Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Ju kujtohen turnetë e miqësisë pa limit kur të gjithë vraponin drejt Kinës Popullore?. Nga gjimnastika e mëngjesit, “Fair play” i Himçit, citatet e Mao Ce Dunit, Ni Cih Cini, Loro Borici, Agim Fagu, e verdha e Lulzim Koncit, trajneri kinez Pai, deri filxhanat e porcelanit të markës kineze. Histori pa fund, në emër të miqësisë së pathyeshme, që as malet e larta nuk e ndanin!
1961 – 1978, miqësia e madhe shqiptaro-kineze
Ishte një miqësi që e tillë vazhdoi për rreth 17 vjet në sport, kulturë, art, kudo. Lindi pas viteve 1961, kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik. Vazhdoi e tillë deri në vitin 1978. Krisja e parë por e heshtur e miqësisë, ndodhi në fillim të viteve ’70-të. Në vitin 1971, vdes në një aksident ajror, Lin Biao, ministër i Mbrojtjes i Republikës Popullore të Kinës dhe pas një viti, në mënyrë sekrete, sekretari amerikan i shtetit Henry Kisinger, viziton Kinën, që pasohet menjëherë pas pak muajve me futjen e saj në OKB, në vend të Tajvanit.
Në vitin 1972, presidenti amerikan, Richard Nikson, viziton Kinën në takimin historik me Mao Ce Dunin. Çu En Lai, është kryeministër në vazhdim dhe jep shenja për tjetër kurs politik të ri, hapës të R.P. të Kinës. Me 8 janar 1976, vdes Çu En Lai dhe me 9 shtator të atij viti, edhe Mao Ce Duni. Në prill 1977, Hua Kuo Fen, është kryeministër dhe bashkë me Ten Sia Pin, për vite drejtojnë shtetin e madh kinez.
Ndërkohë në Shqipëri janë goditur “grupet armiqësore” në art, kulturë, ekonomi e ushtri, situata është konfuze. Ndërsa ajo politike e R.P. të Kinës, ndryshimi dhe mbështetja pro-amerikane prej vitesh nuk pëlqehet nga qeveria shqiptare, që edhe pse flitej nën zë për atmosferë kritike, ftohje të marrëdhënieve, ndarja publike do të deklarohej në vitin 1978. Tashmë miqësia e pathyeshme shqiptaro-kineze, nuk është më e tillë!
E reflektuar në sport, miqësia shqiptaro-kineze, ishte e pathyeshme!
E tillë është konsideruar e vlerësuar, trajtuar, propaganduar dhe në sport. Në vitet ‘70-të, lëvizjet sportive drejt Republikës Popullore të Kinës ishin të përmasave të mëdha. Grupe me sportistë të ekipeve përfaqësuese, klubeve, në të gjitha sporte dhe disiplinat, vërshonin me javë, muaj drejt Lindjes së largët, ku stërviteshin, trajtoheshin në kushte mjaft të mira.
Në futboll, basketboll, volejboll, qitje, atletikë, çiklizëm, pingpong, etj., etj. Ndonëse përballjet, diferenca në nivelin teknik, taktik ishte evidente në favor të ekipeve shqiptare, në mjaft raste skuadrat tona, orientoheshin të bënin tolerime, që takimi të mos përfundonte me rezultat të thellë. Në Shqipëri, stadiumet mbusheshin me nxënës, skënderbegas, studentë, për të shprehur interesimin, dashurinë e madhe. Gjithçka para ose më pas, me vizita në vende historike, deri edhe me punë të përbashkët në kooperativa bujqësore apo ndërmarrje prodhuese. Në Kinë, zotëronte tjetër atmosferë, kur krahas ndeshjeve, takimeve, kryheshin vizita, zakonisht në Murin e Madh, qytetet me histori, etj.
