Nga Ahmet Bushati
Pjesa e pestë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Po vetë komunizmi, s’kishte kenë deri atëherë për Shkodrën?
Asgja dhe asnjiherë nuk e kishte lidhë dhe as afrue sadopak Shkodrën me komunizmin. Kemi kenë fëmijë të shkollave fillore – koha e Zogut – kur kishim ndigjue prej ma të rritunve, se diku larg, shumë larg, ndodhej nji vend që quhej Rusi e, që për të parë të vet kishte nji njeri me emnin Stalin, i cili, si i barabartë që thuhej se ishte me të gjithë të tjerët, deri edhe tokën e tij e punonte vetë me parmendë. Por ne edhe pse aq të vegjël, do të tronditeshim vërtetë kur në vazhdim të ndigjojshim se ata njerëz atje, nuk po e merrshin për atdhe vendin e tyne si na Shqipninë, që sapo na e kishte mësue shkolla, se atje gjithashtu nuk kishte fe dhe as familje, e se vllau mund të merrte për grue edhe të motrën. I tillë, për nga forma e përmbajtja, duhet të ketë kenë mesazhi i zi i komunizmit, jo vetëm për ne fëmijët, por edhe për masën e pazhvillueme të kohës, dhe tue përjashtue nji numër të papërfillshëm studentësh idealistë e naivë, shumë ma i zi do të ishte për intelektualët e vërtetë të asaj kohe.
Duhet të ketë kenë ajo kohë kur në Shkodër sa kishin fillue të shkelshin idete iluzore të komunizmit, të cilat edhe pse të sjella prej intelektualit shkodran Zef Mala, si dhe prej nji profesori aq të respektuem, siç ishte Skënder Luarasi, e edhe pse për ithtarë të parë të kishin pasë studentë seriozë si Qemal Stafën, Emin Durakun e të tjerë si ata, e po ashtu edhe nji konvikt të “Maleve Tona”, si kontigjenti ma i ndjeshëm që ato ide të reja e revolucionare, si vetë mosha e shpirti i tij i zjarrtë, t’i thithte bashkë me ajrin.
Shkodra nga ana e saj, nuk do t’i jepte komunizmit atëherë e askurr prestigj intelektual dhe as bazë masive. Për rrjedhojë, gjatë periudhës së pushtimit të vendit, populli lirdashës e përgjithësisht anti-fashist i Shkodrës, edhe pse luftën ta kishte pranue në nji mënyrë të tij e aktet e saj t’i kishte ndjekë me simpati, për rezervat që kishte ndaj saj, do të vazhdonte të qëndronte si në kapërcyell mes nxitjes për luftë e frikës së komunizmit, aq sa Nacional-Çlirimtares, në kulmin e suksesit të saj, korrik 1943, Shkodra me rrethe nuk do t’i jepshin veç nji efektiv prej vetëm 96 partizanësh, ndoshta ma pak nga ç’duhet të kishte nxjerrë në atë kohë, cilido fshat i Shqipnisë së jugut, që për fatin ma të keq të vendit, ata, pa kenë mendue si duhej, do të shkrijshin në nji gja çlirimin me komunizmin, tue i pasë sjellë mbrapa Shqipnisë atë gjamë që mbrapa do ta vuejshim së bashku.
Gati pesëdhetë vjet nën komunizëm, Shkodra, në nji mënyrë a në nji tjetër, do ta kundërshtonte atë, tue pasë përsëritë pa ndërpremie ato veçori morale të saj, me të cilat ajo, si nji fill i vetëm, do të përshkonte situata me furtuna e rreziqe të mëdha. Partizanët e Shkodrës parakalojnë në triumf.
