Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetenjë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Shenjëza burgu
Në mëngjes zgjimin e bënë pa zhurmat e zakonshme. E morëm me nge me shpresë mos merrnim një sy gjumë më tepër, para se të nisnim terbietet e ditës, domethënë të lanim teshat e pista, pastaj ndonjë vizitë te miqtë, që s’na piqte turni, një dorë muhabet apo një kafe, nëse gjendej, apo një xhiro në pjacë, për të shpirë këmbët, ndonjë shkëmbim mendimi dhe më pas kush mund të zinte ndonjë shullë, të nxirrte reumatizmin.
Shkova përgjumësh në nevojtore, pastaj regja sytë te lekani dhe u nisa në kapanonin ku flinte Tomor Allajbeu, sepse përgjatë javës, ishim takuar këmbyerazi, kur unë kthehesha nga turni i dyti, ai shkonte i treti, e njatjetoheshim në të përpjetën e rrëpirës:
“Si je Tomor”?
“Mirë, për mos ndjell të keqen”! – ma kthente.
“Fjete ndopak”?
“Sa për gjumë, puthu me Milon, s’të lënë gjarpërinjtë dhe Malua! Sa më qëllonte një çikë, fryu bilbili, hapja sytë, pushonte bilbili, i mbyllja, niste Malua, thirr njërin për birucë, kapsallit sytë, thirr tjetrin për takim, shkrep sytë, më zuri apeli. Atje të na kthyen nja tri herë dhe na gjeti darka në rresht”!
“Iku java, bëj si të bësh” – i dhashë zemër.
“Iku kjo, vjen tjetra, ikën edhe ajo vjen tjetra, e tjetra, e tjetra, dhe…, iku jeta. Hajt natën”!
“Dalsh shëndoshë!
“Mirë u pjekshim nesër”!
Unë teposhtë, ai terma…! Tomorin e gjeta në shtrat.
“U shtrive, or mik”?
“Ishallah na lënçin”! – ma ktheu me gjysmë zëri.
“Mesa duket, sot ja hodhëm, u tregua zemërgjerë Partia”! – e ngacmova për gallatë.
“Përzëmërgjerësinë e Partisë, e njoh mirë unë, po na lerë të dremit një çikë se vdiqa”!
“Eja bëjmë pak muhabet, se na u trash gjuha”!
“Aman, ik se këtu jemi, s’kemi ku vemi”! – hodhi batanijen mbi krye. – “Mbas dreke llafosemi, sa të na dalë për hundësh”! – shtoi kokë-mbuluar.
“Si të duash, ika”!
Po bash në pragun e derës, dëgjova: “Fiu-fiu, friu-u-u-iu. Fi-fi-friu- u-u”, ndërsa gryka e përroit i shumëfishoi dhe i pëmdau si angullima zagarësh.
Fiu-u-u, fri, fri-fri-u-uuuuu! Malua s’u ndie.
“Dreq, na e gjetën”, kur fishkëllenin gjarpërinjtë dhe Malua s’bëzante, pasonte e liga.
“Kontroll or shoq, fshihe shpejt, në paç gja të ndalume”!
Pëshpërima u përhap tej e tej sheshit. Secili shpejtonte të eliminonte sendin e fundit që mund t’i gjendej, mbasi sigurohej se ishte i “pastër”, vraponte t’i shpëtonte hurit pa pra, s’na paskëshin lënë të rigjeneronim energjitë, për javën pasuese, apo të plotësonim nevojat imediate, por për një qëllim më fisnik: kontroll te imët, që të na “mbronin” nga subvensioni!
Sepse pushimet e njëmendta, i jepnin me pikatore, veç kur i arrije me sakrifica sublime, si në revoltën e Spaçit, ku do t’i akordonim vetes tri ditë pushim, por do t’i shlyheshin me çmimin e katër jetëve dhe mbi njëmijë e shtatëqind vite burgu. Kjo i përket së ardhmes, sepse s’kishte ndodhur hala.
Kontrolli i imët
Ushtarakët e kampit ia behën njësh-kolonë nga hyrja kryesore, ndjekur nga një togë të panjohurish. Si të ishin një mori arbitrash të ndonjë sporti konfuz, secili i frynte bilbilit, për hesap të vet. Teksa fishkëllimat gërvishtën qetësinë e varr-burgut, kakofonia çau kupën qiellore. Frynë e shfrynë, sa u plasën bulçitë dhe u ndanë, një dhjetëshe në një krah, tjetra në anën kundruall.