Qëndrimet ishin të gjata, kalonin muajin dhe zakonisht ato organizoheshin në periudhën pranverë-verë. Në Kinë në ato vite, kanë shkuar thuajse i gjithë brezi i sportistëve shqiptarë, djem e vajza. Bashkë me skuadrat, udhëtonin, i shoqëronin edhe një staf me drejtues klubi, njerëz të besuar partie, etj. Po kështu, edhe delegacionet kineze kur vinin në Shqipëri. Një praktikë e njohur me fjalimet hapëse, deri edhe pritjet nga qeveritarë të lartë. Pastaj garat, ndeshjet nën frymën e miqësisë, pa fitues dhe as humbës.
Gjimnastika e detyruar e mëngjesit!
Gjimnastika e mëngjesit, u bë e detyruar jo vetëm në shkolla, universitete, qendra pune por, edhe në institucione, kudo. 30-të minuta para fillimit të orarit zyrtar, punonjësit çdo mëngjes, duhet të paraqiteshin në punë, pasi do të zhvillohej gjimnastika e detyruar e mëngjesit, rreth 15-të minuta. Ishte e stilit dhe e orientuar nga teoria kineze “Punë -Shëndet-Kalitje”. Edhe pse me veshje civile, gjimnastika organizohej e zhvillohej në afërsi të institucionit, ndërmarrjes, shkollave, universiteteve, në të ngrohtë e të ftohtë, në kohë me diell apo me shi.
Mungesa e pajustifikuar në gjimnastikën e mëngjesit, nuk pëlqehej nga drejtuesit, të cilët bënin apelin dhe të munguarit ishin të detyruar të jepnin llogari. Kjo mënyrë vazhdoi për disa vite, pastaj u ndërpre, për të mos u aplikuar më asnjëherë. Aq më shumë pas prishjes me kinezët, metodat, format dhe aplikimet në sport, u reduktuan deri sa hoqën përfundimisht nga qarkullimi.
Goli i falur, rasti unikal i Himçit…!
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1971, kur skuadra e “Labinotit” të Elbasanit, ndodhej për një turne miqësor në R.P. të Kinës. Në qytetin e vendlindjes së Mao Ce Dunit, Shaoshan-Hunan, ishte programuar një ndeshje miqësore e “Labonitit”, me ekipin vendas. Në mes lojën e pjesës se parë, Pëllumb Himçi, me profesion stomatolog, “Macola” elbasanas, (kështu e kanë thirrur për nga ngjashmëria në stilin e lojës me futbollistin e famshëm Italian) një ndër sulmuesit e shquar të “Labinotit”, të atyre viteve, merr një top, dhe pasi ka dribluar dy tre kundërshtarë kinezë bashkë me to edhe portierin. E ndërsa po i drejtohet i vetëm portës së boshatisur, është ndalur për një çast para vijës së saj.
Lidhur me këtë, vetë Himçi, tregon: “Vëllezërve kinezë nuk mund t’i shënohej gol në atë mënyrë, aq më tepër ndaj skuadrës së një qyteti ku kishte lindur udhëheqësi i tyre, Mao Ce Duni. Pastaj edhe nga frika për një ndëshkim personal që mund të më shkaktonte ky gol, ndalova para vijës së portës bashkë me topin, nuk e godita atë drejt rrjetës. E ndalova, e lashë pranë saj, u ktheva duke i dhënë dorën njëri pas tjetrit futbollistëve kinezë që kisha dribluar, një shtrëngim në shenjë miqësie. Ato qëndronin të habitur, ndërsa nga altoparlanti i stadiumit, vinte urimi: ‘Të rrojë miqësia, bravo Çimçi, nuk ka vlerë goli por miqësia midis dy popujve’. Edhe vetë lojtarët e “Labinotit”, trajnerë e përgjegjës, e miratuan atë veprim, pa patur kurajën të më kërkonin llogari pse unë nuk shënova. Sidoqoftë ndeshja e fitua 3-1 nga Labinoti” – përfundon Himçi.
Agalliu, nga titulli i humbur te mbledhja e pambukut me kinezët
Vitet ‘60-’70-të e më pas, janë shoqëruar me mjaft takime e gara që zhvilloheshin në Shqipëri, në të cilat ishin të pranishëm edhe çiklistët kinezë. Një ngjarje e rrallë është e lidhur me sportistin e famshëm të çiklizmit shqiptar, Bilal Agalliun, me titullin e humbur në sezonin 1967, që nuk kaloi pa polemika.“Në përfundim të atij rrethi çiklistik, çiklisti kinez doli i pari, por duke qenë se nuk mund të shpallej zyrtarisht kampion, titulli, i’u dha Shefqet Dervishit, i klasifikuar i dyti dhe mua i treti”- kujtonte Agalliu.
Por, Agalliut, kinezët nuk iu ndanë kur iu shfaqën sërish gjatë një turi miqësor të çiklistëve shqiptarë në Kinë. Siç veprohej në ato vite të miqësisë së madhe shqiptaro-kineze, kraha garave e stërvitjeve të përbashkëta, një pjesë të qëndrimit e kalonin në vizita në muze, te Muri i Madh, deri edhe në ndihmë të bujqësisë. Në një aksion të tillë janë përfshirë edhe çiklistët shqiptarë, mjafton t’i referohesh fotos, kur sheh Bilal Agalliun, bashkë me pjesëtarët e delegacionit, duke mbledhur pambuk, në një nga plantacionet, në periferi të Pekinit.
Leximi i citateve të Mao Ce Dunit!
Edhe pse e ke në dorë, sheh foton, vështirë të kuptosh çfarë po ndodh. Një nga fotot më shumë se unikale për sportin shqiptar, historinë e tij, jo vetëm të volejbollit. Fotoja është fiksuar para një takimi miqësor të volejbollit, midis skuadrës kinezë dhe asaj shqiptare, ndeshje miqësore e e zhvilluar në Pekin në vitin 1967, në kulmin e Revolucionit Kulturor Kinez (1966 -1969).
“Aty janë: Anastas Panteqi, Todi Driza, Vesel Rizvanolli, Fatmir Sharofi, Tonin Fistani, Sandër Paloka, Ali Bushati, Enis Terihati, Fatmir Meka, Xhel Koja që po lexojmë citatet e shokut Mao Ce Dun, para ndeshjes. Por askush prej nesh nuk e di se për çfarë bëhet fjalë në ato faqe. Lexonim në gjuhën kineze, të sigurt se po bënim një akt “revolucionar”, por që realisht nuk kishte lidhje me sportin. Kujtoj duartrokitjet e pafund të pallatit të sportit që shoqëronin dhe aprovonin leximin tonë”, tregonte Fatmir Sharofi. Në ditët e sotme, as që mund të mendohet, imagjinohet diçka e tillë!
Dhuratë një shishe me vaj ulliri shqiptar për “Partizanin”
Viti 1972, ekipi i futbollit “Partizani”, niset për një turne miqësor në Kinë. Qëndrimi atje ishte i gjatë dhe krahas takimeve miqësore, të ndodhur në qytetin Huan, skuadrën dhe drejtuesit, i ftojnë për të shkuar e parë në një plantacion prodhimi bujqësor, me ullirin si produkt kryesor e të rëndësishëm. Kjo, pasi kohë më pare, një delegacion i sektorit të bujqësisë nga Kina, kishte qenë në Vlorë dhe si dhuratë, i kishin dhënë disa fidanë ulliri.
Të sapo kthyer në Kinë, ata e kishin mbjellë dhe prisnin frytet. Për këtë arsye ftojnë ekipin “Partizani”, që të veshur ushtarakë shkojnë për të parë rezultatin, madje duke vjelur edhe ato pak kokrra që kishte prodhuar pema, pasi kushtet ndoshta nuk e favorizonin rritjen e ullirit atje. “Para se të largoheshim, si dhuratë, na japin nga dy shishe me vaj ulliri shqiptar, por të prodhuar në Kinë”- do të na tregonte Gjergji Thaka.
