Nga Enxhi Beka
Pjesa e parë
-Kolë Kamsi, intelektuali që i kushtoi jetën arsimit dhe kërkimit shkencor –
Memorie.al / Në këtë punim do të hidhet dritë mbi Kolë Kamsin, një intelektual që i ka kushtuar jetën arsimit në Shqipëri, për të cilin pak është shkruar deri më sot. Analiza e figurës së Kolë Kamsit, kryesisht do të zhvillohet përmes analizës krahasimore të burimeve arkivore dhe shkrimeve mediatike e, artikujve të botuar mbi të. I lindur më 23 shtator 1886 në Shkodër, babai i tre fëmijëve, Paolinit, Karlos dhe Terezina Kamsit, me një origjinë shoqërore prej tregtari të vogël dhe me profesion arsimtar, ka dhënë kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare. Personalitet shkencor, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator, fabulist, publicist, redaktor, studiues i shquar i gjuhës shqipe dhe i traditave shoqërore.
Familja Kamsi, nuk është një familje pa ndikim në Shkodër. Prapa këtij mbiemri, fshihet një histori e vjetër e kësaj familjeje dhe me një kontribut të rëndësishëm në aspektin kombëtar. Në fakt, mbiemri Kamsi, lidhet ngushtësisht me Drishtin e Komunës së Postribës. Drishti, ka qenë një ndër qendrat më të zhvilluara që në shekullit XII-të. Kamsi, është mbiemri i njërës prej dy degëve të familjes së sundimtarëve të Drishtit, të Engjëllorëve.
Familja i ka rrënjët te Dhimitër Ejlli, më pas ajo u nda në dy degë, në atë Kamsi dhe Radovani. Me pushtimin e Drishtit dhe fortesës së saj nga osmanët, Engjëllorët u shpërndanë. Një pjesë e tyre merr mbiemrin Kamsi, duke zotëruar fshatrat mes Cukalit e Drishtit dhe kështu shpërndahen në zona të ndryshme të Shkodrës. Kështu nis rrëfimi i historisë Kamsi, nga pinjolli i kësaj familjeje, Karlo Kamsi. “Më tej, – vijon Karlo, – në zonën e Drishtit edhe sot ruhen toponimet që lidhen me emrin e kësaj familjeje, si Guri i Kamxit (Kamsit), Shpella e Kamsit, Kullat e Kamcejve, Dheu i Kamsit, etj.
Interesante është gjithashtu, emrin që ata morën pas shpërbërjes së Engjëllorëve. Njëri prej pjesëtarëve të familjes Kamsi, i quajtur Denk Kamsi, ishte i njohur për të ecurën e tij të shpejtë dhe kështu i mbeti pseudonimi “Kamci”, ose këmbëshpejtë.
Duke iu referuar sërish Karlo Kamsit, bëhet e ditur se në familjen e e tij, ruhen me fanatizëm 16 dokumente, pergamenë, origjinale, që flasin për vjetërsinë e kësaj familjeje. Jo vetëm Arkivi i Shtetit, por edhe Vatikani, ka kërkuar dokumentet që flasin për vjetërsinë e familjes Kamsi. “Përveç pemës familjare gjenealogjike, – rrëfen Karlo Kamsi, – këto dokumente flasin edhe për ekonominë dhe zhvillimin kulturor të zonës, akte juridike të kohës, etj.”!
Një ndër figurat më të shquara të kësaj familjeje, ishte Imzot Pal Kamsi, i cili ka shërbyer si famullitar i Kishës së Zojës së Shkodrës në Tophanë dhe më 25 maj 1742, u caktua nga Papa Benedikti XIV-të, si Ipeshkëv i Shkodrës. Pal Kamsi, gjatë shërbimit të tij në Tivar, u bë i njohur se arriti të bënte për herë të parë regjistrimin në librin e kishës, që ruhet në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Ai drejtoi Dioqezën e Shkodrës për 29 vjet dhe u nda nga jeta më 14 prill 1771, në Kuvendin Françeskan të Kastratit.
