Nga Prof. Sami Repishti
“SURGITE, MORTUI”! – LE TE NGRIHEN TE VDEKUNIT!
Memorie.al / Kohët e fundit, shtypi gjerman ka trajtue “problemin” e nji nazisti 93 vjeçar, Oskar Gruening, “llogaritar në Auschwitz” (1944). Jehona e kësaj fushate ka përfshi Europën dhe ka arrijtë edhe në SHBA-ës. Në nji artikull-opinion të gazetares Anna Lauerbeck, editore e gazetës ‘Tagespiegel’, çështja “Gruening”, trajtohet për efektin e saj në popullsinë gjermane, për mënyrën si e kaluemja naziste, ka afektue opinionin publik gjerman, dhe për mundësitë e nji kuptimi ma të mirë, të periudhës naziste në Gjermani.
I pandehuni Gruening akuzohet si; “…pjesëmarrës” në vrasjen (murder) e të paktën 300.000 të internuemësh, shumica hebreje nga Hungaria. Gjatë viti 1944, ai dëshmoi zbritjen e kolonave nga treni, hymjen e të internuemeve në kamp, ndamjen e tyne në dy grupe: të fortit për punë të detyrueshme, dhe të paaftit për dënim me vdekje. Ai nuk reagoi. Ai nuk dëshmoi për terrorin që pau me sytë e vet. Ai u mbulue me heshtje të plotë…nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit.
Gruening është kështu nji tjetër ekzemplar i të ashtuquejtunit fenomen i “banalitetit të së Keqes” (siç e përcaktoi Hannah Arendt); krime të përbindshme, masive, jashtë aftësisë sonë me kuptue e spjegue – siç ka qenë rasti “holokaust”- gjatë Luftës së Dytë Botërore, të kryeme nga individë mediokër, pa asnji vlerë intelektuale ose morale, elemente robotë që veprojnë si mbas urdhënave të dhanun nga nalt, pa pyet, pa nevojë sqarimi të përmbajtjes së urdhënit, pa dëshirën me parashikue efektin shkatërrimtar të aksionit vrastar…!
Interesimi i popullit gjerman për këtë gjykim, u rrit edhe ma shumë sepse, në të gjithë dëshminë e tij, Gruening nuk zuni me gojë fjalën “vrasje” (murder), por u shpreh se eliminimi i të internuemëve, ka qenë “i rregullt” dhe “i pastër”, nji akt rutinor që konsumoj me precision; 5.000 viktima në ditë”. Vetëm nji ditë ai u prek kur nji roje SS, vrau me dru nji fëmijë që vajtonte nga uria. Gruening u prek…! Në shpjegimin e tij ai deklaroi: “Mos harroni se ma në fund, kështu veprohej në kampet e përqendrimit…”! Gjyqi kundër Gruening, vazhdon ende. Popullsia gjermane reflekton mbi të kaluemen….!
Ky gjyq ka nji randësi të posaçme, sepse mund të jetë i fundit. Që nga viti 1945 e deri sot, kanë kalue 70 vjet. Por dalja e kriminelëve para gjykatave gjermane, detyron breznitë tona me rishqyrtue: “ç’farë na kujtojnë krimet e djeshme, si reagojmë na sot, me qëllim që të mos përsëriten nesër”?
Nga reagimi si rrjedhim i së kaluemes, varet jeta e jonë politike sot. Nga mësimet e marruna, na përcaktojmë trajektoren e edukimit të fëmijëve tonë. Gjermania ka qenë dhe mbetet nji nga vendet ma të kulturueme në botë. Por eksperienca naziste akuzon randë kulturën gjermane, dhe na tregon se edhe nji shoqëni mjaft e kulturueme gabon dhe rrëshqet në pellgun e krimit kolektiv.
Kultura që ngren nivelin tonë si qenie njerëzore, kultura që mbjell në zemrat tona, idealin e njeriut të lirë e me dinjitet, si epiqendra e gjithë veprimeve dhe qëndrimeve tona, dështon para forcës brutë të legjoneve të djallit, që përfaqësojnë “kulturën e vdekjes”, siç e shohim sot, sidomos në Lindjen e Mesme, në qendrën e ish qytetnimit arab…!
Para se emnat, shifrat e tregimet e vuajtjeve tona të së kaluemes, të marrin konotacione abstrakte, para se të bahen objekte diskutimesh akademike e mjete propagande nga “donkishotët” e klasave politike – cilado qofshin ato – na duhet të ndërmarrim me vendosmëni të shumanshme – dhe pa sentimentalizmin e njeriut /qytetar, në këtë rast shqiptar – zbulimin e thelbit të karakterit tonë, dhe të mentalitetit që kemi formue e që na drejton sot. Na duhet të njohim veten kur themi; “unë jam shqiptar!”
Nuk mjafton leximi i tregimeve të vuajtjeve nën regjimin diktatorial – na që kemi përjetue fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe komunizmin “internacionalist” (maskë e pansllavizmit agresiv). Na jemi ngopë me ushqimin e tyne helmues. Po, e kemi luftue! Po, e kemi përkrahë, e sidomos e kemi pranue me kokë ulun, për dekada të gjata. Para nji gjendje të tillë, na detyrohemi moralisht me tregue mirënjohjen tonë, për të gjithë ata, vëllazën e motra, që gjetën guximin e duhun me luftue për lirinë e vendit gjatë pushtimeve të huaja, dhe për demokraci, gjatë dekadave të terrorit komunist. Këta heronj dhe heroina të ditëve tona, kanë shpëtue nderin dhe dinjitetin e mbar kombit tonë!
Ata që morën rrugën e turpit të bashkëpunimit me okupatorin, ose që shërbyen besnikërisht në legjionet vrastare të “diktaturës së proletariatit”, duhen përbuzë. Edhe historia e jonë, e nji vendi të vogël, ashtë nji monedhë me dy faqe; bashkë me lavdinë e fitueme duhet të skuqemi nga turpi i çnjerëzimit, ku kemi ra në disa epoka. Bashkë me duartrokitjet, na duhet të gjejmë forcën morale, me dënue të kaluemen tonë poshtëruese, me dënue të gjithë ata që zbritën kombin tonë në pellgjet e nënshtrimit, e të krimit politik. Duhet dënue krimi, duhet pranue përgjegjësia, e duhet të punojmë drejt rindërtimit moral…në se duem të pengojmë vdekjen tonë morale, që mund të vij nga amnezia e plotë e së kaluemes.
Sot, viktimat e terrorit të çdo ngjyre, luten: “Mos na harroni”! Sot, kriminelët, ustallarët e ferrit e terrorit komunist, kërcënojnë me përsëritje të terrorit, në vend të kërkimit të faljes së krimit të kryem. Nga leximi i procesit të kriminelit nazist Gruening, m’u kujtua shpjegimi i komandantit të kampit të përqendrimit komunist në Saver, Lushnjë, (emni nuk më kujtohet), pellgu i zi ku humbën jetën qindra e qindra fëmijë, sidomos fëmijë, gra e pleq – të gjithë qytetarë të pafajshëm.
Sot, ai jeton i qetë (në se jeton akoma), aty ka ku ka qenë ma parë, dhe flet, pa pikë turpi e pa bremje ndërgjegje, për vuajtjet e torturat e ushtrueme mbi viktimat e kampit: “Ashtu ishte koha…! Na kishim urdhër….! Ç’të bëja unë? Të kundërshtoja”?! Ky është kulmi i banalitetit që karakterizoi mediokritetet e pushtetit të terrorit. Dhe “e keqja” zhvillohet “normalisht”, deri në masakër kolektive, deri në shfarosje. E pamundura bahet e mundur nga banaliteti i robotëve të indoktrinuem, pa mend pa zemër në kampet e internimit, për të pafajshmit për 45 vjet me radhë, të mbyllun në kasolla prej baltë me mure prej kashte…!
Jo, o vëlla katil: mos kundërshto! Zbato me përpikmëni urdhënat e marrun nga nalt, vrit, shndërro, rrah me drue, ngordhë me uri, moho shërbimet mjekësorë, mos lejo arsimimin e fëmijëve, pengo vizitat familjare, …dhe mos harro “plotësimin e normës” ditore dhe ndëshkimin e të dërmuemit, të lodhunit nga mosha e sëmundja që nuk plotësojshin “normën”, …në vend që të punosh në nji fermë ose fabrikë, ku buka fitohet me djersë e ndershmëri…! Kriminale!
Jo, o vëlla katil: mos kundërshto! Për turpin tënd e të kombit që ti i përket…! Sepse ti, bashkë me krye-kriminelët e piramidës shtetërore, jetoni sot jetën e qetë… e jo në kasolle balte. Asgjë nuk ngjau në të shkuemen! “E kaluara e kaluar, e shkuar…! Harrojeni, e të fillojmë përsëri…! Dhe ndoshta bëhemi edhe deputetë, edhe ministra, pse jo? Shqiptarë jemi ne… bijtë e kësaj toke…”, në vend që të punojshe në ndërtim, në arsim, në shëndetësi, aty ku buka fitohet me djersë e ndershmëri! Groteske! Sot, kërcënime të fshehta e të hapura u bëhen viktimave, akoma të frikesueme nga jeta e vështirë për dekada të gjata, viktimave që nuk kanë guximin me kërkue banesat e tyne, të sekuestrueme 70 vjet ma parë…! Absurde!