Sa herë autoritetet synonit kontroll të beftë, sillnin policët e Degës së Brendshme Rrëshen, sepse ishin të panjohur, të pa konsumuar dhe të pa kompromentuar me të dënuarit, për pasojë edhe kontrollin e konsideronin më efikas. Çdo dhjetëshe shoqërohej nga një varg servilësh të Mehdi Nokut dhe spiunë të operativit.
Kësisoj, çdo grup zaptoi nga një fjetore, kurse i fundit, qarkoi pjacën si pretorët arenën e Koloseut. Me ç’shihej, kishin marrë udhëzime të kontrollonin me themel sepse, ia nisën menjëherë nga urdhrat:
“Njitu, or tëj”! – njëri.
“Mos luj venit, se pasha…”! – tjetri.
“Shtyje qat rrozgon ç’atje, or Prengë”! – një çapkën me kapën hedhur pas kresë. “Me ata dy qjerët qi kan xanë rranxën, or Pjetër”! – një edhe me çapkën.
Mbi të tjerët kërcëllinte dhëmbët, si të kish dalë prej ferri një kapadai esbkan që ndali, hodhi kapën mbi sy dhe iu skërmit dikujt, në një krah, kërceu pupthi në tjetrin dhe bërtiti edhe andej; vështroi zymtë turmën e të dënuarve, u hakërrye sërish dhe bëri një varavinga gjithë hundë e buzë, me kapelën allakineze në dorë, lagu me pështymë një shami dhe nisi të fërkoj yllin e kuq.
Gjesti i këtij karagjozi më kujtoi tregimin me një partizan, që siç thoshin, u vetëflijua se s’pranoi të shkelte yllin.
“Kujt ja ke ngul nj’ata sy, or tëj”! – m’u shkreh, kur e kuptoi se po e këqyrja me ngulm.
“Juve, zotni”!
“Mua! Pse bre, kam qit allatet jashtë, a”?!
“Duke ndjekur gjestet tuaja, po rrekem të gjej, cili duhet të jetë i pari këtu”? – ia ktheva, se s’dija ç’të thosha dhe i bëra qejfin, me synim t’i shpëtoja ndëshkimit.
“E n’fund”?
“Me ç’shoh, bash ju, duhet të jeni kapua i të gjithëve”!
“Përnjimë, a”?! – bëri ironikun ai.
“Në këtë konkluzion, dola unë”! – ngulmova djallëzisht.
“I ke ra, bash pikës, or tëj, tamam veta jam komandanti i policisë së Rr’shenit”!
“Duket”! – e mbështeta
“Mbylle bre”! – klithi dhe bëri më tej.
Mbas prezantimit, hiqej kaposh dhe iu kthye policit, që ish mbështetur pas stendës së emulacionit:
“Fran-a, ç’më nusron nj’ashtu bre”?!
“Jam strehu n’hije, shoqi komandant”!
“Mirë boll, po pse m’i len nën strehë, ata t’dënuemit aqje, qiti n’dill bre”!
“Si urdhno! Luj venit or tëj, në shesh bre”! – iu trys dy pleqve, që ishin shushatur, poshtë tabakëve të eternitit.
“Vuaj nga tensioni, zoti polic”!
“Plaç n’dekik! Po qetri”? – iu kthye të palosurit më dysh.
“Jam me zemër, i nderum”! – u gjegj tjetri.
“Deksh n’vend, s’e due nderimin tat”!
“Po mineralin, kush do qesë manej”! – përfoli njëri mbytur.
“Të rrnoj Partëja, dhetë shtijm mbrend na, për nji”! – ia ktheu polici dhe kërkoi me sy subvesionistin.
“Ç’na the, more”! “Një bije, mijëra ngrihen”! – guxoi qafiri, të tallej me parullën e famshme.
“Tash po ta tregoj, si mun t’qeshësh, me parullat e Partëjs”! – polici u zgjat më tepër.
Nëpër fjetore s’mbeti këmbë robi, veç rojeve, larove të zyrës teknike dhe ndoca spiunëve, që iu nevojiteshin për të rrëfyer kush flinte në iks apo ipsilon shtrat, kur gjenin sende të ndaluara.
Na grumbulluan pleq, të sëmurë, sakatë, ca sytë pa larë, ca në brekë e këmisha, si na zuri dekika. Të përgjumurve të turnit të tretë, lerosur me skrromë piriti, iu zbardhnin dhëmbët e, të bardhat e syve.
“Të tanë përtokë”! – dha komandë kapua.
U sheshuam nën diellin përcëllimë, bri njëri-tjetrit. Të përgjumurit mbështetur pas shpinës së shokëve, vijuan gërhitjet me një kakofoni rron-rronesh, që zaptoi krejt territorin. Ne dihatnim mbi truallin e pluhurosur, si dhentë, kurse policët u strukën nën hije,.
“Si shumë lesh, paske mbi krye, or tëj”! – i drejtoi gishtin Fetah Malasit, komandanti.
“Lirohet pas dhjetë ditësh”! – guxova ta mbroja.
“Po e lamë na”!
“Unë ju vura në dijeni”!
“Kush t’pëjti, or tëj”? – m’u drejtua fodulli.
“Ju, zotëri!
“Shiqjo kryet tat, tëj”!
“Unë jam i qethur”!
“Je i qethun, po ta rrjepim krejt na, more vesht apo jo”? – dhe tundi gishtin kërcënueshëm.
“Mora”! – e qepa gojën.
“Ku asht berberi, bre”? – kaposhi hipi mbi sop dhe kakariti që sipër: – “Shpejt, or tëj”!
Hundë shtypuri mallakastriot, brofi:
“Këtu shoku…”! – u më dysh gjer në përulësi.
“Thuej zotnëj, i d’nuem! S’a shoqi yt nji ky, or tëj”! – iu trus polici që ndodhej pranë. – “A komandant nj’aj, or hundëkërrutë”! – dhe tundi një zorrë gome.
“Më falni zoti polic”! – i verdhë shafran, hundë shtypuri iu kthye të madhit:
“Në shërbimin tuaj zoti komandat”! – u përkul, sa përplasi kryet në kurrizin e Fetahut dhe të pasmet në surratin e Xhelal beut.
“S’e du shërbimin tat, por të du njitu, për pesë dekika dhe tullë! Tullë, i d’nuem, tullë? Tullë! Të tanë tullë! Më ndive or tëj, tulle”?
“Si urdhëron, zoti komandant”! – hundë shtypuri këqyri përqark, mos gjente ndonjë shteg të lirë.
“Nji tash fill or tëj, e ndive komandantin”? – e nxiti polici me majën e zorrës.
Në tentativë për të zbatuar urdhrin, hundë shtypuri, gati u rrokullis mbi kokat tona.
“Na vrave, a i vrarë”! – u ankua Bejo Kalaj.
“Çilni udhë berberit, or tëj”! – urdhëroi polici.
“Bythkës tënde, do t’i marrim erë ne, o derdimen”? – u hodh Xhelal beu.
“Më fal shoku Xhelal, s’kam ç’bëj…”!
“Xhelali i sat ëme dhe i tyt eti! Pse, shoku yt jam unë, o spiun i qelbur”? ia ngjeshi një shpullë mullaqeve.
“A e ndive urdhnin, or tëj”?
“Si urdhëron, zoti polic”!
“Luj kambët pra”!
“S’kam ku t’i vë”! – u qa hundë shtypuri.
“Mbi krena bre, mbi krena”! – u tall polici.
“Mbi krena! Mbi krena”, i mbajtën iso të tjerët dhe plasi gazi.
Sa arriti të delte në boshllëk, ai mori turravrap në dyqan, nga ja behu sa hap e mbyll sytë, me makinën qethëse dhe një pecetë të pistë.
“Me radhë njitash”! – urdhëroi komandanti. – “Nise me kët dashin njitu”! – i drejtoi gishtin Kujtim Zharrit, që ishte në rreshtin e parë.
Kujtimi faqekuq dhe i shëndetshëm i ngjiste vërtet dashit, me kokën gjithë lesh dhe mustaqet kërleshur si brirë. Berberi u step me makinë në dorë.
“Ç’pret, or tëj”? – e nxiti ushtaraku.
“Është me raport, zoti komandant”!
“Ç’raport bre, ky m’i ngjet Kruçovit me façet e kuçe flakë e, çafën si dem Kaukazit”!
