Nga Marçel Hila
Memorie.al/ Të zhdukur: Gjelosh Luli, Llesh Marashi. Gjelosh Luli ishte nip i Ded Gjò Lulit dhe i martuar me motrën e Kol Bibë Mirakës, duke u bërë një autoritet i padiskutueshëm në dy krahina të mëdha të Veriut të Shqipërisë. Idealist për çështjen kombëtare dhe antikomunist i bindur, ai ishte njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Malësisë së Madhe që mobilizoi mijëra burra për mbrojtjen e Veriut. Gjelosh Luli ishte njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, ku dhe u plagos rëndë. Në përpjekjet për t’a shpëtuar, diku, njëri nga shoqëruesit e mbyti, i rrëmbeu florinjtë që kish, i shkuli edhe dhëmbët dhe e groposi. Komunistët që kishin muaj të tërë në ndjekje të tij, kur morën vesh ngjarjen, shkuan e zhgroposën, i prenë kokën, i’a ngulën në një hu dhe i’a shëtitën në mes të qytetit të Shkodrës, duke mbjellë terror mbi njerëzit. Ende sot nuk dihet se ku përfundoi koka e Gjelosh Lulit.
Llesh Marashi – njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Malësisë së Madhe për luftë kundër fashizmit dhe për mbrojtjen e Veriut, gjithashtu luftëtar kundër komunistëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe. U kap nga partizanët në periudhën qershor-korrik të vitit 1946. I shoqëruar nga dy oficerë dhe disa partizanë, u ekzekutua me varje në mes të Shkodrës.
Dëshmon Fran Xhanaj, 91 vjeç, për luftëtarët Gjelosh Luli, daja i të atit, dhe Llesh Marashi, nuni i tij. Ku është koka e Gjelosh Lulit?
Të gjithë këta patriotë u përpoqën me të gjitha mundësitë për të bashkëpunuar me komunistët, derisa u bë lufta e Reçit, në gusht 1943. Këtu morën pjesë nga të parët Llesh Marashi, kurse Jup Kazazi ka hyrë me forcat e veta kundër fashizmit. Populli duhet ta dijë këtë të vërtetë!
Quhem Fran Xhanaj dhe jam nga Malësia e Madhe, ditëlindja 1929. Më 1940-ën, 11 vjeç, jam regjistruar në shkollë, por pas 3 muajsh u largova nga Malësia e Madhe për në Shkodër. Jam rritur me Llesh Marashin, Niko Prekën, Gjelosh Lulin. Llesh Marashin e kam pasur nun, Niko Prekën dajë, Gjelosh Lulin dajën e babës. Gjeloshi ishte i lidhur me familjen e Kol Bibë Mirakës.
Të gjithë këta patriotë u përpoqën me të gjitha mundësitë për të bashkëpunuar me komunistët, derisa u bë lufta e Reçit, në gusht 1943. Këtu morën pjesë nga të parët Llesh Marashi, kurse Jup Kazazi ka hyrë me forcat e veta kundër fashizmit. Populli duhet ta dijë këtë të vërtetë! Tuk Jakova e Qamil Gavoçi, që drejtonin partizanët e që ishin ilegalë, në luginën mbi Rrjoll e në Doç të Reçit, kërkuan të bënin një batalion të përbashkët kundër fashizmit.
U organizua batalioni nën drejtimin e këtyre që thashë, duke marrë pjesë major Llesh Marashi, major Mul Delia, Ded Nikolla i Dodës dhe Tuk Jakova e Qamil Gavoçi për Partinë Komuniste. Batalioni u quajt batalioni i Lidhjes i Malësisë së Madhe. Këtë nuk e diskuton kurrkush sot, por njerëzit kanë lënë eshtrat aty… dhe vazhdoi kjo punë, që të mos drejtoheshin nga Ushtria e Kuqe, mirëpo këtu ndërhynin Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, me urdhra nga serbi e nga Moska.
Këta burra, këta patriotë, kanë vazhduar kështu, derisa është bërë Mbledhja e Dytë e Labinotit…! Këta organizuan edhe batalionin e Shkrelit, për të cilin ndihmuan shumë kryemyftiu i Shkodrës, Jup Kazazi, Gjon Markagjonaj, Ded Mirakaj. Batalioni i Shkrelit u organizua vetëm për kryengritjen e Malësisë së Madhe.
Por çfarë ndodhi më 25-26 janar të vitit 1945? Komunistët na sulmuan 3 ditë më parë, më 23, mandej burrat u detyruan e dolën në mal. Sigurisht, erdhën dhe në shtëpinë tonë, se i kisha të mitë, dhe ne shqiptarët, në atë kohë, e kemi pasur traditë që kur të vjen tjetri në shtëpi dhe i ke hapur derën, ti e ke pranuar si njeriun tënd. Kjo vazhdoi deri më 18 qershor, kur forcat partizane i eliminuan.
Por që ta dinë njerëzit, kur ka përfunduar Kryengritja e Malësisë së Madhe, tek Ura e Rrjollit, ka dalë grupi i Lleshit bashkë me Llesh Dedën. Lleshi me shoqëruesin e vet, Gjelosh Luli me shoqëruesin e vet, Mirash Zogajn, Idriz Dashi komandant. Daja im, që ishte kryetar në atë kohë, bashkë me shoqëruesin e tij e me babën tim, kanë dalë dhe janë futur në lisa. Në këtë kohë, kolonel Zoi Themeli u fut vetë tok me shtabin në kishën e Shkrelit. Nik Pribeti, kur pa se ishin futur të gjithë “reaksionarët” e zonës së Veriut në katund të vet, çohet në 12.00 të natës, shkon në mes të dëborës, (bora rreth 30 centimetra), dhe shtie pesë herë me pushkë.
Njerëzit dolën zbathur jashtë. Morën pushkët dhe dolën në Razëm; 500 metra i kanë prij bajraktari dhe babai im që e dinin rrugën për të dalë në Shpellën e Dragoit. Pasi dolën në Qafë të Bilalit, i kanë mbajtur në krahë. Aty i kemi mbajtur nja dy a tre muaj në shpellë. Ishte fatkeqësi e madhe, se komunistët ishin e keqja e shqiptarëve. Shpartallimi i ushtrisë italiane la armët në Shqipëri dhe gjithfarësoj u armatosën dhe dolën me parullën “Vdekje fashizmit!”. Por e kanë ndryshuar historinë…!
E kemi marrë Gjelosh Lulin me barelë në krah, prej Shpellës së Dragoit, bashkë me Pjetër Prekën. Ka qenë dhe e shoqja, Gjelina, e motra e Gjelosh Lulit. Me rojë para e mbrapa e kemi çuar prej aty, duke na ndihmuar edhe Mark Leku i Hotit. Nikollë Prela i ka çuar te Mark Gjeloshi i Bardhajve. Aty nuk mundën të rrinin shumë, se Marku me burra dhe Lezja me gra, ishin në dorën e Sigurimit. Pastaj i kanë çuar te Mirajt e Dedukajt, si me thënë, te Kolë Miri e Mark Miri, ku kanë qëndruar deri në mars 1946.
Në vitin 1946, Boje Stokoviçi me Toger Babën, u ranë njëherësh dhe i kapën ata burra, të dy vëllezërit: Markun e lidhën në një trung, Kolën e zhveshën, e futën mes dy zjarreve. Më në fund, bënë çmos dhe e hoqën prej shpellës, se shpella ishte në vend pa pyll. Ishte shumë e zorshme, se duhej të mbahej në krahë barela. E kanë çuar në katund të Kastratit, ku e kanë lënë bashkë me Mirash Gjokën, me shoqëruesin e me një tjetër, e di tërë Malësia e Madhe, nuk kam qejf t’i vë emrin. Kam vendosur të them të vërtetën, për të madhin Zot, u humbtë gjaku!
Ka dalë edhe probatin Marash Doda. Marash Doda e ka shtëpinë në kufi me Shkrelin, në pyje, në një zonë të përshtatshme. Atje, kur janë ulur, ky shoku e ka mbytur, i ka marrë napolonat e arit që i ka pasur në ushkur të tutave, i ka marrë dhe sahatin, e ka ikur nga mali.
Kujt?
Gjelosh Lulit!
A s’e ka mbytur ai, Toger Baba?
