Nga BUJAR QESJA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Jeta ime tashmë e ka bërë kreshendon dhe si një avion, vjen e ulet në pistën e fazës përmbyllëse të saj. Mosha 70-vjeçare, është peshë e rëndë, për të formuluar mendime me ngarkesë shprehëse dhe qartësuese, për temat që vendos në shënjestër. Durrësin tim, Durrësin e vendlindjes time, Durrësin e varreve të prindërve të mi, Durrësin e të afërmve, të miqve dhe të shokëve, e shikoj pa u lëkundur të guxoj të heq një presje, nga orientimet e hershme, apo thënë ndryshe popullore. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Janë ndërtuar pallate shumëkatëshe. Janë transformuar rrugë dhe sheshe. Durrësi është rritur dhe zgjeruar. Të ardhurit kanë krijuar edhe figuracionin “Durrësi i ri”. Një shqipfolës, jo i rritur në Shqipëri po më thosh: ku është “Durrësi i Detit”. E kishte fjalën për plazhin.
Duke shfletuar fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “kumi” do të thotë furrë për të pjekur tulla ose tjegulla. Vendasit sikur ta kishin bërë të gjithë me fjalë, e kanë vendosur emrin e kësaj rruge në fjalorin e tyre të përditshëm: Rruga “Kumini”. “Hani i Bidulëve” apo “furri i Bidulëve”, një memorie e patundur. Pranë repartit të njohur të berberëve, teksa merr drejtimin në një rrugicë origjinale të Durrësit, ku të çon nga rruga e poshtme dhe del tek “Blu-Stari”, ka qenë shtrirë “Hani Bidulëve”, tepër i njohur dhe i krijuar nga Dalip Biduli. Një fis i gjerë, miqtë tanë të mëdhenj. “Deri nga mesi i viteve ‘50-të, – më tregon piktori i njohur Besnik Biduli, djali i Islam Bidulit, – ka qenë han. Vinin fshatarë për të bërë tregti në qytet. Lidhnin kafshët tek hani dhe flinin kur i zinte mbrëmja”.
Më pas hani mbyllet dhe hapet një furrë, fama e të cilit as nuk mund të soset ndonjëherë. Kujtoj këtu furrtarin, burrin zotni Shaqir Biduli dhe gruan e tij, zonjën Zyra. Me fëmijët e Shaqirit kemi patur lidhje miqësore, si Zijain, Dikun, Fajën (artist i drurit dhe çelikut) dhe sidomos me pianisten e njohur, shoqen time të ngushtë të fëmijërisë, Hiqmete Bidulin. Tek ky furrë ruaj kujtime të gjalla, veçanërisht kur për vitin e ri, piqte e gjithë lagja gjelin e detit, bakllavanë, birekët me qumësht dhe me gjithçfarësh.
Kur del pas nga një rrugicë nga shtëpia e Bidulëve dhe kërcen në xhadenë kryesore, m’u përballë rrobaqepësi Modës dhe pranë rrugicës së famshme të Dakolëve, ndodhej dyqani i enëve të kuzhinës dhe materniteti i vjetër. Dhe durrsakët e kishin të lehtë të thonin menjëherë, nëse dikush kërkonte të merrte atë drejtim: – “Është pranë maternitetit të vjetër dhe dyqanit të enëve të kuzhinës”. Kujtime të gjalla. Mall i pashuar. Mbresa të pashlyeshme. Dashuria e përjetshme për çdo pëllëmbë të Durrësit, për çdo gur, për çdo tullë, për çdo tjegull, për çdo, për çdo pambarimisht.
“Adriatiku”, kinema “Iliria”, Klinika e vjetër Dentare, Dyqani i luleve, Poliklinika
Është ky një bllok përkufizimesh, ku është mbajtur dhe vazhdon të mbahet në këmbë, një pjesë e dukshme e memories qytetare të durrsakëve. Kaloj dhe vështroj. Ndalem dhe çekani i kujtesës bie fuqishëm në mendjen time dhe më shkund pluhurin e harresës. Ndodhem para taverna “Adriatikut”. Sa i famshëm! Kujtoj Rexhep Grudën, një portier elitar i fund viteve ‘40-të dhe fillimin e viteve ‘50-të. Agim Kashami më kujton, se këtu ka punuar edhe Tofik Mullaliu, mbiemër sportiv shumë i njohur në Durrës. Luhej bilardo, kishte edhe lojëra të ndryshme.
Përgatitej kafe e konsumohej pije alkoolike. Diskutohej shumë për sportet e qytetit. Ishte qendër kryesore, ku mblidhej rinia dhe mosha e mesme për kohën. Përballë është kinema “Esperia” e vitit 1927, apo më vonë kinema “Iliria”. Mbresa dhe emocione pa fund. Për kinemanë, sigurisht edhe në mungesë të televizorëve, kishte interes të jashtëzakonshëm. Ndiqnim filma me 2 lekë, enkas për fëmijët. Për të rriturit bileta shkonte 15, deri në 20 lekë. Më kujtohet Alo Hoxha, kineasti i parë. Por edhe Kamber Ndreu, operatorët Vasil Duka, Miri Muharremi, Xhemal Avdyli, Fadili, Pëllumbi etj.
Kujtoj gjithashtu drejtorin e parë Thoma Lika, por edhe Eqerem Merhorin dhe Edmond Dobin. Argjironë një grua e shkathët që priste biletat. Frekuentonim edhe filma historik, ku preferonim shumë kinematografinë franceze dhe italiane, ku luanin Zhan Mare, Zhan Gaben, Zherar Filip, Antoneta Lualdi, Raf Valone etj. Ndiqnim aktorët e famshëm të Hollivudit, si Stivi Rives dhe Silvestër Stalonen. Por edhe filmat shqiptarë, me tematikë shoqërore na tërhiqnin. Veç kësaj kinema “Iliria”, ishte një mundësi për të lënë takime me shokë dhe me miq, pasi ishte qendër kulturore pikante dhe shumë e njohur edhe për vizitorët që vinin në Durrës.
Një rrugicë e ndan kinema “Ilirinë” me klinikën e vjetër dentare, që sot është kthyer në kopsht privat. Klinika e vjetër Dentare është vendosur në një rrugicë kyçe, që të zhvendos nga “Rruga Kuminit”, në bulevardin kryesor, ku ndodhet tani akullorja e Andi Bllacës, djalit të Sulë Bllacës. Në këtë klinikë kam fiksuar portretin e burrit fisnik, një profesionisti të dorës së parë, i arsimuar në perëndim. Quhej Hasan Jero, ku regjimi i Enver Hoxhës ia bërë copë copë jetën. Këtu kanë punuar kolosë të stomatologjisë së qytetit, si Enver Kotori, Fiqiri Deliallisi, Pirro Qerimi, Vangjel Aleksi, Elsa Mima, Haki Bllaca etj., që në këtë çast nuk m’i ofron memoria. Durrsakët e hershëm e kanë pikë të dobët tek “Klinika e vjetër dentare”. Nostalgjia vjen si një tajfun dhe përplaset në ballin e kujtimeve të një djaloshi, që këtë vit magazinon vitin e ‘70-të në inventarin e jetës së tij.
Dyqani i luleve, mbretëresha e vend takimeve. Është në një pozicion nyje, ku vijnë e përplasen në një pikë, rruga që të çon tek Poliklinika e qytetit, me vazhdimin mbrapa Teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe del nga portiku në drejtim të gjykatës. E rruga që krijon perpendikularen kalon sa në drejtim të Bashkisë së Qytetit, aq edhe në kahjen e lëvizjes nga hotel “Durrësi”, ish gastronomi dhe “Lulishtja 1 Maji”. Edhe kur kishte lule edhe tani që ka mbetur i ”thatë”, dyqani i luleve nuk e ka humbur rëndësinë e pikëpjekjeve të njerëzve. Dhe Poliklinika e Durrësit, apo Poliambulanca e dikurshme, mbetet e pandryshuar në pikë referuese kryesore.
Blloku i furrave, “Danubi”, Stacioni i vjetër i trenit, Serat, Magazina e Krypës
Nga rruga e poshtëve në lagjen Nr. 4 dhe dilje nga Kaditë, Toskat, Fanët, Koretët dhe me një kërcim kaloje nga rruga ku shtrihej “Fermentimi i Duhanit” (tani “Blu-Stari” dhe Drejtoria e Gjelbërimit), po të nxitje disa hapa dhe të vije tek shtëpia e Salih Verdhës, një kuadër i vjetër dhe shumë popullor në Durrës, për-kundruall shtrihej blloku i famshëm i furrave. Aty përgatiteshin apo piqeshin bukët për qytetin. Punonte aty edhe babai i shokut tim të fillores, Haki Haxhisë. Dhe shkonim atje disa herë pas mësimit dhe babai i Hakiut, na servirte ndonjë kulaçë të ngrohtë, pasi shkolla e jonë “Dalip Tabaku”, ishte pranë bllokut të furrave.
Përballë shkollës “Dalip Tabaku”, ishte dhe bufeja e famshme me emrin e veçantë “Danubi”. Është emri i lumit të dytë më të madhin në Europë pas Vollgës, me gjatësi 2850 kilometra. Buron në Gjermani dhe derdhet në Detin e Zi duke përshkuar 10 shtete Gjermaninë, Austrinë, Sllovakinë, Hungarinë, Kroacinë, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Po e bëj këtë rezyme, për të ditur enigmën e këtij emri, që kurrë nuk ia mësova qëllimin, pse quhej “Danubi”?! Por ky emër vazhdon të lakohet fort edhe sot. Kur thua bufe “Danubi”, menjëherë e kupton se ku duhet të shkosh, e ku duhet të ndodhesh.
Ecën mbi “Danub” dhe arrin tek stacioni i vjetër i trenit. Në mungesë të trenit, tani atje ndodhet Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave. Por sa mall kemi për këtë stacion të hershëm. Jeta jonë studentore ka qenë pikërisht këtu. Një Durrës i tërë shkulej herët në mëngjes me trenin e orës 05.50, për të shkuar në fakultete, apo të tjerë që edhe punonin në Tiranë. Kohë të bukura të rinisë tonë. Treni kishte peshë të madhe. Kur kujton që hekurudha e parë Durrës- Tiranë, u ndërtua në vitin 1947 dhe pas 74 vitesh, kur bota ka ndërtuar metro moderne, krahas trenave të fuqishëm elektrikë me mbi 300 km/orë, në vendin tonë nuk kemi qoftë edhe një metër shinë. Prandaj edhe na është bërë aq i shtrenjtë, treni i rinisë tonë.
Por nuk është ky qëllimi i temës, thjesht e shënova si një mangësi të kohës, ku padyshim do të ndreqet dhe brezi ynë do të ketë dëshirë të udhëtojë me trenin elektrik “madein Albania”. Por stacioni i vjetër i trenit, është fiksim referues i shumicës së durrsakëve. Po serat? Përbri Pallatit të Kulturës dhe në anën tjetër të rrugës kryesore, ka qenë shtrirë një lokal i madh, rrethuar i tëri me xhamllëk. Durrsakët ia vendosën menjëherë emrin “Serat”. Kujtoj që aty ka shërbyer në kuzhinë, miku ynë i paharruar Ibrahim Halili. Ishte kafe dhe gjellëtore. Dikur nga vitet ‘50-60–të, këtu ka qenë qofteria e famshme e Fadil Hoxhës. E kam një foto që do të jetë pjesë e këtij shkrimi, të ngarkuar me fakte dhe ngjarje. Tek serat kanë mbetur gjurmë të dikurshme, duke u përfaqësuar kjo relike memoriale me dyqanin e të njohurit Ton Ceka.
Vazhdojmë. Prapa Bashkisë, hidhemi në rrugicat origjinale dhe karakteristike të Durrësit. Pasi kalojmë rrugicën ku jetojnë djemtë e Fehmi Tepelenës, miqtë e mi Ceni dhe Veri, ku janë Myderrizët, shtrihet vendi aq i njohur që quhej “Magazina e Krypës”, shkurt tek “Krypa”. Fjala kripa në versionin durrsak shqiptohet krypa, ashtu si; “tlyni”, “milli”, “qilli”, “dilli”, “voji”, “koma”, “dhami” etj., dialektalizma që i dallojnë vendasit nga të ardhurit. Dhe “tek Krypa” ka mbetur e palëkundur edhe tani. Edhe kur ishte një dyqan vajguri, orientoheshin dhe thonim: “Vajguri tek Krypa”.
“Dyqani i Avdylit”, “Shkallët e Ermenit”, “Shatrivani”, Bufe “Detari”, Hotel “Vollga”
Janë edhe këto pjesë të përcaktimeve vendore nga bashkëqytetarët e mi. Shkrimi pëson një gjatësi të veçantë, nga vetë ngarkesa tematike, ku janë trajtuar me dhjetëra e dhjetëra pika përkufizuese dhe orientuese të Durrësit të banorëve vendas. Është pjesë e një lloj toponimie origjinale, e krijuar mjaft herët dhe që vazhdon gati gati e palëkundur edhe në ditët e tanishme. Dyqani i Avdylit. Kështu i ka mbetur, ndonëse aty kanë punuar edhe shitësa të tjerë. Por ky Abdyli u fiksua në zhargonin popullor. Dyqani ngjitur me fillimin e rrugicës që të çon në një drejtim nga Amfiteatri, në muret rrethuese të kalasë dhe më në lëvizje shkon në drejtim të Fabrikës së Duhan Cigareve, asetit të përmallshëm dhe shumë të dashur dhe të paharruar për durrsakët. Dhe kujtesa e ngacmon këtë pikë takimi, tek “Dyqani i Abdylit”.
Por para “Dyqanit të Abdylit”, shndrit një tjetër memorie. Janë “Shkallët e Ermenit”. Na bie të kemi një emërtim për dy shkallë të tilla. Njëra mbi tatëpjetën e lagjes së vjetër të durrsakëve, përbëri xhamisë së madhe dhe ku lartësohet amfiteatri gjigant. Do të prezantoj foto përkatëse. Janë fillimi i shkallëve tek ish Drejtoria e dikurshme e Librit, ku punoi shoqja e jonë e paharruar, Hatixhe Gaxho. Dhe versioni i dytë i “Shkallëve të Ermenit”, që është edhe në vëmendjen time, mbetet ngjitur me dyqanin e xhaxhit (Zahar Kumes) dhe ngjitesh në rrugicën aq të preferuar për vendasit, kalon në këtë lagje të vjetër ku ka patur shtëpinë edhe shoku im i ngushtë i fëmijërisë, kemi qenë së bashku nga klasa e parë e deri në vitin e fundit të gjimnazit, Hajg Zaharian (Haig Zacharian), kompozitor i njohur dhe profesor në Akademinë e Arteve.
Këtu jetojnë edhe Zazat, Bylykbashët, Myshketat etj. Hajgu është me origjinë Armene. Një komunitet armenësh, ka qenë vendosur që në vitet ‘20-të në Durrës. Një prej tyre është edhe Grigor Bodikian, i ati i Agopit dhe Xhildës, e cila ka lidhur jetën me kampionin e tenisit, Llambi Prifti. Armenët kanë qenë pjesë aktive, si në jetën ekonomike, tregtare, kulturore por edhe sportive në Durrës. Kemi foto ku janë aktivizuar lojtarë armenë me mbiemrin; Ballxhian dhe Bodikian.
Takohemi tek “Shkallët e Ermenit”, është aktuale edhe sot. “Shtrihemi tek shatërvani”, zemra dhe shpirti i durrsakëve, pikë qendrore dhe referuese e qytetit. Të gjithë e kemi një foto nga shatërvani. Por edhe vizitorët e trajtonin shatërvanin, si pikë origjinale dhe kujtim i çmuar nga Durrësi. Shatërvani krijonte një kurorë të artë me qendrën e qytetit, ku ishte zemra pasi qëndronte në mes të xhamisë, Pallatit të Kulturës, Bashkisë dhe ndërtesave të tjera, ku tanimë shumëkatëshet çajnë qiellin. Mjaft pikante mbetet bufe “Detari”. Ky klub i hershëm “zaptohej” nga punëtorët e ngarkim shkarkimit të portit, të cilët veçanërisht në ditët e rrogave, bënin tym të gjitha të ardhurat e 15-të ditëshit. Lokal i ëmbël për durrsakët. Sa herë që kaloj andej, nuk mund të vazhdoj ecjen pa ndaluar pak. Kujtimet rrjedhin si një ujëvare dhe lagin mendimet e mia të ndjeshme si atëhere.
Torra veneciane, palmat aq të bukura në një mjedis të gjelbëruar e të kopsitur mirë nga arkitekti, për të vazhduar me Inter-klubin, Portin Detar dhe veçanërisht Hotel “Vollgën”, monumentin e heroit të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakun, lulishten aq nostalgjike të “Vollgës”, ku luhej muzikë e pihej një krikëll birrë, aq të kërkuara. Ku harrohet orkestra aq e përmallshme e “Vollgës”, ku vinin edhe nga Tirana për të dëgjuar trompën e Enver Marës, pianon e Rexhep Zemblakut, fizarmonikën e Rifat Dedjes. Duke mos harruar edhe parkun “Rinia”, në një nga kodrat dominuese të “Vilës”, për ta mbyllur me Muzeun Arkeologjik dhe pishinën e qytetit. E kështu mund të vazhdojmë gjatë, pambarimisht. I nxita përpjekjet për të mos harruar vendet e lakuara nga vendasit, që shërbenin si pika referimi, orientimi të takimeve ditore me të afërmit, miqtë, shokët, të ardhurit etj.
“Ura e Dajlanit” mbresa dhe kujtime pa fund
Nga vendet më të preferuarat tona dhe më të përmallshme. Kur këneta e Durrësit ishte aktive, në këtë zonë periferike të qytetit, ku ngjitur është fillimi i sektorit “Agip” të plazhit, ishte krijuar një lloj ngushtice që ngjasonte me një dajlan. Kjo lagunë përdorej nga vendasit për peshkim. Brezin tim e kapi çasti i tharjes së kënetës dhe ishte liruar një tokë e kripur e konsiderueshme. Dhe në këtë tokë luanim futboll, në mënyrë shumë masive. Sipërfaqe me xunkth, me kripë e ujë, është vendosur në nostalgjinë tonë, në atë që quhet koha e artë e fëmijërisë tonë. Kujtime, mbresa dhe një ADN në rritje. Në atë urë e shtruar me zift, kishim dëshirë që në verë të shtypnim flluskat e panumërta që krijonte kjo serë natyrale. Dhe i shtypnim me tabanin zbath të këmbëve. Pastaj grupe grupe drejtoheshim nga “Agip”-i, fillesa e Plazhit të Durrësit. Tani ky vend është ndryshuar plotësisht, por kurrë nuk lëvizin nga vendi memoria dhe kujtimet tona.
Epilogu i gjithë kësaj rezymeja drithëruese
Eh qyteti im i shtrenjtë! Durrësi im i bukur! Durrësi i fëmijërisë, rinisë, i punës dhe përpjekjeve dhe tash i përvojës së një 70-të vjeçari. Durrësi im i lindjes dhe e sigurtë, i banesës së përjetshme. Durrësi i trashëgimtarëve tanë. Durrësi në tokën e ngrohtë të të cilit janë varret e të afërmëve tanë, gjyshes, babait, nënës, kushërinjve, të miqve, shokëve, të njohurve të ndryshëm. Durrësi i mallit dhe i shpirtit tim. Nuk do të lodhem se shkruajturi për ty, për njerëzit që në breza janë strehuar në çatinë tënde, derisa mendimet të më shteren, trupi të më drobitet, fryma të më ndalet, fiziku të më bëhet i pamundur. Por deri atëhere le të mbetem me shpresë e besim, se do të vazhdoj punën, frymëzimin, nxitjen e asaj që na mban në këmbë optimizmin dhe bindjen për të bërë më të mirën, më të bukurën, më mbresëlënësen.
“Parakaluam” së bashku, nëpër Durrësin e kujtimeve dhe të memories tonë. U ndalëm. Goditëm memorien. Takuam me vendet e preferuara dhe tradicionale për durrsakët dhe për një çast na u duk, se u takuam edhe me ato që nuk jetojnë më. U çmallëm. Dhe biseda është e njëjta: si është qyteti dhe si ndjehen njerëzit e tij. Dhe amanetet janë po të njëjta: ta duam dhe respektojmë njëri tjetrin! Ta ndihmojmë dhe përkrahim njëri tjetrin! Jeta është e shkurtër dhe të mos e shkurtojmë më shumë. Një shkrim i lodhshëm, me ngarkesë mendimi, por edhe me foto të shumta. E kemi rrethuar Durrësin dhe e kemi vendosur në unazën e florinjtë të kujtimeve dhe mallit të pashuar. S’ka më bukur dhe më mirë, kur i përkushtohesh Durrësit, qytetit tënd të zemrës dhe të shpirtit, qytetit më të bukurit në botë./ Memorie.al