Ardhja në Shqipëri e rekordmenit, Ni Çih Çin!
Ka qenë një ndër sportistët më të mëdhenj të kohës, Ni Çih Çin, atlet i garës së kërcimit së larti. Më famë të madhe, të paktën në Kinë apo në zonat për rreth saj. Fitues i medaljeve në Lojërat e Ganefos, ato aziatike, por vetëm kaq. Atlet i talentuar, i jashtëzakonshëm në kërcim së larti, me një karrierë disa vjeçare dhe kulmin e arrin me 8 nëntor 1970, kur në qytetin Çansha, vendos shifrat 2.29.
Por rekordi tij, nuk njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pasi Kina nuk është anëtare e OKB-së. Ni Çih Çin, në vitin 1973 vjen në Shqipëri dhe garon në stadiumin “Qemal Stafa” të tejmbushur si rrallë ndonjëherë. Kërcen me tuta lartësinë 2.00 në një pedanë me rërë, pasi në atë kohë e deri shumë vjet më vonë, në Shqipëri mungonin dyshekët e sfungjerit! Pastaj ai kalon lartësinë 2.25, me stilin “Brumel”.
Duartrokitje për kampionin kinez dhe nderim i madh për të. Në katër qytete shqiptare, ku garoi, duke kaluar lartësitë deri në 2.26, u mirëprit, duartrokit nga të gjithë. Pastaj një vizitë surprizë në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov” në periferi të Tiranës: Nga ajo ditë, Ni Çih Çini 30 vjeçar, ruan si kujtim një foto ku ai është duke prashitur, bashkë me kolegë, zyrtarë shqiptarë, etj.
Kur Loro Boriçi i refuzoi rrogën, për një paketë cigare!
I veçantë dhe i papërsëritshëm është rasti i trajnerit të madh shqiptar të futbollit, Loro Borici. Është koha kur kinezët, pretendojnë, kërkojnë të ngrenë nivelin e futbollit, pasi duke qenë jashtë organizmave ndërkombëtare i mungonin njerëzit e kualifikuar, rezultatet, takimet etj. Për këtë qëllim i propozojnë qeverisë shqiptare që për disa muaj të marrin një trajner shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit, cakton Loro Boriçin, (si personalitet në këtë fushë) dhe në vitin 1973, Boriçi legjendar udhëton në Kinë e, qëndron atje për një periudhë të gjatë, pranë kombëtares së futbollit të R.P. të Kinës.
Por, e veçanta nuk qëndron këtu, por tek “marrëveshja” që Boriçi bëri me drejtuesit kinezë. Ndërsa ata i caktuan një rrogë mujore, Boriçi nuk e pranoi, duke deklaruar se: si vullnetar që ishte, nuk mund të merrte pagesë financiare nga një vend mik si R.P. Kinës. Por, për punën që do të bënte, i kërkoi autoriteteve kineze, që t’i siguronin në mënyrë të vazhdueshme dy paketa cigare në ditë, pasi e pinte në pafundësi atë. Pra, nuk pranoi shpërblim financiar por, në këmbim mori paketa me cigare kineze.
“Sjellja anti – sportive” e Agim Fagut!
Viti 1976…! Turne miqësor i gjatë e i lodhshëm në Republikën Popullore të Kinës, i ekipit kombëtar shqiptar të basketbollit, që në përbërje ka lojtarë të nivelit të lartë që bëjnë diferencë me ato kinezë. Në ndeshjen e zhvilluar në qytetin e Pekinit ku, pallati i sportit ishte i tejmbushur, loja është e tensionuar pasi, basketbollistët kinezë ndërhynin ashpër, duke shkaktuar faulle të rënda ndaj atyre shqiptarë, por që nuk ndëshkoheshin nga arbritrat kinezë.