Jo, mor’ zotni, jo! Nuk shkruhet historia kështu; jam shumë i revoltuar që e kanë shtrembëruar. Ta them unë, një për një, e ballafaqohem me çdo shqiptar!
Po kokën si i’a kanë prerë, pasi ka vdekur?
Ta diktoj unë. Kur është ulur Mirash Gjoka me këta burra dhe e morën në krah për ta çuar te Marash Doda, e kanë gjetur të vdekur dhe e kanë varrosur po aty. Ai personi ka pritur sa të çelej drita, është ulur në Shkodër, rrugës së Reçit. U ul te dentisti rrugës të Reçit, për të vënë dhëmbët e tij në gojë. Dentisti i ka parë që ishin dhëmbë të hequr me forcë dhe duke menduar se ky i kishte marrë në varreza, ka njoftuar policinë, e cila e ka arrestuar në vend, te dentisti. Ballafaqohem me çdo njeri!
Në atë mbrëmje që e kanë arrestuar, po atë mbrëmje kanë dalë dhe e kanë zhvarrosur Gjeloshin. I kanë marrë kryet, kurse trupin e kanë varrosur po aty. Kryet i’a kanë shëtitur me një makinë rrangallë nëpër Shkodër. Kur erdhi demokracia, ka dalë Dedë Miri në televizion: “Kush më gjen eshtrat e Gjelosh Lulit”? E kam thirrur Kolë Lulin, se e ka shtëpinë mbi ne, dhe i kam thënë “shko te filani”. Kanë shkuar, i’a kanë marrë kockat dhe i kemi çuar te Kisha Katolike në Shkodër.
Po kryet, nuk u gjetën kurrë?
E di gjithë Malësia e Madhe, se ka bërë burg burri i botës, por vjen koha që e shtrembërojnë këtë histori kaq të tmerrshme, këtë krim kaq çnjerëzor. Kush e ka vrarë? Nuk kam qejf të hyj në këto punë, por e di e gjithë Malësia e Madhe. Unë kërkoj që komunistët të deklarojnë që kanë bërë gabim, të kërkojnë falje… Siç e thashë, ne e kemi marrë grupin e Llesh Marashit, e kemi hequr prej Shpellës së Dragoit, në atë kohë që zona kontrollohej nga toger Baba e Zoi Themeli, me batalionin sulmues.
Shkreli ishte i rrethuar komplet, ditë e natë. Shikonin gjithë lëvizjet që bënim, kështu që meshkujt nuk lëviznin dot asnjë hap. Ne përcaktonim vendin ku do t’ua linim ushqimin, po atë e çonin gratë. Në atë kohë gratë vishnin xhubleta dhe nën to fusnin ushqimet. Ashtu ua çonin bukën. Ne meshkujt, në asnjë mënyrë, jo, se Shkreli ishte bërë shtetrrethim. Zoi Themeli e Toger Baba, me njerëzit e tyre, kishin shënuar të tërë emrat e familjeve që kishin lidhje me kryengritësit. Miqtë tanë na porositën: “Mos dilni natën jashtë, në errësirë, se do ju vrasin”! Llesh Marashin e kapën me të pabesë. Trupat luftuan tre sahat e s’mundën dot të afroheshin. U thanë: “Dorëzohuni! Për besë të Krishtit jeni të falur!”
Rroku me Lleshin e me Pjetër Bajraktarin e pleqëruan të mos binin të gjallë në duar të komunistëve. Rroku nxori pistoletën për t’i rënë vetes, por i’a largoi Lleshi, se ne katolikët e kemi për gjynah të vrasësh veten. Atëherë morën vendim të vrisnin njëri-tjetrin, për të mos u dorëzuar. Mirëpo Zoi Themeli lidhi 6 burra dorë për dore me kryq të Krishtit dhe i çoi te shpella. Atje u thanë se këta 6 burra të lidhur – ua thanë edhe emrat e tyre – do të pushkatohen për ju nëse ju nuk dorëzoheni, por, nëse ju dorëzoheni, do t’ju falim.
Pikërisht për këtë punë, ata u dorëzuan. Sa u dorëzua grupi i Llesh Marashit, u vunë hekurat, i rrahën, i hipën në një makinë rrangallë, në një makinë plehrash. I çuan në Koplik, ku populli i organizuar, dilte nëpër rrugica duke bërtitur…! Ditën që është vrarë Llesh Marashi, në korrik 1946, kam qenë atje. E prunë me duar të lidhura dhe e vunë përpara trekëmbëshit. Zoi Themeli, komandant gjoja i Mbrojtjes Popullore, u çua dhe tha: “Shokë e shoqe të Shkodrës dhe të rretheve, sot kemi sjellë armikun më të rrezikshëm të zonës së Veriut, që ka qenë kundër popullit dhe Partisë. Të tjerë janë arrestuar e janë nëpër burgje”.
I tha Lleshit: “Kërkoji falje popullit”! Dy oficerë që i qëndronin pranë e kapën për krahu për t’a hipur në një si shkallë, sajuar me arka municionesh që mbajnë fishekë, një e madhe dhe një e vogël mbi të. “Lërmëni, se hipi vetë”! – u tha Lleshi. “Zonja e zotërinj, jam betuar përpara popullit t’i shërbej atdheut e popullit. Këta që më dënojnë mua, janë lidhur me të huaj, kanë ardhur me flamur të tjetërkujt. Na rroftë Shqipnija” – e më pas i lidhën lakun në qafë.
A mund të na thoni shkurtimisht nëse dini gjë edhe për Prek Calin?
Në fillim janar të 1945-ës, Lleshi dhe Nikolla u takuan me Prek Calin dhe i kërkuan të mos merrte pjesë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, më 26 janar, me qëllim që tok me luftëtarët e tij të siguronin kufirin në zonën me Malin e Zi, që partizanët të mos futeshin që andej. Pikërisht për këtë punë, Prek Cali qëndroi, që të siguronte vendin që andej.
Partizanët hynë, se mashtroi burri i botës…! Morën një prej Dedej e një prej Boge dhe këta u kanë prirë prej Bogës në Qafë të Thores, andej prej maleve janë futur në Kelmend, se Prek Calit nuk i shkonte në mend ajo punë…! Partizanët janë futur pa ditur gjë njeri; e bëri tradhtia e këtyre, e di gjithë Malësia e Madhe; Prek Cali ishte me rojat e veta.
Po Mehmet Shehu, nga kaloi?
Mehmet Shehu doli në Rrapsh; 15 ditë kanë gjuajtur me mortaja dhe nuk bënë dot gjë, atëherë morën masa edhe nga Mali i Zi, edhe këtej nga Boga në Bjeshkë, e në Kelmend. Nuk i shkonte mendja kujt.
Nuk i pa popullsia forcat e armatosura që po hynin?
Jo! Mashtruan! Thanë se do të shkonin në Dukagjin. Unë i kam parë vetë personat që do t’i drejtonin për t’i çuar në Dukagjin. Kur ranë nga Bjeshkët e hynë në Kelmend, erdhi lufta brenda; kelmendasit hynë në shpella. Prek Cali ishte në shpellë dhe luftonin që andej, derisa u mor Kelmendi.
A vrau kënd Mehmet Shehu kur shkoi te shtëpia e Prek Calit?
Vrau 36 kelmendas. Mos harro, ishin 82 partizanë që lanë kryet, se nuk mund të hynin nga ura e Tamarës; nuk kishin mundësi, as nga ana e Jugosllavisë.
Nga ura e Grabovës, a mund të hynin?
Jo, jo, vetëm një urë ishte. Nga Mali i Zi kanë qenë dy qafa, se nëpër male s’kalonin dot, do të thyenin qafën të tërë, vetëm të kalonin me helikopter. Por u futën në Kelmend…!
Me sa veta hyri Mehmet Shehu?
Brigada I-rë sulmuese, 300 veta. Ka qenë Brigada I-rë, kur u bë Kryengritja e Malësisë së Madhe, tek ura e Rrjollit. S’bënë dot gjë me mortajë, por më pas, dikush ua kallëzoi se nga mund të hynin.
Kolë Maçi…?
I tha: E ke rrugën andej! Me tradhti gjithmonë ne, shqiptarët…! S’kemi mundur dot të drejtojmë. Vetëm Gjergj Kastrioti, po edhe atë e kanë tradhtuar.
Shumë faleminderit për dëshminë tuaj!
Faleminderit edhe ju që po i shkruni këto gjana, t’i dijë populli. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016