtyre bukuroshëve më një përhua’ ku do shkonin me doemos. Andarët si dëfryen me atë të mjerë çupë që kishin mare, u nisnë për të shkuar kur arritnë në vëndin që ua kishin zënë, u ardhë plumbat si breshër. Njeri nga ata u plagos dhe ariti të futej në pyll, të dy të tjerët zunë nga një gur dhe po lëftonin. Myslymanët si panë që nuku munt t’i vrisnin dot se kishin zënë vënt të fortë, nja dy prej ta u erdhë rotull dhe u zunë krahët dhe së andejmi ju dhanë nga një plumb dhe i lanë në vënt.
Pastaj u afruan u muar armët, mushkat, çupën e mjerë dhe shkuan në fshat të tyre. Në fshatin Rog, qe Rakipi me gjithë fëmijë. Rakipi kish një çupë 12 vjet. Një ditë i vanë ca andarë për të dëfryer me çupën e vogël. I mjeri Rakip vuri ulërimat. Andarët zunë therë Rakipin edhe fëmijën e tij…! Ikan nga trupi që qe në Çepan dhe u hodha më një trup tjatër, nënë komandën e një oficeri Grek i quajtur Nikollopullos.
Ky oficer qe një burr’i shumë i mire, se nuku qe Grek që nga viset e Shqipërisë, nga Himara. Zura një miqësi të ngushtë me këtë oficer, i cili më vuri përkujdestar i amjeve të ati trupi. Ky trup rrintej në Përmet, pas ca dit kumandar’i përgjithshëm, vendosi këtë trup ta hedhë në Toskësh. Pas urdhrit, u ngritmë nga Përmeti dhe u nisnë për në Toskësh. Vamë në Toskësh ku gjemë një shtëpi në funt të fshatit më një breg, e cila për fat kish mbetur e pa djegur.
Në këtë shtëpi qindruam që të rinim, ushtarët e këtij trupi u vendosnë në bregu i Vinokoshit. Në këtë vijë qenë dhe 3 trupa të tjerë. Trup’i Kollovojt, trup’i Fjogollaqit dhe trup’i Zervës, të tre këta trupa qenë vendosur në Qafë të Vendreshit, në këto fshatëra ardhë të faleshin po thua 200 fëmijë, të cilët suall dhe ç’mall u kish mbetur. Kishin dhe 600 krerë bagëti. Kumandarët e këtyre trupave, ju zotuan këtyre fatzinjëve që do mos pësonin gjisendi. Ardhë të mjerët dhe bënë nga një kasollë për të ngulur fëmijën e tyre.
Nuku shkuan shumë dit pas faljes e këtyre fëmijëve. Andarët e këtyre trupave, zun t’i besdisnin fëmijën e falur u vinin nëpër kasollet e tyre dhe donin ti ç’nderonin. Gratë të mjera vinin për dita dhe qaheshin, nga ky shkak ju luta oficerit tim, që t’i mbronjë fëmijën e mjerë. U fjalosa me të dhe ju luta që ta mertej zyrtarisht nga Kumandar i përgjithshëm mbrojtjen e fëmijëve, prandaj u ngrit dhe vate në Përmet, që ta mertej zyrtarisht. Bashkë me të vajta dhe unë. Në trupin tonë qe një Grek Manjat, i quajtur Arnaut.
Ky bukurosh me rastjen e ikjes tonë në Përmet. Vate në shtëpi të Ametit nga Vinokeshi, hyri brenda gjoja për të kërkuar armë, ku nuku gjeti gjisendi, gjeti vetëm më një strenë një kobure Greku, e lidhi Ametin. Ameti kish një kalë të mirë të cilën ja mori, mori dhe Ametin dhe shkoj, vate dhe me ca shtëpira të tjera, zuri dhe dy të tjerë për shkak se kishin armë, si i lidhi mirë këta të tre, u a dhe andarëve dhe ju tha që t’i nxirnin jashtë fshatit dhe t’i vrisnin. Andarët i muar dhe i shpunë gjer në Ballabanas dhe atje ju dhanë nga një plumb dhe i lanë në vënt.
Oficeri tim me te vatur në Përmet, vate në gjykatore dhe ja bëri të njohur qeveritarit Grek, i cili qe Z. Manduvallo, dhe i kërkoj që t’ia jeptej me të shkruar mbrojtjen e fëmijëve, i cili ja dha, si mori të shkruarën u nismë për në Toskësh. Kur haritmë në Ballabanas, gjetëm të tre Myslymanët në mes të udhës të vrarë. Kur vamë në shtëpi, pyetmë për ata të vrarët me këto fjalë vjen e ëma e Ametit duke qarë dhe na lutet për të birë, që ta lëshojmë se nuku e dintej e mjera, që Ameti qe shtrirë në mes të udhës. Oficeri më thotë që ç’kërkon dhe unë I thashë që është nënja e Ametit që e gjetëm të vrarë. Oficerit i ardhi shumë liksht dhe më thotë që thuaj të shkonjë, se djalin për ca dit do ta lëshojmë, e mjera nënë shkoj. Më këto e sipër, Arnauti mori kalin dhe krisi në Përmet dhe s’u këthye më në Toskësh.
Ca andarë të trupit Zervës, vanë në fshatin Vendresh dhe zunë 7 burra dhe një djalë, shkaku i këtyre qe se gjoja kishin parë Shqipëtarët të rynin në Vendresh, si i lidhë të 8 shpirt i suall në qaf’e Vendreshit dhe atje i therë me radhë. Kur ardhi sëra e djalit, djali i pa trembur qindroj dhe tha; ç’doni or barbarë, duke therur Shqipëtarët t’i shuani po dhe një Shqipëtar si kur të mbetet, nuku do tu lerë të qetë, rroftë Mbreti i Shqipërisë. Pa mbaruar këtë fjalë, dor’e katilit i rra me thikë në zverk dhe i mjeri djalë u shtri për dhe me fjalët rroftë Mbreti…!
Shqipëtarët të cilët qenë përndarë dhe nuku mbanin më kufi, si mësuan këtë ngjarje, u mblodhë të gjithë sa qenë në Vendresh dhe vendosnë që të bënin një ofensive për të fundit herë. Qe dit e Martë më ora 12. Shqipëtarët ju sulë Qafës Vendresht, ku mprohej prej 300 andarësh. Dyfeku zuri i reptë nga të dy anët. Shqipëtarët u sulë verbasi mbi ta, sa i shtrënguan andarët të linin vëndet dhe i ndoqnë gjer në Qafë Kajcës. Dyfeku zuri me tërë vijën, andarët të gjithë u thyen dhe zunë atë natë Këlcyrën. Kur mësoj Kumandar’i Përmetit ofensivën e Shqipëtarëve, u ngrit nga Përmeti me ushtrinë e tij dhe ardhi në Këlcyrë dhe atë mbrëma, vendosmë që të nesërmen t’u bënin ofensivë Shqipëtarëve.
Më të nesërmen shpunë të dy topat mbi Topojan dhe dhanë urdhër që të bombardonin Qafën e Kajcës pa reshtur dyfeku, u ndes me tërë vijën. Shqipëtarët u shtrënguan të hiqen dhe andarët’ po vinin të zinin vendet, që kishin më parë. Fëmija e falur kishin marrë pyllet, të cilët u therë e tërë fëmija prej andarëve. Këtë radhë i dhanë funt andarët Toskërisë, se vanë gjer në ujët e zi dhe dogjë të gjithë fshatërat që qenë rotull, zunë 180 fënijë në lumë të Skraparit dhe i therë. Guverna Greke me rastin e luftës Evropiane që krisi, dërgoj ushtrinë e regullshme në Ipirë, që të siltej qetësinë…!
Me të ardhur ushtëria e regullshme nënë kumandën të Z. Populla, mblodhi andarët u mori armët dhe i dërgoj nëpër shtëpira….! Shqipëtarët! U dogjnë, u thernë, u ç’nderuan, u shkatëruan, nga ç’kak? Nga mos bashkimi ynë. Fanatisma e fesë na i solli të gjitha këto mjerime. Lutem pra Zotit, që këto pësime të na bënen mësime dhe të gjithë tok si vëllesër me një mëndje me një shpirt, të përpiqemi për lumturinë e atdheut tonë. Poshtë fanatisma e fesë. Rofshin liberalët…! Memorie.al
Edhe mos shikoni Kisha Zhamia
Fe e Shqipëtarit ashtë Shqipëtarnia. (V.P.)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016