Ndërsa altoparlanti buçiste me parullat e zakonshme: “Të rrojë miqësia shqiptaro-kineze, nuk ka rëndësi çfarë po ndodh në fushë, popujt e dy vendeve janë miq”. Në veçanti ndaj Agim Fagut, ndërhyrjet ishin sistematike dhe mjaft provokuese. Kjo deri kur Fagu, tashmë i dërmuar, nuk ka duruar por, e ka pritur kundërshtarin, ka reaguar fizikisht ndaj tij dhe me një goditje, e ka përplasur përtokë pa ndjenja. Loja vazhdoi, Fagu doli prej saj por pasojat nuk ishin të vogla për basketbollistin më të mirë shqiptar, simbolin e tij.
Ky moment ka qenë dhe mbetet një nga çastet më të trishtuara të karrierës së tij, që i erdhi pikërisht nga “miqësia e pathyeshme me vëllezërit kinezë”. Shteti shqiptar nuk reagoi, qëndroi në heshtje, madje duke kritikuar e ndëshkuar “sjelljen anti- sportive” të Agim Fagut. Deri edhe heqjen e titullit “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. E pafalshme, edhe sot e pashpjegueshme ka mbetur…!
Kënga kineze “Lindja është e kuqe”!
Në Shqipëri, filloi të ishte modë, stili por edhe muzika kineze, këngët, etj. Veshja ishte e para që filloi të shtrihej gjerë në stilin shqiptar, nga udhëheqja e deri në shtresat e popullsisë. Por, kënga ishte më e veçantë: Mësohej në mënyrë automatike fjalët, pa ditur tekstin. Kënga që mbahet mend, ishte “Lindja është e kuqe”, ku nxënës të shkollave tetëvjeçare, praktikonin nga instruktorë kinezë mësimin e këngës në mjedise të ndryshme, si pallate sporti, etj. Popullsia duhet të ishte gati që të këndonte këngën në manifestime, por edhe në ato sportive, këngë kineze.
Në ndeshjet miqësore me ekipe kineze, në veçanti në futboll, stadiumet mbusheshin me nxënës të shkollave tetëvjeçare, ato të mesme dhe ushtarakë nga reparte, Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha”, etj. Dhe rezultati i takimit duhet të ishte pa fitues: Edhe pse skuadrat shqiptare kishin epërsi, kishin nivel më të larët ndaj rivalëve, jepej orientimi se, nuk duhet të shënoheshin shumë gola dhe mundësisht takimi të mbyllej në barazim, ose me një rezultat të ngushtë. Ndeshja duhet të karakterizohej nga fryma e miqësisë.
Materialet sportive kineze, të cilësisë së lartë
Materialet sportive kineze, kanë qenë një ndihmë e madhe, me vlerë dhe të rëndësishme për sportistët shqiptarë. Në veçanti në vitet e lulëzimit të miqësisë, ishte favor i madh të kishe materiale sportive kineze. Të privilegjuara me mundësi që të furnizoheshin, ishin dy skuadrat ushtarake, “Partizani”, “Dinamo”, e më pak klubet e tjera.
Thuajse në të gjitha disiplinat sportive, si futboll, lojërat me dorë, gjimnastikë, etj., etj., materialet ishin të cilësisë së lartë, nga atletet, tutat, tejet cilësore dhe të preferuara. Vinin në Shqipëri me anije dhe realisht kanë dhënë një mbështetje masive për sportin shqiptar, në përfaqësimet kombëtare deri edhe ato ndërkombëtare.
Kartoni i parë i verdhë në Kinë!
Kartoni i verdhë, ka qenë një moment shumë historik, si për një ekip futbollit shqiptar por, edhe për vetë kinezët. Ka qenë një turne i ekipit përfaqësues të të rinjve, në verën e vitit 1973, i përbërë nga: Sulejman Starova, Seit Hyseni, Albert Sejdari, Luan Metani, Vladimir Janku, Arjan Bakiri, Ardian Arra, Sulejman Mema, Dion Kushe, Millan Baçi, Edmond Gezdari, Kreshnik Agolli, Ardian Lleshi dhe Ilir Bushati, me trajnerë, Refik Resmja e Thanas Jançe. Ndeshja luhej në stadiumin gjigant “Punëtori” të Pekinit.
Në botërorin e futbollit të 70-ës në Meksikë, është aplikuar për herë të parë kartoni i verdhë dhe i kuq. Por, duke qenë jashtë pjesëmarrjeve ndërkombëtare, dhe e shkëputur me FIFA-n, në Kinë ende nuk njihej, dhe kishin shumë pak informacion për ndryshimet e rregulloreve. Për të bërë demonstrimin e parë, arbitri i ndeshjes, shqiptari Lulzim Konçi kujton: “I kërkoja në mënyrë të vazhdueshme futbollistëve Seit Hyseni, Sulejman Starova, që të shkaktonin një faull të qëllimshëm, që të më jepej mundësia të demonstroja, duke i ndëshkuar me kartonin e verdhë.
Por, askush nuk pranonte, kishin frikë për ndonjë pasojë të mundshme. Dhe momenti erdhi, Dion Kushe, korçar, (i pa djallëzuar), ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj një futbollisti kinez. Reagova menjëherë, me shpejtësi nxora nga xhepi dhe me dorën lart në mënyrë të dukshme i tregova kartonin e verdhë. Loja u ndërpre për disa minuta nga duartrokitjet dhe nga zëri spikerit që më falenderonte dhe sqaronte, pse ishte nxjerrë kartoni i verdhë”- kujton ish-arbitri ndërkombëtar, Konçi.
Shkëmbimet, student, trajnerë
Shkëmbimet e ndërsjellat në sport, skuadra, ekipe të të gjitha sporteve, në cirk, studentë shqiptarë që u diplomuan në Kinë, pranë Universitetit të Sporteve të Pekinit ishte praktikë e kohës. Nga Pekini u kthyen në Shqipëri, kuadro të përgatitur dhe sportistë të nivelit të lartë, ku veçojmë kampionin hedhjes së çekiçit Fatmir Bajraktarin, atletët Skënder Balluku, Agron Çuka, etj.
Por edhe nga Kina erdhën në Shqipëri specialistë të njohur, si trajneri i basketbollit Pai, që për një periudhë dy vjeçare, qëndroi pranë ekipit kombëtar shqiptar. Madje, duke qenë vendimtar dhe në rezultatet e mjaft skuadrave shqiptare, në përfaqësimet ndërkombëtare, në ndryshimin, e mënyrës së stërvitjeve, trajtimeve, etj. Kanë qenë shkëmbime eksperiencash me vlerë profesionale e të rëndësishme për kohën. Shumë sportistë edhe sot e kujtojnë atë kontribut me vlerë të trajningut kinez dhe për sportin shqiptar, në mjaft disiplina sportive, kryesisht volejboll, basketboll, atletikë, gjimnastikë, pingpong, etj.
Filxhanët kinezë dhe stema e Mao Ce Dunit dhurata tradicionale
Filxhanët kineze, stemat me fytyrën e Mao Ce Dunit, ishin dhurata më me vlerë që mund të merrje nga Republika Popullore e Kinës, në kthim për në Shqipëri, Në çantat apo valixhet që kishin sportistët, dallohej veçanërisht kutitë më filxhanët e çajit apo të kafesë.
As që mund të konceptohej që të vije nga një turne miqësor në Kinë, të mos merrje për gjithë familjaret suvenirë kinezë, ku veçoheshin filxhanët e ndryshme te kafesë apo të çajit. Edhe sot në shumë familje ish-sportistësh janë apo kanë mbetur ato filxhan historikë, që më shumë se ato, asgjë tjetër nuk simbolizon atë kohë, si pjesë e pandarë e miqësisë shqiptaro-kineze. Edhe në sport! Memorie.al