Nga Bedri Çoku
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerëzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori
Kryengritja
– Nuk na mallëngjeni fare pse gjakoseni. Në të sëmës do të shkoni të gjithë pas disa orësh…! Dhe e tërhoqi shokun poshtë. Që makinat morën drejt Tiranës, e kuptuam, sapo lamë pas Fushë-Krujën. Kaluam dhe Laprakën. Në Tiranë, makinat kthyen majtas te “Zogu i Zi”, në drejtim të Stacionit të Trenit…!
– Po na çojnë te Mali me Gropa, maskarenjtë! – pëshpëriti Loçja afër veshit tim. Nuk i fola. Ama, sapo kthyem majtas afër Stacionit të Trenit, u kuptua se po na çonin te Burgu i Sigurisë së Lartë, Numër 313.
Na zbritën në oborrin e madh të burgut, që dominohej nga rrethimi me murin e gjerë e të lartë, hapësira e të cilit ishte mbushur plot me policë e civilë. Ndërsa, karakollet përreth murit ishin përforcuar me ushtarë e oficerë të armatosur…! Pasi na hoqën litarin që e patëm krahë qafë gjatë gjithë rrugës, me hekurat në duart prapa dhe zinxhirin nëpër këmbë, na zbritën nga makina, duke na mbërthyer përkrahu, çdo njërin dy policë, të cilët më shumë na tërhiqnin zvarrë, se sa na ndihmonin të ecnim me zinxhirët, deri te muri i lartë i rrethimit. Aty na ngjeshën fytyrën pas tij…! Kështu vepruan edhe me të tjerët, që zbritën nga makinat pas nesh. U habita sa shumë kishin arrestuar…
Jo pa qëllim na lanë gati njëzetë minuta në këmbë, përballë murit, për torturë dhe për t’u argëtuar me durimin dhe rezistencën tone…! Sidomos, prej gjendjes sonë të lodhur e të rraskapitur, ata pritën, ndoshta, që dikush nga ne të rrëzohej në tokë, me këtë rast, të qeshnin e të mburreshin. Desh Zoti, asnjëri nuk u tut! Duruam me shpirt ndër dhëmbë për të mos u dhënë kënaqësi xhahilëve.
Jo pa qëllim na kishin lënë me fytyrë nga muri, pasi kishin sajuar edhe një manovër tjetër, si e si të përçmonin guximin dhe trimërinë tonë. Mes ulërimave të oficerëve, prapa nesh, u rreshtuan pushkatarë, me gjasë për të na dhënë “colpo di grazia” prapa kokës…! Nuk besoj se dikush nga ne e kuptoi këtë manovër, sepse asnjërit nuk mund t’i shkonte mendja ndryshe që kjo të mos ishte e vërtetë. Nga kriminelët pritej gjithçka…! Kulmi arriti, kur njëri nga ushtarakët dha komandën:
“Toga gatitu! Armë mbush! Gati për qitje!”
– Na vranë më duket – tha Loçja, i cili ishte ngjitur me mua. S’e takova dot edhe njëherë nënën…! Unë ktheva kokën nga im vëlla dhe ai po shikonte nga unë.
Po prisja fjalën: “Zjarr” që të thosha me zë të lartë fjalët e fundit…! Por, sambistët e policët na përlanë, sikur të ishim lecka, duke na tërhequr zhgan, me dhunë, derisa na futën në qelitë e burgut. Aty, na hoqën vetëm zinxhirët nga këmbët, ndërsa hekurat prapa shpine na i lanë…! Qëlloi që në birucën e katit të parë, unë të isha me vëllain tim, Beb Konomin nga Vlora dhe Sulo Veshin nga Lushnja. Para se të largoheshin, sambistët dhe policët, na goditën me grushte e shqelma, por më egërsisht goditën mbi Bebin dhe Sulon, ngaqë si duket u dukeshin goxha më të vjetër nga ne.
Pas tyre erdhën përsëri të tjerë me veshje të zeza dhe me kapuça të zinj në kokë…! Edhe këta u përqendruan më tepër te Beb Konomi dhe Sulo Veshi. Neve vetëm sa na dhanë disa shuplaka…! Pas disa minutash, hyri grupi tjetër dhe bëri të njëjtën gjë. Na goditën me grushte e shqelma, ndërsa njëri prej tyre, që mbante shkop gome në dorë, Bebit dhe Sulos ua bëri fytyrën vija–vija të nxira. Mua e Çaushit, na goditën dy të tjerë me grushte e shqelma, kurse ai me shkopin e gomës, në dalje, na fshikulloi nga njëherë me të në kurriz…!
Bebi u bë grusht-njeriu, nga inati. Ishte komunist, vlonjat denbabaden, rreth të pesëdhjetave. Nga komunistët që kisha njohur, ai ishte me sedër dhe karakter të forte…! E kishin arrestuar, ngaqë mori guximin të kërkonte vilën e vet, tek Ujë i Ftohtë, ku në verë e dimër, pushonin udhëheqësit e lartë të partisë e të shtetit…! Ishte më e bukura në bregdetin e Vlorës…! Kur Beb Konomi, i dënuar për agjitacion e propagandë, mbërriti në kampin e Spaçit, komandant i burgut ishte Çelo Arrëza, një lab injorant, me mustaqe, por, ngaqë kishte qenë partizan, i gëzonte ca detyra shtetërore. Gjithsesi, ai i ruante disa doke e zakone të lebërve. Miq familjarë me Bebin, e thirri në zyrën e vet, pasi kishte vendosur mbi tavolinë, meze e raki. Para se të ndaheshin, i tha Bebit që të mos rrinte i pa punë, por të zgjidhte vendin e punës që do t’i pëlqente. Sepse, duke punuar, kalonte koha dhe fitonte edhe pare.
– Jo! – i tha Bebi me vendosmëri të madhe, – Nëse më ke mik shtëpie, më jep mundësinë të punoj me bashkëvuajtësit e mi të ndershëm…! Punët e lehta dhe me leverdi nuk janë për mua…! Ruaji ato vende për ata që ju shërbejnë…!
“Çfarë flet, more, Beb Konomi?”- ia kishte kthyer Çelua –
“Unë këtu dhe ti të më punosh në galeri, ku punojnë vetëm armiqtë e betuar, njerëzit jo me bindjet tona komuniste”?!
– Veç kësaj, kam edhe një kërkesë tjetër, – vazhdoi Bebi, qetë-qetë. – Dua të ma plotësosh. Do të punoj minator në galeri. Nga ty, dua të më lejosh që punëtorët t’i zgjedh ata që dua unë!
Ai punoi minator në galeri, me Luan Kokën, nacionalist Vlonjat, dhe Muhon nga Shkodra, komunist, mbiemri nuk më kujtohet, deri sa shpërtheu revolta, ku Bebi u aktivizua me gjithë shpirt, për të drejtat e të revoltuarve…! Bebi bëri dhe një thagmë tjetër para se të shpërthente revolta, kur iu kundërvu hapur komandës së burgut. Në përpjekje për t’u arratisur nga kampi, një i burgosur me emrin Shaban, duke shfrytëzuar daljen në turnin e dytë, u përpoq të kalonte rrethimin afër kantierit të punës.
Ai kishte mbledhur në galeri në frontin e tij të punës, dinamitin e paplasur së bashku me kapsollat dhe për të tërhequr vëmendjen e ushtarëve që vigjilonin nëpër karakolle, gati pesëdhjetë metra larg njeri – tjetrit, diku, mbi një shkëmb, kish vendosur sasinë e dinamitit dhe, sapo u nisë në anët të kundërt të shpërthimit, për në vendin nga ku mund të kalonte, duke prerë me shpejtësi telat me gjemba, pa u vënë re nga rojet, ndezi fitilin…! Ose kishte qenë i pafat, ose ishte i tradhtuar, ngaqë ushtarët, në të dy karakollet pranë e pranë, e pikasën, kur ai po vraponte në errësirë, dhe e qëlluan, madje pa arritur ende në vijën e kuqe.
Shabani nuk vdiq menjëherë, ishte plagosur dhe rënkonte. Të dënuarit i dëgjuan rënkimet e tij dhe u ngjirën duke thirrur njerëzit e komandës për ta shpëtuar…! Por komanda e burgut heshti, deri sa ai u shua dalëngadalë, pas disa orësh…! Të nesërmen, në vendin ku të dënuarit merrnin karbitin që përdorej për kandilat e ndriçimit në galeri, komisari i burgut, Shahin Skura, kishte zënë vend, pikërisht aty ku të burgosurit ishin të detyruar të mblidheshin për të marrë karbitin. Ai i bëri bashkë të gjithë skllevërit e turnit të pare dhe u foli lidhur me vdekjen tragjike të Shabanit, nga plumbat e rojeve të rrethimit, duke theksuar se e njëjta gjë do të ndodhte me cilindo që do të bënte një aventure të tillë…!
Bebi Konomi i’a ndërpreu fjalën komisarit të repartit.
– Më vjen keq, zoti komisar – i tha (të dënuarit ishin të detyruar që, personave të administratës së burgut e të qeverisë t’i drejtoheshin “zotëri, ose “zoti”, sipas konceptit komunist, ngaqë të dënuarit politikë, armiqtë e popullit, nuk mund të ishin “shokë” me ta.) – Vdekja e Shabanit nuk ishte tragjike, por kriminale, vazhdoi Bebi. Sepse atë e vranë ushtarët tuaj, në detyrë, ndërsa ju, njerëzit e komandës, e latë të ndjerin mbi tre orë duke rënkuar, deri sa dha shpirt.
Madje, nga ç’duket edhe me sy, është qëlluar në shkelje të rregullores, pasi nuk e kishte kaluar vijën, ku ushtarit i lejohet të qëllojë mbi personi që përpiqet të arratiset…!
Komisari e kundërshtoi, sa me qenë brenda për vete, pasi nuk mundi të vazhdonte më tej, ngaqë Bebin e përkrahën të gjithë të dënuarit e turnit të parë. Menduam se kaq do të kishte qenë furia e policisë dhe e sampistëve ndaj nesh, këtu, në birucat e burgut të Tiranës. Por, jo! Dikush hapi sportelin e birucës me rrapëllim dhe urdhëroi t’i tregonim emrat një nga një. Të parin ai pyeti Beb Konomin, që ishte mbështetur në qoshe, ulur në gjunjë, i tronditur tej mase ngaqë e provonte për herë të parë egërsinë komuniste…!
Pastaj pyeti Çaushin, që ishte afër sportelit, mua dhe sapo mësoi që ishim vëllezër, menjëherë urdhëroi ata që e ndiqnin nga pas, që, njërin nga ne të dy, ta çonin në një birucë tjetër. Ndërsa, kur mësoi emrin e Sulo Veshit, thirri triumfator: -Hajde, afrohu këtu ti, Sulo Veshi, të të jap një lajm të Gëzuar…! Dëgjo, bëj luftë sa të duash me pushtetin popullor, por ta kemi lëruar të tëmë se, edhe djalin tënd të vetëm ta arrestuam…! Se jeni tradhtar ju, çamët e mutit! Dhe mbylli sportelin.
– Dale mo, cili je ti more qelbësirë, mo kriminel që më paske arrestuar djalin? Dhe, Suloja u shkreh në vaj. Atë djalë kishte dhe tri vajza. Njëra nga vajzat, e martuar, i kishte dhënë fund jetës, pasi i ati ishte dënuar si armik i pushtetit popullor…!
– Po kush është ky mo, a e njeh kush këtë mavri mo, që më paska gremisur edhe djalin në burg, mo? – Ёshtë një maskara që s’e ka shoqin, -i tha Bebi…! Muço Saliu ose Sali Muço. Ngado që ta kthesh, qen bir qeni është!… Ka punuar në ministrin e brendshme. Tani, thonë, se ka ardhur drejtor në hetuesinë e përgjithshme. Njeri që kënaqet me fatkeqësinë e të tjerëve. – shtoi Bebi. Muço Saliu ishte emër i dëgjuar për karakterin e tij kriminal dhe cinik. Bebi e njohu menjëherë atë, ngaqë ai e kishte takuar gjatë hetuesisë në Vlorë. Sipas urdhrit të Muços, sambistët më morën zvarrë nëpër shkallët e katit të dytë, derisa më futën në njërën nga birucat e atij kati; aty ma përplasën kokën fortë disa herë pas murit dhe më lanë të bija shakull në dysheme…!
Nuk pata kohë të flisja me bashkëvuajtësin që gjeta aty, sepse, sa hap e mbyll sytë, u futën sambistët e tjerë në birucën tonë dhe, pse më gjetën shtrirë, bërtitën: – Për pushime ju kemi sjellë këtu, more zagarë?! Dhe, të dyve na përgjakën, me grushte e shqelma…! Urdhëruan qe të rrinim në këmbë, deri sa të vinin përsëri, ndryshe, do të na ngordhnin në dru. – Ky ishte grupi tjetër më tha, Xhavit Lohja, shkodran, i arrestuar për revoltën.
– Janë dy a tre grupe qe vinë e ikin, njeri pas tjetrit…!
Njiheshim si bashkëvuajtës, në Spaç, por jo se kishim pasur ndonjë shoqëri. Gjithsesi, të dy bashkë do të kalonim disa ditë të vështira, madje duke dyshuar, nëse këtë herë a do të mundnim të shpëtonim nga thonjtë e shqiptarëve të pashpirt, të shitur këmbë e kokë, përderisa për tridhjetë vjet, vetëm vrisnin, burgosnin dhe torturonin njerëz të ndershëm, patriotë, që donin liri e demokraci në Shqipëri.
Grupi tjetër nuk erdhi për të na rrahur, por na morën për krahu të dy dhe na çuan te banjat. Na çuan për të urinuar.
Ne kundërshtuam se, pa duar të lira, veç ta bënim në brekë…! Na çuan te çezma për të pirë ujë. Sa afronim kokën te lëfyti, na shtynin për të na thyer dhëmbët.
– Oh, kriminelë… të pashpirt…! Po ku e gjeni gjithë këtë urrejtje, mor bisha me fytyrë njeriu?! – u thashë. Ma futën kokën brenda në lavaman, lëshuan ujin deri sa e mbushën plot. Ma mbajtën kokën zhytur, deri sa s’më plasën timpanët e veshëve…! Më tërhoqën sa të mbushesha me frymë…!
– Ta tregojmë ne ty se ç’bisha jemi! Ma bënë disa herë, fute e nxirë kokën në lavaman, deri sa deshën. Ngaqë isha i etur, nuk e ndjeja fare dhimbjen e ballit që më përplasej me forcë në anët e lavamanit. Vetëm pija e pija ujë…! Kur na kthyen në birucë, Xhaviti më tha që ballin e kisha të mavijosur.
– Punë e madhe, -thashë, – të paktën piva ujë sa desha…!
Ai qeshi me zë nga gëzimi im që kisha pirë ujë, sa isha ngopur, pavarësisht pse isha mavijosur në ballë e fytyrë. Por, ndërkohë, fillova dhe unë të qeshja me pantallonat e tij të bëra qullë nga urina, deri te këpucët që bënin shëq-zhëq nga shurra brenda tyre. Pale, fytyrën që e kishte me vraga gjaku, dhe e tregonte të shëmtuar si një pinguin i plagosur. Qeshja me fytyrën e tij, qeshte ai me ballin tim me një gungë breshkë.
Duke shikuar njëri-tjetrin, na kapi një gaz i madh…! – Erdhën, -bërtiti Xhaviti. Ata sikur i kishin dëgjuar të qeshrat tona, u turrën si të tërbuar. Plas njërin pas murit, plas tjetrin në dysheme dhe fut e bjerë…! – Bëni çfarë të doni tani me ne, -u tha Xhaviti- se trupat na janë mpirë nga hekurat dhe zinxhirët. Grushtet dhe shqelmat tuaja na duket si pickima mushkonjash…! Nga inati e shembën në tokë dhe, e lanë pa ndjenja. Ikën pasi porositën: “Inshallah, nuk i’u gjejmë në këmbë”!
Më erdhi keq për Xhavitin se po dridhej dhe rënkonte, si në agoni…Duar s’kisha. U përpoqa me këmbë t’ia ktheja trupin me fytyrë nga tavani…! U hap sporteli dhe një polic kontrolloi me sy, pastaj hapi derën dhe vërviti në dysheme dy copa bukë me marmelatë, sikur të ishim qenë rrugësh…! Duart i kisha prapa shpine, me hekura, uri kisha deri në ulërimë, por si do të haja? Pastaj, marmelata të ndizte më shumë për ujë. Prita sa të merrte Xhaviti veten e të hapte sytë. Por ai nuk po kujtohej. I thirra disa herë: “Xhavit, Xhavit!” Ai paksa lëvizi vetëm kapakët e syve dhe aq…!
Sa dëshiroja të fusja një çapë bukë në gojë. Më dukej sikur kisha harruar të përtypja ushqim. Ndoshta, ngaqë më dhembnin nofullat nga grushtet e shqelmat të egërsirave…! U shtriva barkas dhe me ndihmën e gjunjëve, munda t’i afrohem njërit racion. E kafshova qençe, edhe pse nuk më kujtohet nëse e përtypa me dhëmbë, apo e gëlltita në bark, sa ç’ishte kafshata.
Thashë se u mbyta edhe pse u kapërdiva disa herë rresht, ndërkohë që fyti, kaq ditë pa ngrënë, më dhembte nga sforcimi. Desha t’i afrohesha edhe njëherë copës së bukës, pa marmelatë, por…! “Ata erdhën!” – Mos e prekni atë, se është pandjenja, more kafshë! Bërtita me aq sa munda, kur pashë një trupmadh, me uniformë të zezë e me maskë në fytyrë, ndryshe nga të parët, që iu afrua Xhavitit, për ta goditur me shqelm në bark…! Donte ta vdiste fare…!
– Do ta paguajë çdo njëri nga ju çfarë po bëni – thashë – nëse i merrni jetën atij pa e dënuar gjykata…! Jo me maska të jeni, por edhe magjistarë, si plaku Hatobiç të bëheni, nuk do t’i fshehin dot krimet që po bëni…! Regjimi juaj i ka ditët të numëruara. Sido që të ndodh, dikush nga ne do të mbijetojë për t’ua çjerrë maskën…! – Mbylle gojën! As nuk duam t’ia dimë fare për ju, armiqtë e mutit! Plehra! Desh Zoti, Xhavitin se goditën. Ai trupmadhi vetëm sa e provoi me këmbë, nëse ishte vërtet pa ndjenja, apo shtirej.
Ata plotësuan “normën” tek unë dhe ikën. Desha t’i afrohesha edhe njëherë bukës, por…nuk munda. Me siguri që kisha ngrënë ndonjë majë këpuce nën brinjë, në këtë “vizitën” e fundit dhe, nuk mund të zgjatesha nga dhembja. Isha i bindur se të njëjtën gjë bënin me të gjithë të arrestuarit për revoltën…Vetëm me dhunë e terror, mund të mësonin diçka nga të vërtetat e asaj ngjarjeje të pangjarë, që tronditi aq shumë binarët e regjimit të tyre të kalbur…!
“Si nisi? Si u organizua? Kush ishin organizatorët? Po flamurin kush e ideoi dhe e ngriti? Kush e përgatiti? Kush e pikturoi shqiponjën?” Padyshim se ata nuk dinin asgjë nga këto pikëpyetje. Domosdo, me torturat e sambistëve me maska, do të mund të mësonin ndonjë të vërtetë. Nëse ishte ditë apo natë, asgjë nuk dinim… Edhe Xhaviti, kur e mori një çikë veten, më pyeti se ku ishim, madje pse ndodheshim aty?… Çfarë kishte ndodhur që gjendeshim të dy në birucë? Për të kaluar muhabetin, i thashë që të hante bukën pa marmelatë… Ishte shumë i kapitur, ndaj ia afrova bukën me këmbë, në mënyrë që ai ta kafshonte.
E kafshoi, por nuk e përtypi dot se përhumbi përsëri në gjumë, aq kapitur ishte…! Mendova se duhet t’ia nxirrja, me patjetër bukën nga goja, se mund t’ia bllokonte frymëmarrjen. Nuk e përcaktoj dot sa kohë harxhova, deri sa u ktheva në shpinë, me duart pranë gojës së tij, pastaj, me gishtin e vogël të dorës ia nxora kafshatën nga goja … Me siguri që isha në gjumë të thellë, kur dëgjova të thirrurat e policëve të shërbimit brenda në birucën tone…!/Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016