Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e pestë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonët dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Me t’u diplomuar për drejtësi në Bon, ishte regjistruar vullnetarisht pranë Regjimentit të 48-të të Këmbësorisë, duke e përfunduar shërbimin ushtarak me gradën toger. Në vitin 1922 gjeti punë në ministrinë rajonale të Pronës Shtetërore dhe Taksave në Taranto. Në Kastelaneta kishte pasur fqinj dhe shok një bashkëqytetar të destinuar për t’u bërë i famshëm me emrin Rodolfo Valentino. Shtëpitë e tyre, ose më mirë, shtëpitë e prindërve të tyre, ishin përballë njëra-tjetrës. Me karaktere krejtësisht të ndryshëm, ata kishin emërues të përbashkët elegancën në veshje dhe sjellje.
Takimi i tyre i fundit, në vitin 1924, ndodhi pikërisht në Kastelaneta në lokalin në Sheshin Umberto I-rë, ku të dy e kishin bërë zakon të pinin kafen dhe të ndiznin nga një Xhuzepe, 5 vjet më i ri se Rodolfo, e konsideronte mjeshtër të elegancës dhe i imitonte stilin. Rodolfo, që e kishte zakon shakanë, theksonte se Xhuzepe banonte tashmë në një rrugë, Rruga “Terruzi”, që kishte marrë emrin e tij, ndërsa ai, që banonte në Rrugën “Roma” dhe qe e kishte njëfarë nami, do të duhej të priste edhe pak para se t’i vihej emri i tij ndonjë rrugë.
Pas dy vjetësh, në vitin 1926, erdhi lajmi i vdekjes së papritur të Rodolfos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1929, Xhuzepe, pasi kishte fituar konkursin për një vend pune në një bankë të rëndësishme, ‘Credito Italiano’, filloi punë në Bari, në vitin 1931, kërkoi transferimin jashtë shtetit, ku fitimet ishin më të mëdha.
Falë profesionalizmit të tij dhe sidomos përvojës, edhe për arsye se nuk ishte i lidhur me kahe politikë, ia plotësuan kërkesën dhe e dërguan në Shqipëri, në rolin e zëvendës- drejtorit të filialit të Gjirokastrës. Një burrë i bukur, gjithmonë elegant, i gjatë, me fytyrë që shndriste, flokë të shtrirë ngjyrë gështenjë, sy kaf, ishte i përkushtuar ndaj punës dhe shumë kërkues ndaj vetes, por në të njëjtën kohë, i kuptueshëm me vartësit dhe zemërmadh me më të dobëtit. Cilësitë e tij brenda pak kohe ngjallën simpati në rrethin e Italianëve të Gjirokastrës. Përveç kësaj, ishte edhe një lojtar shumë i mirë brixhi, gjë që nuk prishte punë.
Pas Luftës së Parë Botërore, krijimi i protektoratit italian, me vullnetin për të mbajtur një shtet shqiptar të pavarur, u kishte sjellë italianëve përparësi të mëdha përsa i përket fushës politike (kontrast i aspiratave franceze në Ballkan), asaj ushtarake (ndërprerja e vazhdimësisë së pushtimit të serbëve dhe grekëve të bregut lindor të Adriatikut, plus edhe kontrollin e Kanalit të Otrantos) dhe ekonomike (duke pasur parasysh ‘vlerën e madhe të tranzitit të territorit shqiptar). Shqipëria në fakt, kishte një vlerë strategjike për ekuilibrin Adriatik dhe përbënte portën kryesore për një zgjerim ekonomik drejt Lindjes.
Në vitin 1925 u shpall Republika Shqiptare me në krye Ahmet Zogun, i cili i kishte varur shpresat në ndihmën financiare të regjimit fashist, për të forcuar pushtetin e tij në vend. Banka Kombëtare e Shqipërisë do të financohej nga Italia dhe do të drejtohej nga organe-shoqëri me shumicë italiane. Administrimi i institutit, i’u besua Amedeo Gambinos, i cili bashkëpunoi ngushtë me drejtorët e filialeve në Shqipëri. Banka Kombëtare e Shqipërisë, u themelua në Romë në 2 shtator 1925. Edhe pse statusi e detyronte të përshtatej me gold exchange standard, që në fillim ajo filloi të vepronte me gold standard, duke siguruar konvertim të plotë të bankënotave të veta në ar. Banka e Italisë nuk e pëlqeu shumë këtë procedure, sepse Banka Kombëtare e Shqipërisë, ishte thjesht tentakulë të saj.
Fan Stilian Noli, prifti ortodoks shqiptar që ushtronte një veprimtari të fortë politike kundër qeverisë, udhëhoqi revolucionin e parë demokratik shqiptar, duke e detyruar Ahmet Zogun, atëherë kryeministër i Shqipërisë, të ikte në mërgim dhe duke zënë vendin e tij. Pak muaj më vonë, revolucioni dështoi si pasojë e mbështetjes së regjimit të vjetër të trupave bjellogardiste, që ndodheshin në Jugosllavinë fqinje. Ahmeti hyri sërish në lojë dhe në janar të vitit 1925, u zgjodh president i Republikës së sapokrijuar të Shqipërisë, nga Asambleja e Përgjithshme. Noli u detyrua të mërgojë.
Qeveria e Zogut frymëzohej nga modele europiane, edhe pse një pjesë e madhe e Shqipërisë kishte ende një strukturë shoqërore të pandryshuar nga koha e sundimit otoman dhe pjesa më e madhe e fshatrave udhëhiqej ende nga bejlerët. Edhe pse mysliman, Zogu ndër kalli disa reforma, për shembull, ndaloi përdorimin e perçes për femrat dhe sanksionoi mizoritë kundrejt kafshëve. Aleatja kryesore e Zogut gjatë kësaj periudhe, ishte Italia, e cila i dha borxhe qeverisë së tij në këmbim të një pjesëmarrjeje më të madhe në menaxhimin e tatimeve shqiptare. Gjatë presidencës së vet, për herë të parë që nga vdekja e Skënderbeut, dalëngadalë skllavëria filloi të zhdukej dhe Shqipëria filloi të ngrihej më shumë si komb, se sa si agregat feudal i bejlerëve të krahinave.
Pushteti në rritje i Italisë në Shqipëri ishte i dukshëm për të gjithë, garantonte integritet dhe pavarësi, përveçse dhe një ndihmë të madhe ekonomike.
Zogu, pasi vendosi aleancën me Qeverinë e Romës, u shpall Mbret i Shqiptarëve me emrin Zogu I-rë më 1 shtator 1928, duke ngritur një Monarki Kushtetuese të ngjashme me atë të Italisë së asaj kohe. Krijoi një polici të fuqishme, shpiku “përshëndetjen zogiste” (dora e djathtë njësh mbi zemër me pëllëmbën drejtuar para) dhe pretendoi të ishte pasardhës i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Zogu I-rë, i shpërfillur nga Mbretërit e tjerë të Europës, me mbështetjen e qeverisë italiane, arriti të grumbullonte një pasuri të tërë në monedha ari dhe gurë të çmuar, të cilat rrjedhimisht i përdori për të financuar kartëmonedhën e parë shqiptare.
Në Shqipëri mbretëronte mospajtimi dhe disa fraksione të ndryshme i bënin karshillëk qeverisë. Italia, ashtu si Europa, për fat të keq, nuk bënte gjë tjetër veçse i ‘shtinte benzinë zjarrit’. Me qëllimin që të garantohej pavarësia politike dhe territorial e shteteve të vogla e të mëdha dhe në vijim të pretendimeve territorial të vendeve fituese të Luftës së Parë Botërore, u themelua edhe Lidhja e Kombeve. Për një moment, Italia u tërhoq me polemika nga konferenca në shenjë proteste për lëshimet e munguara territorial në Jugosllavi, por më vonë hyri sërish. Shtypi Italian filloi të fliste për një ‘fitore të gjymtuar’. Traktati i Rapallos gjithsesi i dha fund çështjes italiane të Adriatikut, duke i’a caktuar Dalmacinë Jugosllavisë dhe duke e deklaruar Fiumen qytet të lirë. Në valën e pakënaqësisë popullore, Musolini themeloi vijat e para të luftës, formacione paraushtarake te bazuara në një ideologji antidemokratike, që, edhe pse nxirrnin në pah virtytet heroike, i bënin hosana edhe dhunës me qëllimin e vetëm për të rrëmbyer pushtetin. Lëvizjet sindikaliste u shoqëruan me trazira në sheshe dhe bastisje dyqanesh.
Pas një viti dhune dhe anarkie, në tetor 1922, fashistët marshuan në Romë. Në 28 tetor Mbreti emëroi Musolinin kryeministër, i cili mundi kështu të merrte pushtet të jashtëzakonshëm për të rivënë rregullin. Qeveria u formua nga fashistë liberalë dhe popullore. Lindi kështu Madh i Fashizmit, organ komandues, si dhe Milicia Vullnetare për Sigurinë Kombëtare, një trupe e armatosur që nuk u betua për besnikëri ndaj Mbretit. U njoh edhe pavarësia italiane ndaj Fiumes me njohjen e marrëveshjes italo-jugosllave dhe dy kombet firmosen njëherësh edhe një pakt miqësie.
Por në Europë po shfaqeshin re stuhie ne horizont. Vdiq Lenini dhe pushteti në BRSS i kaloi Stalinit. Në Gjermani, Hitleri filloi të organizonte partinë Nacional-Socialiste.
“Zotërinj, ja kafeja dhe llogaria.
“Faleminderit”.
Pyesim nëse paguhet me lira italiane; përgjigjen po, i marrin, përveç monedhave metalike, që zor se mund të këmbehen. Paguajmë njëmbëdhjetë lira dhe vendosim t’u japim bakshish për mirësjelljen dhe u lemë mbi tryezë edhe dy kartëmonedha të tjera mijëshe.
“Mirë, dajë, ka kaluar ora 3 pasdite. Them se është mirë të bëjmë ndonjë shëtitje sa për të tretur ushqimin”.
“Sigurisht”.
Kthehemi në rrugën e madhe dhe vazhdojmë drejt stadiumit të vjetër. Jo shumë larg një turmë e madhe që ka zënë pothuajse gjithë bulevardin, afrohet drejt nesh. Pyesim çfarë po ndodh. Për një moment hutohemi.
“Dajë, a ka ndonjë mundësi që të kenë hapur fjalë dhe të të kenë përgatitur ndonjë festë”? i them unë me shaka.
“Se besoj”, më përgjigjet ai.
Pastaj na kujtohet që është e diel dhe kuptojmë se gjithë ata njerëz sapo kanë dalë nga stadiumi. Disa syresh komentojnë ndeshjen me zë të lartë, ka të tjerë që bëjnë gjeste, kush qesh, kush vrapon, por turma është kompakte dhe na kalon ndanë pa na krijuar probleme. Shohim njëri-tjetrin dhe mendojmë që afër ndonjë stadiumi italian, nuk do të kishim pasur të njëjtat ndjesi ndoshta. Me të mbaruar lumi njerëzor, vendosëm të bëjmë prapa-kthehu, pa shkuar te stadiumi, do të vijmë një ditë tjetër, është vonë dhe ka filluar të mugullohet.
Në kthim e kalojmë hotelin dhe vazhdojmë drejt Sheshit “Skënderbej”. I ndriçuar dhe i mrekullueshëm. Shumë të rinj takohen nën monumentin e heroit dhe kudo, deri te xhamia, ka një mizëri njerëzish. Na bën shumë përshtypje falja karakteristike, që nga lartësia e minares shpërhapet kudo. Ka ardhur ora e darkës, por nuk kemi shumë uri, meqë edhe dreka qe mjaft e rëndë. Pasi kthehemi në “Dajti” takojmë Spartakun, i cili, si përherë shumë i sjellshëm, na pyet nëse duam të hamë darkë. I përgjigjemi duke thënë se do të na e kishte ënda më shumë nga një çaj.
Zëmë vend në sallon dhe shohim televizor, ku po jepet përmbledhja e një ndeshjeje futbolli të kampionatit italian, kthejmë nga një gllënjkë çaji dhe disa ëmbëlsira të vogla. Daja, pasi dëgjoi lajmet italiane dhe i lodhur nga gjithë ajo ditë, më uron natën e mirë. Unë rri edhe për nja dhjetë minuta të tjera, pastaj shkoj në dhomën time.
AURELIA DHE XHUZEPE
Mes të çarave të grilave shfaqen rrezet e para të dritës, më vijnë në vesh tinguj të vagullt dhe të mbytur, por nuk më bëhet të ngrihem; mendoj se është ende herët dhe qëndroj i dembelosur në shtrat. Në ngrohtësinë e shtrojave është rehat. Sot gjendem në vendin ku prindërit e mi njohën gjithë të mirat e të këqijat e mundshme gjatë atyre 9 vjetëve të jetuara së bashku në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Një përzierje ndjesish më sulmon: krenari, zemërim dhe shumë mallëngjim.
Nga rrëfenjat humoristike të familjes, isha njohur me disa detaje të veçanta të historisë së tyre. E dija që Enveri shkonte sa në Paris në Gjirokastër, ndërkohë që Aurelia bashkë me prindërit shkonte shpesh në rrethin e komunitetit italian. Qyteza po popullohej përherë e më shumë nga ekspansioni italian në Shqipëri. Xhuzepe, në detyrën e zëvendësdrejtorit të bankës së vetme italiane në Gjirokastër, ishte bërë person i rëndësishëm për komunitetin. Aurelia, njëzetvjeçare, ishte tashmë në moshë për burrë.
Nuk u desh shumë kohë që të njiheshin dhe Xhuzepe filloi t’i vinte rrotull e të hynte e dilte në familjen e saj. Pas dy vjetësh i kërkoi dorën. Për Aurelian, Xhuzepe përfaqësonte një burrë të besueshëm, më këmbë në tokë dhe konkret, shokun, mirëbesuesin dhe ndoshta edhe babanë – i ndante një moshë prej 13 vjetësh. Atë e tërhiqte kjo femër e hijshme, e fortë dhe gjithë vullnet, që gëzonte statusin e një shoqeje të denjë për të kaluar jetën bashkë. Sipas fjalëve të të gjithë atyre që i njihnin, ata formonin një çift të bukur. Në të njëjtën kohë, Xhuzepe u emërua drejtor i Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Sarandë, një qytezë e këndshme në jug të vendit.
Martesa u bë në vitin 1936 në Konsullatën italiane në Sarandë, sipas ritualit civil dhe fetar nga don Mario, i cili erdhi enkas nga Korfuzi. Në ceremoni, përveç familjarëve dhe kolegëve të bankës, morën pjesë edhe disa personalitete të vendit: përfaqësuesi zyrtar i mbretit Zog I-rë, Konsulli Italian në Vlorë, Salvoni me bashkëshorten, Gambino, administrator i deleguar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Melis, drejtori qendror i po të njëjtës bankë, Lauriçela, komandant i pranisë ushtarake italiane në Vlorë, Rovigati, administrator i deleguar i minierave të Selenicës dhe kapiteni Ponte,i milicisë fashiste.
Të sapomartuarit u nisën për muaj mjalti në Itali, bënë itinerarin e Venecias, Triestes, Milanos e Firences dhe ndenjën në hotele me nam, si ‘Danieli’ në Venecia e ‘Baglioni’ në Firence. Shkuan në kazinonë e Venecias, në teatrin Scala të Milanos, ishin të pranishëm në një shfaqje të Aidës në Arenën e Veronës, ndaluan për një moment romantik nën ballkonin e Zhulietës. Aurelia bleu shumë fustane në rrobaqepësitë më të mira milaneze dhe i dërgoi menjëherë në Vlorë. Admiruan Kupolën e Torinos, kullën e pjerrët në Piza, Urën e Vjetër në Firence, vizituan kishën e Shën Xhustos dhe kështjellën Miramare në Trieste, rrjedhimisht i bënë homazhe edhe Mauzoleut Ushtarak të Redipulias në Goricia dhe shkuan në qytetet e kontestuara gjatë luftës së fundit: Fiume dhe Pula. Në Torino porositën krijimin më të ri të Fiatit, ‘Balilla 508’, të cilën në vitin 1932, e kishte kolauduar vetë Duçja në Vilën Torlonia në Romë.
Punësuan edhe shërbëtorë: motrat nga Veneto Anita dhe Bruna, përveç Euxhenias, e cila kishte punuar më parë në Shqipëri në Konsullatën e Vlorës – bashkë me Alberton, burrin e saj, i cili do të shërbente si shofer, mbrojtës dhe mazhordom. Ditët e çiftit kalonin intensive dhe të kënaqshme: Xhuzepe, përherë i vëmendshëm dhe i dashuruar, shpërblehej nga Aurelia me po aq dashuri.
Në fund të udhëtimit të gjatë të martesës dhe para se të ktheheshin në Vlorë, ata ndaluan në Pulia, në Castellaneta për të takuar motrën e Xhuzepes, Kiara, me të shoqin Minkuço. Çifti mbërriti në vend pasi ishte marrë vesh lajmi i martesës përrallore dhe kur ata të dy mbërritën në rruginën Terruzi me makinën që e kishin marrë me qera në Brindizi – ku kishin mbërritur nga Venecia – miqtë dhe të afërmit po mbanin radhë, duke u hedhur petale trëndafilash të bardhë.
Shumë elegantë që të dy, ai me një kostum gri dopiopet, ajo me një fustan të mëndafshtë ngjyrë ajke që nxirrte në pah format harmonishme dhe në kokë një kapelë të madhe, sollën një hijeshi të veçantë mbi turmën që, adhuruese dhe zili madhe, ishte mbledhur për t’i përshëndetur e festuar me ta. Urime, puthje e përqafime mes lotësh e buzëqeshjesh, ndërkohë që një mal me bagazhe shkarkohej nga automobili.
Të sapomartuarit kaluan disa ditë në gjirin e familjes dhe në vijim takuan miq e të njohur, duke hedhur njëfarë hijeje kureshtie për shkak të sjelljes së tyre të rafinuar, të pazakonta për një vend të prirur sidomos nga bujqësia dhe larg mondanitetit të qendrave të mëdha. Qëndrimi në Kastelaneta ishte mjaft çlodhës, çiftin e ftonin të merrte pjesë në takimet me miq në fermat e tyre, mbrëmjet i kalonin duke luajtur brixh, pastaj shkuan ne teatrin Petruzzelli të Barit, vizituan edhe arsenal e iarantos falë një lejekalimi nga Konsullata.
Leticia, vajza trembëdhjetë vjeçare e Kiarines, u magjeps nga ajo grua aq e bukur dhe elegante dhe kujtimin e saj e ruajti për gjithë jetën. Pas më shumë se një muaji, udhëtimi i Aurelias dhe Xhuzepes përfundoi. Pas përshëndetjeve të miqve e të të afërmve,hipën në anijen e Lloyd Adriatico-s qe do zbrisnin në Durrës. Leticia, entuziaste, këmbënguli të shkonte patjetër me ta në Shqipëri, ku ndenji disa muaj.
Ndërkohë që Aurelia dhe Xhuzepe bëheshin gati lumturisht të fillonin jetën e tyre së bashku, po ndizeshin zjarret e luftës në të gjithë Europën. Në Itali, nacionalistët donin të vendosnin zotërimin e tyre në zonën e Mesdheut dhe në Afrikën e Veriut, duke treguar kështu pavarësinë nga fashizmi dhe nga sistemi perëndimor. Qëllimi ambicioz qëndronte në zgjerimin e kolonive model te vendit, (Libia, Somalk Entrea), në përmasat e një perandorie të dytë romake. Ne vitin 1932, Musolini filloi planin për pushtimin e Etiopise, duke pretenduar se forcat perëndimore, nuk do të ndërhynin në ndihmë të një vendi afrikan, që prej tij konsiderohej si i padenje të përfshihej mes kombeve të qytetëruar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016