“Jam i sëmurë”! – u mbrojt Kujtimi.
“Ku a mjeku, bre”?
“Mjeku, mjeku, mjeku”! – përsëritën të tjerët.
“E ndjetë urdhnin, zotnëj”?
“Shpejt mjekun, bre”! – u hodhën njëzëri tre-katër policë. Nga skaji fundor u shfaq figura bardhoshe e Kosovrastit.
“Këtu, zoti komandant”!
“Ç’ka ka ky Kruçovi njitu”? – pyeti oficeri.
“Është me probleme psikike, si mund të ta shpjegoj më mirë…”!
“Lëne kët, qetrin”! – e ndërpreu komandanti.
“Se zë makina fare”!
“Qetrin po t’thom”!
“Edhe ky s’…”!
“Qetrin, bre”!
“Ky është tullac”!
“Rripja krejt”!
“I rrjepur është”!
“Qetrin! Qetrin…”!
Gërr-gërr, makina punonte mbi krena njerëzore si mbi shpina kafshësh.
“T’tan po t’thom”!
U bë mishmash, sa s’durohej më, leshtë e njërit u pleksën me qimet e tjetrit, teksa era e përroit i ngrinte dhe na i shtinte ndër sy e nën këmisha. Vapa e djersa i ngjiti pas mishit dhe nisën kruajtjet. Tashmë si një kolonie lebrozësh, kush e kush të kruhej më shumë.
Teksa na mbanin ngujuar në njëqind metër katrorë vathë, dielli i mesditës, u ngjit në zenit. Tashmë shtatëqind burra, gulçonin nga etja dhe djersët na i ngjitën teshat pas shtatit, ndërsa duhma e njelmët e sekrecioneve mashkullore, rëndoi ambientin. Vapa djegëse stimuloi mungesën e lëngjeve dhe nisën efektet dehidratuese, kurse shpotitë e policëve, kapën apogjeun dhe u shndërruan në plojë.
Ndër fjetore vijonin masakrën, nxirrnin gjithë ç’iu zinte dora dhe grumbullonin para dyerve, libra, fletore, vegla muzikore, copa druri për gdhendje, thikëza teli, ndonjë alet të përshtatur për punime të imta, kuti tavlle e shahu, trasta me kripë e me sheqer, copa buke dhe gjithë ç’iu ngjallte dyshim. Policët e pashkollë vendosnin ç’duhej të flaknin e, ç’duhej të linin, paçka s’e s’flisnin saktë as shqipen, u kthyen në censorë të mendjeve të ditura dhe linçuan pa dallim, perlat e letrave të huaja.
Për t’iu paraprirë kontrolleve, të shpëtonim ç’mund të shpëtohej nga sekuestrimi, gjithkush kish sajuar një skutë të vetën. Në brendësi të kashtës së dyshekut, hapnim tunele ku fshihnim lapsa, stilografë e të tjetra sende të imëta; shkulnim gozhdët nga pupuliti i pareteve, nga fibrat e tavaneve dhe rrasnim në kavitet ç’të mundnim, mandej i ngulnim sërish në birat e vjetra, që të mos binin në sy. Nduknim sendet me “vlerë”, në gropat e gërryera nën shtretër dhe i mbulonim me tabakë kartosere. Do libra e fletore, i rrasnim në thasët e veshmbathjeve, të tjerat i zhysnim në tenxhere, sahanë, e tiganë, në depon e ushqimeve.
Gëzim Medolli, Astrit Delvina dhe Aleko Zoto, s’lanë cep galerie, pa ngucur letra në kuti teneqeje, në ambalazhe konservash, në vrima tubosh, në zgavra shkëmbi, etj. I maskonin me pak argjilë dhe prisnin t’i çlironin. Me mendjen top se i kishin siguruar nga policët, iu bënin nder gjitarëve të uritur, që shtonin dhjamin me ese, tregime, novela, romane, poezi e piktura moderniste. Përpos këtyre, kishim sajuar ca truke më fine.
Një metode frëngjisht, i ngjita portretin e Marksit, fjalorit i vura foton me ngjyra të Mao Ce Dunit, kurse Mërkur Babameto, i maskoi përkthimet e Dostojevskit, nën mustaqet impozante të Stalinit. Memorie.al
Vijon numri e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016