Nga Visar ZHITI
Pjesa e tretë
Memorie.al /…Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet “Dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.
Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, kishte thirrur nga pas telave me gjemba për dorëzim. “Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, – i ishte kthyer atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, – vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë. Harrove, zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin”!
– Dhe u qasej telave me gjemba, ik andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e kishte pushkatuar atë mbas dy ditësh. – “Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, – i kishte klithur sërish bashkëfshatari i tij. – Partia jote do të të vrasë…”! Dorëzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës.
Dooorzoohuuunii, të dënuar…! Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërpritnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet e kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar?
Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë.
K-u-p-t-u-a-a-a-t….? Mendohuni mirë. Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën. Hinka e fortafolësit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh.
Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.
– Ç’qe ajo pallmë, s’e mora vesh, ç’duan nga ne?!
– Të na vrasin, xhaxha, boll na mbajtën.
– Po ne çdo të bëjmë?
– Do të vritemi, si përherë.
– Pse?
– S’dimë të bëjmë gjë tjetër. Në djall vafshin!
– Po ata kërkuan përfaqësi, ne jemi veç të burgosur.
– Po çuam, të venë nga ne, pleqtë. Le të na vrasin.
– Dëgjomë mua, ata duan t’i thonë Enverit, të shtrirë në shtratin e vdekjes atje në Komitetin Qendror, se, nën mësimet e tij, u shtyp dhe një kryengritje e armikut. Po më shumë e kanë me Ramiz Alinë, ta mësojnë se kjo është rruga e vetme nga duhet të ecë ai, Partia.
– Rruga e gjakut.
– Sa kohë na kanë lënë?
– Një orë e gjysmë.
– Do të na ndajnë përgjysmë? Futen pastaj?
– Të futur janë. Sa kohë ka ikur?
– Po ku kemi ne orë?! Veç plagë, ja, sa një orë, por pa kohë… ç’kohë është? Rendi skllavopronar, koha e ferrit, dhunë…
– Shpërndahuni dhe të presim.
– Kaq?
– Secili e di vetë…!
– S’ka rrugë tjetër. Të sulmojmë dhe të vritemi. Kush të shpëtojë, le të marrë arratinë…!
– Unë them të flasim me ministrin a zëvendësin e tij, a me sozinë, t’i parashtrojmë idetë tona, kërkesat. T’i themi se trajtimi në burg është nga më mizorët, jo për t’u riedukuar, por për t’u bërë më keq. Ju nuk neutralizoni kështu kundërshtarin, por e bëni armik dhe e ashpërsoni atë.
– Pse, nuk e dinë ata?
– Të merremi vesh, është në dobi të të gjithëve, të vendit.
– Po jo të vrasësve.
– Erdhi ora, bëni gati gjokset.
Çuditërisht, të burgosurit tani hynin në zyrën teknike pa trokitur, takonin drejtuesit, shefat e riedukimit, merrnin mendime, kurajë për qetësi dhe vetëpërmbajtje, t’i ruheshim panikut dhe të ishim të përgatitur për katastrofën. Po unë që kam ditën e lirimit nesër? Të shohim, s’ka besoj. Po ditët e fitimit? Në fitofshim…?!
Më tej mbi grupin e atyre që u rebeluan të parët, që u dhanë dërrmën policëve me gjithë oficerin e rojës, kishte rënë një gjendje acari, edhe donin sulmin, edhe përfytyronin ç’i priste, por se ç’bisedonin mes tyre, të paktën të mos binte ndëshkimi mbi të tjerët, të dilnin me një vendim tjetër, thoshin. Çdo të bënin, ç’aksion, kur të hynin ata, ujqit, sigurisht kope e madhe. Dhëmbë dhe kthetra ata, po edhe ne.
Të mos lëmë të përzihen të tjerë. Ta mbajmë vetë përgjegjësinë mbi shpatulla. Bisedat po ankthëroheshin dhe po bëheshin më të rënda, si të ecurit mbi borë me të vdekur në krahë. Pashë pllanga bore. Po binte kështu? Jo, ishin letrat e hedhura kudo, mbi oborr, shkallëve, dhomave. Filloi grisja e gjithçkaje që mund të na dëmtonte. E dorëshkrimeve? Po dorëzoheshim kështu? Ndihej një pritje e trembur, përzier me shqetësimet, kur s’bëhet dot asgjë. Vetëm dielli – ku është, pse s’duket? – jepte vezullime si presa e gijotinës.
S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo, gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja, shikoi… Po shkojnë apo po kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve. Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë…!
S’pati kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa pranuar faje. Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë…! Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjemba…!
T’i bëjmë një letër Enverit, këmbëngulte një ushtarak. T’i themi që ju, shoku Enver, s’dini gjë, si gjithmonë, se uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë, ju s’dini gjë që na trajtojnë keq e na bëjnë armik me zor…! Mjaft! Mbylle, llapaqen! Unë s’jam armik me zor, por nga zori. Dua të jem. Dhe dëgjo, peshku qelbet nga kryet.
Ti kujton se do të preket “Dulla” dhe do të vërë drejtësi e do të të japë ty gradat e hequra? Idiot dhe në burg, kjo s’të falet! Jo, e them për taktikë. Ne s’dimë në është gjallë Tirani. A mund t’i çohen letra të vdekurit? Vërtet rrethimi dukej sikur qe afruar e ngushtuar edhe më prej përforcimeve me ushtarë të tjerë. Në çdo hap. Kullat e drunjta të vendrojave qenë mbushur plot, sikur sapo do të ndërmerrnin një udhëtim aventuror.
Ja, ja lëvizën përbindshmërisht, po u afrohen rrënojave tona. Mbi muret e padukshme do të hidhnin tentakulat e tyre, urëza, do t’i ngecnin mbi bedenat e supeve tona dhe do të vërshonin ushtarët me brohërima e bajoneta drejtuar. Do të çanin mishin tonë dhe me çizmet me gozhdë do të shkelnin zemrat tona, do të thyenin kafkat…!
SHTETI QË SHTYPJA
Kudo, kudo përreth, shpateve, hijeve, mbi shkëmbinj, buzë arave të vogla, anash hurdhave, mbi gurë, tarracave të shtrembra – njerëz. Qenë mbledhur fshatarë, burra dhe gra, nxënës shkollash, ja, ja, mbi kupolat e kudogjendshme të bunkerëve. Po vinin dhe të tjerë, në grupe, vetëm, folklorikë, kërkonin vend sa më të përshtatshëm që të shihnin sa më mirë përkëtej. Spe…kta…torë?! Do t’i kenë thirrur. I kanë ftuar, “të vini patjetër, ndryshe ju pritet dita e punës”, të shohin armikun, ja, real, një dorë bën shenjë të ngrihen nga ai bunkeri dhe të ulen më tej, pastaj dora nderet për këtej.
Sigurisht, paska organizim. Edhe nga ana tjetër njerëz. Ku u gjetën kaq shumë? T’i kenë ftuar edhe nga fshatrat e tjera a janë kooperativë e bashkuar? Si një amfiteatër i madh, i përçudnuar… ja lozhat, vendet e mira nën pemë, shkallët, e para, e dyta, e pesta… dhe ne në arenë. Të shohë populli shtypjen e një kryengritjeje. Janë përzgjedhur të ftuarit, kooperativistë të dalluar, komunistë, barinj, anëtarë të këshillit, klubistë, rapsodë, infermierë, mësues, nxënës të klasave të larta, të porsamartuar, zboristë, stazhierë për anëtarë partie, të marrë etj., etj.
Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para. Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me fortafolës mbi turinj urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!” Në Spaç vendosëm të vdisnim për Flamurin që ngritëm vetë. Shuaip Ibrahimi dhe Ndrec Çoku u bënë truprojë nderi, rrinin natë e ditë nën të.
U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, shpura e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta.
Ecnin nën atë tendën prej telash me gjemba, me taktikë, sikur shkelnin shtigje të minuara. Eeeejjjj, të dënuuum, të gjithë poshtë, në oborrin e apelit. Asnji i burgosun n’dhoma, kush kapet se s’don me ardhë, e piu e zeza! Se na… s’na bani dot kurnjigja. Kemi n’dorë dhe gurin, dhe arrën. Kena Partinë… një gabzher kapteri bërtiste kështu, urdhër nr. 1 i komandës, shpejt, shpejt, në rresht. Jeni të rrethuar, kryengritja në fakt u shtyp. Kaq duhej. Tani fillon ndëshkimi.
Të gjithë lëvrinim të trishtuar, me shqetësim të dyfishtë dhe u bashkëngjiteshim rreshtave të funeraltë në oborrin e thatë si një fletë e stërmadhe me shkronja gurësh dhe rëre të gjallë. Të urtë. Me fytyra të nxira, sepse kishte nga ne që s’qenë larë dot, që kur kishin dalë nga galeria. Uji qe ndërprerë. Por janë dhe nxirje të tjera, nga përleshja me policët. U dha urdhri nr. 2: të gjithë përtokë, uluni! Ne sikur u përgjysmuam kështu, u bëmë ulokë, toka mund të na përpinte më lehtë. Kokët tona ngjanin me plisa të mëdhenj dheu. Tokë e çarë, e bërë fërtele, e lëruar me qe të harbuara, mitike, jo me plugje, por me shpata, me hekur predhash.
Edhe atyre sikur iu shkurtua frika nga shkurtimi ynë i menjëhershëm. Pasi mbaroi zhurmërima e leckosur e rrobave që bien, u ulën dhe të fundit. Ushtarakët përsipër po na dukeshin më të mëdhenj, më kërcënues, kabá. Policë e kapterë u shpërndanë midis nesh, egërshanë si kafshë, ecnin pa kujdes, shkelnin herë dorën te njëri, herë i binin me majë çizmeje një gjuri. Oh, bëri një zë, provokim, thirri polici, vazhdim i kryengritjes, çohu, merreni! Po erdhën kazanët e mëdhenj të kuzhinës, mos kujto se do t’i sjellin me supë, më foli shoku pranë. Në revoltën e Spaçit i sollën plot me pranga për ne.
Asgjë s’na bëni dot ju, – e nisi bërtimën njëri nga oficerët, – armiq të pandreqshëm, s’e përmbysni dot pushtetin popullor, diktaturën e proletariatit. Kemi ardhur në pushtet me gjakun e dëshmorëve dhe me gjak do ta mbajmë. Shkuma në gojën e tij m’u duk me pikla gjaku, ndoshta ndonjë pasqyrim xixëllues i dritave të rrethimit…! Ne s’pyesim nga kapitalizmi dhe revizionizmi së bashku, – po ulërinte një oficer tjetër, – do t’ju shtypim, ju, që keni lidhje me armiqtë e jashtëm, të drejtpërdrejta dhe shpirtërore.
S’doni të riedukoheni? Dhuna e proletariatit do të bjerë pa mëshirë mbi ju, që tani! Filloni. Pezm. Shumë pezm. Flatra të vdekura lakuriqësh nate. Flatra tiranozaurësh. Edhe frymëmarrja e tjetrit dëgjohej, por dhe zërat, një britmë e hollë fëmije, ah, sa bukur, erdhi andej përtej, ku qenë grumbulluar njerëz, nëpër shkallët e ah-mfi t-eh-ah-tr-ih-t. Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake.
Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëtiu korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturushëm, sy të çakërdisur vigjilonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka e lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre.
Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur, duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po. Si i zgjedhin emrat, mbi ç’bazë? Si organizatorë të rebelimit… ata që kundërshtuan të parët.
Kur dikush mbyturazi mundohej të sqaronte diçka, të shfajësohej, zvarritja e tij shoqërohej dhe me goditje të atypëratyshme, shkelma e shkopinj gome e pas murit binte heshtja e rëndë, më e rëndë se muri, misterioze. Në revoltën e Spaçit, të arrestuarit i kalonin mes një gardhi të gjatë policësh – të kam thënë, ule zërin, polici, mos lëviz, po thirrën emrin tim, kujdes te thesi – dhe policë nga të dy anët qëllonin me shkelma e shkopinj gome, këmbët nuk i zinin tokë të arrestuarit dhe, nëse mbërrije gjallë në fund të shtegut me policë, të binte të fikët.
Aty të linin deng, mes gjakut, në dysheme, te shkallët, pusho të lutem, s’dëgjoj dot, duhet ta dish, ta dëshmosh ndonjëherë, mjaft, po luaj mendsh. Dhe pastaj me zorrën e ujit nga banjat e përgjithshme i lagnin. Si ata të zjarrfikëses, që shuajnë zjarre. Për t’i ringjallur, që t’i dënonin me pushkatim pastaj. Oh! Emri im, ah, sikur të mos kisha emër, ku ma gjetën, e kisha harruar! Secili priste të thirrej, të shkonte pas murit të tmerrshëm. Urrente emrin e vet, dëgjonte rrahjet e zemrës së tjetrit, aq fort, mos qofshin rrahjet e fundit.
Ja, policët që rrahin, u ndërruan, u lodhën, sollën të tjerë, të freskët. Pse ulërin muri ndonjëherë? Ngrimë mbi truallin e ftohtë. Unë mos e kam fytyrën prej çimentoje? Si e kam emrin, të betohem s’po e gjej dot, të shefit të policisë e di, të operativit. Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz. Pse s’po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve.
Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli…! Mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë… bukë e përgjakur, prapë po kërkojnë, kë, Sokolin, e morën njëherë, është tjetër Sokol ky, po e morën dhe tjetrin, ky është the-me-luesi… një mur ku të mbështetesh ka apo jo? – shemben dhe na zënë nën vete. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm