Nga Prof. Dr. Aleksandër Meksi
Memorie.al / Ndodhitë e viteve të fundit dhe botimet e shumta historike, si nga autorë vendas ashtu dhe të huaj, kanë hedhur dritë të re për historinë tonë, veçanërisht atë të gjysmës së parë të shekullit XX-të. Edhe pse të natyrave të ndryshme, ato botime kanë vlera për vetë kompleksitetin e historisë sonë, e cila deri dje ka qenë e shtrembëruar. Sidomos me vlerë është hulumtimi në arkivat e huaja dhe botimi i këtij dokumentacioni, po aq edhe botimi i kujtimeve dhe shkrimeve të protagonistëve të historisë së atyre viteve.
Parë nga këndvështrimet e ndryshme që të ofrojnë botimet dhe për vetë aktualitetin e problemit, është me interes të shqyrtosh historinë e caktimit të kufijve të shtetit të parë shqiptar, që nga shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 e, deri në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919 dhe më vonë, në zgjidhjen përfundimtare. Faktet mund t‘i qëmtosh që nga kronikat e kohës, raportimet e kancelarive të Fuqive të Mëdha, si dhe nga librat e historisë, veçanërisht të autorëve perëndimorë.
Por një histori e plotë, kronika e saktë e kalvarit të caktimit të kufijve është edhe vëllimi “Kujtime”, (1913-1933), i Mehdi Frashërit, i njërës prej figurave më të shquara të politikes shqiptare të kohës, që nga Pavarësia e, deri në ardhjen e komunistëve në pushtet. Si i tillë, ai është pjesëmarrës dhe protagonist i shumë ngjarjeve në historinë tonë dhe do të ishte në të mirë të historiografisë shqiptare, të historisë së shtetit dhe diplomacisë, që të ndërmerren kërkime për gjetjen e plotë të kujtimeve dhe shënimeve të tija, që botimi i kujtimeve të ishte i plotë, kur dihet që ai ishte skrupuloz në mbajtjen e tyre.
Ruajtja dhe botimi i këtyre “Kujtimeve”, është meritë e nipit të Mehdi Frashërit, e Tefik Çelos, i cili i mbajti dhe i fshehu gjatë kohës së diktaturës, çka përbënte për kohën një “krim të rëndë”, që mund ta paguaje edhe me jetë, ishte një kurajë dhe trimëri e vërtetë.
Karakteri i kujtimeve, i fakteve që ata përmbajnë i bëjnë ato të veçantë dhe tepër me interes jo vetëm për specialistët, por edhe për lexuesin e zakonshëm, që historinë e lexon me ëndje. Në to kemi jo vetëm mbresa vetjake dhe fakte, por edhe analiza të kohës tepër konfliktuoze, me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e kombit shqiptar. Është periudha kur po merrte formë shteti i parë shqiptar, që ndonëse i tkurrur e ruajti kombin nga shpërbërja dhe asimilimi. Pikërisht, këtë veprim me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët dhe shqiptarizmën, kishte kuptuar politikani dhe diplomati i shquar. Le të bëhej njëherë një shtet shqiptar, se e ardhmja nuk dihej çfarë sillte.
Mehdi Frashëri (1874 Frashër-1963 Romë), ndryshe nga shumë politikanë të kohës, që ishin me mendësi feudale dhe të prapambetur, falë origjinës, familjes, formimit dhe përvojës në administratën turke (në 1912 guvernator i Palestinës), u orientua drejt në veprimtaritë e tij diplomatike dhe politike. Gjuha e tij e vetme në bisedime dhe marrëveshje tejet të vështira, ishte argumenti dhe arsyetimi i qetë, pa pasione inatçore. Ai kërkonte dhe bënte miq edhe antishqiptarët më të përbetuar, sepse dinte t‘i bindte me forcën e logjikës.
Prandaj, jo rastësisht u zgjodh në postet më të larta të piramidës shtetërore të vendit (deri Kryeministër në 1935), dhe u mor me zgjidhjen e problemeve më të ndërlikuara të të gjithave fushave të shtetit të ri. Ai ishte një shtetar i kompletuar, që i ka të rrallë shokët, në këto tetë dekada të ekzistencës të shtetit shqiptar. Dëshmi për këtë janë edhe këto kujtime të pjesshme, prej të cilave jo vetëm informohesh me saktësi, por edhe ke çfarë të mësosh në artin e drejtimit.
Pjesa më e madhe e “Kujtimeve” janë fokusuar rreth zbatimit të vendime të Konferencës së Londrës të vitit 1913, në përcaktimin e vendeve nga do të kalonte vija kufitare, me të cilën u mor Mehdi Frashëri, si ministër i Brendshëm (1918), delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), dhe më pas si ministër i Punëve të Jashtme, dhe kur përfaqëson Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve (1923-1939). Si Komisar i Lartë në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufijve shqiptarë, Mehdi Frashëri kontribuoi më shumë se të katër delegacionet shqiptare (qeveria e Durrësit, Esat Pasha, Stambolli dhe Rumania), që shkuan në Konferencën e Parisit.
Ai arriti të bindte shumë kundërshtarë për ruajtjen e kufijve të caktuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913, duke kundërshtuar atë të Londrës (1915), kur ishte hartuar traktati i fshehtë famëkeq midis Francës, Rusisë, Italisë dhe Anglisë, që e ndante Shqipërinë midis fqinjëve, duke lënë vetëm pjesën qendrore në sundimin e Esat Pashë Toptanit. Italia merrte Vlorën dhe Sazanin, kurse territoret e tjera, Greqia (Jugun) dhe Serbia (Veriun).
Më mirë se shumë atdhetarë të tjerë, Mehdi Frashëri kishte ndjekur me vëmendje politikën e Fuqive të Mëdha evropiane ndaj Ballkanit, që konsiderohej tokë e kontradiktave dhe në të çdo gjë ndodh ashtu sikundër nuk duhet të ndodhë. Megjithatë, secili nga vendet kishte përkrahësit dhe tutorët e vet, kurse Shqipëria duhet t‘i dilte për zot vetes. Ajo ishte kthyer në një monedhë këmbimi të vyer, në pazaret e Fuqive të Mëdha.
Madje, këtë e kishte pohuar haptas edhe ministri i Jashtëm anglez, Edward Grei, kur dha shpjegime në Dhomën e Komunave për çështjen e caktimit të kufijve të Shqipërisë: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij.
Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”. Kjo nuk duket të jetë dhe aq e vërtetë po ta konsiderojmë paqen në Ballkan dhe në shtëpitë e shqiptarëve nën zgjedhë të huaj.
Me këto dizavantazhe, shkonin delegacionet shqiptare në Konferencën e Parisit, ku në tryezat e bisedimeve të komisioneve dhe nën komisioneve, u shtruan mjaft opsione, veçse asnjëri në favor të Shqipërisë. Më 30 maj 1919, nënshkruhet Traktati i Paqes në Paris, ku Shqipëria shpallej shtet i pavarur, kufijtë e së cilës do të përcaktoheshin më vonë. Ky qe një paragraf i traktatit shumë i vështirë për t‘u zbatuar.
Nuk zbatohej, sepse trojet shqiptare konsideroheshin nga fqinjët (serbët, grekët, malazezët, bullgarët), si pikëmbërritje e synimeve të tyre ekspansioniste, nuk zbatohej se kishte grindje midis Fuqive të Mëdha, sepse secila synonte zona influence. Siç na kumton studiuesi dhe historian i njohur, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, studimin e të cilit e njohim nga një përshkrim i shkurtër i tij, procesi fillon në nëntor 1918, kur rivendoset administrata ndërkombëtare në Shkodër, dhe përfundon në 9 nëntor 1921, kur bëhet vendimi përfundimtar për statusin dhe kufijtë e shtetit të parë shqiptar.
Duhet të përmendim këtu dy ngjarje të mëdha historike, të pavlerësuara ashtu si duhet deri tani në këtë aspekt, të cilat përshpejtuan zbatimin e vendimeve të Konferencës së Parisit: Kuvendin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës. Kuvendi i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920, nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit.
Kuvendi shpalli krijimin e shtetit të ri shqiptar, nën drejtimin e një Këshilli të Lartë Regjence dhe shpalli të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe nuk pranonte asnjë formë mandati dhe protektorati të të huajve. Në telegramin që u dërgoi Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris, thuhej se; “populli shqiptar do të luftonte deri pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tërësinë tokësore të atdheut dhe pavarësinë”.
Deri ahere (1919-1920), çështja shqiptare nuk u diskutua si më vete, por si një aspekt anësor i problemeve me të cilat u morën bashkëbiseduesit. Ndryshimi ndodhi me qëndrimin e njohur të Presidentit amerikan, Willson, për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe notën e qeverisë amerikane të 6 marsit 1920, sipas së cilës, kërkohej që çështja shqiptare, nuk duhet të ishte subjekt i bisedave ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë e, aq më tepër që Presidenti kishte kundërshtuar që tokat shqiptare në jug dhe veri të vendit, të përdoreshin për kompensim të të tjerëve.
Siç vëren me të drejtë historian Romeo Gurakuqi, ndërhyrja e qeverisë amerikane ishte një goditje për Traktatin e fshehtë të Londrës (1915). Nuk duhet mohuar gjithashtu, kontributi i shqiptarëve të Amerikës, për një qëndrim të tillë ashtu dhe pranimi i vendit tonë në Lidhjen e Kombeve (dhjetor 1920), që e njohu përfundimisht si vend të pavarur.
Qeveria e dalë nga Kuvendi i Lushnjës më 11 shkurt, u vendos në Tiranë, që u caktua kryeqytet i Shqipërisë. Jehona e Kuvendit qe e madhe dhe e menjëhershme në Perëndim, prandaj mendimet në Konferencën e Paqes në Paris, filluan të ndryshonin. Kështu, më 11 mars 1920 – Forcat e Fuqive të Mëdha largohen nga Shkodra dhe ua dorëzojnë qytetin autoriteteve të qeverisë shqiptare.
Pra, Kuvendi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, e shpëtuan vendin nga asgjësimi. Sigurisht, ato që ndodhën më vonë kanë nevojë për shpjegime që nuk është as vendi dhe rasti për t‘i analizuar. Veçse odiseja e përcaktimit në terren e kufijve të Shqipërisë, do të vazhdonte gjatë.
Në vitin 1923, siç theksuam më lart, Mehdi Frashëri caktohet komisar i lartë në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufijve shqiptarë. Falë aftësive të jashtëzakonshme diplomatike të Mehdi Frashërit, të këtij shtetari dhe politikani të madh, këtij juristi dhe negociatori të shkëlqyeshëm, me kontribut historik në mbrojtjen e çdo pëllëmbe të kufijve, e kemi Shqipërinë sot, se mund të mos ishte kaq. Dhe diktatura e shpalli “armik” patriotin e madh, pasardhës i drejtpërdrejtë i derës së Frashëllinjëve.
Jo rastësisht, në maj të vit 1919, Presidenti amerikan në Konferencën e Paqes në Paris kur fitimtarët ishin turrur mbi të mundurit, shpalli idenë e madhe të vetëvendosjes së popujve, ide që pakkush i kuptoi atëherë, por që u bë orientimi bazë i politikës së jashtme amerikane. Qysh nga ajo kohë ka kaluar afro një shekull dhe ende ajo nuk po bëhet realitet për kombin shqiptar.
Itinerarin e përcaktimit të kufijve të shtetit të parë shqiptar, i cili u përpunua në kancelaritë e Fuqive të Mëdha ku kontributi vendimtar ishte i amerikanëve, e përcaktojnë këto piketa kryesore:
– Tetor 1913, vjen në Shqipëri Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve. Mehdi Frashëri ishte kryetar i përfaqësisë shqiptare, pranë këtij komisioni. (Veprimtaria e këtij komisioni është e pasqyruar me imtësi në “Kujtimet”)
– 26 prill 1915 – Traktati i Fshehtë i Londrës e copëtonte në mënyrë drastike Shqipërinë.
-30 maj 1919- Në Konferencën e Parisit caktohen kufijtë e Shqipërisë.
-1921 përmbyllet marrëveshja për caktimin e kufijve aktualë që kërkoi dhe disa vite punë në terren.
Vite më vonë, Richard Hollbruk, negociatori i Marrëveshjes së Dejtonit dhe i Konferencës së Rambujesë, në parathënien e veprës “Paris, 1919” të historianes kanadeze, Margaret Mackmilan, midis të tjerave shkruan se; në konferencën e Parisit, Katërshja e Madhe kishte synuar të vinte rregull, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën, por në të vërtetë, vetëm 20 vjet më vonë, u provua se ajo kishte mbuluar krizën me krizë. Një nga këto “kriza” ishte dhe krijimi arbitrar i Jugosllavisë, burimi më i madh i konflikteve në Evropën e sotme.
Duke bërë këtë ekskursion kohor në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, nëpërmjet leximit të veprës “Kujtime (1913- 1933)” ne kishim për synim të kuptojmë rëndësinë e madhe historike për kombin tonë, të ngjarjeve dhe zhvillimeve të fundit për Pavarësinë e Kosovës. Është pikërisht triumfi i politikës amerikane për lirinë dhe pavarësinë e popujve, që bëri të mundur shpalljen në Vjenë të paketës “Ahtisari”, që e çoi Kosovën drejt Pavarësisë.
Dëshiroj të vë në dukje, se tashmë që ka kaluar më se një shekull që nga ajo ditë që Shqipëria, siç shkruante me dorën e tij Mustafa Kruja në Aktin e Kuvendit të Vlorës, më 28 Nëntor 1912, “….bahet më vete, e lire, e mosvarme”. Në fakt, shteti që iu njoh shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha dhe të tjerët nuk përfshiu gjithë tokat e banuara nga shqiptarët -Shqipërinë. Si për një koincidencë ishin po amerikanët (nën flamurin e NATO-s), ata që çliruan shqiptarët e Kosovës nga zgjedha dhe dhuna e Serbisë, e cila arriti kulmin dhe përmasat e një gjenocidi nën marrëzinë e Millosheviçit.
Prej disa vitesh është krijuar shteti i dytë shqiptar, prapë në një pjesë të tokave shqiptare dhe në kufi me shtetin e parë shqiptar, e jo vetëm me të. Ishte një zgjidhje që po duhet ta pranojmë dhe të gëzohemi, jo pa vërejtur se miqtë dhe dashamirët e shqiptarëve, po mundohen të mërzisin sa më pak miqtë e të tjerëve, e të lëndojnë sa më pak ata, që po humbin pushtetin e padrejtë mbi shqiptarët, duke kontribuar dhe për stabilitetin e rajonit. Mbetet veç të shpresojmë në përfshirjen e të gjithëve neve në Bashkimin Evropian dhe se ahere do të kemi kuptuar, se bashkësia dhe jo përçarja feudale, bije përparimin./ Memorie.al