Gjon Kamsi është një tjetër figurë mjaft interesante, i cili menjëherë të kujton refuzimin që i bëri Papa Klementit XII-të, më 1739-ën, për të qenë Ipeshkëv i Shkodrës. Jeta që Gjon Kamsi preferonte të bënte, ishte ajo midis njerëzve të thjeshtë. Ai u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare dhe pasurinë e tij, ua la të varfërve. Emra të tjerë nga kjo familje e njohur, ishin Kol Ndoc Kamsi dhe Bep Kamsi, ky i fundit ka shërbyer si përkthyes në konsullatën e Venedikut në Shkodër.
Ëilly Kamsi rrëfen se Gjon Kamsi, babai i tij, ishte një tjetër intelektual i familjes Kamsi. Gjon Kamsi e zhvilloi aktivitetin e tij në Bari të Italisë, ku dhe lindi vetë Ëilly Kamsi. Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar, brenda dhe jashtë vendit si dhe anëtar i gazetarëve të huaj në Itali. Ai ka botuar në revistat e njohura të asaj kohe, si “Posta e Shqypnisë” dhe “Bashkimi i Kombit”. Veç të tjerave, ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta e revista të tjera, ku ndër to dallohet bashkëpunimi pesë vjeçar me prestigjiozen “Hylli i Dritës”.
“Xhaxhai im Kolë Kamsi, – vijon Ëilly Kamsi, – studioi njëlloj si babai im, në fillim në Shkodër e, pastaj në Itali. Ëilly Kamsi vetë kishte punuar në bibliotekën e qytetit të Shkodrës dhe kishte disafishuar numrin e librave të fondit të saj. Pas viteve ’90-të, ai ka shërbyer si i pari ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Vatikan dhe kur ishte kthyer në Shkodër, pas shërbimit të tij diplomatik, kishte përpiluar seritë bibliografike të revistave më të rëndësishme të periudhës para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Ai është përkushtuar për botimin e disa veprave të rëndësishme, siç janë katër vëllimet e plota me bibliografi, të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” (e Konicës), “Shejzet” dhe “Shkëndija” (të Ernest Koliqit), dhe materiale të rëndësishme historike, si; Ditari historik i Shuk Gurakuqit, Kujtimet e Gjon Kamsit dhe studime të tjera me karakter historik. Ëilly Kamsi është marrë me histori, monumente kulture e arkeologji, me gjuhë shqipe, kryesisht me etimologji të toponomastikës historike e, fusha të tjera shkencore.
E parë në këtë këndvështrim, pema gjenealogjike e familjes Kamsi, është një pemë ku spikasin shumë intelektualë. Duke parë këtë ecuri, natyrisht që edhe Kolë Kamsi, do të ishte pjesë e kësaj rrjedhe. Ecuria e tij ishte thuajse e paracaktuar, nëse do të shohim familjen në të cilën ai u rrit. Kolë Kamsi, do të ishte veçse emri i radhës, që do të kontribuonte gjerësisht në fushën e arsimit.
Rrugën drejt dijes, ai e nisi në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, ku dhe mori mësimet e para, duke kryer shkollën fillore dhe atë të mesme, duke marrë kështu edhe diplomën në Shkollën Teknike Tregtare Italiane. Shkollën ‘Normale’, do ta kryente në San Demetrio Corone (Itali) dhe italishtja, do të ishte një ndër gjuhët që ai do të zotëronte më së miri. Këtu do të qëndronte për tre vjet, ku do të mbaronte Shkollën Normale Pedagogjike, më 1907.
Në këtë kolegj, katedra e gjuhës shqipe u themelua nga Jeronim de Rada më 1849 dhe po në këtë institucion arsimor dha mësime në gjuhën shqipe, nga viti 1906, deri më 1909, profesor Aleksandër Xhuvani, si dhe studioi pas vitit 1897, patrioti, politikani dhe intelektuali i shquar shqiptar, Luigj Gurakuqi. Në vitin 1907, pasi kryen studimet, në moshën 21-vjeçare, Kolë Kamsi kthehet në vendin e lindjes, me një devotshmëri dhe përkushtim, për t’i shërbyer atdheut në fushën e arsimit. Po këtë vit emërohet mësues i gjuhës shqipe, në qarkun e Vlorës, qark ky që në këtë periudhë trashëgonte prapambetje të theksuara në fushën e arsimit. Duke u njohur realisht me gjendjen e arsimit në qarkun Vlorë dhe Gjirokastër, Kamsi ndërmerr hapjen e 44 shkollave elementare, për t’u mësuar shqip, fëmijëve të këtyre dy qarqeve.