Kur largimi i gjermanëve prej Shkodrës ishte nji gja e sigurtë për të gjithë gytetarët, partizanët e grumbulluem pjesërisht nji natë ma parë e pjesërisht atë mëngjes, në nji zonë afër qytetit, u nisën drejt Shkodrës. Deri te ish-godina e Postë-Telegrafës ata erdhën tue këndue kangë partizane, ku edhe ndaluen për t’u rregullue për parakalimin e tyne triumphal, para popullit të tyne. Tue përfitue prej asaj ndalesë të shkurtë të partizanëve, mësuesi Rrok Zojzi, u ngjit mbi shkallët e jashtme të godinës në fjalë dhe pikërisht nga podiumi i tyne i vogël, i përgëzoi me pak fjalë të thjeshta ata partizanë si “çlirimtarë” të vendit.
Parakalimi mori drejtimin për kah Bashkia e Prefektura. Formacioneve partizane u printe nji partizan me flamur të ngrijtun nalt, i ndjekun prej nji kori të vogël partizanësh që ecshin tue këndue. Mbas tyne vinte treshja e komandës me majorët, Sadik Bekteshin në mes dhe Rexhep Hakën e Qazim Kapisyzin anash tij. Në krye të disa grupeve partizane, do të shikojshim në vazhdim persona të tjerë të luftës, si ish-profesorin tonë, Mark Ndojën, e me radhë, Gjovalin Lukën, Muntaz Shehun, Frano Jakovën, Çiril Pistolin etj.
Populli, i vendosun qysh ma parë në të dy anët e rrugës në pritje të tyne, shtye ma shumë prej kureshtjes për të pa “ata të malit” – siç ishin quejtë nganjiherë partizanët gjatë luftës – i brohoriti me nji ndjenjë të përmbajtun simpatie dhe jo me entuziazmin që zakonisht meritojnë çlirimtarët e nji vendi, sepse “Mukja”, “vëllavrasja”, “braktisja e Kosovës”, “lidhja me jugosllavët” dhe emnat Dushan e Miladin, aq të përfolun qysh para nji vjeti, kishin zbehë mjaft imazhin e Luftës e besimin në të, e kjo, jo vetëm te nji masë e gjanë populli, po edhe ndër shumë aktivistë e simpatizantë të saj, të deri para nji viti! Kështu që ajo ditë fitoreje e çlirimi, mbas ma shumë se pesë vjet robni, nuk pat asgja nga madhështia e pritun.
Tue fillue q’prej asaj dite, flamuri i jonë, që në shekuj kishte simbolizue historinë dhe identitetin tonë, do t’u përdhoste me nji “yll” të ngulun mbi të, shumë ma keq se “sopata e Liktorit” italian e pak vjetve ma parë, flamur ky, që për katërdhetështatë vjet me radhë, nuk do të simbolizonte asnjiherë lirinë, sovranitetin e krenarinë e nji populli, por atë të dhunës e poshtnimit të tij.
Për pak analogji, rreth nji shekull ma parë nga ajo kohë e pikërisht në vitin 1848, kur puntorët e Parisit të revoltuem prej mizerjes së thellë ku kishin qenë zhytë, ngrijten flamurin e kuq në sheshin kryesor të qytetit, shkrimtari e poeti Lamartin, që në atë kohë ishte edhe anëtar i “qeverisë së përkohshme”, do t’iu drejtonte turmave të zemrueme me këto fjalë: “Do të jetë ma mirë të ngrejmë flamurin e zi, me të cilin të tregojmë se Franca mbaroi, se sa këtë të kuqin, që simbolizon kaosin e vetëvrasjen”.
Janë per t’u shënue edhe shpalljet e shumta të atyne ditëve, që tue fillue qysh në të nesërmen e asaj dite të çlirimit, do t’u afishojshin në pika të dukshme të qytetit, rreth të cilave do t’u mblidhshin qytetarët për t’i lexue sa nga kureshtja, aq edhe nga nevoja për t’u njohë me kërkesat e nji realitetit të ri. E para shpallje do të ishte ajo me nënshkrimin e kolonel Gjin Markut, e cila ftonte qytetarët që të mbajshin rregull e qetësi e, t’mos qitshin me armë.
Brigadë mbas brigadash partizane, mbrrijnë përditë në Shkodër!