E gjithë kjo katrahure nuk shërohet me fjalë e fjalime. Duhet aksioni! Në vendet europiane ku “pastrimi” i kriminelëve ka përfundue me sukses, popullsia e çlirueme ban hapin e dytë, përpjekjen me qetësue ndërgjegjet e trazueme me akte bamirëse, ndihmë për të tjerët: të vorfën, emigrantë, azil politik, mundësi me rifillue nji jetë të re, etj. Por shqiptarët që i ka lanë mbrapa zhvillimi i shpejtë europian (e të kënaqun me “supën ideologjike”), për nji rindërtim moral, duhet “pastrimi” i shoqërisë nga elementët toksikë të kriminalizuem dhe frika që ata ende shpërndajnë.
“Ligji mbi dosjet dhe lustracionin”, ashtu si u paraqit në Kuvend, me 30 prill 2015, nuk duket se synon “pastrimin”, kondita kryesore për nji proces që na qetëson; nji domosdoshmeni për nji periudhë të re në historinë tonë, dhe hymjem në fazën e dytë të procesit, humanizimin e shoqërisë sonë shqiptare dhe pyetjen; “përse ngjau katastrofa e jonë”? Me shpjegimin e arsyes së katastrofës vjen mirëkuptimi dhe qetësimi i shpirtënve tonë, që sot në Shqipëri jetojnë akoma të trazuem.
Ligji i ri i “dosjeve” për “lustracion”, nuk përmbushë këtë mision. Me pushtete në duer të caktueme e të akuzueme për frymë absolute, të zhytun në krim e korrupsion, që kontrollojnë jetën publike të vendit, nuk ndërtohet as shteti, as shoqëria civile e pastër shqiptare. Ligji i ri, konfirmon sundimin e “personit”, të “titullarit”, të nji dikasteri që vendos cili “zyrtar” mund të hetohet e, cili jo – pa arsyetim ligjor!- Ky është nji shantazh i turpshëm, i hapun, që do të kthej “zyrtarët” në shërbëtorë besnikë të “titullarit”… ashtu si janë sot deputetët partiakë të Kuvendit, “kukulla” të kryetarëve të partive përkatëse… e jo të zgjedhun nga populli… individë që shiten e blihen, si dhentë në tregun e fshatit…!
Ashtë patetike me lexue në shtypin shqiptar, se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përcaktohet si nji grumbullim ku “…gjysma e Kuvendit, në mos më shumë, përbëhet nga njerëz pa asnjë kontribut politik e publik, por janë ca tregtarë, kontrabandistë, biznesmenë që vijnë edhe nga bota e krimit, e kriminelë safi, që ende nuk kanë shpërlarë dosjet e tyre dhe nuk dinë ende kë emër të përdorin si zyrtarë, për shkak të llagapeve që mbanin, kur trafikonin drogë e prostitucion”! Fatkeqësi kombëtare!
Vitet kalojnë. Shumica e ish të persekutuemëve kanë vdekë, pa i parë “dosjet”! Familjet e tyne vazhdojnë jetën e mjerimit, vorfënisë e harresës nga “bota e re”, jetë që filloi më 1945 dhe vazhdon edhe sot 70 vjet ma vonë. Shumë nga ata që mbijetojnë nuk kanë as fuqinë e duhun, as aftësinë praktike me imponue hapjen e dosjeve dhe lustracionin e ndershëm, nji kërkesë elementare për shërimin kombëtar…!
Kështu, ata janë “të dënuem”, me ba nji ekzistencë pa drejtim, pa mjete, pa shpresë për një të ardhme me dinjitet, për vete dhe për fëmijët e tyne. Ndërsa ata që “sundojnë”, që drejtojnë institucionet tona shtetërorë, – shkruente gazetarja Luljeta Progni – …kanë frikë nga e kaluara, kanë frikë se humbasin pushtetin e trashëguar, kanë frikë se u rrënohen bizneset e ngrituna pa të drejtë, mbi asetet kombëtare, kanë frikë nga demokracia, kanë frikë nga e vërteta…!
Sot, edhe unë kam frikën time. Më 30 prill 2015, në rrugët e Durrësit, falangjistët pro-fashiste, u përpoqën me pengue fushatën elektorale paqësore të kandidatit të opozitës, veprimtari që na kujton Shën-Petersburgun në 1917, Romën e vitit 1922, Nurembergun e viteve 1932-‘33. Fashizmi si kult i dhunës qeveritare, pavarësisht nga ngjyra, nuk do të kalojë në Shqipëri. Nuk besoj se do të kenë sukses, këto grupe rrugaçësh që kërkojnë kthimin e së kaluemes diktatorjale. Po ata mund të kenë sukses në përgatitjen e nji tragjedie të re shqiptare!
Atëhere, ndoshta të vdekunit do të ngrihen nga varret – e të shpëtojnë të gjallët që sot kanë vdekë…! Memorie.al