Pasi ushtron për një kohë të gjatë veprimtarinë e tij si arsimtar për shtatë vjet rresht, në vitin shkollor 1915-1916, emërohet drejtor i shkollës së parë fillore për djem, në prefekturën e Vlorës dhe mësues në këtë shkollë, caktohen Jani Minga, Thoma Papapano dhe Halim Xhelo Tërbaçi. Në këtë periudhë, duke qenë koshient për nivelin e ulët të arsimtarëve që jepnin mësim në shkolla, Kamsi së bashku me Jani Mingën, çelën në Vlorë një kurs afatshkurtër pedagogjik, i cili synonte të ndihmonte mësuesit për përdorimin e metodave didaktike, gjatë mësimdhënies.
Kamsi, krahas drejtimit të shkollave dhe mësimdhënies, filloi një veprimtari intensive, që lidhej me hartimin e teksteve bazë për shkollën fillore ku, përveç abetares që e titulloi “Jeta e re” (1915), prej 72 faqesh, iu përvesh punës dhe brenda katër vjetësh, hartoi tekstin “Mësime përmbi natyrën” (1917), 60 faqe, dhe në vitin 1919, botoi antologjinë me vjersha për shkollën fillore, “Lulet e mendimit”, 52 faqe.
Në këto vite, Kolë Kamsi bëhet anëtar dhe veprimtar i Klubit patriotik “Labëria” dhe shquhet si veprimtar i lëvizjes arsimore e kulturore; “Lidhja e arsimtarëve” në Vlorë, lëvizje kjo e cila e ushtroi aktivitetin e saj, në vitet 1907-1928. Në këto vite, Kolë Kamsi arrin të vërë në skenë dramën “Vdekja e Pirros”, të Mihal Gramenos. Në qarkun e Vlorës, Kamsi e ushtroi veprimtarinë e tij për hapjen dhe drejtimin e shkollave shqip deri më 1920-ën, përgjatë një periudhe 13-vjeçare. Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ai kthehet në Shkodër.
Në vitet 1910-1920, ai ushtronte profesionin e mësuesit në Vlorë. Me urdhër të Ministrisë së Jashtme, ai punoi si mësues i thjeshtë në shkollën italiane në Vlorë. Në vitet 1912-1916, pagesa e tij në Vlorë, ishte 220 fr. ari. Në vitin shkollor 1915-1916, në Vlorë çelet shkolla fillore për djem, drejtor i së cilës emërohet pikërisht Kolë Kamsi. Me urdhër të Prefekturës, emërohet drejtor në shkollën shqipe të Vlorës. Në vitin 1916-1917, pagesa e tij mujore, bazuar në dokumentet arkivore, në pozicionin e drejtorit, ishte 240 fr. ari.
Stafi i mësuesve në këtë shkollë, përbëhej nga emra, si: Jani Minga, Thoma Papapano, Halim Xhelo, etj. Sipas dokumenteve arkivore, në vitet 1917-1920, në pozicionin e mësuesit, Kolë Kamsi merr një pagë prej 220 fr. ari. Në vitet 1920-1926, ishte në po të njëjtën detyrë, por në Shkodër, me po të njëjtën pagesë. Ndërmjet këtyre viteve, ai emërohet mësues në Shkodër, me urdhër të Ministrisë së Arsimit, në Shkollën Françeskane, në vitet 1920-1922. Po ashtu Kamsi, është një ndër delegatët në Kongresin e Dytë Arsimor në Tiranë, kongres ky i cili zhvilloi punimet në godinën e Parlamentit të Parë Shqiptar.
Emocionuese në mbledhjen e parë të punimeve të këtij kongresi, i cili u çel ditën e shtunë, më 22 korrik 1922, ora 10.00, ishte fjala e mbajtur nga ministri i Arsimit i asaj kohe, zotit Rexhep Mitrovica, i cili iu drejtua pjesëmarrësve: “Zotërinj të ndershëm, ndihem shumë i gëzuar që po shoh rreth meje, fuqitë më të vlefshme të arsimit, të mbledhur këtu për të rrahur çështjet që kanë rëndësi të madhe, për zgjimin e popullit tonë dhe për përparimin e kulturës së tij, që mund të fitohen vetëm me anën e shkollave. Me arsim ne, jo vetëm do të sigurojmë lirinë dhe pavarësinë e kombit tonë, por do të përmirësojmë edhe gjendjen e tij ekonomike e shëndetësore, dy pika jo më pak të rëndësishme, se liria dhe pavarësia politike”.
Profesor Kolë Kamsi, së bashku me profesorët Kol Margjini, Thoma Papapano dhe Dhimitër Gjergo, emërohen sekretarë të këtij kongresi, me votim nga pjesëmarrësit dhe profesor Karl Gurakuqi, ngarkohet me shkrimin e raportit, që do shkruhej mbi bazën e proces-verbaleve të mbajtura në kongres, ku Kolë Kamsi, së bashku me profesorët; Xhuvani, Kondo, Pogoni, Beltoja, Gurakuqi, Çekaj, Minga, Bala, Gashi, Babameto dhe Papapano, zgjidhen anëtarë të komisionit prej 12 vetash, si një përfaqësi e pjesëmarrësve nga qarqet e ndryshme të vendit, të cilët do të përgatisnin reformën arsimore, programet dhe tekstet shkollore dhe do të merrnin vendimet, për ecurinë e sistemit arsimor në Shqipëri.
Synimi i këtij kongresi, ishte që të kryhej një reformë arsimore, kurrikula e së cilës duhej të përgatiste në të ardhmen qytetarë me karakter të patundur, vullnet të hekurt, me iniciativë dhe gjykim të drejtë, që t’i shërbejnë kombit dhe për ta nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore, ku ishte zhytur.
Pikërisht në këtë moment, të mëdha dhe të vazhdueshme ishin përpjekjet e deputetit të Shkodrës nga krahu opozitar, Luigj Gurakuqit, i cili seancë pas seance shprehte nevojën e krijimit të një shkolle të mesme.
Ndaj shqetësimin, për nevojën emergjente të hapjes së një shkolle laike shtetërore të mesme në qytetin e Shkodrës, ai e paraqiti në parlamentin shqiptar, në janar të vitit 1922, në mbledhjen X-të të Këshillit Kombëtar, i cili e mori fjalën menjëherë pas fjalimit të plotë të ministrit të Arsimit të asaj kohe, Rexhep Mitrovicës, ku midis të tjerash u shpreh: “Mbi kët pike, dua t’i heq vërejtjen zotit ministër të Arsimit, të merren masat e nevojshme për të hapunit e një shkolle të mesme laike, pse atje i gjithë populli, i cili ka dëshirë të math për arsim. Shkollat e mesme në këtë qytet, janë private dhe u përkasin besimeve fetare.”
Kështu, Këshilli i Ministrave i Shtetit Shqiptar, në vitin 1922, më datë 11 gusht, merr vendimin nr. 720, “të bazuem në kërkesën e Ministrisë së Arsimit, nr. 11878, vendim me të cilin urdhëron që të hapet në Shkodër një shkollë, Gjimnaz i Shtetit, për me mujtë me ndjekë aty mësimet një shumicë e studentëve shqiptarë, që nuk kanë me u dergue ma jashtë e, sidomos, nxanësit e atij Qarku…”!
Më 05.10.1922, Ministria e Arsimit çel Gjimnazin Shtetëror, me një bazë materiale tepër modeste, në të cilin regjistrohen 20 gjimnazistët e parë dhe emërohen profesorë; Kolë Kamsi (gjuhë shqipe dhe letërsi), Loro Rasha (latinishte), Kol Kraja (frëngjishte), Kol Margjini (histori-gjeografi), Ruhi Zheko (matematikë), Simon Rrota (vizatim), Demush Jakova (gjimnastikë). Pas dy muajsh, emëron Drejtor të parë të këtij gjimnazi, profesor Xhevat Korça (histori-gjeografi) dhe zëvendësdrejtor, Luigj Shala (histori natyre).
Me po të njëjtin urdhër të Ministrisë së Arsimit, emërohet mësues në vitet 1922-1924, në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër dhe më 1924-1925, Kamsi emërohet drejtor nga Ministria e Arsimit në Shkodër, në shkollën “Teuta”. Në vitin 1925, me urdhër nga Ministria e Arsimit, emërohet drejtor dhe pedagog i kursit pedagogjik që Ministria çeli në qarkun e Korçës, për përgatitjen e mësuesve, që do të jepnin mësim në shkollat e qytetit të këtij qarku. Arsimtarët që ndoqën këtë kurs, shprehën konsideratat më të larta për ndihmesën që iu dha atyre nga profesor Kolë Kamsi, me synim përmirësimin e metodologjive të reja didaktike për mësimdhënien.
Vlerësimet për aftësitë dhe vlerat e kursit të ndjekur nga profesor Kamsi, i gjejmë përmes artikullit që u titullua; “Kurset e pedagogjisë për mësuesit e Korçës dhe të qarqeve”, botuar në gazetën “Zëri i Korçës”: “Zoti Kamsi është drejtor dhe pedagog i kurseve dhe shquhet për një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, kështu tërheq vëmendjen e të gjithë arsimtarëve, të cilat janë të tjetërsuar, për të mësuar methodha të ra dhe sa më lehtësuese për shkollat”. Pesë javë më vonë, në “Gazet’ e Korçës”, VII, 05 shtator 1925, pas përfundimit të këtij kursi, 12 arsimtarët pjesëmarrës, shprehën mirënjohje ndaj përkushtimit që profesor Kamsi pati ndaj tyre, përmes një artikulli.
Në fund të artikullit, të 12 arsimtarët pjesëmarrës, kishin firmosur shkrimin në shenjë mirënjohjeje, ndaj profesor Kamsit me këtë dedikim: “Për drejtorin e kursit, profesor Kamsin, i cili me aktivitet dhe energji të palodhur, përdor metodën më të pëlqyeshme për zhvillimin e mësimeve didaktike, prej të cilave po kemi një dobi tepër të madhe. E falënderojmë nga thellësia e zemrës dhe e përgëzojmë për këto cilësi që ka”.
Po në këtë vit, më 1924, ishte drejtor dhe mësimdhënës, në një kurs pedagogjik për mësuesit e qytetit dhe të qarkut. Nga viti 1926, deri më 1928-ën, punoi në Institutin Tregtar në Vlorë, ku u emërua drejtor nga Ministria e Arsimit. Konkretisht, më 1926, ishte drejtor i Shkollës Tregtare dhe i Konviktit të Ujit të Ftohtë, në Vlorë. Në këtë pozicion, ai shpërblehet me një pagesë, prej 300 fr. ari.
Përveç paraqitjes së këtyre fakteve mekanike, ajo që nuk mund të anashkaloj është pikërisht një letër e Kolë Kamsit, që mban datën 31 dhjetori 1926, në Vlorë dhe i drejtohet revistës Diturija, ku ai dha një kontribut të gjerë në botimin e disa shkrimeve. Tekstualisht, Kolë Kamsi shprehet kështu në letër: “Me vjetin e ri të më njehni edhe mue si pajtimtar i së përkohshmes Diturija, qi ka nise të botohet nën drejtim të Z. s’uej”.
Më tej në letër vihet re edhe fryma e tij perëndimore për të kontribuar me disa mendime të shkrimtarëve të huaj, kryesisht në gjuhën frënge dhe italiane: “Përnjiher po ju dërgoi edhe disa mendime të zgjedhura shkrimtarësh të huej, të cilat i kam përmbledhë mbas subjektit qi kam kështu të botohen veçmas ndër numra të përkohshmes”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm