Memorie.al/ Më parë kemi sjellë për lexuesit një pjesë të historisë së kontrabandimit që bëhej në portin e Durrësit, mes shtetasve të ndryshëm dhe marinarëve të huaj, kryesisht nga ish – vendet e Evropës Lindore. Pas kësaj, kontaktuam me një ish kapiten anijeje, transporti trans-oqeanik , i cili e kishte lexuar historinë e mbledhjes së florinjve nga Qemal Cami, shkëmbimin me materiale difiçitare të tregut vendas dhe tha se kjo “lojë” kontrabande, me gjithë përpjekjet e Sigurimit të Shtetit, ka lulëzuar në përmasa shumë të mëdha në atë periudhë.
Vazhdimisht kishte arrestime, por kontrabanda ka vijuar pa ndërprerje. Kështu ai sjell si shembull rastin e anijes “Teuta“ në Poloni. Pasi u gjendën shumë materiale të blera kontrabandë u arrestuan 3 vetë dhe 5 të tjerë u pushuan nga puna. 18 marinarë të tjerë, u lanë në transport të brendshëm, me anije e vogla. E njëjta gjë ndodhi edhe me anijen “Kapiten Ahmet Luli”.
Në atë kohë, kapiteni i saj, nuk u arrestua me të tjerët, por u la me politikë penale, ashtu sikurse edhe unë me që ishim familje komuniste, me lidhje të shumta farefisnore me nomeklaturën e lartë të asaj kohe.
Ai kishte arritur që të fuste kontrabandë, deri televizor me ngjyra, të cilët në atë periudhë kohe, nuk i kishin në shtëpi, as anëtarët e Byrosë Politike. Më vonë, një pjesë e tyre filloi të pajisej me aparate TV, nga kontrabanda shtetërore e cigareve, që bëhej nga shteti në porto, pranë kalatës 0, nga Qazim Myftiu, oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme.
Sigurimi i valutës për tregun perëndimor
Kapiteni tashmë në pension, që dëshiron të mbetet anonim dhe t’i ruhet konfidencialiteti i bisedës, tregoi se për të realizuar blerjet në atë kohë, ishte e domosdoshme që të sigurohej valuta, kryesisht në flori, por edhe në dollar, ose derivate të tjera.
“Unë, – vijon rrëfimin Kapiteni, – valutën në flori, e kam siguruar kryesisht në Krujë, Korçë dhe në Përmet. Madje më kujtohet, kur kam bërë edhe kontrabandën e parë, se sa frikë kam pasur. Kanë qenë 3000 copë kaseta magnetofoni dhe 5000 shalle grash (najloni), të cilat ishin shumë të kërkuara në tregun vendas, por edhe gjyzlykë, etj.
Në Egjipt, merrnim rruaza për gra, nga ata që vihen në qafë, të cilat ishin me ngjyra të ndryshme. Me një dollar, merrje 10 copë, më e pakta. Tregu i vendit, t’i hiqte nga dora për 3000 lekë (të vjetra) palën e rruazave.
Me një dollar, po t’i referohemi vlerës së pagës së punës që ishte mesatarisht 5000-6000 lekë muaji, merrje rrogën e një gjysëm viti. Egjipti, kishte mall me shumicë dhe të lirë. Ndërsa në Turqi, bëhej kontrabanda me funde grash, unaza, bizhu, etj”.
Blerja e mallrave në tregun e huaj dhe maskimi me pako për ambasadat
“Marinarët, dilnin zakonisht nëpër qytete ku kishim ankoruar, me grupe treshe. Kjo ishte dhe rregullorja”, – vijon rrëfimin Kapiteni. “Ndërsa unë, si kapiten anije, shkoja në agjensi për të siguruar ngarkesën. Për të mos rënë në sy, me vete merrja edhe sekretarin e partisë. E kisha mikun tim. Mbaroja punë me ngarkesën e anijes dhe me pas, i drejtohesha dyqanit.
Me kërkesë që më duhen 5000 shalle, syze e, çdo lloj materiali që më duhej. Paguanim dhe shitësi na i sillte me mjetin e vet, deri te bordi i anijes. Të ambalazhuara, si; “mall i anijes për ambasadat e huaja”. Të shkruara sipër, sipas marrëveshjes paraprake mbi ambalazhet prej kartoni: “Mineralimpex” , “Tranship”, “Albimpex” etj.
Dogana nuk i luante kur ktheheshim, pasi besonte se ishte mall i ambasadave. Kështu punonim me tregtarët italianë. Ishin shumë korrektë me ne. Më kujtohet një rast, kur kisha fshehur në kolltukun e dhomës së kapitenit, rreth 14 copë ora zvicerane tip “Darvil”. Personeli i doganës, erdhi dhe u ul mbi to, ku i qerasa dhe me Whisky. Nuk kuptuan gjë”.
Si u futën nga Egjipti me makinën e ambasadorit, mallrat kontrabandë në port?!
Kapiteni tregon për një rast specifik. “Anija ndodhej në Egjipt dhe nga ambasada jonë atje, do të merrej një fotokopjatriçe, e cila ishte për Komitetin Qendror të PPSH-së. Pasi komunikova me ambasadorin tone, ngarkuam në mjetin e tij aparatin e fotokopjimit dhe u nisa me shoferin, për ta sjellë në anije. Rrugës ngarkova në makinë, një sasi të madhe rruazash, rreth 8000 palë.
Kur u afruam te porti, i thashë shoferit që të vendoste flamurin tonë në makinë, pasi kjo tregonte se ishte makina e ambasadorit dhe ajo kishte imunitetin diplomatik. Polici na nderoi dhe ne së bashku me fotokopjatriçen, futëm në anije edhe gjithë atë mall”.
Si vinin mijëra transistorë, për kanoçet e antenave televizive?!
“Mallra të lira blinim shumë edhe në portet Jugosllave. Veçanërisht në Rijeka, ku gjeje gjithçka. Po nga ajo periudhë, mbaj mend se një treg mjaft i leverdishëm, ishte edhe shitblerja e transitoreve për prodhimin e kanoçeve që u viheshin antenave televizive, për të kapur stacionet e huaja, që zhurmoheshin nga shteti ynë. Ishin të tipave BFR9001 dhe AFR. Vetëm në një rast kam sjellë 287 copë, kaq sa kishte në gjendje dyqani në Rijeka.
Një transistor, shkonte rreth 2-3000 lekë të asaj kohe. Ky artikull ishte shumë komod, edhe për t’u transportuar, pasi e gjithë sasia, futej në një paketë cigaresh. Me një fitim mbi 800 mijë lekë mall, të asaj periudhe.
Këto përthitheshin shumë dhe kishim porosi të shpeshta nga tekniket e televizorëve që u a kërkonin njerëzit, pasi ishin vitet që aparatet e televizorëve, po hynin shumë në familjet shqiptare, të cilët kishin interes që të kapnin sa më shumë stacione nga vendet fqinje. P.sh., në Durrës, ndiqeshin shume stacionet italiane dhe të gjitha veprimtaritë artistike, sporti, festivalet, lajmet, etj”.
Ari i Kollondajkut trafikohet nga Shqipëria në Jugosllavi!
Bëhet fjalë për një xeheror floriri, i ardhur në vendin tone, me siguri kontrabandë nga Amerika. Ari amerikan, ka pasur një histori të veçantë. Ishte një xeheror, prerje direkt nga minierat amerikane të arit, mbase në Kollondajk. I ardhur në vendin tonë, nga emigrantët e periudhës së hershme.
Ky objekt, i u dha në besim personit në fjalë. për ta shkëmbyer me mallra. Kapiteni kujton se këtë xeheror që ishte rreth 1.200 gramësh, ia dha një tregtar klandestin i arit nga Kruja, i cili kishte edhe shumë monedha. Damari i floririt, ishte i mbështjellë me një masë të zezë karbonit, ndërsa në mes të kësaj mase, vezullonte ari, që ishte metal, thuajse i pastër.
“E mora për t’a shkëmbyer në Rijeka, – tregon ai, – por edhe tregtaret e Rijekës, u trembën nga sasia e madhe e floririt dhe nuk guxuan që ta shkëmbenin. Realisht. nuk kishin aq shumë para sa kushtonte xeherori. Kur kam dalë nga anija në portin e Rijekes, – kujton detari, – ndalova te një dyqan i asaj periudhe “Rrahmani Optik”, ku shiteshin syze, afër një klubi “Maçka” te “Qoshku”, ku fillonte “Rijeçka-Bank”.
Miku im u lemeritë kur e pa. S’kishte pasur në dorë kurrë më pare, aq shumë ar njëherësh! Ne atë kohë në bursë, ari kishte vlerën e 35-40 dollarëve, për gram. Pra kapte një vlerë prej mbi 40 mijë dollarë. Nuk kishin para dhe mbase kishin frikë edhe ata, Policinë e tyre Politike.
Kështu që e kthyem pas nga ishte marrë, – kujton Kapiteni. Po asnjëherë nuk arrita që të kap me dorë, një sasi floriri kaq të madhe, më pas në jetën time”, përfundon bisedën interesante ish-kapiteni, rreth xeherorit të artë nga Amerika.
“Gjatë kohës që e kisha në kabinë, me dukej vetja sadopak Xhon Silver. Ja ktheva të zotit dhe nuk e di më fatin e tij. Para 15 viteve, ai që e kishte, u nda nga jeta dhe nuk e di më fatin e këtij guri të çmuar”.
Konjaku “Korça” dhe “Skënderbe”, zëvendësonte valutën
“Kur transportonim konjak, e kishim valutën me vete”, thonin marinarët. Nga ngarkesat në hambar, fironin me dhjetëra arka pijesh. Kur dilnin marinarët për shooping nga 3 vetë, merrnin me vete, rreth 15 copë, të tre. Dhe kjo u sillte të ardhura, në një shumë prej 30 dollarësh. Pasi shiteshin nga 2 dollarë shishja.
Kjo ishte shumë për ta, pasi dietat në valutë që merrnin ishin qesharake. Kapiteni kujton një rast, kur kanë qëndruar në Somali 3 muaj dhe për këtë, ka marrë një dietë prej 21 $. “Mbase edhe ky trajtim me pak valutë, ka qenë reagimi i kontrabandës masive që bënin detarët tanë në fshehtësi”, thotë Ylli Baro, një nga ish-kapitenët e anijeve në atë periudhë.
Nxjerrja nga anija dhe Porti i mallrave të sjella
“Kur anija hynte në port, pasi kryhej kontrolli doganor, fillonte edhe nxjerrja e sendeve të blera. Zakonisht natën, me peshkarexhat ose dhe me skafet e brendshme të portit. Po edhe me mjetet e shumta të transportit, që kishte porti. Kamionë, autovinxha, zetorë…! Por edhe me mjete të tjera. Në një rast mallrat i kam ngarkuar me makinën e Shefit të Degës së Punëve të Brendshme.
I kisha sjellë diçka shoferit të tij, që ma kishte kërkuar dhe erdhi me makinën e tij. Po në të, ngarkova të gjithë materialet që kisha marrë për vete. Tashti më vjen të qesh kur e kujtoj, por atëherë ishte tension i madh. Ishte mbase si tallje, për gjithë frikën e kaluar, nga Dega Brendshme, një institucion autoritar i tmerrshme.
Askush nuk guxoi që të kontrollonte mjetin, pasi dihet autoriteti që kishte një Shef Dege i Punëve të Brendshme. Edhe makina ishte pjesë e autoritetit të tij…! Le që ata i bënin kontrollet. Dhe i dërgova në shtëpi…”! Kështu përfundon bisedën ish-detari i vjetër, sfidanti i ligjeve të ashpra të shtetit komunist të asaj periudhe…!Memorie.al
Marrë nga shqiptarja.com