Brigada mbas brigadash me partizanë e partizane, të lodhun e të raskapitun prej rrugëtimeve të gjata të tyne, por krenarë dhe entuziastë për luftën e kauzën e saj, po vijshin përditë në Shkodër. Ma të shumtët prej tyne, mbas nji pushimi të shkurtë në qytetin tonë, do të vazhdojshin rrugën për në Jugosllavi, në ndihmë të gjoja “vëllazënve” të tyne të nji ideali, kurse nji pjesë tjetër, të qëndronte këtu në Shkodër e në zonën përreth, deri thellë në Malci e Dukagjin, për të shtrue e vra me terrorr vëllaznit e tyne të vërtetë, por që simbas tyne, qyshë atëherë reaksionarë.
Lufta kishte lanë mbrapa shumë pengesa e vështirësi si për partizanët, ashtu edhe për popullatën. Urat që lidhshin Shkodrën me katundet ishin shembë, e kalimi i lumejve u bante me trap. Dimni n’anë tjetër ishte shumë i ashpër dhe bora-borën po e zinte herë mbas here. “Këshillat e Lagjeve”, vetëm me nji punë u merrshin ndër ato ditë: me shpërndamjen e partizanëve ndër shtëpija qytetarësh, të atyne partizanëve, të cilët me vete sillshin të tmerrshmit “morra të kuq”, e për pasojë, edhe sëmundjen e tyne vdekjepruse, të quejtun “tifo e morrit të kuq”, morra e sëmundje, që në Shkodër po u ndigjojshin për herë të parë.
Gratë e atyne shtëpive, ndër të cilat nji natë ma parë kishin bujtë partizanë, të nesërmen qysh herët në mëngjes, do t’u merrshin me lamjen mirë e mirë të çarçafave mbi të cilët ata partizanë kishin fjetë, dhe për çudinë e tyne ma të madhe, do të ndodhte shpeshherë, që edhe mbasi ata çarçafë t’i kishin futë në “fì” – hí me uj të vluem – e t’i kishin “rrahë” me “pirajkë”-mjet i vogël drrase – sipër do rrasave guri të ngrijtuna pranë lugjeve, gjithashtu të gurtë, prapseprapë, jo të gjithë morrat do të kishin ngordhë. Dhe kur gratë e shtëpisë të kishin nde ata çarçafë të bardhë si bora mbi “telat” në oborr, do të shikojshin si me frikë e çudi, se si përsëri do të kishte morra të gjallë, të cilët, mbasi të kishin kapërcye me sukses të gjitha format e shfarosjes se tyne, si për ironi, të vazhdojshin me lëvizë gjallnisht e, t’u dukshin edhe ma të kuq se përpara.
Pamvarësisht të ftoftit, borës që binte pa pushim, morrave të kuq, apo edhe të zez po t’ishin, ushqimit të pakët, kushteve dosido të fjetjes etj., etj., vështirësive të kohës, ata partizanë të ardhun përgjithësisht prej Jugut, nuk dojshin t’ia dijshin për asgja dhe për ma tepër, me t’u ba dy a ma shumë bashkë, do t’ia nisshin menjihëre me këndue kangë partizane e sidomos njenën që e mbajshin si kanga e ditës, e që fillonte me vargun “mallëngjyes” për shkodranët: “Lule Sofo, lule djalë”, kangë që gjatë shumë vjetëve, do t’u imitonte me ironi jo vetëm prej qytetarëve shkodranë, po edhe prej të rinjve katundarë e malcorë tonë.
Mbas kangës së “Sofos”, si nji ndër ma të ndigjuemet, do të ishte edhe ajo që fillonte me strofen: “Bijt e Stalinit jemi ne, që derdhim gjakun anë e m’anë, sa të rrojë përmbi dhe, flamuri drapër e çekan”! Qysh gjatë Luftës e sidomos mbas Mukjes, idetë komuniste kishin pushtue deri në çmendi nji pjesë të mirë të Jugut tonë, aq sa idhtarët e tyne t’i kishin mbushë mendjen vetes, se si të caktuem prej fatit, ishin pikërisht ata që do t’ia ndërrojshin me dhunë fytyrën nji bote të mbushun me padrejtësi.
Indoktrinimi komunist e për pasojë, besimi i verbët i tyne në vëllaznimin me jugosllavët, ishin ngulitë aq thellë në ndërgjegjet e tyne, sa në kundërshtim me traditat ma fisnike shqiptare, ata, si të kishin futë shumë ligësi në shpirtënt e tyne, do të vritshin pa mëshirë e dhimbje shumë vëllazën atje ndër anët e tyne, e kur mbrapa të vijshin në Shkodër, s’do ta kishin për his gja që të improvizojshin skena të tipit sllav, nga ma makabret.
Ndoshta partizanet, si femna që ishin, tërhiqshin ma fort vërejtjen e qytetarëve. Përgjithësisht ato vijshin prej katundeve të jugut e, si të tilla, ato u kuptojshin shpeshherë gjatë parakalimeve të tyne nëpër rrugët e qendrës së Shkodrës, raste këto kur ato do të lejshin përshtypjen se prej emocionit, nuk arrijshin me kontrollue si duhej nji ecje të tyne të mundimshme, ecje si me kambë të huaja. Po prej emocionit, edhe vështrimet e tyne do të ishin si të ngrime e të shpërqendrueme, e kur t’u vërejshe edhe rrobat ushtarake, me të cilat ato ishin mbështjellë, shpesh herë të gjana e të zhubrosuna, në moment do të të ngjallshin nji ndjenjë mëshire, sepse do t’u dukte sikur qenësia e vajznisë së tyne, t’ishte mohue brutalisht nga ata qe kishin spekulue mbi to.
Por ditët do të kalojshin, e na do të kuptojshim me vonesë se ato vajza të reja, ma së shumti nga Labëria “trime”, s’po na ishin aspak të ndrojtuna dhe as të buta, se edhe ato si shumica e partizanëve mashkuj, ashtu të pa arsimume siç ishin në përgjithësi, por gjoja me idena të mëdha ndër tru, s’po kishin pasë nevojë për asnji dobësi tonën, sepse për shumë urrejtje që kishin futë në shpirt për kundërshtarët e tyne, ato disa herë do të tregoheshin edhe ma agresive e të pa përmbajtuna, se shokët e tyne mashkuj!
Maç Luca, njeni prej të rijve të ngujuem në shpellë me Prek Calin, vite ma vonë, do të na tregonte në burg, se si nji partizane prej fshatrave greke të Gjinokastrës me emrin Kristinë, mbasi e kishte pasë Maçin e lidhun e të kthyem përmbys, ia kishte pasë dërmue brijët me shqelma e, si për të shfry edhe ma shumë urrejtjen që i kishte pasë vlue përmrenda, s’kishte pasë pushue tue e thirrë Maçin, here “derr” e, herë “reaksionar i poshtër”!
Si i rrahun që kishte kenë Maçi prej nji femne, na do ta ngacmojshim atë disa herë, tue i pasë thanë: “Maç, na difto edhe nji herë si të rrihte Kristina”, dhe Maçi, tashma për humor, por tue marrë pozën e nji njeriu që gjoja vuente teksa kujtonte me mundim nji ngjarje që kishte kenë edhe poshtëruese për të, si mashkull e nji malcor që ishte, si të ofshante thellë nji herë, do të fillonte gjithmonë me fjalët: “Ah, me e dijtë ju se çka m’ka ba mue Kristina”?! E kur ta mbyllte tregimin tue tundë me seriozitet disa herë kryet, dhe ende pa e hekë shikimin prej poshtë, do të ofshante përsëri si gjoja prej thellë shpirtit, tue thirrë: “Oh Kristinëe, Kristinë”! E na mbrapa, të qeshnim e të qeshnim, si duhet të dishronte edhe vetë Maçi.
Komunistët Shkodranë, po ndryshojshin si me komandë!
Tue përjashtue partizanët që vazhdojshin me manifestue krenari e entuziazëm për luftën e fitoren e arrijtun, nji pjesë e mirë e popullit, si të kishte shue shumë shpejt kureshtjen për ta, do të binte në nji gjendje që u lëkundte diku mes dyshimit e simpatisë së “pezullueme”, sepse simbas tij, qysh në ato ditë të para, në horizontin shgiptar kishin nisë t’u shfaqshin re, që ndillshin stuhi!
Komunistët shkodranë gjatë luftës, ishin pasë tregue mjaft aktivë e të vendosun dhe sidoqë partia e tyne, – sidomos mbas Mukjes – kërkonte t’u fuste shumë helm në shpirtnat e tyne lidhun me kundërshtarët politike, të konsideruem qysh atëhere anmiq, duhet thanë se ata, falë traditës së fortë të qytetit të tyne, u përmbajtën disi e në nji farë mënyret, nuk qenë shkëputë krejt nga lidhjet e detyrimet e tyne bashkëqytetare, tue u pasë kufizue në përdorimin me arrogancë të aksiomës së tyne të njohun “kush s’asht me ne, asht fashist” e nji ironizimi, deri edhe me emna, të disa prej kundërshtarëve të tyne ma të spikatun.
“Sidoqoftë, qysh në ditët e para mbas çlirimit, do të të binte në sy nji ndryshim i menjihershëm në qëndrimin e tyne, kur ata të ulshin kryet para çdo autoriteti të ardhun prej jugut, me arsyetimin se; “ishin ata që përgjithsisht kishin ba luftën”. Nuk do të kishin kurajë e as t’u shqetësojshin, nëse pushteti i tyne nuk do t’u besonte e as t’i trajtonte si të barabartë me ta, dhe nuk do t’u lëndojshin sadopak në ndjenjën e tyne të dinjitetit të vramë e të krenarisë qytetare, as kur ta shifshin veten sekondarë në vendin e tyne.
Qëndrim përulës e servil ata do të mbajshin edhe para jugosllavëve, kur këta të fundit do të rjepshin pa kufizim e falemnderës ekonominë e shëndoshë të qytetit të tyne. Kësisoj, komunistët shkodranë, tue kalue nga nji ditë në tjetrën, po humbshin gjithnji e ma tepër cilësitë e mira personale që mund të kishin pasë, po këputshin pa dhimbje e kokëçamje lidhjet e tyne me popull, në gji të të cilit ishin rritë, me luftën gjithashtu, që sapo kishte mbarue e me frymën që ajo kishte pasë, tue u kthye kështu gjithnji e ma tepër në nji brumë amorf në duart e tiranit Enver Hoxha, udhëheqës i tyne.
Shumica e tyne, ndoshta për faktin se lejshin shumë për të dishrue në drejtim të formimit të tyne personal, po përjetojshin deri në ekzaltim delirin e fitores, pa mohue raste që mes tyne të ketë pasë edhe ndonji që në heshtje, ta ketë vuejte mospajtimin e idealeve të tij të luftës me nji realitet të kundërt që kishte gjenerue ajo. E vërteta për të gjithë këta komunistë, ka qenë se ata nga bindja apo edhe nga frika e interesat, qenë nënshtrue nji herë e përgjithmonë, se në harkun e nji kohe të shkurtë, ata patën braktisë çdo andërr e fisnikri gë i kishte pase frymezue dikur, aq sa t’mos provojshin as keqardhje në se në krye të tre-katër vjetëve, ta shikojshin veten pa asnji prej ish udhëheqësve të tyne të respektuem, me emrat e të cilëve ata kishin kenë mburrë e pas ideal të ditëve të tyne të luftës.
Asht pikërisht ajo kohë, qe jo vetëm shënon katandisjen e tyne në indiferente ndaj dramës së vendit, por që simbas parimit “sejcili për vedi” e tue mohue çdo koncept moral që të kishin pasë ma parë, ata do të shndrroheshin nji herë e përgjihmonë në konformistë, në vegla të verbëta e servilë të nji regjimi që popullit të tyne do t’i mohonte me dhunë çdo liri, të drejtë e aspiratë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016